Inbox-i në Gmail merr pamje të re, ja ndryshimet e fundit


Ashtu siç është diskutuar prej pak kohësh në internet, Gmail-i do të merrte pamje të re në desktop, iOS dhe Android.
Inbox-i i ri, fotot e së cilit qarkulluan që javën e kaluar në internet, tregojnë se dizajni i ri u vjen në ndihmë përdoruesve për të organizuar më mirë postën e tyre elektronike përmes kategorive me tab-e horizontale, në vend të atyre që shfaqeshin në një listë vertikale. Nëse klikoni në një nga tab-et do të shfaqen të gjitha mesazhet e asaj “view”.
Përdoruesit mund t’i personalizojnë tab-et e reja për të shfaqur gjithmonë dërgues të caktuar në një tab të veçantë apo për të vendosur mesazhet e shënuara me yll në një tab-in kryesor.
Për pjesën mobile, aplikacionet për iOS dhe Android do t’u ofrojnë përdoruesve akses më të shpejtë në Smart Labels të cilat janë projektuar për kategori si ato sociale, promocione apo përditësime. Google është shprehur se dizajni i ri do të shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit në desktop gjatë ditëve në vazhdim.
Ndërkohë, aplikacionet për iOS dhe Android do të jenë të disponueshme në javët në vazhdim. Përdoruesit, të cilët nuk kanë dëshirë të përdorin pamjen e re, mund të rikthehen në atë klasike.
Google ka shkruar gjithashtu në postimin në blog se, nëse dëshironi ta keni më parë dizajnin e ri në inbox-in tuaj, kontrolloni herë pas here mbi një ikonë “Configure Inbox” që do t’ju shfaqet në Gmail. (PCWorld Albanian)
gmail