Megjithëse jemi në shekullin e njëzetenjë, pajisjet e botës së errët të spiunëve duket se nuk kanë ndryshuar shumë. Aq sa edhe ekspertët po qeshin pas arrestimit të spiunit amerikan në MoskëKohë spiunësh
Tara McKelvey, BBC
| Moska thotë se Ryan Fogle punon për CIA-n i maskuar si diplomat |
Arrestimi i Ryan Fogle në Moskë tregon se në fakt, Lufta e Ftohtë nuk ka përfunduar. Për disa, kjo ngjarje është vetëm një fakt. Por dukshëm nuk kanë ndryshuar as mjetet.
Çanta e pajisjeve të spiunit ishte shumë primitive – dy paruke, njëra biond dhe njëra kafe e errët, një palë syze dielli dhe një busull. Të gjitha këto i përkisnin Ryan Fogle, së paku kështu deklaron agjencia federale e sigurisë së Rusisë FSB, ish-KGB-ja e tmerrshme. Ata pretendojnë se Fogle punon për agjencinë amerikane të spiunazhit CIA.
Akuza është serioze: spiunazh. Por kur sheh pajisjet, këtu nuk kemi asgjë të veçantë. Paruket, syzet e diellit dhe ca gjëra të tjera u vendosën mbi tryezë, të treguara në fotografi që u publikuan nga televizioni i mbështetur nga Kremlini, “Russia Today”.
“Ajo pamje ishte gallatë”, thotë Angela Stent, e cila është drejtoreshë e studimeve për Rusinë në Universitetin Xhorxhtoun. “Dhe paruket – mendoj se ishin shumë interesante. Ndoshta për shkak se jemi në shekullin e 21-të na ka bërë të mendojmë për ndonjë pajisje më moderne”.
Nëse pajisjet duken tepër të prapambetura, edhe strategjia e qeverisë së Rusisë nuk ka ndryshuar shumë. Zyrtarët e arrestuan Fogle dhe pastaj thanë se shpallej “persona non grata” dhe se duhej të largohej nga Rusia.
Retorika ishte e ngjashme me atë të kohës së shkuar, ndërsa stuhia mediatike e shkaktuar për lajmin përbën një famë të padëshiruar për botën e diplomatëve.
Presidenti Vladimir Putin dhe Presidenti Barack Obama kanë takime të planifikuara në muajt e ardhshëm – një në Irlandën e Veriut dhe një tjetër në Rusi.
Shumë pak njerëz presin që arrestimi i Fogle do të ketë ndonjë pasojë për këto plane. Gjithsesi, situata i bën marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë më të komplikuara.
Për historianët dhe vëzhguesit e Rusisë, gjithsesi, arrestimi i një zyrtari amerikan nuk përbën asgjë të re. Përzënia e të dyshuarve për spiunazh – dhe krijimi i një incidenti diplomatik – është një taktikë e përdorur që në kohën e Luftës së Ftohtë.
“Ata përzënë ca njerëz, pastaj ne përzëmë ca njerëz”, thotë Stent.
“Edhe pse ne mendojmë se kanë kaluar mbi 20 vjet nga koha e Luftës së Ftohtë, – shpjegon ajo, – ne sërish po bëjmë të njëjtën gjë ndaj njëri-tjetrit”.
Në këtë rast nuk ka deri tani rusë të përzënë nga SHBA. Por ka shembuj të tjerë të deportimeve të ndërsjella. Më 2010-n, për shembull, në Uashington dhe në Moskë, u hartua një marrëveshje për shkëmbim spiunësh.
Dhjetë agjentë rusë, përfshirë Anna Chapman (“bukuroshja me të kuqe të nxehtë”, siç e përshkroi atë gazeta “New York Post”, u përzu nga Shtetet e Bashkuara. Në këmbim, katër të burgosur të dënuar për tradhti u lejuan të largohen nga Rusia. Ky ishte një moment dramatik në histori.
“Ishte njësoj si një program televiziv”, thotë Peter Earnest, një ish-zyrtar i CIA-s që tashmë është drejtor ekzekutiv i Muzeut Ndërkombëtar të Spiunazhit në Uashington. “Pas kësaj pike, pati me të vërtetë një program televiziv”, thotë ai.
“Amerikanët”, një serial televiziv mbi spiunët e KGB që jetojnë në SHBA, doli në transmetim në janar. Ngjarjet janë vendosur gjatë Luftës së Ftohtë, duke shfrytëzuar interesimin e vazhdueshëm të njerëzve si për spiunazhin, ashtu edhe për periudhën kur frika për një luftë bërthamore mbërtheu në mënyrë konstante botën.
Këtë javë, njoftimi se Fogle, një agjent i dyshuar i CIA-s, u kap në Moskë, ngjau më shumë si një episod i këtij seriali televiziv. Lajmi përfshiu edhe pamjet që tregonin Fogle duke u arrestuar.
