Home »
» 11 këshilla për zhvillimin e një aplikacioni mobile të adhurueshëm nga përdoruesit
11 këshilla për zhvillimin e një aplikacioni mobile të adhurueshëm nga përdoruesit
Sipërmarrësit dhe zhvilluesit përpiqen vazhdimisht që të krijojnë aplikacione mobile sa më të këndshme për përdoruesit, megjithatë nuk ja kanë dalë që gjithnjë të kenë sukses, kjo për shkak të shkallës së ulët të përdorimit të tyre.
Për të ndihmuar sipërmarrësit në vazhdimësi janë marrë disa këshilla në lidhje me praktikat më të mira në dizajnimin e aplikacioneve nga sipërmarrës shumë të suksesshëm.
Testimi është vendimtar
Testimi i aplikacioneve mobile mund të themi se përbën një fushë të re, por është një proces me impakt të jashtëzakonshëm. Një prej platformave ndihmëse për të realizuar testimet është Artisan.
Kuptimi i motiveve të përdoruesit
Motivet e përdoruesit kanë shumë më tepër rëndësi se të sipërmarrësit apo zhvilluesit. Duhet të përpiqeni të kuptoni këto motive në nivelin më të thellë të mundshëm dhe të mundoheni të prekni pikërisht ato pika me produktin tuaj. Në qoftë se e konsideron këtë koncept si të rëndësishëm dhe e zbaton si duhet me siguri do të siguroni një bazë të qëndrueshme, e cila do t’i ofrojë përdoruesit një eksperiencë të kënaqshme. Në qoftë se nuk e ndiqni këtë koncept atëherë ka shumë shanse që teknikat e rritjes të dështojnë plotësisht.
Përdorshmëria off line
Disa prej aplikacioneve më të preferuara disponojnë mundësinë e përdorimit edhe kur përdoruesi nuk është on line. Disa aplikacione si p.sh WorkFlowy ose Evernote funksionojnë po njëlloj edhe kur pajisja e përdoruesit nuk është e lidhur në internet. Kjo është një praktikë dizajnimi për të cilën sipërmarrësit dhe ekipet e tyre të zhvillimit duhet ta mendojnë seriozisht kur projektojnë një aplikacion.
Lehtësia në përdorim
Pavarësisht se pjesa më e madhe e njerëzve disponojnë tashmë një smartfon kjo nuk nënkupton me patjetër se përdoruesit janë përshtatur plotësisht me përdorimin e tyre. Pikërisht për këtë arsye është e nevojshme që aplikacioni të jetë dizajnuar aq thjeshtë sa edhe përdoruesi më i ri ta ketë të lehtë të navigojë në të.
Dizajn që lehtëson orientimin
Pasi të keni përfunduar dizajnin është e këshillueshme që të testoni aplikacionin tuaj me mikun ose familjarin më pak të prirur ndaj teknologjisë dhe të vini re se si funksionon. A është aplikacioni intuitiv? A janë butonat në vendndodhjen e duhur dhe a kanë përmasa të përshtatshme? Mundësisht mbani shënime për gjithçka që duket se nuk funksionon ashtu si duhet. Përdoruesit e rinj do të heqin menjëherë dorë nga aplikacioni në rast dizajni i tij nuk është intuitiv dhe i lehtë për t’u përdorur.
Përshtatni dizajnin sipas sistemit operativ
Përdoruesit e sistemit Android e përdorin pajisjen e tyre ndryshe nga personat që disponojnë një iPhone. Sigurohuni që metodat e dizajnimit të përputhen me ato të sistemit operativ. Nuk është aspak e këshillueshme që të përdoret i njëjti dizajn për sisteme të ndryshme operative.
Ndërtoni një strukturë të balancuar dhe solide
Një dizajn i bazuar në strukturim ndihmon në qëndrueshmërinë e aplikacionit. Ky është një koncept shumë i rëndësishëm pasi ndihmon zhvilluesin të krijojë lidhje vizuale dhe t’i japë qëndrueshmëri aplikacionit.
Disponueshmëria në pajisje dhe platforma të ndryshme
Përdoruesit kanë tendencën e aksesimit të aplikacioneve nga pajisje dhe platforma të ndryshme (desktop, ueb, smartfon, tablet). Sipërmarrësit duhet të sigurohen që aplikacioni i tyre është i disponueshëm, funksional dhe atraktiv në sa më shumë pajisje dhe platforma që të jetë e mundur.
Komoditeti
Aplikacioni duhet të dizajnohet gjithnjë duke pasur në mendje përdoruesin dhe mënyrat e ofrimit të një produkti që i ofron komoditet.
Simuloni botën reale
Çelësi i ndërtimit të një aplikacioni fantastik qëndron në krijimin e një aplikacioni që simulon botën, subjektin apo kategorinë reale që aplikacioni përfaqëson.
Përcakto qartësisht qëllimin dhe funksionin e aplikacionit
Një prej gabimeve më të mëdha të zhvilluesve qëndron në përpjekjen për të vendosur sa më shumë opsione të jetë e mundur në një ekran të vogël. Aplikacioni duhet të ketë VETËM NJË qëllim kryesor. Zhvilluesi duhet të qartësohet plotësisht për këtë dhe nuk duhet të presë që përdoruesi të provojë të gjitha opsionet derisa të gjejë të duhurin, por duhet ta drejtojë atë tek opsioni i duhur. (PCWorld Albanian)