42.
“E Diela Debat”- i pari në radhën e emrave të emisionit që do të ndryshojnë si mbiemrat e tij
Nuk është ironi e vogël që Blendi Fevziu, njeriu që ka në gjenealogjinë e tij pesë mbiemra të ndryshuar nga familja e tij, nga të cilët dy i përkasin jetës së tij, e ka ndryshuar tre herë emrin e emisionit të tij televiziv. Sipas atyre që ka pohuar vetë Blendi Fevziu, ai, në gusht 1997 kishte në plan që të bënte një udhëtim në Rusi, në Moskë, dhe as që mendonte për të bërë një emision televiziv, kur atij i doli papritur emisioni, midis pushimeve dhe vizitës në Moskë. Blendi Fevziu në të gjitha spot-et publicitare të emisionit të tij “Opinion” thotë se ai ka filluar në 31 gusht 1997. Këtu Fevziu e ka fjalën për emisionin “E Diela Debat”, të cilin ai e filloi në këtë ditë në televizionin publik shqiptar. Blendi Fevziu e ka rrëfyer kështu nisjen e këtij emisioni televiziv:
Isha ngjitur një ditë në fund të gushtit 1997 në zyrën e Edi Mazit, drejtorit të ri të TV, më shumë i obliguar nga një mik se sa me një synim të qartë. Po bisedonim mbi ndryshimet dhe atë që mund të realizohet menjëherë kur i sugjerova të ulte përballë njëra-tjetrës PD dhe PS për disa nga problemet më të rëndësishme. Ishte një turbullim i tillë kur askush nuk pranonte përgjegjësitë dhe kur zgjidhja më e mirë ishte gjykimi direkt i njerëzve. Nuk u zgjata më sepse gjysëm me shaka, gjysëm me nxitim më ftoi ta bëja unë. Ishte e martë. Të mërkurën u krijua grupi me Petri Bozon, regjisor dhe Besnik Kaltanjin redaktor. Të dielën hymë në transmetim të drejtpërdrejtë.[i]
Fevziu kërkon të na bindë se ai shkoi në zyrën e drejtorit të televizionit publik, për t’ i dhënë atij mendime se si duhej ta bënte punën e tij. Dhe ajo çka i sugjeroi Fevziu ishte një gjë krejt elementare. Blendi Fevziu e ka sajuar të gjithë këtë histori për të thënë se nuk ishte ai që shkoi në zyrën e Edi Mazit dhe i kërkoi që të bënte një emision televiziv, por ishte ky i fundit i cili ia propozoi Fevziut një gjë të tillë. Dhe Fevziu nuk mendohet shumë, por fillon saora nga puna. Por me shkallën e kontrollit që ushtronte qeveria mbi televizionin shtetëror në atë kohë, madje edhe më pas, jo më drejtori i Televizionit Publik, por as drejtori i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, eprori i drejtpërdrejtë i Mazit, nuk mund të vendoste dot nga mendja e vet për të bërë një emision televiziv politik. E vërteta është se Mazit i ishte thënë që më parë se Fevziu do të bënte një emision televiziv në Televizionin publik. Ishte gushti i vitit 1997, dhe Partia Socialiste me aleatët e saj, ndër të cilët dhe Partia Aleanca Demokratike, në të cilën bënte pjesë Fevziu, kishin ardhur në pushtet prej pak më tepër se një muaji. Blendi Fevziu kërkonte të shpërblehej duke marrë një post, dhe kishte kërkuar të bëhej ambasador në Francë. Sipas fantazisë së Fevziut, kështu ai do të mund të përmbushte dhe ëndrrën e vjetër për t’ u bërë shkrimtar, duke shpresuar se Ismail Kadare, i cili jetonte në Paris, do ta promovonte në sallonet e Parisit, që frekuentoheshin nga elita letrare botërore.
Por e majta në pushtet kishte për Fevziun plane të tjera nga ato që i kishte thënë e majta në opozitë. E majta në pushtet, duke synuar ta mbante pushtetin gjatë, ishte duke përpunuar një agjendë politike të përçarjes së opozitës, gjegjësisht Partisë Demokratike, nxitjes së konfliktit politik tek opozita, duke e shënjestruar kryetarin e PD, Berisha, si dhe përgatitjen e një fushate arrestimesh ndaj personave kryesorë të opozitës, duke përdorur si shkas ngjarjet e pranverës së vitit 1997. Kjo agjendë politike ishte përpunuar dhe do të zbatohej në bashkëpunim me SHIK, që tashmë kryesohej nga një socialist, Fatos Klosi. Ndonëse e majta kur kishte qenë në opozitë, kishte folur shumë dhe me të drejtë për përdorimin e SHIK të kryesuar nga Bashkim Gazidede, për luftë politike, nga ana e PD në pushtet, tashmë të njëjtën gjë po e bënte edhe PS, duke vënë në krye të SHIK nënkryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që përfaqësonte këtë parti në zgjedhjet e verës 1997, Fatos Klosin. Ky ishte një sinjal i qartë se SHIK do të vazhdonte të përdorej politikisht, edhe pas ndryshimit të pushtetit. Në shërbim të kësaj agjende do të bëhej edhe një emision televiziv politik. Në atë kohë kishte ende shumë pak televizione private dhe ato qenë të dobëta, me rreze lokale të shtrirjes së sinjalit, dhe me ndikim të pakët. Kështu që kishte rëndësi të madhe ende Televizioni Publik, i cili kontrollohej nga qeveria. Një emision televiziv politik në Televizionin Publik në atë kishte një ndikim dhe rëndësi më të madhe se sa mund të imagjinohet sot. Prandaj dhe SHIK, i cili ishte i kyçur në agjendën politike të përmendur më lart të së majtës në pushtet, kishte interes të madh për këtë emision. Si personi më i përshtatshëm që mund ta kryente këtë detyrë delikate u përzgjodh Blendi Fevziu, se ai kishte qenë në PD, vinte nga një familje e ashtuquajtur e deklasuar, në kohën e komunizmit, si dhe kishte një farë talenti për të bërë provokatorin medial. Që kishte një skenar të tillë, kjo kuptohet qartë nga ato që thotë Fevziu për reagimet prej pushtetit të majtë, ndaj emisioneve të tij të para.
Ajo që nuk e shpjegon Fevziu është se përse një emision i krijuar kaq rastësisht, për të mos thënë aksidentalisht, duhet të fillonte me ngut të madh para udhëtimit të vendosur të Fevziut në Moskë. Siç e kam cituar më lart, Fevziu thotë se ditën e martë (26 gusht) bisedoi me Edi Mazin, të nesërmen (27 gusht) u krijua stafi i emisionit, ditën e dielë (31 gusht), një ditë para nisjes së Fevziut në Moskë, u bë emisioni i parë. Këto i pohon vetë Fevziu, i cili shkruan:
Edicioni i parë ishte një debat mbi rendin. Fola me Cekën dhe më pas me Hajdaragën. Askush nuk refuzoi dhe emisioni kaloi pa probleme. Të nesërmen u nisa për Moskë duke i lënë Kaltanjit porosinë. U ktheva të shtunën dhe të dielën hymë në transmetim për herë të dytë.[ii]
Këtu më duhet të risjell në vëmendjen e lexuesit një fragment nga citimi para këtij më lart, ku Fevziu flet për bisedën me Edi Mazin:
Nuk u zgjata më sepse gjysëm me shaka, gjysëm me nxitim më ftoi ta bëja unë. Ishte e martë. Të mërkurën u krijua grupi me Petri Bozon, regjisor dhe Besnik Kaltanjin redaktor. Të dielën hymë në transmetim të drejtpërdrejtë.[iii]
Është e qartë se Fevziu donte që ta bënte emisionin e parë para vajtjes në Moskë, për arsye që i di ai. Fevziu donte të shkonte në Moskë me kredencialet e drejtuesit të një emisioni të rëndësishëm televiziv në Shqipëri. Këtu duhet pasur parasysh edhe se ishte koha para luftës së Kosovës, e cila për ata që kishin njohuri, dihej se mund të shpërthente nga momenti në momenti. Rusia dhe Serbia qenë shumë të interesuara për zhvillimet në Shqipëri. E sigurt është se Fevziu u kthye nga Moska, ndër të tjera, duke sjellë një grumbull matrioshka-kukullat e famshme ruse (në fakt imitim i atyre kineze), të cilat futen tek njëra-tjetra. Sipas atyre që thotë Fevziu, ai është nisur në Moskë në 1 shtator dhe është kthyer në Tiranë në 6 shtator, një ditë para emisionit të dytë. Emisioni i parë qëllimisht nuk u bë i nxehtë, se ishte debutimi i Fevziut si drejtues televiziv. Kështu që emisioni i dytë shënon fillimin e asaj serie emisionesh për të cilën u katapultua Fevziu në televizion. Synimi i emisioneve të para Fevziut ishte që ata ish-qeveritarë të PD, të cilët kishin pasur konflikte me Berishën, ta denonconin atë si përgjegjës për ngjarjet e vitit 1997, deri edhe duke bërë deklarata të cilët do t’ i shndërronin ata në dëshmitarë në procesin penal ku Berisha do të ishte i pandehur. Prokuroria e Përgjithshme, e drejtuar pas ardhjes së PS në pushtet, nga Arben Rakipi, i cili ishte i ftuar që në emisionin e parë të Fevziut, e monitoronte emisionin me anë të një grupi të posaçëm, i cili duhej të gjente atje deklarata të cilat do të shërbenin për të thirrur si dëshmitarë ish-qeveritarë të PD në një proces të mundshëm penal kundër Berishës. Për këtë arsye, në emisionin e dytë, u ftua ish-kryeministri për pesë vite i kohës kur PD ishte në pushtet, Aleksandër Meksi. Fevziu shkruan për emisionin e dytë të tij:
Një javë më vonë kisha arritur të ulja në një tryezë për problemet e reformës ish-kryeministrin Meksi, edhe ai një i njohur i vjetër i viteve ’90, ish-ministrin e drejtësisë Ngjela dhe ministrin Kondi.[iv]
Njeri shumë inteligjent, Aleksandër Meksi nuk ra në kurthin që i kishin ngritur. Ai e kuptonte se oferta të tillë kishin vlerë vetëm nëse vinin nga diplomatët e rëndësishëm perëndimorë në Tiranë, dhe jo nga pushtetarët e majtë. Nuk kishte asnjë garanci se e njëjta lojë nuk do të përdorej dhe kundër tij. Prandaj, Meksi jo vetëm që u bë hermetic kur qe fjala për të kritikuar seriozisht Berishën, por madje tërthorazi bëri dhe avokatin e ish-Presidentit, duke mbrojtur qeverisjen pesëvjeçare të PD, gjatë së cilës kishte qenë kryeministër. Fevziu vetë ishte i dëshpëruar pas emisionit të dytë. Ai shkruan:
Me shijen e hidhur të një dështimi në javën e shkuar, rrija tani në pritje të shansit të ri dhe të fundit njëherësh. Nuk më ngushëllonte as një fjalë e Ardit Gjebreas, që nuk kishte harruar të më kujtonte se sipas një superstici të njohur për të gjithë personazhet e ekranit, emisioni i dytë dilte gjithmonë i dobët. I treti do të jetë më i mirë, më qetësoi, pa e ditur edhe ai cilët do të qenë protagonistët e tij. Në të vërtetë ndihesha shumë keq.[v]
Emisioni i tretë, në 13 shtator ishte në fakt ai që bëri më shumë bujë, për shkak se tema e tij ishte ushtria shqiptare në ngjarjet e vitit 1997. Por, në një sens të caktuar ky ishte dështimi i madh i Fevziut si gazetar. Ata që qëndronin pas Fevziut, në atë kohë Fatos Nano dhe Fatos Klosi, kishin menduar një skenar sipas të cilit ish-ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, do të shfaqej në ekran, në këtë emision, dhe do të denonconte ish-Presidentin Berisha si njeriun që dha urdhrin për hapjen e depove të armëve, si dhe “për të qëlluar mbi popullin”. Fevziu shkruan:
Zhulali kishte mbërritur në Tiranë në datë 7 shtator 1997, pikërisht në ditën e emisionit tim të dytë.[vi]
Nga Safet Zhulali, një nga qeveritarët më misteriozë të kohës së tranzicionit, libohovit për nga origjina, por që kishte jetuar për shumë kohë në Dibër, duhej pritur që të ishte shumë kritik ndaj Berishës, me të cilin kishte pasur një përplasje të ashpër në ditët shpërthyese të pranverës së vitit 1997. Nëse Zhulali do ta fajësonte në këtë emision televiziv Berishën për dhënien e urdhrit për të qëlluar mbi njerëzit që msynë depot e armëve, si dhe për të hapur depot e armëve, atëherë ai do të bëhej dëshmitari-kyç në një gjyq kundër Berishës. Tek e majta në pushtet, njerëz që i dinin prapaskenat e emisionit, shpallën dështimin e tij, dhe kërkuan ndërprerjen, se po arrinte qëllimin e kundërt. Fevziu shkruan mbi këtë gjë:
Pa u zhvilluar ende dy debate, Neshat Tozaj, një i njohuri im i pas viteve ’90 dhe frekuentues i rregullt i faqeve të gazetave, botoi një shkrim të gjatë dhe mjaft kritik në “Zëri i Popullit”. Më akuzonte se po ktheja në ekran kriminelët që nuk kishin dhënë ende llogari. Më akuzonte për daljen në TV të Meksit, por iu binte këmbanave edhe për debatin që pritej atë javë, atë Zhulali-Brokaj. Presioni i Tozajt ishte përcaktues në vendimin e Brokajt për të mos ardhur në emision.[vii]
Tozaj, një ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme të kohës së komunizmit, dhe autor proliks librash mbi historitë e Sigurimit të Shtetit, e kishte kuptuar me intuitën e tij se ndërmarrja e Fevziut kishte dështuar. Por ata, të cilët qëndronin pas Fevziut, nuk donin që ta braktisnin kaq lehtë këtë projekt. Edhe vetë Fevziu mbante shumë shpresa tek Zhulali, por ai që në fillim të emisionit e akuzoi se po sillej si hetues dhe jo si drejtues i një debati televiziv:
B. Fevziu: Pra a ju ka kërkuar shefi i SHIK-ut që të furnizonit me municion oficerët e tij që ndodheshin gjysëm të çarmatosur. Dhe a ju ka kërkuar një helicopter për të shkuar në Vlorë?
S. Zhulali: Ta fillosh debatin kështu i ngjan më tepër një lloj hetuesie sesa një debati publik.[viii]
Më tutje, Zhulali u shndërrua në akuzator ndaj drejtuesit të emisionit duke i thënë Fevziut:
Të gjithë shqiptarët besoj dhe ju dhe të pranishmit, duhet të jenë të ndërgjegjshëm që në Shqipëri ndodhi një tragjedi. Një tragjedi shumë e madhe dhe e paparë në histori. Veçanërisht në kushtet kur vendi ishte në paqe. Një tragjedi, në përgjithësi ka tre, katër apo pesë akte. Ju e filloni nga akti i fundit, nga akti i pestë, kur personazhet vdesin. Nëse do të donit që këtë tragjedi ta shfaqni atëherë duhet ta filloni nga akti i parë, d.m.th. cilët janë shkaqet që çuan në këtë përfundim dhe si u gjend ushtria shqiptare përballë një situate të tillë ku ajo u vetësakrifikua. Sepse askush nuk e shpartalloi, ajo nuk zhvilloi beteja dhe u mund, u vetësakrifikua. Kush e shpuri vendin në këtë situatë. Ju më pyesni për Gazideden, do të përgjigjem dhe për atë. Por çdo veprim bëhet si përgjigje e një fakti të caktuar. Ka ndodhur diçka: ushtria shqiptare ishte në kazermë, ushtria shqiptare zhvillonte jetën e saj normale, ushtria shqiptare ishte në paqe. Dikush e sulmoi ushtrinë shqiptare. Ushtrinë shqiptare nuk e sulmoi Gazidede, nuk e sulmoi SHIK, e sulmoi tjetërkush zotëri! Pse duhet ta filloni kështu: A kërkoi Gazidede apo jo të shkojë në Vlorë? A kërkoi helikopter apo nuk kërkoi helikopter?[ix]
Kështu, Zhulali i bëri një pretencë të rreptë dhe logjike Fevziut se nuk po bënte detyrën e gazetarit, të drejtuesit të debatit televiziv, por ishte duke zbatuar një skenar që nëpërmjet manipulimit të fakteve, synonte të tjetërsonte të vërtetën e asaj që kishte ndodhur në vend. Zhulali, në anën tjetër e akuzoi edhe Berishën se qëndronte pas sulmeve kundër tij, në media, në mars të atij viti. Por përpjekjet e Fevziut për ta tërhequr Zhulalin në lojën që donte ai dështuan në mënyrë të përsëritur. Vetë Fevziu shkruan:
Debati Zhulali-Teta duket se krijoi probleme. Mazi ishte i rezervuar me mua por nga disa pjesë të PS pakënaqësia ishte e madhe. Ideja se Zhulali ishte prezantuar mirë dhe se kishte ngritur pyetjen fondamentale, të cilës nuk dinte t’ i përgjigjej askush brenda mazhorancës: Ushtarët bënë mirë që nuk qëlluan mbi popullin që sulmoi depot, duke kursyer shumë viktima, apo bënë keq duke i lënë ato të plaçkiten dhe popullsinë të armatoset?! Një armatosje që do të jetë fatale edhe për shumë vjet më vonë.
Presioni ishte aq i madh sa një javë më vonë emisioni nuk u zhvillua dhe një javë më vonë u bë një diskutim mbi kanunin! S’ e kam kuptuar asnjëherë këtë arsye dhe as jam interesuar ta di.[x]
Si është e mundur që drejtuesi i emisionit nuk interesohet për arsyen e ndalimit të emisionit të tij? Ajo që nuk e thotë Fevziu është se në ndërkohë, gjatë javës kishte ndodhur atentati ndaj Azem Hajdarit në parlament. Prandaj u fol për kanunin, duke u kërkuar të paraqitej si kanunor atentati ndaj Azem Hajdarit. Gjithsesi, Fevziu e kuptonte se ata të cilët e ngarkuan me një mision special qenë të pakënaqur prej tij. Por në fakt qenë ata që kishin dështuar, se Fevziu nuk mund ta detyronte Zhulalin të fliste siç donin ata të cilët qëndronin pas Fevziut. Atëherë njeriu i cili u tregua më i ashpër me Fevziun qe miku i tij Fatos Lubonja. Fevziu shkruan për këtë gjë:
Një javë më vonë, akoma më i ashpër qe reagimi i Fatos Lubonjës. Në një mbledhje të Këshillit Drejtues të RTV kërkoi mbylljen e programit. E argumentoi me faktin që PD nuk mund të riciklohet në PD dhe solli shembullin e Meksit që doli mjaft mirë në debatin e dytë. Mllefi i tij qe i çuditshëm. Një njeri që kishte aspiruar lirinë e mediave në një qeli të burgut të Spaçit, që kishte përçmuar metodat autoritare, që kishte qenë viktimë dhe i dhunuar prej tyre, nuk shihte rrugë tjetër. Kërkonte të përjashtonte nga ekrani një forcë politike kundërshtar i së cilës ishte.Edhe pse ajo zotëronte në atë moment më shumë se 27% të votave të shqiptarëve. Në Shqipëri ndodhin shpesh paradokse nga më të çuditshmet. E kam biseduar këtë disa herë me Lubonjën dhe kam pasur përshtypjen se nuk më kupton dot. Në fund të fundit ai fliste hapur dhe kjo është një meritë.[xi]
Fatos Lubonja kishte qenë bashkëkryetar i “Forumit për Demokraci”, ombrellës që bashkonte partitë e majta opozitare dhe disa shoqata në protestat që pasuan falimentimin e firmave piramidale dhe aksionin për përmbysjen e qeverisë së PD në fillim të vitit 1997. Kuptohet se Lubonja ndjehej drejtpërdrejt i lënduar nga ato që tha Zhulali. Lubonjës nuk i pëlqente as fakti se deri më tash nuk kishte qenë i ftuar në emisionin e Fevziut, ku do të mungonte edhe për një kohë të gjatë pas kësaj deklarate të tij. Lubonja ishte një prej atyre që, ashtu si Fevziu, priste të shpërblehej nga qeveria e majtë. Prandaj, dështimin e Fevziut ai e shikonte si një rast për të shigjetuar pushtetarët e rinj, nga të cilët kishte filluar të zhgënjehej. Dy vjet pas emisionit, Fevziu e gjeti të nevojshme të shfajësohej për një detaj të emisionit:
Kisha thirrur disa gazetarë por asnjëherë nuk mora vesh se si erdhën disa oficerë, shumicën e të cilëve as i njihja dhe as i kisha dëgjuar deri atë ditë.[xii]
Por në një emision televiziv nuk mund të hyjë çdokush, sipas dëshirës. Këta ushtarakë dhe ish-ushtarakë nuk mund të kishin hyrë pa dijeninë e Fevziut. Ata gjendeshin në sallë për të ushtruar presionin psikologjik ndaj Zhulalit, duke reaguar dhe në mënyrë mosaprovuese ndaj fjalëve të tij. Në një libër biografik duhet të kenë vend edhe anekdotat politike. Një ngjarje në kufijtë e anekdotës është ajo kur Fevziu, pak kohë më parë, në 2011, kur Aldo Bumçi do të bëhje ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i shprehu pakënaqësinë kryeministrit Berisha për këtë zgjedhje të tij. Berisha iu përgjigj me shaka:
Nuk mund të mos e bëj Blendi. Më nxjerr mallin e Safet Zhulalit në qeveri. I kam një borxh Safet Zhulalit, që atë natë në shtator 1997, kur ti e ftove në emisionin tënd dhe doje ta bëje të nxirrte nga goja akuza kundër meje, por ai nuk e bëri.
