Koreja e Veriut ka deklaruar se ka rinisur punën në kompleksin bërthamor Yongbyon, pak orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan në gadishullin korean destrojerin USS McCain.
Destrojeri me emrin e stërgjyshit të senatorit John McCain, u nis të hënën nga Japonia në drejtim të Koresë.
Anija është e pajisur me një sistem modern që mund të gjurmojë dhe të shkatërrojë në ajër raketat balistike.
Bashkë me të flota amerikane ka dërguar në rajon edhe një radar të lundrueshëm, që kushton 900 milion dollarë dhe që është një pajisje super e fuqishme në gjurmimin e raketave.
Koreja e Jugut nga ana e saj i është përgjigjur kërcënimeve të shtetit komunist duke deklaruar se ata do përgjigjen fuqishëm ndaj provokimeve.
Më herët SHBA kanë dërguar në rajon edhe avionët që nuk pikasen nga radarët, si dhe bombarduesit e rëndë B-52, në gjendje për të mbajtur mbushje bërthamore në bord.
Disa pamje të shpërndara online tregojnë ushtarët koreano- veriorë duke bërë stërvitje në një poligon, ku shënjestrat janë ushtarë me simbole amerikane./ep





