PJESA E NËNTË BERISHIANI I VONUAR, MË I FITUARI




52.
Politikani Fevziu

      Blendi Fevziu, në një autobiografi të vetën të botuar në 1992, në fund të një libri në të cilin është bashkëautor me Ben Blushin, shkruan për fëmijërinë e vet:
      Në fillim kisha vetëm dy ambicje: të studioja histori dhe të bëhesha politikan i njohur. E para qe e pamundur në historinë e gjymtuar; e dyta do të jetë gjithmonë mallkim në këtë vend të vogël. Më vonë pata edhe ambicje të tjera.
      Të ndaluara në fëmijëri kisha vetëm tre gjëra: Politikën, historinë dhe letërsinë.[i]       
      Të njëjtat fjalë gjenden edhe në autobiografinë që Fevziu boton në fund të një libri të tij, të botuar në 1996.[ii]
      Një djalë që i përkiste një familjeje të deklasuar, të dëbuar nga kryeqyteti dhe të vendosur me vendbanim të detyruar në fshatin Dushk të Lushnjës, nuk mund t’ i lejonte vetes as të ëndrronte të bëhej një politikan i njohur. Çka do të thoshte të bëheshe një politikan i njohur në Shqipërinë komuniste? Të bëheshe anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH. Me biografinë që kishte Blendi Fevziu nuk mund të bëhej as anëtar i Këshillit të fshatit, apo të lagjes, e jo të ëndrronte Byronë Politike.
      Pasiqë Fevziu nuk u bë dot deputet i PD-së në zgjedhjet e para pluraliste në vend, në 1991, dhe as në zgjedhjet e dyta, në 1992, ai shpalli në autobiografinë e vet, të përmendur më lart, në një libër të botuar në vjeshtën e vitit 1992:
      Më zbavit dëshira naive e njerëzve për t’ i buzëqeshur presidentit. Ministrat dhe qeveria më duken akoma më të vegjël.[iii]
      Fevziu e kishte fjalën për Presidentin Berisha. Fevziu, i cili në këtë kohë vazhdonte të punonte drejtor në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, fyente me fjalët e mësipërme edhe ministrin e vet, që në atë kohë ishte Dhimitër Anagnosti. Megjithëse Fevziu shkruajti kështu, dhe tashmë ishte bashkuar praktikisht me grupin e të larguarve nga PD që pak kohë më pas do të krijonin Partinë Aleanca Demokratike, Fevziu nuk pati ende asnjë pasojë. Synimi i qartë i Fevziut ishte që ta largonin nga puna dhe të shtirej si një martir. Prandaj ai në autobiografinë e vet, provokonte në terma që nuk i lejohen një zyrtari në asnjë kohë, duke thënë:
      Aq më pak vuaj nga kompleksi i verilindjes.[iv]
      Këtu kishte një aluzion të qartë për origjinën e Presidentit Berisha nga verilindja e vendit. Fevziu qartësisht tallej me ata njerëz nga Shqipëria e Jugut, të cilët qenë ndjekës të Berishës. Sipas logjikës të Fevziut, votuesit e PS në Shqipërinë e Veriut, ose me origjinë nga kjo zonë, vuanin nga kompleksi i juglindjes, vendi i origjinës së kryetarit të PS, Fatos Nano. Në çdo vend perëndimor, një zyrtar i lartë si Fevziu, që shprehet në terma të tilla, shkakton një debat të madh publik, dhe detyrohet të largohet nga posti që mban. Me Fevziun nuk ndodhi kështu. Ai u largua nga posti vetëm pasiqë në 5 mars 1993 doli publikisht si zëdhënës i Partisë së porsakrijuar Aleanca Demokratike, në krah të kryetarit të saj, Neritan Ceka. Më pas, në autobiografinë e vet të botuar në 1996, Fevziu do të shkruante mbi këtë zgjedhje të tij:
      Po kaq thjesht iu ktheva edhe një ëndrre të vjetër të jetës sime: nisa prapë politikën dhe prapë mallkova veten. Shumë të tjerë e kishin mallkuar përpara meje.[v]
      Arsyeja për të cilën Fevziu e mallkoi veten ishte se ai, as me Partinë Aleanca Demokratike, e cila ishte aleate e Partisë Socialiste, nuk arriti të bëhet dot deputet në zgjedhjet e vitit 1997, kur nuk mbeti njeri sadopak i shquar nga koalicioni i majtë pa u bërë deputet. Duket se në dosjet sekrete të së majtës, emri i Fevziut gjendej në listën e njerëzve që duhen përdorur, por nuk duhen shpërblyer me poste politike, përveçse në raste kur janë veçanërisht të domosdoshëm. Ky rast erdhi në vitin 1999, dhe Fevziu ka folur shumë pak për të. Në një intervistë për gazetën e Kosovës “Bota Sot” në vitin 2011, Fevziu thotë:
      Sapo kisha mbushur 30 vjeç kur më propozuan fillimisht për t’ u bërë ministër.[vi]
      Fevziu ishte 30 vjeç në vitin 1999. Kjo histori, të cilën Fevziu nuk parapëlqen ta sqarojë më tepër është kështu. Kur Ilir Meta u dekretua si kryeministër qeverisë së koalicionit të majtë në tetor 1999, ai i ofroi dy vende në qeveri Partisë Aleanca Demokratike ku bënte pjesë edhe Fevziu. Kryeministri Meta i propozoi Partisë Aleanca Demokratike portofolin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si dhe një vend në qeveri si ministër pa portofol. Preokupimi i parë që kishte Metakur po formonte qeverinë ishte që me këtë rast të hiqte qafe Edi Ramën të cilin e shikonte si një rival në parti dhe eventualisht edhe në qeveri. Preç Zogaj shkruan në librin me kujtime “Paradhoma e një presidenti” se:
      Kryeministri më thirri në zyrë dhe më propozoi të merrja postin e ministrit të Kulturës në vend të Edi Ramës.[vii]
      Por Preç Zogaj, i cili në atë kohë ishte këshilltar politik i Meidanit, e dinte se Edi Rama kishte mbështetjen e Sorosit dhe nuk donte të bëhej pjesë e një skeme për eliminimin politik të Edi Ramës. Atëherë Meta ia propozoi Fevziut portofolin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Fevziu, i cili e njihte mirë mbështetjen ndërkombëtare që kishte Edi Rama, refuzoi gjithashtu. Kështu që Edi Rama mbeti ministër i Kulturës. Pas kësaj, në Qeverinë e Ilir Metës, të krijuar në tetor 1999, Partia Aleanca Demokratike do të merrte Ministrinë e Punëve Publike (Arben Demeti) dhe një ministër shteti pranë kryeministrit (Preç Zogaj). Në intervistën që Fevziu i dha Ilva Tare në 20 dhjetor 2011, për emisionin e saj “Tonight”, në RTV Ora News, u pyet:
      Në vitin 2000, Rama ju ka vendosur në listën e këshilltarëve bashkiakë. Pse e refuzuat?
      Kjo pyetje tregon se sa e dobët është kujtesa politike e gazetarëve në Shqipëri. Blendi Fevziu, siç e kam treguar më lart në këtë libër, nuk e refuzoi ofertën e Ramës, por u shtir se e refuzoi pasiqë u kompromentua një projekt i USAID, për shkak të konfliktit të interesit të Fevziut, si kandidat në zgjedhje në listën e PS, dhe moderator i një emisioni televiziv që bashkëpunonte në një projekt me USAID. Fevziu i përgjigjet kësaj pyetjeje:
      Jo, nuk e refuzova. Biseda ime me Ramën ka qenë që do të më vendoste në listën e këshillit për të kontribuar për qytetin. Bëhej fjalë për një listë jopolitike, pra një listë që do të mbështeste kryetarin e bashkisë së asaj kohe. Unë kam menduar dhe e kam pasur një pasion të madh për Tiranën, e kam shprehur në shumë shkrime dhe në biseda informale, kam ndikuar për shumë gjëra që mund të bëheshin më mirë në këtë qytet, por më pas, kur lista u miksua, për arsye të ndikimit të partisë në atë kohë, me figura politike, nuk kishte më kuptim, dhe jam tërhequr nga lista.
