Turpi i Guantanamos

Editorial
The New York Times


Të pestë presidentët e gjallë u mblodhën në Teksas të enjten për një moment të të ndjerit mirë në ceremoninë për hapjen e Bibliotekës Presidenciale George W. Bush, e cila supozohet të simbolizojë trashëgiminë që z. Bush është përpjekur të lustrojë. Presidenti Obama e quajti atë “një ditë të veçantë për demokracinë tonë”. Z. Bush foli për faktin se iu desh të merrte “vendime të vështira” për të mbrojtur Amerikën. Ata të gjithë patën një moment të këndshëm kur presidenti Bill Clinton bëri shaka mbi ish-presidentët që përdorin bibliotekat e tyre për të rishkruar historinë.
Por ka edhe një ndërtesë tjetër, shumë larg nga Dallasi, në një copë toke të marrë me qira nga Kuba, që simbolizon trashëgiminë e Bush në një mënyrë më të errët dhe më të vërtetë: kompleksi ushtarak penal në gjirin e Guantanamos, ku z. Bush burgosi qindra burra pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, shumica dërrmuese e të cilëve nuk qenë fajtorë për asnjë krim.
Ai u bë simbol i zgjerimit të rrezikshëm të fuqive ekzekutive dhe burgosjeve të paligjshme, burgjeve sekrete dhe torturës që shoqëroi të gjitha këto. Ai është gjithashtu një kujtesë e dështimit të z. Obama për të mbyllur burgun siç e pati premtuar kur mori postin si dhe ndërhyrjet dashakeqe të Kongresit ndaj çdo përpjekjeje për të gjykuar dhe ndëshkuar me drejtësi të burgosurit e Guantanamos.
Ka ende 166 burra atje – pothuajse të gjithë mbahen pa akuza, disa për më shumë se një dekadë. Për më shumë se gjysmën është urdhëruar lirimi, por mbahen sërish të burgosur për shkak të një ligji që kërkon leje individuale nga Pentagoni. Administrata e Departamentit të Shtetit e eliminoi postin e njeriut që duhet të negociojë me vendet e tjera për të transferuar këta të burgosur, gjë që do të jepte edhe lejet e Pentagonit.
Për pjesën tjetër, disa thuhet se kanë kryer krime të rënda, përfshirë terrorizëm, por gjykatat ushtarake të krijuara nga z. Bush janë jofunksionale dhe jo të besueshme, pavarësisht përmirësimeve të z. Obama. Kongresi kohë më parë ndaloi transferimin e të burgosurve te sistemi federal i drejtësisë penale ku duhet të shkojnë dhe ku ka shumë më tepër gjasa të marrin një gjykim të drejtë dhe dënim të gjatë nëse janë fajtorë.
Vetëm gjashtë prej tyre përballen me akuza aktive. Gati 50 të tjerë konsiderohen si tepër të rrezikshëm për t’u liruar por nuk janë të përshtatshëm për gjyq, për shkak se nuk janë lidhur me asnjë sulm specifik apo sepse provat kundër tyre janë marrë përmes torturës.
Rezultati i këtij purgatori izolimi ishte i pashmangshëm. Charlie Savage shkroi te “The Times” të enjten mbi një protestë që përfundoi me një bastisje të Kampit Gjashtë, ku mbahen të burgosurit më bashkëpunues. Një grevë urie është në muajin e tretë dhe përfshin 93 të burgosur, dy herë më shumë se sa merrnin pjesë para bastisjes. Ushtarët amerikanë janë detyruar të ushqejnë me dhunë të burgosurit, të cilët janë lidhur pas karrigeve me një tub të futur në grykë.
Ai burg nuk duhej të hapej kurrë. Nuk qe asgjë më shumë se sa një përpjekje nga z. Bush për t’i shpëtuar llogaridhënies duke i vendosur të burgosurit në një vend tjetër. Gjykatat e hodhën poshtë këtë dredhi, por z. Bush nuk u shqetësua kurrë që të zgjidhë problemin. Tani, në mënyrë tronditëse, Pentagoni po mendon të shpenzojë 200 milionë dollarë për përmirësim dhe zgjerim, dukshëm me synimin për ta bërë një operacion permanent.
Vrojtimet e opinionit publik tregojnë se amerikanët janë gjithnjë e më indiferentë ndaj burgut. Ne morën ca kritika pasi publikuam në faqen tonë të editorialeve një raport në vetë të parë nga një nga të burgosurit në grevë urie.
Por pavarësisht nëse z. Bush ndihet rehat me vendimet e tij të “vështira”, vendi duhet të pranojë çmimin e madh që po paguhet për atë që është në thelb një burg politik. Njësoj si grevistët e urisë në burgun famëkeq Maze në Irlandën e Veriut, turpëroi në mënyrë të pashlyeshme historinë e të drejtave të njeriut të Britanisë së Madhe, edhe Guantanamo turpëron atë të Amerikës.