Aldo Bumçi është dhëndri i Safet Zhulalit (Aldo është martuar me vajzën e Safet Zhulalit). Emisioni i katërt i Fevziut, në vitin 1997, ishte një inskenim i ngjashëm me atë ku u thirr të luante Zhulali. Por këtë herë ishte fjala për firmat piramidale financiare, të cilat kishin shkaktuar trazirat e vitit 1997. Fevziu shkruan për këtë emision:
Më 28 shtator 1997 hyra në transmetimin e katërt. Ishte një debat mbi fajdet, origjinën, përgjegjësitë dhe të ardhmen e kompanive të mëdha që qëndronin ende në këmbë. Nga PD pranoi të vinte Bode, nga ish-ministrat thirra Rulin, një ndër njerëzit më të aftë dhe më inteligjentë në politikën shqiptare, dhe si për çudi pranoi ftesën menjëherë Malaj.[xiii]
Ridvan Bode, ish-ministri i Financave në kohën e rritjes galopante dhe të rënies së firmave piramidale ishte një tjetër njeri nga i cili duhej pritur që të ishte një kritik i ashpër ndaj Berishës. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 1997 Berisha nuk e kishte futur Boden në listën e kandidatëve për deputetë në një vend të tillë që të mund të fitonte një vend në parlament. Kjo tregonte se Bode nuk ishte më në planet e Berishës, dhe se karriera e tij politike kishte marrë fund. Bode duhej t’ i bënte llogaritë dhe me një penalizim të mundshëm nga Prokuroria e Përgjithshme me rastin e hetimeve për firmat piramidale. Në çdo pikëpamje, shndërrimi në akuzator ndaj Berishës, dukej rrugëdalja më e mirë për Boden. Kështu mendonin ata kontrollonin emisionin e Fevziut në prapaskenë. Përballë Bodes u paraqit vetë ministri i Financave i qeverisë së PS, Arben Malaj. Por ndryshe nga ç’ prisnin Fevziu, Malaj dhe ata të cilët qëndronin pas tyre, qëndrimi i Bodes gjatë debatit ishte ashtu siç dëshironte Berisha. Tre javë më pas, në Kuvendin (kongresin) e PD-së, ku Berisha, i larguar nga posti i Presidentit, u zgjodh kryetar i partisë, Bode mori nr. 2 në hierarkinë e partisë, atë të sekretarit të përgjithshëm. (Sipas Statutit të PD sekretari i përgjithshëm është mbi nënkryetarët në hierarkinë partiake) Diçka kishte ndryshuar thelbësisht në marrëdhëniet e Berishës me Boden dhe kjo diçka kishte ndryshuar pas zgjedhjeve të 29 qershorit. Qëndrimi i Bodes në emisionin e 28 shtatorit, ishte një sinjal i këtij ndryshimi. Në vjeshtën e vitit 1997, Fevziu u përfshi në fillimin e konfliktit mes kryeministrit Nano dhe Presidentit Meidani, i nxitur nga miku dhe shoku i tij i shkollës, Ben Blushi, zëdhënës i kryeministrit. Preç Zogaj, i cili atëherë ishte këshilltar i Meidanit, e përshkruan kështu këtë histori:
Fatos Nano thirri me urgjencë kushëririn e vet, Ben Blushin, e shpalli zëdhënës dhe e urdhëroi të fyente këshilltarin politik të presidentit të Republikës. Ben Blushi doli para gazetarëve dhe deklaroi: “Këshilltarët nuk flasin pasi kështu ngatërrohen marrëdhëniet e presidentit, precedentit dhe preçidentit.” Ishte shërbimi i parë në shtet i zëdhënësit të ri të Fatos Nanos. Me parimin “hidh gurin e fshih dorën” ai do të filtronte në gazetat qeveritare shpifje dhe fyerje të tjera kundër presidentit dhe këshilltarit të tij.[xiv]
Zogaj, gjithashtu shkruan se:
Nga mesi i muajit nëntor, presidenti shkroi në revistën “Klan” një përmbledhje të “krisjeve” mes presidentit dhe kryeministrit.[xv]
Duke njohur marrëdhëniet që kishin në atë kohë pronarët e revistës “Klan” me kryeministrin Nano, është e sigurt se një shkrim i tillë nuk mund të botohej pa pëlqimin, madje pa porosinë e Fatos Nanos. Emri i emisionit të Blendi Fevziut ndryshoi aksidentalisht, siç thotë ai, për shkak të një inkovenience të ministrit të Punëve të Jashtme të kohës, Paskal Milo. Fevziu shkruan:
Në fillim të dhjetorit 1997 doja të realizoja një debat për politikën e jashtme. Milo kthehej të enjten nga një vend i huaj dhe nisej përsëri të dielën mbasdite. Për rreth dy muajt e ardhshme të gjitha të dielat i kishte parashikuar në udhëtim. Ramë dakord ta zhvillonim debatin ditën e shtunë. Me këtë rast hoqëm nga dekori fjalën “E Diela” dhe lamë vetëm “Debat”.[xvi]
Intervista e parë e Fevziut në emisionin e tij, do të thotë kur ai i dha kohën e plotë televizive një personi të vetëm, shënon edhe një moment të veçantë turpi në karrierën e Fevziut si gazetar televiziv. Intervista e parë ishte ajo me kryeministrin Fatos Nano në fund të dhjetorit 1998. Fevziu shkruan mbi këtë aspekt të emisionit të tij:
Si edhe vetë emisioni ato erdhën rastësisht. Diku nga fundi i vitit 1997, midis debateve që kishin zënë vend, Kryeministri Nano vendosi të bënte një intervistë në TV. Meqënëse nuk kishte ardhur asnjëherë dhe meqënëse ardhja e tij varej kryesisht nga Berisha, vendosa ta marr vetëm. Pra një intervistë. Intervista u transmetua më 30 dhjetor dhe pati një lloj jehone.[xvii]
Ajo që nuk e thotë Fevziu është se ai u shtir kinse intervista ishte e drejtpërdrejtë dhe se Fatos Nano ishte i pranishëm në studion e emisionit në mbrëmjen e 30 dhjetorit, kur Fatos Nano nuk gjendej në Shqipëri që para Krishtlindjeve të atij viti, pasiqë kishte nisur një udhëtim për të kaluar një pushim jozyrtar të stërzgjatur dimëror, nga Athina në kryeqytetet europiane, deri në javën e dytë të janarit. Nano doli në emsionin e Fevziut, pikërisht në këtë ditë, për të përgënjeshtruar zërat se ai vazhdonte të kryente ritualin e tij të udhëtimeve turistike me shpenzime shtetërore në kohën e punës. Fevziu më kot kërkon të thotë se dalja e Nanos në emision kushtëzohej nga ajo e Berishës, duke nënkuptuar se Berisha nuk vinte në emision për të debatuar me Nanon. Fevziu nuk ftoi Berishën në intervistë, fill pas Nanos, për t’ ia bërë këto pyetje. Berishën do ta ftonte vetëm pesë muaj më pas, pasiqë e kishte ftuar edhe një herë tjetër Nanon. Daljen e dytë të Nanos në emisionin e tij, kur atje ende nuk kishte qenë kryetari i opozitës, Fevziu kërkon ta justifikojë me nënshkrimin e marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar:
U duk se ky do të ishte një rast i vetëm dhe i harruar, por në fund të majit, mbas nënshkrimit të Marrëveshjes ESAF II me FMN Nano duhet të dilte përsëri.[xviii]
Marrëveshja ESAF 2, që i jepte Shqipërisë vetëm 46 milion dollarë në tre vitet e ardhshme, nuk mund të ishte arsyeja për një intervistë të tillë. Motivi kryesor i Nanos për këtë intervistë ishte Kosova, e cila në pranverën e vitit 1998 ishte bërë pol manjetik i gjeopolitikës globale. Nano dha kumtin e tij për Kosovën në emision, por Fevziu nuk e ngacmoi me pyetje. Fevziu nuk e ngacmoi Nanon as kur ai tha se Korridorin 8 do ta ndërtonin kompanitë greke. Me këtë rast, ishte dashur që Fevziu ta pyeste se si dota bënin këtë gjë kompanitë e një vendi që prekej drejtpërdrejt nga ndërtimi i këtij korridori dhe që kishte në plan të ndërtonte një korridor rival paralel me të që të kalonte vetëm në territorin grek. Por Fevziu nuk e bëri këtë pyetje se ai kishte ardhur në Shqipëri i mrekulluar nga greku Zorba. Blendi Fevziu, që me ardhjen e Edi Ramës në prill 1998, u vu në shërbim të tij, duke u bërë praktikisht pjesë e stafit të Ramës. Madje, pikërisht në emisionin e Fevziut ka filluar ajo që mund të quhet si hedhja e dorezës së sfidës nga ana e Edi Ramës, ndaj Nanos, për drejtimin e e PS. Fevziu shkruan:
Menjëherë pas intervistës me Nanon, Edi Rama, mik i vjetër dhe një nga ministrat më në modë të qeverisë donte të bënte një intervistë. Rama është nga ata njerëz që të magjepsin kur flasin, që kanë aftësinë të argumentojnë gjithçka dhe argumentat e tyre gjatë një interviste janë shpesh të pathyeshëm. Mbi të gjitha ai ka ndjekje dhe kjo është normale. Edi e kishte krijuar portretin e tij në tribunat e mitingjeve apo faqet e gazetave dhe njerëz të tillë kanë gjithmonë ide. Në shterpësinë që kishte sjellë aktivizimi i shumë politikanëve provincialë dhe mediokër, Rama ishte ylli i ri tek i cili shpresohej shumë.[xix]
Me këto fjalë Fevziu duket se më tepër kërkon të shfajësohet për promovimin televiziv që i bëri Ramës në maj 1998, kur emisioni i tij ishte i kontrolluar fuqishëm nga qeveria, se sa të artikulojë vlerësimin e tij për Edi Ramën. Kjo kuptohet dhe nga fakti se Fevziu nuk e ka përfshirë transkriptin e kësaj interviste me Edi Ramën, në librin e tij “Para dhe pas kamerave”, të botuar në 1999. Intervista me Edi Ramën është e vetmja që mungon ndër ato që ai i përmend në pjesën e parë të librit, ku bën një historik të dy viteve të para të emisionit të tij. Në 1999, marrëdhëniet e Fevziut me Ramën qenë ftohur për arsye të cilat do t’ i shpjegoj në vazhdim të këtij libri. Por, dalja e Edi Ramës në emisionin e Fevziut, në maj 1998, për vetë specifikën e saj, bëri bujë më tepër për mënyrën sesi u bë, se për ato që ai tha. Që prej fillimit të emisionit në gusht 1997, vetëm kryeministrit Nano i qe dhënë koha e plotë televizive për një intervistë në atë që ishte emisioni i vetëm politik të Televizionit Publik, dhe që për arsye teknike (mbulimi shumë modest me sinjal televiziv i territorit të vendit nga ana e televizioneve private) ishte emisioni më i ndjekur në vend. Fakti që një javë pas kryeministrit, e njëjta qasje në këtë emision iu dha një ministri të qeverisë për një intervistë fill pas kryeministrit, nuk mund të mos perceptohej si një sfidë ndaj kryeministrit. Duke njohur shkallën e kontrollit që ushtronte qeveria në televizionin publik, mund të thuhej se ndaj kryeministrit Nano kishte ndodhur, praktikisht, një puç medial! 24 maji 1998 shënon fillimin e sfidës së Ramës ndaj Nanos. Fevziu ishte njohur më mirë me Edi Ramën qëkurse ky i fundit mori në grupin nismëtar të partisë “Aleanca Demokratike”, në vitet 1992-93, dhe në fillimet e kësaj partie. Blendi Fevziu pretendon se dalja e Edi Ramës në emisionin e tij, në 24 maj 1998, shënonte pikën e kthesës në perceptimin publik të Ramës:
Kishte veshur një këmishë me lule, xhaketë të zezë dhe çorape të verdha. Ishte më piktoresk me këtë luk të ri, i cili i kishte munguar për shumë vite. Gjatë gjithë intervistës ishte i qetë. Foli me logjikë dhe mbas rreth një ore e dhjetë minuta, kishte fituar gjithë autoritetin e lëkundur nga komentet apo sulmet e gazetave. Jehona e Ramës ishte mjaft e madhe. Që atë mbrëmje, por edhe për ditë me radhë shumë vetë vijonin të komentonin intervistën. Ai fitoi një imazh të ri, të domosdoshëm për një anëtar kabineti.[xx]
E tepërt të thuhet, ky është me të vërtetë një pretendim mëse i ekzagjeruar. Edi Rama nuk tha ndonjë gjë të jashtëzakonshme. E vetmja gjë e jashtëzakonshme ishte dalja e tij televizive, në kohë të plotë, fill pas kryeministrit. Fevziu kërkon ta përdorë këtë intervistë të Edi Ramës për të mbuluar një lloj atentati mediatik të tij kundër Sali Berishës. Fevziu i atribuon Edi Ramës edhe pikënisjen e një pjese të rëndësishme të emisionit të tij:
Por mbi të gjitha, ai më krijoi kushtet për një cikël të ri dhe mjaft interesant, atë të intervistave direkte.[xxi]
Intervista e radhës, një javë më pas, do të ishte ajo me Sali Berishën, në 31 maj 1998. Kjo ishte dalja e parë e Berishës në emisionin e Fevziut. Fevziu shtiret se ftesa për Berishën në emision erdhi rastësisht, por kjo nuk është e vërtetë. Fevziu ka shkruar mbi këtë intervistë:
E ftova krejt rastësisht, siç ndodh rëndom në media. I dyzuar nga egoizmi për të intervistuar një politikan të lartë dhe karizmatik dhe nga ideja se pas dy intervistave të Nanos dhe asaj të Ramës i vinte radha një përfaqësuesi të opozitës. Fillova ta mendoja po atë të diel që prisja të zhvilloja intervistën me Ramën. Ishte 24 maj, mëngjes dhe së bashku me disa të tjerë shkonim për plazh në Durrës.[xxii]
Fevziu, nga njëra anë thotë se e ftoi Berishën krejt rastësisht, në anën tjetër thotë se ideja i erdhi në ditën që kishte intervistën me Edi Ramën! Nuk kuptohet se përse Fevziu nuk mund ta bënte këtë gjë, pavarësisht daljes së Ramës në emisionin e tij. Shpjegimi se përse Fevziu e ftoi Berishën pikërisht në emisionin e fundit të majit, zbulohet në një nga pyetjet që Fevziu i bëri Berishës në këtë intervistë. Nuk duket asfare e besueshme që Fevziu e ftoi Berishën për shkak se ishte radha e tij pasiqë patën qenë të ftuar njëri pas tjetrit dy qeveritarë, kryeministri Fatos Nano dhe ministri Edi Rama. Nëse do të kishte pasur një radhë të tillë, ishte dashur që kryetari i opozitës të ftohej fill pas kryeministrit, jo pas ministrit të Kulturës. Në të vërtetë, ftesa që Fevziu i bëri Berishës, erdhi pas një urdhri që kryeministri Nano i dha Fevziut, pasiqë e shau për thirrjen e Edi Ramës në emision. Berisha u ftua vetëm që t’ i bëhej një pyetje. Fevziu gjatë emisionit e pyeti Berishën, për ngjarjet e vitit 1997:
Ju thatë se shkatërrimet e marsit tronditën ekonominë shqiptare dhe fatura ishte 1 miliardë dollarë. A mendoni ju se duke dhënë dorëheqjen siç veproi Suharto në Indonezi do të shmangeshin këto shkatërrime.[xxiii]
Kjo nuk ishte pyetje, por një etiketim, i cili i bërë nga një intervistues në një emision televiziv, aq më tepër në Televizionin Publik, ishte fyes dhe provokativ në kulm. Praktikisht, Fevziu po i thoshte Berishës se ai ishte më i keq se Suharto, diktatori i një vendi islamik, Indonezisë, i cili ishte rrëzuar nga pushteti ato ditë. Suharto, kishte qenë diktatori i Indonezisë për 34 vjet, që prej vitit 1967 deri kur u detyrua të japë dorëheqjen në vitin 1998, pas 31 vjetësh në pushtet. Suharto ishte detyruar të jepte dorëheqjen pas një kryengritjeje popullore, pikërisht dhjetë ditë para këtij emisioni, në 21 maj 1998. Krahasimi me diktatorin e rrëzuar të një vendi islamik, ishte veçanërisht i dhimbshëm për Berishën, për shkak të akuzave që i bënin kundërshtarët e tij, se kishte krijuar lidhje me qarqet fundamentaliste islamike nga bota arabe. Për më tepër, përderisa Suharto nuk u largua thjesht nga pushteti, por edhe nga politika, Fevziu praktikisht po i thoshte Berishës se ai ishte dashur që të largohej nga politika, jo vetëm nga pushteti. Fevziu qartësisht gënjen kur thotë se ideja për të ftuar Berishën në emision i erdhi ditën që kishte të ftuar në emision Edi Ramën, pra një javë para se të ftonte Berishën, në 24 maj. Do të kishte qenë e logjikshme që ideja për të ftuar kryetarin e opozitës t’ i kishte ardhur ditën që kishte të ftuar kryeministrin Nano. Fevziu, duke thënë se ideja i lindi ditën që kishte të ftuar Ramën, kërkoi që t’ a bëjë Berishën të besojë se kishte qenë Edi Rama ai i cili ia pati dhënë këtë ide. Në 1999 tashmë marrëdhëniet e Fevziut me Ramën qenë të këqija. Kuptohet se ka qenë Nano, ai që me ironinë e tij të njohur, i dha idenë Fevziut për ta ftuar Berishën të dielën tjetër që t’ i bënte pyetjen për Suharton. Dhe Fevziu nuk nguroi që të bëhej gaztor, për llogari të Fatos Nanos. Pamjen e Berishës në momentin që Fevziu e krahasoi me Suharton, madje e quajti më të keq se ai, e kam ende para syve. Berisha në atë moment kishte një pamje sikur e qëlluan me shuplakë në fytyrë. Vetë Fevziu pohon:
Intervista zgjati një orë e 30 minuta dhe ishte mjaft e tensionuar.[xxiv]
Nuk kishte si të ishte ndryshe kur Fevziu, kinse pyeste, tallej me Berishën duke i thënë:
Pikë së pari dua t’ u përgëzoj për sukseset që keni patur gjatë këtyre pesë vjetëve. Kur ju erdhët në pushtet më 23 mars 1992 pothuajse 70 përqind e shqiptarëve kishin votuar për ju, të cilët kanë përshëndetur fitoren tuaj në qendër të Tiranës. Ndërsa në qershor 1997 po këta zgjedhës, votuan kundër jush. Si shpjegohet që pikërisht me këto suksese që ju renditët, i humbët dy të tretat e votave.[xxv]
Kësaj mënyre të pyeturi nuk i mungonte thjesht etika që duhet të kishte një gazetar televiziv që interviston kryetarin e opozitës, por ishte e ngarkuar me sarkazëm. Më tutje Fevziu i tha Berishës:
Kanali 5 ka transmetuar një emision “Strischia la Berisha”, a e keni parë këtë emision?[xxvi]
Fevziu këtu gënjente paturpësisht. Kanali 5 italian përcillej në Shqipëri gjerësisht në atë kohë dhe shumëkush e dinte se nuk kishte pasur një emision “Striscia la Berisha” (jo “strischia”, siç shkruan gabimisht Fevziu), por se në vitin 1997, ishte emetuar vetëm një emision (puntatë), e emisionit “Striscia la notizia”, me titullin “Striscia la Berisha”, e drejtuar nga Gene Gnocchi dhe Tullio Solenghi, të cilët me këtë rast u vetëquajtën G. Gnocchisha dhe T. Solenghisha. Fevziu nuk ia tha këtë detaj Berishës, ndoshta se i kujtohej që atë vetë, gazetarët e huaj që patën ardhur në Tiranë në mars 1997, e quanin mes tyre “Blendisha”.
