Home »
» REPORTAZH/ Martesat ndër-etnike sinjalizojnë ndryshim në Ballkan
REPORTAZH/ Martesat ndër-etnike sinjalizojnë ndryshim në Ballkan
Nga Aleksander Pavlevski, SETimes
Zllatko Trajkovski e përshkruan jetën e tij në Berovë, Maqedoni si të thjeshtë dhe të lumtur. Ai dhe gruaja e tij kanë “një martesë të mrekullueshme” me dy fëmijë dhe një fermë.
Trajkovski është maqedonas, ndërsa gruaja e tij është nga Shqipëria. Ata u takuan nëpërmjet një ndërmjetësi martesash që puq burra maqedonas me gra shqiptare.
Dhe ata janë pjesë e një prirje në rritje.
Llogaritet se janë rreth 3,000 martesa të tilla ndër-etnike në Maqedoni, një numër që ishte i pa-mendueshëm disa vjet më parë, kur kishte vetëm disa dhjetëra çifte ndër-etnike.
Nëpër Ballkan, ka shenja shtesë se pengesat etnike nuk janë të pakapërcyeshme dhe sociologët thonë se marrëdhëniet dhe martesat e përziera po shpërblejnë, jo vetëm njerëzit e përfshirë, por në shkallë më të gjerë.
Fotoja e kohëve të fundit e një vajze kroate që puthte një djalë serb (secili prej tyre të mbështjellë në flamurin e tyre) u bë një sensacion që qarkulloi me të shpejtë në internet, duke rritur ndërgjegjësimin publik dhe mbështetjen për marrëdhëniet e përziera. Një sondazh nga Fondacioni Fridrih Ehbert zbuloi se 41 përqind e shtetasve në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) mbështesin martesat e përziera dhe 10 përqind të tjerë janë të pavendosur.
Numri në rritje i martesave ndër-etnike midis maqedonaseve dhe shqiptarëve është konsideruar një shenjë pozitive për dy njerëz me një histori tensionesh. Dhe kjo mund të ketë një rëndësi më të madhe për fshatrat rurale të Maqedonisë, ku popullsia ka rënë ndjeshëm.
“Ndër-martesa është një shembull i bashkëjetesës dhe afrimit të kombeve. Maqedonia është një shembull i mirë i kësaj ndonëse luftërat në ish-Jugosllavi e penguan këtë praktikë nga të qenët edhe më e hershme,” tha Milka Olevska, një sociologe nga Shkupi.
Olevska shtoi se ndër-martesa do të ndihmojë të ringjallen fshatrat me familje të reja.
“Fshatrat maqedonase po vdesin. Ka shumë beqarë që kanë pasur vështirësi të gjejnë gra që dëshirojnë të jetojnë në fshat dhe të jenë fermerë. Për vajzat nga Shqipëria rurale ky nuk është një problem, kështu që ato vendosin të vijnë në Maqedoni, të martohen e të jetojnë në një fshat,” tha Olevska.
Ilija Açevski, një sociolog me qendër në Shkup tha se martesat ndër-etnike janë të fundit në serinë e pengesave midis etnive.
“Martesa të tilla, me përkufizim, janë treguesi më realist dhe më i fortë i bashkëjetesës etnike,” tha Açevski.
Numri i martesave ndër-etnike në BiH është i panjohur pasi vendi nuk ka pasur një regjistrim që më 1990. Admir Lasica, një boshnjak, gruaja e tij, Nives, një kroate dhe vajza e tyre Renata jetojnë në Prijedor. Çifti është martuar prej gjashtë vitesh.
“Funksionojmë si dy të rinj normalë dhe jo si një boshnjak e një kroat,” tha për SETimes Admir, 35 vjeç. “Nuk dimë shumë shembuj martesash nga zona jonë që janë të përziera. Mendoj se është absurde të kritikosh dikë për kombësinë e partnerit të martesës së tij, por për fat të keq ka mjaft njerëz që mendojnë kështu sot në Bosnje”.
BiH ka 52 shkolla në të cilat nxënësit janë të ndarë bazuar në kombësinë. Ilija Markan, që mëson sociologjinë në Gjimnazin e Glamocit, Bosnja Perëndimore, tha se është e vështirë për fëmijët të kapërcejnë ndarje të tilla.
