PJESA E TETË EMISIONI “OPINION” I FEVZIUT NË TV KLAN




47.
Kur “Debati” pjell “Opinionin”, ku s’ ka as debat dhe as opinione

      Në vitin 2001, pas katër vjetësh qëkurse kishte filluar emisionin e tij me titull “Debat”, Fevziu, si të konfirmonte se në emisionin e tij nuk kishte debat, ose ai ishte fiktiv, e ndryshoi titullin e emisionit, në “Opinion”. Ky me siguri është veprimi më i sinqertë i Fevziut në gazetarinë televizive. Arsyetimi i Fevziut për ndryshimin e emrit, se, përveç debatit, në emisionin e tij ka dhe intervista me një person të vetëm, nuk duket bindës. Nëse intervista me një person të vetëm mund të quhet “opinion”, atëherë çka do të quhet debati? Pastaj, edhe intervista me një person të vetëm mund të jetë fare mirë një debat, nëse drejtuesi i emisionit do të ketë prirjen për të qenë agresiv në pyetje, brenda kufijve të etikës mediale, natyrisht.
      Pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 24 qershorit 2001, në fillim të korrikut, Blendi Fevziu befasisht ftoi për një intervistë me kohë të plotë në emisionin e tij televiziv, Sabri Godon, kryetarin e nderit të Partisë Republikane, i cili nuk ishte shfaqur në ekrane qëkurse PR me në krye Fatmir Mediun bëri aleancën me PD në janar të atij viti. Godo deklaroi në emisionin e Fevziut, se ai pati qenë kundër koalicionit të PR me PD-n. Natyrisht se Fevziu nuk e pyeti Godon se përse vazhdonte që të ishte kundër këtij koalicioni tani që ai rezultoi i suksesshëm se PR nga ky koalicion mori pesë deputetë që hynë në listën e PD-s, çka do të thoshte se PR pati marrë më tepër deputetë se ç’ kishte marrë në të gjitha zgjedhjet e atëhershme të marra së bashku, të cilët edhe ata i pati marrë me ndihmën e PD (në 1992, dhe 1996) dhe një me ndihmën e PS (1997). Në vitin 2001 kur u krijua koalicioni opozitar Bashkimi për Fitore, i drejtuar nga Berisha dhe PD, Godo e kundërshtoi hyrjen në këtë koalicion të Partisë Republikane të drejtuar nga Mediu. Në fillim të vitit 2001 midis Godos dhe Mediut u zhvillua një debat për këtë çështje, të cilin u duk sikur e fitoi Mediu, pasiqë PR mbeti në koalicionin me PD-n. Në fakt ky qe një bluff i Godos, pasi edhe kur PR drejtohej prej tij pati marrë vota dhe vende në parlament vetëm në aleancë me PD, dhe viti 2001 nuk qe viti 1997, kur votat dhe vendet në parlament mund t’ ia falte PS, e cila tashmë kishte hallet e veta. Godo kishte bërë një pakt me Partinë Socialiste në pushtet, se nëse do të arrinte që ta ndalonte hyrjen e PR në koalicion me Berishën, atëherë vitin e ardhshëm do ta bënin më së fundi President të Republikës, çka ai e dëshironte shumë. PS mendonte se nëse Berisha dështonte të krijonte një koalicion në zgjedhje, dhe humbja e tij bëhej më e thellë, do të rriteshin shanset për largimin e tij nga politika.
      Berisha atëhere donte të grumbullonte partitë kryesore opozitare nën drejtimin e vet, në mënyrë që të mbetej interlokutori kryesor i opozitës me ndërkombëtarët. Më të vështira rezultuan negociatat me PR. Godo luajti një bluff me Berishën duke i kërkuar pesë vende të sigurta në parlament nga lista shumëemërore për PR-n, si dhe premtimin e Berishës se Godo do të qe kandidati i koalicionit për postin e Presidentit të Republikës, një vit pas zgjedhjeve në 2002. Godo nuk donte që të bënte marrëveshje, por të prishte koalicionin, se në rast se PR-së i jepej kaq, atëherë do të rrisnin kërkesat edhe partitë e tjera të koalicionit që kishte ndërtuar Berisha. Godo nuk tha asgjë publikisht në kohën kur PR shpalli aleancën me PD, ndonëse distancimi i Godos qe dukur qartë nga fakti se ai nuk mori pjesë në fushatën elektorale të koalicionit opozitar, ku bënte pjesë PR. Fevziu, në vend që t’ i bënte Godos pyetjet e natyrshme që dilnin nga fjalët e tij, e pyeti se a i konfirmonte zërat se emri i tij qarkullonte si kandidat për postin e Presidentit të Republikës? Kjo dukej absurde se në korrik 2001 kurrkush nuk po diskutonte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, që do të ndodhte një vit më pas. Kurrkush nuk e kishte përmendur Godon si kandidat për President në vitin 2002. I pari që po e thoshte këtë ishte Fevziu. Duket se edhe këtë porosi Fevziut ia patën dhënë ata që donin të bënin diversion politik, duke e spostuar lidershipin e koalicionit opozitar nga Berisha tek Godo. Godo u përgjegj:
      Në rast se më kërkohet kjo gjë për të mirën e vendit, atëhere e quaj dhe unë veten që jam në lojë.
      Këtë pati dashur gjithmonë Godo: Të qe në lojë. Merret vesh, Fevziu e kishte thirrur Godon me porosi të PS, për të bërë diversion brenda koalicionit të djathtë, duke u shmangur sadopak vëmendja nga skema e “Dushkut”, e cila i kishte kompromentuar shumë zgjedhjet e vitit 2001. Gjithsesi ishte një poshtërim i madh për Fevziun që e përdornin kështu në dobi të Godos, një njeriu që kishte sajuar shpifje të mëdha për familjen e tij.
      Në janar 2002 Fevziu u përpoq të sabotonte takimin Nano-Berisha, që ishte planifikuar të bëhej publikisht në emisionin e tij gjatë një debati televiziv. Një javë para se Nano e Berisha të debatonin në emisionin e Fevziut, në Tv Klan, në Bruksel u mbajt një takim me pjesëmarrjen e gjerë të politikanëve shqiptarë, nga të dy krahët, si pozita, ashtu dhe opozita. Fevziu, i cili shkoi në Bruksel për të ndjekur takimin dhe për të raportuar për Tv Klanin, u bë bashkëfajtor në sajimin e një incidenti që kishte synim të parandalonte pajtimin Nano-Berisha. Tv Klan në edicionin e lajmeve të mbrëmjes, emetoi një raport telefonik nga Fevziu, ku ai përshkruante një incident që supozohej se kishte ndodhur para nisjes së takimit, kinse një grup militantësh të PD, të tubuar në hollin e hotelit ku do të qëndronin politikanët e majtë, i dhunuan këta të fundit fizikisht dhe me sharje. Fevziu madje solli në raportin e tij dhe përshtypjet e paverifikuara të zyrtarëve të Bashkimit Europian se kjo ishte provë se përpjekjet që bëheshin me shqiptarët qenë pothuajse të kota. Por hetimet e policisë belge treguan se nuk kishte ndodhur asgjë nga ato që thoshte Fevziu, dhe të tjerët si ai. Fevziu më pas nuk iu rikthye më kësaj teme, nën dritën e përfundimeve të policisë belge. Kuptohet se përse, atij do t’ i duhej që të shpjegonte se kush qëndronte pas raportit të tij të rremë nga Brukseli.
      Pasiqë Fevziu nuk arriti t’ i largonte Nanon dhe Berishën nga njëri-tjetri me anë të incidentit të rremë të Brukselit, ai bëri gjithçka për të ngritur tensionin mes tyre në emisionin e tij. Atëherë Berisha u tremb shumë se mos kundërshtarët e tij të fuqishëm në Washington, do të përfitonin nga ndryshimi i paradigmës gjeopolitike amerikane në epokën e pas 11 shtatorit 2001, që tashmë ishte e kushtëzuar nga lufta kundër terrorizmit islamik, për ta larguar atë përfundimisht nga politika. Kjo frikë e çoi Berishën në pajtimin me Nanon në vitin 2002, që filloi me një shtrëngim dore mes të dyve në një emision “Opinion” në Tv Klan, në janar 2002. Berisha e pa se në erën e pas 11 shtatorit 2001, Nano u bë përsëri beniamini i amerikanëve në Shqipëri, për shkak se tashmë politika amerikane ishte që në Shqipëri të kishte në pushtet një lider të krishterë ortodoks, për shkak të kompromisit reapolitik greko-amerikan, në atë kohë, gjë që ishte faktori kryesor që çoi atëherë në rrëzimin e Ilir Metës nga pushteti. Amerikanët e donin Berishën në lojë, prandaj e nxitën që të pajtohej me Nanon. Fevziu, duke punuar kundër pajtimit Nano-Berisha bënte lojën e atyre qarqeve greko-amerikane të cilët kërkonin largimin përfundimtar të Berishës nga politika. Gjatë debati televiziv Nano-Berisha të 1 shkurtit 2002, Fevziu kontribuoi familjarisht në pasurimin e fondit të anekdotave politike shqiptare. Miku i Fevziut, Preç Zogaj, një ndër të ftuarit e përhershëm të emisionit të Fevziut, dhe që ishte në rrethin e njerëzve që shoqëruan dy pjesëmarrësit në debat (Zogaj kishte qenë firmëtar i Lëvizjes për Katarsis të Nanos), kujton kështu me ironi të hollë një episod nga momentet para nisjes së debatit:
      -Erdhën, erdhën!- Lajmin e mbërritjes së Berishës dhe ekipit të tij sikur e solli vibrimi i ajrit në korridoret e studios qendrore. Të porsaardhurit gjetën tendosje dhe sollën tendosje. Berisha kërkoi të bënte një gjest shpengimi dhe shtensionimi, duke përqafuar gruan e Blendi Fevziut e cila, rastësisht, kishte veshur një fustan të kuq si ai i Xhonana Nanos. Një pjesë e të pranishmëve, të hutuar, sa nga prozhektorët, sa nga pamja e ngrirë e liderëve dhe stafeve, kujtuan se Berisha përqafoi gruan e Fatos Nanos, Xhoanën. Celularët e përhapën shpejt këtë lajm të parë nga ajo mbrëmje e rrallë në TV-Klan: “Berisha u soll si xhentëlmen, takoi Xhoanën”.
      Por, as ilariteti që krijoi ky keqkuptim nuk e ndryshoi atmosferën sureale rreth e rrotull.[i]
      Nuk duket e besueshme që gruaja e Blendi Fevziut, të ketë veshur rastësisht një fustan të ngjashëm me atë të gruas së Fatos Nanos. Më tepër gjasa ka që kjo të ketë qenë një porosi e Fevziut, aq më tepër që fustani ka qenë i kuq, pra në ngjyrën politike të partisë së Nanos, e cila tashmë prej kohësh e pati braktisur ngjyrën rozë të reformës fillestare, duke marrë gjithëherë e më tepër të kuqen e mëparshme. Në këtë mënyrë, me anë të gruas, Fevziu po i jepte një kumt politik Nanos se ishte me të. Gruaja e Fevzos, apo Fevzina, siç e quajnë me ironi shoqet e saj të dikurshme, të cilat ajo tashmë nuk i përfillte më, i shërbeu në këtë rast burrit si flamur politik.
      Për një paradoks ironik, në vitin 2002, kur Fevziu mburrej se në emisionin e tij televiziv ishte bërë pajtimi Nano-Berisha, na ndodhi konflikti Fevziu-Bushati. Blendi Fevziu dhe Andi Bushati, dy shokët e vjetër, që prej viteve të fakultetit, u ftohën me njëri-tjetrin. Në vitin 2002, Fevziu u shqetësua shumë kur shoku i tij i universitetit, Andi Bushati, iaarriti që të bënte në Tv Klan një emision politik, i cili bëhej çdo ditë, katër herë në javë, pas lajmeve të fundit, me përjashtim të ditës së enjte kur bëhej emisioni i Fevziut. Emisioni i Bushatit, me titull “Apostrof”, u përjetua nga Fevziu si një apostrofim i emisionit të tij, si një errësim i shkëlqimit të tij si gazetari i vetëm politik-drejtues emisioni, i Tv Klan. Këtu ndikoi dhe fakti që Bushati, me ta nisur këtë emision filloi t’ i pyeste të njohurit e vet se si u dukej emisioni i tij në krahasim me emisionin e Blendi Fevziut “Opinion”. Synimi i pashprehur i Andit ishte që emisioni i tij “Apostrof” të bëhej emisioni më i rëndësishëm politik televiziv në Shqipëri. Atëherë Fevziu i vuri pronarët e Tv Klan (në atë kohë nuk ishte ende Frangaj pronar i vetëm), para ultimatumit se, ose do të mbyllej emisioni i Bushatit, ose ai Fevziu do ta largonte emisionin e tij në një televizion tjetër. Fevziu atëherë pretendonte se ishte në negociata me Top Channel dhe se Dritan Hoxha i kishte ofruar 25 mijë euro rrogë në muaj, për ta çuar emisionin e tij në Top Channel. Pronarët e Tv Klan mbyllën emisionin e Bushatit. Nuk dihet se sa Fevziu ruante inate të vjetra me Andi Bushatin, për të rrahuarat me thupër në pëllëmbët e duarve që kishte marrë prej tij në vitet shtatëdhjetë, në Lushnjë.
      Një biografi të Fevziut i duhet të përcaktojë momentin se kur Fevziu me emisionin e tij “Opinion”kaloi në anën e Sali Berishës, para zgjedhjeve të vitit 2005, të cilat e sollën Berishën në pushtet. Deri në pranverën e vitit 2004 Fevziu ishte në anën e qeverisë socialiste, të Nanos. Preç Zogaj, i cili në librat e tij e quan mik të vjetër Blendi Fevziun, shkruan se në fillim të vitit 2004, Fevziu ishte në anën e kryeministrit Fatos Nano, kundër Berishës. Zogaj, duke përshkruar periudhën pas protestës së madhe të opozitës të kryesuar nga Berisha, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, në shkurt 2004, shkruan për Nanon:
      Miqtë dhe shokët, përfshirë ambasadorin Xhefri, ishin përpjekur t’ i jepnin zemër duke e thjeshtuar çështjen. “Një miting ishte! Ja të themi një miting i madh! E çfarë pastaj! Demokracitë shkojnë përpara duke zvarritur mitingje, protesta, kontestime, revolta. Nuk e di? Ç’ ke atëherë? Pse e vret mendjen? Pse rri i menduar?” (Pak ditë më vonë në një intervistë në emisionin “Opinion”, ku ishte ftuar me kast, ambasadori Xhefri shkoi edhe më larg duke ulur pjesëmarrjen e njerëzve në protestë duke nënvizuar një gjë që e dinin të gjithë krerët e opozitës- “pushteti nuk merret me protesta”)[ii]
      Ambasadori amerikan i kohës në Shqipëri, Geffrey (Xhefri) nuk ishte thjesht një mbështetës i kryeministrit Fatos Nano, por edhe një kundërshtar i Berishës. Greffrey ishte ambasadori i fundit i dërguar nën ndikimin e lobit greko-amerikan, që në personin e drejtorit të CIA-s, Tenet, kishte pikën e tij më të fortë. Vetë Zogaj, një njeri që sot është në anën e PS dhe që atëherë nuk ishte ndonjë idolatrist i Berishës, pohon se:
      Në rrafshin shqiptar, rrjedhojë më immediate e largimit të Xhefrit dhe Tenetit, ishte zhbllokimi i kontakteve midis opozitës politiko-qytetare të Shqipërisë dhe institucioneve politike përfaqësuese të SHBA-së.[iii]
      Pas kësaj, Fevziu, i cili e nuhati se Berisha do të rikthehej në pushtet, shpejtoi të afrohej me të. Në muajt e parë pas ardhjes së Berishës në pushtet, në 2005, Fevziu, duke qenë se mendonte që Berisha do të largohej shpejt nga pushteti, nuk mungoi që t’ i ndërtonte atij ndonjë kurth në emisionin e tij. Në 5 janar 2006, kryeministri Berisha ishte i ftuar në emisionin e Fevziut para një paneli gazetarësh. Ndër të ftuarit ishte edhe Mustafa Nano, i cili u soll me Berishën në atë mënyrë që nuk mund të sillet një gazetar përballë një shtetari. Prania e një gazetari në një studio televizive përballë një shtetari, është gjithsesi një privilegj, që e obligon gazetarin që kritikat e tij t’ i veshë në terma etike. Mustafa Nano i tha Berishës me ton brutal: “Ti je një komunist i pareformuar!” Mustafa Nano qe njeriu më i papërshtatshëm për t’ ia thënë Berishës këtë gjë, se nëse Berisha qe bërë komunist në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur në horizontin politik nuk dukej as shenja më e vogël e rënies së regjimit komunist, Mustafa Nano ishte bërë i tillë në fund të viteve tetëdhjetë, kur tashmë ngrehina e regjimit komunist shqiptar dhe krejt blloku komunist eurolindor po tregonin shenja krisjeje të pariparueshme. Fevziu nuk i bëri asnjë qortim Mustafa Nanos për këtë sjellje të tij, por që prej kësaj dite Mustafa Nano u zhduk nga emisioni i Fevziut.
      Një javë më pas, në 12 janar 2006, në emisionin e Fevziut ishte i ftuar Edi Rama, në atë që do të ishte paraqitja e tij e fundit në emisionin e Fevziut deri në 2012. Edi Rama, i cili u gjend  përballë një paneli analistësh, shfaqi një nervozizëm të madh ndaj Mero Bazes, duke mos dashur të komunikonte me të dhe duke thënë se sikur ta dinte paraprakisht se i pranishëm do të ishte dhe Baze, nuk do të vinte në emision. Rama e justifikoi këtë qëndrim të tij, duke thënë se Baze ishte bërë shkak që ai (Rama), kur shkoi një ditë në shtëpi, e gjeti djalin e tij, të futur poshtë tavolinës, në një gjendje tronditjeje të fortë psikike. Kjo gjë i kishte ndodhur djalit Edi Ramës, për shkak se kishte lexuar në gazetën e Mero Bazes akte të gjyqit të zgjidhjes së martesës mes Edi Ramës dhe bashkëshortes së vet të dikurshme, ku thuhej se Edi Rama e mohonte atësinë e fëmijës, duke thënë se ai mund të ishte i babait të tij, Kristaqit. Sipas llogarisë që bënte Edi Rama, duke iu referuar atyre që botoi Baze, dilte se, në periudhën kur ishte bërë incintimi, Edi Rama nuk kishte qenë me bashkëshorten, por kjo e fundit kishte qenë dhe vjehrrin (babain e Edit) dhe vjehrrën me pushime në Himarë.
      Në 2006, Fevziu u ndje i rrezikuar nga suksesi i Arian Çanit në Tv Klan, ku e kishte zhvendosur që prej vitit 2004, emisionin e tij “Zonë e Lirë”. Formati i emisionit të Çanit, e përfshinte dhe politikën, që Fevziu e shikonte si domenin e vet ekskluziv, dhe falë talentit të Çanit për ta estetizuar me ngjyresa spektakli retorikën gjithëherë e më tepër rutinë dhe pa shije të politikës, emisioni “Zonë e Lirë” u bë një pol manjetik edhe i botës mediatike politike. Këtë gjë Fevziu nuk mund ta duronte, prandaj filloi intrigat kundër Çanit dhe arriti që ta largonte nga Tv Klani në 2006. Duke e parë Bushatin më pak të rrezikshëm se Arian Çanin, Fevziu pranoi përkohësisht, si të keqen më të vogël rikthimin e Bushatit në Tv Klan, me një emision të quajtur “Zonë e Ndaluar” (kopje e qartë e titullit të emisionit të Çanit), pak kohë para largimit të Çanit. Por Blendi Fevziu shpejtoi ta kundërbalancojë sfidën e Bushatit, duke filluar që nga shtatori i vitit 2006, ditën e hënë, kur emetohej emisioni i Bushatit, një aneks të emisionit të vet “Opinion”, që si orar vinte fill pas emisionit të Bushatit. Ky bir i egos paranojake të Fevziut, mori titullin “Opinion plus”. Shpejt, emisioni i Bushatit u dëbua përsëri nga Tv Klan.
      Edhe pas vitit 2005 kur emisioni i Fevziut ka qenë në shërbim të Berishës, megjithatë, në momente vendimtare, Fatos Klosi ia ka dalë që ta përdorë atë kundër Berishës. Rasti më domethënës është në tetor 2006. Në 9 tetor 2006, në kulmin e konfliktit mes kryeministrit Berisha dhe Prokurorit të Përgjithshëm Sollaku, Rudina Xhunga ftoi në emisionin e saj Shqip” në Top Channel, familjarët e shqiptaro-maqedonasit të zhdukur Remzi Hoxha, si dhe avokatin e tyre nga Kosova. Sipas një skenari të parapërgatitur në emision ndërhyri me një telefonatë Prokurori i Përgjithshëm, Sollaku, një gjë krejt pa precedent kjo për një çështje në hetim, e cila po diskutohej në një emision televiziv. Kur avokati i familjes së Remzi Hoxhës e pyeti Prokurorin e Përgjithshëm se përse nuk e arrestonte Bashkim Gazideden, Sollaku iu përgjigj se Gazidede do të thirrej për t’ u pyetur. Natyrisht se emisioni ishte përgatitur me porosi të Edi Ramës dhe të Sollakut për t’ i bërë presion Berishës, të cilit i atribuohej rrëmbimi dhe zhdukja e Remzi Hoxhës, për shkakun se ky i fundit gjoja kishte regjistruar me kamera një takim të fshehtë të Berishës me Millosheviçin dhe Presidentin maqedon Gligorov në maj 1993, në Shën Naum të Maqedonisë. Kjo duket krejt e pabesueshme se, nëse Remzi Hoxha do t’ i kishte pasur provat për këtë takim, ai kishte pasur kohë, dy vite e gjysmë, për t’ i bërë publike, pa u vetëzbuluar. Një videoregjistrim të tillë e blinin shtrenjtë mediumet e mëdha ndërkombëtare.
      Remzi Hoxha në fakt nuk ishte asgjë më tepër se një agjent provokator i Serbisë, i cili donte që të provokonte fillimin e luftës në Kosovë, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, pikërisht në kohën kur do të fillonte Konferenca e Dayton-it. Nga të gjitha pohimet e familjarëve të Remzi Hoxhës dhe të bashkëpunëtorëve të tij, rezulton se ai pretendonte se ishte duke punuar për luftën e ardhshme në Kosovë. Natyrisht se fillimi i luftës në Kosovë në prag të fillimit të Konferencës së Dayton-it, ishte ajo çka dëshironte Serbia, se kjo do ta fuqizonte shumë pozitën e Serbisë në bisedimet e Dayton-it. Kështu do të provohej teza serbe se Serbia gjendej nën një agresion nga të gjitha anët, dhe se nuk ishte ajo vendi agresor. Remzi Hoxha donte ta çonte Shqipërinë në situata shumë të rrezikshme, që nuk kishin të bënin fare me koston që shteti dhe shoqëria shqiptare qenë të përgatitur të paguanin për çlirimin e Kosovës. Rrëmbimi i Remzi Hoxhës ka ndodhur 20 ditë pas atentatit ndaj Presidentit maqedonas Gligorov, me ç’ rast ky i fundit u plagos rëndë. Pas kësaj u rrit shumë nervozizmi dhe alarmi se mos kishte një skenar destabilizimi dhe në Shqipëri. Atëherë më të interesuar për të frenuar një kryengritje në Kosovë, që do të kishte si bazë Shqipërinë, qenë shërbimet inteligjente perëndimore, të cilat tre vjet më pas do të mbështesnin luftën e UÇK. Këto shërbime qenë të interesuara që Remzi Hoxha të dilte nga skena. Nuk mund të dihet me siguri nëse SHIK ka bashkëpunuar me to për këtë gjë apo jo. Një gjë është e sigurt, SHIK në 1995 kishte detyrimin që të pengonte aventurierët të cilët donin ta implikonin Shqipërinë në skenarë shumë të rrezikshëm. Kaq për enigmën e zhdukjes së Remzi Hoxhës.
      Sa i përket duelit televiziv “Top Channel”- “Tv Klan” për çështjen e Remzi Hoxhës në vjeshtën e vitit 2006, një javë pas emisionit të përmendur më lart të Rudina Xhungës, Blendi Fevziu ftoi Fatos Klosin në emisionin e tij “Opinion plus” (kështu quhej në atë kohë emisioni i Fevziut në ditët e tjera përveç së enjtes), në 16 tetor 2006. Klosi ishte i ftuari i vetëm në emision, për një intervistë të gjatë. I pyetur për çështjen Remzi Hoxha Klosi foli për hetimin që kishte bërë SHIK pas ardhjes së tij në krye të shërbimit dhe i qëndroi versionit se kishte ndodhur një rrëmbim shtetëror. Fevziu nuk e pyeti më gjatë për veprimtarinë e Remzi Hoxhës, për të cilin Klosi la të kuptohet se ishte një atdhetar i mirë. Fevziu gjithashtu nuk bëri një lidhje mes rasteve kur Klosi pohoi se në Shqipëri, në vitin 1998 me një veprim të kundërligjshëm u rrëmbyen nga SHIK i drejtuar prej tij disa shtetas egjiptianë të dyshuar si terroristë islamikë dhe pa u bërë asnjë procedurë ligjore iu dorëzuan autoriteteve egjiptiane që i ekzekutuan. Klosi u shpreh se kjo që bënë autoritetet shqiptare ishte e kundraligjshme, por fuqitë e mëdha (nënkuptohej SHBA), kur është fjala për luftën kundër terrorizmit i shkelin të drejtat e njeriut. Këtu Fevziu duhet ta kishte pyetur se përse duhej që Shqipëria t’ i shkelte ligjet ndërkombëtare dhe ato shqiptare kur ishte fjala për një çështje që kishte të bënte me sigurinë e Egjiptit, dhe të sillej ndryshe kur ishte fjala për sigurinë e vet, çka ishte në lojë në rastin e Remzi Hoxhës, duke u supozuar se ai ishte rrëmbyer nga SHIK. Por Fevziu nuk e bëri një pyetje të tillë. Kështu që emisioni “Opinion plus i ditës së hënë, 16 tetor 2006, u shndërrua në një shtesë të emisionit “Shqip” në Top Channel të një jave më parë.
      Emisioni i Fevziut i datës 16 tetorit 2006, është provë e një metamorfozës paradoksale të emisionit të Fevziut, në përgjithësi. Derisa kur u krijua emisioni i Fevziut në gusht 1997, ai kishte si opinionist në prapaskenë Fatos Klosin, i cili atëherë ishte drejtor i SHIK, më vonë, kur Fatos Klosi u largua nga kjo detyrë, ai u bë opinionist publik, si të thuash i skenës së emisionit të Fevziut.
      Një shembull se si i organizon Fevziu debatet për çështjen e ish- bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit është emisioni i ditës së enjte, 18 tetor 2007, kur në emisionin “Opinion të Fevziut në Tv Klan, u debatua për çështjen e hapjes ose jo të dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit. Paneli i të ftuarve ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që të kalonin pa oponencë serioze të paraqitura nga profesionistë të fushës. Preç Zogaj, pjesëmarrës në këtë debat, i cili ka pranuar me kohë se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Çiftelia, por ka pretenduar se nuk ka dëmtuar asnjë njeri, pra që kurrkush nuk është futur në burg me një informacion të dhënë prej tij, paraqiti një tezë të çuditshme. Preç Zogaj tha se ish-bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit duheshin trajtuar si njerëz në shërbim të shtetit, siç trajtohen në vendet e tjera, në Perëndim bashkëpunëtorët e shërbimit sekret. Teza e Zogajt duket e çuditshme, se Sigurimi i Shtetit nuk ngjan me shërbimet sekrete të vendeve perëndimore, së pari për faktin se Sigurimi i Shtetit, pavarësisht emrit, nuk ishte një institucion shtetëror, as nga pikëpamja e shtetit komunist. Asnjëherë në kohën e regjimit komunist nuk u bë një ligj në bazë të së cilit të ndërtohej dhe të funksiononte Sigurimi i Shtetit. Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit sekret regjimi komunist shqiptar nuk nxorri asnjë lloj ligji, por vetëm një platformë të Komitetit Qendror të PKSH të vitit 1947, pra post factum, që u ripërtëri disa herë dhe në periudhën e mëvonshme dhe shërbeu si bazë për punën e këtij shërbimi deri në vitin 1991. Pra, Sigurimi i Shtetit, nga pikëpamja ligjore, ishte një organizatë klandestine brenda vetë shtetit komunist. Shërbimi sekret i shtetit shqiptar të kohës së komunizmit nuk mund të krahasohet me ato të vendeve perëndimore, edhe se ky shtet nuk mund të krahasohet me homologët perëndimorë. Në preambulën e Kushtetutës së vitit 1976 përcaktohet si parim i rendit kushtetues shqiptar:
      Zhvillimi i luftës klasore në dobi të socializmit, forcimi i vazhdueshëm i shtetit të diktaturës së proletariatit.
      Neni 2 i Kushtetutës së vitit 1976 thotë:
      Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë është shtet i diktaturës së proletariatit.
      Neni 4 thotë:
      Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë zhvillon pandërprerë revolucionin duke iu përmbajtur luftës së klasave.
      Pra, është fiksuar juridikisht në kushtetutë lufta civile dhe terrori. Derisa bashkëpunëtorët e shërbimeve sekrete perëndimore merrnin detyra që synonin neutralizimin e grupimeve që kërkonin të nxisnin luftën civile dhe terrorin, shërbimi sekret komunist shqiptar, kishte detyra për ushtrimin e terrorit shtetëror. Nuk ishte çudi që në frymën e tezës së Zogajt u shpreh dhe i ftuari tjetër në emision, ish- drejtori i SHIK (SHISH më pas) në vitet 1997-2002, Fatos Klosi, i cili tha se duhet bërë dallimi mes ish-bashkëpunëtorëve që kanë ndikuar në dënimin e njerëzve për veprat penale të agjitacionit dhe propagandës dhe tentativës së arratisjes, nga njëra anë, dhe atyre që kanë ndikuar në dënimin e njerëzve për bashkëpunim me spiunazhet e huaja. Sipas Klosit, ata ish-bashkëpunëtorë të ish-Sigurimit të Shtetit që kanë ndikuar në dënimin e njerëzve për bashkëpunim me spiunazhet e huaja, kanë bërë një punë të paqortueshme, pasi kështu bëhet në çdo shtet, edhe në Perëndim. Dhe këtu Klosi përmendi ata që janë dënuar për bashkëpunim me UDB. Burrë i zgjuar ky Fatos Klosi! Me këtë ai kërkon që të shpallen tradhëtarë të gjithë ata mijëra shqiptarë që morën pjesë në Operacionin “Valuable, në vitet 1949-1953, dhe që u vranë, u dënuan me burg, apo u internuan, për lidhje të drejtpërdrejta apo të tërthorta me këtë operacion të CIA dhe MI 6.
      Se dihet që CIA operacionet e saj për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri, në vitet e Luftës së Ftohtë, i ka bërë në bashkëpunim me shërbimet sekrete të vendeve fqinje të Shqipërisë, Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë. CIA kishte krijuar bazat e saj në Jugosllavinë e Titos dhe në Greqi dhe shërbimet sekrete të këtyre vendeve asistonin CIA-n në këto operacione. Kështu, shqiptarët që përfitonin nga asistenca që shërbimi sekret jugosllav dhe grek i jepte CIA-s në këto vite, nuk bashkëpunonin me shërbimet sekrete jugosllave dhe greke, në dobi të interesave antishqiptare të këtyre vendeve, por përfytonin nga ndihma e tyre, duke vepruar për interesin e Shqipërisë, që ishte përmbysja e regjimit komunist. Me atë që tha Klosi dhe që e ka thënë më parë regjimi komunist dhe Enver Hoxha edhe në libra si “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë dhe “Titistët, del sikur CIA, në kohën e Luftës së Ftohtë, punonte kundër interesave shqiptare në bashkëpunim me shërbimet sekrete jugosllave (në dobi të serbëve) dhe greke. Sigurisht që kjo gjë nuk ishte e vërtetë. Nëse do të përmbysej regjimi komunist në Shqipëri, si rezultat i këtyre operacioneve, atëherë, SHBA nuk do ta ndanin Shqipërinë mes Jugosllavisë dhe Greqisë, por do ta bënin një shtet demokratik, anëtar të NATO.
      Regjimi komunist, duke dashur t’ i denigronte shqiptarët antikomunistë që luftonin kundër tij, i akuzonte dhe i dënonte ata si bashkëpunëtorë të UDB dhe shërbimit sekret grek, duke u shtuar natyrisht dhe bashkëpunimin me CIA-n dhe shërbimin sekret britanik. Kështu jurisprudenca komuniste në këtë çështje ishte shndrruar në një aspekt të propagandës. Por që regjimi komunist nuk i merrte seriozisht këto akuza kjo kuptohet nga fati i një “agjenti të UDB, çështja e të cilit bëri bujë, në periudhën paskomuniste. Fjalën e kam për kryetarin e gjykatës Kushtetuese në vitet 1992-1998, Rustem Gjata, i cili u shkarkua nga parlamenti me rekomandimin të komisionit Bezhani, për shkak se rezultonte në dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, sikur ishte zbuluar të ishte agjent i UDB. Por, çuditërisht, Rustem Gjata në kohën e komunizmit punoi si gjykatës dhe si pedagog në fakultetin juridik të Universitetit të Tiranës, që ishte i vetmi në vend që përgatiste juristë. Pra, “agjentit të UDB iu besua e drejta që të përgatiste juristët shqiptarë që do të punonin në organet e drejtësisë, Sigurimin e Shtetit, administratë etj?! Kjo tregon se regjimi komunist nuk i merrte serizisht këto lloj akuzash. Rustem Gjata kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, gjë për të cilën e meritonte të shkarkohej, por jo i UDB. Por çuditërisht, në kohën që Rustem Gjata u shkarkua, SHIK i drejtuar nga Fatos Klosi u mbush plot e përplot me ish-funksionarë të Sigurimit të Shtetit.