      Kjo mënyrë të foluri e mjegullt nuk mund ta fshehë fshehë faktin se Fevziu e mori mandatin si anëtar i Këshillit Bashkiak dhe, pasiqë mori ato leje ndërtimi që deshi, nisi të mos shkonte më në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Mënyra se si flet më lart Fevziu është gjuha e gazetarëve mafiozë siçilianë, personazhe të librave të Leonardo Sciascia. Deri në vitin 2003 Fevziu qe anëtar i forumeve të larta të Partisë Aleanca Demokratike, e cila qe në koalicion me PS. Fevziu i cili u shfaq publikisht kur iu bashkua kësaj partie si themelues, në ditën e shpalljes krijimit të saj, në 5 mars 1993, nuk mund të na thotë datën e saktë se kur ai u largua nga kjo parti. Fevziu nuk bëri një deklaratë publike për largimin nga kjo parti. Gjithsesi, ndonëse Fevziu u largua nga politika aktive në vitin 2003, ai nuk ka hequr dorë nga ideja për të bërë karrierë politike. Kjo kuptohet nga një ese e tij e asaj kohe, me titull “Politika, një profesion familjar”, ku Fevziu mediton mbi atë dukuri amerikane të shndërrimit të politikës në profesion familjar:
      Se vetë amerikanët kishin filluar t’ i besonin një rrethi shoqëror që u kish dhënë jo pak garanci dhe se kjo garanci qe pjekur dhe nënshkruar në vite të gjata dhe të lodhshme lufte në shërbim të Amerikës. Politika kish filluar të bëhej një lloj profesioni familjar, duke u ndihmuar në këtë drejtim edhe nga njohjet, garancitë e vjetra dhe kujtesa historike.[viii]
      Por ajo që nuk e thotë Fevziu është se amerikanët më të mençur nuk janë asfare entuziastë për këtë gjë, se kështu demokracia zëvendësohet praktikisht nga aristokracia. Pastaj Fevziu shkruante duke kaluar në Shqipëri:
      U kujtova pastaj se tek ne kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë dhe se, pavarësisht moshës së re dhe mungesës së traditës së politikës shqiptare, ajo ende nuk qe shndërruar në një zanat familjar. Në një profesion ku më shumë sesa merr, i jep vendit tënd.[ix]
      Nënkuptimi këtu është se Fevziut i takon me trashëgimi familjare ky profesion, për shkak se ndër paraardhësit e tij ka shumë politikanë të Shqipërisë së para Luftës së Dytë Botërore. Blendi Fevziu, në një intervistë që ka dhënë në 2011, thotë se ai bëri një shkollë politike që në fëmijëri:     
      Dëgjoja me orë bisedat politike të tim eti me kushërinjtë e tij, kryesisht për politikën e jashtme dhe sot ende sjell ndërmend detaje nga eventet botërore, me komentet që ata bënin për to. Sot e kuptoj, që e gjithë kjo ishte një shkollë që paralel me atë tjetrën, zyrtaren, që bëja çdo ditë, më dha shumë më tepër njohuri se sa kishin moshatarët e mi.[x]
      Fevziu nuk thotë se cila ishte përmbajtja e këtyre bisedave, por nënkuptimi është se ato qenë ndryshe nga propaganda zyrtare e regjimit komunist. Por kjo gjë ngjan krejt e pabesueshme se në atë kohë, jo vetëm të deklasuarit, por edhe të tjerët, kujdeseshin që bisedat politike të mos i bënin në prani të fëmijëve, apo edhe të adoleshentëve, se këta mund të thoshin në bisedat me shokët jashtë shtëpisë gjëra që i kishin dëgjuar në bisedat në shtëpi. Ndokush mund të vinte në dijeni Sigurimin e Shtetit dhe atëherë do të vihej në veprim mekanizmi djallëzor i zbulimit. Për Sigurimin e Shtetit qe një mënyrë shumë e pëlqyer që të arrinte tek prindërit me anë të fëmijëve. A nuk i shkon si epigram Fevziut ajo që Cvajgu shkruan për Fushenë, për atë që e quan “një tipar tjetër, i shprehur qartë dhe fort i qenësishëm: paturpësia e tij”, me ç’ rast thotë:
      Kur braktis tradhtisht një parti, ai asnjëherë nuk tregohet i kujdesshëm dhe i ngadalshëm, nuk përvidhet i drojtur për të dalë nga radhët e saj. Jo, mu në mes të ditës me diell, me një buzëqeshje të ftohtë, me një siguri të habitshme e dërmuese, ai hidhet drejt e tek kundërshtari i djeshëm, duke i përvetësuar të gjitha fjalët dhe argumentet e tij. Se çfarë mendojnë e flasin për të shokët e mëparshëm të partisë, se çfarë mendon turma dhe opinioni- ai as që do t’ ia dijë fare. Për të vetëm një gjë ka rëndësi: të jetë gjithmonë në anën e fitimtarit, jo në anën e të mundurve. Në transformimin e tij të rrufeshëm dhe në cinizmin e pakufishëm të tradhtisë së tij, ai ruan një masë arrogance, që padashur, të lë gojëhapur dhe të ngjall admirim. Për të mjaftojnë njëzetekatër orë, nganjëherë dhe një orë e vetme, nganjëherë vetëm një çast fare i shkurtër, që para të gjithëve, të flakë tutje flamurin e bindjeve të veta dhe të shpalosë një tjetër flamur valëvitës. Ai nuk ndjek idenë, por kohën dhe sa më shpejt që fluturon ajo, aq më me shkathtësi ai do të rendë pas saj.[xi]
      Shumëkush mund të thotë se përveç Fevziut ka dhe të tjerë që e kanë bërë dhe e bëjnë këtë gjë. Mirë pra, unë zgjodha Fevziun si prototip, dhe nuk më ngjan se jam gabuar.       Blendi Fevziu ka një cilësi që e shtyn atë fatalisht drejt politikës. Fevziu ka një mani të vërtetë për të krijuar për veten reputacionin e një njeriu që të mbaron punë, çka është një talent shumë i rëndësishëm për një politikan spekulativ. Fevziu me kënaqësi merr përsipër problemet e vogla të miqve të vet me influencë, për të cilat ata nuk donin të angazhoheshin vetë, duke u bërë një mjeshtër në trafikun e influencave, i ngjashëm me atë personazhin e romanit “Bankieri” të Lesli Uoller, Mak Bernsi, që thurrte si një rrjetë merimange një rrjet allishverishesh. Kështu, Fevziu merr përsipër të rregullojë një punë për të afërmin e dikujt në administratë, rezultatin e një gjyqi, një tender, një problem nëzyrën e tatimeve, një bursë për studime në një universitet në Perëndim, një leje ndërtimi, një kredi bankare, një mjekim në një klinikë jashtë vendit, një biletë për të parë një ndeshje të rëndësishme futbolli jashtë vendit etj. Shpesh këtë gjë e bën për llogari të një miku me influencë që nuk donte që të ndërhynte vetë, pasi nuk e shihte aq të rëndësishme sa të ndihej i detyruar ndaj atij që e kishte në dorë dhe që gjithashtu do t’ i kërkonte më pas një favor tjetër. Këtu hyn në lojë Fevziu, që luan rolin që luan xholi në lojën me letra. Fevziu e zgjidhte çështjen duke shfrytëzuar influencën e vet, si dhe influencën që pati fituar pasi njeriu të cilit Fevziu i pati bërë këtë nder, qe i detyruar që t’ ia shpërblente Fevziun në një çështje tjetër, të cilën ai e kishte në dorë dhe ku kishte interes një mik tjetër i Fevziut. Kështu Fevziu krijoi një rrjet të ngatërruar allishverishesh dhe kombinacionesh, një piramidë e vërtetë, e ngjashme me atë të mikut të tij, Bashkim Drizës, në qendër të së cilit ai qe vetë dhe që i sillte atij kënaqësi. Për ta drejtuar dhe për ta bërë të funksiononte këtë rrjet, Fevziu është vazhdimisht në lëvizje, duke bërë telefonata pafund, duke ndalur të takonte dhe të shkëmbente dy fjalë me shumë e shumë njerëz relativisht të rëndësishëm gjatë ditës, në kafene, zyra, restorante etj. Për të bërë të funksionojë piramidën e vet, Fevziu gjatë ditës bisedon me ministra, deputetë, shefa policie, prokurorë, gjyqtarë, drejtorë, përmbarues, mjekë, kryetarë bashkish, komunash, e dreqi e di se me kë tjetër.
          

53.
“Rasputini” i Berishës, “Puck” i Nanos

      Në intervistën që dha për Ilva Tare në emisionin “Tonight” të kësaj të fundit, në RTV Ora News, në 20 dhjetor 20011, Fevziu u pyet nga intervistuesja:
      Ju kam ndjekur këto vite, keni qenë aktiv jo vetëm në TV por edhe në shtypin e shkruar me analiza dhe komente, tek të cilat nuk keni pasur drojë të thoni në disa raste “miku im kryeministër”. A mendoni se është normale që një gazetar të ketë mik kryeministrin dhe ku mbaron dhe fillon kufiri i gazetarit në këtë marrëdhënie miqësore.
      Intervistuesja e pati fjalën për miqësinë e deklaruar, që prej disa vitesh, të Fevziut me kryeministrin Berisha. Blendi Fevziu u përgjigj:
      Absolutisht, e para është normale në çdo vend të botës dhe është gati-gati edhe një lloj privilegji se nuk mund ta kesh kaq të ndarë. Ka pasur një model të gazetarit që jeton i izoluar dhe pa kontakte. Çështja është të ndash raportin tënd, ndershmërinë profesionale nga raporti privat. Sot, që të jesh gazetar, duhet të jesh njeri i informuar dhe beteja kryesore është betej për informacionin, ndryshe nga shumë vite më parë kur gazetarët kryesisht jepnin mendime, bënin analiza më shumë se sa lajme dhe në këtë rast nuk donin të ishin të influencuar. Sot kryesorja është ta sjellësh lajmin i pari.     
