Renditja e “Forbes”: Kancelaria Merkel gruaja më e pushtetshme në botë
Kancelarja gjermane, Angela Merkel mbetet edhe për këtë vit gruaja më e pushtetshme në botë, përpara presidentes braziliane, Dilma Rousseff dhe biznesmenes amerikane, Melinda Gates, sipas listës vjetore të revistës “Forbes” të publikuar dje. Kjo është hera e tretë radhazi që Merkel është në krye të klasifikimit të grave më të pushtetshme në botë. Francezja Christine Lagarde, shefja e FMN-së ka fituar një vend ndryshe nga viti i kaluar, tani është në të shtatin. Hillary Clinton ka humbur vendin e dytë vitin e kaluar pasi u largua nga Departamenti amerikan i Shtetit, megjithatë ajo është në vendin e pestë, pas Zonjë së Parë, Michelle Obama, e cila ka kaluar nga vendi i shtatë në të katërtin. Më e reja në moshë në këtë listë 27 vjeç, është Lady Gaga në vendin e 45-ë, ndërsa më e moshuara Mbretëresha Elizabeth 87 vjeç, në vendin e 40-ë. Të 100 gratë më të pushtetshme në botë punojnë në fushën e teknologjisë, biznesit, medias, politikës, botën e shfaqjeve, në organizatat bamirëse ose janë miliardere. Fuqia e tyre është përcaktuar nga “Forbes” bazuar në paratë e tyre, në fuqinë mediatike apo ndikimi i tyre. Ato përfaqësojnë 26 vende. Ndër ato të cilat janë të suksesshme në teknologji figurojnë Sheryl Sandberg (Facebook) në vend të 6-ë, Virginia Rometty (IBM), në vend të 12-të, Ursula Burns (Xerox), në vendin e 14-ë, Meg Whitman (Hewlett-Packard), në vendin e 15-ë dhe Marissa Mayer (Yahoo!) në vendin e 32-ë. Nëntë prej tyre janë krerë shtetesh, presidentja koreanojugore, Park Guen-hye bën debutimin e parë në këtë listë duke marrë vendin e 11-ë. Ndër evropianet, figurojnë drejtoresha e përgjithshme e “Burberry”, Angela Ahrendts në vendin e 53-të, stilistja Miuccia Prada në vendin e 58-ë ose bashkëthemeluesja e “Zara”-s, filantropja spanjolle Zara Rosalia Mera në vendin e 66-ë. Ndër artistet, këngëtarja Beyonce Knowles zë vendin e 31-ë, aktorja Angelina Jolie në vendin e 37-ë, Sofia Vergara në vendin e 38-ë dhe Shakira në vendin e 52-ë./tirana observer