Berisha i përgjigjet Edi Ramës/ Jam burrë dhe jo ‘gjysëm burrë’ si ti, që vuan nga “kompleksi i Edipit”



Kryeministri Sali Berisha i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të opozitës, Edi Rama, se ai duhet të dalë si gjysh full- time. Rama iu përgjigj Berishës pasi i dërgoi një SMS elektorale. Më vonë edhe në një takim elektoral, Rama e përsëriti këtë deklaratë. Më poshtë është përgjigja e plotë e Berishës, me akuza e fyerje për Ramën:

Dje Edvin Rama i tmerruar nga disfata që lexon dhe nga braktisja që ndjen në çdo takim nga qytetarët, më bëri dje thirrje nga autobusi i tij që: Unë të punojë gjysh full-time!
Me këtë rast më duhet ti them Edvinit se i ka bërë një akuzë të rëndë vetes së tij! Kjo sepse një njeri normal që vlerëson familjen dhe vlerat e saj nuk mund të jetë kurrsesi bir, vëlla, bashkëshort, baba apo gjysh part-time pra në gjuhën shqipe me “gjysëm kohe apo përgjysëm”.
Ky modeli i fundit vlen vetëm për shumë pak njerëz që nuk kanë lidhje me vlerat familjare, por ndjehet “çerek apo gjysëm kohe të lidhura me to”!!!
Për sa më përket mua, gjithnjë besoj se kam lindur i bekuar! Falë Zotit dhe prindërve të mi kam gëzuar një fëmijëri “kohë plotë” dhe jo në bunker, një rini “kohë plotë” me vite të sunduara nga përkushtimi, pasioni dhe studimi që më frymëzojnë deri sot dhe jo një rini “pa rini”, të skllavëruar nga Blloku Hoxhist dhe kompleksi i “Edipit” i formës së pashërueshme!
Kam pasur vërtet fat në jetë! U bëra një mjek kardiolog i dhembshëm dhe i apasionuar dhe jo një “dështak në profesion”.
Unë ndjehem i lumtur si një burrë “kohë plotë” gjatë jetës sime dhe “jo çerek apo gjysëm burrë siç jeni faktuar dhe keni pohuar ju veten tuaj”!!!
Familja jonë ka dy fëmijë, për të cilët kam qenë gjithë jetën e tyre baba “kohë plotë”, kam bërë gjithçka për edukimin e tyre!
Ata në asnjë rast nuk kanë ndjerë braktisjen time dhe më së fundi “më të ëmblit mbi tokë” – fëmijët e fëmijëve të mi!
Vetëm një imagjinatë e çoroditur ose një mëndje nga autobusi yt mavi dhe arkivi kompleks që të ndjek, mund të më përfytyrojë mua gjysh me kohë të pjesshme, të engjëjve të familjes sonë, pasi, me ata dhe për ta së bashku me Lilin jemi gjyshër me kohë të stërplotë!
Nuk po ndalem në rolin dhe vendin që ata kanë në familjen tonë. Por duhet vetëm të theksoj se pas angazhimit në politikë së bashku me fëmijët e mi, nipërit e mi, moshatarët e tyre dhe mbarë qytetarët shqiptarë kanë qenë frymëzimi i jetës sime e për të ndërtuar ëndrrën e “Lirisë” në këtë vend!
Ndërsa tani mbesat dhe nipërit e mi janë gjashtë “gurra të pashtershme frymëzimi” që më shumëfishojnë forcat, energjitë për të punuar me pasionin dhe përkushtimin më të madh, që ata dhe bashkëmoshatarët e tyre para se gjithash edhe prindërit, vëllezërit e motrat e tyre më të rritur, të kenë të ardhmen që meritojnë!
Duke përfunduar uroj që Zoti të të ndriçojë mendjen, që ti të kuptosh se sa i fortë është frymëzimi i fëmijëve të fëmijëve për njeriun!