Edi Rama, një fushatë “alla Barack Obama” (FOTO)

Janë të njohura tashmë pamjet e kandidatëve amerikanë, të cilët shëtisin në çdo cep të vendit me autobusë, për të takuar dhe folur me njerëzit. Këtë model duket se ka vendosur të ndjekë edhe kryesocialisti Edi Rama.
Ky i fundit, në një fushatë “alla Barack Obama”, ka vendosur që të prezantojë kandidatët e PS-së në çdo qark, duke udhëtuar me një autobus, në të cilin, përveç kandidatëve, janë të pranishëm edhe mbështetës të PS-së dhe gazetarë.
Këtë praktikë Rama e ka nisur mbrëmjen e djeshme në Durrës, ku ka prezantuar kandidatët për deputetë të PS-së në këtë qark. Përveçse ka udhëtuar me autobus së bashku me kandidatët për deputetë, Rama ka mbajtur edhe një konferencë live pikërisht nga autobusi. Rama ka folur për disa çështje, duke nisur nga Arben Malaj, Koço Kokëdhima, por dhe listën e PD-së, të cilën e konsideroi një listë humbëse.
Sa i takon listës së PD, është një kokteil midis besnikëve qorra dhe tradhtarëve të të gjitha kohërave. Është një listë “spektakolare” për nga shprehja e panikut në prag të humbjes së pushtetit. Si një përpjekje e të mbyturit të kapur pas fijes së barit, kështu e shoh unë atë listë. Është një listë e cila realisht në këndvështrimin tim përbuz elektoratin e Partisë Demokratike, përbuz ata të cilët janë të thirrur të votojnë dhe që me këtë listë trajtohen realisht si mish për top. Pa llogaritur pastaj faktin që vijnë dhe mesazhe të natyrës: “mos na ngacmoni shumë se aty na keni pas 23 qershorit”, tha Rama./b.l
rama