      Fevziu e kishte ndërtuar emisionin në mënyrë të tillë që ndaj këtyre tezave të paraqitura nga Zogaj dhe Klosi të mos kishte kundërshtime serioze. Kuptohet se përse. Emisioni i Fevziut filloi si një projekt i SHIK të Fatos Klosit në 1997, dhe vetë Fatos Klosi është “Kumbari” i emisionit dhe i ftuar i shpeshtë i Fevziut, aq sa Fatos Klosi është bërë një tjetër emblemë e emisionit të Fevziut. Ajo që bën përshtypje është se, derisa Fevziu fton shpesh kryetarin e SHIK (SHISH) në vitet 1997-2002, në cilësinë e ekspertit në emisionin e tij, ai nuk fton kurrherë ndonjë zyrtar të lartë të SHIK të viteve 1992-1997, me ndonjë përjashtim shumë të rrallë, kur ka ftuar ndonjë kundërshtar të mëvonshëm të Berishës, si Bujar Rama. Këtu nuk mund të llogaritet hera e vetme që në emisionin e Fevziut ka qenë i ftuar Bashkim Gazidede. Emisioni i Fevziut i ka qendruar besnik krijuesit të tij.
      10 dhjetori i vitit 2007 është një ditë e shënuar në historinë e emisionit televiziv të Blendi Fevziut. Në këtë ditë, Fevziu kishte të ftuar në emisionin e tij “Opinion”, kryeministrin e Shqipërisë Berisha, dhe kryeministrin e Kosovës, Thaçi, për të folur për Kosovën. Fevziu njeriu që në 1996 u kthye në Shqipëri nën nxitje si ato që përshkrova më lart në këtë libër, për shkak të librit “Zorba” dhe dy filmave “Mesdheu” dhe “Para shiut”, bëri një propozim shumë të çuditshëm kur u fol për flamurin që duhet të kishte shteti i ardhshëm i pavarur i Kosovës. Blendi Fevziu, duke iu drejtuar kryeministrit Berisha, bëri një propozim që sipas tij do t’ u jepte fund kundërshtimet ndaj përdorimit nga ana e shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi për përdorimin prej tyre të flamurit kombëtar shqiptar, për shkak se ai quhej flamuri i një shteti tjetër, Shqipërisë. Fevziu bëri pyetjen se a nuk duhej që me këtë rast të hapej debati për ndryshimin e flamurit administrativ të shtetit shqiptar, dhe Shqipëria të adoptonte një flamur tjetër, të ndryshëm nga ky që ka sot. Blendi Fevziu përdori pikërisht togfjalëshin “flamur administrativ”, për flamurin nacional shqiptar, që është edhe flamuri shtetëror i Shqipërisë. Kjo tezë nuk ishte dëgjuar ndonjëherë më parë. Fevziu nuk e tha se si i pati ardhur kjo ide. Por, nga nipi i agjentit të vjetër serb, Neki bej Starovës, nuk duhen pritur veçse gjëra të tilla. Duket se, ata që dëshironin ta përdornin shpalljen e pritshme të pavarësisë së Kosovës, e cila ndodhi disa javë pas këtij emisioni të Fevziut, si një rast për të çuar përpara agjendën e tyre të zhdukjes së identitetit shqiptar të shtetit të parë shqiptar, Shqipërisë, e patën gjetur Fevziun si njeriun më të përshtatshëm për ta kumtuar këtë ide.
      Deri më atëherë ishte dëgjuar të thuhej vetëm se Kosova duhej të adoptonte një flamur tjetër, të ndryshëm nga ai nacional shqiptar, kur Kosova të bëhej shtet i pavarur, në mënyrë që flamuri i saj shtetëror të mos ishte ekskluzivisht flamuri i njërës prej etnive të Kosovës, asaj shqiptare, pavarësisht se shqiptarët janë etnia më e madhe. Tashmë, Blendi Fevziu shprehu një nocion kurrkund të ndeshur, kur bëhet fjalë për shtetet, atë të flamurit administrativ. Termi “flamur administrativ” mund të ketë kuptim për flamurët e njësive administrative vendore, të bashkive, komunave, por jo kur bëhet fjalë për flamurin zyrtar të shtetit. Flamuri shqiptar është flamuri i nacionit (kombit) shqiptar, domethënë i shqiptarëve që banojnë në hapësirën nacionale shqiptare, në dy anët e kufirit, si dhe flamuri i shtetit shqiptar, brenda kufijve të të cilit është vetëm një pjesë e hapësirës nacionale shqiptare. Në këtë gjë, shqiptarët ngjajnë me serbët, se edhe flamuri nacional serb, trengjyrëshi kuq-blu-bardhë është flamuri i nacionit serb, ashtu edhe flamur shtetëror i Republikës së Serbisë. Por ky është edhe flamuri zyrtar i Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës. Këtë flamur e përdorin zyrtarisht serbët në Kosovë, Malin e Zi, Kroaci, Maqedoni. Kurrkujt nga homologët serbë të Fevziut në televizionet e Beogradit nuk i ka shkuar në mendje të thotë se Serbia duhet të abandonojë flamurin shtetëror që ka sot, për të adoptuar një flamur tjetër, ashtu që serbët jashtë kufijve të Serbisë, të mos akuzohen se janë duke mbajtur flamurin e një shteti tjetër. Në fakt, kurrkush nuk i ka akuzuar serbët jashtë Serbisë për këtë gjë.
      Madje, edhe kur Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës iu dha statusi i një shteti brenda një federate te çlirët, kurrkush nuk i kërkoi kësaj republike të re serbe që të adoptonte një flamur tjetër, të ndryshëm nga ai nacional serb, ndonëse Republika Serbe e Bosnjë-Herzegovinës ka një përqindje të popullsisë serbe më të vogël se përqindja e popullsisë shqiptare në Kosovë. Në Republikën Serbe të Bosnjë-Herzegovinës 88% e popullsisë janë serbë, dhe kjo gjë është arritur pas spastrimit etnik të joserbëve. Megjithatë, Republikës Serbe të Bosnjë-Herzegovinës nuk iu kërkua që të adoptonte një flamur që të kishte dhe simbole të etnive të tjera, dhe as serbët atje nuk paraqitën ndonjë projekt të tillë. Ndonëse shqiptarët e Kosovës u detyruan nga ndërkombëtarët që të ndryshojnë flamurin, nuk kishte arsye që të kërkohej edhe ndryshimi i flamurit zyrtar të Shqipërisë, siç bëri Fevziu.
      Blendi Fevziu nuk mund të mos e dinte se e drejta e përdorimit të flamurit nacional shqiptar u është njohur shqiptarëve të Maqedonisë me Marrëveshjen e Ohrit, që është shkruar dhe firmuar nën mbikqyrjen e përfaqësuesve të Bashkimit Europian dhe SHBA, të cilët e dinin mirë se flamuri i shqiptarëve të Maqedonisë është edhe flamuri shtetëror i Republikës së Shqipërisë. Me ato që tha Blendi Fevziu justifikoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë, pak kohë para këtij emisioni, për ndalimin e përdorimit të flamurit shqiptar, veç ditëve festive, me arsyetimin se ai është flamuri i një shteti tjetër. Republikës së Shqipërisë. Ky vendim ishte një dhunim flagrant institucional i Marrëveshjes së Ohrit. Blendi Fevziu, kur kërkoi me buzëqeshjen prej sharlatani që ka, kur mendon se është duke thënë ndonjë gjë të zgjuar, që Shqipëria të ndryshonte flamurin nacional-shtetëror, nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm për ndërlikimet që bartte ideja e tij. Blendi Fevziu nuk mund të mos e dinte se, nëse do të hapej ky debat në nivel zyrtar nga qeveria dhe parlamenti, siç e kërkoi ai, atëherë do të krijohej një spirale me plot të papritura. Përfaqësuesit politikë të minoriteteve, dhe të grupeve që pretendojnë të marrin statusin e minoritetit, do të kërkonin që flamuri i ri shtetëror shqiptar, të ishte shumëetnik dhe në të të kishte edhe simbolikë që të përfaqësonte këto minoritete. Kështu, në flamurin shtetëror shqiptar do të kërkonin që të kishin simbolin e tyre të gjithë minoritetet e vërteta dhe të rreme të Shqipërisë. Me këtë rast, do të pretendonin edhe romët që në flamurin shtetëror shqiptar të shtohej rrota e qerres, simboli i tyre, dhe kushedi se çka do të kërkonin edhe të ashtuquajturit egjiptianë. Flamuri shtetëror shqiptar do të dilte një konfiguracion qesharak, me të cilin do të tallej bota. Fevziu nuk mund të mos i dinte të gjitha këto, pak a shumë.
      Nuk ngjan të jetë krejt e rastit që Fevziu e bëri propozimin e tij për ndryshimin e flamurit shtetëror shqiptar më pak se dy javë (27 nëntor 2007) pasiqë ministresha britanike e Kulturës, Margaret Hodge pati deklaruar se qeveria britanike do të konsideronte ridizenjimin e flamurit britanik, ashtu që të shtohej në të edhe një simbol i Wales (Uellsit), që ishte dragoni i kuq. Flamuri i sotëm britanik, quajtur “Union Jack”, është një bashkim i flamurit historik të England (Anglisë) dhe Wales-it (flamuri me fushë të bardhë të përshkuar nga kryqi i kuq i Shën Gjergjit- Saint George), i një simboli të Skocisë (kryqi diagonal i Shën Andreas- Saint Andrew), si dhe i një simboli irlandez (kryqi diagonal i kuq i Saint Patricks). Ata që do të kërkonin dizenjimin e një flamuri shtetëror shqiptar që të ishte shumëetnik, nuk do të mungonin që t’ i referoheshin faktit se qeveria britanike tashmë kishte pranuar që ti i shtonte flamurit britanik edhe një simbol nga Wales, i cili nuk u përfaqësua në flamur, si kur u bë versioni i parë i “Union Jack” në 1606, ashtu edhe në 1801, kur u bë versioni që është edhe sot, se Wales ishte pjesë e Mbretërisë së Anglisë që prej vitit 1282. Në kohën që Fevziu kërkonte ndryshimin e flamurit shtetëror shqiptar, Wales kërkonte ndryshimin e flamurit shtetëror britanik, dhe për këtë kishte dizenjuar një flamur të vetin me kryqin e Saint David dhe dragonin e kuq, simbolin historik të Uellsit, me të cilin ai kërkonte të përfaqësohet në flamurin britanik. Të instruktuar nga qendrat ndërkombëtare dashakeqe ndaj nacionit shqiptar, përfaqësuesit e minoriteteve reale dhe të inventuara, nuk do të mungonin që t’ u referoheshin dhe modeleve europiane, përkatësisht modelit britanik të “Union Jack”, siç quhet flamuri britanik.
      Teza e Fevziut për ndryshimin e flamurit nacional-shtetëror të Shqipërisë, nuk mund ta ketë prejardhjen veçse në Beograd, Athinë dhe Moskë, në zyrat ku përpunohen plane dhe agjenda për shpërbërjen e shtetit shqiptar, si mënyra më e sigurt për ta mbyllur përgjithmonë në varrezën e historisë shtetin e Kosovës. Blendi Fevziu, qartësisht mendon se flamuri nacional-shtetëror është një gjë që ndryshohet si mbiemrat e tij. Blendi Fevziu tha në emisionin e lartpërmendur se ai ishte gati që të hapte debatin për ndryshimin e flamurit shqiptar. Natyrisht se ajo që kishte ndërmend Fevziu ishte që të ftonte Fatos Lubonjën që të thoshte se flamuri shqiptar është një atavizëm nacional-romantik dhe se duhet një flamur i ri. Por Berisha dhe Thaçi mbajtën një heshtje skeptike ndaj fjalëve të Fevziut. Është paradoksale që një njeri si Fevziu, i cili mburret duke thënë se stërgjyshi i tij ka ngritur flamurin në Revolucionin e 1848 në Francë, kërkon që shteti shqiptar të braktisë flamurin e tij! Por gjithsesi, duket e natyrshme që Fevziu, njeriu që u kthye në Shqipëri nga SHBA në 1996, i frymëzuar nga leximi i një libri grek dhe dy filmat e përmendur më lart, të kërkojë që Shqipëria të braktisë flamurin e saj nacional. Flamuri shqiptar nuk bënte pjesë në ato gjëra që e bënë Fevziun të rikthehej në Shqipëri. Në librin “Zorba”dhe dy filmat që përmend Fevziu, mbizotërojnë flamurët e huaj.

       
48.
Emisioni “Blend”, ose lufta totale e Fevziut kundër Top Channel

      Në verën e vitit 2008, kur bota ishte duke përcjellë luftën e pashpallur të Rusisë kundër Gjeorgjisë, një tjetër luftë e pashpallur u paralajmërua me bujë të madhe. Në vitin 2008, Fevziu i shpalli luftë totale rivalit të Tv Klan, televizionit Top Channel. Që prej vitit 2008 Fevziu e bën emisionin e tij katër herë në javë, nga e hëna në të enjte. Qëllimi i Fevziut është që të sfidojë emisionet më të rëndësishme të Top Channel, që nga “Shqip” i Rudina Xhungës, i ditës së hënë, tek “Top Story”e Sokol Ballës së ditës së enjte, dhe “Top Show” i Alban Dudushit, që emetohet nga e marta në të premte. Top Shoë i së premtes nuk e shqetëson Fevziun se tema është muzika. Gjithsesi, meqënëse lufta është krejt totale, Fevziu qëkurse Arian Çani e zhvendosi emisionin e tij “Zonë e Lirë” në Tv Klan, në 2001, ka filluar të shfaqet shpesh në këtë emision, për të okupuar edhe ditën e premte. Me rastin që Fevziu e bëri emisionin katër herë në javë, ai si një “peshkaqen” i vërtetë mediatik gëlltiti dhe emisionin “Blu”të Blendi Strakoshës, me intervista për jetën e të ftuarve, duke e kopjuar atë pikë për pikë.
      Ndonëse emisioni i Fevziut vazhdon të quhet në spotin prezantues si emisioni i parë politik në Shqipëri, gjë që gjithsesi nuk është e vërtetë, kur Fevziu nisi ta bëjë emisionin katër herë në javë, ka nisur të trajtojë gjithfarë temash të tjera, jashtë politikës. Në emisionin e tij filloi të flitet për gjithçka të imagjinueshme, që nga seksi tek moda, nga ëndrrat tek xhindet. Kështu, Fevziu ka uzurpuar në Tv Klan, atë hapësirë që në çdo televizion e kanë emisione të tjera. Tashmë, emri i saktë meritor i emisionit të Fevziut, do të ishte vetë emri i tij, Blendi, për shkak se në anglisht fjala “blend” do të thotë “përzierje” dhe emisioni i Fevziut është bërë një miksturë e gjithfarëlloj temash. Një kqyrje e shpejtë e temave të emisionit televiziv të Fevziut që prej shtatorit të vitit 2008 kur “Opinion” nisi të emetohet katër herë në javë, na jep këtë tablo interesante. Në fakt, ashtu siç kishte ndodhur që prej vitit 2005 e këndej, funksioni kryesor i emisionit televiziv të Fevziut mbetën intervistat e kryeministrit Berisha. Në 11 shtator 2008, në emisionin e Fevziut gjendej për një intervistë me kohë të plotë kryeministri Berisha, me temën “Tre vjet nga Qeveria Berisha”. Siç ndodh rëndom në këto raste, Berisha përgjigjej si çdo kryeministër. Ajo që nuk ndodh rëndom në emisione të tilla, ishte se Fevziu pyeste si të ishte zëdhënësi i qeverise. Në 24 shtator 2008 tema e emisionit të Fevziut qenë “Pushimet verore”. Fevziu diskutoi me miqtë e tij për pushimet. E meritonte Fevzoja këtë diskutim pasiqë ishte lodhur duke i shërbyer qeverisë një vit të tërë. Në 20 nëntor 2008 u shfaq përsëri kryeministri Berisha, sponsori i pushimeve të Fevzos, në një intervistë me kohë të plotë, me temë “Berisha për buxhetin 2009”. Fevziu qe shumë i interesuar për buxhetin e vitit 2009 se ai kishte ndërhyrë që disa miq të tij të merrnin pagesat e prapambetura për disa tendera që kishin fituar, me ç’ rast Fevziu si ndërmjetës do të merrte përqindjen. Se qenë afruar pushimet dimërore dhe Fevzoja duhet t’ i kalonte sa më chic, që të gjente dhe një temë të re për emisionin e vet.
      Qëkurse Fevziu e bëri emisionin katër herë në javë, filloi të merret dhe me llojet e ndryshme të artit, sa për të mbushur kohën televizive. Në 15 dhjetor 2008 Fevziu kishte të ftuar një piktor që nuk kishte të bënte me politikën. Tema e emisionit ishte “Ekspozita e Bashkim Ahmetit”. Kur Fevziu trajton tema të tilla në emisionin e tij, ai zbulon injorancën e tij të thellë nga fusha të tilla të artit si piktura. Sigurisht që Fevziu nuk mund të jetë ekspert në pikturë, por atij i mungojnë edhe njohuritë që duhet të ketë drejtuesi i një emisioni televiziv i cili merr përsipër të trajtojë tema të tilla. Në 22 dhjetor 2008 e ftuara e Fevziut për një intervistë në kohë të plotë ishte gruaja e kryeministrit, Liri Berisha. Fevziu, ç’ është e vërteta, tregoi fantazi të madhe për të mbushur hapësirën televizive që kishte marrë përsipër të mbulonte katër herë në javë. Në 30 dhjetor 2008, emisioni i Fevziut pati temën “Off records”, dhe në të u shfaqën skena argëtuese nga sjellja e të ftuarve në emisionet e dhëna gjatë gjithë vitit, në kohën jashtë emetimit televiziv. Pas kësaj here të parë, kjo do të ndodhte çdo vit. Në 6 janar 2009 emisioni i Fevziut pati si temë  “Miset, si u ka shkuar jeta”. Të ftuara qenë disa nga fitueset e konkurseve të bukurisë, të cilat qenë bërë në Shqipëri që prej vitit 1992. Në fakt Fevziu e pati bërë këtë emision për të ftuar gruan e një miku të tij biznesmen, i cili përveç të qenit sponsor i një klubi futbolli, praktikon edhe sportin e vështirë të pagimit të shpenzimeve për Fevziun, në udhëtimet që ky bën jashtë vendit për të parë ndeshje futbolli, apo gara automobilizmi. Gruaja e biznesmenit që ishte e ftuar, në të vërtetë nuk kishte qenë fituese e ndonjë konkursi bukurie, por Fevzoja i shkathët i kishte marrë fitueset e vërteta sa për dekor, dhe ia jepte fjalën më së shumti asaj që nuk pati qenë miss real. Në 8 janar 2009, në emisionin e Fevziut qenë të ftuar kryeministri i Shqipërisë Berisha dhe kryeministri i Kosovës, Thaçi. Natyrisht se është gjë e mirë që kryeministri i Shqipërisë dhe i Kosovës shfaqen së bashku në një talk show, por Berisha pati qenë tre herë në emisionin e Fevziut, në më pak se katër muaj.
      Në 13 janar 2009, tema e emisionit të Fevziut ishte “Facebook mania”. Këto lloj emisionesh të Fevziut janë simptomë e Mega-Opinion manisë së tij, e të folurit për gjithçka, ashtu që të mbushet koha televizive që ka uzurpuar ai në Tv Klan. Në 27 janar 2009 Fevziu u shfaq si plagjiator i Blendi Strakoshës, gjegjësisht emisionit “Blu” të këtij të fundit. Tema e emisionit ishte “Dhimitër Anagnosti- jeta ime”. Shumë njerëz u habitën se përse Fevziu u kujtua për Anagnostin. Kjo intervistë, përveçse një mbushje e kohës televizive të Fevziut, ishte edhe një qokë, apo kortezi, nga ana e Fevziut, për ish-shefin e tij të dikurshëm. Dhimitër Anagnosti e kishte pasur për një periudhë vartës Fevziun në vitet 1992-93, kur ishte Ministër i Kulturës. Fevziu i shprehte kështu mirënjohjen e Anagnostit për atë që e shtyu deri në mars 1993 largimin e Fevziut nga posti i drejtorit në Ministri, gjë që Berisha e pati kërkuar qëkurse Fevziu në librin e botuar në shtator 1992, për të cilin kam folur më lart, tha se nuk vuante nga “kompleksi verilindor”
      Në 4 shkurt 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Futboll: Shqipëri Belgjikë 1984”. Ngjarje të tilla sportive evokohen në përvjetorët e tyre dhe kjo ndeshje qe luajtur në dhjetor 1984, kështu që i takonte që Fevziu ta kishte bërë këtë emision në dhjetor. Por Fevziu, i ndodhur në krizë nuk pyeste për këto detaje. Në 11 shkurt 2009 tema e emisionit të Fevziut qe “Mjekësia private”. Fevziu, i cili nuk qe interesuar kurrë më parë për çështje të tilla në emisionin e tij televiziv, tashmë e bënte këtë gjë, jo se i interesonin vërtet këto çështje, por se ishte në krizë për të mbushur kohën televizive. Nëse Fevziu kishte ndonjë lloj interesi për mjekësinë private në këtë emision, ky ishte që t’ i bënte publicitet një spitali privat në Tiranë, ku ai është bashkëpronar si aksioner. Nga i njëjti motiv vinte dhe tema e emisionit të 24 shkurtit 2009, që ishte “Restorantet risi”. Fevziu donte t’ i bënte publicitet një restoranti që është në bashkëpronësi të tij.
      Në 10 mars 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Abuzimet seksuale të minorenëve”. Pikërisht në ditët kur kishte plasur skandali seksual “Pango”, Fevziu për të zhvendosur vëmendjen nga ky skandal në të cilin u përfshi një ministër i Qeverisë “Berisha” hidhte për diskutim një temë të tillë, për të amortizuar efektin e këtij skandali seksual. Në 12 mars 2009 Fevziu dha në emisionin e tij një spektakël të llojit të tij të parapëlqyer. Tema e emisionit ishte “Berisha përballë shtypit”. Dhe “shtypi” përballë të cilit qe kryeministri Berisha ishin Andi Bejtja, drejtori i informacionit në Tv Klan, Mark Marku, kandidati për deputet i partisë së kryeministrit Berisha, në zgjedhjet që do të mbaheshin në qershorin e atij viti, Robert Rakipllari, kryeredaktori i një gazete që në atë kohë ishte plotësisht proqeveritare, si dhe Lutfi Dervishi, i cili bën propagandistin berishian se nuk i ofrojnë alternativë tjetër. Në 18 mars 2009, emisioni i Fevziut ishte plagjiat i atij të Blendi Strakoshës. Tema ishte “Pavlina dhe Pirro Mani”. Gjithsesi, raste si ky, kur Fevziu fton artistë të nohur të kinematografisë, të bëjnë të pyesësh veten se përse Fevziu nuk fton kurrë në emisionin e tij aktorin e njohur Timo Flloko. Përgjigjia është e thjeshtë: Timo Flloko ka luajtur rolin e Kajo Karafilit (në filmin e realizmit socialist “Shtigje lufte”, si Kanan Tafili), dhe Kajo Karafili ka vrarë gjyshin e Blendit. Nëse do ta kishte Timon në studio, Fevziut do t’ i dukej sikur kishte përballë Kajo Karafilin! Në 31 mars 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Tv- çfarë programesh shikojmë”. Sa ç’ ishte tema interesante dhe e rëndësishme, aq edhe ishte ajo pa vend në emisionin e Fevziut, ku ajo i shërbente vetëm manisë së tij për të okupuar mbrëmjet në Tv Klan.
      Nuk ishte ironi e vogël që në Ditën e Rrenave, në 1 prill 2009, tema e emisionit të Fevziut ishte “Bamirësia dhe biznesi”. Fevziu e kishte zgjedhur këtë temë për t’ u bërë kortezinë e shfaqjes në emisionin e tij disa biznismenëve që paguajnë shpenzimet e udhëtimeve të tij jashtë vendit. Në 9 prill 2009 në emisionin e Fevziut u shfaq përsëri kryeministri Berisha. “Berisha përballë gazetarëve”. Kështu quhej emisioni i kësaj dite. Në 14 prill 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kultura e ecjes me makinë”. Ndonëse Fevziu ka diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe, ai nuk e di se fjala “ec” nuk përdoret për automjetin, por për njeriun që ecën në këmbë. Në Kosovë shqiptarët përdorin fjalën “me vozitë”, me kuptimin e fjalës anglisht “to drive”. Por edhe fjala “vozitje” nuk është e saktë, se do të thotë “lundrim”. Me fjalën “vozë” quhej një lloj barke. Prej këtej fjala “vozit”. Fjala më e saktë në shqip, ndoshta do të ishte “me grahë”. Në 22 prill 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Koleksionistët shqiptarë”. Nuk ke se çka të thuash: fantazia e Fevziut qe bërë shumë pjellore, kur ishte fjala për të mbushur kohën televizive javore! Në 7 maj 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Berisha, bilanci i katër vjetëve qeverisje”. I ftuari ishte natyrisht, domethënë nga pikëpamja e natyrshmërisë së Fevzos, kryeministri Berisha. Në 4 qershor 2009, i ftuari i emisionit të Fevziut ishte përsëri kryeministri Berisha. Tema e emisionit ishte: “Sali Berisha, programi i PD-së”.
      Në 6 qershor 2009 qe një ditë e veçantë në historinë e emisionit televiziv të Fevziut. Tema e emisionit ishte “Bruno Vespa në Shqipëri”. I ftuar ishte pikërisht Bruno Vespa, njeriu nga i cili Fevziu ka kopjuar emisionin, në trajtë karikature natyrisht, sipas natyrshmërisë së Fevziut. Në 11 qershor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Sali Berisha rrëfen jetën e tij”. Sali Berisha e kishte rrëfyer jetën e tij edhe një herë tjetër më parë në emisionin e Fevziut, në shtator 2004, por kjo gjë nuk kishte rëndësi. Tashmë ishte periudha e fushatës zgjedhore dhe në këto raste fantazia e politikanëve arrin kulmin e vet. Të nesërmen, në 12 qershor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Edi Rama rrëfen jetën e tij”. Edi Rama në fakt nuk shfaqej në emisionin e Fevziut prej nëntorit 2005, por Fevzoja i shkathët ritransmetoi një intervistë të disa viteve më parë me Edi Ramën, për të krijuar përshtypjen e balancimit në fushatën zgjedhore. Në 26 qershor 2009, dy ditë para zgjedhjeve parlamentare, cili mund të ishte i ftuar i Fevziut përveç kryeministrit Berisha? Sali Berisha do të ishte i ftuari i Fevziut në emision edhe pak ditë pas zgjedhjeve në 9 korrik 2009. Midis 11 shtatorit 2008 dhe 9 korrikut 2009, pra në dhjetë muaj, kryeministri Berisha do të ishte i ftuar dhjetë herë në emisionin e Fevziut!
      Për periudhën e verës Fevziu regjistron disa emisione me të ftuar të vetëm, në mënyrë që ai të mund të udhëtojë për pushime jashtë vendit, në kohën që ato emetohen njëri pas tjetrit. Kështu, në 27 korrik 2009 u shfaq emisioni ku i ftuar me kohë të plotë televizive ishte Remzi Lani. Nëse Remzi Lani do të kishte folur me sinqeritet atëherë do të zbuloheshin shumë gjëra të errëta nga e shkuara e Fevziut, për të cilat kam folur më lart në këtë libër. Në 4 gusht 2009 u shfaq emisioni ku i ftuari i vetëm ishte piktori Lin Delija. Në 25 gusht 2009 u shfaq emisioni ku i ftuari i vetëm ishte Xhim Belushi. Në 3 shtator 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Ç’ libra lexojnë shqiptarët”. Në fakt, krejt emisioni nuk ishte gjë tjetër veçse një kortezi e Fevziut për botuesen Arlinda Dudaj, të ftuar në emision, e cila vitin tjetër do të botonte romanin e parë të Fevziut. Në 10 shtator 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Berisha dhe qeveria e re”, me ç’ rast i ftuari i vetëm ishte kryeministri Berisha. Në 14 shtator 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Dita e parë e shkollës”. Kjo ishte një nga gjetjet stereotipe të Fevziut për të mbushur kohën televizive javore. Në 1 tetor 2009, tema e emisionit të Fevziut ishte “Programi i Qeverisjes”. Fatos Lubonja ishte zëvendësuar nga Sonila Meço. Lubonja nuk mungon vetëm kur debatohej për Skënderbeun apo Nënën Tereze.
      Në 5 tetor 2009, Blendi Fevziu dha një spektakël të rrallë në emisionin e tij “Opinion”. Në këtë emision të Fevziut ku u debatua për historinë, ishte i ftuar arkitekti Artan Shkreli, i cili deri më atë ditë ishte bërë i njohur si pronar i njёstudioje projektimesh arkitekturore, me njё qasje speciale tek Edi Rama, duke shёrbyer nё fakt si njё dyqan pёr shitjen e lejeve tё ndёrtimit nga ky i fundit. Artan Shkreli kishte qenë arkitekti i pallatit ku banon Blendi Fevziu, tek Rruga e Elbasanit, si dhe i disa pallateve të tjera të ndërtuara në trojet e uzurpuara nga Fevziu. Prandaj Fevziu i bëri privilegjin që të fliste për historinë në emisionin e tij. Artan Shkreli nё kёtё emision mbrojti me tё madhe Oliver Shmitt-in, autorin e një libri detraktues ndaj Skënderbeut, duke e quajtur atё njё historian serioz, njё shkencёtar qё çmontoi mitin e Skёnderbeut. Artan Shkreli u shpreh me indinjatё kundёr atyre qё e kritikuan Shmitt-in. Me kёtё u mor vesh se çfarё “historiani” qenka Artan Shkreli! Ai edhe nё histori sillet si nё biznesin e vet tё ndёrtimeve, duke kёrkuar ekuivalentin e Edi Ramёs, tё cilin e gjen tek Oliver Shmitt-i.       E tepёrt t’ i thuash Shkrelit se Shmitt mё tepёr ka synuar qё tё krijojё njё mit detraktues pёr Skёnderbeun, duke pёrdorur njё metodologji sharlatanore nё trajtimin e dokumenteve, ashtu qё nuk pёrdor rregullat e kritikёs sё burimeve, duke marrё si tё mirёqёna dokumente tё dyshimta, dhe duke duke mos konsideruar dokumente tё besueshme. Artan Shkreli vazhdimisht pёrsёriste, me njё zё autoritar prej “Cagliostro”, se çfarё duhet bёrё kur i ati i Skёnderbeut del nё dokumente me emrin “Ivan”, duke nёnkuptuar se ai ёshtё sllav. Nё tё vёrtetё  arsyeja pёr tё cilёn emri “Gjon” del “Ivan” nё dokumentet sllave ёshtё se ishte praktika qё emrat tё shkruheshin sipas pronuncimit nё gjuhёn e vendit. Grekёt sot i thonё New York-ut, Nea Jorqi. A mos do tё thotё kjo se pas 500 vjetёsh do tё dalё dikush qё tё thotё se ky qytet ka qenё themeluar nga grekёt, meqёnёse kёshtu figuron nё dokumentet greke?
      Në 6 tetor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Fëmijët dhe televizioni”, një çështje nga ato që kanë nisur ta preokupojnë Fevziun qëkurse nisi ta bëjë emisionin e tij katër herë në javë. Në 12 tetor 2009 i ftuari i vetëm i emisionit të Fevziut ishte Sabri Godo dhe tema e emisionit ishte “Sabri Godo rrëfen jetën e tij”. Ndonëse Sabri Godo foli për takimin që pati me Nexhmije Hoxhën për shkak të librit të tij “Koha e burrit”, që i kushtohet Baba Fajë Martaneshit, nuk u pyet për çështjen e Neki bej Starovës, që është personazh në këtë libër dhe nuk e sqaroi atë. Në 13 tetor 2009, tema e emisionit ishte “Trajneri i Kombëtares në Opinion” dhe i ftuari i vetëm ishte trajneri i skuadrës kombëtare të futbollit Josip Kuzhe. Sporti ka përbërë një mbushje të rëndësishme të kohës televizive të Fevziut qëkurse emisioni i tij ka nisur të bëhet katër herë në javë. Në 14 tetor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Bibliotekat e vjetra shqiptare”, dhe i ftuari i vetëm ishte drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari. Ky mund të ketë qenë rasti i vetëm, nga daljet e shumta të Aurel Plasarit në emisionin e Fevziut, që ai foli për temën që duhej të fliste. Në të gjitha rastet e tjera, Plasari ka folur për gjithçka që nuk i takon të flasë si drejtor i Bibliotekës Kombëtare, ose më saktë që nuk supozohet të gjejë kohën të merret me ato gjëra, për shkak të detyrës që ka për të kryer. Në 19 tetor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Nënë Tereza dhe kulti i saj”. Fevziu e kishte ndërtuar emisionin në mënyrë të tillë që raporti i atyre që e mbronin Nënën Tereze dhe atyre që e atakonin të qe i shbalancuar, në dobi të të dytëve. Në emision qenë të ftuar dy atakues dhe detraktues ekstremistë të Nënës Tereze, sorosiani Fatos Lubonja dhe islamiku Olsi Jazexhi. Tezave të tyre kundër Nënës Tereze nuk mund t’ u përgjigjeshin si duhej prifti i butë katolik, Dom Gjergj Meta apo e ftuara tjetër, gazetarja e Televizionit Publik, Tefta Radi. I ftuari tjetër, Ermal Hasimja kërkonte të qëndronte diku në mes të palëve.
