Home »
» Çdo e dhjeta familje zvicerane, milionere
Çdo e dhjeta familje zvicerane, milionere
Sa i përket numrit të milionerëve në raport me numrin e banorëve vetëm Emirati i Katarit qëndron më mirë se Zvicra ndërsa me supermilionerë, vendin e parë e zë Hongkongu, para Zvicrës
Zvicra, tradicionalisht zë vendet e para në ranglistat për numrin e njerëzve të pasur. Njësoj ka qenë edhe në vitin 2012, kur më të pasurit në mesin e zviceranëve, kanë shënuar rritje, si në numër ashtu edhe në pasurinë e gjithmbarshme të tyre.
Sipas raportit global vjetor që bën Boston Consulting Group (BCG), në vitin 2012 në Zvicër janë numëruar rreth 395`000 ekonomi familjare që kanë pasur një milion dollarë amerikanë e më shumë në pronësi të tyre. Është interesante se ky numër është për 50`000 më shumë se një vitin 2011. Dhe kjo, me fjalë tjera tregon se numri i milionerëve në Zvicër është rritur për më shumë se 10 % brenda një viti.
„Shkaqet e një rritjeje të tillë qëndrojnë kryesisht në performancën e mirë të tregjeve të aksioneve“, thotë Daniel Kessler, partner i BCG Zvicër. Fitimet e larta në aksione kanë bërë që shumë njerëz të pasur gjatë vitit të kaluar të ngjiteshin një kategori më lartë, d.m.th. të bëheshin milionerë, transmeton albinfo.ch.
Shikuar sipas numrit të milionerëve „për kokë banori“, ose sipas numrit të tyre në raport me numrin e banorëve, Zvicra zë vendin e dytë në botë. Praktikisht, çdo e dhjeta ekonomi familjare në Zvicër ka në pronësi së paku një milion dollarë. Në këtë pikë vetëm Emirati i Katarit qëndron më mirë se Zvicra.
Edhe sa u përket super të pasurve (ekonomive familjare me mbi 100 milionë dollarë) Zvicra zë vendin e dytë në botë. Por, ajo këtu ka pësuar një „rrëshqitje“ të vogël nga viti 2011, kur mbante vendin e parë. Hongkongu ia ka zënë vendin Zvicrës në maje të ranglistës, përkundër faktit se ka 323 super të pasur kundrejt Zvicrës që numëron 339 të tillë. Arsyeja e ndërrimit të vendeve është se në raport me popullatën, përqindja e super të pasurve në Hongkong është pak më e lartë se ajo në Zvicër.
Marrë në përgjithësi, të pasurit dhe super të pasurit e Zvicrës në vitin e kaluar kanë qenë më me fat se ndonjëherë tjetër. Pasuria e tyre, e llogaritur së bashku, është rritur për 8.2 për qind, duke mbërritur shumën prej 2.3 bilionë dollarësh amerikanë (2.1 bilionë franga). Në vitin 2011 BCG numëronte 2.1 bilionë dollarë në këtë kategori.
Në kundërshtim me të pasurit – të cilët gjatë vitit 2012 janë bërë edhe më të pasur – shtresa më e ulët sipas të ardhurave, familjet që kanë më pak se 100 mijë dollarë në vit, kanë humbur 7.6 për qind të pasurisë së tyre.
Ndërsa përfituesit më të mëdhenj në mes të pasurve kanë qenë familjet me pasuri nga 1 deri 100 milionë dollarë. Këto dy kategori kanë shtuar pasurinë e tyre për 14% brenda një viti.