Home »
» 18-vjeçarja: I dashuri më premtoi pushime në Itali, më bëri prostitutë
18-vjeçarja: I dashuri më premtoi pushime në Itali, më bëri prostitutë
Një vajzë 18-vjeçare, që pretendon se ishte shfrytëzuar si prostitutë në Itali për rreth një muaj, është kthyer në Shqipëri dhe ka denoncuar tutorët e saj. Ajo ka arritur të arratiset nga dy personat që e shfrytëzonin duke u rikthyer në Shqipëri, ku edhe i ka denoncuar ata në Polici. Adoleshentja me iniciale A.P. ishte denoncuar si e humbur nga familja e saj në Durrës, në fund të muajit prill të këtij viti. Dy ditë më parë, pasi është deportuar nga Italia, ajo ka kallëzuar në Policinë e Tiranës të dashurin e saj dhe një shok të tij, që në këtë rast kanë qenë tutorët. Denoncimi është bërë në zyrën e Antitrafiqeve të Tiranës dhe për sa kohë autorët e dyshuar për trafikimin e saj dhe shfrytëzimin për prostitucion ende nuk janë arrestuar, vajza është strehuar në një qendër rehabilitimi. Burime nga grupi hetimor thanë se duke qenë se autorët që ajo ka denoncuar nuk janë vënë ende në pranga, 18-vjeçarja vazhdon të jetë e rrezikuar prej tyre dhe për këtë arsye është marrë në “mbrojtje”, nga Policia, duke u strehuar në një prej qendrave të posaçme. Nga ana tjetër, mësohet se në bazë të deklarimeve dhe provave të paraqitura nga 18-vjeçarja A.P., Policia ka referuar denoncimin e saj në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në ngarkim të shtetasve B.P., që është ish-i dashuri i të dëmtuarës dhe mikut të tij me iniciale A.M. Ndërkohë që është regjistruar procedimi penal me akuzën “trafikim dhe shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese”.
TRAFIKIMI
Tri ditë më parë, 18-vjeçarja nga Durrësi me iniciale A.P., e ndihmuar nga një shtetas italian që i ka ofruar ndihmë, edhe pse nuk kishte njohje të mëparshme me ta, ka arritur të largohej nga Italia dhe të vinte në Shqipëri. Sapo ka zbritur në Aeroportin e Rinasit, ajo ka kërkuar ndihmën e Policisë në kufi, të cilët e kanë orientuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Në zyrën e Trafiqeve të Paligjshme, ajo ka rrëfyer historinë e saj, që nga mashtrimi nga i dashuri B.P., trafikimin në Itali, në fund të muajit prill, dhunën që ai bashkë me mikun e tij A.M. kanë ushtruar ndaj saj, duke e detyruar të prostituojë. Vajza ka deklaruar se i dashuri i saj i kishte premtuar se do të shkonin për disa ditë pushime në Itali dhe ajo ishte bindur, por pa vënë në dijeni familjen. Më pas, në momentin që kanë mbërritur atje, janë takuar me personin me iniciale A.M., i cili ishte shoku i të dashurit të saj, të cilin ajo nuk e kishte njohur më parë. Adoleshentja ka rrëfyer se vetëm nata e para ka qenë ajo që priste dhe më pas, me të mbërritur në hotel, i dashuri i saj i ka propozuar që për të fituar para duhej të ushtronte prostitucion. Sapo i është komunikuar ky vendim, ajo ka nisur të bërtasë dhe të kërkojë ndihmë, dhe në këtë kohë B.P. dhe A.M. kanë nisur të ushtrojnë dhunë ndaj saj. Nga fundi i prillit e deri disa ditë më parë, ajo është detyruar të dalë në rrugë, derisa një shtetas italian, i cili fillimisht është paraqitur si klient, ka arritur ta ndihmojë që ajo të arratisej dhe t’i shpëtonte prostituimit. (er.nu/panorama/BalkanWeb)/lajmpress