      Por çdo kryeministër, një gazetari që e ka mik, nuk i jep të dhëna që mund t’ i bëjnë publicitet të keq qeverisë së tij, dhe atij vetë, por të dhëna që i interesojnë atij si kryeministër. Kështu, gazetari që është mik i kryeministrit shndërrohet në një lloj zëdhënësi informal i kryeministrit. I tillë ka qenë dhe Fevziu në raport me të gjithë kryeministrat, të cilët kanë qenë miqtë e tij. Fevziu, kur flet kështu bën kinse ka harruar se në autobiografinë e vet, që gjendet në një libër të botuar në vjeshtën e vitit 1992, shkruante:
      Më zbavit dëshira naive e njerëzve për t’ i buzëqeshur presidentit. Ministrat dhe qeveria më duken akoma më të vegjël.[xii]
      Tashmë është Blendi Fevziu ai që i zbavit të tjerët me dëshirën e tij naïve për t’ i buzëqeshur Berishës kryeministër dhe ministrave të tij “akoma më të vegjël”. Ndryshimi mes Fevziut të vitit 1992 dhe atij të vitit 2011, kur jep këtë intervistë, nuk është asfare moral. Fevziu në vjeshtën e vitit 1992 nuk kishte më tepër skrupuj moralë se ç’ ka sot Fevziu, por Fevziu i vjeshtës së vitit 1992 mendonte se do të përfitonte më tepër nëse do të merrte anën e kundërshtarëve të Berishës. Zhgënjimi prej tyre e bëri puthador të Berishës. Madje, Fevziu, qëkurse Berisha u bë kryeministër në 2005, nisi të vuajë rëndshëm nga Kompleksi Verilindor, dhe nuk është shëruar ende pas shtatë vjetësh, e nuk pritet që të shërohet deri kur Berisha të jetë në pushtet. Ilva Tare, në vazhdim të intervistës, e pyeti Fevziun për marrëdhëniet e tij me kryeministrin Berisha:
      Ku mbaron informimi me miqësinë?
      Fevziu u përgjigj:
      Këtë e ndan raporti profesional që do të thotë, shkrimi që lexon është apo nuk është i saktë dhe i qëndrueshëm, komenti që bën është apo i qëndrueshëm, emisioni që bën është apo jo i qëndrueshëm. Këtë nuk mund ta gjykoj unë, këtë e gjykon publiku. Çdo njeriu i duket vetja indipendent edhe kur s’ është.
      Publiku është gjëja e fundit që i intereson Fevziut. Në 15 vjet të ekzistencës së emisionit të tij televiziv, moderatori Fevziu ka qenë gjithëherë mik i kryeministrave të kohës. Në vazhdim të intervistës, Ilva Tare e pyeti:
      Kur u rregullua marrëdhënia tuaj me Berishën?
      Përgjigjia e Fevziut ishte:
      Nuk ka një moment të caktuar.Berisha ka ruajtur një marrëdhënie shumë korrekte me emisionin tim kur e kam filluar. Ka ardhur në 1998 për herë të parë në një shfaqje publike të tij në televizion, në një intervistë live në emisionin tim, pas kësaj ka pasur up and doën të vazhdueshëm vetëm se ka qenë një konstante, p.sh., raportet nuk shihen individuale duhen parë edhe në kontekstin e televizionit dhe të grupit në të cilin punon.Mbaj mend në vitin 2000 raportet me Tv Klan ishin shumë të tensionuara, megjithatë ai erdhi në emisionin “Opinion”, bëri intervistën që i takonte të bënte, me pyetje shumë të ashpra madje, shkuam më pas në Hotel “Rogner”, pimë një kafe, nuke  përmendi kurrë që ju më sulmoni apo të tjera si këto. Nuk ishte në stilin e tij të hynte në gjëra të vogla dhe më pas raportet kanë shkuar normale, besoj që një lloj intensiteti më i madh ka qenë pas debatit me Nanon në vitin 2002.
      Për vajtjen e parë të Berishës në emisionin televiziv të Fevziut, në maj 1998, kam shkruar më lart në këtë libër, kështu që nuk është nevoja t’ i rikthehem, mjaft që të përmend krahasimin që Fevziu i bëri Berishës me diktatorin indonezian Suharto. Sa për vajtjen e Berishës në emisionin televiziv të Fevziut para zgjedhjeve të vitit 2000, kur vetë Fevziu në 2011 flet për “pyetje shumë të ashpra” që ia bëri Berishës, del qartë se çfarë ndodhi. Intervista e vitit 2000 ishte një version i ashpërsuar i asaj të vitit 1998. Fevziu, në vazhdim të përgjigjes për pyetjen e Ilva Tares mbi marrëdhëniet e tij me Berishën, tha se takimin e tij të parë vetëm për vetëm me Berishën në zyrën e këtij të fundit e pati në shkurt 2002, me rastin e debatit televiziv Nano-Berisha, në emisionin e tij
      Madje mund t’ ju them një detaj që nuk e kam thënë ndonjëherë. Në vitin 2002 kur kam shkuar për të biseduar debatin Nano-Berisha, ka qenë një gjë krejt spontane, si shumë gjëra në jetën time, ishte pas takimit në Bruksel. Nano më tha që unë vij bëj një përballje, se unë i thashë që të njëjtat pyetje t’ i bëj ty dhe Berishës dhe i bashkoj në studio, ai tha, kështu me kamera andej-këtej, thuaji Berishës po të dojë vijmë në studio dhe bëjmë debatin. E mora Berishën në telefon, i thashë dua të vij të të takoj, më tha hajde në orën gjashtë. E mbaj mend si tani, ishte ora dy kur e telefonova, isha te “Piazza” duke qëndruar me Sokol Ballën, Aleksandër Frangajn dhe Baton Haxhiun që insistoi: shko folë me të. Vajta dhe për herë të parë në gjithë ato vite Berisha më priti vetëm. Deri atë ditë, ndoshta duke menduar një gazetar konkurent, Berisha më priste me ndonjë mikun tim po të politikës pranë tij: o ishte Mitro Çela, Astrit Patozi, Edi Paloka ose Ylli Rakipi. Ishte hera e parë që më priti vetëm, ndoshta për të shmangur keqkuptimet, dhe më tha, po do të vij në debat.
      Së pari, këtu Fevziu gënjen duke ia atribuar Fatos Nanos nismën për debatin televiziv Nano-Berisha, kur në të vërtetë nisma për këtë debat ishte e Ambasadës së SHBA në Tiranë. Fevziu mund të mos jetë në gjendje ta thotë këtë, por nuk është korrekte që t’ ia atribuojë meritën njërit nga pjesëmarrësit në debat. Fevziu me këtë i bën një lajkatim të vonë Nanos. Kur Fevziu thotë se Berisha, gjatë kohës që ishte në opozitë, nga viti 1997 deri në 2002, e pati pritur gjithëhëherë Fevziun në zyrë, në prani të ndonjë gazetari pranë PD-së, me këtë Fevziu ka pohuar se Berisha e shihte atë si gazetar pranë PS në pushtet. Arsyeja kryesore për të cilën Berisha e priti i vetëm në zyrë Fevziun, në janar 2002 ishte se këtë herë bëhej fjalë për një debat televiziv të ndërmjetësuar nga Ambasada e SHBA. Fevziu nuk na thotë se kur ndodhi për herë të dytë që të shkonte i vetëm në zyrën e Berishës, pasiqë shkoi herën e parë në janar 2002. Kjo do të ndodhte vetëm tre vjet më pas, në 2005. Në vazhdim të intervistës me Ilva Tare, në dhjetor 2011, Fevziu tha për bisedat e tij private me Berishën:
      Pjesa më e madhe e bisedave me Berishën… se njerëzit mendojnë se bisedat me një person të rëndësishëm janë bisedat që ai ka në fokus. Pra, një njeri që merret me biznes mendon se po u takove me kryeministrin flet për biznes, një njeri që merret me art mendon se po u takove me kryeministrin flet për teatrin e kështu me radhë. Në fakt, pjesa informale e bisedave të mia me Berishën janë biseda që i takojnë kryesisht problemeve të politikës rajonale, Kosovës, Maqedonisë dhe politikë të jashtme. Ndoshta, sepse këto janë edhe pasione më të mëdha të miat.
      Kështu, Fevziu kërkon të na thotë se ai është një lloj “Kissinger” i Berishës; në mos këshilltari i tij për çështjet gjeopolitike ballkanase, e më gjerë, së paku bashkëbiseduesi i parapëlqyer për këto tema. Kur Fevziu thotë se pasioni i tij më i madh janë bisedat gjeopolitike për Ballkanin e më gjerë, ai nuk është bindës për shkak se nëse do të kishte qenë kështu, Fevziu do të kishte shkruar një libër për këto çështje dhe jo një biografi të Enver Hoxhës. Fakti që Fevziu nuk ka shkruar asnjë libër për çështjet që supozohet të jenë pasioni i tij më i madh, është shumë domethënës. Ky pasion i Fevziut është aq i fortë tek ai, sa ç’ ishte letërsia dikur. Shkurt, Fevziut i pëlqen që të flasë për gjeopolitikë në tryezat e kafeneve, ashtu siç i pëlqente dikur të fliste për letërsi në bordurat e bulevardit. Pasionin për biseda gjeopolitike, Blendi Fevziu duket se e ka trashëguar nga gjyshi, Neki bej Starova, i cili pati biseda të tilla me Zogun në Mat, në 1921, më pas me Halit Lleshin, dhe bisedën e fundit gjeopolitike e pati me Kajo Karafilin, të ardhur nga Jugosllavia.
