Një vjetar i quajtur “Manuali Diagnostikues dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore” është libër referencë për psikiatrinë, por shumë mendojnë se kjo është shumë e gabuar dhe e dëmshme
Psikiatria
The Economist
Truri i njeriut është objekti më kompleks i njohur në univers. Ai mbart 100 miliardë qeliza nervore. Duke marrë parasysh se sa kompleks është ai, rastet kur funksionon keq janë shumë shumë të rralla.
Por në disa raste, ai nuk funksionon. Kjo është arsyeja se pse, që nga viti 1952, Shoqata Psikiatrike Amerikane ka publikuar vjetarin e vet “Manuali diagnostikues dhe Statistikor i Çrregullimeve Mendore”, (DSM). Ky libër përmban të menduarit e shoqatës me atë që konsiderohet si çrregullim i mendjes.
Ai konsultohet jo vetëm nga psikiatrit, por edhe nga kompanitë e sigurimeve, kompanitë e ilaçeve, pacientët me ankth dhe prindërit, jo vetëm në Amerikë, por në të gjithë botën. Ai është bërë standardi i industrisë për të përkufizuar atë që është apo nuk është një sëmundje mendore dhe rrjedhimisht duhet të trajtohet, si dhe kush paguan për trajtimin.
Asnjë degë tjetër e rëndësishme e mjekësisë nuk ka një tekst të tillë të vetëm me kaq shumë fuqi mbi jetët e njerëzve të tjerë. Dhe kjo është shqetësuese. Për shkak se në asnjë degë tjetër të mjekësisë realiteti shkencor nuk është kaq i pasigurt për mjekët.
Kjo pasiguri, vjen nga injoranca jonë e thellë mbi atë se si funksionon me të vërtetë truri. Neuroshkencëtarët kuptojnë se si funksionojnë qelizat. Ata e dinë gjithashtu se cilat pjesë të trurit merren me vizionin, me lëvizje, me gjuhën, memorien etj. Por mes këtyre dy niveleve anatomike, gjithçka tjetër është errësirë. Psikiatrit duhet të përdorin për rrjedhojë sjelljet si një shfaqje e përafërt e problemeve. Dhe ajo çfarë përbën një përqasje është shpesh çështje opinioni dhe jo një fakt statistikor rigoroz.
Kritikat në fund janë sa u përket emrave. DSM jep emra të tillë si “çrregullimi i sjelljes” për të karakterizuar çrregullimet e çastit te fëmijët dhe “çrregullimi i të ngrënit për qejf” për ata që kanë prirje të hanë me tepri. Nëse këto do të ishin thjesht etiketa, ndoshta nuk do të kishte rëndësi, (megjithëse në fushën e shëndetit mendor edhe një etiketë mund të jetë shkatërrimtare).
Por diagnozat shpesh sjellin receta ilaçesh dhe shumë pilula u jepen në këtë mënyrë njerëzve, nevoja e të cilëve për to është së paku e diskutueshme.
Mënyra se si DSM i klasifikon ata që janë pa dyshim të sëmurë është gjithashtu shumë e debatueshme. Skizofrenia, një depresion madhor dhe disa forma të autizmit janë kushte të paaftësisë që për shumë kohë kanë qenë konsideruar si sëmundje të ndryshme. Por teknikat moderne të analizimit të gjeneve dhe skanimit të trurit po i dërgon disa kërkues të vrasin mendjen nëse me të vërtetë këto sëmundje mund të dallohen nga njëra-tjetra në këtë mënyrë. Pa një diagnozë të mirëfilltë, një trajtim i mirëfilltë është i vështirë.