Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë
Edhe një paradoks i qeverisjes djathtiste
Fenomeni i borxhit rritës të shtetit ndaj ekonomisë nuk korrespondon fare me modelet e qeverisjes djathtiste. Këtë situatë teoria politike dhe ekonomike e konsideron fenomen paradoksal. Fatkeqësisht, nuk është vetëm ky fenomen i tillë, edhe pse është ndër më shqetësuesit!
Filozofia politike në llojet e saj kryesore njeh profilin majtist, të mesëm dhe atë djathtist, edhe pse ekzistojnë ”nënprofile” të kombinuara midis, si qendra e majtë, qendra e djathtë…etj., si nuanca politike, por që gjithmonë targetojnë një shtresë më specifike të shoqërisë. Këto të fundit rrallëherë arrijnë të jenë bartëse të qeverisjeve, por shpesh bëhen përplotësuese të rëndësishme të mozaikut të shumicës qeverisëse. Shpjeguar me thjesht, filozofia majtiste platformën e vet e ndërton mbi bazë të kujdesit ndaj grupit (kolektivit) dhe ndaj shtresave të mesme dhe të varfra, duke ndërtuar edhe politikat rrjedhëse për këtë target politik, kurse filozofia djathtiste karakterizohet për kujdesin ndaj individit, pronës, kapitalit…etj.
Mbi këtë profilim politik mbindërtohen edhe modelet e qeverisjes me ekonominë dhe, natyrisht, duhet të reflektojnë në postulatet bazike të paradigmës ekonomike komplementare me profilin politik. Kjo gjithandej funksionon me ndonjë nuancë të shmangies së tolerueshme për çështje të caktuara – në kohë dhe hapësirë të caktuar.
Duke trajtuar modelet ekonomike, si në koncipim, ashtu edhe në funksionim, në regjionin tonë, dalin në pah shumë paradokse, që disa prej tyre edhe kanë qenë të trajtuar disa herë edhe në këtë revistë. Në këtë shtjellim të radhës dëshirojmë të trajtojmë një paradoks shumë të veçantë, posaçërisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Studiuesit dhe analistët ekonomikë por kohëve të fundit edhe asociacionet e biznesit gjithnjë e më tepër po debatojnë rreth borxheve të shtetit ndaj sektorit real të ekonomisë gjithnjë e më të dehidruar nga resurset financiare.
Situata në Shqipëri nuk është fare më inkurajuese – akumulimet e borxhit publik i kanë tejkaluar margjinat e kufijve të tolerancës (bile edhe nëse statistikat janë të besueshme). FMN-ja ditë më parë publikoi se borxhi publik e ka tejkaluar 60%-shin e PBB-se dhe paraqet nivelin më të lartë nga të gjitha vendet e EJL-së. Njëherazi edhe borxhi ndaj sektorit real atje është rritës. Nëse fenomenin e trajtojmë në aspektin e profileve qeverisëse, definitivisht rezulton se në qeverisjen djathtiste edhe në Shqipëri borxhi i shtetit është rritës, madje intensiteti i rritjes është shqetësues. Mbase kjo ishte e arsyeshme në majën e krizës financiare globale 2009-2010 (me pak vonesë në regjion), por në dy vitet e fundit ky trend është më rritës. Si mund të shpjegohet kjo, përveç se një paradoks që krijohet nga politikat populiste, që po ashtu janë sinonim për majtizëm, ndërkohë që qeverisin të djathtët. Si këndej, ashtu edhe andej, rriten pagat e administratës, pensionet, shtesat dhe asistencat sociale në kushte të rënies së ekonomisë dhe, aq më tepër, të produktivitetit! Ka një dallim qenësor në Shqipëri dhe Maqedoni – atje mediumet janë shumë të fuqishme dhe oponenca intelektuale ka liri dhe guxim që këto gjëra t’i debatojë dhe t’i publikojë shumë herë më mirë dhe më me kompetencë se në rastet e Maqedonisë, ku censura dhe diktati i kanë ngulfatur mediumet dhe “intelektualët”! Këtu më shpesh gjeni analistë dhe intelektualë bulevardesk, që çojnë ujë në “mullirin e qeverisë” për motive të njohura personale.
Fenomeni i borxhit rritës të shtetit ndaj ekonomisë nuk korrespondon fare me modelet e qeverisjes djathtiste. Këtë situatë teoria politike dhe ekonomike e konsideron fenomen paradoksal. Fatkeqësisht, nuk është vetëm ky fenomen i tillë, edhe pse është ndër më shqetësuesit!
Frazat deklarative se jolikuiditeti ekonomik po bëhet kanceri i ekonomive ne regjion dhe janë gjithnjë e më të pranishme edhe nga opozita politike, por nuk ka ofruar dëshmi relevante, përveç makrostatistikave agregate në nivel të ekonomisë për ndërmarrjet me llogari të bllokuara, për numrin e bankrotëve, për ndërmarrjet pasive, që reflektojnë këtë gjendje. Kjo tematikë është komplekse edhe për nga ndjeshmëria, sepse shumë pak ndërmarrje dhe afaristë kanë guximin të deklarohen me dëshmi për këtë situatë. Kuptohet, ata nuk janë fajtorë për këtë “heshtje të imponuar” nga kërcënimet e ndryshme, që u vijnë nga qeverisjet aktuale të vendeve. E vetmja mënyrë për t’u bërë kjo është krijimi i bazës së qëndrueshme të të dhënave për gjendjen e bizneseve në ndërmarrjet konkrete nga asociacionet, ku ata anëtarësojnë – qofshin ato dhomat ekonomike ose format e tjera të anëtarësimit.