“Institucionet duhet të bëjnë më shumë kur vjen puna te kjo çështje, kështu që fëmijët mund të vazhdojnë jetën e tyre të ardhshme kur përfundojnë shkollën, pasi shkolla është vendi më i rëndësishëm për ndërtimin e karakterit të një personi,” i tha Markan SETimes.
Në Kosovë, konflikti me Serbinë i ktheu martesat ndër-etnike në një tabu, duke i lënë familjet me martesa të përziera të shkojnë nëpër një udhë jo të lehtë midis komuniteteve etnike shqiptare e serbe.
Mentor H. dhe Nita I., një çift nga Prishtina, thanë se ata pësuan përvoja të hidhura pasi i ati i Mentorit është shqiptar dhe nëna e tij është serbe. Ata kërkuan që mbiemri i tyre të mos përdoret për shkak të konfliktit që çështja ka shkaktuar në familje e tyre.
“Unë jam ai që jam dhe ndjehem krenar për prindërit e mi,” i tha ai SETimes. “Kur isha fëmijë, shqiptarët më konsideronin mua një serb dhe serbët më konsideronin shqiptar. Tani kam kaluar përmes gjithë kësaj dhe nuk kam merak se si u dukem njerëzve.”
Ai shtoi se di të dyja gjuhët dhe kulturat dhe ka miq në të dy krahët.
“Kjo më bën të ndjehem i pasur në shpirt,” tha ai. “Unë shpresoj se e ardhmja do të jetë pa këto dallime, që janë krejtësisht pa vend për mua.”
Nita tha se familja e saj reagoi keq kur ajo u tha se një nga prindërit e Mentorit ishte një serb.
“Un ndjeva e trishtuar nga ky reagim,” tha ajo. “Familja ime e shpërfilli krejtësisht faktin se unë qeshë e martuar. Situata ndryshoi kur mbeta shtatzënë dhe ata nisën ta pranojnë [Mentorin] vetëm kur lindi fëmija ynë i parë.”
Ndërsa numri i martesave maqedonase-shqiptare po rritet, ai llogaritet për vetëm 1 përqind të martesave në Maqedoni, sipas Byrosë shtetërore të Statistikave. Albert Musliu, drejtor ekzekutiv i Shoqatës për Nismat Demokratike, tha se diferencat fetare mund të jenë një faktor më i rëndësishëm se etnia në numrin e ulët të martesave të përziera.
“Unë mendoj se prania në rritje e komuniteteve fetare dhe zakonet fetare krijojnë ndarje,” tha Musliu. “Unë di shumë raste që nuk mund të kapërcejnë këtë barrierë dhe këto marrëdhënie nuk rezultojnë në martesë për shkak të frikës së turpërimit… si do t’i dalin përpara të afërmve të afërt?”
Olevska tha se ajo pret më shumë të rinj të martohen “pavarësisht nga feja.” Ajo shtoi se traditat strikte midis shqiptarëve myslimanë do të vihen në provë nga brezat e rinj.
Frika nga dënimi ekziston ende, por Trajkovski tha se është më pak një shqetësim se sa ishte në të kaluarën.
“Në krye pata frikë se ç’do të thoshin të afërmit, por kur mbusha 38 vjeç vendosa të nis një familje dhe kështu me ndërmjetësin takova një grua në Shqipëri,” tha ai. “Tani ne kemi dy fëmijë dhe një martesë të mrekullueshme dhe nuk ka problem që ajo është shqiptare ndërsa unë maqedonas. Ne jetojmë në fshat, kemi një fermë, jetë e thjeshtë por plot lumturi e kënaqësi.”
Stojan Kitanoski, një ndërmjetës martesash nga Berovo, ka bërë së bashku 20 çifte në Maqedoninë lindore. Ai tha se ndonjëherë ka vështirësi që rezultojnë nga dallimet fetare, por ka më pak probleme me katoliket shqiptare për t’u martuar me të krishterë ortodoksë nga Maqedonia.
“Dallimet midis njerëzve të kombësive të ndryshme çdo ditë e më tepër reduktohen,” i tha Kitanovski SETimes. “Unë puq burra nga Maqedonia me gra shqiptare që kërkojnë të bëjnë martesë. Ne vizitojmë familjen kështu që mund të njohin njeri tjetrin dhe në qoftë se duhen …nuk ka problem për askënd. Dëshira për një familje kapërcen çdo dallim.”