Një nga emisionet “historike” të Fevziut është dalja e fundit e Azem Hajdarit në emisionin e tij. Fevziu e kishte përgatitur si një skenar provokimi ndaj Azem Hajdarit, emisionin ku do të debatohej për ngjarjet e vitit 1997. Në emision qenë të ftuar dy bashkëkryetarët e komisionit parlamentar për hetimin e ngjarjeve të janar-qershorit 1997, Spartak Braho nga shumica parlamentare në pushtet, dhe Spartak Ngjela nga opozita. Përveç tyre qenë edhe Maksim Hasani një deputet kinse i pavarur, nga Berati që paraqitej si komunist, por që në fakt ishte njeriu i PS, si dhe Azem Hajdari nga opozita. Fevziu shkruan për praninë e Hasanit:
Hasani ishte i vetmi deputet komunist i parlamentit dhe mendova se prania e tij do ta bënte më piktoresk debatin.[xxvii]
Në të vërtetë Hasani ishte ftuar për të provokuar gjatë gjithë emisionit Azem Hajdarin në mënyra që nuk mund t’ i përdorte një politikan që ishte zyrtarisht i PS. Fevziu shkruan:
Azemi u përplas shumë me Maks Hasanin dhe të dy qenë skuqur nga inati. Nuk merrej vesh kush kishte të drejtë.[xxviii]
Prania e Hasanit nuk e bëri debatin piktoresk, siç pretendon Fevziu, por e prishi atë. Fevziu pohon që të njëjtin skenar ai kishte dashur ta realizonte shtatë muaj më parë, duke përdorur deputetin tjetër të ngjashëm me Hasanin, Vladimir Fejzon, nga Vlora:
Në 8 shkurt 1998 kisha parashikuar një debat mbi komisionin Ngjela, dhe raportin e parë që ky kishte bërë në parlament. Ishin të ftuar Ngjela, Braho, Hajdari, Maks Haxhia dhe Vladimir Fejzo, deputet i pavarur nga Vlora. Pritej të kishte mjaft probleme.[xxix]
Është shumë interesante se të dy emisionet, si ai që nuk u bë, ashtu dhe ai që u bë, koincidojnë me ngjarje të rënda për Azem Hajdarin. Fevziu shkruan për shkurtin 1998:
Të shtunën gjithçka ishte gati. Në mbrëmje vonë, 24 orë përpara emisionit më telefonoi Andi Bushati. Azemin e kishin ndaluar tek ura e Milotit. Ishte me të tjerë dhe nuk dihej mirë përse.[xxx]
Azem Hajdarin e kishte ndaluar policia, një ngjarje kjo që atëherë ai e interpretoi si një plan për atentat ndaj tij. Azem Hajdari me këtë rast foli në gjuhë të koduar, duke dashur të thotë se policia që çarmatoste shoqëruesit e tij, lejonte që kundërshtarët e tij, ata që dëshironin ta vrisnin, të qarkullonin të armatosur, madje ata qenë edhe pjesë e policisë, siç u bë e njohur publikisht më vonë. Për emisionin e dytë, në shtator, Fevziu thotë për Azem Hajdarin:
Psë ditë më vonë e vranë.[xxxi]
Në të vërtetë, Azem Hajdarin e vranë gjashtë ditë pas daljes në emisionin e Fevziut. Gjatë emisionit të së dielës së 6 shtatorit, Azem Hajdari dhe Fevziu patën një debat të tensionuar, kur Hajdari i kërkoi Fevziut që t’ i qëndronte marrëveshjes që kishin bërë se Fevziu do të shfaqte videokasetat që kishte sjellë me vete Hajdari, si prova për fjalët e tij. Fevziu i acaruar bërtiste se ai nuk kishte mundësi teknike që ta bënte këtë gjë, ndonëse Hajdarit, siç pohoi ky i fundit, i kishte thënë paraprakisht se kishte mundësi që të bëhej kjo gjë. Dy ditë pas emisionit, në 8 shtator 1998, do të thotë katër ditë para vrasjes së Azem Hajdarit, ky i fundit dha një intervistë në Radio “Kontakt”, ku u pyet nga gazetari Agron Bala për incidentin që pati me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin e këtij të fundit “E Diela Debat” në TVSh, në 6 shtator. Azem Hajdari tha në intervistën në Radio “Kontakt” se pas emisionit të së dielës, kur ishin ulur për të pirë një kafe, ai e kishte pyetur Fevziun nëse e dinte dallimin midis qenit dhe zagarit. Hajdari kishte vazhduar që t’ i shpjegonte Fevziut se, përderisa qeni gjuante për llogari të vet, zagari gjuante për llogari të të tjerëve. Kështu, Hajdari e quajti Fevziun “zagar”. Hajdari, në intervistën e tij në radio deklaroi se i kishte thënë Fevziut:
Kujto katin e dytë të shtëpisë tënde, mos ndiq shembullin e babait tënd.
Aluzioni i Azem Hajdarit ishte se shtëpia e Blendi Fevziut kishte qenë rezidencë e Sigurimit të Shtetit.
Derisa Azem Hajdari u vra fizikisht gjashtë ditë pas emisionit të Fevziut, ky i fundit “u vra” moralisht, si gazetar me këtë emision, ku ai vetëm gazetar televiziv nuk ishte. Ky do të ishte dhe emisioni i fundit i Fevziut në Televizionin Publik. Ai shkruan:
Aventura me TVSH zgjati 33 javë. Që nga 31 gushti 1997 e deri më 6 shtator 1998.[xxxii]
Të nesërmen e vdekjes së Azem Hajdarit, ndonëse ishte e dielë, dita e emisionit të Fevziut, nuk pati emision, ndonëse kishte planifikuar një të tillë. Fevziu pretendon se u largua nga Televizioni Publik për shkak se në shtator 1998 iu refuzua që të bënte një emision ku i ftuar të ishte ministri i Rendit Publik, i kohës, Perikli Teta:
Ndodhën ngjarjet e 13 dhe 14 shtatorit. Teta ishte një ndër personazhet më në zë të politikës shqiptare. Vendosa ta merrja në një intervistë në fund të shtatorit. Në datë 20 në mos gaboj. Ramë dakord dhe përsëri një ditë më parë, të shtunën, sekretarja e tij më njoftoi se një ditë më parë ministri i brendshëm nuk do të vinte në emision. Siç mësova më vonë Teta ishte detyruar të mos vinte. Asnjëherë nuk e kam marrë vesh se çfarë mekanizmi lëvizi atë javë, por mosardhja e tij provokoi largimin tim nga TVSH dhe kalimin në TV KLAN.[xxxiii]
Perikli Teta ishte në një gjendje shumë nervoze ato ditë, për shkak se mësoi që jo vetëm do të humbte portofolin e Rendit Publik, por nuk do të merrte asnjë portofol tjetër në qeverinë e re. Teta mendonte se meritonte që të ruante një vend në qeveri, për shkak të rolit të tij në ngjarjet e 12-14 shtatorit të atij viti. Siç kam shpjeguar më parë, Teta e detyroi Fevziun t’ i bindet me dosjen “Zhiva e kuqe”, Por, Fevziu mendoi gjithashtu që ta përdorte diabolikisht Tetën, për të siguruar shpërblimin që po i mohohej prej një viti nga qeveria e majtë, pra një post zyrtar. Në kalkulusin e Fevziut, intervista me Tetën do të tregonte forcën e tij, dhe do ta detyronte qeverinë që t’ i jepte një post për ta neutralizuar. Por e majta në pushtet, nuk mund të toleronte në ato momente që të ndodhte një intervistë televizive e drejtpërdrejtë e ministrit Teta. Në një intervistë të tillë mund të ndodhnin gjëra krejt të paparashikueshme. Teta mund t’ i jepte liri gjuhës dhe të zbulonte gjëra veçanërisht kompromentuese, për ato që kishin ndodhur në 12-14 shtator. Por, në fund ndaj të dyve u ushtrua aq presion saqë u detyruan të tërhiqen. Është për t’ u habitur që Fevziu nuk bëri përpjekje për të zbuluar se si u ndalua kjo intervistë e tij. Fevziu thotë se thjesht u largua nga Televizioni Publik për shkak se nuk e lejuan të bënte këtë intervistë, dhe se ai nuk kërkoi të mësonte se “çfarë mekanizmi lëvizi atë javë”, siç shprehet ai. Pas të gjitha gjasave, lëvizi po ai mekanizëm që e çoi Fevziun në Televizionin Publik, të bëjë një emision politik. Më tutje, në të njëjtin libër, Fevziu hedh dritë pak më tepër mbi këtë episod, duke thënë:
Një javë pas vrasjes së Azem Hajdarit, kur Teta kishte pranuar të vinte në një intervistë të drejtpërdrejtë, Klosi i dërgoi një letër Mazit, me anë të së cilës i kërkonte që unë të mos bëja pyetje provokuese që mund të ulnin moralin e forcave të rendit e popullsisë dhe të mos nxirrja sekrete të rëndësishme. Ishte hera e parë që dëgjoja që për sekretin nuk instruktohej ai që do të fliste, por ai që do të pyeste. Shkresa, është shembull tipik i censurës dhe arbitraritetit të një drejtuesi ndaj gazetarit. Nuk e mora atë letër seriozisht, edhe kur Mazi më lajmëroi se emisioni nuk do të bëhej. Ju ktheva më vonë, kur e kuptova se Klosi, që si një Don Kishot kishte marrë në dorë heshtën për të mbrojtur dinjitetin e shtetit, pa e ditur nga se kërcënohej dhe si lëviznin ingranazhet, ishte shtyrë nga të tjerë. Kam besuar që ishte Nano, por më pas e mësova se nuk ishte ashtu. Protagonist i mosdaljes së Tetës ka qenë ministri i Kulturës Edi Rama që ato ditë ishte zhvendosur pranë zyrës së Kryeministrit dhe bënte këshilltarin e tij. Presioni i këtij të fundit e pengoi Tetën të vinte në TV. Veç Ramës edhe protagonistë të tjerë të paradhomës së Nanos duket se kanë vendosur të pengojnë ardhjen në Tv të Tetës. Perikli Teta ishte bërë ato ditë njeriu i mediave. Por ai po përgatitej të zëvendësohej. Dalja në TV do t’ i jepte një dimension të ri.[xxxiv]
Ajo çka nuk e thotë Fevziu është se presioni ndaj tij nga ana e drejtorit të RTSH, Ardian Klosit, ishte në fakt presion nga ana e drejtorit të SHIK, Fatos Klosit. Ardian Klosi ishte kushëri i parë me drejtorin e shërbimit të fshehtë (SHIK), Fatos Klosi. Ky ishte mekanizmi që lëvizi atë javë, dhe që Fevziu shtiret se nuk e mësoi se çfarë ishte. Fevziu u kërcënua nga Fatos Klosi me demaskim publik me dokumente nga arkivat sekrete në rast se nuk hiqte dorë nga intervista me Tetën. Gjithsesi, Fevziu, siç e citova më lart, fajëson Edi Ramën, atë kohë ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për këtë incident, dhe, c’ është më interesante, këtë gjë e thotë në 1999. Në të vërtetë, Fevziu ishte i zhgënjyer nga Edi Rama për arsye se ai nuk e mbështeti në këtë rast, çka bëri që marrëdhëniet e tyre, në vazhdim, të qenë të ftohta deri para zgjedhjeve vendore të vitit 2000, kur ishte Rama ai që bëri gjeste afrimi ndaj Fevziut. Fevziu ngulmon se largimi i tij nga Televizioni Publik ndodhi për shkak të emisionit të fundit ku mori pjesë Azem Hajdari:
Por vendimi për të lënë TVSH dhe gjithë aventura që solli konfliktin tim me drejtorin e RTSH, Ardian Klosi, kishte një bazë, debatin e datës 6 shtator 1998, ose debatin e fundit të Azem Hajdarit.[xxxv]
Kjo është e pabesueshme, se në emisionin e datës 6 shtator Fevziu u soll ashtu siç donin dy Klosët-eprorë të tij, dhe të tjerët në pushtet.
43.
Fevziu dhe kryetari i Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës së zyrtarëve, Nafiz Bezhani
Në 18 gusht 1997, rreth dy javë para se Blendi Fevziu të fillonte emisionin e vet në Televizionin Publik, parlamenti i pas zgjedhjeve të qershorit 1997, me shumicë absolute të majtë, zgjodhi Nafiz Bezhanin Kryetar të Komisionit Shtetëror të kontrollit të figurës së zyrtarit dhe personave të tjerë që kanë lidhje me mbrojtjen e shtetit demokratik, që ndryshe njihej në ligjërimin medial dhe popullor si Komisioni i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Detyra e këtij komisioni të krijuar që në 1995, ishte që të kontrollonte çdo person që kërkohej të emërohej në poste shtetërore të një niveli të caktuar, nëse kishte qenë punonjës ose bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, që kishte marrë pjesë në procese politike. Në filtrin e Komisionit “Bezhani” duhet të kalonte edhe vetë Blendi Fevziu, i cili si një politikan i koalicionit të majtë (i PAD), kishte kërkuar që të bëhej ambasador në Francë, ose zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Kryeministri Nano dhe pasuesit e tij, atëherë e përdorën Komisionin “Bezhani” për të hequr qafe në mënyrë selektive ata persona ndaj të cilëve ndjenin detyrim për t’ u dhënë poste, por që nuk donin ta bënin këtë, duke gjetur një shfajësim, të llojit:
Mirë, unë jam dakord ta marrësh këtë post, por duhet të marrësh “çertifikatën e virgjërisë” ng Komisioni “Bezhani”.
Natyrisht se Nano dhe të tijtë e dinin paraprakisht se çfarë do të thoshte Komisioni “Bezhani” për personin në fjalë. E njëjta lojë u bë dhe me Blendi Fevziun. Në fund të gushtit 1997, Fevziu, i cili ishte duke pritur që të emërohej në një nga postet që kishte kërkuar, nisi një emision në Televizionin Publik. Duhej pritur që një nga të ftuarit e parë të Fevziut në këtë emision të ishte kryetari i Komisionit të Kontrollit të Figurës, Nafiz Bezhani. Por, çuditërisht, Bezhani do të shfaqej në emisionin e Fevziut vetëm në maj 1998! Arsyeja ishte se Fevziu bëri një sherr të madh me Nafiz Bezhanin në vjeshtën e vitit 1997, se Bezhani nuk pranonte t’ i jepte një vërtetim negativ, domethënë se ai, Fevziu, nuk kishte pengesat e parashikuara nga Ligji për Kontrollin e Figurës të Zyrtarit. Fevziu e dinte mirë se shumë të tjerë e merrnin vërtetimin pa u verifikuar asgjë, madje kishin dalë fjalë se ata shërbeheshin nga Komisioni edhe duke u zhdukur dokumentet kompromentuese në arkiva. Fevziu e ftoi Nafiz Bezhanin në emisionin e tij që në shtator 1997. Ftesën për në emision ia bëri në barin e “Rogner”, ku e kishte ftuar për një kafe. Derisa të dy po pinin kafet, dikush që e njihte Bezhanin dhe që ndaloi për t’ i përshëndetur, i bëri këtij të fundit pyetjen e rëndomtë që ia bënin të gjithë të njohurit në atë kohë:
-E, a të ka rënë në grep ndonjë ndonjë “peshk” i madh?
Kuptimi i kësaj ishte se a kishte gjetur në dosjet ndonjë njeri të rëndësishëm. Bezhani iu përgjigj me ironinë e tij të njohur:
-Kam kapur një “peshk” të rrallë, një “Koran”, andej nga Myzeqeja, nëpër kanalet e fushës.
Blendi Fevziut i ra nga dora luga me të cilën po përziente sheqerin në kafe.
-Korani rritet në Liqenin e Pogradecit, jo në kanalet e Myzeqesë,- tha i njohuri.
-Epo të thashë se ky është “peshk” i rrallë,- tha Bezhani,- origjinën e ka andej nga brigjet e Liqenit të Pogradecit, por ka lindur kanaleve të Myzeqesë.
Pas kësaj bisede, Blendi Fevziu, u ankua në linjë partie se Nafiz Bezhani i nxirrte qëllimisht pengesa, se nxitej nga ata që donin të merrnin postet që kërkonte ai, Fevziu. Pas këtyre, Fevziu u paraqit në zyrën e Bezhanit në kryeministri, i trimëruar nga ndërhyrjet, dhe i kërkoi “çertifikatën e virgjërisë”, vërtetimin negativ. Bezhani i tha se çdo gjë do të bëhej sipas ligjit. Fevziu filloi të bërtiste dhe bëri aq shumë zhurmë, saqë Bezhani u çua në këmbë dhe i kërkoi të dilte jashtë. Nga bërtitjet e të dyve, tek dera e zyrës erdhën gardistët dhe gjetën përballë njëri-tjetrit, Bezhanin që tundte një dosje, Fevziun që zgjatej ta kapte. Bezhani u tha gardistëve ta nxirrnin jashtë Fevziun. Në kohën që gardistët po e tërhiqnin jashtë zyrës Fevziun që vazhdonte të bërtiste, Bezhani pati kohë ta qëllonte me dosje në kokë.
-Çfarë ndodhi andej nga zyra tënde o Nafiz?- E pyetën në barin e kryeministrisë, ku Nafizi shkoi të qetësohej, duke pirë një kafe.- Ç’ qenë ato të bërtitura?
-Asgjë, një “Koran” që i duket vetja peshkaqen. Sa kam parë unë si ai.- Tha Bezhani.- Por do të kthehet si qen i rrahur se ashtu janë disa gjëra.
Dhe vërtet, tetë muaj më pas, në maj 1998, Fevziu gëlltiti gjithçka dhe e ftoi Nafiz Bezhanin në emisionin e tij, se e urdhëruan ta bënte këtë gjë. Në maj 1998, tashmë ishte bërë zhurmë e madhe për pasojat e ndryshimit të Ligjit për Kontrollin e figurës së zyrtarëve të lartë dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik. Ligji i miratuar në 1995, u ndryshua tre herë nga PS e ardhur në pushtet, në 1997, me synimin e qartë për të lejuar filtrimin e personave që kishin punuar në poste të larta në Sigurimin e Shtetit dhe në organe të tjera të larta gjatë diktaturës komuniste. Ndryshimet më skandaloze qenë ato që u bënë me Ligjin 8289 dt. 15 janar 1998, sipas të cilave ligji i vitit 1995, ndryshohej ashtu që “në raste të veçanta, kur e kërkonin interesat e larta të atdheut dhe të shtetit” të mos zbatohej ndalimi për t’ u punësuar në institucionet shtetërore të oficerëve madhorë dhe funksionarëve drejtues të Sigurimit të Shtetit, si dhe bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit me karakter politik. Kjo e reduktonte në absurd ligjin, se nuk kishte një kriter për ato që quheshin “raste të veçanta” dhe njerëzit e këtyre kategorive u dyndën në institucione, në SHIK, polici, administratë etj. Autor i këtyre ndryshimeve ishte kryetari i Komisionit shtetëror për verifikimin e figurës së zyrtarëve të lartë dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik, Nafiz Bezhani, i cili ishte zgjedhur në këtë post nga parlamenti i dominuar nga PS, në gusht 1997. Të gjitha këto krijuan shqetësimin publik se këta persona që kishin hyrë në SHIK, dhe kishin shtënë në dorë arkivat, po bënin falsifikim dokumentesh, duke dashur të denigrojnë persona të ndryshëm politikisht, varësisht qëndrimit të tyre në fund të dekadës së parë të tranzicionit. Nafiz Bezhani, që prej gushtit 1997 kur kishte marrë detyrën ishte shfaqur shumë pak në media. Në maj 1998, kur puna e komisionit tashmë ishte kompromentuar krejt, Bezhani vendosi të bëjë një dalje të fortë në media. Ai shkruan:
Gazetarët nuk tërhiqen lehtë, kur shikojnë një objekt me interes për publikun. Kështu, kërkesat për takim vazhduan edhe ditën tjetër, por unë pranova të takohem vetëm me një nga komentatorët dhe analistët më të njohur të vendit, me Zotin Blendi Fevziu. Sa erdhi në zyrën time, ai më propozoi që të bënim një “takim-debat” në televizionin shqiptar ku mund të sqaroheshin në themel këto akuza dhe, njëkohësisht, t’ u jepeshin përgjigje dhe disa problemeve të tjera që kishin filluar të komentoheshin poshtë e lart për veprimtarinë e Komisionit. E dëgjova me kujdes propozimin e z. Blendi dhe krijova përshtypjen se kisha të bëja me një gazetar dashamirës, si dhe me një ide që ndoshta do të më krijonte mundësi të sqaroja të gjitha thashethemet që mund të ishin krijuar nga ndërhyrjet e politikanëve keqdashës.[xxxvi]
Që Blendi Fevziu ishte gazetar shumë dashamirës, kjo as që mund të vihej në dyshim, ai ishte anëtar i forumeve drejtuese të një partie të koalicionit në pushtet, që ishte Aleanca Demokratike. Kjo do të thoshte se Blendi Fevziu ishte zyrtarisht propagandist dhe jo gazetar. Ajo çka Bezhani nuk e thotë, është se ideja nuk ishte e Fevziut, por e atyre që qëndronin pas tij. Nafiz Bezhani ishte një njeri shumë afër drejtorit të SHIK, Fatos Klosi. Bezhani ishte avokat i Fatos Klosit, kur ai u paraqit në komisionin hetimor parlamentar për veprimtarinë e SHIK (SHISH), në 2002. Gjëja më interesantë në kujtimet e Bezhanit mbi këtë emision, është se si ai përpiqet të “pastrojë” figurën e Blendi Fevziut, lidhur me montimin e këtij emisioni. Por Bezhani ka dështuar, se ai nuk i ka lexuar ato që ka shkruar Fevziu mbi këtë emision, para se të botonte ai librin. Bezhani thotë se:
Ndërkaq z. Fevziu më pyeti:
-E si thua, ta marrim të mirëqenë?
-Në parim jam dakord, por ka probleme që kërkojnë zgjidhje të përshtatshme. Kështu, p.sh., me kë do të debatohet?
Fevziu më la përshtypjen se ishte përgatitur për këtë takim dhe kishte bërë edhe draftin e tij, por në fakt u përpoq të tregonte se emrat e debatorëve po i përcaktonte në atë çast. Ai propozoi i pari:
-Do të më pëlqente, natyrisht po të jeni dakord edhe ju, Z. Luan Rama. Nuk e bëj këtë për faktin që është kryeredaktor i “Zërit të Popullit”, por për bindjen time ai është njeri objektiv. Si thua?
-Tjetër?- pyeta unë pa e kundërshtuar dhe pa komentuar për të.
