Dritan Hila
Ora e së vërtetës erdhi edhe për Kreshnik Spahiun dhe Aleancën e tij Kuq e Zi. Me konfi gurimin e koalicioneve në Shqipëri, Spahiu vendosi të dilte vetëm. Nëse bashkohej me Berishën, i binte poshtë e gjithë kauza e ngritur ndaj kryeministrit si tradhtar i vendit. Ndërsa me socialistët, siç duket nuk ia doli të binte dakord për shifrat e deputetëve që do fuste në listat e PS-së. Pak e çuditshme për një parti që pretendon të ketë një të gjashtën e fetës së elektoratit, dhe ndërkohë kërkon të ketë emra në listat e sigurta të një partie tjetër.
Spahiu deklaron se ka rreth 15% të pëlqimit të shqiptarëve. Është kjo shifër e cila koinçidon me peshën e Vetëvendosjes në Kosovë. Ndoshta është një taktikë e tija elektorale për të inkurajuar votuesit dhe shkurajuar vjedhjen në numërimin e votës, në komisionet e së cilës nuk ka përfaqësuesit e vet. Por ngjashmëritë janë të paka. Fillon që nga emri i lëvizjeve. Vetëvendosja e ka rrënjën e saj në dëshirën dymijëvjeçare të shqiptarëve të Kosovës për t'u shprehur dhe vendosur për të ardhmen e tyre, e cila është e lidhur natyrshëm me trungun amë, Shqipërinë. Aleanca Kuq e Zi, ngjan me partinë e parë të Berluskonit në Itali, të quajtur "Forca Italia". Të dyja bashkë shëmbëllejnë aq shumë me emrat e shoqatave të mbështetësve të skuadrave kombëtare të futbollit.
Vetë liderët kanë diferenca. Spahiu, është një ish-nëpunës shteti; Albin Kurti, ka bërë burg në Serbi për idetë e tij. Kurti iu prin "ad personam" përleshjeve të përgjakshme të mbështetësve të tij me policinë; Spahiu ende nuk e ka provuar shijen e barutit. Kurti ka prerjen e një filozofi-revolucionar; Spahiu ende nuk e ka treguar nëse ka stofën e intelektualit, aq të nevojshme për të ngritur lëvizjet minoritare në rang kombëtar. Kurti rrethohet nga të rinj të artikuluar e të aksionit; Spahiu nga burra të moshës së tretë.
Idetë e marra si kalë beteje nga Spahiu, janë kauza që i kishin mbrojtur të tjerët përpara tij. Marrëveshja detare me Greqinë, regjistrimi etnik i popullsisë, marrëdhëniet me Kosovën, janë të gjitha kauza të mbrojtura dhe fituara nga parti, individë apo media të tjera, më përpara se Spahiu t'i përdorte. Në të kundërt, Vetëvendosja ka luftuar për kauza të ngritura nga ajo vetë, pavarësisht nëse i ka fituar apo humbur.
Të dyja lëvizjet e quajtura "nacionaliste" kanë retorika të forta patriotike dhe antiqeveritare. Në rastin e Vetëvendosjes, kemi parë një ind politik mjaft agresiv të anëtarëve të saj. Në të kundërt, kuqezinjtë kanë qëndruar vetëm brenda kufijve të retorikës. Nëse kosovarët u përgjakën në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Spahiu u mjaftua me një soditje me dylbi të Korfuzit.
Një defekt i kuqezinjve është shpeshtësia e ndërrimit të kauzave. Nuk ka ditë që nga selia e lëvizjes të mos dalë një qëndrim i ri. Kjo të bën interesant për mediat, por nuk krijon perceptim serioz në publik. Dhe kaq shumë objektiva, apo thënë më saktë kunguj në sqetull, bëjnë që të mos mbash asnjë deri në shtëpi.
Kuqezinjtë shqiptarë, treguan edhe përkulshmëri ndaj presionit ndërkombëtar. Mjaftoi një tërheqje vëmendjeje nga Ambasada Amerikane, që retorika nacionaliste të humbiste fare tek Spahiu. U duk sikur Spahiu ishte gati të jepte gjithçka, mjaft të kishte vëmendjen e ndërkombëtarëve. Duke harruar se një forcë politike bëhet e përgjegjshme pasi vjen në pushtet. Deri atëherë, për nevojë të mbledhjes së votave, publicitetit e një mijë arsyeve që i duhen marketingut politik, nuk ka pse të jetë kaq e dëgjueshme. Vetëvendosja e Kosovës, do të ishte një shembull për Spahiun.
Gjithë hamendësitë, tani do të vihen në provën e votës. Siç tregojnë sondazhet, vota e Aleancës Kuq e Zi, vjen më shumë nga jugu i vendit dhe elektorat kryesisht i majtë. Që do të thotë, tkurrje e votës në favor të koalicionit të udhëhequr nga Partia Socialiste. Ndaj kjo e fundit ka filluar akuzat ndaj Spahiut si delfin i Berishës. Nuk kanë munguar t'i kujtojnë Spahiut biografinë.
Në krahun tjetër, Berisha, njeriu që ka treguar se e ka inatin të shkurtër nëse një individ apo parti i shërben, ka ulur retorikën kundër të dikurshmit "faqezi". E çfarë rëndësie ka nëse Spahiu thotë se do ta fusë në burg pas 23 qershorit. Që fati i Berishës të mbetet në dorë të Spahiut, duhet që ky të fitojë zgjedhjet me 96 deputetë, në mënyrë që të shkarkojë presidentin dhe fusë duart në sistemin e drejtësisë. Është një mazhorancë që edhe Enver Hoxha e arriti katër vjet pasi kishte fituar luftën. Deri atëherë, Spahiu gërryen elektoratin e kundërshtarit. Dhe kjo nuk është pak, në një sistem zgjedhor ku fituesi do ndahet me një grusht vota.
Mbetet të hamendësojmë nëse Aleanca Kuq e Zi, do jetë një Vetëvendosje e re, apo një parti nga ato që emrin e kanë më të gjatë se jeta e tyre.