Emigrantët që u zhdukën me shpresë për të mbërritur në SHBA

Një emigrant jetoi në Kaliforni për 20 vjet, më së shumti ilegalisht duke tejkaluar vizën. Por një ditë, i vdiq nëna dhe u detyrua të kthehet në shtëpi. Pastaj tentoi të hyjë në SHBA përmes shkretëtirës, ku u zhduk…
Vdekje në shkretëtirë

Fernanda Santos dhe Rebekah Zemansky, NYT


Tuskon – Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të kontest Pima është depozita e koleksionit më të madh të kombit të njerëzve të zhdukur. Ajo raporton për emigrantët që u zhdukën ndërsa përpiqeshin të kalonin kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Plot 774 sete mbetjesh presin të identifikohen, të magazinuara në thasë të mbuluar nga pluhuri.
Për familjen e Andrés Valenzuela Cota, mbetjet përfaqësojnë një mundësi për të mbyllur një kapitull të hidhur të historisë së familjes. Cota qe 45 vjeç kur u zhduk në 15 korrik 2011, pasi pati telefonuar një mbesë në Los Anxhelos duke i kërkuar t’i dërgonte 100 dollarë me Uestern Union në Kananea, Meksikë, një pikë nisjeje për trafikantët që sjellin emigrantë përmes Arizonës.
Ndërsa Kongresi debaton ndryshimet më të mëdha në shumë dekada të sistemit të emigrimit në vend, mbetjet e magazinuara këtu janë edhe një kujtesë e rëndë e variablave të komplikuara të ekuacionit të sigurisë kufitare. Numri i emigrantëve të kapur në kufi ka rënë me shpejtësi gjatë viteve të fundit, një nga treguesit më të rëndësishëm të faktit se më pak njerëz janë përpjekur të kalojnë kufirin ilegalisht. Por numri i vdekjeve të emigrantëve ka mbetur i lartë.
“Më pak njerëz po vijnë”, thotë Bruce Anderson, shefi i antropologjisë ligjore të kontesë, “por një pjesë më e madhe e atyre që po vijnë, po vdesin”.
U shënuan 436 vdekje gjatë vitit të shkuar fiskal, që përfundoi më 30 shtator, ose më saktë, pesë emigrantë të vdekur çdo katër ditë, sipas një analize të Zyrës së Uashingtonit për Amerikën Latine, një grupim i të drejtave të njeriut.
Vetëm në vitin 2005, kur numri i të kapurve në kufi qe tre herë më i lartë se sot, ka pasur kaq shumë të vdekur. Ndërsa siguria në kufi shtrëngohet, emigrantët shtyhen të ndjekin rrugë më të largëta e më të rrezikshme. Numri më i madh i vdekjeve vitin e kaluar ndodhi gjatë një cope shkretëtire të egër që përbën cepin më jugor të zonës së patrullimit të policisë kufitare në Tuskon.
Shtegu i vetëm më i rrezikshëm është lugina Rio Grande në Teksas, ku, nga 1 tetori më 30 prill, patrulluesit e kufirit gjetën trupat e 77 emigrantëve. Edhe atje, numri i të vdekurve të zbuluar në përpjekje për të kaluar kufirin, është në rritje të ndjeshme. Shumica e të vdekurve besohet se kanë ardhur nga Amerika Qendrore.
Në Tuskon, zyra e mjekut ligjor kryen analizimin e trupave apo mbetjeve të zbuluara. Secilit i caktohet një numër, pastaj fotografohen, katalogohen, peshohen dhe maten. Rrobat, e ngatërruara me elementë të jetës së egër, vendosen në thasë plastikë.
Për shumë vite, identifikimi i mbetjeve ka qenë shumë iluziv, sepse kishte shumë pak elementë ndihmës. Shumë pak emigrantë nga zonat e varfra rurale mund të identifikohen me anë të të dhënave të dhëmbëve. Kartat e identitetit, të zbuluara në xhep apo në çanta, qenë të pavlefshme në shumë raste, sepse qenë të falsifikuara, të sjella nga emigrantët nga Amerika Qendrore për të mashtruar autoritetet e Meksikës.