      Në librin e llojit ditar politik të Preç Zogajt, me titull “Finalja”, rrëfehet për një bisedë të tillë gjeopolitike të Berishës me Fevziun, në të cilën Zogaj ka qenë dëshmitar, në zyrën e Berishës, në tetor 2004. Marrëdhëniet e Berishës me Fevziun, të përmirësuara në fillim të vitit 2002, qenë ftohur në fillim të vitit 2004, për arsye që i kam shpjeguar më lart në këtë libër. Në vjeshtën e vitit 2004, Berisha, pasiqë kishte afruar në PD pothuajse krejt ata që kishin ikur në 1992 nga PD dhe patën krijuar Partinë Aleanca Demokratike, i bëri dhe një ofertë politike Blendi Fevziut, me anë të Preç Zogajt, për të qenë deputet i PD në zgjedhjet e vitit tjetër. Kuptohet se Berishës nuk i duhej Fevziu deputet, por ai deshi që të miklonte egon se e dinte që Fevziu kishte pasur ambicje politike. Oferta e Berishës u bë shkak për bisedën që Zogaj e rrëfen në librin e vet, në trajtë dialogu, por pa përmendur emrin e Fevziut. Biseda mund të definohet si sitcom (komedi situatash). Fevziu mendoi se Berisha ia kishte nevojën si politikan, çka e bëri që t’ i fliste me një gjuhë në të cilën nuk i pati folur kurrë. Berisha, nga ana e tij, pati dhe ai një keqkuptim, duke menduar se Fevziu po i përçonte një kumt. Për të kuptuar bisedën, duhet pasur parasysh një artikull i Fevziut, i botuar në revistën “Klan”, në gusht 2000, para zgjedhjeve vendore të atij viti. Është e rëndësishme që të sillet një fragment nga ky artikull me titull “Berisha, Washingtoni i fundit”, para se të citoj bisedën Berisha-Fevziu që na sjell Zogaj. Ky artikull bënte një historik të marrëdhënieve të Berishës me SHBA dhe në fund Fevziu arrinte në këtë përfundim:
      Kur më së fundi, miq dhe emra të politikanëve të fillim viteve ’90, janë rikthyer përsëri në ekranet amerikane, Berisha diçka duhet të ketë ndjerë. I bindur se shpresa vdes e fundit ai beson tek një rikthim i ri. Beson tek kujtimi i mirë që ju ka lënë republikanëve që ka njohur së pari dhe tek njohja personale me ta. Është shumë e thjeshtë për ta dalluar se ideja e një rikthimi të Pauellit e tundon ish-Presidentin shqiptar. Ashtu si edhe kthimi i tjetërsuar i Xhorxh Bush. Por disa pikëpyetje radhazi duket se turbullojnë planet e tij: A do të fitojë Bushi i ri në garën finale me Al Gor? A do të jetë Bushi plak aq i motivuar sa t’ i kërkojë djalit të tij një favor për ish-presidentin që e ka njohur dikur? A do të ketë realisht kohë Bushi i ri të merret me Shqipërinë? Dhe e fundit, nëse të gjitha këto realizohen, a do të ketë ai forcë dhe vullnet për të kapërcyer relacionet dhe përshtypjen negative që Berisha ka lënë tashmë në strukturat diplomatike të Uashingtonit? Vështirë! Janush Bugajski, analisti i njohur amerikan, duket se ka qenë më i qarti, kur në një koment të tijin mbi këto raporte, në një seminar në Tiranë deklaroi: “Amerika ka kujtesë institucionale dhe ajo mbështetet së pari mbi të”. Është vështirë që vetëm me vullnet ta kapërcesh gjithë atë mur mërie, që Berisha, njeriu që aq shumë fliste për SHBA në fillimet e viteve ’90, krijoi në më pak se katër vite, kur atij iu duk se pikërisht SHBA, po i merrnin ose lëkundnin atë pushtet, që ai nuk e lëshonte kollaj. Dhe në të cilin, ata kishin luajtur jo pak rol për ta pasur dikur. Kur ai ishte ende lideri i së parës opozitë antikomuniste në Shqipëri. Dhjetë vjet më pas është vonë për t’ u rikthyer aty ku ishte dikur.[xiii]
      Fevziu, kundër natyrës së tij si gazetar, nuk mungonte të bënte një profeci, duke thënë se Berisha ishte tashmë një kartë e djegur për Washingtonin dhe se ai nuk do të rikthehej më kurrë në pushtet, se nuk kishte për ta fituar më kurrë mbështetjen e amerikanëve. Berisha e mbante mend këtë goditje edhe se Fevziu kishte një siguri arrogante në ato që kishte shkruar, sa në ditët pas publikimit të artikullit vinte baste afatgjatë mbi atë nëse koha do të vërtetonte ose jo fjalët e tij. Të dy, si Berisha ashtu dhe Fevziu, në bisedën që na sjell Zogaj, kishin ndërmend artikullin e cituar më lart të gushtit 2000. Zogaj, i cili na e sjell bisedën, duhet marrë me besim, se këtë libër e ka botuar para zgjedhjeve të vitit 2005, në kohën që ishte bashkuar me Berishën. Ja se çka na thotë Zogaj:
      Po mbaronte edhe tetori, vjeshta e datëlindjes së gjashtëdhjetëvjetorit të Berishës, Kur nuk pritej, socialistët kishin lëshuar pothuajse gjithçka në lidhje me reformën zgjedhore.
      -Zotëri! Kurthe të tjera ka vënë fati në lakoren e rrugës tënde!
      Ai që flet kështu duket një zë i njohur, i humbur prej muajsh në ëndrrën për t’ ua hedhur të gjithëve, por që ngrihet papritur midis heshtjes që ka pllakosur një tjetër natë të Shqipërisë.
      Kryetari i opozitës i përgjigjet gati pa vetëdije, si të ishte medium:
      -Duhet të jesh një fallxhor ti që arrin t’ i numërosh këto kurthe!
      -Ti po thua!
      -Ah! Shih kush na qenka!  E pra, nëqoftëse nuk je, nuk të bëj dot.
      -Fallxhorët janë ata që dinë.
      -Ky është edhe përkufizimi im.
      -Atëherë unë jam! Prej një viti. Por s’ kam dashur të ta them. Më ka ardhur keq.
      -Ishe, por nuk je më!
      -Si mund të të besoj kur e di se djemtë e Hankos, siç i quan avokat Ngjela, ata djelmoshat me tiranda dhe çanta të mbushura ding, nuk të arranzhojnë më të rejat!
      -Nuk je i detyruar të besosh. Por, në e do përgjigjen po ta them: ka gjithmonë një moment kur arsyetimi zotëron të drejtën e vet mbi informacionin. Ky është momenti i së vërtetës së qëruar.
      -A mund të të bëj një pyetje?
      -Mua?
      -Po.
      -Urdhëro.
      -Kur unë them se ke për të mbetur i pamundur, por nuk do të fitosh kurrë, kam dhënë një informacion apo kam bërë një arsyetim?
      -As njëra, as tjetra.
      -Sa njëra, aq edhe tjetra, do të thoshte Aristoteli. Dhe mos mendo se vazhdoj ta ngatërroj me Mirush Kabashin. A e ke menduar ndonjëherë pse po të kthejnë kurrizin dhe atje ku të kanë dashur?
      -Po të mendohet pak më seriozisht rreth asaj që kam në dorë, nuk do të guxonte kush të nxirrte nga goja fjalë të tilla me kaq lehtësi.
      -Nëqoftëse nuk ke shkalluar tip o luan bllofin me ata që s’ të njohin. Por unë e di: në dorë nuk ke asgjë.
      -Nëqoftëse politika ime do të ishte konfliktuale, posesive apo paternaliste, Ballkani nuk do të kishte këtë stabilitet që ka. A e dinë këtë gjë politikanët që përmend zotrote dhe që më paskan kthyer kurrizin? Ah, po, ne ndahemi në një çështje thelbësore.Ne kemi mendime të kundërta, në lidhje me atë që kush janë politikanët. Ti quan politikanë burokratët e politikës. Kurse unë shoh të tjerë, flas me të tjerë, me ata që lëvizin botën, pa rënë në sy. Ata e dinë se unë mund të luaj me pakënaqësitë dhe çështjet e pazgjidhura të shqiptarëve jashtë kufirit shtetëror.
      -Fjalë!
      -Unë mund të luaj! Dhe ti e beson këtë. Por unë nuk dua.
      -…
      -Meqë ra fjala. Dua të rrëfej diçka, që nuk ia kam thënë kërkujt.Duke parë në pranverë protestuesit në rrugë, unë kam pasë menduar: Ne jemi një miniaturë e qytetërimeve të botës, ku secili qytetërim tërheq në kahun e vet, duke e lënë Shqipërinë në vendnumëro, apo në rrezikun e shqyerjes. Ka ardhur dita që ne t’ u japim fund dyzimeve apo trezimeve për këtë çështje themelore dhe të përcaktohemi qartë në kahun e qytetërimit europianoperëndimor ashtu siç e ka përcaktuar Samuel Huntingtoni në librin e tij “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror”.
      -Thuaje…
      -Perëndimi është qytetërimi i vetëm i përcaktuar nga drejtimi i gjilpërës së busullës dhe jo me emrin e një populli të caktuar, të një feje ose zone gjeografike. Historikisht qytetërimi Perëndimor është qytetërim europian. Në epokën moderne qytetërimi Perëndimor është euroamerikan ose qytetërim Atlantik Verior.
