Pas finales së Netëve të Klipit, vjen spektakli i bukurisë
Përpara njërës prej studiove të Televizionit Publik, radha e gjatë e vajzave të lë të kuptosh që diçka e pazakontë po ndodh. Ndihen emocionet, ethe gare, biseda nën zë, një kontroll i fundit i veshjeve, parapërgatitje për intervistën, çfarë do të thonë, sa të zonjat do të jenë në minisfilatën përballë përzgjedhësve… çdo gjë që mund të dalë në këtë ballafaqim të parë. Brenda studios së ndriçuar mirë Petri Bozo është drejtuesi i gjithçkaje. Ka një pyetësor në dorë, drejton kameran dhe kërkon që intervista të regjistrohet në çdo detaj. Kjo ëshë faza e parë konkrete e një pune që në fakt ka nisur këtu e një vit më parë, kur edicioni i fundit i Miss Shqipëria mbylli siparin. Stafi është mbledhur sërish dhe këtu po bëhet përzgjedhja e konkurenteve të edicioni të këtij viti, i 15-ti në radhë.
Këtë vit në dyert e Deliart Assocation kanë trokitur më shumë se 180 vajza që ëndërrojnë kurorën e bukurisë. Tani është faza e seleksionimit dhe nga gjithë kjo prurje do të veçohen vetëm 31, si çdo vit tjetër, të cilat do të garojnë për kurorën e më të bukurës së trevave shqiptare. Edhe sivjet ka shumë pretendente nga diaspora”, thotë producenti Bozo, i shkëputur për një çast, deri sa vajza e radhës të bëhet gati. “Kanë ardhur nga Italia, Greqia, Gjermania, Zvicra, pa diskutuar këtu pjesëmarrëse nga të gjitha qytetet e Shqipërisë”.
Ka edhe një risi tjetër këtë vit: për herë të parë, faza e seleksionimit do të kryhet edhe në Prishtinë. Të hënën e 27 majit grupi organizator do të vendoset në Golden Restorant dhe në bashkëpunim me Blodin Karaxhën, drejtues i agjencisë “B Model”, në Prishtinë do të përgjidhen vajzat nga Kosova, pjesëmarrëse në këtë event. “Mendoj se sivjet do të kemi të paktën 3-4 vajza nga Kosova”, thotë Bozo. Të cilat, bashkë me konkurentet e tjera do të bëhen pjese e rrugëtimit tradicional të Miss Shqipërisë. Do të organizohet turi nëpër trevat historike dhe turistike, ndërkohë që mbrëmjen e 22 qershorit, vendi që do të mirëpresë bukuroshet shqiptare do të jetë parku arkeologjik i Bylisit, Komuna e Hekalit në Ballsh. “Iniciator këtë vit u bë Neritan Ceka”, thotë Bozo. “Ai ka bërë disa studime atje dhe na propozoi të udhëtonim në këtë destinacion këtë vit. Bylisi është një vend shumë i bukur, populli është shumë mikëpritës për të mos folur pastaj për historinë e jashtëzakonshme që ruhen në rrënojat e tij. I vetmi problem për ne është se po përballemi më vështirësi teknike. Mungon energjia elektrike në Bylis, pra ka probleme për ngritjen e skenës, gjë që e bën më të vështirë punën e produksionit, krahasuar me vitet e tjera. Megjithatë komuna ka ngritur një grup pune dhe ka vënë në dispozicion të gjitha mjetet që disponon në mënyrë që gjithçka të shkojë mirë. Është një bashkëpunim shumë i mirë, ky mes nesh dhe u jam mirenjohes”.
Ndërkaq bashkëpunëtsorët e Deliart, të drejtuar nga Bozo, kanë edhe një impenjim tjetër të rëndësishëm këto ditë: Netët e Klipit Shqiptar po i afrohet natës finale dhe kjo e shton ritmin e punës. Pas tetë javësh transmetim, mbrëmjen e 2 qershorit, në Teatër Kame do të mbahet nata finale prej nga do të shpallen edhe fituesit. “Për herë të parë sivjet është reduktuar numri i klipeve”, thotë Bozo. “Nëse vitet e kaluara ishin deri në 80-90 klipe në konkurim, sivjet janë vetëm 42. Kjo, së pari sepse vetë studiot e produksionit, bënë selektim më të fortë dhe së dyti sepse juria vendosi që të merreshin në shqyrtim klipet më interesante, ato që ishin të ndërtuara mbi një fabul, jo vetëm me pamje dhe këngëtarin në qendër”. Ndërkaq edhe pjesëmarrja ka qenë nga të gjitha trevat shqiptare dhe përfundimi është, siç thotë Petri Bozo, që “gara e vërtetë është mes klipeve të organizuara në Kosovë dhe Shqipëri. Ato të realizuar në Maqedoni nuk janë ende në lartësinë e duhur”. Në galanë e së dielës, të prezantuar nga Adelajda Xhamani, Petri premton shumë supriza dhe duke nënkuptuar jo vetëm të ftuarit dhe çmime, por edhe prezantime klipesh të reja, të këngëtarëve të njohur, të cilët do ta nisin startin e kompozimeve të tyre të fundit, pikërisht në skenën e Netëve të Klipit Shqiptar.
Home »
» Miss Shqipëria në start, Edicioni i 15-te, në parkun arkeologjik Bylis