Videoja pati një pamje shumë të njohur. Kapja e një spiuni nga përtej detit, ose së paku, akuzat kundër një diplomati amerikan, përbëjnë një ritual për zyrtarët, ritual që përsëritet vazhdimisht përgjatë viteve.
Kjo ka kuptim. Taktikat që duken të çuditshme, si në spiunazh, ashtu edhe në ndërtimin e shtetit, përdoren sërish nga zyrtarët për një arsye të vetme: ato funksionojnë.
Planet për përzënien e një të dyshuari për spiun në disa raste hartohen paraprakisht – nëpër zyra sekrete – dhe në disa raste, hartohen më pas, thotë Stent.
Kjo është një pamje shumë e njohur dhe ndihmon në reduktimin e tensionit. Kur të gjithë e dinë se çfarë mund të ndodhë kur një spiun zbulohet, situata gjeopolitike mund të qëndrojë e pandryshuar.
Dhe njësoj si shtetformimi i ditëve tona, në disa raste bazohet te modelet tradicionale, kështu ndodh edhe me mbledhjen e informacioneve sekrete.
Ish-zyrtarë të spiunazhit mbrojnë çantën e pajisjeve të Fogle. Ata thonë se në spiunazh, mjetet e vjetra dhe demode mund të jenë më të mira se sa ato të sofistikuarat.
Njerëzit ka më pak gjasa të të njohin kur ke një paruke dhe një palë syze dielli dhe rrjedhimisht këto objekte janë praktike. Ti mund t’i ndryshosh ato në rast se po të ndjekin për të humbur gjurmët.
“Më lejoni t’ju them ju, vogëlushe, drejtimi i një operacioni në Moskë është një punë shumë e vështirë”, thotë Paul Redmond, një zyrtar i lartë i CIA-s në pension, i cili dikur punonte si shefi i skuadrës së gjuetisë së spiunëve.
“Aty je nën mbikëqyrje 24-orëshe dhe të duhet të shkosh përmes shumë gjërave vetëm për të dalë jashtë – rrjedhimisht të duhet të maskohesh e të gjithë të tjerat”, thotë ai. Përveç kësaj, mjetet e thjeshta ka më pak gjasa të gjurmohen apo zbulohen.
“Njerëzit mund të thonë, ‘akoma këto mjete? A nuk ikën këto me Luftën e Ftohtë?’”, – thotë Earnest. “Por kjo nuk përjashton nevojën për mjete tradicionale, sa herë që rrethanat i kërkojnë ato”.
Këtë javë, zyrtarët në Uashington dhe Moskë po përpiqen të zgjidhin krizën e shkaktuar nga arresti i Fogle. Por jo të gjithë janë të habitur apo të tmerruar nga ngjarjet.
Redmond thotë se prania e agjentëve të Moskës në SHBA më 2010 – grupi i “ilegalëve”, siç njihen ata, ishte një shenjë se “rusët vijojnë me këtë praktikë”.
Ekspertët e Rusisë në SHBA janë dakord. Ata thonë se zyrtarët e Moskës e kanë fuqizuar rrjetin e tyre të spiunazhit në vende të tjera.
“Aktivitetet e shërbimeve sekrete ruse dhe agjentëve të tyre në vende të tjera janë rritur”, – thotë Stent. Disa mund të mendojnë se pajisjet që thuhet se i përkisnin Fogle – paruke, syze dielli dhe objekte të tjera – duken të çuditshme.
Për Redmond, gjithsesi, paruket dhe syzet e diellit ishin një shenjë pozitive.
“Është e këndshme të shohësh që Shtetet e Bashkuara sërish po përpiqen të mbledhin informacion”, thotë ai.
Lufta e ftohtë vijon, së paku për diplomatët, dhe natyrisht, vijon për vetë fuksat.
Komenti
“Më lejoni t’ju them, vogëlushe, organizimi i një operacioni në Moskë është një punë shumë e vështirë”
Paul Redmond
Zyrtar i lartë i CIA-s në pension
Çanta e pajisjeve të spiunit ishte shumë primitive – dy paruke, njëra biond dhe njëra kafe e errët, një palë syze dielli dhe një busull. Të gjitha këto i përkisnin Ryan Fogle, së paku kështu deklaron agjencia federale e sigurisë së Rusisë
Paruket dhe syzet e diellit mund të ngjajnë si mjete demode në botën e elektronikës, por ekspertët thonë se në fund të fundit, ato nuk mund të hakohen nga piratët si kompjuterët apo celularët
Ish-zyrtarë të spiunazhit mbrojnë çantën e pajisjeve të Fogle. Ata thonë se në spiunazh, mjetet e vjetra dhe demode mund të jenë më të mira se sa ato të sofistikuarat
| Dokumentet e Ryan Fogle u fotografuan nga zyrtarët rus |
| Anna Chapman jetoi si agjente e fshehtë në SHBA |
| Keri Russell luan rol kryesor te seriali televiziv “Amerikanët”, i cili është i vendosur në kohën e Luftës së Ftohtë |
| Rusët transmetojnë arrestimin e Ryan Fogle |





