Dy palët politike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjenden pranë një marrëveshjeje politike për t’i hapur rrugën drejt nënshtetësisë 11 milionë emigrantëve të paligjshëm që jetojnë aktualisht në SHBA, ndërsa një program i veçantë vizash pune pritet të hapet duke filluar nga viti 2015.
Dhomat e tregtisë dhe sindikatat ranë dakord të mbështesin marrëveshjen, raporton “Reuters”. Programi për viza pune ka qenë pengesa kryesore në bisedime, pasi sindikatat kundërshtonin idenë nga frika e uljes së pagave në ekonomi nga fluksi i emigrantëve të huaj.Sipas marrëveshjes, viza e re do të krijohet nga punëdhënësit për punëtorë të huaj në fusha jo shumë të specializuara dhe në vende pune josezonale dhe jobujqësore. Punët në sektorin e turizmit, shitjeve me pakicë, ndërtimit e të tjera do të përfshihen në këtë program.
Lloji i ri i vizës nuk do të konsiderohet “e përkohshme” për shkak se punëtorët do të kenë të drejtë të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme pas një viti.
Programi pritet të nisë më 1 prill 2015 në rast se çdo gjë ecën sipas planit. Fillimisht do të lëshohen 20 mijë viza të tilla në vit dhe kjo kuotë do të rritet në 35 mijë në vitin pasardhës, 55 mijë në vitin e tretë dhe 75 mijë në vitin e katërt. Kushti është që kuota të mos jetë asnjëherë më e ulët se 20 mijë dhe më e madhe se 200 mijë në vit.
Joshje për votat e hispanikëve
“Ne kemi krijuar një model të ri, një sistem modern vizash që përfshin njëkohësisht një byro për të mbledhur dhe analizuar të dhënat e tregut të punës si dhe një sistem që ofron mbrojtje të rëndësishme të të drejtave të punëtorëve”, deklaroi një nga sindikatat që dha miratimin.
Marrëveshja do të duhet të miratohet nga një komision senatorësh i përbërë nga katër demokratë dhe katër republikanë. Nëse ata e miratojnë, siç pritet, një ligj i ri për emigrimin do të paraqitet në senat në javët e ardhshme.
Presidenti Barack Obama synon që me këtë ligj të plotësojë një premtim elektoral. Ai i ka dhënë fjalën hispanikëve se do të krijojë shtigjet drejt qytetarisë për emigrantët ilegalë që gjenden aktualisht në vend. Ai është betuar se do të veprojë përmes fuqive të tij ekzekutive për të realizuar këtë qëllim në rast se republikanët nuk e mbështesin idenë në Kongres.
Emigrimi ka qenë prej kohësh një çështje e debatuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përpjekjet për të reformuar kuadrin ligjor janë bllokuar nga mosmarrëveshjet mes demokratëve dhe republikanëve.
Shumë republikanë kanë pasur një qëndrim të ashpër kundër emigrimit ilegal. Sfidanti i pasuksesshëm i Obamës, republikani Mitt Romney bëri thirrje gjatë fushatës së tij për “largim me vullnet të lirë” të emigrantëve ilegalë. Republikanët në Arizona dhe shtete të tjera kanë miratuar ligje të ashpra kundër emigrantëve ilegalë.
Por republikanët filluan të ndryshojnë qëndrim kur panë se si hispano-amerikanët mbështetën masivisht demokratët në disa zgjedhje, pavarësisht pritjeve të tyre konservatore.
Për shumë republikanë, thithja e votave nga hispanikët, të cilët përbëjnë 10 për qind të elektoratit amerikan dhe kanë rritje të shpejtë, përbën një çështje mbijetese.
Republikanët kanë kërkuar gjithashtu fuqizimin e kushteve të sigurisë përgjatë kufirit me Meksikën para se të fillojë procesi i dhënies së nënshtetësisë për emigrantët. Obama thotë se kushtet e sigurisë janë aktualisht të mjaftueshme.