      -Një herë kam pasë lexuar se aksidentet e fatit ndreqen lehtë. Nuk e merr me mend sa i gëzuar jam këtë çast.
      -Të bësh të vuash pa arsye, do të thotë të fusësh luftën.[xiv]
      Blendi Fevziu nuk do t’ i kishte folur kështu Berishës disa muaj para zgjedhjeve nëse nuk do të kishte bindjen se Berisha nuk do të rikthehej në pushtet. Berisha e pranoi këtë sfidë të një hard talk jashtë mbulimit të kamerave televizive, nga ana e Fevziut, se donte t’ i tregonte këtij se kishte siguri për ardhmërinë e tij politike. Në bisedën e mësipërme, Fevziu i qëndroi profecisë së tij të vitit 2000, duke pasur ndërmend zgjedhjet e vitit 2005, çka kishte ndërmend dhe Berisha gjatë bisedës. Berisha e pranoi sfidën dhe, nga sa del prej bisedës së mësipërme, praktikisht vuri një bast me Fevziun se koha do të përgënjeshtronte profecinë politike të këtij të fundit. Por ndonëse Berisha e fitoi bastin, Fevziu nuk pagoi gjë, madje ishte Berisha ai që filloi ta paguante Fevziun, në shumë mënyra, duke marrë si këmbim shërbimet e dyshimta të Fevziut si propagandist medial. Pas ardhjes së Berishës në pushtet, në 2005, Fevziu nuk e përmendi më profecinë e tij politike të vitit 2000, të cilën e kishte evokuar me krenari në bisedat në kafene, në 2001 pas zgjedhjeve parlamentare dhe në 2003, pas zgjedhjeve vendore. Por Fevziu nuk kishte turp, dhe nuk nguroi që ta uronte Berishën për ardhjen në pushtet, duke u shtirur si shumë i gëzuar. As Berisha nuk e përmendi shkrimin e vitit 2000 dhe “bastin” e tyre të tetorit 2004. 
      Nuk ka gjasa që Fevziu të ketë pasur biseda të ngjashme me Berishën, pas zgjedhjeve në të cilat Berisha erdhi në pushtet. Tekefundit, çka do të mësojë Berisha nga bisedat gjeopolitike me Fevziun. Një shtetar mund të bëjë biseda edhe për ushtrim intelektual, por duhet që bashkëbiseduesi të jetë në lartësinë e duhur, çka nuk është rasti me Fevziun. Shkalla intelektuale e Fevziut në biseda gjeopolitike reflektohet në artikujt e tij të rrallë me temë gjeopolitike, në shtyp, dhe ata kanë një nivel që nuk e bën atë një bashkëbisedues të lakmueshëm për një shtetar. Berishës i duhet Fevziu si propagandist dhe jo si bashkëpunëtor që është partner intelektual i tij. Këtu nuk përjashtohet që Berisha me diabolikën e vet, të përftuar gjatë karrierës së tij politike, t’ i krijojë iluzionin Fevziut se i pëlqen të bëjë biseda gjeopolitike me të.
      Berisha, nga ana e tij, në raport me Fevziun, vuan nga ai që mund të quhet si Kompleksi i Rasputinit. Cari i fundit rus, Nikollai II e kqyrte Rasputinin si një lloj ndërmjetësi të tij me Zotin, i si një lloj orakulli i cili kishte përgjigje për pyetjet e tij për të ardhmen. Për Carin dhe gruan e tij, Rasputini ishte njëherësh zëri i Zotit dhe shpirti i popullit rus, ishte instanca mistike e prekshme për ta. Për Sali Berishën, Fevziu është një farë “Rasputini”, në sensin që qenien e Fevziut në shërbim të tij, e shikon si arritje, si përmbushje të asaj që mund të quhet si imperativi i mistikës politike të  Berishës, dhe që është pasja në shërbim të tij të njerëzve me profil të lartë të medias, me origjinë toske. Fevziu është prej vitesh një njeri me profil të larta në media, në sajë të emisionit të tij televiziv në një kanal të rëndësishëm televiziv. Prej këtej dhe ndikimi i Fevziut tek Berisha, i cili e mirëpriti kur Fevziu në 2005 nisi të vuajë nga “Kompleksi i Verilindjes”, të cilit i pati shpëtuar në 1992.
      Berisha dhe Fevziu kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta, se ç’ mund të krijohet përshtypja në pamje të parë. Të dy kanë lindur në fshat dhe kanë jetuar atje deri në moshën 14 vjeç. Të dy kanë ardhur në Tiranë në këtë moshë. Të dyve parapëlqenin të studionin për letërsi dhe ëndrronin të bëheshin shkrimtarë, çka e kanë pohuar vetë. Të dy u përkisnin pjesëve të popullsisë të cilat gjatë kohës së regjimit komunist qenë të shtypura. Derisa Fevziu i përkiste një familjeje të deklasuar, Berisha ishte nga Shqipëria e Veriut, të cilën diktatura komuniste e trajtoi si një territor të pushtuar, të vënë nën një regjim segregacioni. Të dy janë ndër njerëzit e paktë të grupimit të cilit i përkisnin, që përbëjnë përjashtime nga kufizimet që diktatura komuniste u kishte vënë këtyre grupimeve. Vetëm një numër shumë i paktë i të deklasuarve me të dhënat e Fevziut, dhe të rinjve të lindur në Shqipërinë e Veriut, u lejuan nga regjimi komunist të vendosen me banim në Tiranë, në atë kohë. Të dy patën ndjenjën e të qenit të mënjanuar në mjedisin e ri. Të dy hynë në politikë njëkohësisht, në 1990. Të dy pësuan një dështim të madh në politikë, në 1997, ndonëse në anë të ndryshme. Derisa Berisha humbi pushtetin, Fevziu nuk mori asnjë nga postet që kërkoi kur partia e tij erdhi në pushtet këtë vit, si pjesë e koalicionit të majtë. Të dy janë tipi i personazhit balzakian, të riut ambicioz dhe arrivist që vjen nga province në kryeqytet, i etur për të bërë karrierë dhe pasuri. Për vetë natyrën hedonike të Fatos Nanos, Fevziu ka pasur një komunikim pakrahasimisht më intim me Nanon se me Berishën. Fevziu nuk ka qenë kurrë i afërt me Berishën para vitit 2005. Por, edhe në komunikimin intim të Nanos, Fevziu nuk mund të mos ndjente një lloj distancimi të hollë, një lloj talljeje të sofistikuar, një lloj përçmimi që Nano e shfaqte në një mënyrë apo në një tjetër në raport me Fevziun, si një djalë i lindur në kryeqytet, të cilit tashmë i duhej të kishte të bënte me këtë fshatar që pati menduar se duke qëndruar me orë të tëra i ulur në bordurat e bulevardit të madh do të bëhej kryeqytetas. Prandaj, megjithë vetëpërmbajtjen në komunikim të Sali Berishës, instinktivisht, Fevziu e ka ndjerë veten gjithëherë më afër këtij të fundit se Fatos Nanos. Në intervistën e lartpërmendur me Ilva Tare, në dhjetor 2011, Fevziu u pyet edhe për raportin e tij me Fatos Nanon, për të cilin u përgjigj:
      Ka qenë raport miqësor. Unë kam me Nanon një raport që do t’ u duheshin edhe 15 minuta të tjera që të flasim.
      Fevziu megjithatë nuk e ka gjetur kurrë kohën për të folur për këtë raport të tij të posacëm me Nanon, ndonëse koha televizive është ajo gjë për të cilën Fevziu nuk ka pse ankohet se i ka munguar sadopak. Fevziu ka qenë afër Nanos, që prej fillimit të vitit 1993, madje ka qenë dhe një nga gazetarët e paktë që shkoi t’ i marrë një intervistë në burgun e Bençës, në 1995. Raporti i Fevziut me Nanon ka qenë më miqësor në periudhat që Nano ka qenë kryeministër. Madje edhe kur grupi medial “Klan” pati një konflikt me kryeministrin Nano në vitin 2003, Fevziu qëndroi i distancuar dhe ruajti marrëdhënie të mira me Nanon. Në kohën kur PS ishte në pushtet, Fevziu kishte pasur marrëdhënie të këqija me Nanon vetëm kur ky i fundit nuk kishte qenë kryeministër. Në vjeshtën e vitit 2001, kur Nano ishte i ftuar në emisionin e Fevziut “Opinion”, për një intervistë të gjatë, para emisionit, Nano, Fevziu dhe Frangaj u ulën për një kafe. Nano dukej i shqetësuar dhe i tha Fevziut se nëse do t’ i bënte pyetjet që ia kishin dhënë të tjerët për Xhoanën, atëherë ai (Nano) do të thoshte gjatë emisionit se Fevziu pati qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
      Derisa Berisha e shikon Fevziun si “Rasputinin” e tij, Fatos Nano e ka parë Fevziun si një “Puck” të tij. “Puck” është gaztori i Mbretit Oberon, në komedinë e Shakespeare “Ëndrra e një nate të mesit të verës”. Në këtë komedi, Mbreti Oberon e e përdor Puck për të hedhur një lëng magjik në sytë e njerëzve që flinin, për t’ i bërë ata të binin në dashuri. Si ky “lëng magjik” i shërben Fatos Nanos emisioni televiziv i Blendi Fevziut. Por, sipas traditës së mbretërve me gaztorët, Nano nuk mungon të tallet me Fevziun. Në 20 korrik 2007, ditën që ishte duke u votuar në parlament për zgjedhjen e Bamir Topit president, Fevziu, i cili në ato momente qe në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv, në emisionin e tij, thoshte:
      Jam në lidhje të drejtpërdrejtë me zotin Nano, dhe më thotë se është në Budva.