-Propozoj Z. Ngjela. Ju e kini koleg dhe e njihni më mirë. E propozoj jo vetëm si avokat të zotin, prej të cilit presim përgjigje ligjore, por edhe si deputet, përfaqësues i një elektorati. Unë mendoj se pjesëmarrja e tij do ta bëjë shumë interesant debatin. Apo jo, Zoti Bezhani?
-Tjetër? u përgjigja pa e kundërshtuar.
-Domethënë e pranoni?- Desh të sigurohej Fevziu.
-Me kënaqësi.
-Atëherë na mbeti i fundit,- tha Blendi duke menduar.- Hë, e gjeta, një tip i jashtëzakonshëm, shumë interesant për takime të tilla. Kemi fatin që është deputet dhe politikan i mirëfilltë. Sigurisht ju e njihni edhe personalisht, është Zoti Azem Hajdari.
Tunda kokën në shenjë mohimi pa i thënë asnjë fjalë.
-Si?!- u çudit Blendi, nuk jeni dakord për zotin Azem?! Ai është një nga figurat më interesante të politikës shqiptare. (!)
-Ashtu është, figurë interesante dhe e nderuar, por jo për debat me mua.
-Përse kini arritur në konkluzione të tilla, z. Bezhani:- këmbënguli Blendi.
-Nuk kam asgjë personale kundër tij, përkundrazi… por zoti Azem është një tip psikologjik me karakter impulsive, është emocional, i vrullshëm, dhe shpesh konfliktual. Në rast se zotit Azem do t’ i paraqitej ndonjë mundësi irritimi, ai do të reagonte menjëherë, me shpërthim të papërmbajtur. Mendoni që përballë tij ndodhem unë, një burrë jo vetëm në moshë të thyer, por me probleme shëndetësore shumë serioze. Ju e dini që unë vuaj nga diabeti, që unë kam bërë një operacion të madh në zemër dhe aktualisht kam dy bllokime të tjera. Një acarim i paparashikuar i debatit, jo vetëm që rrezikon mbarëvajtjen e tij, por është njëkohësisht edhe një rrezik serioz për gjendjen time shëndetësore.[xxxvii]
Nëse kjo bisedë do të ishte bërë vërtet kështu siç thotë Bezhani, atëherë ishte dashur që Fevziu ta pyeste se, si shpjegohej që ky Nafiz Bezhani, një njeri me kaq shumë probleme serioze shëndetësore kishte pranuar në moshën 70 vjeç një detyrë siç ishte ajo e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Verifikimin e Figurës së Zyrtarëve, që duhej t’ i krijonte strese të mëdha dhe përplasje me njerëzit, në rast se do ta kryente siç duhet? Kjo detyrë kërkonte një njeri me shëndet të mirë dhe nerva të forta. Është e qartë se Bezhani thjesht po kërkonte një kundërshtar fiktiv në debat. Fevziu nuk i ka folur asfare Bezhanit, siç thotë ky i fundit. Në fakt, ata të dy janë përpjekur që të gjejnë mënyrat se si të sjellin në debat, si përfaqësues të PD, një njeri që i bënte komoditet Bezhanit. Fevziu dhe Bezhani kishin një problem. Duke qenë se emisioni i Fevziut ishte i vetmi emision politik në Televizionin Publik, i cili ishte i vetmi që kishte mundësi të shikohej në krejt vendin dhe më gjerë, PD, duke mos dashur të binte viktimë e përfaqësimit asimetrik në debat, kishte ngulmuar në Këshillin Drejtues të Radiotelevizionit që kur ishte fjala për t’ u caktuar një përfaqësues i saj në debat, ftesa t’ i vinte partisë dhe të ishte ajo që përzgjidhte përfaqësuesin. Blendi Fevziu shkruan mbi përgatitjet e këtij emisioni:
Diçka e ngjashme më ndodhi një javë më vonë, në një debat për ligjin mbi dosjet. Ishte parashikuar të merrte pjesë Nafiz Bezhani, kreu i Komisionit për Verifikimin e Figurave, një avokat i vjetër dhe mjaft dinjitoz, Spartak Ngjela dhe Luan Rama, i PS. PD nuk kishte kthyer ende përgjigje deri të dielën në mëngjes. Një ditë më parë ngjiteshim nëpër shkallët e kryeministrisë së bashku me Bezhanin për të shkuar në kafen e vogël të katit të tretë.[xxxviii]
Pra, biseda e Fevziut me Bezhanin është bërë ditën e shtunë, kur nuk dihej ende se cili do të qe përfaqësuesi i PD në debat, se nga kjo parti nuk kishte ardhur përgjigje. Fevziu nuk mund t’ i ketë thënë Bezhanit emrin e Azem Hajdarit kur PD nuk e kishte caktuar përfaqësuesin e saj. Fevziu zbulon se ishte Bezhani ai që shprehu shqetësimin se mos në debat do të vinte Hajdari:
Duke hyrë në kafen modeste të Kryeministrisë Bezhani kishte uruar që PD të mos dërgonte Azem Hajdarin. Një pjesë e madhe e mazhorancës nuk e preferonte Hajdarin si bashkëbisedues. Ishte i ashpër dhe shpesh nuk përtonte të kalonte në akuza personale që i qëmtonte me kujdes dhe i ruante për raste si këto. Akuza që jo gjithmonë ishin reale. I thashë që Azemi ndoshta do të ishte më mirë, pasi ka sensin e debatit dhe e sigurova se nuk do të ndodhte gjë.[xxxix]
Kështu, është vetë Bezhani ai që ka folur i pari për Azem Hajdarin. Blendi Fevziu, e përcakton si të ashpër Hajdarin, çka ishte e vërtetë, por e majta në pushtet nxirrte në debate televizive njerëz jo më pak të ashpër. Vetëm pasi Bezhani ka folur kështu për Hajdarin, Fevziu, i cili si duket e ka parashikuar se PD do të dërgonte Hajdarin, është munduar ta qetësojë Bezhanin. Fevziu shton për debatin:
Në të vërtetë debati ishte shumë i ashpër. Sidomos përplasja e Azemit me Bezhanin.[xl]
E megjithatë Bezhanit nuk i ndodhi gjë dhe e përballoi sfidën, me gjithë problemet e tij shëndetësore. Debatin mbi ligjin për dosjet e Sigurimit të Shtetit, Fevziu nuk e ka përfshirë në librin e tij “Para dhe pas kamerave”, ku janë transkriptet e gjashtëmbëdhjetë emisioneve të tij, të viteve 1997-99. Fevziu e ka bërë këtë gjë për shkak se në këtë bisedë ai bëri rolin më të mbrapshtë që mund të imagjinohet, duke u përpjekur të mbulojë Bezhanin në përplasjen e tij me Azem Hajdarin. Se çfarë ndodhi në këtë emision, kuptohet nga një transcript i pjesshëm i debatit, që është botuar në librin me kujtime të Nafiz Bezhanit:
BLENDI FEVZIU: Ju lutem zoti Azem, mos e ndërprisni zotin Bezhani, do t’ ua a jap fjalën.
AZEM HAJDARI: Të lutem shumë zoti Blendi, çfarë kemi këtu, debat apo intervistë me zotin Bezhani?
BLENDI FEVZIU: Ju lutem zoti Bezhani, vazhdoni.[xli]
Në të vërtetë, Blendi Fevziu e kishte konceptuar emisionin si një intervistë me Nafiz Bezhanin, por ku do të merrnin pjesë dhe kundërshtarët e tij, sa për dekor, duke i bërë që të flisnin sa më pak. Sipas transkriptit të emisionit, të dhënë në librin e Nafiz Bezhanit, pra që duhet marrë si e i vërtetë pa rezervë, janë shkëmbyer dhe këto fjalë mes drejtuesit të emisionit, Fevziu dhe Azem Hajdarit:
BLENDI FEVZIU: Po ju, zoti Azem, ç’ mendim kini për ndryshimet që i janë bërë ligjit, a u hapet rruga sigurimsave për të hyrë në pushtet?
AZEM HAJDARI: Më në fund më erdhi edhe mua radha.[xlii]
Ky qëndrim i Blendi Fevziut ndaj Azem Hajdarit bëhet edhe më kompromentues për shkak se të dy të ftuarit e tjerë qenë pro Bezhanit, si Luan Rama që përfaqësonte Partinë Socialiste, ashtu dhe Spartak Ngjela. Sipas transkriptit të bisedës, qëndrimi i Ngjelës ishte ky:
BLENDI FEVZI: Zoti Ngjela, sipas z. Bezhani rezulton se me ndryshimet e bëra ligji është forcuar, si mendoni ju?
SPARTAK NGJELA: Jam shumë dakord me zotin Bezhani. Duket qartë se ligji është forcuar duke hequr ndonjë benefic.[xliii]
Nafiz Bezhani i quan Luan Ramën dhe Spartak Ngjelën si ndihmës të tij në debat, kur thotë se:
Debati u konsiderua nga më të suksesshmit, jo vetëm për bazën e drejtë e demokratike të legjislacionit, të shpjeguar e të pasqyruar me profesionalizëm nga ana ime, por edhe në sajë të kontributit të çmuar që dhanë me diskutimet e tyre të drejta, të ligjshme dhe parimore, zotërinjtë Spartak Ngjela dhe deputeti socialist Luan Rama, të cilët hodhën dritën e nevojshme mbi të gjitha problemet e diskutuara.[xliv]
Kështu që i vetmi që kishte mendim të kundërt ishte Azem Hajdari, të cilin Fevziu mundohej ta pengonte të fliste. Bezhani përmbahet vetëm që të mos shprehë lavdërimet e tij edhe për Fevziun që luante “shkatërruesin”, siç quhet në futboll, ndaj Azem Hajdarit. Fevziu kishte arsye të veçanta për ta bërë këtë gjë, se Bezhani bëri që Fevziu të dalë sot “faqebardhë” nga çdo verifikim i mundshëm i figurës së tij. Fevziu dhe Bezhani u bënë miq pas këtij emisioni. Nuk është çudi që në tre vëllimet e librit “Mëkatarë: nëpër dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit” të Bezhanit, mungoi një kapitull për historinë e “peshkut” të rrallë, “Koranit të Myzeqesë”. Në intervistën me Artur Çanin, në emisionin “Ajsberg” të këtij të fundit, në 2002, Nafiz Bezhani, duke kujtuar emisionin e vitit 1998, do të shprehej:
gazetari i mirënjohur Blendi Fevziu.[xlv]
Me këtë Nafiz Bezhani çertifikoi edhe punën e Fevziut për vitet 1997-2002, në emisionin e tij, si krejt të pëlqyeshme nga pikëpamja e Sigurimit të Shtetit. Them kështu se Bezhani me librin e tij me tre vëllime, “Mëkatarë: nëpër dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit”, jo vetëm që bëri apologjinë e Sigurimit të Shtetit, por nuk nguroi të pohojë se ishte edhe një adhurues i Sigurimit të Shtetit. Afërsisht gjysma e dy vëllimeve të para të librit të tij përmban historinë dhe idolatrinë letrare të një agjenti të Sigurimit të Shtetit me pseudonimin “Kobra”, të cilin e infiltruan në CIA. Pas Nasho Jorgaqit, Aurel Plasarit dhe Preç Zogajt, Nafiz Bezhani u bë mentori i katërt intelektual i Blendi Fevziut. Në varrimin e Nafiz Bezhanit Fevziu qante sikur t’ i kishte vdekur i ati.
44.
Si e mbuloi Fevziu në emisionin e tij Luftën e Kosovës në vitet 1998-99
Gjëja që të bën më tepër përshtypje kur lexon librin e Blendi Fevziut “Para dhe pas kamerave”, ku ai bën një histori të dy vite të para të emisionit të tij televiziv, si dhe boton transkriptet e 16 emisioneve të konsideruara prej tij si më të rëndësishme, është se Fevziu nuk është në gjendje të thotë se ka bërë një emision për luftën e Kosovës, në periudhën nga marsi 1998, që konsiderohet si koha e nisjes së kësaj lufte, deri në qershor 1999 kur kjo luftë përfundoi me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Në të gjitha televizionet e mëdha perëndimore, homologët e Fevziut bënin debate për Kosovën. Në Televizionin Publik Shqiptar, ku emetohej emisioni i Fevziut, Lufta e Kosovës kishte një mbulim të gjerë, me përjashtim të emisionit të Fevziut. Fakti është se gjatë gjithë kohës së Luftës së Kosovës, nga marsi 1998 deri në qershor 1999, në emisionin e Fevziut pati vetëm dy persona nga Kosova, të cilëve iu dha qasja për intervista, Veton Surroi në qershor 1998 dhe Baton Haxhiu në maj 1999. Në librin e Fevziut me intervista televizive “Para dhe pas kamerave” përfshihet dhe një intervistë me Fadil Hoxhën, politikan dhe shtetar shqiptaro-kosovar i kohës së Jugosllavisë komuniste, të cilën Fevziu ia ka marrë për revistën “Klan” me anë të nipit të gruas së Fadil Hoxhës, Veton Surroit, në nëntor 1998. Por intervistën e parë dhe të vetme televizve me Fadil Hoxhën, Blendi Fevziu e bëri më pas, në dhjetor 2000, çka del dhe nga libri i tij Enver Hoxha, ku ai i referohet kësaj interviste[xlvi].
I pari politikan shqiptar i Kosovës i cili u shfaq në emisionin e Blendi Fevziut ishte Veton Surroi, në 21 qershor 1998. Gjatë kohës së Luftës së Kosovës, në Tiranë gjendeshin gjithëherë politikanë dhe krerë të UÇK të cilët jepnin intervista për televizionet dhe gazetat e huaja nga Tirana. Zëdhënësi i UÇK që prej pranverës së vitit 1998, Jakup Krasniqi, u jepte intervista televizioneve të huaja nga Tirana, kur gjendej këtu. Të njëjtën gjë bënte më pas Hashim Thaçi etj. Por Fevziu nuk ftoi asnjë prej tyre në emisionin e tij. Fevziu ka një detyrim për ta shpjeguar këtë enigmë të tij, e cila nuk duket enigmë po të mendosh se Fevziu është nipi i agjentit serb, Neki bej Starovës. Përzgjedhja e Surroit nga ana e Fevziut për të qenë i pari person nga Kosova që do të intervistohej në emisionin e tij, dhe praktikisht i vetmi, nuk është një gjë e rastësishme, siç kërkon ta paraqesë Fevziu. Surroi ishte njeriu i Soros në Kosovë, dhe Fevziu ishte shumë pranë Fondacionit “Soros” në Tiranë që prej vitit 1992. Veton Surroi ka qenë beniamini i Soros në Kosovë, që në fund të viteve tetëdhjetë, kuptohet për faktin se, në Jugosllavi, Soros filloi të veprojë më herët se në Shqipëri, për shkak se Jugosllavia ishte një vend i hapur. Fevziu shkruan kështu për intervistën me Surroin:
Me Surroin gjithçka ishte më e thjeshtë dhe më rastësore. Gjatë njërës prej vizitave të tij të shpeshta në Tiranë, në vjeshtën e vitit 1997, kisha bërë një intervistë për revistën Klan. Intervista kishte dalë mjaft interesante. Ndër liderët e politikës së Kosovës që kisha intervistuar apo kisha folur deri më atë ditë, padyshim Surroi ishte më i spikaturi. Gazetar, me sensin e njohur të kritikës, por edhe realist, ai kishte konturuar vijën e re politikë që do të mbërthente Kosovën jo shumë kohë më vonë. Në mes të qershorit e takova përsëri. Rrinte në Bar West, ose klubin e Fidelit në shoqërinë e miqve të vjetër tiranas. Më pyeti diçka për intervistën me Berishën dhe një shkrim që kishte lexuar për të. Ishte në humor. Disa orë më vonë, ndërsa drekoja së bashku me Andi Bejten, më telefonuan nga Ambasada e Kosovës për të më kërkuar sipas tyre një favor. Donin një intervistë me Surroin dhe deshën që këtë intervistë ta bëja unë. Në të vërtetë, siç mora vesh më vonë, vetë Surroi kishte menduar që ta bënim intervistën bashkë.[xlvii]
Në këtë fragment ka më shumë se një rrenë, duke filluar që nga thënia e Fevziut se intervista e Surroit në emisionin e tij ishte rastësore. Në të vërtetë, siç del dhe nga intervista, në atë kohë Surroin donin që ta promovonin si lider politik të UÇK. Në atë kohë UÇK ende nuk kishte nxjerrë një lider politik të sajin, që të shërbente si interlokutor me të huajt, çka rreth një vit më pas u bë Hashim Thaçi. Intervista e Fevziut me Surroin nuk u bë rastësisht në 21 qershor, tre ditë para ardhjes në Ballkan të të dërguarit të posaçëm amerikan për krizën e Kosovës, Richard Hollbrooke, i cili do të takohej me Millosheviçin në Beograd, me Rugovën në Prishtinë, si dhe me përfaqësuesit e UÇK. Tashmë që kishte shenja të qarta se amerikanët qenë duke e bërë UÇK një aktor legjitim (në maj i dërguari i posaçëm amerikan Gellbard qe takuar me njerëz të UÇK), Surroi ishte shprehur publikisht se do të donte të ishte zëdhënësi dhe përfaqësuesi politik i UÇK. Por UÇK nxorri si zëdhënës Jakup Krasniqin, të cilin Fevziu e bojkotoi, ndonëse paraqitja e parë publike televizive e tij u bë pikërisht në Televizionin Publik Shqiptar, ku ishte dhe emisioni i Fevziut. Fevziu gënjen kur thotë se intervistën me Surroin ia kërkoi Ambasada e Kosovës në Tiranë. Në të vërtetë, Ambasada e Kosovës i kishte kërkuar me kohë Fevziut një bisedë me ambasadorin, Iljaz Ramajli, gjë që nuk ishte pranuar nga Fevziu. Ndonëse Fevziu e quan Surroin një nga liderët e politikës kosovare, megjithatë gjatë emisionit nuk e pyeti për çështjet kontroverse të veprimtarisë së tij politike. Intervistën me Surroin në qershor 1998, Fevziu e nisi duke i thënë:
Zoti Surroi, në një intervistë që keni zhvilluar 7-8 muaj më parë, ju jeni shprehur se opcioni i vetëm i Rugovës është mungesa e opcioneve. Jeni shprehur se ai ka patur një mungesë vizioni politik.[xlviii]
Edhe në pyetjet në vazhdim, Fevziu i kërkonte dhe i mundësonte Surroit që të gjykonte Ibrahim Rugovën. Kur do të kishte qenë e natyrshme që një “lider politik”, siç e quante Fevziu Surroin të pyetej fillimisht për çështjet e diskutueshme të veprimtarisë së tij, gjë që Fevziu nuk e bëri fare gjatë emisionit. Veton Surroi kishte shumëçka përse duhej të jepte llogari si politikan. Veton Surroi u bë në 1989 kryetari për Kosovën i UEJD, që u krijua fillimisht si organizatë dhe më pas u shndrrua në një parti (Savez Reformskih Snaga) të kryesuar nga kryeministri federal jugosllav, Ante Markoviç, parti që donte të merrte pjesë në zgjedhjet për parlamentet e republikave dhe krahinave jugosllave, për të siguruar një shumicë pro ruajtjes së federatës. Më pas Surroi krijoi atë u quajt Partia Parlamentare e Kosovës, të cilën e dorëzoi, për të dalë vetë si intelektual i pavarur i shoqërisë civile, në orbitën e Soros dhe i financuar nga ky i fundit. Në lidhje me angazhimin e tij në lëvizjen jugosllaviste të Ante Markoviçit, në vitet 1989-1990, Veton Surroi është përgjegjur, siç ka bërë në emisionin Top Show të Alban Dudushit, në Top Channel, në 2008, se këtë gjë e kishte bërë me miratimin e Ibrahim Rugovës. Veton Surroi nuk e ka thënë këtë gjë kur Rugova ishte gjallë, dhe është një gjë cinike që po e thotë tash që Rugova ka vdekur. Sa për atë që tha Surroi se lëvizja e Ante Markoviç solli pluralizmin në Jugosllavi, kjo është një rrenë e trashë, se të gjithë ata që i njohin këto punë e dijnë mirë se lëvizja e Markoviçit synonte që pluralizmit politik që po krijohej në Jugosllavi, t’ i jepte një dimension të fortë federal, veç atij republikan dhe krahinor, në mënyrë që të ruhej Jugosllavia. Fakti që Veton Surroi u angazhua në lëvizjen e Markoviç, duke pasur Surroi dhe mbështetjen e Soros, tregon se ata ishin në anën e atyre qarqeve perëndimore që ishin për ruajtjen e Jugosllavisë. Siç ka rezultuar më vonë këto qarqe, duke përfshirë dhe qarqe në Washington, ishin proserbe. Me këtë nuk dua të them se Veton Surroi ishte agjent serb, por se ai ishte në anën e qarqeve proserbe perëndimore, dhe se ai këtë ai duhet ta kuptonte me shkollimin dhe inteligjencën që kishte.
