Ushtria Çlirimtare e Kinës


Pekini publikon për herë të parë shifrat e ushtrisë së vet. Janë 850 mijë ushtarë në forcat tokësore, 235 mijë në forcat detare dhe 398 mijë në forcat ajrore. Trupat e Forcës së Dytë të Artilerisë nuk dihet se sa janë

2.3 milionë ushtarë dhe oficerë në detyrë



Kina publikoi për herë të parë përmasat e forcave të saj të armatosura të njohura si Ushtria Çlirimtare e Popullit, forca ushtarake më e madhe në botë. Zyrtarët publikuan një dokument ku thuhej se afro 1.5 milionë trupa i përkasin shërbimit aktiv duke përfshirë 850 mijë oficerë në forcat e këmbësorisë, 235 mijë në forcat detare dhe 398 mijë në forcat ajrore. Këtu nuk përfshihen njësitë përgjegjëse për forcat e raketave balistike, të njohur si Divizioni i Komandës Strategjike dhe Forca e Dytë e Artilerisë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Yang Yujin, i cili publikoi dokumentin në një konferencë për shtyp, nuk dha përgjigje për përmasat e këtyre forcave, por ekspertë të ndryshëm mendojnë se në total, Kina ka 2.3 milionë trupa të gatshme.
Analistët e mbrojtjes që analizuan dokumentin e publikuar, thanë se 2.3 milionë është një vlerësim realist, pasi Artileria e Dytë përfshin njësitë e menaxhimit të raketave, si dhe njësi raketore të lëvizshme, të cilat kanë një numër të konsiderueshëm personeli.
“Këto janë të dhënat kryesore. Dokumenti jo vetëm që publikon shifra mbi përmasat e njësive tona ushtarake, por jep edhe detaje, politika dhe parime, gjëra që nuk janë publikuar në dokumentet e mëparshme. Kjo do të ndihmojë median të kuptojnë forcat e armatosura”, tha Yang.
Forcat ushtarake janë të ndara në divizione dhe brigada, të cilat veprojnë nën komandën e shtatë njësive territoriale. Marina ushtarake e Kinës ka 235 mijë trupa dhe komandon tri flota, Beihai, Donghai dhe Nanhai.
Afro 400 mijë kinezë janë të angazhuar në forcat ajrore të vendit, të cilat janë ndarë në të shtatë zonat ushtarake të komandimit në të gjithë territorin e Kinës. Kjo forcë ka pjesë të saj edhe trupa speciale parashutistësh.
Forca e Dytë e Artilerisë, forca më e rëndësishme e mbrojtjes strategjike e vendit, përfshin raketat bërthamore dhe konvencionale, si dhe njësitë e mbështetjes dhe operimit të tyre. Kina nuk ka publikuar kurrë të dhëna për përmasat e kësaj force.
Ajo është e pajisur me një seri raketash balistike të njohura si Dong Fend dhe raketash me drejtim Chang Jian që janë në gjendje të operojnë me rreze të shkurtër, të mesme dhe të gjatë. Këtu përfshihen edhe bazat e komandimit, bazat e trajtimit dhe njësitë mbështetëse, qendrat kërkimore e shkencore.
Sipas dokumentit, Kina do të ndërtojë një mbrojtje kombëtare të fuqishme mbrojtëse me përmasa në raport me “rolin ndërkombëtar të Kinës dhe për të plotësuar nevojat për sigurinë dhe për mbrojtjen e interesave zhvillimore”.
Dokumenti thotë se Kina përballet me kërcënime sigurie të shumta dhe të komplikuara. Forcat e armatosura të Kinës janë ngarkuar me detyrën që të ruajnë kufijtë, zonat detare dhe ajrore dhe do të punojnë për të forcuar gatishmërinë për luftë dhe stërvitjet e përshtatshme për situata lufte.
Ushtria premton se do të jetë e gatshme të reagojë me vendosmëri dhe të mposhtë çdo aksion provokativ që cenon sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të Kinës.
Dokumenti kritikon gjithashtu edhe rritjen e pranisë ushtarake të SHBA-së në rajonin e Azisë së Largët.
“SHBA-ja po ndryshon strategjinë e vet për siguri në zonën e Azi-Paqësorit”, thotë dokumenti duke shtuar se “kur një vend rrit praninë e vet në aleancat ushtarake në Azi-Paqësor… kjo gjë e bën situatën vazhdimisht më të tensionuar këtu”.
SHBA-ja e ka rritur praninë e vet ushtarake në Azi gjatë viteve të fundit si pjesë e planit të përballjes me fuqizimin e Kinës. Dokumenti flet gjithashtu për “problemet në lidhje me sovranitetin territorial të Kinës dhe të drejtat e saj detare”, duke kritikuar Japoninë për “krijimin e telasheve në lidhje me çështjen e ishujve Diaju”.
Ishujt e pabanuar njihen në Japoni si Senkaku. Ato kontrollohen nga Japonia, por pretendohen si nga Kina, ashtu edhe nga Tajvani. Dokumenti e përshkruan forcën politike separatiste të Tajvanit si kërcënimin më të madh për marrëdhëniet e përtej ngushticës. Tajvani është një ishull që në praktikë ka qenë i pavarur që nga viti 1950. Por Kina e sheh atë si një rajon rebel që duhet të bashkohet me vendin – me forcë, nëse do të jetë nevoja.
Ushtria e Kinës ka një buxhet vjetor prej rreth 100 miliardë dollarësh. Kjo është shtatë herë më pak nga sa shpenzojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ushtrinë e vet, por kostoja e ushtarëve në SHBA është shumë më e madhe sesa në Kinë.
Kina është zhvilluar si një superfuqi ekonomike gjatë katër dekadave të fundit dhe tashmë po zhvillon forcat e veta të armatosura për të mbrojtur arritjet ekonomike. Marina e saj detare ka dalë për herë të parë në shumë shekuj në Oqeanin Indian, nga ku pritet të ruajë linjat e furnizimit me energji nga Lindja e Mesme.