Holandë: Gazi sjell pasuri dhe tërmete në veri

Një fushë gazi e zbuluar në vitet ’60 jep miliarda për qeverinë e Holandës, por për banorët vendës, jep tërmete, shtëpi të dëmtuara dhe frikë për të fjetur rehat gjatë natës
Anna Holligan, BBC


Ndërsa tërmetet bëhen më intensive dhe më të shpeshta në veri të Holandës, presioni është në rritje mbi qeverinë për të reduktuar sasinë e gazit që po nxirret atje. Ky është një mallkim për mijëra banorë të një zone të bekuar me një pasuri të madhe nëntokësore. Shtëpitë po rrënohen, ndërsa vendi përfiton nga fushat e gazit të Groningenit, fushat më të mëdha të gazit në Europë.
Ekziston një konsensus mes të gjitha palëve – përfshirë kompanitë e gazit – se procesi i nxjerrjes së gazit po shkakton tërmete, por vendi po lulëzon falë këtyre të ardhurave.
Në 2012, qeveria e Holandës realizoi rreth 14 miliardë euro fitime nga fushat e gazit në Groningen. Pa këto të ardhura, deficiti i Holandës do të qe i ngjashëm me atë të Qipros së zhytur në krizë, rreth 6.3 për qind.
“Ai vjen me shpejtësi drejt nesh, gjithnjë e më i fuqishëm”, thotë Daniella Blanken, e cila drejton Lëvizjen e Tokës në Groningen.
“Çdo gjë fillon të tronditet. Përfundon me një goditje, si një peshë masive e hedhur në shtëpi. Bum! dhe është frikësues, me të vërtetë shumë frikësues”.
Ajo po na çon me makinë përmes një lagjeje të sapondërtuar. Është një lagje periferike e stilit holandez: një kanal kalon në anën e majtë të një rruge. Por Midelsum është një nga zonat e goditura më rëndë.
Sa shtëpi janë prekur? “Së paku 60 për qind e të gjitha shtëpive, por ato të vjetrat kanë vuajtur më shumë”, thotë ajo.
Të çara të shumta
Afërsisht 60 mijë shtëpi gjenden brenda zonës së tërmetit. Kompanitë e gazit po përballen me rreth 6 mijë kërkesa për dëmshpërblim.
Më herët, në kuzhinën e ngrohtë të zonjushës Blanket, ajo u përpoq me zë të dridhur dhe me emocione të shpjegonte dëshpërimin e saj: “Ne duam që ata të vendosin sigurinë tonë mbi të gjitha, por ata nuk duan, me të vërtetë nuk duan. Qeveria ka për detyrë të mbrojë qytetarët e vet”, thotë ajo pastaj pushon për një copë herë para se të shtojë: “Ne nuk ndihemi të mbrojtur”.
Ne dalim jashtë dhe drejtohemi për te një shtëpi fshati të mbuluar me lule. Numri 13. Shtëpia e Klaas Koster dhe Jannette Schoorl. Një mjet matës tregon se në një anë të shtëpisë ka një çarje prej 7 centimetrash në mur, a thua se një rrufe ka goditur dhe ka lënë një shenjë të përhershme.
“Ekspertët na thanë ne se kjo pjesë e shtëpisë po na thotë ‘lamtumirë’, thotë Koster. Toni i tij është gazmor, një përpjekje e qartë për t’u marrë me një problem përballë të cilit banorët janë të pafuqishëm. Dyshemeja e magazinës është dukshëm duke u ndarë më dysh. Ky është një shqetësim i jashtëzakonshëm për shkak se rajoni gjendet pothuajse tërësisht poshtë nivelit të detit. Nuk është një tokë që mund të lejohet të zhytet më tej. Por nuk ka mundësi as të heqë dorë nga gazi. Në Parlamentin e Holandës në Hagë, 200 kilometra më larg, ministri i Ekonomisë, Henk Kamp, shpjegon se pse: “Pothuajse të gjithë njerëzit i ngrohin shtëpitë e tyre me gazin e Groningenit, gatuajnë dhe ngrohin ujin me të. Është gjithashtu i rëndësishëm për buxhetin e qeverisë sonë”.
Qeveria e Holandës ka një pjesë të madhe të aksioneve në fushat e gazit. Ndërsa ka simpati për banorët e prekur, shumë pak janë të gatshëm të bëjnë sakrifica në prosperitetin ekonomik të gjeneruar nga gazi i Groningenit.
Kjo është kaq e vërtetë sa një punëtor i thjeshtë na thotë: “Nëse groningenasit nuk e pëlqejnë situatën, ata thjesht duhet të lëvizin të banojnë gjetkë”.
Ka edhe një arsye tjetër se pse Ministria e Ekonomisë ka refuzuar disa rekomandime shkencore për të zvogëluar shpejtësinë e shfrytëzimit të gazit: kontratat. “Ne kemi kontrata afatgjata me vendet e tjera”, pranon Kamp.
Qeveria nuk qe në gjendje të japë shifra të sakta, por ka penalitete për Holandën nëse ndërpret furnizimin te blerësit e huaj.
Gazi në Groningen u zbulua më 1960. Që nga ajo kohë, qeveria e Holandës ka fituar rreth 250 miliardë euro nga shitja e këtij burimi natyror. Gushtin e kaluar pati një tërmet me shkallë 3.4 ballë. Më i lartë se sa është parashikuar nga ekspertët. Ai i tronditi banorët dhe detyroi ministrat të urdhërojnë një hetim.
“Deri tani ne gjithmonë e dinim se një tërmet mund të ndodhë. Por tani ne nuk e dimë se sa i fortë mund të jetë ai”, thotë Chiel Seinen, i cili përfaqëson grupin e kompanive që shfrytëzojnë gazin. “Ka një skemë kompensimi në funksion. Skema nuk ka asnjë limit. Banorët e prekur do të dëmshpërblehen për problemet e shkaktuara nga tërmetet”.
Por a mendon Seinen se jetët mund të jenë në rrezik? Ai rrudh vetullat dhe thotë: “Nuk mund të përjashtosh asgjë. Nëse njerëzit janë në vendin e gabuar në kohën e gabuar…”
Dhe kjo është edhe frika e banorëve, paraardhësit e të cilëve jetuan në këtë tokë shumë kohë para se firmat e gazit filluan ta tronditin atë.
Lëvizja e Tokës së Groningenit po mendon aktualisht të ngrejë një padi në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, bazuar në faktin se e drejta e tyre për të jetuar pa frikë është dhunuar.
Sërish në fermë, Koster po pi çaj ndërsa lexon një bllok të trashë me artikuj gazetash lokale që raportojnë mbi problemin, në kontrast të madh me vëmendjen që po i jep media kombëtare. Ai dhe zonja Schoorl janë dy nga njerëzit që ende po presin për kompensim. Ata janë lodhur duke luftuar për të bindur ekspertët, e financuar nga kompania e gazit, se çarjet e fundit qenë shkaktuar nga tërmetet. Dhe zonja Schoorl ka probleme me gjumin. Unë fle poshtë një traverse. Gjatë natës mendoj se çfarë mund të ndodhë nëse një tërmet godet dhe traversa bie mbi ne?”
 gazi ne Hollande (4)