Mbaron kriza e letrës higjienike


Venezuelë


Asambleja Kombëtare e Venezuelës mbështeti planet për të importuar 39 milionë topa me letra higjienike, në përpjekje për të lehtësuar një mungesë kronike të këtij produkti në shtetin që funksionon si një ekonomi e centralizuar shtetërore. Ligjvënësit votuan për të miratuar një kredi me vlerë 79 milionë dollarë për Ministrinë e Tregtisë së vendit, kredi që do të përdoret edhe për të blerë pastë dhëmbësh dhe sapun. Këto produkte janë të furnizuara më pak sesa kërkesa nëpër dyqane.
Vendi i pasur me naftë bazohet tek importet, por kontrolli i valutës ka kufizuar aftësinë për të paguar për mallrat e importuara. Presidenti Nicolas Maduro, i cili fitoi ngushtë zgjedhjet në prill, thotë se mungesat e shpeshta të mallrave bazë në vend janë pasojë e një fushate komploti nga opozita dhe të pasurit e kësaj shoqërie.
Maduro është betuar të vijojë rrugën e paraardhësit të tij, Hugo Çavez, i cili krijoi një “socializëm të shekullit të 21” përmes shtetëzimit të pronave dhe programeve shoqërore shumë të gjera.
Por analistët thonë se përpjekjet e qeverisë për të imponuar kontrolle shtetërore në ekonomi kanë krijuar disbalanca të stërmëdha që kanë krijuar edhe mungesën e furnizimeve.
“Kontrolli i çmimeve, për shembull, nuk i inkurajon prodhuesit vendës dhe i detyron ato të pakësojnë prodhimin”, thotë një organizatë vendëse. “Mungesa e mallit që vjen pas kësaj sjell edhe rritje të inflacionit, duke mposhtur pikërisht qëllimin bazë të kontrollit të çmimeve”.
Venezuela po vuan një inflacion në masën 25 për qind. Monedha vendëse, bolivari, është zhvlerësuar në mënyrë të përsëritur gjatë viteve të fundit. Vetëm në shkurt ajo humbi 32 për qind të vlerës.