TemA TV/ Milo: Nuk e kemi të sigurt fitoren pse na erdhi LSI në koalicion (VIDEO)

milo
Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka deklaruar para anëtarëve të Komitetit Drejtues të partisë së tij se fitorja nuk do jetë e lehtë vetëm pse ata kanë marrë në koalicion Lëvizjen Socialiste për Integrim.
“Aleanca për Shqipërinë Europiane të mos ushqejë iluzione për një fitore të lehtë se mjafton që erdhi Lëvizja Socialiste për Integrim atje ku e ka pasur vendin me kohë dhe suksesi është i garantuar. Do të ishte naivitet i pafalshëm. Nevojitet front i bashkuar në formë dhe në përmbajtje. Gjithsecili ka se çfarë të ofrojë, askush nuk është i tepërt”, tha Milo.
Kreu i PDS tha se ai nuk pranoi që të shkrinte partinë me PS-në vetëm që ai të siguronte një vend në parlament.
“Personalisht e gjykova të papranueshme këtë ofertë. PDS, aq sa është dhe nuk është pak, nuk mund të shkrihet për t’i siguruar një vend në Kuvendin e Shqipërisë kryetarit të saj. Eshtë për të ardhur keq, që atë që nuk e bëri PS, e bëri zoti Berisha me kryetarët e partive të tij aleate, duke i futur ato në listën e Partisë Demokratike”, tha Milo./ep