Masterat, brenda 7 vjetëve, mbi 100 mijë diploma

Tabelë
Kuota masteri nga 2007 në 2014
Viti 2013-2014 - Pritet miratimi i rreth 17 mijë masterave shkencorë dhe profesionalë
Viti 2012-2013 - Kuotat 17 568 mastera shkencorë dhe profesionalë
Viti 2011-2012 - Kuotat 15 284 mastera shkencorë dhe profesionalë
Viti 2010-2011 - Kuotat 16 555 mastera shkencorë dhe profesionalë
Viti 2009-2010 - Kuotat 9825 (DND) dhe master i nivelit të parë / Master part-time rreth 5 mijë kuota
Viti 2008-2009 - Kuota 15 000 mastera shkencorë dhe profesionalë
Viti 2007-2008 - Kuota 8 mijë kuota master
Pasuniversitarët 

Shifrës i shtohen rreth 50 mijë mastera në privat dhe në total brenda kësaj periudhe, mbi 10 mijë doktoratura

Lorina Mixha 


Të rinjtë shqiptarë, por edhe familjet shqiptare, janë të dëshiruar për arsim. Më shumë se arsimdashës, të rinjtë e sotshëm kërkojnë që të jenë të kualifikuar, të mbarojnë studimet e larta dhe menjëherë t’u drejtohen pasuniversitarëve.
Në vendet e zhvilluara, në master regjistrohen në pjesën më të madhe ata studentë të cilët kanë disa vite punë, përvojë në një fushë të caktuar dhe më pas vendosin që t’i thellojnë njohuritë e tyre në një sektor të posaçëm, me pritshmërinë dhe ambicien që më pas të jenë liderë në këtë fushë.
Ndërkohë që doktorantët apo aspirantët për doktoraturë janë një pakicë e vogël studentësh, të cilët kanë përfunduar edhe pasuniversitarët, por kërkojnë të punojnë dhe të jenë pjesë e ambienteve të auditorëve, të jenë pedagogë por edhe të punojnë në universitet për kërkim shkencor. Në të tilla kushte, vendosin të ndjekin doktoraturën, proces serioz dhe rigoroz. E kundërta ndodh në vendin tonë. Brenda shtatë vjetëve në Shqipëri janë pranuar në ambientet e auditorëve mbi 100 mijë studentë në ciklin pasuniversitar.
Nga viti akademik 2007-2007 kur në qendrën e publikimeve zyrtare shënohen kuotat e miratuara për master, atëherë kur nis edhe çelja serioze e ciklit pasuniversitar, qeveria miratoi fillimisht më pak se 8 mijë kuota për master.
Para kësaj kohe, pasuniversitarët ishin hapur në disa degë të universiteteve kryesore, por të njohura si SHPU, shkollat pasuniversitare, parantezë kjo e cikleve të studimit master.
Më pas, për vite me radhë, këto shkolla u kthyen në auditorë të ciklit të dytë të studimeve, master, pasuniversitar, shkencor apo profesional siç u kualifikuan më vonë nga ekspertët e arsimit.
Liberalizimi i universiteteve, rritja e kuotave çdo vit të numrit të studentëve të pranuar në universitarë solli edhe rritjen e kuotave të masterit nga viti në vit. Në vitet e para kuotat kanë qenë fillimisht 8 mijë deri në 9 mijë, ndërkohë që e përgjithshmja mesatare e kuotave të miratuara çdo vit është nga 10-15 mijë. Këtu, pa llogaritur masterat part time, të njohura si me kohë të pjesshme. Janë rreth 100 mijë mastera të ciklit me kohë të plotë dhe përveç tyre, mbi këtë shifër shtohet një listë tjetër studentësh të cilët janë regjistruar në pasuniversitarë pas vitit 2007.
Sistemi privat
Në vend, përveç universitetit publik, është edhe universiteti privat, statistikat dhe numri i pasuniversitarëve, kuotave apo të të diplomuarve nuk gjendet në databazën e statistikave zyrtare.
Përveç institucioneve universitare, të cilat i kanë në regjistrat e tyre, as INSTAT as Ministria e Arsimit dhe as rrjetet e tjera të të dhënave për arsimin, nuk raportojnë dhe nuk bëjnë publike bilancet e kuotave master në privat.
Por nisur nga numri i studentëve të regjistruar, kërkesat e larta mendohet se në privat janë më pak se gjysma e pasuniversitarëve në publik, rreth 50 mijë gjatë këtyre 7 vjetëve. Pavarësisht se ciklet e dyta të studimit në universitetet private u hapën më vonë se në shtet, fluksi i kërkesave për master në universitete private ishte tepër i lartë që në vitin e parë.
Por në këtë sistem, kuotat vendosen nga institucioni arsimor dhe jo me vendim të Këshillit të Ministrave. Privatët marrin sa kanë mundësinë, dhe sa e shohin të arsyeshme.
Përveç kësaj liste, të diplomuarit në ciklin e dytë të studimeve janë edhe më shumë. Një listë e gjatë emrash studentësh që kthehen nga studimet jashtë nuk janë informatizuar në një rrjet kombëtar, pavarësisht se ekuivalentimi i diplomave të tyre bëhet në Ministrinë e Arsimit.
Doktoraturat
Numri i kuotave në doktoraturë ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, por pavarësisht kësaj rritje, numri total i doktorantëve brenda një viti në të gjitha universitetet e vendit ka kaluar shumë pak nga 1 mijë gjithsej. Ndërkohë që këtë cikël studimi e kanë çelur tre vjetët e fundit edhe universitetet private, një pjesë e të cilave nuk u janë kontrolluar cilësitë që ofrojnë dhe nëse arrijnë t’i përmbushin kriteret dhe kërkesat e kohës.
Si për masterat edhe për doktoraturat, nuk dihet ekzaktësisht se cilët janë me leje dhe cilët janë në të “zezë”. Universiteti i Prishtinës, para pak kohësh, ka ngritur shqetësimin për një pjesë të studentëve të cilët kanë studiuar master apo doktoraturë në sistemin privat në Shqipëri.

Të dhëna

Part time
Një pjesë e mirë e masterave gjatë katër viteve të fundit mund t’i ndjekësh edhe në distancë. Kjo do të thotë se studentët mund të paraqiten brenda një kohe më të gjatë në këtë cikël, pavarësisht se diploma është e njëjtë me kohën e plotë

Privat
Masterat në universitetet private ofrohen si shërbim prej disa vitesh. Por Ministria e Arsimit dhe institucionet arsimore nuk bëjnë publike dhe nuk deklarojnë kuotat e pranimeve të përvitshme në auditorët e tyre

Të kthyer
Pjesë e përllogaritjes për të diplomuarit në pasuniversitar nuk janë studentët e kthyer nga jashtë. Një pjesë e vogël e studentëve shqiptarë që u arsimuan jashtë vendit studiojnë në pasuniversitarë

Ligj
Dy vjet më parë, Këshilli i Ministrave miratoi një ligj ku iu dha mundësinë universiteteve private të hapin ciklin e doktoraturës, duke i vendosur kushte dhe kritere. Por licencën për të hapur doktoraturë nuk e morën të gjithë