Në vitet 1992-1994) Surroi kishte kërkuar që shqiptarët e Kosovës të merrnin pjesë në zgjedhjet për parlamentin e Serbisë. Për këtë gjë Surroi është përgjigjur se atëherë ai kishte besuar se do të ishte në të mirë të Kosovës që të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe të nxirrte një numër deputetësh, me të cilët do të mbështeteshin forcat reformatore në Serbi. Surroi nuk ka harruar të shtojë se këtë gjë ia kishin sugjeruar dhe ndërkombëtarët, por pa e saktësuar se kush ishin ata. Nuk duhej të ishe një njohës i madh i politikës atëherë për ta kuptuar se, nëse shqiptarët e Kosovës do të merrnin pjesë në zgjedhjet për parlamentin serb, në një kohë që Serbia kishte suprimuar autonominë e Kosovës, dhe e kishte vendosur në Kosovë një regjim okupacioni ushtarak, duke i dëbuar shqiptarët nga administrata, deri edhe shkollat dhe spitalet, kjo do të thoshte të bëje apologjinë e Serbisë në Kosovë. Është shumë interesante dhe domethënëse se në atë kohë, në Tiranë, gazeta “Koha Jone”, që atëherë mbështetej fort nga Soros, dhe ku shkruante shpesh Edi Rama, e qortonte Rugovën, si shkaktar për mospjesëmarrjen e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet në Serbi. Surroi nuk shpjegoi megjithatë se ç’ besim do të kishin shqiptarët se do t’ u numërohej drejt vota edhe sikur të merrnin pjesë në zgjedhjet në Serbi, kur në Kosovë ishte vendosur regjimi ushtarak serb. Nëse shqiptarët do të merrnin pjesë në zgjedhjet në Serbi, dhe do të fillonin më pas të ankoheshin se zgjedhjet ishin të manipuluara, atëherë ata do të bëheshin joseriozë edhe në pretendimet e tjera të tyre, për shtypjen serbe ndaj tyre, se ai që pretendon që gjendet nën dhunën e një okupacioni ushtarak, nuk merr pjesë në zgjedhjet e organizuara nga okupatori! Dhe ç’ është më kryesorja, pjesëmarrja e shqiptarëve të Kosovës në zgjedhjet e Serbisë, do të thoshte që ata ta njihnin Kosovën si pjesë të Serbisë. Surroi sigurisht i ka kuptuar të gjitha këto gjëra, por i ka bërë se në këtë mënyrë ai ka siguruar atë pasurinë prej 40 milion eurosh që deklaroi në zgjedhjet e vitit 2004 në Kosovë, ku doli si politikani më i pasur. Surroi e deklaroi këtë pasuri të madhe me megalomani, për t’ u thënë zgjedhësve se ai nuk ka nevojë të vjedhë si politikanët e tjerë. Por ai e kishte vënë pasurinë, qartësisht, duke shitur Kosovën.
Në emisionin e Fevziut, Surroi paraqiti qëndrime të tjera politike, kompatibël me rolin e ri që kërkonte të merrte si përfaqësues politik i UÇK. Fevziu shkruan për intervistën me Surroin:
Intervista u transmetua për shërbimin satelitor dhe tre ditë më vonë edhe në emisionin “E Diela Debat”.[xlix]
Kjo do të thoshte se intervista u emetua në harkun prej dy orësh që kishte në atë kohë Televizioni Publik për emetim satelitor. Kështu, intervista pati përcjellje maksimale, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, krejt trojet shqiptare, si dhe në diasporën shqiptare gjithandej në botë. E gjitha kjo në funksion të promovimit të Surroit si lideri politik i luftës së Kosovës. Fevziu e pyeti Surroin gjatë emisionit:
A mund ta shohë Veton Surroi veten e tij në të ardhmen, me një kallashnikov në krah dhe me uniformën e UÇK-së?[l]
Pikërisht ky ishte qëllimi kryesor i intervistës. Fevziu këtu po bënte karikaturën e gazetarit Russell Price në filmin “Under fire” (“Salvador 79”), kur promovonte si të gjallë komandantin e vdekur guerrilas, të quajtur Rafael. Surroi u përgjigj me kujdes, por qartë:
Unë do të kisha dëshirë që ta shoh veten si kryeredaktor i gazetës, aty ku duhet ta kem vendin. Dhe po qe se ekziston ajo fazë kritike e involvimit ndërkombëtar, kjo mund të ndodhë edhe relativisht shpejt.[li]
Pra, Surroi po shtirej kinse nuk do të donte që të gjendej në një pozitën të cilën ia tregonte Fevziu, por nëse do të ishte e nevojshme, ai do ta bënte këtë gjë. Kuptohet se, si Surroi ashtu dhe Fevziu e parashikonin se lideri politik i UÇK do të kishte një karrierë politike të sigurt, në Kosovën e pasluftës. Por amerikanët nuk e pëlqenin Surroin në pozicionin e liderit politik të UÇK, pikërisht për shkak të sjelljes së tij të dyshimtë në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë dhe fill pas saj, siç e kam shpjeguar më lart. Kështu që amerikanët parapëlqyen të nxjerrin si një “as nga mënga” Hashim Thaçin, ndonëse shumë të ri, 30-vjeçar, i cili nuk kishte kultivim intelektual, në vend të Surroit, 37 vjeçar, të kultivuar intelektualisht. Surroi, si aspirant për komandant guerrilas, doli të ishte edhe më coftinë se Rafaeli i vdekur.
Gjithsesi, për llogari të kujt po e promovonte Fevziu Surroin? Për këtë na ndriçon një episod nga Lufta e Kosovës. Kur filloi fushata ajrore kundër Serbisë në mars 1999, në qendrat e vendimmarrjes politiko-ushtarake në Washington kishte një debat për mënyrën se si duhej bërë fushata, pra nëse duhej intensifikuar në mënyrë të shkallëzuar, duke pasur pauza në të cilat Serbia duhej bërë të reflektonte, apo nëse fushata duhej zhvilluar pa ndërprerje dhe me ritëm konstant. Gjithashtu kishte një debat edhe për atë nëse duhej konsideruar opsioni i fushatës tokësore, si mënyrë për fitimin e luftës. I gjithë ky debat reflektonte dualitetin e imperisë dhe konfliktin e thellë të interesave në fault line të këtij dualizmi. Komandanti i forcave të NATO-s gjatë fushatës kundër Serbisë në 1999, Gjenerali Wesley Clark, në kujtimet e veta rrëfen një ndodhi gjatë fushatës:
M’u afrua mundësia që sërish të shprehem kundër intensifikimit hap pas hapi të fushatës para sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, gjatë një takimi në katër sy, duke ngrënë mëngjes, më 12 prill. Kishin kaluar pak më shumë se katër javë nga takimi ynë i fundit para fillimit të luftës.
“Pra, Wes, e tëra varet nga ti!”, tha ajo, në momentin kur u ul. “Kam bërë çdo gjë që ishte e mundur, por ata e kanë cilësuar këtë si luftë timen dhe janë kthyer kundër meje. Tash, ata do të kthehen në drejtim tëndin!”
Nuk dëshiroja të pyesja se kush ishin “ata”; kjo ishte një gjë tejet e dhimbshme.[lii]
Kjo bisedë e çuditshme, e bërë në terma që janë versioni i të folmes orëelliane në Washington, mes dy prej njerëzve kryesorë në hierarkinë amerikane të pushtetit, është sa konfonduese, aq edhe instruktive. Të dy ata, si zyrtarë amerikanë, kishin për detyrë të drejtonin fushatën kundër Serbisë. Albright në rrafsh diplomatik, ndërsa Clark në rrafsh ushtarak. Atëherë, cilët qenë “Ata”, të cilëve u trembej sekretarja e Departamentit të Shtetit, dhe që i përmendte në të folmen orëelliane të njeriut të trembur, cilët qenë “Ata”, përmendja e të cilëve e pezmatonte shumë komandantin e NATO-s? Përderisa gjenerali Clark thotë se nuk dëshironte të pyeste se kush qenë “ata”, por njëkohësisht ndjehet shumë i pezmatuar, që “ata” janë vënë kundër tij, atëherë kuptohet se ata qenë një elitë sekrete konspirative, e cila ndiqte një agjendë të vetën në luftën për Kosovën. Kjo ishte në atë kohë politika zyrtare amerikane dhe interesi strategjik amerikan. “Ata” donin që Veton Surroi të bëhej lideri politik i UÇK-së dhe të merrte vendime të ndryshme nga ato që u morën, pra Surroi do të pranonte autonominë e zgjeruar të Kosovës nën Serbi. Një nga “Ata” qe George Soros, kumbari i Surroit. Fevziu në emisionin e qershorit 1998 kërkoi të nxirrte nga Surroi një deklaratë pro Greqisë, sa i përket çështjes së Kosovës, duke e pyetur:
Si e shihni ndryshimin e qëndrimit të Greqisë, një vend i konsideruar aleat i Serbisë dhe i vetmi vend ballkanik aleat i Bashkimit Europian?[liii]
Fevziu nuk shpjegoi se ku konsistonte ndryshimi i qëndrimit të Greqisë. Megjithatë Surroi u përgjigj:
Kemi të bëjmë, së pari, me racionalizimin e politikës greke që nga ardhja e kryeministrit Simitis dhe vdekja e dinosaurëve të politikës greke. Një angazhim pro-evropian i Greqisë dhe, së dyti, unë besoj se me vite të tëra kanë depërtuar informatat dhe më nuk është e hijshme të jesh mik i Millosheviçit. Këtë e dinë edhe grekët.[liv]
Si për t’ i përgënjeshtruar këta dy sharlatanë në gjeopolitikë, vetëm pak ditë pas intervistës së Fevziut me Surroin, në 24 qershor 1998, Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Theodoros Pangallos deklaroi në Athinë gjatë një takimi me homologun maqedonas, se ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Kosovë do të çonte në një luftë të përgjithshme. Pangallos i bëri thirrje Perëndimit që të dëgjonte “zërin e logjikës” dhe shtoi me arrogancë:
Unë dua t’ u them atyre në kryeqytetet komode në perëndim dhe veri, që gjejnë kënaqësi në lojërat e luftës se mjaft gjak është derdhur për shkak të ashpërsisë dhe amatorizmit në Bosnjë.[lv]
Pangallos e bëri këtë deklaratë pikërisht ditën e arritjes së Richard Hollbroke në Ballkan, në cilësinë e të dërguarit të posaçëm amerikan për krizën e Kosovës, me ç’ rast ai vizitoi Beogradin dhe Kosovën. Me këtë deklaratë Pangallos po dërgonte paralajmërime në Washington, London, Berlin, në kryeqytetet e vendeve kryesore të NATO-s, që të mos guxonin të ndërmerrnin një fushatë ushtarake kundër Serbisë për shkak të Kosovës.
Pikërisht për faktin që Hashim Thaçi ishte rivali i Veton Surroit, ai nuk pati qasje në emisionin e Blendi Fevziut deri pas luftës së Kosovës. Do të kishte qenë e natyrshme që në kohën kur Hashim Thaçi u bë lideri politik i UÇK, me ç’ rast ai u gjend në kalim disa herë në Tiranë, Blendi Fevziu t’ i kishte marrë atij një intervistë në emisionin e tij. Ardhjet e Thaçit në Tiranë qenë publike, ai shfaqej në baret dhe restorantet e Hotel “Rogner”, ku gjendeshin të gjithë të huajt që vinin në Tiranë, si dhe diplomatët e huaj që gjendeshin në Tiranë. Prania e Thaçit dhe e njerëzve të tij në Tiranë, bëhej prezente edhe nga televizionet e huaja dhe ato shqiptare. Thaçi dhe të tijtë u jepnin intervista gazetave dhe televizioneve të huaja në Tiranë. Televizioni Publik Shqiptar, ku ishte emisioni i Fevziut i merrte intervista Thaçit për emisionet e lajmeve. Përse nukj duhej që këtë gjë ta bënte Fevziu? Intervistën e parë me Hashim Thaçin Fevziu do ta bënte vetëm në korrik 1999, në Prishtinë, pra pas përfundimit të luftës së Kosovës. Për intervistën e parë me Hashim Thaçin, Fevziu shkruan:
Intervista me Thaçin u bë gjatë njërit prej udhëtimeve prishtinas, diku në fillim të muajit korrik. Unë e kisha njohur në të vërtetë jo shumë kohë më parë, një mbrëmje në Hotel Rogner pas intervistës së Baton Haxhiut. Një përshëndetje e qetë, dy fjalë mirësjelljeje dhe asgjë më shumë. Në mes të qershorit, kur ishim nisur për në Prishtinë së bashku me Andi Bushatin, Baton Haxhiu që botonte “ Koha Ditore” në Kosovë, na tregoi se Thaçi ndodhej aty. E takuam po atë mesditë. Ai ishte padyshim në ditët më të lavdishme të tij.[lvi]
Nga këto fjalë kuptohet se Fevziu nuk i ishte afruar Hashim Thaçit, as për ta përshëndetur, duke i dhënë dorën, gjatë udhëtimeve të shpeshta të këtij të fundit në Shqipëri, në kohën e luftës së Kosovës. Blendi Fevziu nuk e shpjegon se përse ai, gazetari që fuste hundët në të gjitha tryezat e kafeneve dhe restoranteve në Tiranë ku qenë politikanët dhe komandantët e luftës së Kosovës, nuk i ishte afruar kurrë Hashim Thaçit. Fevziu ishte një nga ata që u mërzit shumë kur UÇK, do të thotë SHBA, shpalli Hashim Thaçin si lider politik të saj. Me këtë rast Fevziu deklaronte se emërimi i Hashim Thaçit ishte një gjë e përkohshme, joserioze, dhe se këtë post do ta merrte shpejt Veton Surroi. Shqetësimi i Fevziut për Veton Surroin u bë shkak që në emisionin e Fevziut të ftohej dhe i dyti dhe i fundit shqiptar nga Kosova të cilit iu rezervua një intervistë në emisionin e Fevziut, gjatë kohës së Luftës së Kosovës. Ky ishte Baton Haxhiu, bashkëpunëtori i ngushtë i Veton Surroit, dhe kryeredaktor i gazetës së këtij të fundit “Koha Ditore”. Fevziu e intervistoi Baton Haxhiun në emision e tij, me kohë të plotë televizive, në maj 1999. Intervistës së Baton Haxhiut koha i dha konotacion qesharak se çështja kryesore që u diskutua në të ishte fati i Veton Surroit, për të cilin në mars 1999, në kohën e genocidit serb në Kosovë, në Tiranë miqtë sorosianë të tij, ndër ta dhe Blendi Fevziu, dhanë alarmin për fatin e Veton Surroit, sikur nuk dihej fati tij, dhe se kishte të ngjarë që ai të ishte rrëmbyer nga serbët. Por Veton Surroi, në ndërkohë gjendej në Prishtinë, në shtëpinë e burrit të tezes, Fadil Hoxhës, të cilin serbët nuk e prekën. Në shtëpinë komode të këtij ish-zyrtari të lartë të Jugosllavisë komuniste Surroi kaloi për bukuri, duke konsideruar rrethanat në të cilat gjendej Kosova, krejt kohën që nga fillimi i fushatës ajrore të NATO-s deri në përfundim të luftës. Serbët rrëmbyen vetëm ata që sulmonte më shumë Surroi në gazetën e vet, Ibrahim Rugovën dhe Fehmi Aganin. Vetë Baton Haxhiu, për të cilin u bë zhurmë e madhe, kinse ishte rrëmbyer dhe vrarë nga serbët iku shëndoshë e mirë nga Kosova dhe doli në Tiranë, ku nuk mungonte të bënte humor, siç shkruan edhe Fevziu kur rrëfen për emisionin me Baton Haxhiun në maj 1999:
Si gjithmonë me humor, Batoni që kishte filluar të vinte shpesh në Tiranë ato ditë, na kishte thënë se Vetoni ndodhej në Prishtinë dhe se qëndrimi ishte një vendim i vullnetshëm që ai kishte marrë:
-Tani i ka plotësuar kushtet për lider,- qeshte Batoni dhe nuk harronte të shtonte se ai asnjëherë nuk gjendej tek UÇK, por thjesht në Prishtinë.
E kisha pyetur Batonin edhe gjatë gjatë një interviste të shkëlqyer që kishim bërë bashkë gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë në maj 1999 dhe ai kishte përsëritur po këtë gjë. E kishte thënë në një mënyrë kaq misterioze, sa shumë vetë rrugëve të Tiranës kishin filluar të interesoheshin për fatin e Vetonit. Shqetësimi shumëfishohej në zyrat qeveritare. Të nesërmen e intervistës që bëra me Batonin në Tv KLAN, ky u fundit u thirr nga Majko (atëherë kryeministër- K.M.). Majko u interesua gjatë për Vetonin.[lvii]
Se ku do ta gjente Fevziu Surroin këtë do ta citoj më tutje. Derisa Fevziu thotë se Thaçin e intervistoi në një prej udhëtimeve të tij të parë në Prishtinë, në korrik 1999, udhëtimin e parë në Prishtinë e bëri për të takuar dhe intervistuar Veton Surroin. Fevziu shkruan për këtë:
24 orë pas hyrjes së aleatëve në Prishtinë, Batoni më telefonoi nga Maqedonia për të më dhënë numrin e celularit të Vetonit. Mund t’ i marrësh një intervistë që sot më tha. Fola dhjetë minuta më vonë. Ngjante i lodhur dhe i hutuar, por nuk harroi të më premtonte një intervistë në rastin më të parë. Rasti erdhi pas 48 orësh. U nisa së bashku me Andi Bushatin në Prishtinë, vetëm tre ditë pasi atje qenë vendosur trupat e NATO-s. Nëpër një udhëtim fantazmagorik, nga ata që ju ngjajnë vetëm gazetarëve dhe kryesisht gazetarëve ballkanas, kaluam nga Tetova në Drenicë, me një helikopter gjerman, së bashku me Hashim Thaçin dhe Arbër Xhaferrin. Qemë dëshmitarët e vetëm të bisedimeve mes UÇK dhe NATO-s për çarmatimin dhe patëm fatin të njohim pothuaj gjithë komandantët e UÇK, në një bazë që dikur kishte qenë qendër e shtabit të përgjithshëm, në një fshat që quhej Fshati i Ri, pranë Kleçkës në zonën e Drenicës.[lviii]
Fevziu arriti të udhëtonte me helikopterin që ishte vënë në shërbim të Thaçit, pasiqë i tha këtij të fundit se do të bënte një intervistë me kohë të plotë, me të, në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në Drenicë. Por atë pasdite Fevziut i erdhi urdhri nga “Ata” që e di ai, se duhej të nisej me ngut që atë ditë në Prishtinë, për të intervistuar Veton Surroin. A thua se Surroi kishte qenë personaliteti më i rëndësishëm i Luftës së Kosovës. Fevziu dhe Bushati nuk mund të quheshin dëshmitarë në bisedimet NATO-UÇK se ato vazhduan pesë ditë, dhe u konkluduan në 21 qershor, me Marrëveshjen mes NATO-UÇK, ndërsa Fevziu siç ka pohuar vetë, u largua për në Prishtinë, pasditen e ditës që arriti në Drenicë:
U nisëm po atë pasdite nga Drenica dhe buzë mbrëmjes qemë në Prishtinë.[lix]
Fevziu dhe Bushati mund të quhen dëshmitarë të bisedimeve në sensin se qëndruan disa minuta në shtëpinë ku do të bëheshin bisedimet. Fevziun shkruan për takimin me Thaçin në Tetovë, në mes të qershorit 1999, para nisjes për në Kosovë:
Një pjesë e komandantëve dhe trupave qenë zhvendosur tashmë në Prishtinë, ndërsa ai pritej të nisej të nesërmen. Një ditë më parë kishte takuar Majkon dhe Gjeorgjevskin. Nesër nisemi bashkë, na tha. E përsëriti këtë edhe në mbrëmje gjatë darkës në një restorant diku afër qendrës, që s’ dihet nga e kishin mësuar disa të rinj shqiptarë që kishin zënë pritë për ta parë dhe duartrokitur kur të dilte. Të nesërmen u nisëm me të dhe Arbër Xhaferrin. Siç e kam shkruar asistuam në diskutimet për çarmatosjen e UÇK dhe njohëm gjithë komandantët e UÇK.[lx]
Braktisja e vendit ku mbaheshin bisedimet NATO-UÇK, qoftë edhe duke qendruar në rrethinat e shtëpisë ku mbaheshin bisedimet, për të shkuar në Prishtinë për të takuar dhe intervistuar një njeri si Surroi, i cili kishte pasur një rol krejt anësor në Luftën e Kosovës, është me siguri një ngjarje që meriton të futet në historinë e gazetarisë botërore si shembull i mungesës së profesionalizmit medial dhe sharlatanërisë së skajshme. Kjo gjë i habiti shumë të 1500 gazetarët e huaj që gjendeshin atë kohë në Prishtinë, të cilët nisën t’ i shikojnë Fevziun dhe Andi Bushatin si dy sharlatanë që kishin turpruar profesionin e tyre. Fevziu në Prishtinë bëri “aksionin” e fundit të Luftës së Kosovë, nxjerrjen e Veton Surroit nga shtëpia e Fadil Hoxhës, ku ishte fshehur. Fevziu shkruan për vajtjen e tij në Prishtinë në qershor 1999:
Qyteti ishte i padëmtuar dhe dukej se ato ditë zemra e tij ishte Grand Hoteli. Mbi 1500 gazetarë qenë vendosur në dhomat e hotelit, ose në rulotët rreth tij... Me Vetonin u lidhëm mbrëmjen e parë të mbërritjes në Prishtinë. Më tha se do të shiheshim atë natë. Ishte errur dhe disa nga gazetarët e huaj, shumica miq të vjetër të netëve të Rognerit në Tiranën e marsit 1997, na treguan se po atë mbrëmje në një bar të qytetit kishte party. Ishte bari i vetëm i hapur në qytet i quajtur Tiki Diks, një lloj pabi që e kishin marrë me qira dhe e kishin bërë pronë të tyre dy gazetarë anglezë. Në të vërtetë qe një surprizë e pabesueshme. Mbi 100 vetë pinin, kërcenin ose këndonin nën muzikën që dilte nga disa altoparlantë të mëdhenj. Pashë nga Andi dhe vura re se edhe ai qe krejt i befasuar. Para nesh, kalonin herë të dehur nga pija dhe herë nga entusiazmi fytyra të njohura prej vitesh. Gazetarë të rinj, por që kishin kohë që shtegtonin nga një luftë në tjetrën. Veteranë të Bosnjës, Shqipërisë apo Kongos.
