Home »
» Google Translate – Çfarë ofron dhe pritet të ofrojë në të ardhmen
Google Translate – Çfarë ofron dhe pritet të ofrojë në të ardhmen
Gjatë konferencës së Zhvilluesve I/O Google ka deklaruar se nëpërmjet shërbimit Google Translate siguron miliarda përkthime çdo ditë për 200 milion përdoruesit e saj.
Rreth 92% e përdoruesve janë njerëz jashtë SHBA-së. Interneti është i fokusuar në përdorimin e gjuhës angleze, por vitet e fundit është zgjeruar gradualisht edhe në gjuhë të tjera si rezultat i ndihmës së ofruar nga ndryshimet teknologjike duke përfshirë këtu suportin që ofrojnë shfletuesit për tekstin nga e djathta në të majtë si dhe mundësia për të shkruar adresat ueb edhe me alfabete jo romake.
Ky shërbim i lançuar nga Google në vitin 2008 ofron mundësinë e përkthimit të çdo gjuhe në çdo gjuhë tjetër. Aktualisht Google Translate funksionon me 71 gjuhë të ndryshme. Sasia e tekstit që përkthehet nëpërmjet këtij shërbimi çdo ditë tejkalon punën e përkthyesve profesionale për një vit të plotë.
Google Translate, projekt që i ka fillesat që prej vitit 2001 përmbush plotësisht misionin e kompanisë “për të organizuar informacionin nëpër botë dhe për ta bërë atë të aksesueshëm prej të gjithëve”. Një prej avantazheve të këtij shërbimi është edhe integrimi i tij me shërbimet e tjera të Google si p.sh Google Search, Gmail apo Google Chrome.
Shërbimi Google Translate po përdoret gjithnjë e më tepër, kjo sigurisht është ndihmuar së fundmi edhe nga përhapja e aplikacionit Google Translate për pajisjet mobile, i cili mund të përkthejë tekstin e lexuar me kamerën e smartfonit si dhe mund të ruajë paketa gjuhësore për përdorim off line.
Çfarë plani ka kompania në të ardhmen për Google Translate?
- Rritja e numrit të gjuhëve. Tashmë shërbimi suporton 71, por në botë ka mijëra gjuhë të tjera.
- Ofrimi i një cilësie më të lartë.
- Ofrimi i mundësisë për të aksesuar përkthimet kudo që përdoruesi ndodhet.
- Komunikim në kohë reale që do të thotë mundësia për përkthime të menjëhershme. (PCWorld Albanian)