      Në të vërtetë, Nano në ato momente ishte në Tiranë, tek Vinoteka pranë shtëpisë së Jozefina Topallit në Bllok, dhe që andej shkoi tek “Taiwani”. Fevziu nuk qe në lidhje direkte me Nanon por me Emin Barçin dhe Ylli Dylgjerin.
      Pasiqë Fevziu tha në intervistën me Ilva Tare fjalët që i kam cituar më lart, për Nanon, intervistuesja e pyeti:
      Shkurt, Nano President?
      Fevziu u përgjigj:
      Absolutisht po. Do ta shprehja edhe me shkrim këtë gjë së shpejti. Por kjo është çështja ime personale.
      Megjithatë Fevziu nuk e shkroi dhe nuk e botoi këtë artikull. Natyrisht se Fevziu kishte ndërmend që ta shkruante dhe botonte këtë artikull vetëm nëse do të mësonte me siguri të plotë se Nano do të zgjidhej President i Republikës.


54.
Gjetja e “zhivës së kuqe”: Pasuria, ose “Pashallëku” i Fevziut

      Fevziu, i cili në emisionin e tij nuk ka lënë temë pa trajtuar, nuk ka gjetur megjithatë një ditë që t’ ia dedikonte vrasjes së bujshme të gjyqtarit të Gjykatës së Faktit në Vlorë, Skerdilaid Konomi, në një atentat të stilit mafioz, ndonëse kjo ngjarje ka ndodhur para më tepër se një viti. Arsyeja është makbethiane. Fevziu nuk ishte ndër personat që u thirrën nga Prokuroria me rastin e hetimeve për vrasjen e gjyqtarit Konomi, ndonëse kjo gjë do të kishte qenë normale duke qenë se hetimet u përqëndruan në pistën e konflikteve pronësore të familjes Konomi me pretendues të tjerë në Gjirin e Lalëzit. Ndër personat që kishin një kontest pronësor me familjen e gjyqtarit Konomi ishte dhe Fevziu. Mosbërjen e një emisioni të posaçëm për vrasjen e gjyqtarit Konomi, Fevzoja i shkathët e ka kompensuar duke ftuar më shpesh në emision kushëririn e parë të gjyqtarit të vrarë, Arian Konomin. Fevziu e bën këtë që të largojë dyshimet nga vetja, pra që njerëzit të mendojnë se nëse familja Konomi do të kishte dyshime tek Fevziu, atëherë Arian Konomi nuk do të shkonte në emisionin e tij. Por kështu nuk përftohet një shfajësim për Fevziun por një faj moral për Arian Konomin. Makina e gjyqtarit Konomi, e djegur dhe e shkatërruar nga atentati mafioz, është emblema e pasurisë së Blendi Fevziut, e cila nisi me aferën mafioze të “zhivës së kuqe”.
      Duke qenë se emisioni televiziv i Blendi Fevziut është burimi kryesor i pasurisë së tij, në kuptimin ekonomik dhe jo intelektual të fjalës, ndoshta ishte dashur që kapitullin për pasurinë e Fevziut ta përfshija në pjesën për emisionin e tij televiziv. Që prej vitit 1991, kur Fevziu nisi të kërkojë “zhivën e kuqe”, ai nuk ka rreshtur së bëri këtë, dhe më në fund ia arriti ta gjente, duke bërë një pasuri të madhe, pjesën më të madhe të së cilës e vuri duke shkuar kundër ligjeve. Fevziu e përmbushi shpejt ëndrrën për pasurim të shpejtë që kishte kur kërkonte “zhivën e kuqe”. Ai shkruan për vetveten:
      25 vjeç hipa për herë të parë në makinën time private; 27 vjeç kisha veshur tashmë kostumin e një firme të njohur mode; 30 vjeç mbaja në dorë ëndrrën time të atyre viteve, një “Rolex”, ndërsa 33 vjeç pasi kisha ndërruar disa lloje makinash, kisha filluar të ngisja një “Mercedes” të mrekullueshëm.[xv]
      Ky paragraf mund të jetë fare mirë retorika mburrëse e bosi të ri mafioz. Në thelb, pasurimi i Fevziut nuk ndryshon shumë prej atij të bashkëmoshatarëve të tij që u bënë mafiozë në Perëndim. Blendi Fevziu gjeti mënyra të tjera për të zbuluar “zhivën e kuqe”. Se veprimtaria kriminale e Fevziut nuk përfundoi me “zhivën e kuqe”. Që prej vitit 1991 kur Blendi Fevziu u bë drejtor në Ministrinë e Kulturës, dhe deri më sot, pra për 21 vjet, ai ka endur një rrjetë merimange juridiko-gjyqësore me një numër të madh gjyqesh, falsifikim provash, për të fituar në mënyrë të padrejtë prona të mëdha, falë origjinës së tij nga familjet bejlere Hysenbegasi, Toptani, Ypi, Mborja, Fevziu, Zavalani etj. Dosjet gjyqësore të Blendi Fevziut do të mbushnin krejt sallën e emisionit “Opinion” nëse do të viheshin atje. Fevziu, praktikisht është në gjyq me të gjithë të afërmit e vet, nga të gjitha degët e gjenealogjisë së tij, me përjashtim të atyre që nuk kanë lënë trashëgimtarë, si familja Fevziu. Atje ku Fevziu nuk është në gjyq me të afërmit e vet, ai është në gjyq me shtetin, do të thotë me qytetarët shqiptarëve, se kërkon të përvetësojë në mënyrë të padrejtë prona të mëdha publike, me dokumente të rreme kinse ato u përkasin paraardhësve të tij, nga të gjitha degët e gjenealogjisë së tij të ngatërruar. Fevziu kalon net të tërë, në dhomën e tij të punës, në shtëpi para një harte të madhe të varur në mur, ku paraqitet pema gjenealogjike e tij, në degëzimet e së cilës ai shënon prona të cilat ia kalon vetvetes, me gjyqe të manipuluara, gjë që e arrin në sajë të ndikimit politik që ka ai.
      Nëse Fevziu nuk arriti që të krijojë një bashkëpunim të frutshëm me mafien italiane në fillim të viteve ‘90, ai ia arriti më pas që të krijojë për vetem imazhin e një bosi mafioz në Shqipëri. “Plazhi i kukuvajkës” meriton të quhet pjesa e bregdetit që ka uzurpuar Blendi Fevziu në Qerret, në bregdetin në jug të Durrësit. Në romanin “Dita e Kukuvajkës” të Leonardo Sciascia, simboli i pushtetit informal mbi institucionet nga ana e Don Mariano Arena, bosit mafioz të një qyteti siçilian, është një rrugë fantomatike, për të cilën me ndërhyrjen e tij janë shpenzuar më kot para publike, kur kjo rrugë ishte e panevojshme dhe itinerari kalonte në një terren ku nuk ishte e mundur të ndërtohej një rrugë. Fevziu ka bërë një gjë të ngjashme. Fevziu ka privatizuar një sipërfaqe të madhe toke publike në Qerret, komuna e Katundit të Ri, ku ka ndërtuar një vilë tek fshati turistik i njohur si “Laguna blu”. Për të krijuar plazhin e tij privat, Fevziu, në kundërshtim me ligjin, ka ndërtuar mur përgjatë krejt brezit të rërës deri në breg të detit, duke krijuar një plazh privat të kundërligjshëm. Qerreti, u krijua në kohën e Monarkisë, si një investim i aristokrates britanike Lady Carnavorn, nënës së Aubrey Herbert, aristokratit dhe deputetit britanik, i cili pati qenë një dashamirës i madh i Shqipërisë. Katundi u quajt Herbert, pikërisht për nder të Aubrey Herbert. Sot këtë dhuratë të aristokrates britanike, së cilës për më tepër Shqipëria i detyrohet edhe për të parën Bibliotekë Kombëtare, e ka përdhosur Blendi Fevziu, pseudoaristokrati otoman.