Vetoni telefonoi në atë kohë dhe Tina Kraja më tha se duhet të shkonim ta merrnim. E gjetëm në një shtëpi diku, në njërën nga kodrat. Më vonë më thanë se ajo ishte shtëpia e Fadil Hoxhës. Doli nga porta dhe gjëja e parë që më ra në sy qe se ishte i parruajtur. Flokët i qenë rritur dhe kështu ngjante ndryshe. Ishte hera e parë që dilte dhe nuk e di pse më pëlqeu fakti që ne po e nxirrnim nga një izolim tremujor. M’ u kujtua se dy ditë më parë kur i kisha dhënë Majkos numrin e tij ai kishte lëshuar një pasthirrmë lehtësimi. Kisha frikë se mund ta vrisnin, më tha, dhe është njeriu më i mirë që kemi në Prishtinë.[lxi]
Fevziu nuk na thotë se përse Surroi vazhdonte rrinte fshehur edhe në 16 qershor, katër ditë pasiqë në Kosovë kishin hyrë trupat e NATO-s dhe kur në Prishtinë gjendeshin tashmë mbi 1500 gazetarë të huaj?! Qartësisht, Surroi do të donte që tek ai të vinin gazetarët e huaj të cilët tashmë gjendeshin në Prishtinë, dhe ai të dilte nga vendngujimi para kamerave të televizioneve më të rëndësishme të botës. Por gazetarët e huaj nuk ia dhanë këtë kënaqësi. Surroi nuk përbënte lajm ato ditë. Kështu që Surroit iu desh të kënaqej me një mbulim medial krejt modest, krahasimisht me atë çka mund të ofronte ato ditë Prishtina, me kamerën televizive të Tv Klan dhe mikrofonin e Fevziut e të Andi Bushatit. Është ironi e madhe që Fevziu thotë se gjëja e parë që i bëri përshtypje atij kur takoi Surroin ishte që ky i fundit ishte i parruar?! Por kjo ishte pamja e rëndomtë e Surroit, i cili gjithëherë kështu është, me një mjekër si prej njeriu të parruar. Fevziu dhe Surroi luajtën kështu një melodramë groteske. Fevziu me Surroin dhe shoqëruesit e tyre Haxhiu dhe Bushati shkuan drejt e në festën e gazetarëve të huaj që kam përmendur më lart:
Dalja e Vetonit sikur e shtoi më shumë harenë e festës.[lxii]
Natyrisht, por në sensin që thashë më lart. Fevziu shton:
Vetoni ndenji deri vonë në klub, ndërsa të nesërmen në mëngjes u pamë në redaksinë e Kohës Ditore. Bëmë një intervistë të gjatë, në një sallë të shkatërruar ku nuk kishte mbetur asnjë kompjuter. Fati e donte që Surroi të mos hynte asnjëherë në sfondin klasik të emisionit tim, edhe pse qe dy herë i pranishëm në të.[lxiii]
Si kështu? Surroi, pasiqë del nga shtëpia ku ka qenë i ngujuar për tre muaj, nuk shkon në selinë e gazetës së tij, por e kalon natën në barin e gazetarëve të huaj dhe vetëm të nesërmen shkon në selinë e gazetës?! A nuk të jep kjo një ide mbi prioritetet e Surroit? Kur Fevziu u kthye në Tiranë tha se Surroi pati thënë se qëndroi i ngujuar edhe për disa ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s, se kishte pasur frikë se mund ta vrisnin shërbimet sekrete serbe. Nuk kuptohej se përse duhet ta kishin vrarë serbët Surroin, kur ata e dinin se ai do të thoshte gjëra të pëlqyeshme për ta. Kështu, Surroi në gusht 1999, vetëm dy muaj pas çlirimit të Kosovës, botoi në gazetën e vet “Koha ditore”, të financuar nga Soros, artikullin “Viktimat e viktimave”, i cili në tetor të atij viti u botua nga revista “The South Slav Journal”, e cila del në anglisht në London, nga South Slav Research & Study Centre, një qendër studimore serbe në Britaninë e Madhe. “The South Slav Journal” botoi versionin anglisht të artikullit, të shkruar prej vetë Surroit për gazetën amerikane “The Neë York Review”, ku thuhet:
Now, two months after NATO troops arrived, we are dealing with more than just an emotional reaction. We are dealing with a most vicious, organised system of violence against the Serbs. And we are also dealing with a conviction that lurks behind such violence, that every Serbs should be condemned for what happened in Kosovo. This system based on such a conviction is called fascism. It is exactly the same conviction-based system that the people of Kosovo stood up against in their teen-year struggle against Slobodan Milosevic. It was this system that led to the ievitable creation of the Kosovo Liberation Army, to show that the Kosovo Albanians were prepared to fight with guns in their hands.
Today’ s Serb victims, their lives measured out in collective danger and fear, represent not just the shame of a minority. The shame must be shared collectively; we are all responsible, all those who filled so many television screens, with scenes of our own pain. The shame must also be shared by the victims, the hundreds of women, children and elderly who were massacred simply for being Albanian.[lxiv]
Sipas Surroit, shqiptarët e Kosovës, të gjallët dhe të vdekurit, ata që u dëbuan dhe u përdhunuan, dhe ata patën humbur jetën nga genocidi serb, tashmë, vetëm dy muaj pas clirimit të Kosovës, qenë përgjegjës po aq sa serbët për një genocid të ri. Përse ky ngut i Surroit për t’ i fajësuar shqiptarët e Kosovës, për një gjë që po e thoshte me të madhe media zyrtare e Millosheviç në Beograd? Si mund të flitej për fashizëm shqiptaro-kosovar, dy muaj pas çlirimit, madje të paplotë, të Kosovës, kur edhe në këto dy muaj, numri i shqiptarëve të vrarë në Kosovë, qe më i madh se i serbëve? Vetë përdorimi i fjalës “fashizëm”në adresë të shqiptaro-kosovarëve ishte një gjë absurde dhe qëllimkeqe, se bënte aluzion për të ashtuquajturin fashizëm kosovar të kohës së Luftës së Dytë Botërore, për të cilin propaganda serbe fliste me të madhe. Por në Kosovë, pushtimi fashist italo-gjerman, zëvendosoi pushtimin e një tjetër lloj fashizmi faktik, atij serb, që për shqiptarët kishte qenë ai çka kishte qenë fashizmi (nazizmi) për çifutët, pra një regjim genocidi. Ky fakt nuk mund të mohohet. Çfarëdo që të kenë bërë shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndaj serbëve, ajo nuk është asgjë në krahasim me atë që kishin bërë serbët ndaj tyre. Surroi këtë e dinte mirë, por megjithatë ai shkruajti ato që shkruajti se paguhej nga ndërkombëtarët miq të serbëve. Alarmi i Surroit për fashizmin kosovar bëhej edhe më absurd dhe kompromentues, po të mendosh se Surroi në vitet 1992-1994 kur serbët keqtrajtonin dhe vrisnin shqiptarë në Kosovë, në vend që të fliste për fashizëm serb, bënte thirrje që shqiptarët të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë?! Alarmi i Surroit për ekzistencën e të ashtuquajturit fashizëm kosovar tek shqiptarët e Kosovës, u përcoll në moment nga mediat e mëdha ndërkombëtare, nën kujdesin e qendrave antishqiptare proserbe, dhe Surroit iu krijua aureola e një “Mateoti” të Kosovës, që kishte denoncuar me guxim fashizmin në vendin e vet, dhe që ishte në rrezik për këtë gjë. Kot bëri Fevziu sikur u shqetësua për Surroin, se serbët nuk do t’ i bënin kurrë keq njeriut që u kërkoi shqiptarëve të merrnin pjesë në zgjedhjet e Serbisë, dhe që pas disa muajsh do të jepte alarmin për “fashizmin shqiptaro- kosovar”-turp të shqiptarëve, që dhunonte serbët. Gjithsesi, edhe daljen e parë për intervistë me kohë të plotë të Hashim Thaçit në emisionin e tij, në korrik 1999, Fevziu e parapriu me një intervistë tjetër të Veton Surroit, që u shfaq në qershor 1999. Duket se “Ata” që qëndronin pas tij, ende nuk kishin hequr dorë nga ideja për ta katapultuar Surroin në krye të Kosovës.
Të dielën e fundit të qershorit 1998, në datë 28, ishte emisioni i fundit i Fevziut për atë muaj. Ato ditë, në televizionet e mëdha botërore, homologët e Fevziut kishin paraqitur për diskutim zhvillimin e bujshëm të krizës së fundit ballkanase, me takimin e njeriut të Konferencës së Dayton, Richard Hollbrooke, me përfaqësuesit e UÇK në një një bazë të tyre në Kosovë. Në emisionin e Fevziut nuk diskutohej për këtë, por ishte i ftuar Abaz Ermenji, një politikan shqiptar i kohës së Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht se Abaz Ermenji duhet të kishte vend në emisionin e Fevziut, por jo në këtë kohë. Nëse do të kishte dashur, Fevziu mund ta kishte ftuar Ermenjin më parë, ose më pas.
45.
“ARRATIA” E FEVZIUT NË AFRIKËN E JUGUT, NË MOMENTET MË DRAMATIKE TË LUFTËS SË KOSOVËS
Në fillim të shkurtit 1999, kur e gjithë bota i kishte sytë në Rambouillet ku, me ndërmjetësinë e nivelit më të lartë ndërkombëtar, mbahej takimi i shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve, për fatin e Kosovës, dhe kur shumë gazetarë shqiptarë qenë duke u nisur për në Francë, Fevziu, siç e kishte praktikë në rastin e ngjarjeve të mëdha, vendosi të largohej nga Shqipëria për në... Afrikën e Jugut. Arsyeja e këtij udhëtimi absurd, ose më saktë alibia e Fevziut për mungesën e tij në këë periudhë dramatike ishte se do të intervistonte Lekë Zogun. Konferenca e Rambouillet do të niste në 8 shkurt dhe ajo pritej të vazhdonte gjatë. Në fakt, faza e parë e saj vazhdoi më tepër se dy javë. Çdo gazetar ëndrron të mbulojë një ngjarje të tillë të madhe. Fevziu i përshkruan kështu lëvizjet e tij në këtë periudhë:
Kisha arritur të komunikoja me oborrin e tij, kisha komunikuar me Partinë e Legalitetit, ishte dërguar në Ambasadën e Afrikës së Jugut, faksi që na ftonte në Johanesburg dhe qenë dërguar po atje pasaportat tona. Kisha folur disa herë me ndihmësen e konsullit dhe më kishte siguruar se viza do të ishte gati për 48 orë. Gjithçka qe e rregullt. Ishte shkurt 1999. Kishim prenotuar avionin dhe siguruar mjetet financiare për udhëtimin. Vizat duhet të ktheheshin më 8 shkurt.[lxv]
Ndonëse ato ditë, nëpër Tiranë patën kaluar tranzit pothuajse të gjithë anëtarët e delegacionit shqiptar të Kosovës, të cilët patën dhënë nga Tirana intervista për shumë gazetarë të huaj, Fevziu nuk ftoi asnjë prej tyre në emisionin e tij. Fevziu donte nisej për në Afrikën e Jugut, nëpërmjet Romës, ku do të merrte një vizë afrikanojugore. Por, ndodhën ngjarje të tilla që ia prishën alibinë Fevziut dhe e zbuluan shëmtuar lojën e tij. Fevziu e tregon kështu vazhdimin e historisë:
Më datë 5, në mbrëmje, Murat Basha, nënkryetari i Partisë së Legalitetit, më njoftoi se Leka i I-rë ishte arrestuar atë mëngjes në rezidencën e tij në Afrikën e Jugut. Në fillim e mora si shaka, por kur Leka i I-rë qëndroi më shumë se dhjetë ditë i ndaluar dhe kur konsulli më komunikoi se viza nuk mund të më jepej pas kësaj pa aprovimin e Ministrisë së Brendshme të Afrikës së Jugut, e kuptova se do të ishte e vështirë. Prita mbi tre javë me shpresë se përgjigjia do të vinte. Më dukej vetja si koloneli plak i Markezit që priti gjithë jetën përgjigjen për pensionin e tij. Përgjigjia për vizën nuk erdhi për një muaj. Pasaporta u kthye mbrapsht, së bashku me shpresën time për të intervistuar Lekën e I-rë,dhe mbi të gjitha Geraldinën, Mbretëreshën e parë dhe të vetme të Shqipërisë, gruan, që pas një jetë plot probleme, kalonte vitet e pleqërisë së saj në një vilë shumë larg vendit të lindjes dhe vendit që i vuri kurorë.[lxvi]
Në kohën që zhvillohej Konferenca e Rambouillet, si dhe pas përfundimit të saj, kur të gjithë prisnin nëse NATO do të merrte ose jo vendimin për të goditur Serbinë, Fevziu priste të merrte një vizë për në Afrikën e Jugut. Fevziu shtiret sikur ai mezi po priste që ta intervistonte Lekë Zogun dhe Geraldinën. Por, nëse kishte qenë kështu, përse pati pritur Fevziu fillimin e Konferencës së Rambouillet dhe ditët dramatike kur pritej vendimi për bombardimin e Serbisë, që të nisej në Afrikën e Jugut për këtë intervistë? A nuk kishte pasur kohë më parë për këtë gjë Fevziu? Fevziu e kupton mirë se këto që thotë janë të dyshimta, prandaj ai shtiret sikur kishte një sentiment të veçantë për Mbretëreshën Geraldinë. Njeriu që i lexon këto gjëra nuk mund të mos mendojë se si ndodhi që Fevziu kur e braktisi PD-në në fillim të vitit 1993, nuk u bashkua me Partinë Lëvizja e Legalitetit, por me Aleancën Demokratike. Fevziu nuk ngjante me kolonelin e Markesit, siç thotë vetë, por me një kolonel të një shërbimi të fshehtë, të cilin ata që e paguajnë, e urdhërojnë të sillet kështu. Një llogari e thjeshtë na qartëson sa më poshtë: Fevziu priste ta merrte vizën afrikanojugore në 8 shkurt. Pasiqë, në 5 shkurt Fevziu mësoi për arrestimin e Lekë Zogut, ai priti më shumë se dhjetë ditë lirimin e tij, dhe njëkohësisht edhe vizën. Pra, Fevziu priti deri rreth datës 20 shkurt. Në këtë kohë, konsulli afrikanojugor në Romë i njoftoi se në këto rrethana viza nuk mund t’ i jepej me procedurë normale, çka nuk ishte një refuzim përfundimtar. Fevziu, siç e kam cituar më lart, thotë se përgjigjia përfundimtare refuzuese për vizën i erdhi pas një muaji, do të thotë, në datën 8 mars, bashkë me pasaportën, të cilën e kishte dorëzuar në ambasadën afrikanojugore në Romë. Çfarë bëri Fevziu pas kësaj? A mos duhet t’ ia dimë për nder ambasadës së Afrikës së Jugut në Romë, që ky gazetar i shquar tashmë do të merrej me çështjen me të cilën në ato ditë po merreshin të gjithë kolegët e tij në botë, atë të Kosovës. Fevziu e tregon kështu vazhdimin e historisë:
Pasi kisha braktisur idenë për të shkuar atje (Afrikën e Jugut- K.M.), i sigurt se viza nuk do të më jepej më pas kësaj, u nisa për në SHBA. Qëndrova në Nju Jork gati tre javë dhe gjatë kësaj kohe nuk e kujtova më intervistën me trashëgimtarine fronit. Ashtu siç nuk kujtohen gjërat që të lënë një shije të keqe.[lxvii]
Kështu, Fevziu, në prag të fillimit të aktit të tretë të dramës së Ramboulliet, që ishte rinisja e Konferencës në 15 mars (akti i dytë pati qenë ndërprerja për t’ u dhënë mundësi delegacioneve që të këshillohen me të vetët, para se të ktheheshin për të firmuar projekt-marrëveshjen që u ishte paraqitur nga ndërkombëtarët), u largua për në SHBA. Paradoksi ironik ishte se në kohën që nga SHBA vinin shumë gazetarë në Europë për të ndjekur luftën në Kosovë dhe aksionin e pritshëm të NATO-s kundër Serbisë, Fevziu shkonte në kahje të kundërt, në perëndim të Atlantikut. Fevziu e priti në SHBA nisjen e fushatës ajrore të NATO-s kundër Serbisë. Largimi i Fevziut nga Shqipëria në prag të fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, ishte një lloj qëndrimi kundër i tij ndaj kësaj që po ndodhte. Fevziu u kthye në Shqipëri në fund të marsit, rreth një javë pas fillimit të fushatës ajrore të NATO. Por përsëri Fevziu e kishte mendjen për të shkuar në Afrikën e Jugut. Ai shkruan:
Por sapo kisha shkelur në aeroportin e Rinasit, kur shoferi i Klan më njoftoi se kishin telefonuar nga Ambasada e Afrikës së Jugut në Romë dhe viza ishte gati. E mora të gjithën si një shaka, por në fillim të prillit, telefonata u përsërit. Sekretarja e Ambasadës më tregoi se Ministria e Brendshme e kishte dhënë aprovimin dhe se vizat na prisnin atje. Procedura filloi sërish, por kësaj here, brenda tre ditësh kishim në dorë vizat e premtuara.[lxviii]
Në kohën kur drama sa vinte intensifikohej, ashtu që lufta, në të dy aspektet e saj, fushatën ajrore të NATO dhe aksionet e UÇK, vinte duke u shkallëzuar, Fevziu ishte duke përmbushur obsesionin e tij të tre muajve të fundit, për të shkuar në Afrikën e Jugut. Por Fevziu, ndonëse mezi priste të nisej në Afrikën e Jugut, megjithatë u vonua edhe tre javë, para se të nisej në fund të prillit për në Greqi, nga ku, prej aeroportit të Athinës, do të merrte aeroplanin për në Afrikën e Jugut. Kjo tregon se Fevziu nuk kishte aq padurim sa ç’ thoshte për të takuar Lekë Zogun dhe Geraldinën. Tashmë fushata e bombardimeve ngjante sikur kishte hyrë në një rrugë pa krye, pasiqë Millosheviçi nuk kapitulloi që në ditët e para. Prandaj, Fevziu priti që ta përdorte kartën e udhëtimit afrikanojugor nëse loja bëhej veçanërisht e nxehtë për të. Fevziu shkruan mbi nisjen në Afrikën e Jugut:
Për në Johanesburg u nisëm në mbasditen e 1 majit 1999 kur sapo kishte filluar vapa. Aeroporti i Athinës ku duhej të ndërronim avionët ishte i shkretë dhe nëpër sallat e tij vërtiteshin mjaft shqiptarë që punonin aty. Ishin të gjithë të nervozuar nga qëndrimi i grekëve për luftën në Kosovë dhe për propagandën antishqiptare e proserbe. Ishin larguar prej vitesh, por dukej se ruanin brenda vetes po atë dëshirë të thellë për identitet. Dëshirë, që tashmë, nën idenë se qemë bërë aleatët e parë të më të fuqishmëve të botës, ose akoma më shumë, që po shndërreshim në një komb të madh, i bënte të ndiheshin mjaft mirë. Në të vërtetë në Athinë sundonte po ajo gjendje mërie dhe mosbesimi ndaj shqiptarëve. Në kthim, më duhej të ndaloja për një intervistë me Ministrin e Jashtëm Xhorxh Papandreu, një figurë interesante, që bëhej akoma më shumë e tillë nga sharmi i emrit të madh, i faktit që ishte djali i Andreas Papandreut, politikanit ndoshta më karizmatik të Greqisë së 20 viteve të fundit dhe nipi i Jorgo Papandreut, Kryeministrit të parë të Greqisë së pas luftës dhe më pas President i saj. Intervistën për Tv KLAN e bëra dhjetë ditë më vonë në zyrën e Papandreut në Athinë.
U nisëm nga Athina në mbrëmje vonë me një avion thuajse të shkretë. Në Johanesburg mbërritëm afër mëngjesit dhe në aeroport, na priste zëdhënësi i Mbretit, Fluturak Gërmenji dhe një oficer i tij i quajtur Stiv.[lxix]
Ndonëse Fevziu e mori vizën nga Ambasada e Afrikës së Jugut në Romë, ai megjithatë shkoi në Greqi për të marrë aeroplanin për në Afrikën e Jugut. Me këtë gjë Fevziu donte t’ u thoshte grekëve se ai në çdo rast kur mund të zgjidhte mes Greqisë dhe Italisë, do tëe zgjidhte Greqinë. Intervista me Papandreun, si shkak për të kaluar në Athinë gjatë rrugës për në Afrikën e Jugut, nuk të bindte, se Athina ishte afër dhe Fevziu mund të kishte shkuar një herë tjetër, më parë ose më vonë, për t’ i marrë një intervistë Papandreut. Në një paralele ironike me ikjen e tij në mars 1991, kinse për të sjellë atmosferën në kampet e refugjatëve shqiptarë në Itali, në kohën e zgjedhjeve, Fevziu këtë herë bën sikur na sjell përjetimin e Luftës së Kosovës nga ana e emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ashtu siç Fevziu në 1991 nuk bëri një artikull në gazetën RD për përjetimin nga ana e emigrantëve shqiptarë në Itali të zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, ashtu edhe në 1999 nuk bëri një emision televiziv për përjetimin nga ana e emigrantëve shqiptarë në Greqi të Luftës së Kosovës.
