Pranvera tashmë ka ardhur dhe ju duhet të jeni gati për t’u përballur me diellin. Masat parandaluese, mbrojtëse dhe rregullat për lëkurën, flokët dhe sytë. Ja disa nga këshillat më të dobishme për pranverën
Më së fundi erdhën të shumëpriturat ditët me diell dhe çdokush nga ne “rinis jetën” me ajrin jashtë mureve të shtëpisë apo të punës. E gjithë kjo për ne sjell përfitime për organizmin tonë duke qenë se dielli dhe drita nxisin sintetizimin e Vitaminës D, përmirësojnë humorin dhe zbusin dhimbjen e muskujve. Por, përpos këtyre të mirave, ekspozimi i menjëhershëm, sidomos i lëkurës në diell, është shumë i dëmshëm, sepse vetë lëkura nuk ka kohë për t’u përgatitur për të prodhuar më shumë melaninë, për të mbrojtur veten nga rrezet UVB dhe UVA. Temperaturat në rritje mund të përkeqësojnë problemet në lëkurë, duke stimuluar rritjen e prodhimit të sebiumit në yndyrë, ose duke e dehidratuar atë. Për të ndihmuar lëkurën, duhet të ndryshoni llojin dhe cilësinë e kremit të fytyrës dhe të trupit, sepse ju keni nevojë t’i hidratoni më shumë ato. Kush e ka lëkurën të yndyrshme, duhet të kërkojë një lloj kremi më pak të yndyrshëm. “Dielli pranveror është shumë i dëmshëm: lëkura duket sikur nxihet pak në sipërfaqe dhe të lë përshtypjen se kjo nuk është e dëmshme. Por në fakt është”, konfirmon Fabio Rinaldi, një dermatolog në Milano dhe njëkohësisht presidenti i Fondacionit të Kërkimeve Ndërkombëtare për Flokët. Mbrojtja nga dielli duhet të bëhet çdo ditë. Studimet e fundit shkencore kanë demonstruar që nga dielli nuk duhet të mbrohemi vetëm për të shmangur djegien dhe skuqjen e lëkurës nga rrezet UVB, por edhe për t’u mbrojtur kundër rrezeve UVA që shkaktojnë dëme më të thella në nivelin e ADN-së. “Mbrojtja duhet të bëhet edhe në dimër, sidomos për të parandaluar dëmtimin e ekspozimit kronik në diell. Kjo vlen mbi të gjitha për ata persona të cilët e kanë lëkurën të bardhë dhe të hollë, por edhe për ata që e kanë më të errët, sepse nëpërmjet aplikimit të një kremi mbrojtës, ata mund të parandalojnë rrudhat”, shpjegon Enzo Berardesca, drejtori i klinikës dermatologjike të Institutit San Gallicano në Romë. Përveç fëmijëve, që kanë lëkurën më delikate dhe të moshuarve, lëkura e të cilëve prodhon më pak melaninë, edhe meshkujt janë konsideruar si të pambrojtur ndaj rreziqeve të ekspozimit në diell. “Për shkak se kanë një lëkurë më të trashë, meshkujt tentojnë të mbrohen më pak. Nuk përdorin kremrat kundër diellit në jetën e përditshme dhe nuk u besojnë efekteve parandaluese që kanë ato ndaj rreziqeve që i kanosen lëkurës nga dielli”, thotë Berardesca. Për t’u mbrojtur, është thelbësore të zgjidhni një mbrojtës të mirë ndaj diellit duke marrë parasysh llojin e tij dhe të përdorni sasinë e duhur. “Mesatarisht duhet të vendosni në lëkurë një sasi të pakët dhe mos bëni më shumë aplikime çdo dy-tre orë”, sqaron eksperti. Sekreti për t’u mbrojtur nga rrezet e diellit është kombinimi i kremit me një antioksidant, qoftë xhel apo i lëngshëm. Atë duhet ta aplikoni 10 minuta përpara se të vendosni kremin solar. Antioksidantët e gjeneratës së fundit janë tetë herë më shumë mbrojtës kundër rrezeve të dëmshme të diellit. Bëhet fjalë për produktet me bazë acidi L-Askorbik, një antioksidant i cili është në gjendje të mbrojë lëkurën nga dëmtimi i rrezeve UV dhe rrit prodhimin e kolagjenit dhe të tocopherol alfës, e cila kompleton veprimin antioksidant të vitaminës C. Antioksidantët mund të merren edhe nëpërmjet ushqimeve. Ndaj filloni t’i përdorni që tani, në mënyrë që të jeni sa më në formë.