      Në 10 nëntor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqiptarët dhe dieta”, çka do të thoshte se bëhej fjalë thjesht për mbushje të kohës televizive që ka zënë Fevziu në Tv Klan, nga lakmia e tij e madhe. Në 16 nëntor 2009, në ditët kur zhvillohej Panairi i librit në Tiranë, tema e emisionit të Fevziut ishte “Ben Blushi, Otello”. Fevziu po i bënte një kortezi mikut të vet Blushi, i cili sapo kishte botuar romanin e vet të dytë, “Otello Arapi i Vlorës”. Të nesërmen, në 17 nëntor 2009, tema e emisionit të Fevziut ishte “Virusi i gripit”. Qëkurse Fevziu ka nisur ta bëjë emisionin katër herë në javë, ai ka nisur të interesohet për mjekësinë, se kështu mund të mbushë kohën televizive. Në 18 nëntor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kënga magjike- muzika shqiptare”. Ishte fjala pra, për një emision mbi një emision, se “Kënga magjike” është një emision muzikor i Tv Klan. Në 30 nëntor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shtypi rozë”. Nëse Fevziu do të ishte i sinqertë, atëherë kjo temë do të duhej të diskutohej së paku një herë në javë në emisionin e tij, se ajo zë një pjesë të madhe të kohës në bisedat e Fevziut. Në 1 dhjetor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “SIDA, sëmundja e shekullit”. Këtu të bën përshtypje fakti se Fevziu ende nuk është mësuar ta quajë këtë sëmundje me emrin e saj të njohur ndërkombëtar AIDS. Gjithsesi Fevziu nuk brengoset shumë për këto gjëra, se ato janë thjesht mbushje e kohës televizive. Ajo çka e shqetëson vërtet Fevziun janë raste si emisioni i dy ditëve më pas, në 3 dhjetor 2009, kur i ftuari i vetëm ishte Kryeministri Sali Berisha.
      Emisioni i Fevziut i datës 24 dhjetor 2009, pra i vigjiljes së Krishtlindjeve dhe që kishte temën “Shqiptarët dhe Krishtlindjet”, do të mbetet në historinë e emisionit të Fevziut se Krishtlindjet e ardhshme opinionisti i përhershëm i emisionit të Fevziut, Andrea Stefani do të shkonte të kryqëzohej në kryqin e artë të Rezart Tacit, në Tv Alsat (Albanian Scream). Në 28 dhjetor 2009 tema e emisionit të Fevziut ishte “Sindroma e festave”. Ndonëse Fevziu tha kur hapi emisionin frazën e tij të zakonshme se fliste drejtpërdrejt nga studioja e emisionit “Opinion” në Tv Klan, ai në fakt, ishte rrëmbyer nga sindromi i festave të fundvitit dhe në atë moment qe duke bërë një tur jashtë vendit. Emisioni qe i regjistruar. Gjithashtu i regjistruar qe edhe emisioni i parë i fillimvitit, në 4 janar 2010, me temë “Teodor Laço rrëfen jetën e tij”. Fevziu nuk besonte se shqiptarëve që në ditët e para të vitit të ri qenë të interesuar për të mësuar jetën e Teodor Laços. Por meqënëse Fevziu gjendej në udhëtim jashtë vendit, nuk kishte gjë më të mirë për të mbushur kohën televizive. Emisioni i datës 19 janar 2010 kishte si temë “Tërmetet”. Në kohën që Shqipëria veriperëndimore ishte duke u përmbytur, Fevziu qe i shqetësuar për tërmetet e mëdha që binin në botë, se kështu i vinte për mbarë qeverisë. Në 26 janar 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Dhuna në sport”. Duke qenë se Tv Klan është i vetmi kanal i madh televiziv i cili për shkak të uzurpimit të kohës televizive që ka bërë Fevziu, nuk ka një emision sportiv, të ngjashëm me “Procesi sportiv”që ka Top Channel ditën e hënë, atëherë këto tema trajtohen në emisionin e Fevziut, ku, e tepërt të thuhet, ai i kqyr thjesht si mbushje të kohës së tij të tepërt televizive.
      Në 28 janar 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Komunikimi publik i Berishës”. Sigurisht që Fevziu ishte kujdesur që Fatos Lubonja të mungonte në panelin e emisionit. Atij i lejohet që në emisionin e Fevziut të shajë Skënderbeun dhe Nënën Tereze, por jo kryeministrin Berisha. Në 18 shkurt 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha”, dhe i ftuari i vetëm ishte kryeministri Berisha. Në 1 mars 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Vrasësi serial”. Fatos Lubonja nuk mungoi në këtë emision, se ai këto raste pret për t’ u atribuar shqiptarëve në tërësi veti kriminale. Në 3 mars 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqipëri-Gjermani 1967”. Fjala ishte për ndeshjen e futbollit Shqipëri-Gjermani që u luajt në Tiranë në 1967. Zakonisht emisione të tilla bëhen në përvjetorin e këtyre ngjarjeve, çka nuk ishte rasti me Fevziun. Ndeshja ishte bërë në 17 dhjetor dhe Fevziu poe përkujtonte në 3 mars. Por Fevziu këto emisione i regjistron dhe i mban rezervë për rastet kur gjendet në udhëtim jashtë vendit dhe i duhet të mbushë kohën televizive. Në 30 mars 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Gratë e djeshme dhe gratë e sotme”. Emisione të tilla si ky kanë si të vetmen vlerë që tregojnë se deri ku shkon absurdi i uzurpimit nga ana e Fevziut i kohës televizive që duhet ta kishin emisione të tjera në Tv Klan, ku të trajtoheshin tema të tilla. Në 31 mars 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqiptarët dhe gënjeshtrat”. Ashtu siç e donte rasti, emisioni i nisur në vigjilje të ditës së rrenave, kapërceu mesnatën dhe hyri në ditën e re. Në këtë emision nuk mungoi Fatos Lubonja. i cili raste të tilla i gjuan për t’ u atribuar shqiptarëve cilësi natyrore të këqija. Në 5 prill 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte  “Libri më i bukur i jetës suaj”. Tema e emisionit ishte vërtet interesante, por çështja është se tema si kjo në Tv Klan janë indeksuar me problemin e mbushjes së kohës televizive nga ana e Fevziut. Kështu që trajtimi i këtyre lloj temave pashmangshëm e bën çdo shikues serioz që të pyesë se përse Tv Klan nuk ka një emision të veçantë për librin dhe kulturën në përgjithësi, por këto çështje i janë lënë fantazisë së Fevziut, e cila ç’ është e vërteta punon ethshëm kur është fjala për të mbushur kohën televizive. Tema të tilla në emisionin e Fevziut nuk bëjnë gjë tjetër veçse bëjnë të duket ngulmimi absurd me të cilin Fevziu vazhdon të mbajë të uzurpuar kohën televizive javore në Tv Klan, ku për tema të tilla duhej të debatohej në emisione të tjera, të llojit kulturor.
      I të njëjtit lloj ishte dhe emisioni i datës 6 prill 2010 tema e të cilit ishte “Sa e ka ndryshuar celulari jetën tonë”. Të ftuar qenë Fatos Lubonja, Sonila Meço dhe biznismeni Agim Zeqo, të cilit iu bë nderi që të ishte në këtë panel, se është bashkëpagues me Samir Manen i shpenzimeve të udhëtimeve jashtë vendit të Fevziut. Tema e emisionit të 15 prillit 2010 ishte “Berisha në BE”, ku i ftuar ishte kryeministri Sali Berisha. Tema e emisionit të 19 prillit 2010 ishte “Hiri vullkanik dhe fluturimet”. Meqënëse reja e hirit vullkanik pengoi udhëtimet me aeroplan të Fevziut jashtë vendit, ai nuk gjeti gjë tjetër më të mirë për të bërë se një emision për këtë problem. Meqënëse në këtë kohë Fevziu nuk mund të udhëtonte jashtë vendit, ai u ul të shkruante dhe një roman me titull “Hiri i vullkanit”. U desh të shpërthente një vullkan në Islandë dhe të mbulonte Europën me një re hiri, që Fevziu t’ i kthehej letërsisë që kishte qenë ëndrra e tij e kahershme dhe të niste të shkruante një roman! Në 21 prill 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Televizioni botë femrash apo meshkujsh”. Edhe kjo ishte një nga temat që i duhen Fevziut thjesht për të mbushur kohën televizive. Në 28 prill 2010 Fevziu u shfaq në versionin imitues i Blendi Strakoshës. Tema e emisionit të tij ishte “Drita Pelingu- një jetë në skenë”. Natyrisht se Drita Pelingu e meritonte një emision televiziv, por ajo nuk meritonte të ishte mbushje e kohës televizive të Fevziut. Tema e emisionit të Fevziut në 18 maj 2010 ishte “Filmi më i bukur”. Nëse do të bëhej një kontroll mbi kohën e udhëtimeve të Fevziut jashtë vendit, do të shihej se tema kulturore si kjo zenë vend në emisionin e tij, vetëm kur ai nuk gjendet në Shqipëri. Kjo është mënyra e Fevziut për të mbushur kohën televizive. Në 27 maj 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Martesa mbretërore”, ku u fol për martesën e Mbretit Zog I. Sipas praktikës së Fevziut në raste të tilla, ky emision nuk u dha në përvjetorin e kësaj ngjarjeje- ajo kishte ndodhur në 27 prill 1938- por në 27 maj. Por, duke qenë se Fevziu këto tema i ka sa për të mbushur kohën televizive, ai i emeton emisionet e tilla kur i konvenon atij, pra kur gjendet në udhëtim jashtë vendit, jo kur duhet bërë kjo gjë, ashtu siç e bëjnë të gjithë televizionet serioze në botë.
      Në 1 qershor 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Fëmijët dhe 1 qershori”. Fëmija më i lumtur në emision dukej Fevziu i cili kishte gjetur mënyrën të mbushte kohën televizive, çka është kthyer në makth për të qëkurse e bën emisionin katër herë në javë. Në 2 qershor 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Vera, sa e pimë dhe e prodhojmë”. A mos do të ndodhë që Fevziu, për të mbushur kohën e tij televizive të bëjë emisione edhe për rakinë, konjakun e kushedi se për çfarë pijesh të tjera? Ngjarjet e mëdha sportive ndërkombëtare, si Kupa e Botës dhe e Europës në futboll, bëhen shkak që Fevziu të mbushë dendur kohën e tij televizive me to. Kur në 2010 ishte Kupa e Botës në futboll, Fevziu bëri gjashtë emisione me temën “Botërori”, në 14 qershor, 16 qershor, 21 qershor, 23 qershor, 6 korrik dhe 7 korrik. Midis tyre, në 28 qershor, i ftuari i vetëm i emisionit të Fevziut ishte kampioni i botës në kërcimin me shkop, Sergei Bubka, me rastin e një vizite që ai bëri në Shqipëri. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve u kujdes që ai të shkonte në emisionin e Fevziut. Në dy nga emisionet “Botërori”, në 16 qershor dhe në 23 qershor ishte i ftuar biznismeni Agim Zeqo, çka tregon se ai ka qenë dorëlëshuar në pagimin e shpenzimeve të Fevziut për të parë ndeshjet e Kupës së Botës, në atë kohë. Në 7 shtator 2010 Fevziu u kujdes që të organizonte një spektakël unik në llojin e vet, në emisionin e tij. Tema e emisionit të kësaj dite ishte “Të parët në grup” dhe kishte të bënte me përfaqësuesen shqiptare të futbollit. Skena e emisionit qe zhvendosur në qendër të fushës së stadiumit kombëtar të futbollit, ku qenë vendosur karriget e të ftuarve Lorik Cana, Agim Zeqo, Ylli Rakipi si dhe të presidentit të Federatës së Futbollit, Armand Duka. I gjithë ky spektakël qe bërë në funksion të imazhit të tregtarit Agim Zeqo, sponsorit të Fevziut. Tema e emisionit të Fevziut në 8 shtator 2010 ishte “Aksidentet rrugore”. Natyrisht se Fevziu nuk foli për aksidentin e çuditshëm jugor që ai bëri në vitin 2006, kur me “Mercedesin” e tij superluksoz u përplas me faqen e malit, pranë majës së Dajtiti ku kishte shkuar për vanitet, megjithëse kishte mjaft borë.
      Në 16 shtator 2010 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Në 20 shtator 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Përrallat e shqiptarëve”, një rast klasik i mbushjes së kohës televizive në emisionin e Fevziut. Të ftuar, ndër të tjerë qenë deputetët Mark Marku dhe Ledi Shamku-Shkreli, të cilët e mbajnë veten ndër të tjera edhe si specialistë të letërsisë, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka qenë i okupuar me letërsinë në profesionin e tij. Tema e emisionit të 6 tetorit 2010 ishte “Seksi nën moshën 16 vjeç”. I ftuari më pikant ishte Edmond Tupe, një zgjedhje e çuditshme kjo pasiqë profesor Tupe ka zgjedhur të shkruajë dhe të flasë për temën e seksit, duke u bërë interesant me artikulimin e perversitetit. Tema e emisionit të datës 12 tetor 2010 ishte “Tradhtia bashkëshortore”. Anëtarët e panelit qenë një zgjedhje e çuditshme: Delina Fico, Jorida Rustemi, Mirela Bogdani, Blendi Salaj, Fatos Lubonja, Arian Konomi. Meqënëse dy nga femrat e panelit dhe dy nga meshkujt qenë të divorcuar, të krijohej përshtypja se do të flitej për eksperiencat personale, çka nuk ndodhi. Në 21 tetor 2010 Fevziu paraqiti në emisionin e tij një dossier televiziv për Enver Hoxhën, të bërë prej tij. Me këtë nisi mania e re e Fevziut për të bërë dossierë televizivë, çka do të sillte produkte komike fevziane. Tema e emisionit të datës 27 tetor ishte “Shqiptarët dhe racizmi”. Këto janë emisionet e pëlqyera të Fatos Lubonjës, i cili nuk mund të mungonte këtu, se kishte rastin për t’ u veshur një cilësi tjetër të keqe shqiptarëve. Në 11 nëntor 2010 i ftuari i vetëm i emisionit të Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Tema e emisionit të 15 nëntorit 2010 ishte “Librat bestseller”. Ky emision bëhej në kohën e panairit të librit në Tiranë dhe u duk qartë se ishte i llogaritur që botuesja e romanit të parë të Blendi Fevziut, që kishte dalë në qarkullim pikërisht në atë kohë, të thoshte se një nga librat më të shitur ishte dhe romani i Fevziut “Hiri i vullkanit”. Me këtë Dudaj siguroi praninë në shumë emisione të tjera të Fevziut.
      Dy ditë më pas, i ftuari i vetëm i emisionit të Blendi Fevziut ishte Fahri Balliu. Kjo ishte hera e dytë që Fahri Balliu shfaqej në emisionin e Fevziut, dhe të dy herët qenë brenda vitit 2010. Herën e parë Fahri Balliu do të shfaqej në emisionin e Fevziut në maj me rastin e “djegies” së gazetës së tij “55”në mjediset ku zhvillohej greva e urisë e Partisë Socialiste, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Fevziu mësoi nga Fahri Balliu dhe më pas do të shikonim skena televizive ku digjej libri i Fevziut “Enver Hoxha”. Gjithsesi, shfaqja e Fahri Balliut në emisionin e Blendi Fevziut qe një ngjarje e veçantë për emisionin, se marrëdhëniet e tyre qenë të ngrira që prej vitit të largët 1994, kur Fahri Balliu pati vënë njerëz që ta rrihnin Blendi Fevziun për shkak se në gazetën “Aleanca”ku Fevziu ishte kryeredaktor, ishte botuar një shkrim i llogaritur për të penguar emërimin e Balliut si diplomat në Maqedoni. Në 2 dhjetor 2010 në emisionin e Fevziut u botua një “Dossier nga Blendi Fevziu”, me titull “Misteri i vitit 1990”, ku nuk u zbulua asnjë mister. Në funksion të mbushjes së kohës televizive javore të Fevziut do të ishin tema të tilla si “Fëmijët dhe interneti” (14 dhjetor 2010), “Muzika e lehtë shqiptare” (21 dhjetor 2010), “80 vjet futboll shqiptar” (22 dhjetor 2010)
      Në 27 dhjetor 2010 tema e emisionit të Fevziut ishte “Misteri i shtëpisë së verdhë”. Fjala ishte për shtëpinë në një fshat të Matit për të cilën Dick Marty kishte ngritur akuza se atje qe bërë marrja e organeve nga trupat e serbëve të rrëmbyer nga UÇK. Titulli i emisionit të Fevziut qe skandaloz, se ai të krijonte përshtypjen se tek e ashtuquajtura “shtëpi e verdhë” mund të kishte vërtet ndonjë mister. Përveç të tjerash ky emision qe i regjistruar se Fevziu tashmë qe larguar nga Shqipëria për festat e fundvitit, i rrëmbyer nga ajo që ishte tema e emisionit të tij të ditës së nesërme (28 dhjetor), një tjetër emision i tij i regjistruar: “Shoppingmania gjatë festave”. Natyrisht se Fevziu bënte shopping në qytetet perëndimore dhe jo në Tiranë. Megjithatë, Fevziu në këtë emison u thoshte të ftuarve dhe teleshikuesve, se gjatë festave shoppingmania i çonte shqiptarët, nga Tirana dhe nga pjesa tjetër e vendit, në qendrën tregtare TEG, në Tiranë. Si rëndom në fillimvite, kur Fevziu gjendej ende me pushime jashtë vendit, emisionet e ditëve të para qenë të regjistruara. Emisioni i parë i vitit 2011, ai i datës 3 janar kishte temën “Off records”, për të cilin kam folur dhe që tashmë ishte bërë traditë. Emisioni i datës 5 janar 2011 kishte temën “Agllai Zoto rrëfen jetën e saj”. Fevziu nuk besonte vërtet se shikuesit në këto ditë të para të fillimvitit qenë të interesuar për të njohur jetën e kësaj zonje, gjëja interesante e së cilës ishte se qe martuar në një vend komunist, gjatë kohës kur Shqipëria qe pjesë e kampit socialist. Me këtë madje Fevziu madje i hynte në pjesë dhe Pandi Laços e emisionit të tij “Histori me zhurmues”. Fevziu emisione si ky me Agllai Zoton i mbante rezervë për të mbushur kohën televizive. Në 20 janar 2011 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte Kryeministri Sali Berisha.
      Në 26 janar 2011, në ndërkohë që Fevziu nuk kishte bërë ende një debat për ngjarjet e 21 janarit të atij vitit në Tiranë, tema e emisionit të tij ishte “Gripi”. Për ngjarjet e 21 janarit në emisionin e Fevziut u debatua të nesërmen e emisionit për gripin, në 27 janar 2011. Në këtë ditë, në emisionin televiziv të Fevziut u debatua për atë nëse kishte ndodhur ose jo një grusht shteti në Tiranë, në 21 janar 2011. Fevziu kishte ftuar në emision mentorin e tij intelektual, Aurel Plasari, drejtorin e Bibliotekës Kombëtare, i cili, kinse po e mbështeste, e shndërroi në komike tezën e kryeministrit Berisha për grusht shteti. Aurel Plasari doli në emisionin “Opinion”të Blendi Fevziut, duke mbajtur në dorë librin e famshëm të Curzio Malaparte, “Teknika e grushtit të shtetit”, të cilin e ka përkthyer Plasari. Aurel Plasari, i cili mbronte tezën se në 21 janar kishte pasur një grusht shteti, e kishte marrë librin, të cilin ai e quante si manuali që tregon si bëhet grushti i shtetit, në mënyrë që të mbështeste tezën e tij. Por Aurel Plasari, edhe pse e solli librin e Malapartes në emision, nuk lexoi asnjë rresht prej tij dhe nuk solli asnjë shembull nga rastet që analizon Malaparte, për të bërë analogji me atë që ndodhi në Tiranë, në 21 janar. Kjo ndodhi se libri i Malapartes ishte në fakt një argument kundër tezës së grushtit të shtetit që shtjellonte Plasari, se Malaparte në libër paraqet teorinë se  grushti modern i shtetit (“modern” për kohën kur u shkrua dhe botua libri, në 1931) nuk bëhet në mënyrat e dikurshme klasike nga ushtria, e cila merr nën kontroll selitë e zyrave kryesore të shtetit, por nga një grup njerëzish të vendosur për të bërë përmbysje politike në një vend dhe që ndjekin një agjendë të përgatitur me zgjuarsi duke marrë së pari nën kontroll pikat kyçe që e paralizojnë një shoqëri moderne urbane. Malaparte këtu fut centralet elektrike, ujësjellësin, postë-telegrafin, median e kohës, gazeta, radio e gjëra të tilla. Asgjë e tillë nuk ndodhi në 21 janar në Tiranë. Madje këtu qeveria e kritikon ashpër kryetarin e PS dhe Bashkisë së Tiranës se nuk merr në dorëzim ujësjellësin, i cili supozohej që të përbënte një pikë-kyç në agjendën e grushtit të shtetit, sipas teorisë së Malapartes.
      Pasiqë Behxhet Pacolli u zgjodh President i Kosovës në 22 shkurt 2011, ai të nesërmen u shfaq në emisionin e Fevziut me temë “Behxhet Pacolli rrëfen jetën”. Pak ditë më pas, në 10 mars 2011, Fevziu bëri një emision tjetër me Pacollin, me temë “Presidenti i Kosovës”. Këtë herë një pjesë e madhe e emisionit ishte e zënë nga paraqitja e shëtitjes së Blendi Fevziut dhe të mikut të tij, Baton Haxhiu në shtëpinë e madhe që ka ndërtuar Pacolli në Prishtinë, duke qenë të shoqëruar nga ky i fundit. Fevziu e shëtiti shtëpinë cep më cep, nga sallonet, tek dhomat e gjumit, banjot kuzhina, e deri tek kantina ku Fevziu nuk mungoi të fuste duart në shishet e verës, siç bënte kur shkonte tek shtëpia e Rrapush Xhaferit. Me Behgjet Pacollin Fevziu gjeti përsëri “Bashkim Drizën”. Fevziu është vizitor i shpeshtë i Behgjet Pacollit në Prishtinë. Në 1 mars 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Dashuria”. Nuk u mor vesh se përse Fevziu nuk e bëri këtë emision në 14 shkurt që atë vit binte ditë e hënë, pra në një nga ditët kur Fevziu ka emision. Qartësisht, bëhej fjalë për një emision të regjistruar që u përdor për mbushje të kohës televizive. Në 7 mars 2011, ditën e mësuesit, tema e emisionit të Fevziut ishte “Vrasja e këngëtares Emmy” (një këngëtare e re shqiptare, që mbante këtë si emër arti). Kështu, Fevziu edhe këtë ngjarje tragjike e përdori për të mbushur kohën e tij televizive javore. Në 14 mars 2011, tema e emisionit të Fevziut ishte “Operacionet plastike”, çka do të thotë se bëhej fjalë thjesht për mbushje të kohës televizive. Në dy ditë njëra pas tjetrës, në 15 dhe 16 mars 2011, tema e emisionit të Fevziut ishte “Vetëvrasja e Mehmet Shehut”. Duke u vënë fjala “vetëvrasje”që në titull u kompromentua krejt emisioni, se kështu bëhej e qartë se përfundimi do të ishte gjithsesi ai i Enver Hoxhës se Shehu kishte vrarë veten. Nëse Fevziu do të donte të ishte korrekt, titulli duhej të ishte “Vetëvrasja apo vrasja e Mehmet Shehut”.
      Në 23 mars 2011, Fevzoja i shkathët, meqënëse kishte bërë dy emisione me Presidentin e Kosovës, i kundërbalancoi me një intervistë me Presidentin e Serbisë, Tadiç. Në 31 mars 2011 i ftuari i vetëm i emisionit të Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Tema e emisionit të Fevziut në 11 prill 2011 ishte “Miqësia mashkull femër”. Kjo tregonte se imagjinata e Fevziut sa vinte dhe po bëhej më prodhuese kur ishte fjala për të mbushur kohën televizive të marrë prej tij. Tema e emisionit të 12 prillit 2011 ishte “Historia ime me Sigurimin” dhe i ftuari i vetëm ishte Preç Zogaj, që rrëfeu eksperiencën e vet si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Sa interesante do të ishte nëse Fevziu do të bënte një rrëfim të tillë për veten në emisionin e tij, në trajtën e ndonjë dossieri për vetveten ndoshta. Në 5 maj 2011 i ftuari i vetëm i emisionit të Fevziut ishte kryeministri Berisha, me rastin e zgjedhjeve vendore të 8 majit të atij viti. Përsëri, në 19 maj 2011 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Në 24 maj 2011, në emisionin e Fevziu u debatua për letrën që Ismail Kadare i bëri Lulzim Bashës, kandidatit të PD për Bashkinë e Tiranës, ku i kërkonte që për të mirën e vendit të hiqte dorë nga kandidimi në kohën e numërimit të votave. Të ftuar qenë Preç Zogaj, Fatos Lubonja, Ylli Rakipi, Frrok Çupi. Dukej se Fevziu këtë emision e kishte bërë pa dëshirën e tij, me kërkesën e Berishës, se nuk ndjehej mirë ngase ka ekskluzivitetin e intervistave televizive të Kadaresë, i cili nuk shfaqet kurrkund përveç emisionit të Fevziut për intervista televizive me kohë të plotë. Nga të ftuarit Frrok Çupi dhe Fatos Lubonja kritikuan Kadarenë, ndonëse për motive të ndryshme. Në 30 maj 2001 mania e re e Fevziut për dossierë televizivë na dha shafaqjen e çuditshme “Si u vra Osama Bin Laden” (Dossier nga Blendi Fevziu). Sikur nuk ka Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi tema për dossierë që Fevziu të merret me Bin Laden! Në 6 qershor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Të jesh poet”. Poetët në emisionin e Fevziut janë qytetarë të rangut të fundit, pas politikanëve, shoëgirl, këngëtareve amatore dhe biznismenëve të parapëlqyer. Për më tepër që Fevziu fton përgjithësisht vetëm poetët që kanë braktisur poezinë për politikën.
      Në 7 qershor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Varësia nga puna”. Për një temë të tillë Fevziu kishte zgjedhur si të ftuar njerëz që nuk kanë bërë kurrë një punë me të vërtetë në jetën e tyre. Të nesërmen, në 8 qershor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Fatos Lubonja”, i cili ishte i ftuari i vetëm i Fevziut. Nuk mjafton që shfaqet pothuajse çdo natë. Këtë herë kishte krejt kohën e emisionit. Në 15 qershor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Duhani dhe shqiptarët”. Meqënëse shqiptarët tymosin shumë, përfiton edhe Fevziu për të mbushur kohën televizive javore me “tymin e duhanit” të shqiptarëve. Në 4 korrik 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Revistat”. Përsëri një rast flagrant i uzurpimit të kohës televizive nga Fevziu. Në 5 korrik 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Simon Sebag Montefiore- libri për Stalinin”. I ftuari i vetëm ishte pikërisht Simon Sebag Montefiore autori i dy librave biografikë për Stalinin. Fevziu e intervistoi Montefioren me rastin që atë e solli në Shqipëri botuesi i tij në shqip, Fahri Balliu. Fevziu përfitoi nga rasti për t’ i kërkuar Montefiores një vlerësim të shkurtër për librin që do të shkruante për Enver Hoxhën, që ta vinte në kapakun e librit, por Montefiore i tha se mund ta jepte këtë vlerësim vetëm nëse botimi ishte në anglisht, se ishte nonsens që ai të jepte vlerësim për një libër që botohej në shqip, një gjuhë të cilën ai nuk e njihte. Në 6 korrik 2011 tema e emisionit të Fevziu ishte “Policia sekrete e Ali Pashë Tepelenës”. I ftuari i vetëm i Fevziut ishte Irakli Koçollari, autori i librit me këtë titull. Për këtë libër e meritonte të bëhej një emision, por zakonisht emisione të tilla bëhen për libra të rinj. Ky libër i Koçollarit, në dy vëllime, qe botuar tashmë që në vitin 2004.[iv]Në 13 korrik 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Udhëtimet dhe shqiptarët”. Fjala ishte për udhëtimet për pushime. E veçanta e emisionit ishte se në kohën që ai emetohej Fevziu gjendej tashmë në udhëtim se Fevziu në verë bën pushime të shumëfishta.
      Në 5 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Misteret e tunelit të Porto Palermos”. Nuk është ironi e vogël që ky emision u dha vetëm katër ditë para se Vlora, ku gjendet Porto Palermo të pasurohej me një mister tjetër, atë të atentatit ndaj gjyqtarit Skerdilaid Konomi, i cili ishte me origjinë nga një fshat afër Porto Palermos. Në 6 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Krimi në familje”. Dy ditë më pas do të ndodhte atetati ndaj gjyqtarit Konomi, por cuditërisht Fevziu nuk do të gjente në këtë ngjarje një temë për emisionin e tij. Gjithsesi, kur Fevziu trajton tema të tilla si krimi në familje në emisionin e tij, debati pervertohet nga prirja e Fatos Lubonjës për t’ i përdorur raste të tilla që t’ u veshë shqiptarëve në përgjithësi veti kriminale, pothuajse në terma lombroziane. Në 8 shtator 2011 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Dalja e Berishës në emisionin e Fevziut në vigjilje të atentatit ndaj gjyqtarit Skerdilaid Konomi në Vlorë (vrasja e tij do të ndodhte të nesërmen në 9 shtator), fiton një simbolikë të çuditshme i pëlqen ose jo Berishës. E thënë thjesht: Fevzoja i shkathët e keqpërdori Berishën në dobi të alibisë së tij. Pra Fevziu deshi të na thotë: Unë isha i zënë me intervistën me Berishën, dhe ju të gjithë e dini se kur merrem me punë të tilla jam krejt i përpirë prej tyre dhe nuk mund të mendoj për gjëra të tjera të rëndësishme. Është kërshëror fakti që atentati ndaj gjyqtarit Konomi ndodhi pikërisht në ditën kur i konvenonte Fevziut, pra një ditë pas përfundimit të javës televizive katërditore të tij, ditën e premte. Fevziu shpesh e ka në praktikiën e tij që kur ka ngjarje të bujshme gjatë ditës, të improvizojë një debat për to në mbrëmje. Nëse atentati ndaj gjyqtarit Konomi do të kishte ndodhur një nga ditët e javës kur ka emision Fevziu, pra nga e hëna në të enjtë, do të binte në sy që Fevziu nuk e ndryshoi temën e emisionit, duke bërë temë të emisionit atentatin ndaj gjyqtarit Konomi. Të premte, të shtunë dhe të dielë, Fevziu e kishte pushim. Natyrisht se Fevziu mund ta kishte bërë atentatin temë të emisionit të tij ditën e hënë dhe në vazhdim, por ai nuk e ka bërë këtë gjë as sot e kësaj dite. Gjashtë muaj para atentatit ndaj gjyqtarit Konomi, në 7 mars 2011 tema e emisionit të Fevziut kishte qenë një ngjarje e ditës në Shqipëri: “Vrasja e këngëtares Emmy” (kjo ishte një vajzë e re shqiptare e cila humbi jetën tragjikisht). Vrasja e gjyqtarit Konomi, qartësisht nuk ishte për Fevziun aq e rëndësishme sa vrasja e kësaj këngëtareje, e cila u bë e njohur vetëm me vdekjen e saj. Të parën ditë kur Fevziu kishte emision, pas atentatit ndaj gjyqtarit Konomi, ditën e hënë në 12 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “11 shtatori dhjetë vjet më pas” (Dossier nga Blendi Fevziu) Dossierët e këtij lloji të Fevziut nuk janë gjë tjetër veçse plagjiat i fragmentarizuar i dossierëve të tillë të televizioneve të mëdha ndërkombëtare. Atentati ndaj gjyqtarit Konomi, i ndodhur disa ditë më parë, ishte për Shqipërinë një ngarje më e rëndësishme se atentatet e 11 shtatorit 2001, të kqyrura pas 10 viteve. Këtë dossier Fevziu mund ta kishte emetuar edhe një ditë më pas (kur nuk arriti që ta emetonte në 11 shtator), por ditën e hënë tema e emisionit të tij duhet të kishte qenë atentati ndaj gjyqtarit Konomi.
      Në 22 shtator 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Problemet e Berishës”. Të ftuar qenë Armand Shkullaku, Baton Haxhiu, Aleksandër Frangaj (të tre nga Tv Klan), Artan Hoxha, Preç Zogaj, Andi Bushati. Ashtu siç ndodh rëndom në raste të tilla mungonte Fatos Lubonja, të cilin kujdesen ta përjashtojnë nga paneli sa herë që ka tema të tilla. Edhe Lubonja e ka pranuar këtë gjë se nuk është ankuar kurrë. Ndryshe do të ishte nëse do të bëhej një emision për Skënderbeun, Nënën Tereze, Nacionalizmin Shqiptar, ku të mos ftohej Lubonja. Atëherë ky do të ankohej me të madhe. Në 11 tetor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Profesioni ideal në jetë”. Të ftuar qenë Fjoralba Mishaxhi, spikere në Tv Klan, Genc Rruli, ministër i Bujqësisë, Henri Çili dhe Ermira Mehmeti deputete shqiptare e BDI në Maqedoni. Kështu, dy nga të ftuarit qenë politikanë dhe dy gazetarë, nga të cilët njëri, Henri Çili kërkon të bëjë karrierë politike, ashtu që në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë si deputet për PD-në. Pra, profesioni ideal: politika. Në 12 tetor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Fëmijët: prindër, gjyshe apo dado”, çka do të thoshte se cilët mund të kujdesen më mirë për fëmijët e vegjël, prindërit e tyre, gjyshet apo dadot. Nuk mund të mos bësh pyetjen se si i harroi stërgjyshet Fevziu që pretendon se u rrit nga tre stërgjyshe?
