Basha, Berisha dhe Rama politikanët me më shumë faqe “Fejsbuku” në vend


“Fejsbuku”, mania prek politikanët shqiptarë, qindra profile të rreme

Ervin Koçi


Mania duket se ka përfshirë edhe politikanët shqiptarë, ose të paktën personat që hapin llogari të reja në emër të politikanëve shqiptarë, llogari këto që janë të rreme. Sipas një vëzhgimi të bërë nga gazeta “Metropol”, rezulton se një pjesë dërrmuese e politikanëve shqiptarë kanë më shumë se tri profile në rrjetin social “Fejsbuk”. Por le të marrim në shqyrtim disa prej politikanëve më në zë.

Partia Demokratike

Lista e faqeve fallto kryesore ka nga dy figura të spikatura të partisë Demokratike: kryetari i saj, Sali Berisha, dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Konkretisht, Kryeministri Berisha, edhe pse ka një kohë relativisht të shkurtë që është anëtarësuar në rrjetin social “Fejsbuk”, numëron 47 profile, ku vetëm njëri prej tyre është faqja zyrtare e tij. Demokrati tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës, numëron më shumë profile në këtë rrjet social, 50 në total. Në këtë mënyrë, Basha është politikani shqiptarë me më shumë profile në “Fejsbuk”, duke tërhequr vëmendjen e një pjesë të madhe të shqiptarëve që përdorin këtë mënyrë të re komunikimi.
Kryeministri Berisha e hapi llogarinë e tij në “Fejsbuk” në fillim të dhjetorit të vitit që lamë pas dhe në mënyrë direkte pati një bum te shqiptarët, të cilët u bënë pjesë e faqes së tij. Në një hark kohor prej më pak se gjashtë muaj Berisha numëron rreth 536 mijë ndjekës në faqen e tij, duke kryesuar listën e politikanëve më popullorë në rrjetin social “Fejsbuk”. Faqja zyrtare e Berishës përdoret nga kreu i qeverisë si një zyrë shtypi, ku publikon aktivitetet që ai zhvillon si dhe përcjell urime për evenimente të ndryshme që ndodhin në vend. Ndërsa në faqet fallto të shefit të qeverisë ndodh një histori tjetër: në to transmetohen mesazhe ofenduese ndaj rivalëve politikë, madje duke sharë edhe elektoratin e majtë.
Nga kampi i mazhorancës edhe Kryetarja e Kuvendin, Jozefina Topalli, numëron një numër të madh të faqeve në rrejtën social “Fejsbuk”. Pavarësisht se faqja e rreme zyrtare e kryeparlamentares Topalli dallohet për numrin e lartë të ndjekësve, ajo sërish është dubluar disa herë. Konkretisht në rrjetin social “Fejsbuk” numërohen 23 profile me emrin e Kryetares së Kuvendit Jozeina Topalli. Fotografia e faqes zyrtare të Topallit ka një foto që është bërë jo në takime zyrtare ose elektorale, duke krijuar një konfuzion me ndjekësit e saj. Ndryshe nga politikanët e tjerë me faqe të rreme në rrjetin social “Fejsbuk”, Topalli karakterizohet nga një numër të lartë ndjekësish në çdo faqe të rreme të saj, pasi te Berisha dhe te Basha ka llogari që nuk kanë më shumë se nga 20 ndjekës.
Ministri i Financave, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, është prekur nga virusi i fejbukomanisë, pasi edhe këtij të fundit i kanë hapur faqe të rreme në rrjetin social “Fejsbuk”. Duke kërkuar llogaritë me emrin dhe mbiemrin e ministri të Financave Ridvan Bode, na rezultojnë gjashtë profile që kanë si foto kryesore Boden. Në këtë mënyrë, edhe këtij të fundit kanë filluar t’i vjedhin imzhin e politikanit, duke e përdorur në llogari të rreme në rrjetin social më të përhapur në botë. Krahas kësaj Bode nuk karakterizohet nga një numër i madh faqesh të rreme ashtu si krerët e lartë të Partisë Demokratike, por që sërish këto llogari të rreme përdoren edhe për dezinformimin të publikut, pasi “Fejsbuku” ka filluar të karakterizohet edhe si një vend ku mund të informohesh mbi ngjarjet më të fundit nga politikanët shqiptarë, pasi pjesa më e madhe e tyre ka një llogari në këtë rrejt social.
Edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, është prekur nga dublimet në profilet në rrjetin social “Fejsbuk”. Konkretisht, po të kërkosh në “Fejsbuk” me emrin e Sokol Olldashit, do të rezultojnë tetë profile që kanë si foto kryesore ministrin e Transporteve. Faqja zyrtare e Olldashit është e njohur nga të tjerat, pasi tek ajo i publikon përurimet më të fundit të qeverisë në investimet e infrastrukturës rrugorë në vend. Krahas kësaj Olldashi e përdor faqen e tij të “Fejsbukut” disi më ndryshe nga kolegët e sipërpërmendur, pasi ai nuk publikon aty vetëm përurimet, pra nuk e përdor si zyrë shtypi, por publikon aty edhe mendime apo opinione të tij.