Vendosëm ta trajtoj këtë temë dhe të luajmë rolin e “avokatit vullnetar” për viktimën, pasi që gjithnjë e më shpesh studimet tona konkrete nga “magjistrat” tanë në ekonominë e sektorëve dhe ndërmarrjeve rezultojnë shënime alarmuese për këtë gjendje – jo vetëm në vëllimin e borxheve, por edhe në intensitetin e trendit të tyre. Në këto studime para një muaji patëm rastin të shohim se në një ndërmarrje të mesme nga Pollogu – objekt i studimit konkret (e cila pothuajse 100% të prodhimeve i eksporton) – për tre vitet e fundit borxhi i shtetit ndaj TVSH-së së pakthyer ishte rritur për 227%! Një ndërmarrje tjetër, po ashtu nga Pollogu, tre vitet e fundit s’kishte arritur të arkëtojë asnjë deni (njësi më e vogël se denari) nga kthimi i TVSH-së, kurse një e treta (po ashtu për eksportin e shërbimeve të saja) tash e 5 vite po bredhë nëpër gjykata, për të dëshmuar se “Ligji dhe Maliqi” janë dy çështje të ndara dhe se më shumë të vlen “Maliqi se Ligji”. Këto janë vetëm disa raste konkrete, që pasqyrojnë gjendje alarmante. Në rastin e Maqedonisë borxhi i shtetit ndaj sektorit real ekonomik është alarmues mbi baza të ndryshme, që nga detyrimet për kthimin e TVSH-së, e deri te detyrimet për blerjen e mallrave, shërbimeve dhe punëve të kryera për shtetin.
Përderisa çështja e kthimit të TVSH-së u premtua e u promovua si platformë shumë premtuese nga vetë kryeministri se do të kryhet deri në fund të shkurtit 2013-të, detyrimet direkte nga marrëdhënia debitore-kreditore e shtetit me sektorin real as që janë kuantifikuar dhe trajtuar për servisim, përveç raporteve klienteliste dhe konjunkturale të familjes politike qeverisëse me ndërmarrjet që gravitojnë në orbitat e tyre. Në fillim për marrje punësh dhe tenderësh këta paguajnë çmimin e caktuar dhe, më pas, së paku edhe po aq për të arkëtuar kërkesat e tyre. Sigurisht që një pjesë e madhe e këtyre “klientëve” sillen në stilin “sa pare, aq valle!”, prandaj edhe cilësinë e mallrave, shërbimeve dhe punëve të kryera qytetarët e shohin çdo ditë. Rasti i kushtëzimit të tenderit të sigurimeve të Postave të Maqedonisë, me imponimin e detyrimit për kompensim të dëmeve retroaktive, është dëshmi më e mirë si funksionon ekonomia e tregut në vend dhe akoma gjejmë kurajë të promovohemi lider për “Liri ekonomike” dhe “ambient biznesi”!
Mbi të gjitha, bazat e borxheve të shtetit (përfshirë të gjitha strukturat dhe nivelet) shumat mund të jenë marramendëse, prandaj edhe shteti nuk i publikon. Duke u nisur nga rastet konkrete që elaboruam më lart dhe duke u nisur nga aktivitetet agresive “ekonomike” të shtetit, si në sektorin e ndërtimtarisë, atë të bujqësisë (subvencionet e vitit paraprak akoma nuk janë likuiduar), por edhe në mallra dhe shërbime të përditshme që blen shteti, përfshirë këtu edhe detyrimet ndaj TVSH-së, kjo vlerë shkon në rreth 10% të PBB-së (mbase rreth 0,7 miliard €), që për një ekonomi si ajo e Maqedonisë, shprehur në termë mjekësore, është dehidrim i një organizmi ekonomik me imunitet të kërcënuar! Nëse kihet parasysh efekti i multiplikimit të mungesës së këtyre resurseve, pasojat janë edhe më brengosëse.
Në këto rrethana, ku qëndron zgjidhja? Në pamundësi që afaristët dhe ndërmarrjet të ngrenë zërin (posaçërisht në Maqedoni), sepse asnjë s’mund të jetë gjithaq “i pastër” në ambiente të funksionimit të stilit “Ligji-Maliqi”, mbetet që vetëm shoqatat e tyre ta bëjnë këtë. Në kushtet e teknologjisë informatike kjo bëhet shumë lehtë dhe shpejt – edhe ashtu është periudha shumë e qëlluar. Në fillimvit sapo mbyllen dhe dorëzohen llogaritë përfundimtare për vitin paraprak (28.02) dhe mjafton që zëri i bilancit të gjendjes “kërkesat nga blerësit dhe nga tatimet e parapaguara” të derivohet dhe përpunohet për anëtarët e shoqatës, e më pas të alarmohen institucionet, të hapen debatet, të bëhet presion për transparencë; në të dyja shtetet momenti politik është shumë i përshtatshëm – është periudhë parazgjedhore. Le t’i shlyejnë detyrimet ndaj ekonomisë dhe le të kërkojnë besimin e përsëritur. Nëse këto shoqata vërtet janë “avokatë të anëtarësisë”, është momenti ta dëshmojnë këtë. Se, në të kundërtën ndërmarrjet duhet të çregjistrohen prej tyre, sepse ato u bëjnë favore personale vetëm udhëheqësve të këtyre shoqatave! Një pjesë e konsiderueshme e lidershipit të këtyre shoqatave janë në marrëdhënie klienteliste me qeverinë për përfitime personale. Ky është instrumenti i vetëm për qasje në zgjidhjen e këtij problemi shumë kërcënues për biznesin. Me këtë dhëmbëzori do të lëvizte ndryshkun e krijuar në këtë sistem!