      Tema e emisionit të datës 25 tetor 2011 ishte “Shqiptarët dhe moda”. Është për t’ u habitur që Fevziu vazhdon të mos e kuptojë se çdo emision dhe drejtues emisioni kanë një profil të caktuar dhe se profili i Fevziut si gazetar dhe për rrjedhim edhe i emisionit të tij është i tillë që ai nuk mund të përfshijë një rreth kaq të gjerë temash. Tema e emisionit të 26 tetorit 2011 ishte “Kurthet e seksit: Domenique Strauss Kahn”. Historia e Strauss Kahn kishte ndodhur tashmë prej rreth gjashtë muajsh dhe Fevziu ishte tmerrësisht i vonuar. Por interesi kryesor i Fevziut për emsione të tilla të regjistruara ishte se mbush kohën televizive në ditët kur nuk ndodhet në Shqipëri. Në 9 nëntor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Gaddafi Jeta dhe vdekja e një diktatori” (Dossier nga Blendi Fevziu). Definitivisht Fevziu nuk heq dot dorë nga dossierët-plagjiaturë nga emisionet e televizioneve të mëdha ndërkombëtare. Në 16 nëntor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Muzika shqiptare dje dhe sot”. Edhe muzika mungonte në emisionin e Fevzit! Por edhe ky ishte një emision i regjistruar, nga ata që Fevziu i ka për të mbushur kohën televizive kur gjendet duke udhëtuar jashtë vendit. Data 5 dhjetor 2011 mund të quhet i veçantë në historinë e emisionit të Fevziut. Tema e emisionit të kësaj dite ishte “Sindroma TEG dhe Samir Mane”. I ftuar i vetëm i emisionit ishte aksioneri kryesor i qendrës tregtare “Tirana East Gate”, Samir Mane, në daljen e parë televizive të tij. Fevziu i kishte rezervuar Manes sjelljen prej lakeu që tregon ndaj Berishës, se Mane është sponsori kryesor i Fevziut. Tema e emisionit të Fevziut, në datën 14 dhjetor 2011 ishte “Divorci”. Është simptomatike për Fevziun që bën një emision për divorcin, para se të ketë bërë një për martesën. Një aspekt i medialogjisë, shkencës që studion median, është edhe psikologjia e medias. Një psikolog i medias, nëse do të mësonte se Fevziu nuk ka bërë martesë por bashkëjeton me një femër, të cilën faqet rozë të gazetave e quajnë me një eufemizëm mirëdashës “Zonja Fevziu”, do të gjente këtu një shpjegim për atë se Fevziu bën një emision për divorcin para se të ketë bërë një emision për martesën.
      Në 15 dhjetor 2011 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Në 21 dhjetor 2011 tema e emisionit të Fevziut ishte “Facebook twitter dhe shqiptarët”. Arsyeja e vërtetë për të cilën Fevziu e bëri këtë emision ishte se kryetari i opozitës, Edi Rama nisi të publikonte shkrime politike në Tëitter. Qëllimi i Fevziut ishte që të shpërfillte këtë gjetje të Edi Ramës. Pasiqë Fevziu u nis me pushimet e fundvitit, ai për të mbushur kohën televizive të tre ditëve të fundit të vitit për emisionin e tij, nga 27 dhjetor, që ishte ditë e martë, deri në 29 dhjetor që ishte ditë e enjte, ai la porosi që të emetoheshin tre emisione me temat “Atmosfera e festave dhe dhuratat”, “Televizori dhe teknologjia”, “Kombëtarja një vit futboll”. Kështu Fevziu mbushi kohën televizive dhe mund të bënte qetësisht turistin nëpër botë. Por, qëkurse është hapur qendra tregtare TEG Fevziu i përdor emisionet me këtë temë edhe si publicitet për të. Kështu, në emisionin për dhuratat që blejnë njerëzit në ditët e festave të fundvitit, Fevziu përsëriste se njerëzit po dyndeshin në TEG, për të blerë dhurata me çmime shumë të leverdisshme, dhe në emisionin për televizorin dhe teknologjinë, thoshte se njerëzit këto gjëra mund t’ i blejnë në TEG me çmimet më të leverdisshme.
      Meqënëse Viti i Ri 2012 i takoi të ishte ditë e dielë, çka do të thoshte se ditët e javës televizive të Fevziut, që niste nga e hëna në të enjte, binin nga data 2 në 5 janar, Fevziu e bëri emisionin e parë të vitit 2012 vetëm ditën e hënë, në 9 janar. Këtë ditë dhe të nesërmen, në 10 janar, në “Opinion” u emetuan dy emisione të regjistruara që në dhjetor 2011, me temën “On off records”, për përmbajtjen e të cilave kam folur më lart. Kështu që Fevziu i zgjati pushimet deri në mes të javës së dytë të vitit 2012. Emisioni i tretë i Fevziut për vitin 2012, i cili u emetua në 11 janar, ishte “Princ Leka dhe Elia Zaharia”. Edhe ky ishte një emision i regjistruar, plagjiat i emisioneve të ngjashme të Blendi Strakoshës, që u dha për të mbushur kohën televizive. Në 18 janar 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Përkthimet shqiptare”. Në këtë emision, ndonëse të gjithë të thoshin se në treg ka shumë libra të përkthyer keq, asnjëri nga të ftuarit nuk tha se cilat qenë përkthimet e këqija. Të ftuarit qenë Edmond Tupe, Diana Çuli, Dhurata Shehri, Amik Kasaruho, Preç Zogaj, Piro Misha. Në 30 janar 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kombëtarja Shqipëri-Kosovë”. Por pjesa më e madhe e debatit në emision u bë mbi atë nëse duhet të kishte një ligë të përbashkët futbollistike ku të merrnin pjesë klubet e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës, një debat që u hap pas kërkesës së Klubit të futbollit Prishtina për të marrë pjesë në Superligën e Shqipërisë. Dy nga të ftuarit, gazetarja sportive e Televizionit Publik Shqiptar, Enkeljeda Zeko dhe gazetari sportiv i Supersport, Dritan Shakohoxha, e kundërshtuan ashpër krijimin e ligës së përbashkët. Ish-gazetarja sportive, që më pas u bë një nga themelueset e Partisë Fryma e Re Demokratike, e njohur si Partia e Bamir Topit, e kundërshtoi diçka më butë. Të ftuarit e tjerë qenë shqiptarë nga Kosova. Fevziu, qartësisht e kishte ndërtuar panelin me djallëzi.
      Në 1 shkurt 2012 tema e emisionit ishte “Shqiptarët dhe seksi”. Në 7 shkurt 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqiptarët dhe telenovelat”. Qëllimi i këtij emisioni ishte që të hymnizoheshin telenovelat turke që kishte nisur të emetonte Tv Klan. Të nesërmen, në 8 shkurt 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Bebe në epruvetë”. Fevziu, qëkurse e ka bërë emisionin katër herë në javë, tashmë ka shumë “epruveta me bebe” me tema emisionesh, të cilat i përgatit nxitimthi për shkak se i mungon stafi profesional i nevojshëm që ka çdo emision i këtij lloji në televizionet e mëdha ndërkombëtare, për të përgatitur një debat televiziv për tema të tilla të larmishme. Në 13 shkurt 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Shtypi rozë”. Fevziu ka nisur ta pëlqejë shumë këtë temë. Të nesërmen, në 14 shkurt, Fevziu nuk mund të mos e përdorte ditën e Shën Valentinit, për të mbushur kohën televizive me temën “Dashuria s’ ka ndryshuar”. Gjithsesi, dashuria e pandryshuar e Fevziut prej shtatë vitesh është kryeministri Berisha dhe kjo u konfirmua edhe në 21 shkurt 2012 kur tema e emisionit të Fevziut ishte “Intervistë me Sali Berishën për vitin 1990 dhe lëvizjen e dhjetorit”.
      Në 23 shkurt 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Misteri i vrasjes së Eleni Bashos dhe vrasja e kapitenit Feti Vogli”. Sigurisht që vrasja e një qytetareje, si Eleni Basho, është një ndodhi tragjike që meriton vëmendjen e publikut, por është marrëzi që shkon deri në tallje, kur vrasja e një ushtaraku shqiptar i cili merrte pjesë në një mision paqeruajtës ndërkombëtar në Afganistan, të trajtohet si temë dytësore në një debat televiziv për një krim të ndodhur në Tiranë ato ditë. Përvec kësaj, të bën përshtypje se Fevziu i cili gjeti hapësirë për ta bërë temë të emisionit të tij vrasjen e Eleni Bashos, nuk e bëri këtë gjë për vrasjen e gjyqtarit Konomi. Në 28 shkurt 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kënga e jetës”. Është domethënëse që Fevziu nuk ka bërë një emision me temë “Libri i jetës”!
      Në 12 mars 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Temat e ndaluara”. Në këtë emision do të diskutohej për botimin në shqip të librit të Adolf Hitler, “Mein Kampf”. Blendi Fevziu, i nxitur nga Mark Marku ftoi në emision ministrin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi. Synimi ishte që Bumçi, të bëhej përgjegjës njëfarëlloj që ky libër ishte botuar në Shqipëri. Mark Marku donte dhe do që të largojë Bumçin nga qeveria dhe ta marrë vetë portofolin e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Kështu që Mark Marku, Aurel Plasari, Preç Zogaj, Maks Velo, të cilët qenë të ftuar në emision prisnin ardhjen e Aldo Bumçit. Por Bumçi dyshoi dhe në vend që të shkonte vetë në emision, dërgoi drejtorin e Drejtorisë së Librit në ministri, Ermir Nika. Gjatë emisionit u duk zhgënjimi i të ftuarve që nuk kishin atje ministrin Bumçi. Sa më tepër që Fevziu ngulmon ta bëjë emisionin e tij katër herë në javë, aq më tepër e pranishme është muzika në emisionin e tij. Tema e emisionit të datës 19 mars 2012 ishte “Të ushqehemi shëndetshëm”. Fevziu sigurisht që ushqehet shëndetshëm sa kohë që i ushqen shikuesit me rrena për llogari të kryeministrave që vijnë e ikin. Tema e emisionit të datës 20 mars 2012 ishte “Pasioni për shpejtësinë”. Në këtë emision ku u fol për garat automobilistike i ftuari i nderit ishte biznismeni Agim Zeqo, sponsori i Fevziut. Ky i fundit u mërzit kur Ylli Rakipi i tha Zeqos se ai kishte qenë para tij në garat Formula One, ku Zeqo po shkonte tani. Por Fevziu nuk kishte çfarë të bënte se emisioni ishte i drejtpërdrejtë. Gjithsesi, Ylli Rakipin e ndëshkuan duke i shitur një frigorifer me çmim të lartë tek TEG, duke e bindur se i kishin bërë një zbritje.
      Në 22 mars 2012 i ftuari i vetëm në emisionin e Fevziut ishte kryeministri Sali Berisha. Tema e emisionit të datës 9 prill 2012 qe “A interpretohen ëndrrat?”Fjala ishte për ëndrrat që shikojnë njerëzit në gjumë. Pyetjet që ngriti Fevziu në këtë emision qenë: Çfarë janë ëndrrat? A shprehin ato dëshirat e fshehta të njeriut? A ka një kod për t’ i zbërthyer? A besojnë shqiptarët tek kumti i ëndrrave? Arlinda Dudaj, botuesja e Fevziut dhe e Edi Ramës, e cila ishte e ftuar në emision, tregoi një ekperiencë të vetën me ëndrrat. Ajo tha se në prill 2011 pa një ëndërr të keqe dhe shkoi tek një plakë, e cila dinte t’ i shpjegonte ëndrrat. Kjo plakë i tha se javën tjetër do t’ i prishej një plan. Dhe, sipas Dudajt, kështu ndodhi vërtet. Javën tjetër ajo u detyrua që të mos udhëtonte në Londër, ku do të merrte pjesë në panairin e librit atje, për shkak se u pezulluan fluturimet e aeroplanëve në Europë nga reja e hirit që u përhap nga shpërthimi i një vullkani në Islandë. Dudaj mbeti krejt e mahnitur nga kjo plakë saqë disa muaj më pas ia rekomandoi edhe Edi Ramës. Në janar 2011, pak ditë para demonstratës së 21 janarit, Dudaj e bindi Edi Ramën që të pinte një filxhan kafe në prani të kësaj plake, në mënyrë që ajo t’ ia shikonte filxhanin. Edi Rama, i cili është njeri supersticioz, çka duket edhe në librat e tij, pranoi si me shaka. Leximi që i bëri plaka filxhanit të Edi Ramës, i shtoi këtij bindjen se në 21 janar do të triumfonte plotësisht. Shpjegimi që plaka i bëri filxhanit të liderit socialist ishte ky: Ajo shikonte në filxhan se disa ditë më pas në një ndërtesë të shtetit do të kishte tym e zjarr. Në tarracë shikonte një burrë të gjatë, i cili nuk ishte i zoti i ndërtesës, por ai i qytetit. Një tjetër burrë, të cilit emri i fillonte me “S” e largonin tutje, të përgjakur, duke e mbajtur në krahë policët dhe ushtarët. Një turmë e madhe qe përreth ndërtesës. Më tepër nuk shikonte dot.
      Edi Rama i kuptoi fjalët e plakës sikur bëhej fjalë për ndërtesën e Këshillit të Ministrave, sikur burri i gjatë në tarracë ishte ai vetë (i pari i qytetit domethënë “kryetari i bashkisë”). Fakti që ai ishte ngjitur në tarracë do të thoshte se demonstrata do të kishte sukses dhe kryeministri Berisha do të dëbohej nga selia e tij. Njeriu, të cili i fillonte emri me “S” dhe që po e largonin tutje në krahë të përgjakur, nuk duhet të ishte kush tjetër posë Saliut. Edi Rama, si u sigurua se falltarja plakë as që merrte vesh nga politika, madje as që e dinte se ku gjendej selia e Këshillit të Ministrave, dhe se pak ditë më pas do të bëhej një demonstratë, u bind plotësisht në vërtetësinë e fjalëve të saj dhe i puthi dorën plakës, duke i vënë në dorë një kartmonedhë në euro, ndërsa një tjetër kartmonedhë ia ngjiti në ballë. Fjalët e falltares dolën të ishin si ato të Orakullit të Delfit, dykuptimëshe, gjë që Edi Rama e kuptoi në 21 janar. Se në tarracën e ndërtesës së Këshillit të Ministrave u shfaq vërtet një burrë i gjatë, por ky ishte Ministri i Punëve të Brendshme, Lulzim Basha, i cili pak kohë më pas do të bëhej kryetar i Bashkisë së Tiranës. Një njeri që i fillonte emri me “S” e larguan vërtet në krahë të përgjakur, dhe ky ishte njëri ndër policët e plagosur. Sa për tym dhe zjarr pati boll. Të sharat që Edi Rama bëri atë natë ndaj plakës rome falltare me siguri që do ta kishin tronditur shumë paladinin e romëve, Avokatin e Popullit, Igli Totozani, nëse do t’ i kishte dëgjuar ato.
      Në fund të emisionit për ëndrrat, Fevziu, pasiqë i kishte pyetur të ftuarit për ëndrrën më të mirë apo më të keqe që kishin parë, tha se ai shikonte një ëndërr (do të thotë ishte ëndërr periodike, që përsëritej), sikur Arlinda digjte librat e tij. Fevziu nuk e shpjegoi nëse bëhej fjalë vetëm për romanin e Fevziut “Hiri i vullkanit”, që ka botuar shtëpia botuese e Dudajt, apo për librat e tij në përgjithësi. Zonja Dudaj iu përgjigj se ajo nuk digjte libra se nuk ishte naziste. Kjo ëndërr e Fevziut ia vlente që të diskutohej gjatë, se ajo zbulon atë që ndodh në nënvetëdijen e tij. Por të ftuarit nuk u morën me këtë ëndërr, e cila ishte më interesantja nga ato që u rrëfyen në emision. Pse Fevziu shikon në ëndërr botuesen e tij duke djegur librat e tij? A tregon kjo se Fevziu thellë-thellë  është i vetëdijshëm se botuesja e tij e quan krejt të pavlerë librin e Fevziut që ajo ka botuar, por megjithatë ia ka botuar librin që të ketë qasje të privilegjuar në emisionin televiziv të Fevziut? A përfaqëson në këtë rast Arlinda të gjithë botuesit që kanë botuar librat e Fevziut, si Henri Çilin, Bujar Hudhrin, për të cilët Fevziu dyshon se do t’ i kishin djegur me dëshirë librat e tij?
      9 prilli 2012 ishte një ditë historike për emisionin e Fevziut. Unë po prisja me kureshtje se kur do të rrëshqiste Fevziu nga bota reale në botën okulte, për të mbushur kohën televizive javore të tij, dhe ja ku ndodhi. Në 10 prill 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Pasioni për të pozuar” dhe të ftuarat qenë këngëtare dhe modele. “Analistja” e shpeshtë e Fevziut në raste të tilla është Afërdita Dreshaj, kënga e së cilës “Shumë trafik”, mund ta shenjojë më së miri absurdin e emisioneve të shpeshta të Fevziut gjatë javës. Në 11 prill 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqiptarë dhe turq”. Ky diskutim bëhej me rastin e deklaratës që bëri kryeministri Berisha gjatë vizitës në Turqi, ku tha se midis shqiptarëve dhe turqve ka lidhje gjaku. Berisha u tregua i kujdesshëm që të shtonte se turqve u pëlqente të martoheshin me femra shqiptare, që kështu thënia e tij të mos interpretohej se në Shqipëri ka gjak turk. Por emisioni ishte ndërtuar në pajtim me agjendën e re neo-otomane të Fevziut. Në një emision të tillë nuk mund të mungonte Fatos Lubonja, i cili nuk i le t’ i ikin raste të tilla, kur mund të shprehë idenë e tij fikse të mosekzistencës së nacionit (kombit) shqiptar. Përvec Romeo Gurakuqit, i cili ishte kritik ndaj kësaj thënieje të Berishës, dy të ftuarit e tjerë, Pëllumb Xhufi dhe Ferit Duka mund të quhen neo-otomanët shqiptarë, për shkak të pikëpamjeve të reja që kanë shprehur kohët e fundit. Debati u zgjerua mbi projektin neo-otoman të Turqisë së sotme dhe  ekspansionin e saj në Ballkan. Fevziu qëllimisht e nxiste debatin në kahjen e pikëpamjes që ka shprehur në disa shkrime miku i tij, Veton Surroi, pra se a mund të shihej Turqia e sotme e zhvilluar si alternativë për shqiptarët, nëse zhgënjeheshin nga Europa?
      Në 18 prill 2012 tema e emisionit të Fevziut qe “Jozefina Topalli rrëfen jetën”. Siç mund të merret me mend, Topalli qe e ftuara e vetme e Fevziut atë mbrëmje, kjo me rastin që ajo kërkonte të kandidonte për postin e kreut të shtetit. Në 2 maj 2012 tema e emisionit të Fevziut qe “Të jesh xheloz për tjetrin”. Fevziu që në fillim të emisionit shtroi pyetjen: A janë shqiptarët xhelozë? Fevziu bëri me dije se ai nuk e kishte fjalën vetëm për xhelozinë në raportin mashkull-femër, por kryesisht për xhelozinë që ka një njeri për arritjet e dikujt tjetër. Preç Zogaj, i cili qe i ftuar në emision e sqaroi se në këtë rastin e dytë fjala e përshtatshme ishte “cmirë” dhe jo “xhelozi”. Por Fevzoja, për arsye që i di vetëm ai, qe i obsesionuar pas pas fjalës “xhelozi” dhe vahzdoi me të. Në 3 maj 2012 në emisionin e Fevziut u shfaq filmi i tij “Diktatori jeta e Enver Hoxhës”, nga i cili doli dhe libri i Fevziut “Enver Hoxha”, i cili disa ditë më parë ishte shfaqur në një kinema të Tiranës. Kështu Fevziu na bëri edhe një film. Tani nuk dihet se çka do të bëjë tjetër, ndoshta një album me këngë- them kështu se muzika është gjithmonë e më tepër e pranishme në emisionin e tij. Në 7 maj 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Diploma Bossi, universitetet private”. Një nga të ftuarit qe Erion Veliaj, kurimin e imazhit publik të të cilit Fevziu e ka pasur prej vitesh preokupim të veçantë, për shkak se e ka porosi nga miqtë e vet sorosianë. Fevziu e pati ftuar Veliajn që ky të shfaqej si intelektuali i ri, i shkolluar në Perëndim, produkt i universiteteve më të mira, në kontrast me universitetet private shqiptare që shesin diploma. Gjatë emisionit, Fevziu kërkonte mendimin e Veliajt si atë të një intelektuali me formim perëndimor. Veliaj e gjykoi rreptë djalin e politikanit italian Umberto Bossi që kishte marrë një diplomë në Shqipëri si dhe e fajësoi qeverinë për gjendjen në arsimin privat në Shqipëri. Nëse Fevziu do të qe një gazetar serioz, atëherë Erion Veliaj nuk do të ishte në emision në pozitën e akuzatorit por të fajtorit, për shkak se ai është shembull i diplomantëve të rremë që na vinë nga universitetet perëndimore. Renzo Bossi, djali i Umberto Bossit i cili mori një diplomë të rreme në Universitetin “Kristal” nuk i solli ndonjë dëm Shqipërisë, por Erion Veliaj me diplomat e tij të rreme nesër do të jetë deputet dhe ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Në 10 maj 2012 qe një ditë historike për emisionin e Fevziut. Në këtë ditë, Edi Rama u rikthye pas njw mungese prej gjashtë vitesh e katër muajsh në emisionin e Fevziut (Edi Rama kishte munguar në emisionin e Fevziut që prej 12 janarit 2006). Në 16 maj 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shoppingmania”, çka ishte një publicitet për TEG. Në 28 maj 2012 Fevziu iu rikthye për të dytën herë, që nga fillimi i vitit 2012 temës së pëlqyer të tij, gazetarisë rozë. Tema e emisionit të kësaj mbrëmjeje qe “Gazetarët vs. artistëve”. Kuptimi që Fevziu i jepte kësaj fraze të titullit kishte të bënte me konfliktin që lind mes gazetarëve që publikojnë të dhëna nga jeta private e artistëve, të vërteta apo të rreme qofshin. Fevziu e bëri me dije se ky ishte një emision për gazetarinë rozë. Fevziu e kishte ndërtuar emisionin, në pajtim me natyrën e tij prej bufoni. Heroi i sajuar i emisionit ishte kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari, i shpërblyer kështu për shkak se atje Fevziu boton “analizat” e veta. Debati më i madh gjatë emisionit u zhvillua mes Rakipllarit dhe një këngëtareje shqiptare nga Maqedonia, Adelina Tahiri, e cila ankohej se gazeta e Rakipllarit, kishte publikuar një fotografi të saj, me një këngëtar, me një koment aludues. Rakipllari, duke u krekosur, me pozën klasike të fshatarit mendjengushtë, të cilit ia ka sjellë fati të bëhet person publik, kërkonte ta bindte këngëtaren se se përderisa ajo tashmë kishte zgjedhur të ishte person publik, duhet t’ i pranonte këto gjëra. Rakipllari ishte dashur të pyetej se si është e mundur që për gazetën e tij, për të cilën thotë se është më e madhja në vend, na qenka lajm një fotografi e Adelina Tahirit me Seldin, dhe nuk është lajm që Blendi Fevziu nuk ka kryer martesë formale me atë që media e paraqet si gruaja e tij, dhe me të cilën ka një vajzë 10 vjeç.
      Në 5 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Të jesh në formë”, dhe kishte të bënte me kujdesin për trupin. Fevziu në emisione të tilla nuk bën gjë tjetër vecse tregon se një njeri nuk mund të mbulojë kaq shumë sfera nga më të ndryshmet, duke qenë i aftë dhe i përgatitur që t’ i trajtojë të gjitha me nivelin e duhur. Në raste të tilla Fevziu ndërton një panel të madh, me tetë të ftuar, se kështu ka më pak punë, pasiqë të ftuarit i ndërhyjnë njëri-tjetrit dhe Fevizu bën kinse moderon, por në fakt i lejon të shpenzojnë kohën televizive. Të ftuarit e këtij emisioni nuk e zhgënjyen Fevziun, duke e shpenzuar kohën televizive me fjalë boshe. Edhe në 2013, si gjithmonë, kur luhet Kupa e Botës, apo e Europës në futboll, Fevziu gjeti rastin për të mbushur kohën televizive. Në 13 qershor 2012 tema e emisionit të tij ishte “Kampionati europian”. Në 14 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Ermonela Jaho- shqiptarja e njohur e skenës”. E ftuara e vetme ishte sopranoja e njohur shqiptare, Ermonela Jaho, një rast ky kur të vjen shumë keq që Fevziu ka uzurpuar kohën televizive të dikujt tjetër që mund të bënte një emision kulturor të mirë në Tv Klan. Në 18 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Shqiptarët në majën e Himalajave” dhe të ftuar qenë alpinistët shqiptarë të cilët pak kohë më parë u ngjitën në majën më të lartë të botës. Fevziu nuk le ngjarje të tillë t’ i ikë pa mbushur ai kohën televizive javore. Në 19 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Kampionati europian”. Në 25 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte përsëri “Kampionati Europian 2012”. Në 26 qershor 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte argëtuese: “Revistat e verës”. Në 3 korrik 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Teatri në Shqipëri”. Në 4 korrik 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Pasioni për fotografinë”. Në 5 korrik 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Ku dhe si pushojmë”. Këtu mbaroi dhe sezoni i emisionit të Fevziut.
      Sezonin e ri të emisionit Fevziu e nisi në 10 shtator 2012. Normalisht, duhej pritur që në një vjetorin e vrasjes së gjyqtarit Konomi, Fevziu ta niste sezonin me një emision për cështjen e tij. Kjo nuk ndodhi. Fevziu e nisi sezonin në 10 shtator, me një emision me temë “15 vjet Opinion” që ishte një kronikë e pritjes së madhe që Tv Klan dhe Fevziu dhanë në oborrin e Tv Klan me rastin e 15 vjetorit të emisionit, si dhe një dossier televiziv mbi historinë e këtij emisioni televiziv. Në botë kemi parë që të bëhen pritje me rastin e jubileve në nivel dekade të emisioneve, pra me rastin e 10 vjetorit, 20 vjetorit etj., por nuk nuk kemi parë pritje të tilla të mëdha, me rastin e 15-vjetorit të emisionit?! Në këtë pritje qenë të pranishëm Kryeministri Berisha, Presidenti Nishani, krejt qeveria, Kryetarja e Kuvendit, pothuajse të gjithë deputetët, kryetari i opozitës Edi Rama, krerët më të lartë të gjyqësorit, diplomatë të huaj, dhe të gjithë ata që supozohet të jenë elita e vendit. Derisa dukej e arsyeshme që Fevziu nuk e dha këtë pritje në 31 gusht, në përvjetorin e emisionit, për shkak se një pjesë e madhe e të ftuarve në këtë ditë mund të qenë ende me pushimet e verës, ishte një gjë cinike që pritja u dha në përvjetorin e ditës së fundit të jetës së gjyqtarit Konomi. E gjithë elita politike dhe institucionale e vendit, ndër ta edhe njerëzit që janë drejtpërdrejt përgjegjës për zbulimin e vrasësve të gjyqtarit Konomi dhe dënimin e tyre, në vend që të qenë atë ditë në Vlorë, në shtëpinë e gjyqtarit të ndjerë Konomi, qenë të pranishëm në pritjen e dhënë nga njeriu i cili më së paku duhet të ishte pyetur mbi këtë çështje. Pritja e dhënë nga Fevziu me rastin e përvjetorit të emisionit të tij, u shndërrua kështu në një celebrim të një lloji të veçantë, duke shenjuar njëvjetorin e triumfit personal të Fevziut mbi shtetin, si një diktator sui generis, si rasti i vetëm kur pushteti i katërt, që është media, arriti që të vendosë supremacinë e tij mbi tre pushtetet e tjera. Nga kjo pikëpamje, titulli i emisionit të Fevziut, “Opinion”, fitoi këtej e tutje një kuptim krejt të posaçëm, ashtu që tashmë “opinionet” e Fevziut, sa u përket interesave të këtij të fundit, janë ligj për njerëzit e veshur me pushtet.
      Në 11 shtator 2012, pak minuta pas mbarimit të ndeshjes së futbollit Zvicër-Shqipëri, Fevziu nisi një emision me temë “Shqiptarë por jo kuqezi”. Fevziu e kishte ndërtuar emisionin në mënyrë të tillë që të dominonin kritikat ndaj tifozëve shqiptarë në stadiumin e Luzernës, të cilët vërshëlleshin dhe shanin futbollistët zvicranë me kombësi shqiptare. Veçanërisht kritike ndaj tifozëve shqiptarë ishte Sonila Meço, që ka “gjuhën e nepërkës” në raste të tilla. Sonila Meço dhe disa të tjerë në panel, duke përfshirë dhe Dritan Shakohoxhën që foli nga Zvicra, flisnin sikur tifozët shqiptarë kishin detyrim që të kishin standardin e sjelljes së filozofëve. Asnjëri nuk e thoshte se çfarë do të ndodhte nëse pesë zviceranë do të luanin me Shqipërinë kundër Zvicrës! Si do të priteshin ata nga tifozeria zvicerane? Ne kemi parë sesi janë pritur në stadiumet e Skocisë lojtarët skocezë që luajnë me klubet angleze, kur këtyre të fundit u ka ndodhur që të luajnë me klubet skoceze në kompteticionet europiane. Kështu që nuk kemi pse të habitemi me reagimin e tifozëve shqiptarë në Luzernë. Fevziu gjatë emisionit kishte një dëshirë obsesive për t’ i pyetur të ftuarit në emision, se çfarë do të ndodhte kur Kosova të bëhej anëtare e FIFA-s, a do të kishte përfaqësuesen e vet që do të luante në kompeticionet ndërkombëtare, pra a do të kishte atëherë një përfaqësuese të vetme të Shqipërisë dhe Kosovës, apo do të kishte dy përfaqësuese të ndryshme. Kjo çështje, të cilën Fevziu e pëlqen kaq shumë, është një gjë krejt hipotetike, sepse që Kosova të bëhet anëtare e FIFA-s, duhet që të bëhet anëtare e OKB-së, dhe kjo është e pamundur sado vende që ta njohin Kosovën, se tekefundit cështja do të shkojë në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia do të vendosë veton kundër anëtarësimit të Kosovës. Fevziu i di mirë këto gjëra, se ai është analist politik para se të jetë analist sportive, por i pëlqen që ta nxitë këtë debat, për të ngjallur dasi mes Shqipërisë dhe Kosovës.
      Në 12 shtator 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Rënia e kullave binjake”. Ky nuk ishte emisioni i parë që Fevziu bënte mbi këtë temë. Tash e tutje Fevziut do t’ i konvenojë shumë rënia e kullave binjake, se kështu ka rastin që të merret me to, sa herë që vjen përvjetori i vrasjes së gjyqtarit Konomi. Në 13 shtator 2012 tema e emisionit të Fevziut ishte “Nazimeja: krim apo pasion”, dhe u fol për vajzën fshatare tiranase e cila vrau ish-të dashurin e vet disa javë më parë. Kjo vrasje kishte ndodhur shumë kohë më pas asaj të gjyqtarit Konomi, megjithatë Fevziu gjeti kohë të bënte një emision për Nazime Vishën dhe jo për gjyqtarin Konomi. Arsyet janë të qarta. Në 17 shtator 2012, tema e emisionit të Fevziut ishte “Kush e vrau Adem Tahiraj”, ku u fol për vrasjen disa ditë më parë të shefit të komisariatit të policisë të Shijakut. Këtu nuk mund të mos bëhet pyetja se përse Fevziu gjatë një viti nuk gjeti kohë televizive që të bënte një emision me temë Kushe vrau Skerdilaid Konomin”. Arsyeja nuk është e vështirë që të merret me mend.
      Në përfundim të kësaj retrospektive të emisionit të Fevziut mund të thuhet se epigrami i këtij emisioni do të shkonte mirë nëse titullit të tij do t’ i bashkëngjitej një prej mbiemrave të shumtë të Blendit duke e quajtur Çorbaxhi-Opinion”. Tash pas katër vjetësh mund të thuhet se Fevziu nuk arriti ta fitojë luftën kundër Top Channel, por arriti të fitojë luftën kundër shikuesit të Tv Klan. Derisa lufta e Rusisë kundër Gjeorgjisë u quajt ndryshe edhe “Lufta e Putin”, kjo lufta tjetër në Shqipëri mund të quhet edhe si “Lufta e Fevzos”. Lufta e Fevzos vazhdon ende sot, pas katër vitesh, dhe Fevziu e ka humbur atë në të gjitha frontet. Fevziu duke e bërë emisionin e tij katër herë në javë nuk provoi gjë tjetër përveçse atë se një drejtues emisioni televiziv që nuk ka erudicion, si dhe që ka një staf të cilit i mungon erudicioni, e ka të pamundur që të bëjë me sukses një emision ku të trajtohen tema të larmishme kulturore dhe historike, përveç atyre politike. Fevziu, ndonëse shtiret sikur e shpërfill emisionin “Zonë e lirë” të Arian Çanit, ai dëshiron shumë që ta tërheqë edhe publikun e moshës së re që e përcjell shumë emisionin e Çanit. Prandaj Fevziu ka nisur të shfaqet shpesh në emisionin e Çanit, por pa harruar ta shfaqë në njëfarë mënyre shpërfilljen e tij. Në 11 maj 2012, Fevziu ishte në emisionin “Zonë e Lirë” të Çanit, dhe në momentin që Çani i bëri një pyetje për zhvillimet politike të ditës, Fevziu i tha me sytë mbi telefonin celular:
      O Çani, a ke një karikues për Blackbury?
      Këto fjalë, të thëna nga një njeri që e mban veten për aristokrat si Fevziu, kanë një kuptim krejt tjetër nga ai që do të kishin të thëna nga çdokush tjetër. Është beu që i flet kështu rajasë, nga i cili pret shërbime. Edhe nëse Fevziu ka minimumin e vetëpërmbajtjes, për të mos u shfaqur shumë aspekti prej laroje i personalitetit të tij të dyfishtë, si bejlurçinë-laro, emisioni televiziv të cilin ai drejton, e bën, në mënyrë të detyruar që të kapërcejë çdo kufi dhe të shkëlqejë si laro politik. Fevziu është ekzemplar i atyre njerëzve të cilët me mjetet e komunikimit që zotërojnë për të formësuar opinionin publik, ndërtojnë kultin e rremë të vetvetes, duke u shndërruar, veç të tjerash, në gjeneratorë të fuqishëm të injorancës masive. Blendi Fevziu ka bërë të ditur më se një herë publikisht se ai ka idhull dhe imiton gazetarin italian, Bruno Vespa dhe se emisioni “Opinion” i Fevziut në Tv Klan është ndërtuar sipas shembullit të emisionit “Porta a porta” të Vespës. Por, nuk është ekzagjerim që të thuhet, sidomos pas librit të fundit të Fevziut për Enver Hoxhën, se Fevziu ia ka arritur me sukses që të bëhet vetëm karikatura e Bruno Vespës. Pikë së pari Vespa është autor i mbi 30 librave, një pjesë e madhe e të cilëve janë studime shumë serioze mbi historinë e politikës italiane dhe mbi personalitetet që kanë bërë historinë e Italisë. Fevziu është autor i disa pak librave, nga të cilët pjesa më e madhe janë libra me intervistat që u ka marrë ai të ftuarve në emisionin e tij. Të tjerët janë, një libër i vogël me kujtime, për ngjarjet e dhjetorit 1990, një përmbledhje artikujsh që Fevziu i kishte botuar pjesërisht me pseudonim tek revista “Klan”, një romani, simptomë e brengës së Fevziut si letrar i dështuar, si dhe së fundi, e biografisë së Enver Hoxhës, ku më së shumti shfaqen simptomat e mangësive intelektuale të Fevziut.