Edhe këtë herë, Fevziu, për një “koincidencë” kërshërore, u largua pak ditë para se lufta e Kosovës të merrte një dinamikë të re, me shkallëzimin e Operacionit “Shigjeta”, i cili pati nisur që filloi në 9 prill 1999, si një sulm frontal i UÇK nga territorit i Shqipërisë, për të thyer masivisht kufirin dhe për të nisur çlirimin e territorit të Kosovës, me mbështetjen ajrore të NATO-s. Synimi i amerikanëve që e nxitën kryerjen e këtij operacioni ishte që ta bënin Millosheviçin që të besonte se ndërhyrja ushtarake me forca tokësore ishte diçka imediate. Fevziu gjithëherë është krenuar se ai ka informacione paraprake për ngjarjet që priten të ndodhin në Shqipëri. Fevziu, rreth mesit të prillit 1999, sigurisht se e kishte mësuar se për aksionin e ri që po përgatisnin amerikanët në Shqipëri. Rreth mesit të prillit 1999 amerikanët panë se fushata e bombardimeve ajrore kundër Serbisë nuk po jepte rezultatin e dëshiruar, se fronti i aleancës po lëkundej, dhe se Operacioni “Shigjeta” i UÇK, i nisur në Koshare, në 9 prill nuk dha rezultatin e dëshiruar. Atëherë amerikanët vendosën që UÇK të ndërmerrte fazën e dytë të Operacionit “Shigjeta”, ashtu që të zhvillohej një mësymje e UÇK, e mbështetur nga artileria e Ushtrisë së Shqipërisë, ashtu që të kapërcehej Pashtriku dhe të dilej drejt në qytetin e Prizrenit. Kapja e një qyteti të rëndësishëm të Kosovës nga ana e UÇK-së do të kishte një rëndësi të madhe, si për publicitetin e luftës së UÇK-së, ashtu edhe në aspektin strategjik. Për këtë qëllimin në gjysmën e dytë të prillit, në Kukës, në shpatet e Malit Pashtrik u përqëndrua krejt forca e UÇK-së që mundi të mblidhej në Shqipëri nga vullnetarët e ardhur nga diaspora dhe nga meshkujt e aftë për luftë të mbledhur në kampet e refugjatëve në Shqipëri dhe në Maqedoni. Ndërmarrja e një sulmi në shkallë të gjerë nga ana e UÇK-së, nëpërmjet territorit të Shqipërisë, mund të sillte si pasojë që Serbia të kundërmësynte për të pushtuar territore të gjera në Shqipërinë e Veriut, me arsyetimin se kjo gjë ishte e nevojshme për sigurinë e saj. Prandaj, në Kukës dhe Tropojë, rrëzë kufirit u tubuan dhe pothuajse krejt trupat dhe armatimi që kishte që kishte Ushtria e Shqipërisë në atë kohë, dukë përfshirë artilerinë dhe tanket.
Për të ngritur moralin e trupave, amerikanët u kërkuan Presidentit dhe kryeministrit të Shqipërisë, përkatësisht Meidanit dhe Majkos, që të shkonin në Kukës me këtë rast. Së bashku me ta do të shkonte edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri, Lino. Por, zbatimi i këtij plani solli edhe një çarje brenda vetë forcës së AFOR (Albanian Force), trupat e NATO-s që gjendeshin në Shqipëri me rastin e luftës së Kosovës, të cilat publikisht qenë 8000 ushtarë, por që në realitet qenë 30 000 ushtarë, nga të cilët 16 000 amerikanë. Gjeneral-leitnanti britanik, John Reith, komandant i AFOR (Albanian Force), dhe njëherësh komandanti i Land Mobile Force të NATO në Europë, ishte kundër aksionit dhe e këshilloi kryeministrin Majko, që të mos shkonte. Majko, i cili shtirej si miku i madh i amerikanëve, nuk i dëgjoi ata në këtë rast, dhe shkoi në Durrës për pushim. Meidani do të shkonte në Kukës së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Hajdaraga. Mësymja në Pashtrik duhej të fillonte në 8 maj.
Një përqëndrim kaq i madh trupash nuk mund të mos u binte në sy gazetarëve të huaj që gjendeshin me shumicë në Shqipëri, posaçërisht në Kukës, në atë kohë. Në raste të tilla ata kërkojnë t’ i afrohen sa më tepër zonës së operacioneve ushtarake. Por do të shkonin dhe gazetarët shqiptarë. Çdo gazetar ëndrron të jetë i pranishëm në një ngjarje të tillë të madhe. Fevziu nuk donte të ishte i pranishëm, kështu që për të justifikuar ikjen nga Shqipëria në ato momente, kur këtu po vinin gazetarë nga e gjithë bota, sajoi vizitën në Afrikën e Jugut, për të intervistuar Leka Zogun. Kur në kufirin shtetëror mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë së mbetur, gjegjësisht kufiri shqiptaro-shqiptar mes Shqipërisë dhe Kosovës, pritej të zhvillohej akti më i rëndësishëm i asaj drame që ishte Lufta e Kosovës, Fevziu u soll ashtu si para zgjedhjeve të para pluraliste në Shqipëri, në 1991, kur u largua paraprakisht nga vendi. Derisa në 1991 Fevziu u largua në Itali, këtë herë u largua në Afrikën e Jugut. Udhëtimi melodramatik i Fevziut për në Afrikën e Jugut, ngjante grotesk nën dritën e atyre që kishte shkruar Fevziu, jo shumë kohë më parë për Lekë Zogun. Fevziu, pak kohë para referendumit për formën e regjimit që do të mbahej në të njëjtën ditë me zgjedhjet e 29 qershorit 1997, në një editorial të rreptë në gazetën “Indipendent”, në 22 maj 1997, me titull “Shkëlqimi dhe rënia e Lekës së Parë” e quajti politikisht të djegur Leka Zogun, për shkak se Partia monarkiste Lëvizja e Legalitetit kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me Partinë Demokratike të Berishës:
Një mbasdite e uli Durollarin në tavolinën e Berishës dhe për hir të referendumit i bashkoi votat me këtë të fundit. Renditja përkrah PD, normale për çdo situatë tjetër, ishte këtë herë krejt e gabuar. Mbreti u fshi si alternativë.[lxx]
Ajo çka shkruante Fevziu do të ishte e logjikshme në rast se të dy palët kundërshtare të politikës shqiptare do të mbanin një profil më të ulët kundrejt fushatës së Leka Zogut për alternativën mbretërore, e cila nuk rrezikonte drejtpërdrejt aspiratat e tyre për pushtet. Por, me afrimin e ditës së zgjedhjeve dhe referendumit, koalicioni i majtë me PS në krye erdhi duke e rritur ashpërsinë e reagimit ndaj alternativës monarkiste deri në sa ajo u barazua me reagimin ndaj Berishës. Kështu që Leka Zogu, duke mos parë asnjë mundësi për të marrë votat e të majtëve të moderuar, kërkoi votat e krahut tjetër. Dhe në fakt, 33.26% e votave që shkuan pro monarkisë në referendum, qenë votat e koalicionit të djathtë. Këtu, vec 3.28% të votave të Partisë Lëvizja e Legalitetit, qenë 25.82% e votave të PD-së, si dhe e aleatëve të saj Partisë Demokristiane (0.98%), Partisë Bashkimi Demokratik (0.84%), Bashkimi Socialdemokrat (0.80%). Leka Zogu u shndërrua në alternativë pikërisht nga lëvizja të cilën Fevziu e quan si vetëasgjësuese për të. Fevziu, gjithsesi, e kuptonte mirë këtë gjë, por atij nuk i pëlqente lëvizja e Leka Zogut se ajo rriti sadopak votat pro Berishës, të cilën koalicioni i majtë ku bënte pjesë Fevziu donte që ta largonte fare nga politika me këto zgjedhje. Nuk është ironi e vogël që Fevziu në 1999 u detyrua të shkonte me mision tek Leka Zogu të cilin e kishte quajtur kartë të djegur politike. Në Afrikën e Jugut Blendi Fevziun e nisën me mision nga Partia Socialiste në Tiranë, pas një kërkese për ndihmë që kishte bërë Leka Zogu, i cili gjendej në një situatë të dëshpëruar, të cilën Fevziu e përshkruan saktë:
Tani gjendej përsëri në vështirësi. Me fare pak të holla, një proces gjyqësor mbi shpinë dhe pasaportat e konfiskuara. Ditën që bëmë intervistën, sekretarja e tij i solli lajmin se qeveria afrikano-jugore nuk ia kishte rinovuar vizën dhe se që atë moment ishte ilegal.[lxxi]
Duke pasur probleme me autoritetet jugafrikane prej disa muajsh, të cilat madje e patën mbajtur dhe në gjendje arresti disa muaj më parë, Leka Zogu i Vjetri telefonoi në Tiranë dhe kërkoi mbështetjen e Partisë Socialiste në pushtet, duke u ofruar t’ i shërbente në çdo mënyrë që donin ata. Natyrisht që Blendi Fevziu nuk do të guxonte që të shkonte të intervistonte Leka Zogun në Afrikën e Jugut, në kohën që ai kishte probleme të mëdha me autoritetet e vendit, dhe kishte ngjallur zemërimin e opinionit publik vendas për shkak të mbështetjes që kishte pasur nga regjimi i aparteidit. Nuk është në natyrën e Blendi Fevziut që të ndërmarrë aventura profesionale të rrezikshme, kur nuk e paguajnë mirë për këtë gjë dhe kur nuk ka mbështetjen e të fuqishmëve nga pas. Në këtë rast, Leka Zogu nuk ishte në gjendje ta paguante se ai kishte mbetur pa para. Kështu që Blendi Fevziun e paguan të tjerë njerëz, në Tiranë. Se kush e pagoi, u zbulua para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005. PS-së i duhej Leka Zogu si një kartë në lojën politike për të bërë që partisë kryesore rivale, PD-së, t’ i shkonin sa më pak vota në zgjedhjet e ardhshme. Në politikën shqiptare kishte vite që flitej për daljen e një force të tretë, që do t’i jepte fund bipolarizmit të krijuar nga PD dhe PS. Por, në fjalorin politik shqiptar termi “forcë e tretë”, në atë kohë kishte një prejardhje diversioniste të majtë dhe ka qenë përdorur me kuptimin e një formacioni të ri politik të djathtë, që do t’ i jepte fund kontrollit thuajse të plotë të PD mbi elektoratin e së djathtës dhe do të krijonte një të djathtë dypolare përballë një të majte njëpolare, të dominuar nga PS. Kështu do t’ i zgjatej jeta pushtetit të së majtës. Kush më mirë se djali i Ahmet Zogut mund ta luante këtë rol? Kështu që Leka Zogu, në vitin 2004, shkeli betimin që kishte bërë sapo vuri këmbën në tokën e Shqipërisë në qershor 2002 se nuk do të merret me politikë. Dhe çuditërisht PS nuk u shqetësua fare dhe gazeta e saj “Zëri i Popullit” nuk ia kujtoi premtimin e shkelur të vitit 2002, megjithëse në 1997, në kohën e referendumit për formën e regjimit, nuk hezitonte t’ i kujtonte as ngjarjet e vitit 1924, nolistët prokomunistë, paraardhësit e socialistëve të sotëm, e patën rrëzuar me armë nga pushteti të atin e Leka Zogut.
Intervista e Fevziut me Leka Zogun në maj 1999 ishte një intervistë që gjithë absurditetin e saj e bart në të vetmen nga dy pyetjet për Kosovën, që Fevziu i bëri Leka Zogut, pikërisht në fund të intervistës. Fevziu pyeti, sipas stilit të tij me shumë “nëse”:
Në rast se ju do të kishit qenë në Shqipëri dhe në rast se ju do të merrnit përqindjet e nevojshme për t’ u rikthyer në fronin shqiptar, çfarë qëndrimi do të mbanit për Kosovën?[lxxii]
Kësaj pyetjeje, Leka Zogu iu përgjigj:
Unë po them se nuk do të kishte qëlluar kjo situatë me Kosovën siç ka qëlluar dhe nuk do të kishit këtë luftë në Kosovë.[lxxiii]
Fevziu nuk e pyeti se ç’ donte të thoshte me këtë gjë. A thua serbët nuk do ta ndërmerrnin genocidin në Kosovë, nëse Leka Zogu do të ishte bërë mbret i Shqipërisë në 1997? Apo serbët do ta kishin dorëzuar Kosovën pa luftë? E vërteta është se përshtypja më e fortë që të krijonte intervista ishte se Leka Zogu tashmë nuk ngjante të ishte fort në rregull nga mendja.
Mësymja në Pashtrik u shty për më tepër se dy javë, për shkak se natën e 7-8 majit ndodhi goditja e Ambasadës Kineze në Beograd, nga ana e aeroplanëve amerikanë, çka ishte një ndërlikim i paparashikuar për amerikanët. George Tenet, në atë kohë drejtor i CIA-s, e tregon kështu në kujtimet e veta, atë që u quajt si incidenti i bombardimit gabimisht të Ambasadës Kineze në Beograd:
Në fillim të majit 1999, në vigjilje të nisjes për në Londër për një nga konferencat tona të rregullta me homologët e Commonëealth-it britanik, asistenti im i atëhershëm ekzekutiv, Michael Morell, më telefonoi në mes të natës. Ai porsa qe kontaktuar nga qendra e operacioneve të CIA-s, pasi atje kishte telefonuar Gjenerali Wesley Clark, komandanti i forcave amerikane në Ballkan. Clark pyeti: Pse CIA më tha mua që të bombardoj ambasadën kineze në Beograd?[lxxiv]
Kjo bisedë midis këtyre dy zyrtarëve kaq të lartë amerikanë, ishte simptomë e asaj që po i ndodhte imperisë amerikane, dhe që e kam quajtur anarki dhe subversion i institucionalizuar. Tenet e pranon se përgjegjësia ishte e CIA-s:
Gjatë zhvillimit të luftës së shkurtër ajrore në Ballkan, CIA dha informacione zbulimi mbi një numër objektivash të përzgjedhur ushtarakisht. Megjithatë, shpejt, Pentagonit filluan t’i mbarohen vendet e rëndësishme për t’i goditur dhe i kërkoi CIA-s t’i sugjerojë objektiva të cilat ne do të donin që të goditeshin. Objektivi i parë që ne ofruam ishte çka ne besonim se ishte Drejtoria Federale Jugosllave e Furnizimeve dhe Prokurimit, një depo ushtarake e përzier në transportin e pjesëve të raketave në shtetet-bandite, të tilla si Libia dhe Iraku. Për fat të keq depoja qe keqvenduar në harta, të cilat nuk qenë përpiluar për të treguar pakot e sulmeve ajrore. Në fakt, ne i patëm dhënë Pentagonit koordinatat e ambasadës kineze. Depoja ushtarake ishte rreth 300 metra më tutje.[lxxv]
Por, CIA nuk mund të mos e dinte vendndodhjen e saktë ku gjendej në Beograd ambasada e një vendi si Kina, anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, dhe fuqi nukleare, me të cilën SHBA-të kishin marrëdhënie delikate, për shkak të çështjes së Taiwan-it etj. Këtu më e besueshme është se “bishti po tundte qenin”, pra se Tenet po e përdorte CIA-n për llogari të interesave të lobit greko-amerikan, i cili qe krejtësisht në anën e Serbisë në këtë luftë, ashtu si edhe Greqia. Edhe në Washington vepronin forca të cilat donin që fushata kundër Serbisë të ndërpritej dhe greko-amerikanët qenë në vijën e parë të luftës kundër luftës. Në këtë kohë, Fevziu, me rastin e vajtjes dhe të kthimit në Afrikën e Jugut, u gjend dy herë në Greqi, vendin europian që pas Rusisë dhe Bjellorusisë ishte më së shumti mbështetës i Serbisë. Ato forca të cilat bënë goditjen “e gabuar” të Ambasadës Kineze në Beograd, qenë të njëjtët të cilët e urdhëruan Fevziun që të largohej nga Shqipëria në atë kohë.
Në 10 maj 1999 Fevziu ishte përsëri në Athinë, për intervistën me Papandreun. Tashmë mund të bëhej fjalë për një anabas athinas të Fevziut, i cili nga janari në maj të atij viti, kishte udhëtuar kryq e tërthor globit, por duke u ndodhur gjithëherë në Athinë. Kjo kuptohet kur Fevziu shkruan:
Disa muaj më vonë, më 10 janar 1999, në emisionin e parë të vitit të ri, Gjinushi ishte përsëri në intervistë, tashmë në TV KLAN. Isha kthyer nga Athina vetëm dy ditë më parë dhe i kisha lënë pyetjet në zyrën e tij në Parlament.[lxxvi]
Në janar Fevziu kishte qenë në Greqi për të të kaluar atje festat e fundvitit. Fevziu u kthye në 8 janar se ai qëndroi në Greqi edhe për festën religjioze ortodokse të 6 janarit, datë në të cilën në Greqi mbyllen zyrtarisht festimet që nisin me ditën e Krishtlindjes, në 25 dhjetor. Kur u kthye nga Athina, Fevziu nuk kishte asnjë ngut për të bërë një emision për Kosovën, por donte të bënte një intervistë me Skënder Gjinushin. Në kohën që Fevziu gjendej në Athinë, Millosheviçi, i inkurajuar nga ndërlikimet që erdhën për NATO-n pas goditjes ndaj Ambasadës Kineze, urdhëroi Armata e Serbisë, që të mësynte në kufirin shqiptar, për të zënë pika të rëndësishme që do të pamundësonin mësymjen në shkallë të gjerë të UÇK. Në 11 maj Armata e Serbisë mësyu në Morinë të Tropojës (nuk duhet ngatërruar me Morinën e Kukësit). Në këtë ditë Fevziu qe në zyrën e Papandreut. Fevziu nuk mund të rrinte më gjatë larg Shqipërisë me ato që po ndodhnin këtu. Duke qenë se edhe mësymja e UÇK-së nuk po ndodhte, Fevziu nuk kishte ç’ të bënte tjetër përveçse të kthehej, pasiqë mësoi se ambasadorja amerikane në Shqipëri, Lino, dha dorëheqjen në mes të majit, pa i bërë publike shkaqet por ato kishin të bënin me faktin se ajo nuk pajtohej me politikën e Presidentit të SHBA për nxitur vendin ku ajo ishte akredituar që të ndërmerrte praktikisht një sulm ushtarak kundër një vendi tjetër. Ky ishte sinjali se forcat kundër ndërhyrjes tokësore po prevalonin në Washington. Fevziu e përktheu saktë këtë dorëheqje dhe u rikthye në Shqipëri nga Greqia. Në atë kohë në Shqipëri erdhi nga SHBA Janush Bugajski, i cili u ftua nga drejtori i Tv Klan, Aleksandër Frangaj për të dhënë një intervistë, në emisionin e Fevziut. Por Fevziu nuk donte që ta bënte këtë intervistë dhe u fsheh. U krijua një situatë qesharake se Frangaj dhe Bugajski qenë duke pritur në barin e Tv Klanit Fevziun i cili nuk po vinte. Frangaj u zemërua shumë, aq më tepër se nuk po lidhej dot në telefon me Fevizun i cili e pati fikur edhe telefonin mobil. Arsyeja për të cilën Fevziun nuk donte që ta intervistonte Bugajskin ishte se ky i fundit nuk kishte mendim të mirë për Surroin.
Sjellja e Fevziut gjatë Luftës së Kosovës nuk mund të kuptohet pa konsideruar bindjen e tij, në fillim se NATO nuk do ta bombardonte kurrë Serbinë, dhe pastaj kur kjo gjë ndodhi, se fushata e bombardimeve do të ndërpritej dhe nuk do të arrinte sukses. Si epigram i sjelljes së Fevziut gjatë Luftës së Kosovës do të ishte ajo që thotë ai në pasthënien e shkruar prej tij për librin e Baton Haxhiut, “Lufta ndryshe”, ku thotë se:
Çuditërisht, po vinte ashtu siç nuk kishte guxuar ta mendonte askush, me raketa inteligjente të NATO-s, me avionët e thuajse gjithë fuqive ushtarake të botës së qytetëruar dhe me disa mijëra djem të rinj që kishin braktisur jetën e lirshme rinore për të luftuar me uniformën e UÇK-së në malet e vendit të tyre.[lxxvii]
Fevziu këtu ka tradhtuar veten, se nuk thotë që shqiptarët ëndrronin që të ndodhte kështu, qëkurse nisi shpërbërja e Jugosllavisë. Por Fevziu nuk ishte njëri ndër ta. Me këtë që shkruan, Fevziu tregon se nuk e njeh as gjeografinë e Kosovës, se pjesa më e madhe e luftës së UÇK nuk ndodhi në male, por në zona kodrinore, madje dhe fushore. Drenica, qendra e luftës, nuk është vend malor. Në fantazinë e Fevziut, Kosova ishte vend malor, ndoshta sepse ai është mësuar që të rrijë në rrethe shoqërore ku shqiptarët e Kosovës quhen “malokë”. Pikërisht në kohën e Luftës së Kosovës, Fevziu tregoi më tepër se kurrë natyrën e vet prej “Tartarini të Taraskonës”, që mungon në ngjarjet e mëdha, për të cilat flet shumë.
