Intervistë ekskluzive, flet në emisionin “Fiks Fare” akademiku
Kam droje se njësoj si në librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, sigurimi dhe policia mund të përdoren për zgjedhje
Profesor je i lodhur? Po se kishit 10 vjet pa ardhur dhe instancat e larta tona shtetërore nuk ju kanë lënë një minutë rehat, dreka, darka, përcjellje, etj., ha ha ha se është e pabesueshme të vish nga Kosova dhe të mos ju presë homologu juaj profesor Sali Berisha, se e ke homolog jo për gjë… Apo jo profesor homolog jeni?
R.Qose- Po homolog.
Fiksi- Jeni ju profesor doktor, është edhe kryeministri ynë, e kemi këtë fat, e kemi, ha ha ha, nejse e kalojmë, ha ha ha.
R.Qose-E shoh shpesh në televizor.
Fiksi-Profesor mund të më thuash një fjali të parë? Çfarë të duash atë që mendon, mos fol shumë mirë për mua, s’ka gjë, ha ha ha. Mund të thuash edhe ndonjë fjalë të mirë për kolegun s’ka gjë.
R.Qose-Kam kënaqësi që jam në mes të Sajmirit dhe Doktorit, dhe karshi kam Filipin dhe afër këtyre dy bijave tona që e zbukurojnë Tiranën.
Fiksi-Bija t’i themi edhe ne vajzave. Vajza mbajeni mend këtë fjalë, bijave, se tingëllon shumë bukur.
Fiksi-Profesor pas kaq shumë viteve që keni ardhur, s’e besoj ju politikën shqiptare e përcillni shumë, se e shikojmë në shumë artikuj gazetash të ndryshme.
R.Qose-Po e përcjell rregullisht.
Fiksi-Kam përshtypjen që këtë pjesën që udhëheqësi ynë bën takime me popullin nuk është që e keni përcjellë shumë, ka një moment që ka dalë gju më gju me popullin, ju e dini besoj kush dilte gju më gju me popullin, e kujtoni?
R.Qose-Posi po. Po qysh jo po.
Fiksi-Dua të jap një fragment të shihni ç’i ka thënë populli udhëheqësit. (Shfaqet në wall një pensionist që i thotë Berishës: “Ju përshëndes për mirëseardhjen, jam 80 vjeç falë jush z. kryeministër, kur erdhe të përshëndeta, ku je o Skënderbeu i dytë i Shqipërisë”.
Fiksi-Skënderbeu i dytë i Shqipërisë ju si e komentoni?
R.Qose-Unë them ruaje Zot, Skënderbeun, shëmbëlltyrën e tij namin e tij, prej krahasimit që i bën ky plak që i është ndalur koha.
Fiksi-I është ndalur koha ee? Ha ha ha. Po jo, se ndoshta se ky plaku thotë kështu, se Skënderbeu ka pasur shpatë se ndoshta ngaqë shpata e kryeministrit tonë pret nga të tëra krahët, ose ngaqë në përkrenare ka dhi, dhe kryeministrit rinia i ka kaluar me dhi ndonjëherë, ose ngaqë i ka hipur kalit, ju e dini atë që po i hipe kalit… Mos ndoshta i është referuar kësaj populli se popull është ai plaku? Kujt i është referuar i moshuari?
R.Qose-Nuk mendoj se plaku ka menduar shumë, se po të ishte menduar shumë, nuk e kishte bërë një krahasim të tillë, nuk e kishte nxjerrë nga goja, dhe sigurisht që ky nuk do ta kishte pranuar lehtë një krahasim të tillë, por kryeministri ynë bën sjellje të cilave u ka kaluar koha, këto sjellje janë bërë dikur të themi në mesjetë, por bota moderne nuk bën komunikim të tillë me popullin. Ja të mendojmë kancelaren Merkel apo kryetarin e shtetit të Francës apo të Shteteve të Bashkuara, apo të shteteve të tjera europiane nuk komunikojnë ashtu me qytetarët e tyre. Jetojnë në një kohë të teknikës jashtëzakonisht të zhvilluara dhe kanë mënyra të tjera komunikimi.
Fiksi-Nuk e shikoni, si pikë të dobët të atyre këtë që nuk bëjnë kontakte me popullin e tyre? Se prandaj ato janë pas, se prandaj ne jemi vendi i dytë në botë, se udhëheqësi ynë del në takime me popullin. Apo jo?
R.Qose-Joo. Edhe takimet me popullin mund të bëhen në një mënyrë bashkëkohore moderne, këto janë takime shumë të folklorizuara, dhe u ka kaluar koha dhe nuk krijojnë një pamje apo ashtu siç i thonë tani, një imazh të mirë për Shqipërinë.