    Nëse Fevziu do të kishte qenë vërtet një adhurues i Bruno Vespës, dhe do t’ i kishte ndjekur emisionet e tij, do të kishte mësuar diçka nga puna e drejtuesit të emisionit dhe nuk do të fliste ashtu siç flet. Blendi Fevziu e përdor aq shumë fjalën “nëse” në pyetjet e tij për të ftuarit, saqë Fevziu fare mirë mund të quhet Zotëri “Nëse”. Por “Nëse” (If) e Fevziut, nuk është “If” e Kiplingut. Kuptohet se pyetjet që fillojnë me “nëse” nuk janë pyetje analitike dhe nuk nxisin një përgjigje analitike nga ana e të ftuarit. Pyetjet që fillojnë me “nëse” tregojnë çorientimin logjik të mendjes së Fevziut. Klisheja tjetër e pëlqyer e Fevziut në emision është “Të mos e personalizojmë çështjen”. Këtë Fevziu e thotë në momentet e rralla kur ndonjë nga të ftuarit fillon edhe thotë diçka konkrete, dhe kur emisioni fillon e bëhet interesant. Me këtë Fevziu tregon se ai nuk ka asnjë interes që emisioni i tij të shkojë përtej liturgjisë abstraguese politike. Në fakt, kur Fevziu shfaqet në ekran, fytyra e tij ka një pamje mjaft shprehëse, ku duket se në ballin e Fevziut është shkruar: “Unë po ju gënjej dhe nuk shqetësohem shumë nëse ju ndërroni kanalin”.
      Gjithsesi, sa për kronikë, kohët e fundit, Fevziu sikur nuk po flet më për adhurimin e tij ndaj Bruno Vespës, dhe kjo duket se ka të bëjë me faktin që kanë dalë prova shumë serioze se Vespa është djali ilegal i Musolinit. Së fundmi është zbuluar se nëna e Bruno Vespës shërbente në hotelin në Campo Imperatore, ku Musolinin e mbajtën të internuar që prej arrestimit të tij në 25 korrik 1943, deri kur e liruan gjermanët në 12 shtator 1943. Bruno Vespa lindi në 27 maj 1944. Teorikisht, Vespa mund të jetë frut i një dashurie mes nënës së tij dhe Musolinit, në një natë gushti të vitit 1943. Në praktikë, kjo duket e besueshme për shkak të ngjashmërisë fizike evidente mes Bruno Vespës dhe Musolinit. Me sa duket Vespa po i paguan tributin adhurimit të Fevziut, i cili i solli fatkeqësi, se ja ku iu hap edhe Brunos së mjerë drama e mbiemrave të shumëfishtë, tani në pleqëri. Dinte apo nuk dinte gjë Vespa për këtë histori të nënës së tij, ai e respektoi deri në fund nënën e vet, ndryshe nga Fevziu i cili ditën që i vdiq nëna doli në televizion, në emisionin e tij, një gjë e pakuptueshme kjo për një njeri si Fevziu, që i përket një brezi të rritur me këngën për nënën, të Sherif Merdanit, të cilën për më tepër Fevziu e ka dëgjuar live, se Sherifin e ka pasur mik shtëpie, si shokun e ngushtë të babait.
      Sjellja emblematike e Fevziut në emisionin e tij është e qeshura e tij vërtet e çuditshme, të cilën nuk mund ta quaj ndryshe veçse prej prostitute. Lexuesit që e kanë dëgjuar të qeshurën e Fevziut në emision, nuk mund të thonë se po e teproj. Fevziu, kur u drejtohet teleshikuesve në emisionin e tij, ka pamjen e Figaros, në komedinë e Beaumarchais (Bomarshe), “Martesa e Figaros” në momentin kur Konti i thotë, në Aktin II, Skena XVIII:
      Edhe sikur të mos e dija të vërtetën o maskara, fytyra jote tregon se ti po gënjen![v]
      Historia e emisionit televiziv të Fevziut mund të shkruhet edhe si një komedi, me titull “Martesa e Fevzos”. Me këtë dua të them se Fevzoja si gazetar televiziv është martuar me gënjeshtrën. Kur Fevziut ia do rasti të bëjë përpjekje të posaçme për t’ u dukur i sinqertë para teleshikuesve të tij, ai arrin të marrë me sukses pamjen e dëshmitarit të rremë profesionist në sallën e gjyqit. Fevziut që flet e flet vazhdimisht, herë si moderator dhe herë si analist i ftuar, i shkon proverbi latin:
      Omnes loquaces non sunt eloquentes.[vi]
      Nëse do të lerë gjurmë për ndonjë gjë emisioni i Fevziut në historinë e medias shqiptare, ai do të lerë gjurmë për faktin se Fevziu ka paraqitur atje koleksionin e kravatave të tij, për të cilin ai ka një pasion të madh. Qëkurse Fevziu nisi ta bëjë emisionin katër herë në javë, është rritur shumë numri i kravatave që Fevziu paraqet në ekran. Fakti që emisioni i tij televiziv është katër herë në javë, nga e hëna në të enjte, nuk e pengon Fevziun në udhëtimet e tij të shpeshta jashtë vendit. Ai ka gjetur formulën magjike për të jetuar një pjesë të madhe të kohës jashtë Shqipërisë, duke u shtirur se është brenda saj. Kështu, mjafton që njëri nga katër emisionet e tij javore të jetë i regjistruar dhe jo i drejtpërdrejtë, rëndom ai i ditës së hënë ose të enjte, që ai Fevziu të jetë në gjendja të kalojë katër ditë të javës jashtë Shqipërisë. Kur do të bëjë udhëtime më të gjata se katër ditë gjatë sezonit të emisionit, Fevziu e gjen mënyrën, duke emetuar në mbrëmje “Opinion nostalgji”, pra emisione të dikurshme. Kështu mund të rrijë edhe një javë jashtë vendit. Përveç udhëtimeve të gjata në periudhën ndërmjet sezoneve të emisionit të tij në verë dhe në dimër. Kështu, në një vit, Fevziu rri 200 ditë jashtë vendit dhe 165 ditë brenda vendit. Këtu atij ia kalon vetëm opinionisti kryesor i emisionit të tij, Fatos Lubonja, i cili jeton në Itali dhe vjen në Shqipëri vetëm për të marrë pjesë në emisionin e Fevziut.
      Blendi Fevziu me emisionin e tij “Opinion” sot është bërë një kopje e keqe e Alfons Zenelit dhe emisionit që ky kishte dikur në Tv Shijak, kur PD ishte në opozitë, në vitet 1997-2005. Tv Shijaku, kanali kryesor televiziv i PD-së në kohën që ajo ishte në opozitë, nuk u bë televizioni i privilegjuar i PD në pushtet, por u shijakëzua Tv Klani. Dhe si për ta bërë më të dukshme këtë gjë, shumë nga ata që kishin qenë fytyra e Tv Shijak pro PD, shkuan tek Tv Klan, si Reiz Çiço, apo Desada Meta. Ndërsa Tv Shijak tashmë nuk ndiqet më as nga të djathtët dhe as nga të majtët, dhe ka arritur që të bëhet një televizion muzikor. Në Tv Klan tashmë mungon vetëm Alfons Zeneli që të rikrijohet stafi i dikurshëm i Tv Shijak, por mungesën e tij po e kompenson Blendi Fevziu, i cili emisionin e tij “Opinion” e ka bërë imitim të pasukseshëm të emisioneve dhe editorialeve televizive të dikurshme të Alfons Zenelit në Tv Shijak. Edhe në ëndrrat e veta më të këqija, qëndrestari Alfons Zeneli nuk do të kishte parë që vendin që ai kishte dikur tek Berisha, ta zinte Blendi Fevziu. Alfons Zeneli sot nuk hyn kur të dojë në zyrën e Berishës, dhe as në ëndërr nuk e shikon që të hajë drekë me të, ndërsa Blendi Fevziu i ka këto privilegje. Por kjo është politika. Dhe si për ta bërë ironinë edhe më të madhe, Blendi Fevziu ka marrë edhe rolin e Fahri Balliut, në raport me Tv Shijakun e dikurshëm (kur PD ishte në opozitë Fahri Balliu e kishte shndrruar gazetën e vet në version të shtypur të Tv Shijak), duke e shndrruar gazetën “Koha Jonë” në version të shtypur të Tv Klan. Vetëm në këtë pikë Blendi Fevziu ia kalon Alfons Zenelit. Me këtë Fevziu i dha një kënaqësi të madhe Doktorit, i cili kishte një traumë psikike të shkaktuar prej kësaj gazete në kohën që ishte President.
     

49.
Dy intervistat e ambasadorit amerikan, Arvizu në emisionin “Opinion” të Fevziut, në 2011

      Në prill dhe në shtator 2011 ambasadori amerikan në Shqipëri, Alexander Arvizu, ishte i ftuar në emisionin “Opionion” të Fevziut. Intervista e prillit 2011 erdhi dy javë pasiqë ambasadori amerikan pati qenë i ftuar në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, që është homologu i emisionit të Fevziut në Top Channel. Ambasadori Arvizu ishte në emisionin e Fevziut në 21 prill 2011. Derisa drejtuesi i emisionit “Top Story”, Sokol Balla ishte dhe është pranë kryetarit të PS, Edi Rama, drejtuesi i emisionit “Opinion”, Blendi Fevziu ishte dhe është pranë kryeministrit Berisha. Duke krahasuar të dy intervistat që i morën ambasadorit amerikan Balla dhe Fevziu në prill 2011 dalin të dhëna interesante. Në intervistën e 7 prillit 2011, Sokol Balla, u përqëndrua tek ngjarjet e 21 janarit, duke bërë pyetje sipas interesit të Edi Ramës. Sokol Balla kishte ngritur për ambasadorin amerikan një kurth të llojit të propagandës së zezë. Balla i tha Ambasadorit amerikan:
      Zoti ambasador, unë desha që ju të dëgjoni një deklaratë të Presidentit francez Sarkozy, gjatë një konference për shtyp, duke iu përgjigjur një pyetjeje të një korrespondenti të Top Channel.[vii]
      Pas kësaj u shfaq një insert televiziv ku tregohej sesi korrespondentja e Top Channel në Bruksel, Arta Tozaj, bëri skandal gjatë konferencës për shtyp që Presidenti Sarkozy bëri pas takimit Këshillit Europian (mbledhja e krerëve të shteteve ose qeverive të Bashkimit Europian), në mars të atij viti. Kur Presidenti Sarkozy, duke folur për ngjarjet në Siri, tha se ishte e papranueshme që të përdoret ushtria për të vrarë protestues civilë të paarmatosur,  korrespondentja e Top Channel e pyeti se a vlente deklarata e tij edhe për një vend të NATO-s, si Shqipëria, ku qenë vrarë katër demonstrues nga forcat qeveritare. Sarkozy, i cili u duk shumë i befasuar nga kjo pyetje, krejt jashtë temës së konferencës së tij për shtyp, nuk mund të përgjigjej ndryshe nga sa u përgjigj, pra se ajo që po thoshte ai, nuk ndryshonte pavarësisht nga vendi për të cilin bëhej fjalë. Pasiqë u shfaq inserti televiziv, Sokol Balla e pyeti ambasadorin amerikan:
      Zoti ambasador, a kanë demokracitë perëndimore të njëjtin vlerësim si Presidenti  francez, kur është fjala për viktimat e vrara nga plumbat e policisë?
      Ambasadori amerikan u përgjigj:
      Oh, unë pajtohem krejtësisht me ato që ai tha. Kur gjatë një demonstrate, protestuesit vriten, një një demokraci, unë mendoj se është veçanërisht traumatike. Ju jeni një studiues i historisë dhe ju e dini që në 1970 pati dy incidente të ndara, të tmerrshme, në SHBA. Në Kent State, ku anëtarët e Gardës Nacionale të Ohio qëlluan me armë dhe vranë katër studentë; dhe pak ditë më pas, unë mendoj se ndodhi pak ditë më pas, në Jackson State- atëherë ishte kolegj sot është universitet- dy demonstrues të tjerë të paarmatosur u qëlluan dhe u vranë nga autoritetet. Kështu, kjo ndodhi në SHBA. A mund ta imagjinoni ju këtë? Kjo ishte shumë traumatike për popullin amerikan. Po kështu, unë e kuptoj qartë faktin e impaktit traumatic të katër njerëzve të qëlluar me armë gjatë një demonstrate, këtu në Shqipëri.
      Kjo ishte një përgjigje diplomatike. Ambasadori e pranoi se, në princip, në një vend demokratik shteti nuk duhet të vrasë protestues, por në anën tjetër tha se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në SHBA, në një kohë jo fort largët. Sokol Balla vazhdoi me një pyetje provocative:
      Çfarë mendoni ju se ndodhi në 21 janar?
      Pyetja ishte provokative se i kërkohej ambasadorit amerikan të bënte një lloj raporti për atë që kishte ndodhur, kur ai tashmë ishte shprehur publikisht për pikëpamjen amerikane mbi atë që kishte ndodhur në 21 janar. Në vend që Balla të pyeste për detaje të deklarimeve të ambasadorit, ai kërkonte ta bënte ambasadorin që të shprehej përsëri për atë që kishte ndodhur në 21 janar, se mendonte që tashmë pas rreth tre muajsh, ambasadori do të shprehej në terma më të buta se ato të mëparshmet, të cilat nuk patën qenë të pëlqyeshme për opozitën. Ambasadori Arvizu nuk ra në këtë kurth. Në vazhdim, Sokol Balla, duke e pyetur gjithmonë për 21 janarit, bëri pyetje që e kishin përgjigjen brenda si:
      Mendoni se Garda e Republikës ka respektuar kuadrin ligjor me të cilin punon? Unë po ju ndihmoj me një fakt: asnjë nga protestuesit e vrarë ose të plagosur nuk ndodhej brenda perimetrit të selisë së Kryeministrisë.
      Sokol Balla këtu bënte një spekulim, të cilin ia kishte mësuar ndonjë jurist i rafinuar, se ai identifikonte gardhin rrethues të Kryeministrisë me konceptin ligjor të perimetrit të mbrojtjes, që nuk ka të bëjë më gardhin. Ambasadori natyrisht se u përgjigj që këto gjëra duhet të sqaroheshin nga hetimi. Edhe më pas Balla nglmoi tek 21 janari dhe ngjarjet e rrjedhura prej tij, si konflikti mes Prokurorisë së Përgjithshme me qeverinë etj. Sokol Balla i bëri ambasadorit amerikan ato pyetje që i interesonte Edi Ramës t’ ia bënte, por që nuk mund t’ ia adresonte dot drejtpërdrejt, nëpërmjet medias. Kështu që Fevziu duhet t’ i bënte ambasadorit amerikan, në intervistën me të dy javë më pas, ato pyetje që Berisha duhej t’ i bënte ambasadorit amerikan, por që nuk mund t’ ia bënte dot, drejtpërdrejt  nëpërmjet medias. Derisa Sokoll Balla e nisi emisionin duke e pyetur ambasadorin amerikan për deklaratën e Presidentit francez, Fevziu duke ia kujtuar këtë detaj ambasadorit amerikan ishte dashur t’ i thoshte se meqënëse ambasadorit amerikan i qe kërkuar nga një koleg gazetar shqiptar që të komentonte deklaratën e Presidentit francez, a mund të thoshte ai se si do të ishte përgjigjur Sarkozy, ose Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, të cilit pak kohë më parë i qe bërë një pyetje e ngjashme me këtë nga e njëjta korrespondente e Top Channel, nëse do t’ u ishte bërë pyetja e mëposhtme: Çfarë do të kishte bërë Presidenti Sarkozy, ose kryeministri i Danimarkës, nëse kryetari i opozitës franceze apo daneze, do të njoftonin një demonstratë tek selia e qeverisë, një natë para së cilës kryetari i opozitës do të deklaronte publikisht në televizion se të nesërmen kryeministri, ose mund të jepte dorëheqjen, ose do t’ i duhej të shkelte mbi kufoma për të shkuar në shtëpi, çka nuk ishte gjë tjetër veçse një ultimatum? Se pikërisht në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, në mbrëmjen e 20 janarit 2011, një ditë para demonstratës, Edi Rama kishte thënë:
      “Do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike. Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte”.
      Me deklaratën televizive të 20 janarit, Edi Rama praktikisht dha urdhrin e sulmit ndaj selisë së Këshillit të Ministrave, si dhe i dha një ultimatum kryeministrit Berisha. Berishës iu tha praktikisht, me gjuhën më të hapur të mundshme që mund të fliste kryetari i opozitës në televizor, se nëse nuk do të kishte dhënë dorëheqjen deri në momentin që do të fillonte demonstrata (“zgjidhje politike”), atëherë duhet ta mbushte vendin me kufoma që të qëndronte në selinë e Këshillit të Ministrave, se do të sulmohej, dhe për të dalë andej pastaj do t’ i duhej të shkelte në kufoma. Natyrisht se më hapur se ç’ foli, Edi Rama nuk mund t’ ia kumtonte kryeministrit këtë gjë. Fakti është se fjalët e Edi Ramës u shoqëruan me një demonstratë të dhunshme e cila pati për objekt pikërisht selinë e Këshillit të Ministrave. Në kalkulusin e Edi Ramës, sulmet e përsëritura të turmës së dhunshme do të thyenin vullnetin për qëndresë të Policisë dhe Gardës së Republikës, dhe ose ndërtesa do të binte në duart e atyre që e mësynin, ose do të kishte të vrarë. Në të dy rastet, Edi Rama dilte i fituar. Fevziu nuk bëri asgjë të tillë.
      Derisa Sokol Balla e quajti ambasadorin amerikan një njeri që u përfshi në vendimet që u morën për 21 janarin, Fevziu duhet t’ i thoshte ambasadorit se përse Prokuroria nuk iu përmbajt detyrës për të kryer hetim gjithëpërfshirës, për organizatorët dhe për vrasjet, siç iu kërkua nga SHBA dhe Europa. Fevziu duhet ta pyeste ambasadorin se përse Prokuroria ndryshoi deklaratat e saj për ngjarjen, të cilën e quajti në fillim një ngjarje tek Kryeministria dhe më pas një ngjarje në bulevard. Nga krahasimi i intervistës së Sokol Ballës me ambasadorin amerikan, në 7 prill 2011, me atë që Fevziu pati me ambasadorin amerikan dy javë më pas, në 21 prill, del se Fevziu, jo vetëm që nuk ka bërë asgjë të ngjashme me ato që bëri Sokol Balla, por bëri dhe gjëra që i interesonin Edi Ramës. Kështu Fevziu e pyeti ambasadorin amerikan:
      Ka një perceptim, ambasador Arvizu, që jo vetëm ju, por të tre ambasadorët (Fevziu e kishte fjalën për ambasadorin e Bashkimit Europian dhe atë të OSBE- K.M.), keni mbështetur qeverinë dhe keni qenë më kritikë ndaj opozitës. A është e vërtetë kjo gjë?
      Por, nëse ky ishte perceptimi i përgjithshëm në Shqipëri, çka ishte e vërtetë, atëherë kjo pyetje qe në dëm të qeverisë dhe në dobi të opozitës, se ambasadori amerikan, si diplomat që ishte, do të detyrohej ta mohonte këtë gjë. A kishte gjë më të mirë për Edi Ramën se kjo që mohimi nga ana e ambasadorit amerikan i kësaj përshtypjeje të krijuar në opinionin publik shqiptar, të ndodhte në një emision si ai i Fevziut, që perceptohej gjerësisht si proqeveritar. Intervista e Fevziut me ambasadorin Arvizu, 21 prill 2011 ishte një provë se nipi i Neki bej Starovës bën lojë të dyfishtë me PD dhe Berishën. Derisa Fevziu ka ruajtur, gjatë krejt kohës që Edi Rama nuk shkonte në emisionin e tij, një komunikim me këtë të fundit, ai nuk ka munguar që ta pyesë Edi Ramën se çfarë mendonte ai për intervistën e tij me ambasadorin amerikan. Edi Rama nuk kishte pse të ishte i pakënaqur. Në 26 shtator 2011, ambasadori amerikan Arvizu ishte përsëri i ftuar në emisionin “Opinion” të Fevziut, ose më saktë emisioni “Opinion” kësaj here u bë në rezidencën e ambasadorit amerikan, në shtëpinë e tij. Kjo pas dëshirës që shprehu Fevziu, i cili me këtë donte që të gjente një mënyrë për të shmangur temat e nxehta politike nga intervista, duke u përqëndruar kryesisht tek detaje të jetës private të ambasadorit, çka duhet të ishte temë e një emisioni me një format tjetër në Tv Klan. Siç do të rrëfej më tutje, ambasadori amerikan dëshironte që intervista të përqëndrohej tek temat e nxehta të politikës shqiptare, por ishte Fevziu që kërkonte ta shmangte këtë gjë. Duke u endur nëpër rezidencë, në shoqërinë e ambasadorit, Fevziu i bënte atij pyetje të tilla si:
      Dhe kjo është dhoma e ngrënies?[viii]
      Pasiqë ambasadori amerikan pohoi, Fevziu vazhdoi, duke numëruar karriget përreth tryezës:
      Ju mund të ulni këtu njëzetedy njerëz.
      Edhe këtë herë ambasadori Arvizu nuk mund të bënte gjë tjetër përveçse të pohonte, duke shtuar se tryeza ishte shumë komfortable. Më tutje, Fevziu pyeti:
      Zakonisht, sa dreka dhe darka zyrtare shtroni ju këtu gjatë një viti?
      Pasiqë mori përgjigje, Fevziu pyeti:
      Por a keni ju gjithmonë dreka dhe darka zyrtare brenda apo jashtë rezidencës
      Pasiqë mori përgjigje, Fevziu i bëri ambasadorit një pyetje absurde:
      A keni ju një shef kuzhine?
      Sigurisht që ambasada amerikane kishte një shef kuzhine dhe pasiqë Fevziu e mori përgjigjen, ai vazhdoi me pyetjen për stafin e shërbimit të ambasadës:
      Dhe zakonisht këta janë amerikanë apo ndërkombëtarë?
      Ambasadori u përgjigj se qenë të përzier. Duke vazhduar të mbetej tek kuzhina e ambasadës, Fevziu pyeti ambasadorin për ushqimin:
      Dhe ju vetë çfarë pëlqeni, çka preferoni, le të themi kështu?
      Pasiqë mori përgjigje, Fevziu pyeti:
      Ju e keni kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Azi. Tailandë, Kamboxhia, Japoni dhe Kore. Si do ta përcaktonit ju marrëdhënien tuaj me ushqimin?
      Ambasadori u përgjigj, ndër të tjera, se i mungonte ushqimi aziatik dhe ai meksikan. Pas kësaj Fevziu vërejti:
      Këtu në Tiranë ka një restorant ku gatuhet sushi.
      Pastaj Fevziu, duke qarkulluar nëpër rezidencë pa një televizor dhe e pyeti ambasadorin nëse ndiqte kanalet amerikane këtu në Tiranë. Ambasadori iu përgjigj dhe shtoi:
      Unë jam i sigurt se në vazhdim të intervistës do të flasim pak më tepër për rolin e SHBA në Shqipëri.
      Kështu, u bë e qartë se ambasadori ishte i pakënaqur me kursin që i kishte dhënë intervistës Fevziu. Kur Fevziu kishte kërkuar që intervista të bëhej në rezidencën e ambasadorit amerikan, ky i fundit kishte menduar se rezidenca do të ishte sfondi, por jo tema e intervistës. Në fakt, Fevziu, duke e bërë rezidencën temën qendrore të intervistës, kërkonte që të shmangte sa më tepër pjesën politike të intervistës. Asaj që tha ambasadori, Fevziu iu përgjigj:
      Dhe gjithandej nëpër botë.
      Kështu del se Fevziu donte të flitej për Afganistanin, “Pranverën Arabe”, marrëdhëniet e SHBA me Kinën, se kështu do të mbetej sa më pak kohë televizive për të folur për politikën amerikane në Shqipëri. Pra, Fevziu, qartësisht nuk donte që gjatë kësaj interviste të diskutohej për qëndrimin amerikan gjatë ngjarjeve të atij viti në Shqipëri. Ambasadori vërejti:
      Le të themi në Shqipëri, veçanërisht në Shqipëri.
      Nuk kishte dyshim se ambasadori amerikan qe i pakënaqur me mënyrën se sip o e bënte intervistën Fevziu. Në 20 shtator 2011, gjashtë ditë para intervistës me Fevziun, ambasadori Arvizu kishte qenë i ftuar në emisionin “Tonight” të Ilva Tares, në RTV Ora News, ku Arvizu kishte bërë deklarata të bujshme për ekzistencën e një celule antiamerikane në Shqipëri, të cilën nga mënyra se si u shpreh e identifikoi me rrethin e Edi Ramës. Duke qenë se deklaratat e ambasadorit amerikan për këtë çështje vazhdonin të qenë në qendër të debatit medial në Shqipëri, këtu duhet të ishte përqëndruar edhe intervista e Fevziut. Nëse Fevziu do të kishte vepruar me stilin e Sokol Ballës, ai do ta pyeste ambasadorin për raportin e celulës antiamerikane me Prokurorinë e Përgjithshme, do të thotë sa kompatibile kishin qenë veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme, me interesat e kësaj celule. Përkundrazi, mënyra se si Fevziu e pyeti ambasadorin amerikan për çështjen e celulës antiamerikane, zbuloi se Fevziu merrte urdhra nga kjo celulë. Fevziu që në pyetjen e parë e zhvlerësoi deklaratën e ambasadorit amerikan:
      Ju folët pak ditë më parë në emisionin e Ilva Tares për një celulë antiamerikane. Ai ishte serioze kjo deklaratë?
      Kështu, Fevziu në vend që ta përdorte deklaratën e ambasadorit amerikan si premisë për të bërë disa pyetje, e zhvlerësoi atë. Madje Fevziu shkoi deri atje sa ta pyeste ambasadorin amerikan nëse deklarata e tij për celulën antiamerikane dëmtonte marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë:
      A mendoni ju se, për shkakun se Shqipëria shihet si një nga vendet më proamerikane në rajon, kjo lloj kritike mund të shihet si problematike?
      Këtu, qartësisht ishte celula antiamerikane ajo që po e ironizonte ambasadorin amerikan me gojën e Fevziut. Ambasadori iu përgjigj ftohtë me frazë domethënëse reticente:
      Well, you know…
      Fevziu vazhdoi ta pyeste ambasadorin mbi celulën, në terma relativizues:
      A jeni e sigurt se ishte e organizuar dhe e drejtuar?
      Së pari, këtu të bën përshtypje fakti se Fevziu flet në kohën e shkuar për ekzistencën e celulës, a thua se ajo tashmë nuk ekzistonte më, kur ambasadori nuk kishte folur kështu. Nëse Fevziu nuk do të ishte vartës i celulës, ai nuk do ta kishte vënë në dyshim deklaratën e ambasadorit amerikan se ajo ishte e organizuar dhe e drejtuar, por do ta pyeste se deri ku qe shtrirë ajo në institucionet shqiptare. Pyetjes së Fevziut, ambasadori amerikan iu përgjigj:
      Unë nuk kam absolutisht asnjë dyshim në mendjen time.
      Në vazhdim të intervistës, Fevziu i tha ambasadorit amerikan:
      Unë nuk dua që të hyj shumë në temat politike sot, se kjo është një tjetër lloj interviste.
      Por, kur për ambasadorin amerikan nuk kishte problem që të diskutonin për politikë, dhe kur ambasadori kishte bërë një deklaratë të ashpër kundër opozitës, duke thënë praktikisht se tek ajo vepronte një celulë antiamerikane, përse e kishte problem Fevziu që të flitej për politikë në intervistë? Kush e kishte vendosur që kjo të ishte një tjetër lloj interviste, apo celula antiamerikane. Dhe në vazhdim të kësaj interviste të gjatë, Fevziu foli për politikë, por për atë në… Kore. Fevziu e pyeti ambasadorin Arvizu:
      A keni qenë ju i angazhuar në negociatat mes dy Koreve?
      Pas Koresë, Fevziu kaloi tek baysball (bejsbolli), duke e pyetur ambasadorin:
      Unë lexova në jetëshkrimin tuaj se ju jeni tifoz i DetroitTigers?
      Pasiqë Fevziu e bëri ambasadorin që të flasë gjatë për baysbollin, ai e pyeti atë se a kishte luajtur baysball. Pastaj Fevziu e pyeti ambasadorin nëse i pëlqente futbolli europian. Pastaj Fevziu e pyeti ambasadorin se sa i madh ishte stafi i ambasadës. Vetëm në fund të intervistës, Fevziu e pyeti ambasadorin për 21 janarin, por përsëri nga pikëpamja e kësaj interviste. Mes të dyve u zhvillua ky dialog kërshëror:
      Fevziu: A i keni ndjekur ju ngjarjet e 21 janarit?
      Ambasadori Arvizu: Po, shumë.
      Fevziu: Në televizion apo atje?
      Ambasadori Arvizu: Ju doni të thoni në 21 janar?
      Fevziu: Po
      Ambasadori Arvizu: Unë isha këtu, në katin e sipërm dhe po shikoja televizionin bashkë me ambasadorin Wollfarth.
      Pyetje më idiote nuk mund të gjente Fevziu. Ku tjetër mund të kishte qenë në 21 janar ambasadori amerikan përveçse në ambasadë?! Fevziu nuk e pyeti ambasadorin amerikan as për atë që po ndodhte në kohën që emetohej intervista e tyre. Me t’ u njoftuar disa ditë më parë, se ambasadori amerikan do të jepte një intervistë për emisionin “Opinion”, e cila do të emetohej të enjten, në 26 shtator 2011, Top Channel njoftoi se atë ditë në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, do të ishte i ftuar Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në një intervistë të drejtpërdrejtë, e cila u zhvillua. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, që kur ambasadori i vendit aleat më të rëndësishëm të Shqipërisë, SHBA, dilte në në mbrëmje në televizion në prime time, në një intervistë të gjatë, Presidenti, pra personi zyrtar pranë të cilit ky ambasador është akredituar, apo edhe kryeministri dhe kryetari i opozitës, të dilnin në të njëjtën orë, për një intervistë po aq të gjatë, në një televizion tjetër. Kjo nuk ishte gjë tjetër veçse një sfidë krejt e pavend. A thua u mbaruan ditët kur mund të dilte Presidenti Topi në televizor, që ai i bëri një sfidë të tillë ambasadorit amerikan Arvizu, duke dalë në emisionin e Sokol Ballës, “Top Story”, të enjte në mbrëme, në 26 shtator 2011, në të njëjtën orë që ambasadori Arvizu gjendej në emisionin “Opinion”, në Tv Klan? Nuk ishte koincidencë, se dalja e ambasadorit amerikan qe paralajmëruar prej disa ditësh. Ishte pra një sfidë e qëllimshme. Dhe kjo ndodhi vetëm pak ditë pasiqë ambasadori Arvizu foli për një celulë të organizuar antiamerikane që vepron në Tiranë, me mbështetje të huaj. Presidenti Topi nuk do t’ i shkonte kurrë në mendje që t’ ia bënte këtë sfidë ambasadorit amerikan, nëse nuk do t’ ia kërkonte dikush që ka shumë pushtet mbi të. Pyetja e natyrshme në këtë rast ishte se cili ka aq pushtet mbi Presidentin Topi saqë ta përdorë si një puppet on a string për të bërë një veprim të tillë, aq më tepër në kohën që ambasadori amerikan kishte folur për një celulë të organizuar antiamerikane në Shqipëri. Merret vesh, Celula antiamerikane qenka aq e fortë sa e sfidoi ambasadorin me anë të kryetarit të shtetit.
     Edhe për arsyen se ambasadori Arvizu ishte i pari ambasador amerikan që, pak ditë më parë në Ora News, kishte folur gjerësisht për antiamerikanizmin dhe për ekzistencën e një qendre të organizuar të tij në Tiranë, intervista tjetër e ambasadorit, ajo në Tv Klan, pritej me shumë interes. Në kohën që të gjithë shqiptarët, të majtë apo të djathtë, brenda apo jashtë vendit, qenë të interesuar që të dëgjonin se çka do të thoshte ambasadori të re, për celulën- dhe ai tha shumë për ata që dinë të kuptojnë- Presidenti Topi doli t’ u thoshte shqiptarëve: “Më shikoni e më dëgjoni mua, dhe jo ambasadorin”. A thua nuk kishte ditë tjetër Topi për t’ ju përgjigjur Berishës pas nëntë muajsh, për fjalët e bulevardit? Topi priti nëntë muaj mund të priste edhe një javë për t’ u thënë shqiptarëve se është një zotëri bulevardi, për të mos thënë që një njeri me dinjitet nuk thotë për veten se unë jam zotëri bulevardi, por ua le të tjerëve ta thonë këtë për të.
      Presidenti Topi bëri lojë të dyfishtë, ashtu që nga njëra anë iu bind urdhërit të Celulës dhe e sfidoi ambasadorin me praninë e tij televizive njëkohësisht me të, në anën tjetër deshi të shfajsohet për sjelljen e tij, kompatibile me Celulën. Presidenti Topi duket se qe prekur shumë nga fjalët e ambasadorit për celulën e organizuar antiamerikane në Tiranë dhe doli shpejt që t’ u japë përgjigje fjalëve të Berishës të nëntë muajve më parë. Me këtë Topi duket se donte që të shfajësohej për disa veprime të tij, të cilat i di ai, dhe që e implikojnë me celulën antiamerikane për të cilën foli ambasadori. Pra, Topi, deshi që t’ u thotë amerikanëve se disa veprime të tij, duhet që t’ i shohin si të ardhura nga zemërimi që i shkaktoi thënia e Berishës. Nëse Fevziu do ta kishte bërë punën e tij në stilin e  Sokol Ballës, ai do ta kishte pyetur ambasadorin se për çfarë ishte fyer Presidenti Topi. Sokol Balla, në intervistën me Topin në 26 shtator, shfaqi një pamje televizive ku kryeministri Berisha thoshte:
      Ata që flasin për ngjarje në bulevard, nuk janë gjë tjetër veçse horra dhe lavire bulevardi.
