Beate Zschaepe, 38 vjeç, akuzohet për vrasjen e dhjetë biznesmenëve emigrantë dhe të një policeje në Gjermani.
Celula Nacional Socialiste Nëntokësore ka operuar për një dekadë dhe është zbuluar rastësisht, duke tronditur opinionin publik.
Zschaepe është akuzuar edhe për të paktën dy vënie bombash dhe 15 grabitje bankash, të kryera në bashkëpunim me Uwe Mundlos, 38 vjeç, dhe Uwe Boenhardt, 34 vjeç.
Të dy burrat kanë vdekur në vitin 2011, mendohet nga një vetëvrasje.
Treshja terroriste mendohej se kishte edhe një lidhje dashurie mes tyre.
Mendohet se gjyqi do të zgjasë së paku dy vjet.
Zschaepe ishte në qendër të komenteve të psikologëve dhe gazetarëve. Ajo u shfaq arrogante, por edhe disi e pasigurt. Ndërkohë në sallën e gjyqit ajo u ktheu shpinën familjarëve të viktimave.
Dhjetëra njerëz, kryesisht familjarë të viktimave, protestuan përpara gjykatës. “Vdekje fashistëve,” bërtisnin disa protestues.
Fakti që ky grup operonte pa u vënë re nga policia ka bërë që shumë analistë të ngrenë pikëpyetje mbi faktin se sa e përhapur është plaga e neo- nazizmit në Gjermani.
Vrasësi norvegjez, Anders Behring Breivik është një adhurues i madh i nazistes. Madje raportohet se ai i ka shkruar asaj duke i thënë që të përdorë gjyqin e saj për të përhapur propagandën naziste.
Nga ana tjetër, po sot BBC njofton për lajmërimin e një ish- roje të kampit të Aushvicit.
Hans Lipschis u arrestua në jug të Gjermanisë.
Prokurorët thonë se kanë prova shokuese se ai ka qenë bashkëpunëtor në vrasje në kampin e vendosur në Poloninë e pushtuar nga nazistët.
Vetë ai pretendon se ka qenë thjesht një kuzhinier./ep