Partia Socialiste

Nga vëzhgimet e bëra mbi politikanët më në zë të opozitës rezultojnë se edhe këta janë të dubluar, por jo në masë ashtu si te kolegët e tyre të Partisë Demokratike.
Sajmir Tahiri, një nga akuzuesit më të fortë nga kampi socialit mbi qeverinë shqiptare si dhe një nga figurat më mediatike të Partisë Socialiste rezulton se ka vetëm tri profile të rreme në rrethin social “Fejsbuk”. Ky numër i vogël i faqeve të rreme të tij mund të ketë ardhur edhe për arsye se këto adresa jo të vërteta mund të bllokohen duke i denoncuar ato te qendra e “Fejbukut” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ghjithsesi, ato tri profile të rreme të Sajmir Tahirit nuk janë shumë të përdorura dhe të ndjekura nga shqiptarët, të cilët e përdorin në masë këtë mënyrë të re të komunikimit. Deputeti socialist e përdor këtë mjet komunikimi jo si një zyrë shtypi, por këtu ai prezanton takimet elektorale dhe hedh akuza të forta ndaj mazhorancës.
Kryesuesi i listës së Partisë Socialiste për qarkun e Tiranës, Pandeli Majo, njëherësh dhe ish-kryeministër, është një nga politikanët socialistë më të njohur. Ashtu si Tahiri, edhe Majko nuk është bërë pre në masë e dublimeve në “Fejsbuk”. Konkretisht, duke kërkuar në motorët e kërkimit të faqes së “Fesjbukut” me emrin e Pandeli Majkos rezultojnë tri profile me foto të deputetit socialist. Në këtë mënyrë edhe ky nuk është dubluar në masë, ashtu si kolegët e tij demokratë.
Nja nga deputetët më në zë të Partisë Socialiste si dhe një nga përdoruesit më të mëdhenj të “fejsbukut”, Erion Braçe, është bërë preh e dublimeve disi më shumë se dy kolegët e sipërpërmendur. Në faqen “Fejsbuk” rezultojnë të jenë tetë profile me emrin e Erion Braçes, ku vetëm njëri është faqja zyrtare e tij. Braçe ka qenë një nga përdoruesit më të mëdhenj të socialistëve në këtë rrejt social dhe merrte notën maksimale për nga mënyra se si e ka përdorur. Kjo pasi ky lloj komunikimi ka në thelb edhe kthimin e përgjigjeve, gjë që Braçe e ka bërë shumë shpesh, por që prej rreth një muaji ai është zhdukur nga ky rrjet social, duke mos bërë më as një publikim, ku këto të fundit disa javë më parë zinin vende të rëndësishme në hapësirën mediatike shqiptare.
Kryetari i Partisë Socialiste, si një nga figurat më të spikatura të partisë së dytë më të madhe parlamentare, është dubluar më shumë se çdo individ tjetër brenda PS-së. Këtu, sipas kërkimeve të bëra në motorët e kërkimit të “Fejsbukut”, rezulton se me emrin e Edi Ramës janë 41 profile që kanë foton e tij. Kryesocialisti ka rënë më shumë nga të gjithë socialistët pre e dublimit të profileve, pasi është figura më e spikatur e kësaj force politike. Ashtu si demokratët dhe socialistët e tjerë, edhe Rama e përdor faqen e tij në “Fesjbuk” më së shumti si një zyrë shtypi, duke postuar aty bindjet e tija, takimet elektorale, por dhe akuzat ndaj qeverisë “Berisha”.