Fiksi-Profesor të pyes për diçka tjetër, ju besoj keni dëgjuar për dialektalizmat që përdor politika shqiptare shpesh, apo krerë të politikës, që nga kryeministri, kryetarja e Kuvendit, akademia e jonë këtu, që ju besoj me akademinë tonë keni marrëdhënie të mira, merrni ftesa herë pas here apo jo?
R.Qose- Jo, jo, dhe aq jo bash.
Fiksi-Ka një tendencë akademia jonë për të bërë një rishikim të gjuhës shqipe, sikur këto dialektalizma që bëjnë ata do në një farë mënyre t’i justifikojë ndoshta, duhet të flasim edhe ne ashtu? Pasi në atë kohë, akademia vihej pak në shërbim të politikës, të themi të drejtën se ishte diktaturë. Po sot akademikët? Ju do ta bënit diçka të tillë, të vinit një dialektalizëm, ja të dëgjosh diçka ta kesh të qartë. (Shfaqet në wall Jozefina Topalli që në seancë parlamentare flet me dialektalizma si lumgardhet, urdhno, kja, lepri, katërdhet etj.) Këto janë dialektalizma të bukura për zonën e Shkodrës por kryetarja e Parlamentit?
R.Qose-Po ndër shkeljet e shpeshta që kryetarja e Parlamentit i bën rregullores së Parlamentit, i bën Kushtetutës, është edhe kjo natyrisht. Parlamenti duhet të respektojë gjuhën standarde kombëtare, është i obliguar me ligj. Qytetarët edhe mund të flasin si të duan, por institucionet e shtetit si ushtria, policia, administratë arsimi, duhet të respektojnë gjuhën standarde, në të gjithë botën e qytetëruar kështu ndodh kudo..
Fiksi-Po, por si t’ia bëjmë homologut tuaj, profesor, doktorit tonë që i ka ai në dorë këto gjëra dhe i vendos ai, nuk është se i vendosim ne?
R.Qose-Po duket se i vendos ai fatkeqësisht. Por a do t’i vendosë edhe për më gjatë, do ta shohim. Të dëshirojmë të shpresojmë që nuk do t’i vendosë edhe për më gjatë.
Fiksi-Unë e kam dëgjuar disa herë Parlamentin në Kosovë, është e vërtetë që atje deputetët flasin gjuhë letrare?
R.Qose-Po është e vërtetë, të gjithë flasin gjuhën standarde, gjuhën letrare kombëtare, kjo nuk do të thotë që nuk bëjnë ndonjë gabim, por të gjithë flasin gjuhën standarde, por kështu gabimi, kështu përpjekje që bën kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë nuk mund të ndodhë në Parlamentin e Kosovës jo.
Fiksi-Në librin tuaj të famshëm “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, mos kishit parasysh kryeministrin tonë?
R.Qose-Po.
R.Qose-Po në librin “Vdekja më vjen prej syve të tillë” jam marrë me veprimet e sigurimit të brendshëm shtetëror, që quhej UDB ndaj shqiptarëve, dhe natyrisht kishte njerëz në pushtet, zyrtarë të lartë që atë UDB e përdornin për përndjekjen e njerëzve.
Fiksi-Mendoni që sot ka ndonjë përshtatje, është aktuale?
R.Qose-Mund të jetë në një mënyrë aktuale, se institucione të tilla sigurimi policie mund të përdoren nga njerëz në pushtet, kam drojë se mos këto do përdoren tani në fushatën elektorale për zgjedhjet.
Fiksi-Në fakt historia ka treguar që nuk janë përdorur ndonjëherë?
R.Qose-Jo, s’e di se historia e 20 viteve të fundit ka treguar se edhe janë përdorur ndonjëherë.
Fiksi- Profesor, kënaqësi që të kishim sonte dhe të falënderojmë!
R.Qose-Edhe për mua ishte kënaqësi, siç e thashë edhe më parë, por edhe nuk e kisha të lehtë, gjuha juaj shpatë e cila e pastron shumë Shqipërinë prej të këqijave, shumë e pastron, kisha drojë mos diku ngecja.
Fiksi-Para se të hynte profesori, unë mendoja se më kishin ikur emocionet, por pas 10 vjetësh më erdhën përsëri, ka gjithmonë një herë të parë. Të falënderojmë, je i mrekullueshëm.
R.Qose-Edhe unë ju falënderoj dhe ju uroj sukses në punën tuaj shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët.