Identifikimi i tyre është si zgjidhja e një mozaiku të ngatërruar. Nevojitet kërkimi manual i dosjeve të shumta të vendosura në një mur në zyrën e Dr. Andeson: një arkë mban rastet e viteve 1990, kur pati pak të vdekur. Pjesa tjetër përmban më shumë se 2100 vdekje të regjistruara që nga viti 2001.
“Gjetja e mënyrës dhe shkakut të vdekjes është e lehtë: ajo është diçka ose e pacaktuar”, thotë Dr. Gregory L. Hess, mjek ligjor. “Por është puna që duhet për të identifikuar një person ajo që kërkon shumë kohë”.
Më herët këtë muaj, zyra publikoi një hartë të kompjuterizuar ku u vendosën të dhënat për 1826 emigrantë që vdiqën në shkretëtirë, përfshirë të dhëna për koordinatat gjeografike ku u gjetën dhe, nëse dihen, seksi dhe shkaku i vdekjes. Ajo hartë i jep publikut panoramën e plotë të kompleksitetit të problemit. Të kombinuara, qindra pika të kuqe që përfaqësojnë njerëzit që vdiqën, ngjajnë si një e gërvishtur pa shenjë. Emigrantët kanë vdekur më së shumti nga i nxehti dhe i ftohti. Projekti filloi pesë vjet më parë në bashkëpunim me një organizatë jofitimprurëse. Një donator anonim dha 175 mijë dollarë për të zhvilluar databazën.
Angela Soler, një mjeke ligjore në Tuskon, filloi të kërkojë të dhënat për njërin prej të zhdukurit. Ajo kërkoi në databazë për trupat e gjetur në një zonë të caktuar. Qenë 52 në total të gjetur brenda një rrezeje prej 10 kilometrash. Filloi t’i skarcojë mundësitë një nga një. Një trup qe i identifikuar më 2008. Një tjetër qe gjetur më 2012, i paidentifikuar, mes 20 dhe 35 vjeç. në fund identifikoi atë që kishte më shumë mundësi. Me ndihmën e databazës, ajo thotë se iu deshën vetëm pak orë për të gjetur atë që mund të kishte kërkuar shumë muaj. Njëri prej shumë të zhdukurve është pranë identifikimit. Procedurat e ADN-së janë duke u kryer.
Por historia rrodhi ndryshe për fatin e Andrés Valenzuela Cota. Në mars, konteja i kërkoi familjes së emigrantit Cota, i zhdukur më 2011, të dhënat e dhëmbëve për të parë nëse ai qe mes të zhdukurve të paidentifikuar në magazinë. Pati shtatë mbetje të ngjashme të zbuluara.
Kunati i tij, i cili kërkoi të mos citohej me emër për shkak të frikës së hakmarrjes nga kartelet e drogës që kontrollojnë trafikun e njerëzve, thanë se familja pati raportuar personin e vet si të zhdukur në të dyja anët e kufirit; ai pati vizituar spitalet, stacionet e policisë dhe burgjet në Arizona; pati ndjekur rrugën e Cota-s, duke shpërndarë fletëpalosje me emrin dhe fotografinë e tij.
“Çdo derë ku ne trokitëm qe e mbyllur”, tha ai.
Cota jetoi për 20 vjet në Kaliforni, më së shumti ilegalisht duke qëndruar më gjatë nga sa e lejonte viza. Kur nëna e tij u sëmur, ai u kthye në Meksikë për t’i thënë lamtumirë. Në dhjetor 2010 u përpoq të kthehej përmes San Diegos duke përdorur një pasaportë false, por u kap dhe u burgos për 45 ditë.
Një kushëri i tha atij të shkojë në zonën kufitare pranë Arizonës, ku trafikantët mund ta dërgonin në Arizona “përkundrejt një tarife me ulje”. Në telefonatën e tij të fundit, Cota tha se qe duke nisur udhëtimin, por se i duhej të linte pas vetes telefonin celular. Ai premtoi se do të merrte në telefon sërish pas gjashtë ditësh.
Më 9 maj, Robin C. Reineke, një antropolog kulturor në zyrën mjekoligjore, kërkoi databazën, duke i analizuar rastet një nga një. Cota nuk qe mes tyre. Kërkimi për të vijon.