      Një tjetër monument i abuzimit të Fevziut me pushtetin e tij medial, është ndërtesa që po ngrihet në sheshin midis ndërtesës së Kuvendit dhe selisë së PD në Tiranë. Në këtë vend, pikërisht mbi truallin e një lulishteje të gjerë publike, është duke u ngritur një ndërtesë gjigande, e quajtur Arkada “Toptani”, e cila do të shërbejë si qendër tregtare, dhe ku Fevziu është bashkëpronar në 8% të ndërtesës. Nga lakmia e madhe që ka Fevziu, ai e rregulloi me Edi Ramën që kjo ndërtesë të ketë gjashtë kate nëntokësore. Por dihet se ndërtimi i një kati nëntokë, kushton së paku sa dy kate mbitokësore. Kështu që bashkëpronarëve u kushtoi shtrenjtë lakmia e Fevziut, dhe tashmë, me shpenzimet e mëdha që kanë bërë, ndërtesa ende nuk po del mbi sipërfaqen e truallit. Një arsye është se Fevziu kërkon që pjesën e tij ta paguajë nëpërmjet sponsorimeve që merr andej-këtej prej afaristëve të ndryshëm, për shërbimet që u bën në zyrat e shtetit. Në Arkadën “Toptani” Fevziu do të ndërtojë apartamentin e tij të ri luksoz se tashmë është i pakënaqur me atë që ka ndërtuar dhjetë vjet më parë në hyrje të Rrugës së Elbasanit. Apartamenti i ri do të jetë në katin e sipërm të ndërtesës së lartë dhe prej aty Fevziu do të ketë komoditetin të shohë të gjitha shtëpitë në të cilat ka banuar qëkurse ka ardhur në Tiranë. Por projekti më ambicioz i Fevziut është ndërtimi i një hoteli të llojit “Hilton” pranë aeroportit të Rinasit, në tokat që ai ka uzurpuar me dokumente të rreme, në dëm të trashëgimtarëve të tjerë toptanas. Meqënëse pranë aeroportit të Tiranës nuk ka një hotel që të përmbushë standardet ndërkombëtare, sic ka në të gjithë aeroportet e botës, këtë gjë ka menduar ta bëjë Fevziu. Fevziu është bashkëpronar i një hoteli, ose më saktë resorti luksoz në Mavrovë të Maqedonisë, të cilin ai e ka ndërtuar falë një kredie të Bankës “Credins”, që është banka e familjes Berisha.
      Nga të gjithë pinjojtë e familjeve aristokratike otomane, Blendi Fevziu është i vetmi që meriton të quhet pashë, pra Blendi pasha, për shkak se ai ia arriti që të ndërtonte një “pashallëk” me tokat që ka uzurpuar gjithandej vendit, dhe me ndërtimet që ka bërë në to. Kjo histori nuk ka përfunduar, se Fevziu vazhdon të bëjë të njëjtën gjë me një lakmi të madhe, dhe “pashallëku” i tij vazhdon të zgjerohet. Në sajë të të ardhurave që merr nga dhënia me qira e ndërtesave të ngritura në këto toka, Fevziu tashmë ka arritur në rangun e rentierëve që përshkruan Balzaku. Por, Fevziu, si lexues i Balzakut, ka një lloj antipatie për rentierët. Prandaj Fevziu po bën përpjekje të zgjerohet dhe në biznise të tjera. Ai është bërë aksioner në kompaninë e telefonisë mobile “Plus”- arsyeja për të cilën unë që parapëlqej në çdo rast të jem klient i biznesit shqiptar, nuk kam sot një numër telefoni të kësaj kompanie. Meqënëse Fevziu është ende vetëm 43 vjeç, pra në moshën që kishte Ali Pashë Tepelena kur nisi të krijonte pashallëkun e tij, me siguri që “pashallëku” i Fevziut do të vazhdojë të zgjerohet ende dhe nuk dihet se ku do të arrijë. Një gjë është e sigurt, në ditën që në Shqipëri do të funksionojë shteti ligjor, pas 20 apo pas 30 vjetësh, “pashallëku” ekonomik i Blendi Fevziut do të falimentojë për shkak të evazionit fiskal. Nëse sot në Shqipëri do të funksiononte shteti ligjor, atëherë Blendi Fevziu do të ishte i detyruar të paguante taksat dhe gjithë detyrimet e tjera që rrjedhin nga një pasuri që arrin vlerën 80 milion euro.
      Blendi Fevziu, pavarësisht se është drejtuesi i një emisioni televiziv ku flitet shumë për funksionimin e shtetit ligjor, ku flitet për luftën kundër evazionit fiskal, ku flitet kundër zonës gri në ekonominë e Shqipërisë, nuk është asfare i interesuar që këto gjëra të ndodhin vërtet. Ditën që në Shqipëri do të realizohen të gjitha ato gjëra për të cilat Fevziu, në emisionin e tij, shtiret kinse janë kauzat e tij si gazetar televiziv dhe si i interesuar që të ndodhin, Blendi Fevziu nuk do të jetë më ai që është sot, por do të jetë një personazh i kronikës së zezë, për shkak të mënyrës se si e ka bërë pasurinë e tij dhe si po e shfrytëzon atë, si një bos mafioz në Siçilinë e viteve gjashtëdhjetë, pa përmbushur detyrimet që ka ndaj shtetit. Emisioni i Fevziut “Opinion”funksionon si një makinë larëse e posaçme për pastrimin e imazhit të biznismenëve të caktuar, të cilët kanë reputacionin e njerëzve që e kanë ndërtuar biznisin e tyre të madh duke ndërtuar skema të pastrimit të parave të pista, me ndihmën e qeveritarëve. Këta biznismenë të caktuar ftohen në emisionin e Fevziut, dhe atje shfaqen si filantropë, njerëz me vetëdije të lartë qytetare, mecenatë të artit etj.
      A i shkon mendja Fevziut. i cili vazhdon që të shtojë me lakmi pasurinë e tij, se mund të vijë një ditë që ta humbë gjithë pasurinë e vet, që në vend të vijë një qeveri e tillë që t’ ia rruajë pronat, ashtu siç rruan ai kokën në mëngjes? Jo pas të gjitha gjasave, ndonëse një shqetësim të tillë Fevziu duhet ta ketë edhe për shkak se në kujtesën e tij familjare ekziston një eksperiencë e tmerrshme e ngulitur thellë sa i përket kësaj, me shpronësimet që u i bëri regjimi komunist familjes së tij. Por kjo për Fevziun duket se është vetëm një lloj makthi i turbullt, si ai që përjeton njeriu në gjumë. Do të ishte një nga ironitë e mëdha të Historisë së Shqipërisë nëse Fevziu do të kishte fatin në trajtë groteske, të idhullit të tij të deklaruar, Eqrem bej Vlora, ashtu që të detyrohej të braktiste Shqipërinë, duke humbur pasurinë e tij, çka Eqrem bej Vlorës i ndodhi në moshën 59 vjeç. Fevziu sot është 43 vjet. Në fund, Fevziut do t’ i ndodhë si në atë fabulën latine:
      Rana, dum vult calidius inflare se, mortua est.[xvi]
      Por Fevziu as e shkon ndërmend këtë; ai në ardhmëri sheh perspektiva madhështore biznisi. Ëndrra e Fevziut është që, sa të ketë para cash të mjaftueshme, të krijojë kompanië e tij mediale private dhe posaçërisht televizion e tij privat. Fevziu e përjeton keq faktin që ai, një aristokrat, siç e quan veten, është vartës i Aleksandër Frangajt, të cilin Fevziu e shikon thjesht si një parvenu. Fevziu dëshiron të krijojë një televizion të madh që t’ i lerë pas Klan dhe Top Channel. Ndonëse Fevziu thotë se modeli i tij është Bruno Vespa, ai në të vërtetë ëndrron të bëhet “Berlusconi” shqiptar.


55.
TEGucigalpa

      Ashtu si të gjithë njerëzit e pasur sot në botë, edhe Blendi Fevziu është duke ndërtuar rezidencën e tij jashtë qytetit. Rezidenca e re e Blendi Fevziut, një vilë madhështore, është duke u ndërtuar në lagjen rezidenciale të mbyllur, me emrin domethënës “Rolling Hills”, që po ndërtohet pranë TEG (qendrës së madhe tregtare Tirana East Gate), afër pikës ku unaza e madhe e Tiranës takohet me autostradën Tiranë-Elbasan. “Rolling hills”, të cilit i bëhet publicitet si lagjia e parë rezidenciale në Shqipëri, është duke u ndërtuar nga pronarët e TEG si një qytet më vete, luksoz, që ka gjithçka që u duhet banorëve për një jetë, sipas standardeve të larta perëndimore. Duke nisur që nga siguria. Blloku është e rrethuar me mure dhe mbikqyret nga policia private, sipas metodave më të fundit të mbikqyrjes elektronike dhe njerëzore, që nga kamerat dhe lazeri, dhe deri tek qentë e specializuar. Një qytet i ndriçuar si lagjet më luksoze të kryeqyteteve perëndimore. Në kontrast të madh me kryeqytetin shqiptar ku ndriçimi i rrugëve është në nivel të kryeqyteteve të vendeve të varfra afrikane. Qëndra tregtare TEG dhe blloku rezidencial i mbyllur përbëjnë një kompleks, që ngërthen një paradoks. Në një vend ku ndërtohet një qendër tregtare kaq e madhe si TEG, në një kohë që nuk mungonin qendrat e tjera tregtare dhe supermarketet, supozohet të ketë një fuqi të madhe blerëse nga popullsia, çka do të thotë se supozohet që pjesa më e madhe e popullsisë t’ i përkasë shtresë së mesme. Prania e TEG do të ishte emblema e dominimit të shtresës së mesme në shoqërinë e një vendi. Një shoqëri që përbëhet në pjesën më të madhe nga shtresa e mesme, është një shoqëri ku rendi publik është solid dhe kriminaliteti është i ulët. Atëherë si shpjegohet që në vendin ku ekziston një shoqëri e tillë, ka nevojë për lagje rezidenciale të mbyllura, të rrethuara me mure betoni, dhe të mbrojtura njëjtë si burgjet e sigurisë së lartë? Paradoksi është shumë instruktues.
