VATRA, "një jetë të tërë, në shërbim të Kombit"!

Nga Beqir Sina



Shoqata PanShqiptare “Vatra” mbajti Kuvendin e saj në Nju Jork - Kryetar i ri u zgjodh Dr Gjon Buçaj

Hapja e Kuvendit të Fderatës PanShqiptare të Amerikës, VATRA, u bë nëpërmjet një përshëndetje të posaçme të dërguar nga Kryetari i Nderit, i kësaj shoqate shqiptare, fatlume, zoti Agim Karagjozi, i cili, është tërhequr për arsye të forta shëndetësore. Zoti Agim Karagjozi, gjithashtu është shpallur kryetar nderi i përjetshëm i Vatrës, titull, që deri tani i është dhënë vetëm të ndjerit Anthony Athanas. Në këtë Kuvend, morën pjesë dhjetëra delegatë e mysafirë të nderuar dashamirë të Vatrës, nga Nju Jorku dhe zona e "Tri Shteteve", Detroiti, Uashingtoni, Florida, Bostoni e të tjerë. Kuvend i 27 prillit mbahej 20 vjet mbasi inxhinier Agim Karagjozi u zgjodh kryetar, detyrë të cilën e kreu me një vullnet dhe përkushtim të pashoq, deri në dorëheqje. Mbas zgjedhjes së Komisionit prej tre vetësh, për verifikimin e kredencialeve të delegatëve, Kryetari i Kuvendit të Vatrës, u votua zoti Asllan Bushati, sekretar u zgjodhën Mondi Rakaj dhe Naze Veliu, të cilët ndoqën dhe procedurën e këtij Kuvendi në bazë të Kanunores së shoqatës VATRA. Pas këndimit të Himneve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë nga këngëtarja e mirënjohur Merita Halili, luajtur në fizarmonikë nga mjeshtri Raif Hyseni. Ministri i Diasporës së Kosovës, zoti Ibrahim Makolli, duke i uruar punë të mbarë këtij Kuvendi, tha se Vatra ishte adresa e vetme që u drejtuan shqiptarët, prej kolonive të para dhe ishte institucioni i vetëm i shqiptarë në botë që mbajti gjallë frymën kombëtare. Asambleisti i parë dhe i vetëm shqiptar në Amerikë, zoti Mark Gjonaj, duke përshëndetur Kuvendin, uroi që Vatra të punojë mbas këtyre 100 vjetëve edhe për një jetëgjatësi tjetër 100 vjeçare. "Unë, tha zoti Gjonaj, si shqiptar dhe si një Vatran i mirë, e kam përkrahur dhe do të përkrah Vatrën për rolin dhe kontributin e saj në vite për çështjen tonë kombëtare, dhe kërkoj nga ju të gjithë vatranët që së bashku me ne të mendojmë seriozisht për të ardhmen e Vatrës, për vazhduar veprën e atyre burrave dhe grave që u dedikuan gjatë gjithë kësaj kohe për Kombin tonë".
Kuvendin e Vatrës e përshëndeti edhe Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Nju Jork, zoti Dritan Mishto, i cili tha: "Ato thinjat tuaja mbi kokë, janë energjia dhe puna e madhe që keni bërë ju dhe të gjithë vatranët prej themelimit të saj - I dëshirojë punë të mbarë këtij Kuvendi të madh dhe suksese në të ardhmen”. Kuvendin e Shoqatës PanShqiptare të Amerikës, e përshëndeti edhe kryebashkiaku i Qarkut të Yonkersit, zoti Mike Spano, asambleistja e Nju Jorkut, Shelley Mayer, dhe miku i madh i shqiptarëve në kongresin Amerikan, Eliot Engël. Seanca e parë e Kuvendit të Vatrës, vazhdoi punën e saj me leximi i mesazheve përshëndetëse: Dega Washington DC, Znj. Merita Bajraktari-McCormack (u lexua në mungesë), Dega Michigan, z. Alfons Grishaj; Dega Hudson Valley, z. Elmi Berisha; Dega South Florida, z. Kolec Ndoja, Dega Jacksonville, Florida, z. Adriatik Spahiu; Dega Queens, NY, dr. Skender Myrtezani; Dega South Westchester, NY, z. Nick Markolaj; Dega Neëburgh, NY, dr Nexhat Kalici.
Me shpalljen e dy kandidaturave, atë të kryetarit të dorëhequr, dr Gjon Buçaj, dhe oponentit të tij, Nick Markolaj, kryetar i degës së Westcheterit, u shpalosën pikëpamjet e tyre për Vatrën, dhe u fol gjerësisht për të ardhmen e Vatrës, në kushtet e një zhvillimi dhe përparimi bashkëkohor, me qëllim që Vatra të forcohet edhe me shumë, duke ia besuar të ardhmen e saj, brezit të ri, të shkolluar dhe edukuar në SHBA. Kreu i Vatranëve në veri të Nju Jorkut, zoti Markola, bëri një prezantim jashtëzakonisht të shkëlqyer për projektin e tij, për të ardhmen e Vatrës, me titull "Vatra nesër - VATRA Tomorrow " nëpërmjet një video-projeksioni interesant, duke marrë me vete një respekt dhe mirënjohje të thellë nga të gjithë delegatët e Kuvendit, por, edhe nga vetë kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, i cili e përgëzoi Markolën, për idetë e tij për të ardhmen e Vatrës. Në seancën e dytë të këtij Kuvendi nisën procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri. Me tërheqjen në momentin e fundit të votimit, nga Nick Markola, Dr Gjon Buçaj u shpall Kryetari i ri i Federatës PanShqiptare “Vatra”. Kryetari i ri Dr. Gjon Buçaj, i cili është kryetari i parë në historinë e Vatrës, i besimit katolik, vuri në dukje "vlerën e lartë të urtësisë dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të zotit Agim Karagjozi, në udhëheqjen e Vatrës", dhe falënderoi atë dhe të gjithë vatranët për besimin që i dhanë, duke e ngarkuar me drejtimin e Vatrës deri në Kuvendin e ardhshëm.
Për nder të mbylljes me sukses të punës së Kuvendit të Vatrës, në lokalin e bukur Lighthouse Restaurant – në City Island Avenue, Bronx, NY, u shtrua një darkë. Gjatë darkës u dhanë çmimet “AWARD OF MERIT” disa vatranëve, të dalluar për merita në 30 vitet e fundit.