Jeta e panjohur e Angela Merkel në Gjermaninë komuniste (FOTO)

Kopertina e librit

Kush është kancelaria Angela Merkel në të vërtetë? Një libër i ri nga gazetarët Ralf Georg Reuth (BILD) dhe Guenther Lachmann (WELT), trajton periudhën e Angela Merkel në Gjermaninë Lindore, rininë dhe karrierën e saj.
Përfundimi i librit është se panorama që kemi ne për Angela Merkel nuk është e plotë. Për këtë çështje flet për BILD autori Ralf Georg Reuth.
Çfarë ka të re në këtë libër?
Mund të konfirmojmë se Angela Merkel ka qenë më pranë sistemit të Gjermanisë Lindore (Republika Demokratike e Gjermanisë) nga sa e kemi ditur deri më tani.
Gjatë kohës që ishte e angazhuar në Akademinë e Shkencave të RDGJ-së, ajo ka qenë funksionare, për shembull nga viti 1981 ajo ka qenë sekretarja e Rinisë së Lirë Gjermane për agjitacionin dhe propagandën, gjë që ajo e mohon sot e kësaj dite. Përveç kësaj ajo ishte pjesë e këshillit sindikal.
Në libër ju e quani Angela Merkelin një komuniste të reformuar. Çfarë do të thotë kjo?
Angela Merkel nuk ka ardhur në dhjetorin e vitit 1989 si një e panjohur në politikë, por ka qenë aktive shumë më përpara “Zgjimit Demokratik” (një lëvizje opozitare në RDGJ, e krijuar në kohën e ndryshimit të regjimit).
Në atë kohë ajo nuk ishte pro bashkimit, por ishte për një ‘socializëm demokratik’ në një Gjermani Lindore të pavarur.
A e ka zbukuruar jetën e saj kancelaria?
Të paktën mund të supozojmë se Angela Merkel e ka sjellë jetën e saj në RDGJ në përputhje me pritshmëritë e mbështetësve demokristianë.
Vetëm 15 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Angela Merkel u bë ministre, pastaj menjëherë nënkryetare e CDU. Si erdhi kjo ngjitje kaq e shpejtë?
Ka arsye të ndryshme për këtë. Sigurisht rrethanat politike të kohës së ndryshimeve kanë luajtur një rol. Por rolin vendimtar e kanë luajtur sponsorët e Merkel.
Kush ishin sponsorët e Merkel në atë kohë?
Fillimisht ishte Wolfgang Schnur, në atë kohë drejtuesi i partisë reformatore “Zgjimi Demokratik”, dhe më vonë shefi i fundit i qeverisë në RDGJ, Lothar de Maiziere nga CDU- Lindore. Të dy janë cilësuar nga Stasi si bashkëpunëtorë jozyrtarë.
Ku i bazoni këto përfundime?
Kemi kaluar vite duke bërë kërkime në dokumente sekrete, një pjesë e të cilave nga koleksione private. Kemi folur me dëshmitarë të kohës, të cilët kanë heshtur deri më tani.
Çfarë ka thënë kancelaria?
Sigurisht që ne kemi kërkuar të mësojmë prej saj. Por Angela Merkel na është përgjigjur përmes zëdhënësit se nuk ka kohë që t’u përgjigjet pyetjeve tona.
Angela Merkel në moshën 18- vjeçare në festën e Vitit të Ri
Angela Merkel në moshën 18- vjeçare në festën e Vitit të Ri
Angela, 16 vjeç, me bluzën e Rinisë së Lirë Gjermane
Angela, 16 vjeç, me bluzën e Rinisë së Lirë Gjermane
Angela pas zgjedhjes kancelare me prindërit Horst dhe Herlind Kasner
Angela pas zgjedhjes kancelare me prindërit Horst dhe Herlind Kasner
Angela me të shoqin, Joachim Sauer
Angela me të shoqin, Joachim Sauer