      Çfarë lidhje ka këtu Presidenti Topi? Berisha e ka fyer në këtë rast Topin vetëm nëse ky i fundit e ka quajtur atë që ndodhi në 21 janar tek kryeministria “ngjarje në bulevard”. Dhe meqënëse të gjithë e dinë se Presidenti Topi e ka thënë këtë, atëherë delse Berisha e ka quajtur Topin horr bulevardi. Kjo është arsyeja që Topi heshti atëherë kur foli Berisha, jo se ia kurseu Berishës fjalët që kishte ndërmend. Por, në rast se në 21 janar na paska ndodhur një ngjarje në bulevard, atëherë pse dreqin bëhet gjithë kjo zhurmë për 21 janarin? Se pati katër të vrarë? E jo, sipas logjikës “ngjarje në bulevard”, në 21 janar ka pasur vetëm katër qytetarë të rrëzuar në bulevard. A ia vlen gjithë kjo zhurmë për katër qytetarë të rrëzuar në bulevard? 21 janari, ose është një ngjarje në bulevard dhe nuk ia vlen të merremi me të, në krejt çka ndodhi atë ditë, ose është diçka tjetër dhe kjo logjikë vlen për të gjitha momentet e asaj që ndodhi në atë ditë. 21 janari, qartësisht nuk ishte një ngjarje në bulevard. Ambasadori Arvizu, në daljen e tij të 21 shtatorit në Ora Neës, e analizoi dhe një herë thellësisht 21 janarin në të gjithë përbërësit e tij, duke përfshirë vrasjet dhe sulmin ndaj ndërtesës së kryeministrisë. Presidentit Topi është lënduar shumë nga aludimet që bëri ambasadori se pas asaj që ndodhi në 21 janar qëndronte një celulë antiamerikane, e cila donte që më së pari të largonte nga Shqipëria, atë ambasadorin Arvizu. Prandaj, Presidenti Topi për t’ u shfajësuar komentoi fjalët e bulevardit, kinse ato e kishin errësuar gjykimin e tij. Ndoshta më vonë ish-Presidenti  Topi do të na thotë edhe se fjalët e Berishës për horrat dhe laviret e bulevardit janë thënë para 21 janarit!
      Nuk do të kishte qenë ekzagjerim nëse Fevziu do ta kishte pyetur ambasadorin se çka duhen quajtur, nën dritën e deklaratës së ambasadorit për celulën antiamerikane, ata titullarë institucionesh që e quajtën atë që ndodhi në 21 janar “ngjarje bulevardi”, nëse nuk janë “horra dhe lavire bulevardi”? Se një përcaktim u duhet bërë atyre. Pas atyre që ka thënë ambasadori për celulën antiamerikane, atyre që u ndien të fyer, u del shumë më mirë llogaria sikur të pranojnë fjalët “horra dhe lavire bulevardi”, në vend të përcaktimit tjetër që u shkon. Se bashkëpunimi për të larguar, praktikisht dhunshëm nga Shqipëria ambasadorin amerikan, duke shfrytëzuar postin e lartë zyrtar, është një veprim shumë i rëndë. Presidenti Topi e rihapi historinë e fjalëve të bulevardit, për të cilat kishte heshtur deri më tash, se e ndjeu që celula antiamerikane për të cilën foli ambasadori, kishte kompatibilitet (për të përdorur një nga fjalët e Topit) me Celulën e Bulevardit. Presidenti Topi i lexoi saktë nënkuptimet e fjalëve të ambasadorit, se 21 janari ishte mbi të gjitha një puç kundër ambasadorit amerikan, për largimin e tij nga Shqipëria, në mënyrë që të vinte një tjetër, më i pëlqyeshëm, tip Withers. Prandaj Topi u alarmua, se ai e di se çfarë ka bërë.
      Topi kërkoi që të distancohet nga Celula e Bulevardit, për të cilën e shikon se u zbulua. Topi e dinte se Ina Rama refuzoi të përgjigjej në komisionin parlamentar për 21 janarin, jo se nuk ishte në gjendje që ta mbante gjithë natën komisionin me fjalë, e ta çonte në “shtatë çezma” juridike e të mos u jepte ujë, por se duhej t’ i përgjigjej pyetjes se ku kishte qenë ajo gjatë ditës së 21 janarit, e cila ishte dite pune. E njëjta pyetje vlente dhe për Bahri Shaqirin. Të dy ata kishin shkuar në shtëpinë e Presidentit Topi atë ditë dhe atje prisnin lajmin për rënien e qeverisë. Nëse Fevziu do ta bënte intervistën në stilin e Sokol Ballës, ai do ta kishte pyetur ambasadorin se si e shikonte faktin që Edi Rama vetë, në 21 janar, udhëhoqi kolonën e demonstruesve që u nis nga thellësia e Rrugës së Elbasanit, kaloi para Ambasadës Amerikane, një sfidë e qartë për ambasadorin Arvizu kjo, dhe shkoi tek kryeministria. Praktikisht, me këtë në Shqipëri u bë e para protestë para ambasadës amerikane. Më qartë se kaq nuk kishte si ta zbulonte veten celula për të cilën foli ambasadori. Topi priste që Edi Rama me miqtë e tij në Washington dhe New York të arrinte që ta largonte ambasadorin Arvizu. Tani që kjo nuk ndodhi, Topi bëri të penduarin dhe tha se i ka bërë ato që di ai, dhe që e di se i dinë e të tjerë, thjesht se u fye nga Berisha. Por celula duket se e kontrollonte ende fort, se e urdhëroi të dilte e të sfidonte ambasadorin amerikan, me praninë e tij televizive njëkohësisht me të.


50.
Si u tradhtua skenari i parapërgatitur në intervistën e Fevziut me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, në 26 janar 2012

      Nëse Shqipëria do të kishte një shtet ligjor që funksionon, atëherë një njeri si Blendi Fevziu do të kishte shansin që të gjendej i ulur përballë Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, vetëm në rastin kur kjo e fundit do ta çmonte të nevojshme që të merrte pjesë vetë në një nga seancat hetimore, ku do të pyetej ai që duhet të ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e gjyqtarit Skerdilaid Konomi, domethënë Blendi Fevziu. Por, katër muaj e gjysëm pas vrasjes së gjyqtarit Konomi, Prokurorja e Përgjithshme u ul përballë Blendi Fevziut, për një intervistë ku u fol për gjithçka të ndodhur në 2011, që prej ngjarjeve të 21 janarit, tek videoregjistrimi “Prifti”, por jo për vrasjen e gjyqtarit Konomi. Blendi Fevziu i ulur përballë Prokurores së Përgjithshme të bënte asosacion me atë përrallën kineze ku lepuri rri përballë kobrës, i magnetizuar nga vështrimi i saj. Fevziu përballë Ina Ramës ishte një njeri ishantazhuar. Nëse kryeministri Berisha priste që Fevzoja ta kapte “mat” Ina Ramën me pyetje, ai duhet të jetë zhgënjyer se Fevzoja e nisi emisionin i kapur “mat”, çka dukej në vështrimin e Ina Ramës. Kjo e fundit kishte pamjen e një njeriu të vetëkënaqur që është i vetëdijshëm se e ka në dorë bashkëbiseduesin. Ina Rama i kishte, dhe ende i ka, të gjitha indicjet për ta thirrur Fevzon në Prokurori si të dyshuarin kryesor për vrasjen e gjyqtarit Konomi. Kufoma e karbonizuar e gjyqtarit Konomi, ishte njëjtë sikur të gjendej e shtrirë në tryezën e studios së emisionit para Ina Ramës dhe Fevziut. Prandaj Ina Rama nuk priste të papritura nga Fevziu në këtë emision, për turpin e saj gjithsesi.
      Teksa ndiqja intervistën e Fevziut me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, në 26 janar 2012, e cila u përqëndrua në ngjarjet e 21 janarit 2011, mendoja se si do të kishte shkuar kjo intervistë sikur në vend të Blendi Fevziut të kishte qenë Sokol Balla, sikur kryeministri të cilit t’ i ishte mësyrë selia e Këshillit të Ministrave nga një demonstratë e dhunshme të kishte qenë Edi Rama, sikur demonstratën e dhunshme ta kishte bërë PD dhe Berisha, sikur Prokuroria e Përgjithshme të kishte penalizuar Gardën e Republikës që mbrojti kryeministrin Edi Rama, dhe të mos kishte ndërmarrë asnjë veprim ndaj atyre që organizuan dhunën. Sigurisht se intervista do të kishte qenë krejt e ndryshme nga ajo që bëri Fevziu. Ndonëse qëkurse erdhi Berisha në pushtet, në 2005, Blendi Fevziu bënte gjithçka për ta bindur atë se është në shërbim të tij, megjithatë ai sipas traditës së gjyshit, Neki Starovës, në momentet më delikate bën lojë të dyfishtë. Shembulli më i mirë për këtë qëndrim dyfytyrësh të Fevziut është intervista e tij me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama, në 26 janar 2012, në emisionin e tij “Opinion”, në Tv Klan. Këtu nuk është fjala se Fevziu iu shmang manualit të pyetjeve që i patën ardhur nga Berisha për t’ ia bërë Ina Ramës. Fevziu i bëri ato, duke u kujdesur që për pyetjet më delikatë të thoshte se ato i kishte dhënë ky apo ai, deri edhe duke i paraqitur si dërgesa me sms, pra duke e distancuar veten nga pyetjet. Por ajo që nuk bëri Fevziu ishte që të vazhdonte të pyeste mbi bazën e përgjigjeve të Ina Ramës. Kështu që recitimi i pyetjeve nga ana e Fevziut, u shndrruar në një ritual retorik pa vlerë. Fevziu nuk e bëri këtë se ishte i paaftë të pyeste, por se nuk donte që ta bënte këtë gjë për shkak se kishte bashkëpunuar paraprakisht me Ina Ramën. Skenarin e intervistës Fevziu e pati hartuar bashkë me mikun e vet të kohës kur qenë në gazetën “Poli i Qendrës”, zëdhënësin e Ina Ramës, Plator Nesturi. Siç do të vërtetoj në vazhdim, Fevziu doli nga detyra e tij si gazetar, duke kuruar interesat e Ina Ramës, nëse do të përdor një frazë të pëlqyer të saj, gjë që tekefundit shkonte politikisht në dobi të Edi Ramës. Intervista e Fevziut me Ina Ramën erdhi në kohën kur pozita e Prokurores së Përgjithshme qe kompromentuar seriozisht për shkak se tashmë ishte bërë e qartë që në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila kishte marrë përsipër hetimet për një pjesë të ngjarjeve të 21 janarit, vrasjet, ishte krijuar dhe funksiononte një linjë e cila furnizonte me të dhëna që duhet të përbënin sekret hetimor, gazeta dhe televizione të caktuar pranë opozitës. Përveç kësaj ishte dhe fakti që Prokuroria e Përgjithshme prej një viti nuk kishte bërë asgjë për hetimin gjithëpërfshirës, pra për hetimin e organizatorëve të dhunës gjatë demonstratës, që kishin kërkuar ndërkombëtarët, si SHBA ashtu dhe Bashkimi Europian, në deklarata të përbashkëta. Në këto rrethana, Ina Rama donte të bënte një dalje publike në një televizion që shihej si pranë shumicës parlamentare, siç qe Tv Klan, ku të shprehte pikëpamjet e saj.
      Gjithashtu, kritikën ndaj mënyrës sesi Fevziu e intervistoi Ina Ramën, çka është edhe interesi kryesor për këtë intervistë në këtë libër, e kam bërë nga pikëpamja e krahasimit të atyre që tha Fevziu në intervistë, dhe atyre që ai nuk i tha, por që nuk mund të mos i mendonte, s gazetar me përvojë dhe njohës i ngjarjeve, duke dëgjuar përgjigjet e Ina Ramës. Diferenca mes atyre që Fevziu tha dhe atyre që nuk i tha, zelli i tij i tepruar në këtë emision për të treguar “injorancën” e tij në çështjet juridike deri në atë shkallë sa ç’ nuk i lejohet as një gazetari të rëndomtë që ndjek çështjet e aktualitetit politik, dhe që kanë një përmasë juridike penale në momente të caktuara, të bëjnë të dyshosh shumë. Fevziu e nisi intervistën duke i thënë Ina Ramës:
      Nuk besoj se është ndonjë stinë e mirë për intervista. Kam përshtypjen që është një situatë e tensionuar, por nganjëherë pyetjet në një situatë të tensionuar shërbejnë për të shtensionuar atë.
      Në të vërtetë ky ishte dhe qëllimi i Fevziut gjatë intervistës, ku ai më tepër se të bënte pyetje ishte i interesuar për të bërë komente shtensionuese, në dobi të Ina Ramës. Ina Rama tha:
      Është një periudhë e mirë për të dhënë ca përgjigje.
      Pra, ajo e bëri të qartë se nuk kishte ardhur për t’ ju përgjigjur aq pyetjeve të Fevziut, se sa për të replikuar me të tjerë, duke u nënkuptuar kryeministri Berisha. E pyetur për daljet e saj të rralla në media, Ina Rama u përgjigj:
      Puna e Prokurorisë ka diskrecionin e saj, ka një tis misteri, ka një tis sekreti brenda. Institucioni i sekretit hetimor është një nga institucionet e së drejtës penale.
       Në fakt ajo duhet të kishte thënë “instituti i sekretit hetimor”. Në shqipen juridike  tashmë është vendosur veçimi i dy fjalëve, “institut” dhe “institucion”, ashtu që “institut” përdoret për koncepte juridike, dhe “institucion” për entitete juridiko-shtetërore. Duke përfituar nga ky ushtrim lirik i Ina Ramës për sekretin hetimor, Fevziu gjeti rastin të bënte pyetjen e parë ndër ato që ishte porositur të bënte:
      Megjithatë kam përshtypjen se edhe Prokurorisë si shumë institucioneve të tjera i rrjedh informacioni në media aq sa nuk duhet t’ i rridhte…
      Ina Rama shpejtoi ta ndërpriste, duke treguar mosdurimin e saj natyral për të dëgjuar deri në fund pyetjen, një gjë që do të vihej re gjatë krejt emisionit:
      Jo për çështje të vullnetit të Prokurorisë.
      Fevziu shpejtoi të thoshte:
      Për ne është mirë. Jo, për ne është shumë mirë që vazhdon të rrjedhë informacioni i Prokurorisë.
      Fevziu me këtë donte të thoshte se për gazetarët është mirë që vazhdon të ketë rrjedhje informacioni. Në këtë moment u zbulua se krejt intervista ishte e trukuar, se Fevziu në vend që të bënte “Prokurorin” medial të Ina Ramës, siç duhet të ndodhte në një intervistë, në fakt bënte avokatin e saj, për çështjet më delikate. Në fakt fjala “rrjedhje” ishte shumë zbutëse dhe nuk qe termi i saktë për të përcaktuar atë që kishte ndodhur dhe vazhdonte të ndodhte. Nuk bëhej fjalë për “rrjedhje informacioni”, por për furnizim sistematik të gazetave dhe televizioneve të caktuara pranë Edi Ramës, me të dhëna të detajuara të hetimeve, që nuk mund të kenë burim tjetër veçse grupet e prokurorëve të ngarkuar për çështje të caktuara, duke përfshirë dhe atë të 21 janarit. Tashmë ishte fjala për një proces jo për “rrjedhje”. Ina Rama, duke e gjetur konvenuese fjalën “rrjedhje”, e pranoi duke iu adresuar aspektit më të gjerë të mundshëm filozofik të çështjes:
      Është problem tipikisht i shoqërive demokratike sot në botë, i shoqërive të hapura.
      Fevziu, sipas marrëveshjes paraprake me Ina Ramën,  bënte kinse e adresonte në ndonjë çështje konkrete, pastaj zbatonte strategjinë e shtensionit për ta mjegulluar problemin në interest ë Ina Ramës. Fevziu tha:
      Kemi ekspertizën e FBI që doli në shtyp para se të shkonte në gjykatë.
      Ina Rama me paturpësi që më e madhe nuk mund të bëhej, gënjeu duke thënë:
      Kanë dalë të dhëna që imagjinoheshin.
      Fevziu ia ktheu:
      Të imagjinosh dhe të citosh janë dy gjëra të ndryshme.Në shtyp kanë dalë citime.
      Për këtë, Ina Rama tha:
      Unë nuk di cilit shtyp i referoheni, cilit citim i referoheni. Thashë, ky është një shqetësim, jo më i madhi që kemi.
      A mund të besohej se Prokurorja e Përgjithshme, e cila ka një staf që punon për të, duke ndjekur ndër të tjera edhe gazetat dhe televizionet, nuk kishte dijeni për publikimin në shtyp të dokumenteve hetimore të ardhura nga SHBA, të cilët nuk i zotëronte kurrkush tjetër përveç njerëzve të Prokurorisë së Përgjithshme, deri në ato momente? Merret vesh, Prokurorja e Përgjithshme ishte bashkëfajtore në këtë “rrjedhje”, e cila nuk qe fare “rrjedhje”. Fevziu vazhdoi, duke folur për “rrjedhjet”:
      Ka qenë një shqetësim edhe i SHBA, i Ambasadës Amerikane.
      Ina Rama ia ktheu:
      Për cilën periudhë e keni fjalën?
      Këtu intervistuesi kishte detyrim ta pyeste se a mund të besohej që Prokurorja e Përgjithshme nuk i kishte ndjekur deklaratat publike të ambasadorit amerikan. Prokurorja e Përgjithshme ka një staf të madh dhe ai duhet t’ a kishte vënë në dijeni. Pak ditë pas kësaj interviste, në 1 shkurt 2012, Ambasadori amerikan Arvizu, në një intervistë me Sonila Meço, në ABC News, tha për Ina Ramën:
      Zonja Rama dhe unë kemi pasur shumë biseda, për shumë orë, gjatë vitit të kaluar. Unë mendoj se ne shpesh pajtohemi që ka raste kur ne kemi opinione paksa të ndryshme. Unë, për të përmendur një gjë, kam qenë gjithmonë paksa i bezdisur me rrjedhjet e informacionit nga zyra e Prokurorisë. Rrjedhjet në vetvete janë të mërzitshme. Por ajo çka është një shqetësim më i madh për mua, rrjedhjet mund të kompromentojnë integritetin e hetimit.Dhe unë ia bëra të njohura këto shqetësime asaj. Ajo më siguroi se pajtohej me mua.[ix]
      Kështu që Ina Rama thjesht shtirej kinse nuk ishte në dijeni për qëndrimin amerikan. Ina Rama, duke folur më tutje për “rrjedhjet” tha:
      Institucioni i dëmtuar është Prokuroria.
      Nëse Fevziu do të kishte pasur disponimin e zakonshëm që ka për t’ i ngacmuar të ftuarit, ai do të kishte thënë se ky ishte një pohim i saktë, Prokuroria e Përgjithshme si institucion ishte vërtet i dëmtuar nga “rrjedhjet”, por çështja ishte se kur “rrjedhjet”shndërroheshin në proces krijohej përshtypja se zyrtarëve të institucionit nuk u bëhej vonë për dëmtimin e tij. Ina Rama tha më tutje:
      Është një problem i vështirë të identifikosh personin që nxjerr informacionin. Është një problem edhe për SHBA. Para ca kohësh mua më kujtohet që një gazetare u burgos për gati gjashtë muaj se “New York Times” nxorri emrin e një ish-agjenteje të CIA-s, e bëri publike, u burgos për të zbuluar burimin e informacionit dhe kjo nuk pati rezultat. Dhe kjo u konsiderua një masë shumë represive nga ana e shtetit.
      Këtu Fevziu nuk mund të mos e pyeste se si shpjegohej që Prokurorja e Përgjithshme na qenkësh e informuar për shtypin amerikan dhe jo për atë shqiptar. Fevziu, duke e paraqitur atë daljen e informacioneve të rezervuara si “rrjedhje”, i dha mundësi Ina Ramës të kërcente në Amerikë për të gjetur shembuj të tillë, të cilët qenë raste klasike rrjedhjeje, por që nuk kishin të bënte me atë që po ndodhte në Shqipëri. Fevziu tha vetëm:
      Kam përshtypjen se kjo është një rrjedhje në nivele shumë të larta. 
      Ina Rama vazhdoi duke iu përgjigjur asaj që Fevziu kishte thënë më parë:
      Jam shumë dakord me ty se ky është një problem i madh, është shqetësues, por është shumë vështirë për ta gjetur se kush e bën këtë gjë.
      Këtu Fevziu duhet t’ i kishte thënë se një prej zyrtarëve të lartë të Prokurorisë së Përgjithshme të cilët qenë përgjegjës për këto “rrjedhje”, u kap në flagrancë pikërisht në emisionin e Fevziut, në 19 mars 2009. Fatmir Mediu, i pranishëm në emisionin e Fevziut në 19 mars 2009, arriti të zbulonte se pyetjet që i bënin atij gazetarët e pranishëm duke lexuar në ekranin e telefonave të tyre, qenë sms që atyre ua dërgonte mumri 2 i Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani. Stojani, duke ndjekur emisionin dhe posaçërisht thëniet e Mediut për çështjen “Gërdeci”, u dërgoi dhjetëra  sms gazetarëve të pranishëm në emision, të cilët i udhëzonte për pyetjet që duhet t’ i bënin Mediut. Mediu bëri kallzim penal ndaj Stojanit, por ky nuk u mor parasysh, dhe as që u bënë hetime nëse qenë dërguar ose jo këto sms në kohën e emisionit. Kjo tregon se “rrjedhjet” janë një strategji praktikisht zyrtare e ekipit që drejton Prokurorinë e Përgjithshme, për t’ i përdorur politikisht çështjet penale. Unë kam bindjen se fakti që Mediu arriti t’ i kapte drejtuesit e Prokurorisë së Përgjthshme në flagrancë duke kryer këtë vepër penale, ndikoi që Mediu të shpëtonte ashtu si shpëtoi nga ajo që ndodhi në Gërdec. Në vend që t’ i thoshte diçka nga këto, Fevziu thjesht plotësoi fjalinë e Ina Ramës:
      Për ta gjetur se ku rrjedh, dhe për fatin tonë rrjedh, flas të ne gazetarëve.
      Kjo që tha Fevziu ishte një gënjeshtër e madhe e për më tepër një absurditet i madh. “Rrjedhjet”nga Prokuroria ndodhnin në dobi të gazetarëve të caktuar, të gazetave dhe të televizioneve të caktuara, dhe jo për të gjithë gazetarët. Fevziu po fliste sikur të ishte këshilltari për median i Ina Ramës, i pranishëm në emision, dhe jo intervistues i saj. Ina Rama (duke u përkëdhelur si kotele), tha:
      Edhe ju nuk jeni fare bashkëpunues në këtë, flas për ju gazetarët, më duhet ta shtoj këtë gjë.
      Kështu dilte se Ina Rama priste që gazetarët që kishin përfituar informacionet e rezervuara të shkonin tek ajo dhe t’ i tregonin se cilët qenë ata prokurorë që ua patën dhënë ato?! Kështu, Ina Rama i bëri gazetarët bashkëfajtorë për “rrjedhjet”nga Prokuroria. Me këtë intervista u shndërrua në komedi. Fevziu ia ktheu:
      Gazetari nuk i tregon kurrë burimet e informacionit.
      Nga mënyra se si po fliste Fevziu, tashmë dukej sikur Ina Rama ishte duke u intervistuar nga ndonjë prej gazetarëve të cilët kishin përfituar më së shumti nga “rrjedhjet”e informacionit prej Prokurorisë së Përgjithshme. Fevziu u vu kështu në anën e atyre gazetarëve të cilët merrnin informacione të rezervuara nga Prokuroria e Përgjithshme për t’ i përdorur politikisht. Këtu nuk mund të bëhej fjalë për solidaritet profesional, se nuk ishte fjala për gazetarë të cilët arrinin të “peshkonin” ndonjë informacione të rezervuar aty-këtu, por për gazetarë të caktuar që furnizoheshin sistematikisht me informacione të rezervuara në një proces të vërtetë, një konspiracion të kundërligjshëm. Ina Rama vazhdoi, duke e zgjeruar tezën e fajësisë së gazetarëve:
      Po, por flasim për ruajtjen e institucioneve dhe një hetim të plotë, të gjithanshëm. Jemi në shërbim të drejtësisë të gjithë bashkë.
      Zonja Prokurore e Përgjithshme po tallej me institucionin që drejtonte dhe duhej t’ i ishte mirënjohese Fevziut që poi a jepte mundësinë që ta bënte këtë gjë. Adhuruesi i romanit “Komedianët” të Graham Greene, nuk mund të mos ishte i vetëdijshëm se në ato momente ai, moderatori i emisionit të parë televiziv politik në vend, siç e quante veten pa të drejtë, dhe drejtuesja e institucionit të akuzës publike, po shfaqnin publikisht një talent prej komedianësh. Fevziu ia ktheu:
      Institucionet duhet t’ i ruajnë vetë informacionet.
      Kështu siç fliste Fevziu, dilte sikur qenë gazetarët ata që arrinin t’ i shkëpusnin informacionet e rezervuara prej Prokurorisë së Përgjithshme. Më tutje, gjatë intervistës, Ina Rama, e pyetur për arsyet se përse kërkoi ndihmën amerikane për hetimet e 21 janarit, pasiqë tha se asistenca amerikane u kërkua për tre aspekte të hetimit, për ekspertizën e armëve të Gardës së Republikës, pastrimin e pamjeve filmike dhe serverin e Kryeministrisë, shtoi:
      Por se në të tre këto raste ishin të involvuar persona që kishin lidhje me pushtetin dhe laboratori është në varësi të Ministrisë së Brendshme, pra i gjithë procesi do të paragjykohej dhe nuk do të ishte kredibël, sepse aktorët që do të merrnin përsipër të jepnin përgjigjen do të ishin në varësi të ministrit që është pjesë e hetimit të çështjes. Ky është kredibiliteti, jo i Prokurorisë.
      Me këtë Ina Rama tregoi se, ndonëse ka titullin e magjistrates, i mungojnë konceptet minimale të së drejtës publike, duke qenë se në mendjen e saj ekziston një ndarje e çuditshme mes “pushtetit” dhe “shtetit”, ku qeveria, pjesë e së cilës është Ministria e Punëve të Brendshme na qenka “pushteti”, ndërsa “shteti” na qenka një gjë tjetër. Në shtet, sipas kësaj logjike, bëjnë pjesë vetëm Prokuroria, Gjykatat, SHISH. Sipas kësaj logjike, “pushteti” është ai që ka lidhje me politikën, partitë, ndërsa “shteti” janë institucionet që është bërë zakon të quhen të pavarura, ndonëse ky term nuk ekziston në Kushtetutë. E vërteta, të cilën e di çdo jurist serioz është se qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme si pjesë e saj, janë pjesë e shtetit, madje pjesë e rëndësishme e tij. Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme quhen “pushtet”kur kqyren nga pikëpamja e ndarjes së sektorëve të shtetit, gjegjësisht: pushteti legjislativ, ekzekutiv, gjyqësor. Fakti që koncepti i gabuar i mësipërm, i ekzistencës së dy entiteteve, që janë pushteti dhe shteti ndeshet tek disa gazetarë në televizionet apo gazetat shqiptare, është simptomë e mungesës së njohurive bazike tek ta. Por fakti që ky koncept është edhe në mendjen e Prokurores së Përgjithshme, një ish-gjyqtare me titull magjistrate, është simptomë shumë alarmuese e frymës sharlatanore që sundon në shkollat tona juridike, deri në ato të specializuara. Fevziu, me përvojën që ka si gazetar politik dhe leximet që ka bërë nuk mund të mos e dinte se ndarja mes pushtetit dhe shtetit është një gafë e madhe, e megjithatë nuk u habit fare kur e dëgjoi këtë gjë nga Prokurorja e Përgjithshme dhe nuk e pyeti se ç’ kuptim kishte kjo.
      Ashtu siç nuk u habit Fevziu edhe kur dëgjoi Ina Ramën të thotë, siç e citova më lart, se Ministri i Punëve të Brendshme i kohës kishte qenë pjesë e hetimit, kur ai kishte imunitet si deputet, dhe që të hetohej duhej të kërkohej më parë heqja e imunitetit parlamentar. Kaq gjë Fevziu duhet ta dinte, por ai bëri sikur nuk e dinte, se kështu ia kërkonte strategjia e shtensionimit, pra që të bënte kinse nuk i vinte re fjalët vetëkompromentuese që nuk pushonte se thëni Ina Rama. Në vend që të përdorte “armët” që Ina Rama ia ofronte vazhdimisht kundër vetvetes, Fevziu i tha duke e marrë të mirëqenë ndarjen “pushtet”-“shtet”:
      Meqënëse thatë se këta persona kishin lidhje me pushtetin dhe laboratori varej nga pushteti, po ju bëj një kundërpyetje…
      Ina Rama, duke treguar mungesë sensi etik, ia ktheu:
      Hëëë
      Një “Hë”e zgjatur, të cilën nuk mund ta thotë një njeri i civilizuar në asnjë lloj bisede. Fevziu vazhdoi:
      Pse nuk ndoqët të njëjtën logjikë dhe për organizatorët e protestës, dhe ia latë Policisë që ishte palë në këtë rast. Përse nuk u mor Prokuroria e Përgjithshme dhe me organizatorët e protestës?
      Ina Rama e korrigjoi:
      Prokuroria e Tiranës, jo e Përgjithshme në këtë rast.
      Fevziu e pranoi korrigjimin dhe kërkoi ndjesë:
      Më fal, e Tiranës, të thashë që me termat mund të kem difekte.
      Por në këtë pikë qëndronte problemi më i rëndësishëm me hetimet e 21 janarit. Pse Prokuroria e Përgjithshme nuk merrej paralelisht me hetimin e vrasjeve dhe të organizimit të një sulmi të dhunshëm ndaj institucionit të Këshillit të Ministrave, çka siç ishte dhe kërkesa e ndërkombëtarëve për hetim gjithpërfshirës. Prokuroria e Përgjithshme kishte marrë përsipër vetëm hetimin e vrasjeve, duke ia lënë aspektet e tjera të ngjarjeve të 21 janarit Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila nga ana e saj ia kishte lënë në derë Policisë së Shtetit. Nëse Fevziu do ta bënte intervistën me Ina Ramën në stilin që e kishte bërë kolegu i tij Sokol Balla, kur e kishte pasur Ina Ramën të ftuar në emisionin e tij “Top Story” (atje Ina Rama pati dhënë intervistën e parë të gjatë si Prokurore e Përgjithshme), atëherë ai do të duhej t’ i kishte thënë asaj se ajo praktikisht po i bënte hetimet ashtu siç kishte kërkuar publikisht lideri i opozitës Edi Rama, që në mbrëmjen e 21 janarit. Kryeministri Berisha dhe kryetari i opozitës Edi Rama, që në mbrëmjen e 21 janarit, kishin shprehur publikisht pikëpamje të ndryshme për atë sesi duhet të hetohej ajo që kishte ndodhur në 21 janar. Derisa Berisha kërkonte që hetimi të përqëndrohej tek ai që e quante “grusht shteti”, Edi Rama kërkonte që hetimi të përqëndrohej tek vrasjet. Prokurorja e Përgjithshme, qartësisht pati zgjedhur pikëpamjen e Edi Ramës. Natyrisht se Prokurorja e Përgjithshme nuk duhej të zgjidhte pikëpamjen e kryetarit të qeverisë, por ajo që kishte detyrim ishte që të bënte një hetim të dyfishtë, aq më tepër që vrasjet nuk i kishin paraprirë demonstratës së dhunshme, por e kundërta. Fevziu, në vend që të kërkonte falje për mosnjohjen e termave juridike, duhet të pyeste për shkakun e kësaj asimetrie në hetimin e ngjarjeve të 21 janarit.
      Një nga preokupimet e Ina Ramës gjatë intervistës ishte që të shpjegonte dhe justifikonte mënyrën se si Prokuroria nisi hetimet për ngjarjet e 21 janarit. Si juriste, Ina Rama e kuptonte shumë mirë se ku qëndronte problemi me mënyrën se si kishin vepruar prokurorët që në pikënisje të hetimeve për ngjarjet e 21 janarit. Djalli qëndron në detajet,  thotë një proverb. Dhe Ina Rama u përpoq të fshihte pikërisht detajin që zbulonte djallëzinë kur tha për nisjen e hetimit kryesisht nga ana e Prokurorisë vetëm për vrasjet, çka solli edhe urdhër-ndalimet për oficerët e Gardës  pas pak orësh:
      Jemi në 21 janar dhe konstatojmë disa ngjarje që kanë një produkt kriminal. E para dhe më e rënda…
      Fevziu ndërhyn:
      … janë vrasjet
      Ina Rama dhe Fevziu qartësisht qenë marrë vesh paraprakisht që fjalinë e saj ta plotësonte Fevziu. Kështu ajo bëhej më bindëse. Se kishte diçka që nuk shkonte në arsyetimin e saj, nga pikëpamja e tërësisë së ngjarjeve të 21 janarit, dhe ajo qe e vetëdijshme për këtë. Prokuroria e Përgjithshme praktikisht e pati përmbysur kronologjinë e ngjarjeve, duke i paraqitur gjërat sikur vrasjet kishin ndodhur para akteve të dhunës kundër selisë së Këshillit të Ministrave. Ishte e qartë që Prokuroria i kishte quajtur vrasjet produktin më të rëndë kriminal të ngjarjeve që në mbrëmjen e 21 janarit, para se të bënte analizën e ngjarjeve, nga pikëpamja juridiko-penale, çka do të kishte qenë e justifikuar gjithsesi nëse demonstruesit do të qenë qëlluar me armë dhe pastaj do të bënin akte dhune ndaj selisë së Këshillit të Ministrave. Nëse Fevziu do ta kishte bërë intervistën në stilin e Sokol Ballës, atëherë ai do t’ i thoshte Ina Ramës, se kjo që thoshte ajo ishte e natyrshme kur vrasjet i paraprinin demonstratës së dhunshme, por jo kur patën ndodhur afër përfundimit të saj. Këtu nuk po merrej vesh nëse Fevziu po e intervistonte Ina Ramën apo po bënte zëdhënësin e saj. Duke qenë se djalli qëndron në detajet, Fevziu duhet ta pyeste se si i konstatoi atë natë Prokuroria ngjarjet për të cilat fliste kryeprokurorja, dhe çfarë produkti kriminal u pa në ato momente. Se, praktikisht Ina Rama po thoshte që Prokuroria kishte filluar një çështje penale kryesisht për vrasjet, para se atë t’ ia referonte Policia, siç është praktika e rëndomtë. Atëherë dilte se Prokurorët kishin ardhur në dijeni për “ngjarjet” si teleshikues, nëpërmjet pamjeve televizive. Ata pra patën ardhur në dijeni të krejt “produktit kriminal” të ngjarjeve të 21 janarit, por patën përzgjedhur vetëm vrasjet për të hetuar. Problemi më i madh këtu qëndronte se Prokurorët jo vetëm vendosën të merren vetëm me vrasjet, por u sollën sikur ato të qenë i vetmi “produkt kriminal” i 21 janarit. Vrasjet sigurisht qenë një gjë e rëndë, por ashtu siç fliste Ina Rama, dilte se Prokurorët qenë sjellë njëlloj sikur të kishte parë vetëm katër të vrarë të shtrirë në bulevard dhe asgjë nga ajo që ndodhi para.