Llogaritë fyese

Në emër të dy liderëve kryesorë të politikës shqiptare, Edi Ramës dhe Sali Berishës, janë hapur shumë profile, të cilat shajnë si vetë ata, ashtu dhe rivalin e tyre politik. Konkretisht, me emrin e Edi Ramës janë hapur mbi 30 profile që flasin pro dhe kundër tij, duke e sharë kryesocialistin në mënyrë tepër banale.
E njëjta situatë është edhe me Kryeministrin Berisha, që gjithashtu ka rënë preh e këtyre faqeve banale në rrjetin social “Fejsbuk”, pasi ashtu si Rama, edhe me emrin e Berishës janë hapur disa faqe ku shahet Kryeministri, si dhe disa të tjera të cilat mbështesin Berishën në këtë fushatë elektorale.

Lideri i FRD-së me faqe të dubluara “Fejsbuku”

Kryetari partisë “Fryma e Re Demokratike”, Bamir Topi, është një nga politikanët shqiptarë me më shumë profile në rrjetin social “Fejsbuk”. Me emrin e Bamir Topit numërohen 10 profile dhe nuk dihet se cila është faqja e tij zyrtare, pasi në të gjitha publikohen aktivitete nga FRD-ja. Por ky numër i lartë profilesh të Topit ka ardhur kohë më parë, në periudhën kur ky i fundit ishte president i Republikës së Shqipërisë dhe, si i tillë, kishte më shumë famë dhe njerëzit hapnin llogari në emër të këtij të fundit, në mënyrë që të merrnin sa më shumë ndjekës pas tyre.
Një nga këto profile, që ka edhe numrin më të madhe të ndjekësve, përdoret nga një person që është i fiksuar pas lojës së pokerit në këtë rrjet social. Pas orës 11:00 të mbrëmjes në lojën e pokerit në “Fejsbuk” luan edhe një nga personat që ka profilin e Bamir Topit, i cili mund të jetë edhe ai vetë, duke u nisur nga numri i larë i ndjekësve që ka kjo faqe.

Fatos Nano – politikani me më shumë profile në “Fejsbuk”

Ish-lideri i socialistëve Fatos Nano numëron në rrjetin social “Fejsbuk” 71 profile, duke u bërë politikani me më shumë llogari në këtë faqe. Në këtë mënyrë ai është një nga personat me më shumë llogari në këtë rrjet social, duke ia kaluar edhe kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministrit Sali Berisha. Me sa duket, Nano është ende një nga personalitetet me më shumë ndikim te shqiptarët që përdorin këtë rrjet social, pasi në 71 profilet e Nanos ka një numër ndjekësish relativisht të lartë, të cilët kapërcejnë mbi 1 mijë. Krahas kësaj ish-kryeministri socialist ka dalë nga skena politike që nga viti 2005, kur humbi zgjedhjet parlamentare të atij viti, por që ka ribërë disa rikthime të vogla në skenën politike. Ai karakterizohet nga një numër i lartë i profileve.

Enver Hoxha

Ish-diktatori i vendit, Enver Hoxha, është një nga figurat me më shumë profile të rreme në “Fejsbuk”, pasi në të vërtetë ai nuk ka asnjë, se që prej 29 vjetësh ai është ndarë nga jeta. Me sa duket, emri i tij qenka ende në memorien e shqiptarëve, të cilët kanë haur një numër kaq të madhe të llogarive në emër të tij dhe me foto kryesore të tij. Konkretisht Enver Hoxha numëron 76 profile në “Fejsbuk”, më shumë se çdo politikan shqiptar, madje edhe më shumë se Fatos Nano.

Zëdhënëset e PD-së

Dy nga zëdhënëset e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi dhe Erla Mehilli, kanë rënë preh e dublimeve në “Fejsbuk”, madje për këto të dyja janë hapur dy profile që i shajnë në mënyrë banale ato.
Me zëdhënëset e PS-së nuk ka ndodhur një gjë e tillë, pasi në emrin e tyre kishte vetëm një llogari “Fejsbuku”. Dy zëdhënëset e Berishës, njëra e selisë blu dhe tjetra e Kryeministrisë, me sa duket kanë rënë preh e abuzimit në këtë rrjet social, pasi në llogaritë e rreme cilësohen si persona tepër banalë.