46.
Emisioni “Debat” i Fevziut në Tv Klan
Pas largimit nga Televizioni Publik, në tetor 1998, Fevziu shkoi në Tv Klan, i cili atëherë ishte një televizion me një mbulim të vogël të territorit jashtë Tiranës. Këtë e pohon vetë Fevziu kur thotë:
I njëjti problem më ndodhi edhe disa kohë më vonë, në tetor të vitit 1998. Ishin ditët më të vështira të emisionit, kur kisha braktisur tashmë TVSH dhe isha vendosur në studion e vogël të TV KLANIT. Ndryshimi ishte psikologjikisht i vështirë dhe këtë ma kishte shndërruar thuajse në një kompleks Spartak Ngjela, i cili pyetjes sime se si i parashihte zhvillimet në Shqipëri, në emisionin e parë në TV KLAN, iu përgjigj:
-Shih veten tënde. Ishe në Pallat dhe të sollën në kasolle. Kështu do të shkojnë punët.[lxxviii]
Punët nuk shkuan kështu, se për këtë mendoi ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, i kohës, Edi Rama, i cili shkruan në librin “Kurban”të tij, për këtë periudhë:
Është e vërtetë që kur Marsel Skëndo dhe Aleksandër Frangaj kanë ardhur në zyrën time në Ministrinë e Kulturës për të marrë prej meje firmën e qirasë për palestrën e rrënuar të komunizmit pas stadiumit “Qemal Stafa”, që u kthye në studion e parë moderne televizive në Shqipëri, s’ kam pranuar të marr asnjë shpërblim në para në këmbim të firmës sime, ashtu si s’ kam pranuar prej askujt, nga dita e parë e deri në ditën e fundit, po u kam kërkuar mbështetje mediatike për punën time e aktivitetin e ministrisë. A është ky një kushtëzim i lirisë së medias? Në parimësinë e një bote ideale po, është, por në realitetin e jetës reale, kudo në botën demokratike, marrëdhënia mes politikës e medias së lirë s’ është gjëkundi një marrëdhënie pa asnjë lidhje tjetër veç asaj që idealisht është e paracaktuar si kundërvendosje natyrale e dy pushteteve kategorikisht refraktarë ndaj njëri-tjetrit.[lxxix]
Ndërtesa për të cilën flet Edi Rama nuk ishte e rrënuar, dhe atje shpejt Fevziu, që ishte imazhi i Tv Klan, gjeti pallatin e tij të ri. Edi Rama shtiret se ia bëri këtë të mirë një televizioni privat, pa interes. Por, e vërteta është se Edi Rama donte të kishte një televizion privat që të punonte për të personalisht, si politikan, që kishte ambicje për t’ u bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe më pas edhe kryetar i Partisë Socialiste. Kështu që veprimi i Edi Ramës ishte keqpërdorim i postit publik për interesat e tij private. Vetë Fevziu, që në 1999, kur nuk ishte pranë Berishës, ka pohuar se intervistat që Edi Rama dha për të në Tv Klan, pasiqë ministri Rama pati firmuar që këtij televizioni t’ i jepej benefiti i thënë më lart, qenë të ndryshme nga të mëparshmet. Fevziu shkruan:
Nuk arrita të bëja as intervistën me Crvenkovskin, kryeministrin maqedonas, as intervistën e dytë me Edi Ramën. Kjo ndodhi vonë, në fillim të shkurtit 1999 kur tashmë kisha kaluar në TV KLAN. Rama donte të vinte në emision, por kur pa pyetjet refuzoi. Nga të gjithë ata që kam intervistuar, Rama është padyshim i vetmi që interesohej për pyetjet e gazetarit po aq shumë sa edhe për për përgjigjet e tij. Natyrisht kur nuk ekzagjerohet ky është një veprim i zgjuar.[lxxx]
Tashmë që Edi Rama kishte firmuar benefitin për Tv Klan, ai qe në gjendje të diktonte pyetjet që do t’ i bënte Fevziu, si dhe në përgjithësi të diktonte mbulimin që do t’ i bënte atij Tv Klan. Që prej 27 shtatorit 1998 kur u bë emisioni i parë i Fevziut në Tv Klan dhe deri më sot, ai vazhdon të jetë atje. Ekziston një koincidencë, e cila nën dritën e ngjarjeve të mëpasme doli se nuk ishte thjesht një koincidencë, që me të shkuar Fevziu në Tv Klan, ndodhi konflikti i madh mes Tv Klan, dhe kryetarit të opozitës, Berisha. Fevziu shkruan:
Në mënyrë të papritur, siç ndodhte rëndom, Berisha vendosi bojkotimin e TV KLANIT dhe të emisionit, pa dhënë ndonjë shpjegim bindës. Pothuaj e gjithë kryesia e PD qe e detyruar të zbatonte vendimin dhe asnjëri nuk shkelte në KLAN. Edhe pse mëngjeseve në Rogner ose ndonjë prej bareve të Tiranës, shumica e demokratëve na jepnin të drejtë dhe nuk e kuptonin dot kryetarin e tyre.[lxxxi]
E vërteta ishte se Tv Klani kishte vënë në shënjestër Berishën, duke qenë në vijën e parë të luftës që bëhej kundër tij për ta larguar nga politika. Në atë kohë, Berishës i qe krijuar ai që mund të quhet Syndromi “Fevziu”. Berisha, me të mësuar se Fevziu do të shkonte në Tv Klan, mendoi se ai do të drejtonte atje një operacion diversiv medial, të cilin nuk mund ta bënte dot në Televizionin Publik, dhe që kishte si qëllim të potenconte kundërshtimet ndaj Berishës brenda Partisë Demokratike dhe opozitës, në përgjithësi, për ta dëbuar atë, Berishën, nga skena politike. Kështu që ndjeshmëria e e Berishës ndaj Tv Klan u rrit deri sa solli këtë reagim. Sjellja e Fevziut ushqeu dyshimet e Berishës. Me të shkuar në Tv Klan, Fevziu ftoi ish-kryeministrin e PD, Aleksandër Meksi, të cilin u pa qartë se donte ta përdorte për diversion kundër Berishës. Mes Fevziut dhe Meksit u shkëmbyen këto fjalë:
Fevziu: Që nga 1992 e këtej nga PD janë shkëputur tre grupe të mëdha, ose më të vegjël drejtuesish të lartë.
Meksi: Kudo ka nga këto punë, s’ ka pse të bëhet tragjike.
Fevziu: Megjithatë, a mendoni se grupi i katërt do të jeni ju dhe disa njerëz pranë jush që mbase nuk do të largohen vetë, por do t’ i largojnë. Unë së paku besoj se kështu do të ndodhë.
Meksi: Unë nuk largohem nga partia. Nuk më ka futur njeri, kam hyrë vetë. Dhe largohem kur të vendos unë.[lxxxii]
Fevziu këtu qartësisht doli nga atributi i tij si intervistues dhe spekuloi se Berisha do të përjashtonte nga PD ish-drejtues të saj. Ndryshe nga ç’ priste Fevziu, ish-kryeministri Meksi, ashtu si një vit më parë, edhe këtë herë refuzoi të bëjë lojën e tij. Është simptomatike për Syndromin “Fevziu” që e kishte kapur Berishën në atë kohë, se, pikërisht atëherë kur ai ishte i palëkundur në ndalimin që u kishte vënë të vetëve për të mos shkuar në Tv Klan, e theu vetë këtë ndalim. Fevziu shkruan:
Intervistën e dytë e bëmë në TV KLAN, disa muaj më vonë, më 20 nëntor 1998, dy ditë përpara referendumit për Kushtetutën. Berisha kishte disa kohë që kishte vendosur të mos dërgonte njeri në TV KLAN dhe as të lejonte kamerat e tij në PD. Nuk e mësova kurrë këtë vendim të çuditshëm. Ndërhynë me rradhë Ylli Rakipi, Spartak Ngjela dhe pothuaj gjithë drejtuesit e PD, por ishte e kotë.[lxxxiii]
Por, nëntë ditë pasiqë Berisha ishte në emisionin e Fevziut, ky i fundit, në emisionin e radhës ku kishte të ftuar kryeministrin Majko (jo të dielën si rëndom, por të martë, për shkak se këtë ditë ishte 29 nëntor), dha një tjetër provë se ishte në shërbim të një agjende kundër Berishës. Midis Fevziut dhe Majkos u shkëmbyen këto fjalë në emision:
Fevziu: Zoti Majko, ne e dimë të gjithë që Berisha është një interlokutor i vështirë…
Pandeli Majko: Dialogues i vështirë.
Blendi Fevziu: Po, dialogues i vështirë më saktë. Aq më tepër në sajë të marrëdhënieve me Nanon, raportet pozitë-opozitë, në shumë raste u konceptuan si konflikte pesonale. Të paktën ju dhe Pollo, pra numrat dy të partive respective, keni pasur marrëdhënie të mira. A keni mundësi që të zhvilloni kontakte me një person tjetër në Partinë Demokratike.[lxxxiv]
Fevziu kështu po i propozonte publikisht kryeministrit që të bënte diversion në partinë më të madhe të opozitës, duke përzgjedhur ai interlokutorin partner të tij tek opozita. Kjo nuk ishte një recetë për të zhvilluar dialogun mes qeverisë dhe opozitës, por një recetë për ta projektuar konfliktin qeveri-opozitë, brenda vetë opozitës. Se praktikisht kjo do të thoshte që qeveria të bënte rolin e shtrigave që i shfaqen Macbethit dhe e nxisin që të vrasë Mbretin Duncan, për t’ i marrë kurorën. Fevziu po e këshillonte kryeministrin Majko që të zgjidhte të ushqente ambicjet e njeriu pranë Berishës, për t’ i zënë vendin këtij të fundit, me mbështetjen e qeverisë. Nëse bie Berisha, është automatikisht i eliminuar dhe rivali yt Nano, dhe ti bëhesh kryetari i PS, ishte aluzioni i Fevziut për Majkon. Nga fjalët e Fevziut kuptohet se ai ishte i mirëinformuar për intrigat kundër Berishës që po bëheshin në PD. Fevziu përmendi Genc Pollon si partnerin e mundshëm në dialog të Majkos, nga PD, duke e e quajtur nr. 2 në PD. Por, sipas statutit të PD, nr. 2 i partisë ishte sekretari i përgjithshëm, që ishte Ridvan Bode. Pra, sipas logjikës së Fevziut partneri i Majkos duhet të ishte Bode dhe jo Pollo partneri i Majkos. Por Fevziu donte të iniconte promovimin e Pollos si rival i Berishës në PD, çka vitin tjetër do të bëhej publike. Kjo që po bënte Fevziu nuk ishte gazetari, por intrigë politike.
Në atë kohë Fevziu thoshte gjithandej në tryezat e kafeve dhe restoranteve se sipas informative të tij të sigurta Berisha do t’ ia dorëzonte partinë Pollos, në këmbim të garantimit të paprekshmërisë së tij, pra se nuk do të përndiqej penalisht, dhe se pastaj do të largohej jashtë vendit. Ajo që nuk e dinte Fevziu, i cili e mbante veten për njeri shumë të informuar, ishte se amerikanët qenë duke përgatitur takimin Majko-Berisha, që ndodhi pas pak ditësh. Kështu që Fevziu i dha Berishës të gjitha arsyet për të qenë i zemëruar me Tv Klan.
Në publikimin e intervistës së Majkos, në librin e Fevziut “Para dhe pas kamerave”, atje ku Majko kishte folur në miliarda lireta për ndihmën italiane për Shqipërinë, Fevziu i shndërroi në miliona. Kështu, Majko thotë, sipas transkriptit të intervistës, të publikuar në librin e Fevziut:
Nuk besoj se do të kemi një dimër jashtëzakonisht të errët dhe të ftohtë. Janë duke u marrë disa masa, sepse qeveria italiane ka angazhuar në këtë drejtim një ndihmë prej 7 milionë liretash, e cila ka filluar të veprojë. Janë më pas dhe 15 milionë lireta që pritet të vijnë.[lxxxv]
Sigurisht se Majko nuk kishte folur për një ndihmë shtetërore italiane prej 22 milionë lirash (14 mijë USD) për qeverinë shqiptare që të ndërhynte në sistemin energjitik të Tiranës, se kjo ishte një shifër qesharake. Majko kishte folur për 22 miliard lira. Nuk mund të bëhet fjalë për një lapsus në librin e Fevziut, se gabimi përsëritet dy herë. Kuptohet se Fevziu, njeriu që ishte shumë aktiv në të ashtuquajturin prej tij Forestigate, përgjimin e ambasadorit italian në Tiranë, i ka ndryshuar qëllimisht shifrat që të zhvlerësohej ndihma italiane për Shqipërinë. Majkos nuk i pëlqeu intervista dhe siç shkruan Fevziu, në librin me historikun e emisionit të botuar në vjeshtën e vitit 1999:
Majko nuk u rikthye më në emision dhe gjithmonë i hidhte poshtë ftesat me shaka.[lxxxvi]
Në fillim të shkurtit 1999, kur priste të shkonte në Afrikën e Jugut, në kulmin e zhvillimeve ndërkombëtare për Kosovën, sic kam rrëfyer më lart, Fevziu bëri intervistën e dytë me Edi Ramën në emisionin e tij, për të cilën sic thotë vetë, qe brengosur që nuk e pati bërë dot sa kohë ishte ende në TVSH. Fevziu, në librin “Para dhe pas kamerave” që botoi në vjeshtën e vitit 1999 nuk kishte përfshirë asnjë nga dy intervistat që i pati bërë Ilir Metës, në kohën që ky ishte zëvendëskryeministër, në qeverinë “Majko 1”. Emri i Ilir Metës përmendet në libër, kur bëhet fjalë për intervistat e pabotuara:
Ashtu siç nuk përfshihen dy intervistat me mikun tim të fëmijërisë dhe fakultetit, Ilir Metën.[lxxxvii]
Në kohën që Fevziu ishte duke botuar librin, Fatos Nano fitoi në kongresin e PS garën për kryetar me Majkon, dhe Fevziu, i cili kishte mbështetur Nanon, mendoi se karriera politike e Metës, si kundërshtar i hershëm i Nanos, kishte marrë fund, kështu që nuk ia vlente që ky të zinte më tepër se dy rreshta në librin e tij. Por, tre javë më vonë, Meta u bë kryeministër. Fevziu edhe një herë kishte treguar mungesë intuite politike.
Tv Klani, në kohën kur Fevziu shkoi atje, nuk ishte një medium por një mjet propagande. Shtatë vjet pas vajtjes së Fevziut në Tv Klan, në 2005, ky medium, së bashku me Fevziun si pjesë e tij, do të vazhdonte të ishte i tillë, por në sens të kundërt, në shërbim të Berishës, të kthyer tashmë në pushtet. Sot, 14 vjet pas vajtjes së Fevziut në Tv Klan, kjo situatë nuk ka ndryshuar, ndoshta se Berisha vazhdon të jetë në pushtet. Në vitin 1999, emisioni i Fevziut kaloi nga dita e dielë, në ditën e enjte.
Në vitin 2000, para zgjedhjeve vendore të tetorit, në të cilat Edi Rama do të kandidonte për t’ u bërë kryetar i Bashkisë së Tiranës, ai u pajtua me Blendi Fevziun. Edi Rama e shpërbleu Fevziun duke e futur emrin e tij në listën e Partisë Socialiste, të kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Fevziu kishte interesa këtu, se ai donte të merrte leje ndërtimi për të ngritur pallate në trojet që kishte marrë si trashëgimtar i ish-pronarëve. Në vitin 2000 Ambasada e SHBA dhe USAID bënë një projekt për të cilin ishte ndarë dhe një grant i madh financiar, për të asistuar një debat midis kandidatëve në zgjedhje. Për këtë qëllim u përzgjodh emisioni i Fevziut. Debati kryesor që do të mbahej nën asistencën e këtij programi amerikan, do të ishte ai mes kandidatit të PS në pushtet, Edi Rama, dhe kandidatit të opozitës, Besnik Mustafaj. Para debatit, PD kundërshtoi që ai të mbahej në emisionin e Fevziut, pasiqë moderatori ishte në ekipin politik të njërit prej kandidatëve, çka ishte dhunim i standardeve të një debati të tillë. Ambasada e SHBA dhe USAID u gjendën ngushtë sepse me Fevziun si moderator, programi shndërrohej në të kundërtën e tij, nga një leksion se si duhej të ishte një debat zgjedhor mes kandidatëve, në një leksion se si nuk duhet të ishte ky debat. Atëherë Fevziu deklaroi se ai jepte dorëheqjen nga lista e kandidatëve të PS për Këshillin Bashkiak. Por kjo ishte një gënjeshtër të cilën Edi Rama pati arrogancën që ta zbulonte dy ditë para zgjedhjeve, kur ishte i ftuar në emisionin e Fevziut. Rama i tha Fevziut se ai nuk e kishte pranuar dorëheqjen e tij nga lista e kandidatëve për Këshillin Bashkiak, dhe se ai mbetej në listë. Kështu, i gjithë programi i Ambasadës Amerikane dhe USAID u shndërrua në një komedi të shëmtuar. Fevziu dhe Rama thjesht kishin bërë një lojë, ashtu që të kapërcehej ngërçi ku e futën veten.
[i] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 12-13
[ii] po atje: f. 13
[iii] po atje: f. 13
[iv] po atje: f. 5
[v] po atje: f. 5
[vi] po atje: f. 5
[vii] po atje: f. 18
[viii] po atje: f. 199
[ix] po atje: f. 200
[x] po atje: f. 13
[xi] po atje: f. 18
[xii] po atje: f. 10
[xiii] po atje: f. 14
[xiv] Preç Zogaj, “Paradhoma e një presidenti”, Shtëpia botuese “Ora”, Tiranë 2001, f. 115-116
[xv] po atje: f. 114
[xvi] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 19
[xvii] po atje: f. 42
[xviii] po atje: f. 42
[xix] po atje: f. 43-44
[xx] po atje: f. 44
[xxi] po atje: f. 44
[xxii] po atje: f. 45
[xxiii] po atje: f. 272
[xxiv] po atje: f. 49
[xxv] po atje: f. 261-262
[xxvi] po atje: f. 268
[xxvii] po atje: f. 34
[xxviii] po atje: f. 35
[xxix] po atje: f. 26
[xxx] po atje: f. 26
[xxxi] po atje: f. 36
[xxxii] po atje: f. 31
[xxxiii] po atje: f. 28
[xxxiv] po atje: f. 38- 39
[xxxv] po atje: f. 31
[xxxvi]Nafiz Bezhani, “Mëkatarë: nëpër dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit”, Botimet “Toena”, Tiranë 2002, vëllimi 2, f. 72- 73
[xxxvii] po atje: f. 73-74
[xxxviii] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 21
[xxxix] po atje: f. 22
[xl] po atje: f. 22
[xli] Nafiz Bezhani, “Mëkatarë: nëpër dosjet sekrete të Sigurimit të Shtetit”, Botimet “Toena”, Tiranë 2002, vëllimi 2, f. 88
[xlii] po atje: f. 92
[xliii] po atje: f. 90
[xliv] po atje: f. 103
[xlv] po atje: f. 216
[xlvi]Blendi Fevziu, “Enver Hoxha”, UET Press, Tiranë 2011, f. 350
[xlvii] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 58
[xlviii] po atje: f. 428
[xlix] po atje: f. 59
[l] po atje: f. 442
[li] po atje: f. 442
[lii] Wesley K. Clark, “Të bësh luftë moderne”, Botime “Zëri”, Prishtinë 2003, f. 295
[liii] po atje: f. 442
[liv] po atje: f. 433
[lv] Associated Press, 24 qershor 1998
[lvi] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 63
[lvii] po atje: f. 60
[lviii] po atje: f. 61
[lix] po atje: f. 61
[lx] po atje: f. 63
[lxi] po atje: f. 61-62
[lxii] po atje: f. 62
[lxiii] po atje: f. 63
[lxiv] “The South Slav Journal”, Volume 20, No. 3-4, Autumn-Winter 1999, p. 103
[lxv] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 28
[lxvi] po atje: f. 28-29
[lxvii] po atje: f. 29
[lxviii] po atje: f. 29-30
[lxix] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 73
[lxx] Gazeta “Indipendent”, 22 maj 1997, f. 4
[lxxi] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 75
[lxxii] po atje: f. 174
[lxxiii] po atje: f. 174
[lxxiv] George Tenet, “At the center of the storm: The CIA during America’s times of crisis”, Harper Perennial, New York 2008, f. 146
[lxxv] Po atje, f. 147
[lxxvi] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 54
[lxxvii] Baton Haxhiu, “Lufta ndryshe”, Shtëpia botuese “Kumti”, Prishtinë 2008, f. 239
[lxxviii] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 23
[lxxix] Edi Rama, “Kurban”, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2011, f. 233
[lxxx] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 27
[lxxxi] po atje: f. 23
[lxxxii] po atje: 372-373
[lxxxiii] po atje: f. 50
[lxxxiv] po atje: f. 449
[lxxxv] po atje: f. 446
[lxxxvi] po atje: f. 83
[lxxxvii] po atje: f. 56