      Nëse Fevziu do të bënte jo më “Sokol Ballën”, por intervistuesin e paanshëm, që nuk bënte lojën e Ina Ramës, ai do ta pyeste atë se vrasjet u quajtën produkti më i rëndë kriminal i ngjarjeve a priori, apo pas një analize të asaj që kishte ndodhur. Se vrasjet nuk mund të quheshin produkti më i rëndë kriminal në rastin kur nga analiza e ngjarjeve do të dilte se të vrarët qenë pjesë e një turme e cila kishte ndërmarrë një sulm ndaj selisë së qeverisë, pas një urdhëri sulmi dhe një ultimatumi që kishte dhënë publikisht në televizion kryetari i opozitës, një ditë para ngjarjeve, në 20 janar. Në vend që të bënte këtë, Fevziu thjesht i parapriu mendimit të Ina Ramës, në mënyrën që thashë më lart, duke plotësuar fjalinë e saj. Duke mirëpritur pohimin e Fevziut, Ina Rama vazhdoi, tashmë duke e paraqitur atë që kishte dashur të thoshte si pohim të fjalëve të Fevziut:
      Janë vrasjet, sepse kemi një personalitet, jeta e njeriut është më e rëndësishme dhe mbrohet në mënyrën më të fortë.
      Nëse Fevziu do ta kishte bërë intervistën në stilin e Sokol Ballës, ai do t’ i kishte përdorur fjalët e Ina Ramës kundër saj, duke dhënë një version tjetër:
      Jemi në 21 janar dhe konstatojmë disa ngjarje që kanë një produkt kriminal. E para kronologjikisht dhe që solli solli si pasojë vrasjet është se pati një demonstratë të dhunshme, të përqëndruar tek selia e Këshillit të Ministrave, që precipitoi në sulme kundër forcave të sigurisë që mbronin selinë e Këshillit të Ministrave, duke pasur si synim të qartë thyerjen e vullnetit  për qëndresë të forcave të Policisë dhe Gardës që ruanin selinë e Këshillit të Ministrave. Ky produkt kriminal nuk ishte spontan se një ditë para kryetari i opozitës paralajmëroi në televizion se demonstrata do ishte e dhunshme dhe madje i adresoi kryeministrit një ultimatum, ku i bënte të qartë se të nesërmen, ose duhet të jepte dorëheqjen, ose duhet të vriste njerëz për t’ u mbrojtur nga sulmet e turmës, për të cilën u tha paraprakisht se do të dilte jashtë kontrollit. Por a nuk kishte një lidhje shkak-pasojë të drejtpërdrejtë mes deklaratës së Edi Ramës në 20 janar dhe daljes “jashtë kontrollit” të demonstratës?Pastaj erdhi produkti kriminal tjetër, që janë vrasjet, dhe që ndodhën pas përpjekjeve të përsëritura për të thyer qëndresën e forcave të sigurisë tek selia e Këshillit të Ministrave.
      Fakti që Prokuroria i veçoi vrasjet nga ngjarja në përgjithësi, bëri që të mos dalë as e vërteta e vrasjeve. Se kur Prokuroria e Përgjithshme dërgoi në gjykatë dosjen për vrasjet e 21 janarit doli se ajo fajësonte për vrasjet dy persona, për asnjërin nga të cilët nuk tha se kishte vepruar me urdhër. Për dy të vrarë fajësoi një oficer garde, dhe për një të vrarë tjetër, ish-komandantin e Gardës, si ekzekutor. A ishte kjo e vërteta e vrasjeve? Përse duhej që një oficer i Gardës i cili doli se kishte hyrë në shërbim në kohën kur PS ishte në pushtet, të vriste dy demonstrues të majtë, pa e urdhëruar askush nga lart? Që nuk e ka urdhëruar askush kjo është e sigurt, se nëse kryeministri Berisha dhe Ministri i Brendshëm i kohës, Lulzim Basha, do të donin të vrisnin, do ta kishin bërë këtë gjë në momentin që një grup protestuesish hynë në oborrin e Kryeministrisë, pasiqë u shpërthye dera, dhe atëherë vrasjet do të qenë të legjitimuara, siç e pohoi në njëfarë mënyre edhe Ina Rama në vazhdim të intervistës. Kështu që është e sigurt se të dy gardistët kanë qëlluar në drejtim të njerëzve për shkak të ngarkesës me emocione negative, që patën gase u gjendën nën agresion të vazhdueshëm me gurë, sende të tjera të forta, bomba artizanale zjarrvënëse etj. Kjo bëri që një oficer Garde që doli se ishte një njeri që jetonte varfërisht, që e kishte gruan të papunë, pra një punonjës i ndershëm i shtetit, të qëllonte dhe të vriste dy njerëz, sipas Prokurorisë. Ky gardist të cilin Prokuroria e shpalli vrasës ishte viktimë se ndaj tij u zbatua një strategji e tensionit për ta bërë të humbte vetëkontrollin, një strategji e cila njihet mirë në manualet e guerriljes urbane dhe që këtë herë nuk u zbatuan nga një organizatë ekstremiste antiglobaliste, siç ndodh rëndom në qytetet perëndimore, por nga një parti e madhe e cila pret të vijë në pushtet, dhe kryetari i së cilës pritet të bëhet kryeministër. Në vend që Fevziu t’ i kapte një pjesë të këtyre çështjeve, ai thjesht shtoi pas fjalëve të Ina Ramës, se produkti më i rëndë kriminal qenë vrasjet:
      Padyshim
      Dhe këtu praktikisht përfundoi intervista e Fevziut me Ina Ramën, se gjërat e tjera që u thanë pas këtyre nuk kishin më vlerë. Së paku Fevziu këtu duhet të shtonte edhe një “por”, fakti që disa prokurorë do të merreshin me vrasjet nuk do të thoshte se të tjerët nuk duhet të merreshin me veprat e tjera penale që kishin ndodhur gjatë ngjarjeve, se në 21 janar u shkelën dhe ligje që mbrojnë në mënyrë të posaçme institucionet, si dhe paprekshmërinë e punonjësve të caktuar shtetërore. Kështu në Ligjin për Gardën e Republikës, neni 20 thotë se:
      Punonjësi i Gardës së Republikës në shërbim ose për shkak të shërbimit është i paprekshëm.
      Për gjërat e tjera që ndodhën në 21 janar para vrasjeve, Ina Rama tha:
      Përveç atyre skenave të tjera që ne pamë, që u shkatërruan me gurë, që u dogjën mjete, që u goditën.
      Këtu të bën përshtypje fakti se Prokurorja e Përgjithshme i artikulon mendimet e saj si shitëse misrash të pjekur në bulevard. Kjo nuk është gjuhë e një juristeje, dhe siç doli më tutje gjatë intervistës, kjo ndodh edhe për shkak se ajo nuk dëshiron në asnjë mënyrë të bëjë hetim gjithëpërfshirës. Në këtë pikë Fevziu ndërhyri:
      Që i quajtët “ngjarje në bulevard”.
      Ina Rama këtu u irritua dhe tha duke e ngritur tonin:
      Por sepse ai është vendi i ngjarjes, dhe ai është termi ligjor.
      Nëse Fevziu do të kishte bërë detyrën si gazetar, ai do ta ballafaqonte Ina Ramën me deklaratat e ndryshme të Prokurorisë për këtë çështje. Në njoftimin që dha Prokuroria në 21 janar 2011, thuhet për vendngjarjen:
      Pas ngjarjeve në protestën e zhvilluar sot, më dt. 21. 01. 2011, në mjediset para Kryeministrisë, çka solli si pasojë dhe vdekjen e tre shtetasve, Prokuroria Shqiptare njofton se është ngritur një grup hetimor i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili është angazhuar me kryerjen e veprimeve të menjëhershme hetimore.[x]
      Edhe këtu si vepër penale përmenden vetëm vrasjet, por megjithatë thuhet se vendngjarja është “në mjediset para Kryeministrisë”. Por, po në 21 janar 2011 doli një “Deklaratë e Presidentit të Republikës lidhur me situatën në vend”, ku thuhej për vendngjarjen:
      Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi po ndjek me shqetësim të jashtëzakonshëm situatën e krijuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.[xi]
      Pas kësaj, ndryshoi dhe pikëpamja e Prokurorisë për vendngjarjen duke u pajtuar me atë të Presidentit Topi. Në konferencën për shtyp që Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dha katër ditë më pas, në 25 janar 2011, ajo tha për vendngjarjen:
      Siç jeni në dijeni, lidhur me ngjarjen e ndodhur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në datën 21 janar…[xii]
      Siç shihet, Prokuroria e Përgjithshme kishte adoptuar versionin e Bamir Topit për vendngjarjen. “Ngjarje në bulevard” nuk qe termi ligjor, por termi i Bamir Topit. Në 23 janar 2012, në Konferencën e përbashkët për shtyp e Prokurores së Përgjitshme, Ina Rama me ambasadorin amerikan, Arvizu, ajo e ndryshoi përsëri vendngjarjen duke u kthyer në versionin e parë:
      Në vijim të hetimeve që lidhjen me protestën e zhvilluar përpara Kryeministrisë më datën 21 janar…
      Në vend që ta pyeste Ina Ramën për ndryshimin në përcaktimin e vendngjarjes, Fevziu e pyeti:
      Jo sulm ndaj Këshillit të Ministrave?
      Ina Rama, duke mbrojtur fort konceptin“ngjarje në bulevard”, iu përgjigj:
      Nëse unë do të them se ku ndodh ajo ngjarje, do të them në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Nuk mund të them se ndodhi pranë godinës së Kryeministrisë. Ajo është rruga. Nëqoftëse them që u vra një person në Rrugën “Ali Demi” do të them rrugën, është elementi i parë që identifikon vendin e ngjarjes, është term ligjor, edhe me të vërtetë më është duke e pashpjegueshme pse duhet të lidheshe kaq shumë pas këtij termi, por pak rëndësi ka kjo, unë po them pse e kemi thënë “bulevardi”, e kemi thënë sepse në bulevard ndodhi ngjarja. Dhe për ne si prokurorë nëse do të përshkruajmë vendin e ngjarjes do të themi “Ndodhi një ngjarje në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit”, jo në Bulevardin “Zogu I”. Më kupton kush është…
      Të gjitha këto arsyetime do të bëheshin pluhur nëse Fevziu do ta ballafaqonte Ina Ramën me dy konceptet e ndryshme që kishte dhënë ajo dhe me indeksimin e jurisprudencës së saj për vendngjarjen ndaj deklaratës presidenciale. Derisa Fevziu nuk e bëri këtë gjë, Ina Rama mund të vazhdonte lirisht të fliste për bulevardin. Fevziu e ndërpreu:
      Por edhe në selinë e Këshillit të Ministrave.
      Ina Rama ia ktheu:
      Ajo është rruga. Pastaj buzë kësaj rruge është selia, mund të thoshim pranë selisë, përballë Kryesisë së Kuvendit Popullor, ku di unë, në krah të “Rognerit”, por rruga është ajo, vendi i ngjarjes.
      Përsëri vlen shprehja se djalli qëndron në detajet. Ina Rama me këtë mënyrë të foluri po pohonte se Prokuroria kishte pasur parasysh vetëm vrasjet kur kishte bërë deklaratën për “ngjarjet në bulevard” dhe jo gjërat e tjera që kishin ndodhur atë ditë.  Përcaktimi i vendngjarjes në tërësi është një gjë, dhe përcaktimi i vendit të vrasjeve është një gjë tjetër. Prokuroria e Përgjithshme foli për “ngjarjet” (në shumës), në bulevard. Kjo e përjashtonte çdo lidhje të ngjarjeve me selinë e qeverisë. Ndonëse Ina Rama foli gjatë emisionit për Kryeministrinë, adresën e ngjarjeve e vuri në bulevard! Prokurorja e Përgjithshme po fliste sikur nuk kisht pasur një turmë, e cila kishte synuar selinë e Këshillit të Ministrave. Gjëja tjetër që të bën përshtypje në fjalët e cituara më lart të Ina Ramës është se ajo përdor togfjalëshin “Kuvendi Popullor”, çka tingëllon e çuditshme në gojën e një juristeje të re, e cila duhet të ishte mësuar me termat e reja. Fevziu i tha në vazhdim:
      Edhe Presidenti prandaj e quajti “ngjarje në bulevard”, se niset me rrugën? Si hetuesit e Prokurorët?
      Ina Rama iu përgjigj:
      Këtë nuk mund të ma bësh pyetje mua, më vjen keq.
      Por pikërisht asaj i duhej bërë kjo pyetje, se ndryshimi në deklarimin e Prokurorisë erdhi pas deklaratës së Presidentit, siç e kam treguar më lart. Por Fevziu i tha vetëm:
      Më fal, ishte shaka, vazhdoni.
      Në vijim të intervistës, Fevziu e pyeti:
      Zonja Rama, a mendoni ju që një grup i këtyre protestuesve, siç deklaroi ambasadori amerikan 48 orë pas 21 janarit, ishte me një agjendë të përcaktuar?
      Pyetja ishte ndërtuar qëllimisht gabim. Duhej:
      Meqënëse punoni me asistencë amerikane dhe keni dalë në dy konferenca për media në krah të ambasadorit amerikan, për hetimet e 21 janarit, si i çmoni hetimet tuaja të deritanishme nën dritën e kësaj deklarate të ambasadorit amerikan?
      Ina Rama iu përgjigj pyetjes së Fevziut:
      Unë them që ky do të ishte një opinion për një tryezë politike. Mua nuk më takon ta mendoj…
      Këtu Fevziu, i cili i pëlqen aq shumë pyetjet me “nëse”, duhet ta kishte pyetur se nëse ambasadori bënte deklarata që vlenin për tryeza politike, atëherë përse Ina Rama doli në dy konferenca për shtyp, për ngjarjet e 21 janarit, në krah të ambasadorit? Kështu, Ina Rama praktikisht u tall me ambasadorin në krah të të cilit ka dalë në dy konferenca për median mbi këtë çështje. Fevziu i tha:
      Por ju duhet ta hetoni.
      Ina Rama ia ktheu:
      Mua më takon të dyshoj, më takon të hetoj, të ngre akuzat, por jo të mendoj, dhe të them mendimet e mia sepse vi dhe flas si Prokurore dhe jo si një qytetar, apo si një analiste.
      Kështu dilte se ambasadori amerikan kishte folur si një qytetar apo si analist i medias! Atëherë përse Ina Rama kishte dalë në dy konferenca për shtyp me të, për çështjen e hetimeve të 21 janarit? Këtë pyetje duhet t’ ja kishte bërë Fevziu. Përveç kësaj, nuk e konstatoi ajo dhe grupi hetimor nga pamjet filmike se kishte një grup me një agjendë tjetër, të dhunshme, në demonstrarë? Fevziu i tha:
      Por kur ka një deklaratë të tillë, ju nuk dyshoni që realisht një grup mund të ishte me një agjendë të ndryshme nga ajo…
      Ina Rama e ndërpreu:
      Ne jo vetëm dyshojmë, ne kemi një çështje që po e hetojmë. Ne që në fillim kemi regjistruar organizimin e një tubimi të paligjshëm.
      Por, organizimi i një tubimi të paligjshëm ishte një çështje tjetër, dhe nuk kishte lidhje me deklaratën e ambasadorit amerikan për grupin me agjendë të ndryshme. Ina Rama e kuptonte mirë dallimin si juriste. Në një intervistë për Sonila Meçon, në ABC News, pesë ditë pas intervistës së Ina Ramës me Blendi Fevziun, ambasadori amerikan Arvizu foli për bisedat e tij me Berishën për 21 janarin:
      Tani unë do të jem shumë i ndershëm, unë kam pasur shumë biseda me kryeministrin për këtë çështje. Unë mendoj se kryeministri është shumë i frusturuar madje i zemëruar, me mënyrën sesi disa çështje janë shtjelluar në hetimet. Dhe përsëri, duke qenë shumë i ndershëm, unë i simpatizoj shumë nga ndjenjat e tij. Fakti që demonstrata ishte planifikuar të ishte e dhunshme, që ndërtesa e Këshillit të Ministrave u sulmua fizikisht nga kjo turmë.[xiii]
      Kështu, ambasadori amerikan përsëriti në mënyrë të përmbledhur se çka kuptonte me veprimet e grupit me agjendë të dhunshme brenda demonstratës, sulm mbi selinë e Këshillit të Ministrave sipas një plani paraprak. Sipas Kodit Penal në fuqi në Shqipëri, këto që thotë ambasadori amerikan parashikohen si vepër penale nga dy nene, ai 219 dhe ai 221, përkatësisht ai mbi “Atentatin”dhe “Kryengritjen”. Në 24 janar 2001, kur në pushtet ishte Partia Socialiste, këtyre dy neneve, mbi atentatin dhe kryengritjen iu bënë ndryshime që kishin si qëllim që sa më tepër ngjarjeve të mund t’ u jepej kualifikimi juridiko-penal i atentatit dhe kryengritjes. Sipas këtyre ndryshimeve, “Atentati” si vepër penale është formuluar në mënyrë të tillë që të parashikojë edhe rastet kur mësyhet selia e një institucioni shtetëror me synimin për të rrëzuar një zyrtar të lartë, Kryeministrin apo Presidentin. Me ndryshimin e bërë në 2001 neni për Atentatin ka këtë përmbajtje:
      Kryerja e vrasjeve, rrëmbimeve, torturave apo akteve të tjera të dhunës, kundër përfaqësuesve më të lartë të shtetit, me qëllim për të përmbysur rendin kushtetues, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
      Çelësi qëndron tek hapësira që krijohet nga fraza “akte të tjera të dhunës”. Me këtë ligjvënësit synonin që çdo protestë eventuale e dhunshme para se selisë së Këshillit të Ministrave, ose Presidentit të Republikës, e cila ishte paraprirë me një kërkesë me natyrë ultimative për dorëheqjen e tyre, të kualifikohej nga pikëpamja e së drejtës penale si atentat. Gjithashtu, “Kryengritja” është ndryshuar si vepër penale, ku ndër të tjera është lënë qëllimisht i hapur i “veprimeve masive të dhunshme”. Pikërisht nenet 219 dhe 221 të Kodit Penal duhet t’ i kishte lexuar Fevziu Ina Ramës, kur e pyeti për deklaratat e Edi Ramës, që i paraprinë demonstratës së 21 janarit. Fevziu i tha Prokurores së Përgjithshme:
      Ka disa deklarata që i ka nënvizuar mazhoranca.
      Këtu u emetua deklarata e Edi Ramës në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, në Top Channel, në mbrëmjen e 20 janarit 2011:
      “Do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike. Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte”.
      Fevziu tha para se të fliste Ina Rama:
      Jam dakord që këto janë deklarata televizive, por a mund të pyeteshin personat, meqë mazhoranca e ka ngritur këtë shqetësim që në shkurtin e kaluar?
      Komenti i Fevziut, i cili i quajti deklarata televizive thëniet e Edi Ramës, ishte në linjë me strategjinë e  shtensionimit që ai ndiqte gjatë gjithë intervistës. Deklarata e Edi Ramës vërtet qe televizive, por ajo ishte duke u bërë nga kryetari i opozitës dhe i referohej një ngjarje që pritej të ndodhte të nesërmen, demonstratës për të cilën madje ishte paralajmëruar zyrtarisht nga partia në krye të së cilës ishte Edi Rama se do të dilte jashtë kontrollit. Me deklaratën televizive të 20 janarit, Edi Rama praktikisht dha urdhrin e sulmit ndaj selisë së Këshillit të Ministrave, si dhe i dha një ultimatum kryeministrit Berisha. Berishës iu tha praktikisht, me gjuhën më të hapur të mundshme që mund të fliste kryetari i opozitës në televizor, se nëse nuk do të jepte dorëheqjen deri në momentin që do të fillonte demonstrata (“zgjidhje politike”), atëherë duhet ta mbushte vendin me kufoma që të qëndronte në selinë e Këshillit të Ministrave, se do të sulmohej, dhe për të dalë andej pastaj do t’ i duhej të shkelte në kufoma. Natyrisht se më hapur se ç’ foli, Edi Rama nuk mund t’ ia kumtonte kryeministrit këtë gjë. Fakti është se fjalët e Edi Ramës u shoqëruan me një demonstratë të dhunshme e cila pati për objekt pikërisht selinë e Këshillit të Ministrave. Për deklaratën televizive të Edi Ramës dhe të tjera si ajo, Ina Rama tha:
      Unë mendoj që Prokurorët që i kanë trajtuar këto, nuk kanë parë elementë të veprave penale për të cilat është tentuar vazhdimisht të thuhet se janë përfshirë këta individë. Ka një retorikë shumë të ashpër politike në Shqipëri.
      Por këtu nuk bëhej fjalë për retorikë politike abstrakte, por për thënie që i referoheshin një veprimi që do të ndodhte ditën e nesërme, dhe që ishte një demonstratë, e cila në fjalët e Edi Ramës po profilizohej paraprakisht si një sulm i dhunshëm. Çdo prokuror i paanshëm, nuk mund të mos bënte lidhjen kazuale, shkak-pasojë, mes fjalëve të Ramës në 20 janar, dhe asaj që ndodhi në 21 janar tek selia e Këshillit të Ministrave. Asnjë hetim për 21 janarin nuk mund të quhet gjithëpërfshirës nëse nuk e vendos deklaratën e Edi Ramës në 20 janar në një lidhje shkak-pasojë me atë që ndodhi të nesërmen. Aq e rëndësishme është deklarata e Edi Ramës, sa mund të flitet për ngjarje të 20-21 janarit. Nëse Prokuroria e Përgjithshme do t’ i kishte matur veprimet e të dy palëve me të njëjtin standard, atëherë, përderisa Prokuroria e Përgjithshme e cilësoi vdekjen e katër demonstruesve si “Vrasje me dashje”, atëherë duhej që edhe veprimet e Edi Ramës dhe disa drejtuesve të tjerë të PS, në 20-21 janar, të cilësoheshin si kryengritje, apo edhe si atentat. Kur Fevziu e pyeti Ina Ramën për deklaratën e ambasadorit amerikan mbi nevojën e një hetimi gjithëpërfshirës, ajo u përgjigj:
      Sigurisht që ambasadori ka bërë prezent opinionin e tij dhe unë e kam vlerësuar, por kemi ndarë të njëjtin opinion që ditën e parë që ka ndodhur ngjarja.
      Këtu Fevziu duhet t’ i thoshte se kishte një ndryshim thelbësor mes opinioneve të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ambasadorit amerikan, sa i përkiste asaj që kishte ndodhur në 21 janar. Nëse përkthehej në gjuhë juridike ajo që kishte deklaruar ambasadori amerikan, në emër të SHBA, atëherë dilte se në 21 janar 2011 në Tiranë kishte ndodhur një kryengritje dhe eventualisht një atentat ndaj Kryeministrit Berisha, që kishin dështuar të dyja. Është e qartë se ambasadori Arvizu dhe Ina Rama nuk  kanë ndarë të njëjtin opinion, se kanë pasur një ndryshim themelor sa i përkiste hetimit të dhunës ndaj selisë së qeverisë. Në vazhdim të intervistës, mes Ina Ramës dhe Fevziut u bë ky dialog:
      Ina Rama: Ne kemi parë nga pamjet filmike dhe nga vendi ku janë gjetur viktimat që këta individë nuk ishin duke sulmuar kryeministrinë në atë kohë që janë goditur.
      Fevziu: Këta persona?
      Ina Rama: Viktimat.
      Fevziu: Sepse sulme ndaj kryeministrisë ka pasur besoj, për këtë biem dakord.
      Ina Rama: Sigurisht, ne shohim gjithçka që ka ndodhur, por unë flas për momentin kur është bërë, kur janë vrarë njerëzit. Prandaj po themi është vrasje. Ndoshta do të kishim një diskutim të ndryshëm në momentin që turma po tentonte të futej, apo që makina po tentonte të futej.
      Është simptomatike për stilin konfuz të Fevziut që ta bëjë debatin kështu, duke kërcyer nga një çështje tek tjetra, pa sqaruar asnjërën. Në kohën që po flitej për vrasjet, Fevziu, kaloi tek çështja e sulmit ndaj kryeministrisë, të cilin, siç doli nga intervista nuk e kishte si një pyetje më vete. Por kjo çështje doli në këtë rast, në mënyrë anësore kur po flitej për vrasjet, dhe më pas Fevziu e hapi përsëri pas një sms-je. Ajo çka duhet ta kishte pyetur Fevziu Ina Ramën, në kohën që ajo ishte duke folur për vrasjet, ishte se sa përgjegjësi kishin për vrasjet ata të cilët shpallën publikisht se demonstrata do të ishte e dhunshme, çka nuk kishte synim tjetër veç atij që t’ i bënte forcat e Gardës të humbnin vetëkontrollin. Se kur drejton një turmë që të sulmojë dhunshëm dhe për një kohë të gjatë me sende të forta forcat e policisë dhe të Gardës, që gjenden në mbrojtje të një ndërtese institucionale të rëndësishme nga ku nuk mund të tërhiqen, atëherë synimi nuk mund të ishte tjetër përveçse provokim ndaj gardistëve të armatosur, ashtu që ata të humbnin vetëkontrollin. Nëse në momentet që ndodhën vrasjet nuk kishte sulme ndaj selisë së Këshillit të Ministrave nuk do të thoshte gjë, se gardistët qenë shumë të tensionuar psikologjikisht nga sulmet periodike. Gjithsesi, së paku në dy prej vrasjeve duket qartë nga pamjet filmike se turma është agresive. Në protestat e dhunshme që ndodhin në Perëndim, turma kujdeset që të mos e vazhdojë gjatë konfliktin me forcat e policisë, port ë tërhiqet pasi kryen ritualin e përleshjes, sa për të arritur efektin spektakolar, ndryshe e di se njerëz të caktuar në forcat e policisë mund të humbin vetëkontrollin, siç edhe ka ndodhur në jo pak raste. Fevziu, duke lexuar një sms që i kishte ardhur, i tha Ina Ramës:
      Sipas një ligjvënësi, ligji nuk flet për “oborr”, por për “perimetrin e mbrojtjes”.
      Fevziu e kishte fjalën për çështjen se cila ishte vija brenda së cilës Garda e Republikës kishte të drejtë të përdorte armët e zjarrit. Këtu Ina Rama befasisht u bë shumë konfuze, duke thënë:
      Blendi, mua nuk më duket korrekte tani të merremi me definicione ligji ose definicione të vendngjarjes në një kohë që po bëjmë një intervistë mendoj në terma më të përgjithshëm.
      Kjo Ina Rama, e cila gjatë intervistës thoshte vazhdimisht se fliste si prokurore, si juriste, se nuk fliste si analiste, e cila kujdesej të jepte definicione juridike, befasisht në këtë moment, ndryshoi krejtësisht. Më lart ajo kishte thënë:
      Kemi konsultuar Ligjin e Gardës, Ligjin mbi përdorimin e Armëve të zjarrit, Ligjin për Tubimet.
      Prokurorja e Përgjithshme, e cila mban titullin akademik magjistrate, megjithatë kishte përdorur termin aspak ligjor “oborri”, në vend të “perimetri i mbrojtjes”, i cili shkonte në favor të gardistëve. Duke vazhduar të fliste mbi çështjen “oborri” apo “perimetri i mbrojtjes”, Ina Rama tha:
      Nëqoftëse ky është një problem, unë jam e gatshme ta studioj, të marr të dhëna
      Kështu, pas një viti qëkurse kishin ndodhur ngjarjet, Prokurorja e Përgjithshme e cila dy herë kishte marrë përsipër të fliste publikisht për çështjen e 21 janarit në konferenca për shtyp, e cila kishte pohuar se ishte marrë shumë me këtë çështje, duke mbikqyrur punën e grupit hetimor, tani befas po thoshte se ajo nuk i kishte të qarta definicionet ligjore që kishin të bënin me këtë çështje?! A mund të besohej kjo gjë? Këtë pyetje ishte dashur t’ ja kishte bërë Fevziu asaj. Natyrisht se nuk duket e besueshme që Ina Rama nuk i kishte të qarta definicionet ligjore, më e besueshme duket se ajo kërkoi të dilte nga një situatë kurth në të cilën e kishte çuar mënyra sesi i kishte drejtuar hetimet. Në vazhdim, mes Fevziut dhe Ina Ramës u zhvillua ky dialog:
      Fevziu: Çështja është nëse bëhej fjalë për një sulm ndaj selisë së Kryeministrisë apo jo?
      Ina Rama: Po çfarë ndryshimi ka kjo gjë?
      Fevziu: S’ ka asnjë ndryshim?
      Ina Rama: Unë nuk arrij dhe që ta kuptoj, sinqerisht, ndoshta kam mungesë informacioni në këtë pjesë, por ti si e kupton? Ku është ndryshimi?
      Fevziu: Që do të thotë se nëqoftëse ka një goditje ndaj një institucioni të hetohet dhe ndaj goditjes së institucionit njëkohësisht.
      Ina Rama: Institucioni, ç’ do të thotë?
      Fevziu: Institucioni do të thotë: Këshilli i Ministrave është një institucion.
      Ina Rama: Nëqoftë se ka një goditje ndaj godinës?
      Fevziu: Po, sulm, sulm, jo goditje se…
      Ina Rama (e ndërpret): Po tani më vjen keq, nëqoftëse shkatërrohet godina ka një shkatërrim prone.
      Fevziu: Pra ka një shkatërrim prone, jo një sulm ndaj një institucioni?
      Intervista tashmë u shndërrua në një diskutim për një kazus juridik në orën e së drejtës penale të posaçme, ku Ina Rama ishte në rolin e studentes së dobët. Për Ina Ramën veprimet e turmës që sulmoi dhunshëm selinë e Këshillit të Ministrave në 21 janar cilësoheshin juridikisht si “shkatërrim prone”. Blendi Fevziu nuk e pyeti se si mund të bëhet fjalë për shkatërrim prone kur nga pamjet filmike shihet qartë se një turmë që ka rrethuar selinë e Këshillit të Ministrave qëllon në mënyrë konsistente me sende të forta, me bomba artizanale të llojit koktej “Molotov” forcat e rendit publik që mbrojnë këtë ndërtesë. Synimi i atyre që e bëjnë këtë gjë nuk është qartësisht shkatërrimi i pronës.  Këto veprime, të para nën dritën e deklaratës ultimative të Edi Ramës një ditë më parë, të çojnë tek kualifikimi juridik i kryengritjes deri edhe i atentatit. Fevziu, si gazetar me përvojë, kur Ina Rama e pyeste me nervozizëm të llogaritur se si e kuptonte ai çështjen, duhet t’ i thoshte se përshtypja që krijohej ishte se ajo nuk kishte vullnet për të bërë hetimin gjithëpërfshirës që patën kërkuar ndërkombëtarët dhe në radhë të parë amerikanët. Ina Rama, duke vazhduar të fliste, praktikisht mori rolen e avokates së atyre që kishin sulmuar selinë e Këshillit të Ministrave, duke bërë dhe një përcaktim që nuk ndeshet në ligjin penal shqiptar:
      Por nëse sulmi është i armatosur ka një koncept tjetër. Sulmi ndaj institucionit nuk bëhet për t’ i prishë muret. Nëqoftë se sulmi është i armatosur ka një koncept tjetër. Nëqoftëse sulmi është i armatosur ka një vepër penale, nëqoftëse goditet për ta dëmtuar ka një shkatërrim prone. Ka diferenca në kualifikimet ligjore. Por për të bërë këtë duhet të kesh më parë provat, duhet të kesh më parë faktet, duhet të kesh më parë të gjitha të dhënat.
