Home »
» IMRAN KHAN, DON ZHUANI QË KA PUSHTUAR PAKISTANIN
IMRAN KHAN, DON ZHUANI QË KA PUSHTUAR PAKISTANIN
Ylli i kriketit gëzon një reputacion të jashtëzakonshëm në vendlindjen e tij, por edhe jashtë kufijve ka krijuar imazhin e një personaliteti shumëdimensional. Imran Khan u zgjodh në 2012-n si “Njeriu i Vitit” për Azinë dhe angazhimi në politikë ka bërë që partia e tij, e cila garon sot në zgjedhjet e përgjithshme, të jetë forca e tretë në Pakistan
Sot në Pakistan zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme elektorale dhe në to garon edhe partia e Imran Khanit, Lëvizja për Drejtësi në Pakistan një ndër figurat më të dashura në këtë vend për shkak të së kaluarës së tij si lojtari më i lavdishëm i kriketit pakistanez. Ndonëse rezultatet e votimeve do të dalin ditën pasardhëse, sondazhet thonë se partia e Khanit renditet si forca e tretë politike në vend. Më 7 maj gjatë një tubimi elektoral, Khan u rrëzua nga podiumi dhe pësoi një goditje në kokë, por duket se incidenti i vogël në të cilin mbeti viktimë, i solli një avantazh më shumë në fushatë.
Historia e Imran Khanit është historia e një njeriu që duket se ka lindur me shenjën e të përzgjedhurit. Ai lindi 60 vite më parë në një familje të madhe, në shtetin verior të Indisë, Punjab, dhe pati fatin që të studionte në Britaninë e Madhe, ku rezultoi të ishte një lojtar i shkëlqyer i kriketit dhe një Don Zhuan ‘i pandreqshëm’. Me sjellje delikate, shije të rafinuara dhe me një paraqitje tërheqëse, ai u bë shpejt objekt i dëshirave të grave të shoqërisë së lartë në Britani dhe në mbarë Azinë.
Idhull sportiv
Familja e Khanit i ka dhënë kriketit disa kampionë, por askush si Imran nuk ka arritur të ndezë admirimin dhe krenarinë e tifozëve pakistanezë. Ai ka luajtur me skuadrën kombëtare nga viti 1971 deri më 1992, në rolin e kapitenit. Në vitin e fundit të karrierës së tij, Khan u thirr nga presidenti-diktator Zia ul Hak, për të drejtuar kombëtaren në kupën e botës, të cilën skuadra pakistaneze e fitoi për të parën dhe të fundit herë, duke u shndërruar në legjendë dhe duke fryrë me krenari gjoksin e bashkatdhetarëve, se më në fund triumfuan mbi ish-kolonizatorët britanikë, të cilët u mundën në finale.
Politika
Triumfi i skuadrës e projektoi edhe Khanin në këtë legjendë, e cila luajti rolin e trampolinës për lançimin e tij në karrierën politike, të nisur në vitin 1996, me themelimin e Lëvizjes për Drejtësi në Pakistan. Më 1995-n Khan u martua me anglezen Xhemima Goldsmith (vajzën e miliarderit Xhejms Goldsmith dhe Ledi Anabel), e cila u konvertua në myslimane dhe i dha dy fëmijë atij. Por në 2004-n, pas një bashkëjetese dhjetëvjeçare ata u divorcuan miqësisht.
Aktiviste, gazetare dhe pjesë e fisnikërisë britanike që në lindje, Goldsmithi ishte një ndër mikeshat më të ngushta të Ledi Dianës, e veçanërisht bashkëshorti i saj Khan, i cili vazhdoi të mbetej i tillë edhe pas divorcit të saj me princin Karl, duke zgjuar interesin e tabloideve anglofone në të gjithë botën. Prania fikse e Khanit në këto media u forcua edhe më tej nga karriera e tij si komentator i ndeshjeve më të rëndësishme ndërkombëtare, një vijimësi natyrale e karrierës së tij në botën e kriketit.
Evoluimi
Khan që sot gëzon një reputacion të shkëlqyer, u zgjodh “Njeriu i Vitit” 2012 për Azinë. Në vendlindjen e tij ka arritur një tregues të pabesueshëm të mbështetjes popullore (rreth 70%), sidomos midis grave dhe të rinjve. Ai e ka të garantuar suksesin e përballjes me dy partitë e mëdha pakistaneze, PPP-në e familjes Bhuto dhe PML-në e vëllezërve Sharif, që janë ndërkëmbyer në pushtet midis grushteve të shtetit me rezultate falimentuese.
Khan është bërë fytyra e fushatës anti-drone ( avionëve të telekomanduar), që në fakt janë shqetësuese në një vend ku ndjenjat nacionaliste janë të shpërndara në të gjithë spektrin politik. Por, ai është gjithashtu i pari dhe i vetmi që ka propozuar detyrimin e transparencës së pasurive të të zgjedhurve dhe funksionarëve të lartë, apo idenë revolucinare që taksat të paguhen vetëm nga të pasurit, të paktën për standardet e një vendi ku 2/3 e parlamentarëve shmangin deklarimin e të ardhurave.
Përgatiti: Dorina Gjuzi