      Sipas Ina Ramës, sulm ndaj institucionit kemi vetëm kur përdoren armët e zjarrit. Por ligji penal shqiptar, siç e kam cituar më lart, në rastin e veprave penale të atentatit dhe të kryengritjes, flet për sulm të dhunshëm pa specifikuar mjetet e dhunës, armë zjarri, apo të tjera. Sipas logjikës së Ina Ramës, se ajo që ndodhi në 21 janar ishte shkatërrim prone, edhe në 14 shtator 1998, nuk ndodhi kryengritje, por shkatërrim prone. Prova kryesore e akuzës për kryengritje, në ngjarjet e 14 shtatorit 1998 ishte rrëmbimi i tankeve nga protestuesit, por Prokuroria nuk u mor fare me cështjen sesi dolën tanket në rrugë, kur në vend nuk ekzistonte më me ligj gjendja e jashtëzakonshme. Ligjërisht, para se të akuzoheshin ata që rrëmbyen tanket, duhet të akuzoheshin ata që i nxorrrën ato. 21 janari ndryshon nga 14 shtatori vetëm në atë që në 21 janar selia e Këshillit të Ministrave nuk u braktis nga kryeministri dhe u mbrojt, në 14 shtator ajo u braktis nga kryeministri i kohës, e pas kësaj natyrisht edhe nga Garda e Republikës. Blendi Fevziu duhej t’ i kishte shfaqur Ina Ramës pamje televizive që tregonin se intensiteti i sulmit fillestar mbi policinë të grupeve të sulmit të protestuesve, i cili sulm vazhdoi për shumë minuta, ishte i tillë sa breshëria e gurëve dhe goditjet e hunjve të gjatë e të trashë, shufrave të hekurta, si heshtat e kalorësve mesjetare, thyen deri edhe mburojat e policëve. Fevziu duhet t’ i kishte thënë Ina Ramës se le të gjente ajo qoftë edhe një fragment të vetëm televiziv nga protestat në qytetet perëndimore, kur një grup policësh, të jenë gjendur mes një turme nga e cila sulmohen dhunshëm dhe një muri, të vënë nën goditje të tillë kaq intensive dhe të dhunshme me gurë, koktej Molotov dhe hunj. As që ka për ta gjetur Ina Rama një gjë të tillë. Në atë situatë në çdo kryeqytet perëndimor do të kishin qëlluar snajperët, mbi protestuesit e dhunshëm, se ligjet perëndimore që mbrojnë jetën e protestuesve mbrojnë edhe jetën e policëve dhe nëse ata policë masakroheshin, atëherë përgjigjeshin shefat e tyre për ta. Mënyra dhe intensiteti i sulmeve qenë të llogaritur jo për të bërë një ritual të guerriljes urbane, por për të thyer qëndresën e policive dhe gardistëve, për t’ u futur panikun atyre.
      Ina Rama nuk kishte prova në kuptimin ligjor për të thënë se qëllimi i sulmit ishte shkatërrimi i pronës. Deklarata e Edi Ramës, e 20 janarit e bënte të qartë se qëllimi i sulmit ishte që të detyrohej kryeministri Berisha të largohej dhunshëm nga selia, ose nga kërcënimi i asaj që do të ndodhte, ose duke u pushtuar ndërtesa. Se ndërtesa s’ mund të pushtohej pa u dëmtuar! Fevziu nuk e ballafaqoi Ina Ramën me përmbajtjen e legjislacionit penal shqiptar për këto raste, të cilën ai nuk mund të mos e dinte, dhe nëse nuk e dinte, nuk kishte bërë përgatitje serioze për intervistën nëse nuk e kishte konsultuar paraprakisht legjislacionin me asistencën e juristëve. Në vazhdim, Fevziu bëri këtë dialog me Ina Ramën:
      Fevziu: Pra, si të hysh në një objekt të rëndësisë së veçantë thoni ju, si të hysh në një shtëpi private është i njëjti nen ai që vepron.
      Ina Rama: Absolutisht nuk është i njëjti nen, unë nuk e thashë asnjë moment këtë gjë, por nuk e kuptoj kush është çështja në këtë rast. Kushështë pyetja?
      Fevziu: Është çështja e hetimit të barabartë nga të dy anët.
      Ina Rama: Ç’ domethënë, sigurisht që po bëjmë hetim të barabartë. Unë nuk e kuptoj dot se kush është problemi që shtrohet. Kushështë pyetja?
      Fevziu: Ju thatë pak më parë që çështja është që ka pasur një ngjarje në bulevard, ka pasur ca persona që kanë hyrë vetëm në oborr, ndërkohë që në konceptin juridik më thonë tani, se unë nuk mund ta verifikoj dot…
      Ina Rama: Unë nuk thashë që ka pasë një ngjarje në bulevard, thashë që i jemi referuar bulevardit se ai është vendi adresa ku janë zhvilluar ngjarjet. Jo për të thënë që ngjarjet janë zhvilluar vetëm në bulevard, por për të thënë që ky vendi ku ka ndodhë kjo histori është në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Është një çështje adresimi.
      Fevziu:
      Ndërkohë që mazhoranca e ka konsideruar një sulm ndaj institucioneve, po ju e konsideroni të tillë?
      Ina Rama:
      Po ky nuk ka lidhje me ngjarjet në bulevard, ne e kemi thënë që ka tubim të paligjshëm dhe po hetojmë për këtë gjë. Absolutisht.
      Fevziu:
      Jo një sulm ndaj institucioneve.
      Ina Rama:
      Për të thënë që kemi një sulm ndaj institucioneve duhet të ngremë akuza. Unë nuk mund të jap sot, nuk mund të bëj konkluzione politike. Unë duhet të hetoj dhe të kem prova. Dhe nëqoftëse do të arrij të them që ka pasur një sulm ndaj institucioneve do të them se ka qenë një sulm i përgatitur në këtë formë, ka pasë këtë organizim, këtë qëllim etj. Është një platformë e tërë. Nuk mundem unë sot të jap opinion për këtë gjë. Sepse nuk është çështje opinioni në optikën time, është një çështje provash. Për të thënë këtë gjë duhet të kem prova.
      Fevziu: Ke një kallzim pra, të Drejtorisë së Policisë të Tiranës.
      Ina Rama: Kallzimi nuk është provë Blendi, kallzimi është akti i parë që ve në lëvizje Prokurorinë dhe mos…
      Fevziu: Megjithatë ju ngrini një dyshim mbi këtë bazë, dyshimi juaj është thjesht për ngjarje në bulevard, nuk është për sulm ndaj institucioneve.
      Ina Rama: Nuk e di se çfarë pohimi kërkon të marrësh nga unë tani, më duket se unë e qartësova pjesën time dhe sinqerisht dua të jem korrekte në atë që po them. Ne po hetojmë për disa vepra të caktuara. Unë e shikoj ligjërisht gjënë, e shikoj në terma ligjore, nuk mund ta shikoj në retorikë politike, dhe këtu ndahemi dhe nuk mund të më kërkosh të bëj një pohim që është i ndryshëm nga profesioni im.
      Në dialogun e mësipërm, Ina Rama, pasiqë thotë se ajo nuk ka thënë se kishte pasur një ngjarje në bulevard, çka ishte gënjeshtër që zbulon vetëdijen e saj të fajit, e ridefinon ngjarjen si ngjarje në bulevard. Ndonëse Ina Rama sapo kishte thënë se ajo nuk e konsideronte si sulm ndaj institucioneve atë që kishte ndodhur në 21 janar, Fevziu, në dialogun e mësipërm e pyet përsëri nëse ajo e konsideronte të tillë, kur ishte dashur që ta ballafaqonte Ina Ramën me arsyet për të cilat ishte dashur që ta quante atë që kishte ndodhur si sulm ndaj institucioneve, ose siç ishte termi ligjor “tentativë për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues”. Ina Rama e bëri të qartë se Prokuroria nuk kishte ndërmend të hetonte për gjë tjetër përveçse për organizim tubimi të paligjshme, çka nuk përbën krim, por vetëm kundërvajtje penale, sipas Kodit Penal. Kur Ina Rama tha se për të ngritur akuzë për sulm ndaj institucioneve duhej forma e përgatitjes, organizimi, qëllimi, krejt ajo çka Prokurorja e Përgjithshme e quajti “platformë e tërë”, Fevziu duhet t’ i kishte thënë se provat për këtë ekzistonin nëse do të shiheshin ngjarjet e 21 janarit, nën prizmin e deklaratës së Edi Ramës në 20 janar, atëherë do të qartësohej forma e sulmit, qëllimi dhe organizimi i tij. Forma e sulmit qe me goditje të dhunshme ndaj forcave të Policisë dhe Gardës, me synimin për të thyer qëndresën e tyre, ashtu që ndërtesa të binte në dorën e sulmuesve. Organizatorët e sulmit e zbuluan veten hapur, siç bëri Edi Rama që në mbrëmjen e 21 janarit, kur mori në mbrojtje sulmuesit, duke përmbysur kronologjinë e ngjarjeve dhe duke i paraqitur gjërat kinse automjetet ujëhedhëse të policisë dolën në rrugë para sulmit të dhunshëm mbi policinë, duke e provokuar turmën. Kështu që Ina Ramës vetëm prova nuk i mungonin për të ngritur akuzë për sulm ndaj institucioneve. Në dialogun e mësipërm Ina Rama u turbullua shumë kur Fevziu i tha se ajo duhej të fillonte një hetim për sulm ndaj institucioneve, në bazë të referimit të policisë. Dukej se Fevziu e kishte porosi që ta thoshte këtë gjë dhe nuk mund të bënte ndryshe. Por ai e zhvlerësoi atë duke mos ngulmuar.
      Në mënyrë kërshërore, Ina Rama, pothuajse në rolin e së pandehurës, e pyeti Fevziun se çfarë pohimi po kërkonte të shkëpuste nga ajo. Në fakt, Ina Rama këtu e kishte hallin se çfarë pohimi po kërkonin të shkëpusnin prej saj ata që i patën kërkuar Fevziut që t’ i thoshte asaj atë çka i tha. Dhe Ina Rama e ndjente se cili qe pohimi që arritën t’ i shkëpusin dashur pa dashur, ai se Ina Rama nuk kishte ndërmend të bënte një hetim gjithëpërfshirës siç kërkonin ndërkombëtarët dhe në radhë të parë amerikanët. Se nuk mund të ekzistonte një hetim gjithëpërfshirës pa pasur një hetim për sulm ndaj institucioneve, ose më saktë për tentativë për përmbysje me dhunë të rendit kushtetues. Nëse Blendi Fevziu do të kishte ngulmuar me pyetje në këtë logjikë, atëherë ai do ta vendoste Ina Ramën para pyetjes asgjësuese se përse ajo dështoi të bënte një hetim gjithëpërfshirës? A nuk kishte këtu një vendim politik të saj? Përveç këtyre, në lidhje me fjalët që tha më lart, nuk mund të mos i thuhej Prokurores së Përgjithshme se në gjuhën shqipe nuk thuhet “kush”, kur bëhet fjalë për “problemin” dhe “pyetjen”, por “cili” dhe “cila”.
      Ina Rama tha gjatë intervistës lidhur me referimin që Drejtoria e Policisë së Tiranës i dërgoi Prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit:
      Policia e Tiranës ka bërë një referim të veprës penale në shkurt të 2011 që është gjithmonë akti zyrtar që bën Policia e Shtetit kur ndodh ngjarja, është akti me të cilin Policia njofton Prokurorinë se ka ndodhur ngjarja. Dhe referimi që ka bërë Policia në këtë rast është pasqyruar në këtë akt. E ka referuar për kryengritje. Është kjo çështja dhe ky referim i cili po hetohet… Për këtë referim është urdhëruar Policia e Shtetit të bëjë hetime… Dhe ne i kemi thënë: O kej, dakord, merreni dhe hetojeni.
      Por, formula e hetimit gjithëpërfshirës e përsëritur në Konferencën për shtyp të Prokurores së Përgjithshme dhe ambasadorit amerikan, pak ditë pas 21 janarit, e obligonte Prokurorinë e Përgjithshme që të angazhohej paralelisht për të gjitha aspektet e ngjarjeve që nga sulmi i dhunshëm i demonstruesve deri tek vrasjet. Prokuroria e Përgjitshme mund të kishte nisur një hetim për sulm ndaj institucioneve, do të thotë për tentativë për përmbysjen e rendit kushtetues, me anë të kryengritjes apo atentatit, edhe kryesisht para se t’ i vinte referimi i Policisë, për të cilin Ina Rama pohoi saktë:
      Ky është akti i parë me të cilin nishetimi. Mund të nisë dhe kryesisht.
      Kjo do të thotë se Prokuroria e Përgjithshme mund të regjistronte edhe kryesisht një çështje penale për kryengritje dhe atentat, dhe pastaj ishte çështje tjetër nëse do të procedonte penalisht për këtë pjesëmarrës në demonstratë. apo jo. Fakti që Prokuroria nuk e bëri këtë gjë, as kryesisht, as pas referimit të Policisë tregon se Ina Rama as që kishte vullnet për të bërë hetim gjithëpërfshirës. Gjithsesi, pasiqë Fevziu kishte pranuar diferencimin në angazhimin e Prokurorisë për ngjarjet e 21 janarit, nuk kishte më vlerë pyetja e tij e mëtutjeshme. Ina Rama madje nuk nguroi të tallej edhe për çështjen e hetimit të organizatorëve, duke thënë:
      I gjithë hetimi për këtë ngjarje i është ngarkuar Policisë së Shtetit… Policia e Shtetit pati gjithë kohën në dispozicion, të gjitha atributet për të bërë çdo veprim që e quante të arsyeshëm dhe të propozonte çdo lloj konkluzioni për akuza formale ndaj deputetëve, ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, ndaj organizatorëve, ndaj kujtdo që do ta çmonte, në bazë të provave që kishte mbledhur sigurisht, se një proces hetimor bazohet mbi faktet që ti ke mbledhur gjatë hetimit, në ndryshim nga pjesa tjetër që bazohet mbi indicje, mbi opinione. Në Prokurori duhet të mbledhësh prova për të ngritur një akuzë.
      Nëse Fevziu do t’ i kishte vënë në dukje formulën e hetimit gjithëpërfshirës i cili ishte detyrim i Prokurorisë së Përgjithshme, Ina Rama nuk do të mund të tallej kështu. Fevziu e pyeti Ina Ramën:
      Kryeministri ka deklaruar se ju nuk mund të hetoni por jeni vetë për t’ u hetuar. Si e shikoni këtë deklaratë?
      Ina Rama u përgjigj:
      Unë e shikoj si presion.
      Nëse Fevziu do ta kishte intervistuar Ina Ramën, në stilin e Sokol Ballës, ai do ta kishte pyetur atë se përse ajo e shikonte si presion veprimin e ligjit ndaj saj. Kështu ajo e nxirrte veten mbi ligjin. Fevziu gjatë krejt intervistës nuk i kërkoi Ina Ramës që ta definonte se çfarë quante ajo “ngjarje në bulevard”. Mirë se kjo qe adresa e vendngjarjes,, por çfarë kishte ndodhur në bulevard saktësisht? Gjithashtu, Fevziu nuk e pyeti se si shpjegohej që në këtë pjesë të bulevardit, opozita kishte bërë mbi njëqind protesta, duke vendosur edhe çadra, gjatë dy vjetëve të fundit, e megjithatë Garda nuk kishte hapur zjarr. Pse ndodhi pikërisht në 21 janar? Kjo nuk mund të quhej një pyetje politike, por teknike, për shkak se e vetmja gjë që ndryshonte në 21 janar nga protestat e mëparshme, ishte pikërisht deklarata e Edi Ramës e një dite më parë. Për pyetjet më delikate që bënte, Fevziu kujdesej të thoshte se ia dërgonin të tjerët, duke përmendur me emër Ylli Manjanin si dërgues të një serie pyetjesh. Në një rast Fevziu tha “sipas një ligjvënësi”, i cili i kishte dërguar një sms. Me këtë Fevziu kërkonte të distancohej nga vetë pyetjet që bënte, duke e paraqitur veten jo si intervistues, por thjesht si një zëdhënës. Duket se Fevziu në të ardhmen ka ndërmend të shkruajë një libër si ai i Mero Bazes “Viti ‘97”, ku të thotë si ai, se Berisha i diktonte ato që shkruante dhe fliste.
        Fevziu nuk e pyeti Ina Ramën se ku ndodhej ajo në në kohën e “ngjarjeve në bulevard”. Nëse do ta kishte bërë këtë, Ina Rama do të gjendej shumë ngushtë pasiqë është një gjë e vërtetuar se ajo midis orës 13.00 të paradites së 21 janarit dhe orës 18.00 gjendej në shtëpinë e Presidentit Topi, ku së bashku me drejtuesin e një institucioni tjetër “të pavarur”, Bahri Shqarin, drejtorin e SHISH, prisnin që të binte selia e Këshillit të Ministrave, duke u kryer kështu me sukses operacioni. Ina Rama, e pyetur për të ardhmen e saj, pas largimit nga posti, u përgjigj:
      Nuk bëj plane se Shqipëria tregon se planet që bën sot të rrëzohen nesër.
      Ky mund të quhet dhe epigrami për përzierjen e saj në ngjarjet e 21 janarit. Në 20 janar ajo bëri plane mbi bazën e supozimit se qeveria do të përmbysej në 21 janar dhe në vend do të mbaheshin zgjedhje të reja. Në 21 janar këto plane u përmbysën. Ina Rama gjatë intervistës me Fevziun tha se nuk qëndronte pretendimi se gjashtë gardistët për të cilët Prokuroria e Përgjithshme lëshoi urdhra ndalimi në mëngjesin e 22 janarit qenë zinxhiri komandues i Gardës së Republikës. Kur Fevziu i tha se ky ishte megjithatë zinxhiri komandues për mbrojtjen e selisë së Këshillit të Ministrave, Ina Rama u përgjigj:
      Secili institucion është i interesuar të kurojë interesat e tij.
      Nëse Fevziu do të kishte vazhduar me pyetje duke i marrë këto fjalë të Ina Ramës si premisë, do ta bënte atë të ballafaqohej me të vërteta shumë kompromentuese. Kështu, dilte se Prokurorja e Përgjithshme nuk qe e interesuar se selia e Këshillit të Ministrave do të sulmohej dhe pushtohej në 22 janar, kur ishte njoftuar një tjetër demonstratë e opozitës. Kuptohet se asnjë gardist nuk do të shkonte tek selia e Këshillit të Ministrave nëse do te qenë ndaluar nga Prokuroria e Përgjithshme komandanti i Gardës dhe oficerë të tjerë të lartë të Gardës. Nëse nuk shkonte asnjë gardist, nuk do të shkonte asnjë polic dhe selia e Këshillit të Ministrave do të binte në duart e protestuesve, me kryeministrin Berisha që ose do të binte rob në duart e tyre, apo do të vritej, ose do të qe larguar, çka do të thoshte dorëheqje e sigurt e tij. Çfarë do të ndodhte në Shqipëri kur të shihej në televizor se selisë së Këshillit të Ministrave i kishte dalë tymi? Të afërmit dhe shokët e të ndaluarve për krime ordinere, të cilët gjendeshin me shumicë në komisariatet e policisë, do të sulmonin komisariatet, për të liruar të ndaluarit. Skenari se si shpërbëhej mbrojtja policore ishte i njohur, Hapej fjala se qenë sulmuar shtëpitë e policëve të cilët qenë me shërbim në komisariate, duke filluar që nga shefat, dhe në disa raste kjo bëhej vërtet. Cili polic do të kishte kurajë që të mbronte komisariatin kur të shikonte Kryeministrinë e pushtuar? Puçin e vërtetë do ta bënin kriminelët për llogarinë e tyre. Pastaj të gjithë kriminelët e ikur dhe shokët e tyre do të fillonin të sulmonin dyqanet, bankat, hotelet, shtëpitë e të pasurve, konviktet e shkollave, për të rrëmbyer femra. Në 22 janar në mbrëmje Shqipëria do të ishte ajo e 13 marsit  1997. Ajo nuk mund të mos e merrte me mend këtë perspektivë se ajo në Shqipëri kishte jetuar kur kishin precipituar situatat në të shkuarën. Ky ishte ky interesi që kuronte Ina Rama? Nga ç’ pikëpamje e legjislacionit, mbi bazën e të cilit vepron Prokuroria e Përgjithshme ishte interesi i saj që Shqipëria e 22 janarit 2011 të ishte ajo e 13 marsit 1997? Nëse Fevziu gjatë intervistës do të fliste në stilin e Sokol Ballës, ai do t’ i kishte thënë Ina Ramës se kërkesa për ndalimet e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës për mbrojtjen e selisë së Këshillit të Ministrave kishte si qëllimin e qartë që ta bënte kryeministrin Berisha të jepte dorëheqjen, duke i krijuar panikun se atë ditë do të ishte pa mbrojtje dhe demonstruesit do ta kapnin rob në zyrën e tij.
      Lexuesit e këtij libri, duke i lexuar këto rreshta mund të thonë se pikëpamja ime për atë që ndodhi në 21 janar është e njëjtë me atë të Berishës. Unë nuk e kam të vështirë që t’ ia provoj lexuesit se nuk është aspak kështu. Unë kam bindjen se është pikërisht për shkak të asaj që ndodhi në 20-21-22 janar 2011, domethënë për shkak të një kompleksi ngjarjesh që nisën me deklaratën televizive të Edi Ramës në 20 janar 2011, ngjarjeve të 21 janarit, si dhe të kërkesës së Prokurorisë për arrestimin e gardistëve në orët e para të 22 janarit, që Berisha fitoi nga ndërkombëtarët të drejtën për të marrë ato gjëra që ndryshe as nuk do të ëndrronte t’ i merrte, duke nisur që nga përmbysja e rezultatit të Bashkisë së Tiranës, në atë mënyrë që u bë, vendosja e Ministrit të Punëve të Brendshme në postin e Presidentit të Republikës, shkarkimi i drejtorit të SHISH, Shaqiri dhe vënia në vend të tij e një zëvendësministri të Qeverisë “Berisha”. Vecanërisht me kërkesën që bëri Ina Rama për arrestimin e gjashtë gardistëve para se të ishte kërkuar arrestimi qoftë edhe i një njeriu të vetëm nga ata që kishin mësyrë Kryeministrinë, ndërkombëtarët u ndricuan mbi atë se cfarë kishte ndodhur në të vërtetë në 21 janar. Nuk ka provë më të mirë mbi atë se ndërkombëtarët u bindën se në 21 janar kishte ndodhur një grusht shteti, se fakti që pas kësaj Berishës iu dha licenca për të marrë nën kontroll shtetin. Kushe mohon vërtetësinë e kësaj analize, nuk është serioz. Një nga njerëzit që u habitën më shumë me qëndrimin e ndërkombëtarëve ndaj Berishës ishte Fevziu, i cili në intervistën me Ina Ramën tregoi shenja se po përgatitej që të merrte kthesën me rastin e një zhvillimi eventual politik që do të ishte largimi i Berishës nga posti i kryeministrit, për të mundësuar një kompromis me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Në këtë kapitull, unë e kam kqyrur intervistën e Fevziut me Ina Ramën nga pikëpamja që supozohet të mbrojë Fevziu si leitnant medial i Berishës. Fevziu nuk u shmang nga pikëpamja berishiane për arsye deontologjike profesionale, domethënë për arsye se donte që të mbante një pozicion të paanshëm, por për të njëjtën arsye që nisi t’ i largohej Fatos Nanos në fund të vitit 2004. Atëherë Nano nuk kishte një vit para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, sfidën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, kështu që Fevziu nuk e shikonte gjendjen e Nanos në 2004 aq delikate sat ë Berishës në 2012 para zgjedhjes së Presidentit.  
     

51.      
Opinionistët fiksë të emisionit “Opinion” të Fevziut

      Fytyra e emisionit “Opinion” të Fevziut janë të ftuarit specialë të tij, opinionistët e mbipaguar, me kontrata të posaçme, të cilët janë të ftuar të përhershëm të Fevziut. Kryesori ndër opinionistët fiksë të emisionit është Fatos Lubonja, i cili është bërë emblema e emisionit. Fatos Lubonja ka një kontratë të posaçme me Tv Klan, sipas termave të së cilës  merr një pagesë shumë të madhe, për të qenë i pranishëm ekskluzivisht në emisionin e Fevziut, dhe për të mos dalë në asnjë televizion tjetër. Fatos Lubonja, ose Ljuba siç e quan Fevziu dhe miqtë e tij, është emblema e gjetur e emisionit të nipit të Neki bej Starovës. Fatos Lubonja ka një agjendë personale të përpunuar në zyrat dhe laboratorët e Sorosit, ku ai ka qenë një nga njerëzit më të afërt. Kjo agjendë përmban goditjen dhe shkatërrimin e e atyre që në gjuhën sorosiane quhen mite, të nacionit (kombit), duke predikuar shpërbërjen e nacionit shqiptar në minoritete të sajuara, përçmimin e vetëdijes nacionale shqiptare, të përkushtimit nacional, heronjve nacionalë, dhe në rastin shqiptar posaçërisht të Skënderbeut, të përçmimit të flamurit nacional, të historisë nacionale, të rëndësisë së personaliteteve ndërkombëtare me origjinë shqiptare, si Nënë Tereza, etj. Në 19 shkurt 2009, në emisionin “Opinion” të Fevziut, Fatos Lubonja foli shumë keq kundër Nënë Terezës dhe raportit të shqiptarëve me të. Fatos Lubonja fillimisht e quajti Nënë Terezën:
      shembull tipik të mendësisë nacional-komuniste, kur ndërtohen imazhe për t’ u identifikuar.
      Kjo është një gjë sa absurde, aq edhe e rëndë, aq më tepër e thënë nga një njeri i hebreut Sorosit në Shqipëri si Fatos Lubonja. Nëse përdoret logjika e Lubonjës, atëherë mund të thuhet se edhe Ana Franku është një imazh i ndërtuar sipas mendësisë komuniste, për t’ u identifikuar kombi izraelit. Më tutje Lubonja tha se:
      Ajo për të cilën ajo vlerësohet, mori Çmimin Nobël nuk ka të bëjë fare me shqiptarët, se atë shqiptarët nuk e kanë fare pjesë të kulturës së tyre”.
      Sipas kësaj që thotë sorosiani Lubonja del se edhe Holokausti nuk ka lidhje me Izraelin se hebrenjtë që u vranë në Europë, në pjesën më të madhe nuk e dinin fare  gjuhën judaike, dhe u përkisnin kulturave të ndryshme, sipas vendeve ku jetonin. Më tutje Lubonja tha se:
      Nënë Tereza vetë nuk thotë se jam shqiptare se ajo i përket Jezu Krishtit, e në njëfarë mënyrë edhe kjo është një kulturë, një kulturë antinacionaliste.
      Por Nënë Tereza ka thënë qartë se nga gjaku jam shqiptare, gjë që Lubonja e di mirë, e megjithatë mashtron se ashtu i konvenon agjendës së tij shqiptarocide. Fatos Lubonja tha për Nënë Terezën si simbol se:
      kjo të le në debilllëk, në manipulim të le.
      Sipas Lubonjës, kombi shqiptar do të bëhet i zgjuar kur të braktisë krejt simbolet e tij, krejt njerëzit e shquar që ka nxjerrë dhe të adhurojë “filantropinë” e Sorosit, që sponsorizoi këtë lloj ekzorcizmi, me anë të njerëzve si Lubonja. Është interesante se sorosianët kozmopolitë si Lubonja pajtohen në shumë gjëra me fundamentalistët islamikë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, dhe kanë të njëjtën urrejtje për Skënderbeun, Nënë Terezën e simbolet nacionale shqiptare. Të dy palët, ndonëse nga pikëpamje të ndryshme, kanë të njëjtin qëllim, shpërbërjen e nacionit shqiptar. Agjendën e tij Lubonja e çon para në shkrimet e tij në gazeta si dhe në daljet e tij në emisionin e Fevziut. Pavarësisht se cila është tema e emisionit, Lubonja flet në funksion të agjendës së tij. Lubonja kërkon të krijojë për vetveten aureolën e një mendimtari të pavarur, i cili është kundër të dy palëve, kundër së majtës dhe së djathtës, të cilat i quan dy banda të mëdha që kërkojnë të vjedhin dhe të abuzojnë me pushtetin. Por e vërteta është se ky qëndrim i Lubonjës nuk është pasojë e pikëpamjes morale të tij, por e idesë fikse të tij, për shpërbërjen e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar.
      Fatos Lubonja simbolizon sharlatanizmin intelektual që është fryma sunduese e emisionit të Fevziut. Lubonja, në karrierën e vet të gjatë mediatike, nuk ka arritur kurrë që të japë një ide të re, që të mbajë markën intelektuale të tij. E vetmja gjë që ka bërë ai është që të marrë idetë të cilat ia japin të tjerët dhe t’ i riprodhojë ato. Në asnjë nga televizionet e mëdha të vendeve ballkanase, për të mos folur për ato europiane, nuk gjen një emision të rëndësishëm politik, ku i ftuari special i emisionit të jetë një njeri si Lubonja. Nëse ka një shembull të tillë, Fevziu do të bënte mirë të na e tregonte. E sigurt është se kjo gjë nuk ndodh në emisionin “Porta a Porta”, të Bruno Vespa në Itali, të cilin Fevziu thotë se e ka model si për emisionin, ashtu edhe si gazetar. Është interesante se në 1997 Lubonja u bë protagonist së bashku me Fevziun edhe në skandalin e përgjimit të bisedave të ambasadorit italian në Tiranë Foresti dhe të kryetarit të PD të kohës, Tritan Shehu. Revista e përtremuajshme “Përpjekja”në të cilën Fatos Lubonja ishte drejtor, publikoi “Forestigate” me shënimin:
      Zbardhje e plotë e kasetës me bisedat telefonike Foresti-Shehu botuar e pjesëshme në gazetën Indipendent.[xiv]
      Në fund të tekstit të transkriptit është shënimi:
      Zbardhi Fatos Lubonja[xv]
      Kështu, vetë drejtori i revistës mburret se ai vuri kufjet dhe e transkriptoi përmbajtjen e kasetës. Lubonja nuk shpjegon se përse gazeta “Indipendent”nuk e botoi të plotë përmbajtjen e kasetës, por ia la lavdinë e dyshimtë të publikimit të pjesës tjetër të saj pikërisht Lubonjës. Një gjë është e sigurt, të dyja, si “Indipendent” ashtu dhe “Përpjekja” i lidhte filli ombelikal sorosian. Numri i revistës “Përpjekja”në të cilin janë botuar transkriptet mban shënimin:
      Botimi i këtij numri u bë i mundur në sajë të ndihmës bujare të PRESS NOW.
      “Press Now” është një ndër krijesat e Sorosit. Gjithsesi, në kohën që Lubonja publikoi transkriptet, ai dhe Fevziu qenë grindur, siç e kam rrëfyer më lart. Si u pajtuan Fevziu dhe Lubonja të cilët u grindën keq në vjeshtën e vitit 1997, kur Lubonja donte ta ndërpriste karrierën e Fevziut si gazetar televiziv? Nëse do të kërkosh arsyet se përse Lubonja është bërë emblemë e emisionit të Fevziut, atëherë do të shkosh deri tek ai gusht i largët i vitit 1997, kur Fevziu e nisi me ngut emisionin e tij, para udhëtimit misterioz në Moskë. Gjithçka ka ndodhur si tek filmi “Telefon”, të cilin e kam përmendur më lart. Fevziut i ka tringëlluar një zile telefoni misterioz dhe ai ka thirrur Lubonjën në emisionin e tij, ashtu siç i ka ndodhur edhe këtij të fundit, që ka shkuar në emisionin e Fevziut pas një telefonate të tillë. Nuk është ironi e vogël që Lubonja prej vitesh është emblemë e emisionit televiziv, të cilin ai dikur u përpoq shumë që ta mbyste që në lindje.
      I ftuari tjetër special me kontratë, prej shumë vitesh, në emisionin e Fevziut, është Preç Zogaj. Zogaj në të vërtetë është një njeri inteligjent, i cili për shumë tema që diskutohen sjell mendime të vlefshme. Por, se cila është fryma që përçon Preç Zogaj në emisionin e Fevziut, këtë më saktë e tregon emisioni “Opinion” i datës 18 tetor 2007, ku u diskutua për bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, për të cilin emision kam folur më lart. Zogaj është i vetmi politikan të cilit Fevziu i ka bërë nderin që ta ketë opinionist me pagesë.
       Qëkurse gjyqtari i Gjykatës së Faktit në Vlorë, Skerdiliad Konomi u vra në një atentat të stilit mafioz, për shkak të një gjyqi pronësie ku është i implikuar si pretendues edhe Blendi Fevziu, kyi fundit ka nisur ta ftojë shpesh në emisionin e tij “Opinion” kushëririn e parë të gjyqtarit të vrarë, Arian Konomin. Kuptohet, Fevziu e bën këtë për të larguar dyshimet nga vetja. Në fakt, Blendi Fevziu është i vetmi ndër kundërshtarët e Skerdilaid Konomit në këtë gjë, që është në gjendje të organizojë një atentat të stilit mafioz si ai në të cilin u vra Konomi.




[i] Preç Zogaj, “Nga hiri”, Shtëpia botuese “Dita 2000”, Tiranë 2003, f. 299-300
[ii] Preç Zogaj, “Finalja”, Shtëpia botuese “Dita 2000”, Tiranë 2004, f. 294-295
[iii] po atje: f. 321
[iv] Irakli Koçollari, “Policia sekrete e Ali Pashës”, Shtëpia botuese “Ilar”, Tiranë 2004, vëllimi I, II
[v] Pier Bomarshe, “Martesa e Figarosë”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1973, f. 267
[vi] Lat.- Gjithë llafazanët nuk janë elokuentë.
[vii] Të gjitha citimet nga emisioni në fjalë janë marrë nga transkripti i intervistës që është publikuar që website të Ambasadës së SHBA në Shqipëri:
http://tirana.usembassy.gov/press-releases2/2011-press-release/ambassador-arvizu-interviews-with-sokol-balla-on-top-channels-top-show-april-7-2011.html
[viii] Edhe në këtë rast, të gjitha citimet nga emisioni në fjalë janë marrë nga transkripti i intervistës që është publikuar që website të Ambasadës së SHBA në Shqipëri:
http://tirana.usembassy.gov/press-releases2/2011-press-release/transcript-of-interview-with-u.s.-ambassdaor-alexander-a.-arvizu-for-opinion-program-of-mr.-blendi-fevziu-tv-klan-september-26-2011
[ix] Edhe në këtë rast, citimi i ambasadorit amerikan është bërë sipas website të Ambasadës Amerikane:
http://tirana.usembassy.gov/press-releases2/2012-press-releases/transcript-of-interview-of-u.s.-ambassador-alexander-arvizu-with-abc-news-february-1-2012
[xi]http://www.president.al/shqip/info.asp?id=6388
[xiii] Citohet sipas website zyrtar të Ambasadës së SHBA në Shqipëri:
http://tirana.usembassy.gov/press-releases2/2012-press-releases/transcript-of-interview-of-u.s.-ambassador-alexander-arvizu-with-abc-news-february-1-2012
[xiv]Revista “Përpjekja”, nr 11-12, shtator-dhjetor 1997, Tiranë, f. 143
[xv] po atje: f. 150