      Përgjigjia që del nga ky realitet është se Shqipëria sigurisht që nuk ka një shoqëri të shtresës së mesme, siç supozohet të jetë nga prania e TEG. Prandaj del se TEG është një realitet i rremë dhe realiteti i vërtetë i Shqipërisë është blloku rezidencial i mbyllur pranë tij. Kjo do të thotë se pronarët e TEG nuk kanë interes për rentabilitetin e investimit të tyre, do të thotë nuk janë të interesuar që të nxjerrin fitime nga investimi i tyre. I vetmi shpjegim për këtë është se kemi të bëjmë me një skemë për pastrim parash. Blloku rezidencial i mbyllur pranë TEG nuk është gjë tjetër veçse kështjella që vigjëlon mbi këtë skemë, dhe e mbron atë, me anë të banorëve të tij, të cilët përzgjidhen për të shërbyer si garnizoni-roje i kësaj skeme të pastrimit të parave, dhe për këtë shërbim shpërblehen me shumë benefite, duke përfshirë dhe banesa luksoze në këtë bllok rezidencial të mbyllur.       
      Blloku rezidencial i mbyllur, ashtu si dhe simotra të tjera të saj në Tiranë, përbën fazën e radhës të një dukurie që është duke u sendërtuar në Tiranë, ngjashëm me atë që ndodh në qytete latinoamerikane me njerëzit që janë përgjegjës për shndrrimin e qytetit në një megapërbindësh prej betoni, ku ekziston një polarizim i thellë mes të pasurve dhe të varfërve. Në fillim shtresa e lartë dhe pastaj gjithëhëherë dhe më tepër edhe ajo e mesme, biznismenët që ndërtojnë duke përdorur paratë e pista që i pastrojnë në këtë mënyrë, politikanët, gjykatësit, prokurorët, gazetarët të cilët i kanë mbështetur, e braktisin qytetin, të cilin tashmë e quajnë të pabanueshëm,  dhe dalin jashtë tij, për të ndërtuar atje qytetin e tyre privat, në lagje rezidenciale, të cilat quhen me një eufemizëm “komunitete me gardh”. Nëse do të kërkohej një krahasim në botë për bllokun e ri rezidencial të mbyllur pranë TEG, ajo do të meritonte të quhej TEGucigalpa, në një kombinim të emrit të TEG, pjellë e të cilit është dhe emrit të kryeqytetit të Hondurasit, Tegucigalpa. Kjo për faktin se ky bllok i ri  rezidencial është një histori e ngjashme me atë të homologeve të saj në kryeqytetin e Hondurasit, që quhet Tegucigalpa.
      Në kryeqytetin e Hondurasit, Tegucigalpa, në vitet shtatëdhjetë-tetëdhjetë nisën të ndërtohen lagje rezidenciale të mbyllura, për shtresën e lartë dhe të mesme të vendit. Kjo nuk ishte thjesht një gjetje për një jetë më komode, por praktikisht një pohim, nga ana e shtresës së lartë dhe pjesës më të madhe të shtresës së mesme të vendit, se qyteti dhe në përgjithësi vendi, qe shndërruar në një lloj fushëbeteje, të cilën ata e kishin braktisur si vendbanim, dhe ku shkelnin vetëm për të ndërmarrë fushatat e tyre, do të thotë për të bërë punët e tyre fitimprurëse, në fushat përkatëse, si biznis, politikë, administratë, media, art etj. Këto lagje rezidenciale- fortesa, tregojnë se çfarë vizioni kanë për të ardhmen e Shqipërisë këta njerëz. Koncepti ishte i njëjtë me atë të kështjellës feudale, të kohëve të trazuara mesjetare. Të tilla lagje të mbyllura nisën të ndërtohen edhe në Perëndim, por siç thotë studiuesi amerikan, Robert D. Kaplan:
      “Komunitetet me gardh” nuk janë një shpikje amerikane. Ato janë importuar nga Amerika Latine ku ndarjet e thella sociale në vende si Rio De Janerio dhe Meksiko i bëjnë të nevojshme për klasën e mesme.[xvii]
      Blendi Fevziu, i cili mori si shpërblim një vilë të re madhështore në TEGucigalpa, nga pronarët e TEG, është një prej atyre që kontribuan që Tirana të shndërrohet nga një kryeqytet komunist i stilit sovjeto-maoist, në një “Tegucigalpa” të Europës. Fevziu ka kontribuar për këtë si politikan dhe si gazetar. Si politikan, Fevziu, si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, i dalë në vitin 2000 nga lista e Edi Ramës kontribuoi në shndërrimin e Tiranës në një përbindësh të betonuar, dhe tani është duke u zhvendosur prej realitetit-horror që ndihmoi të krijohet. Si gazetar, posaçërisht i drejtues i emisionit të tij televiziv, “Opinion”, Fevziu ka kontribuar më së shumti në shndrrimin e Tiranës në “Tegucigalpa”, duke u vënë në shërbim të politikanëve dhe biznismenëve që e kanë bërë këtë gjë, në të dy kohët, si në kohën kur bashkinë e Tiranës, e drejtonte Edi Rama, ashtu edhe sot që atë e drejton Lulzim Basha. Tashmë, njerëzit si Fevziu, elita politiko-ekonomiko-mediatike e vendit, ndjehen të kërcënuar në cdo pikëpamje në qytetin e tyre. Joseph Conrad, tek romani i tij “The secret agent” thotë:
      Protection is the first necessity of opulence and luxury.[xviii]
      Fevziut i duket se është një banor, madje i privilegjuar, i TEGucigalpës, por, në një pikëpamje të pamohueshme, ai nuk është gjë tjetër përveçse një tjetër gardian i saj, ashtu si policët privatë dhe qentë roje, që e ruajnë TEGucigalpën. Pronarët e TEGucigalpës e kanë shpërblyer Fevziun duke i dhuruar një vilë atje, si dhe i paguajnë bujarisht shpenzimet e tij të çdo lloji, që ai të bëjë qenin-roje të TEGucigalpës dhe të lehë fort përllogari të tyre, siç e kërkon rasti, herë gëzueshëm dhe herë kërcënueshëm. Se pronarët e TEGucigalpës janë nga lloji i njerëzve të cilët ballafaqohen befasisht me probleme të mëdha, për shkak të parave të pista që qarkullojnë. Në thelb ata i përkasin të njëjtit lloj njerëzish si Sudja dhe Rapush Xhaferri. Dhe Blendi Fevziu, i cili ka qenë në shërbim të Bashkim Drizës, nuk e ka të vështirë ta gjejë gjuhën me këta lloj njerëzish. Ata janë njerëz që jetojnë me paranojën e rreziqeve që bartin punët e tyre të ndërlikuara, dhe kur dëgjojnë lehjen e qenit në oborrin e tyre, ndjejnë siguri. Kur qeni u lëpin duart, atyre u duket vetja njerëz të ndershëm. Dhe Fevziu i fton në emisionin e tij televiziv, ku u lëpihet si qen. Dhe atyre u duket vetja njerëz të ndershëm, dhe i hedhin “kocka”, këtij “qeni” besnik. Vilamadhështore e Fevziut në TEGucigalpaështë njëjtë me stelën ku strehohet çdo qen roje i TEGucigalpës. Dhe nëse pronarët e TEGucigalpës e pësojnë një ditë si Bashkim Driza, Fevziu do t’ u bëjë nderin që të telefonojnë në emisionin e tij televiziv, siç ia dha mundësinë Bashkim Drizës së arratisur në vjeshtën e vitit 1997. Pastaj Fevziu do të shkruajë një libër, ku do të shfajësohet për këtë gjë. Nëse gjërat shkojnë më keq, dhe pronarët e TEGucigalpës arrestohen si Delijorgji i Gërdecit, atëherë Fevziu do të shkojë në burg, siç bëri me Delijorgjin, dhe do t’ u marrë një intervistë ku ata të thonë se nuk e kanë njohur kurrë Shkëlzenin dhe Argitën. Kur të largohet Berisha nga pushteti dhe të bëhet kryeministër Edi Rama, Fevziu do të ndërmjetësojë që pronarët e TEGucigalpës të bëhen po aq miq të Edi Ramës, sa ç’ kanë qenë miq të Berishës dhe të Nanos. E Fevziu do të thotë me vete, sipas traditës familjare: Eh, sa duhet të mundohet i shkreti bej, për t’ i futur rajatë në rrugë të mbarë!
      Gjithsesi, Fevziu dhe të tjerët si ai në TEGusigalpa do të jenë të mbrojtur. Atje Fevziu ka nevojë për mbrojtje, jo thjesht nga kriminelët e rëndomtë, vjedhësit e grabitësit, por edhe për t’ u mbrojtur estetikisht nga përbindëshi i betontë që ndihmoi të krijohet në qytetin e Tiranës. Kur Fevziu, dhe të tjerë gazetarë “të shquar” si ai, të bëhen rezidentë të  TEGucigalpës, apo të simotrave të saj, që po lindin përreth kryeqytetit shqiptar, kjo do të shënojë nisjen e një ere të re për median shqiptare, dhe në përgjithësi për shoqërinë shqiptare. Sepse, siç paralajmëron Robert D. Kaplan në librin e vet “Anarkia që po troket: shkërmoqja e ëndrrave të pas Luftës së Ftohtë”:
      Demokracia e humbet kuptimin në qoftë se si qeverisësit, ashtu edhe ata që qeverisen pushojnë së qeni pjesë e një bashkësie që lidhet me një territor të caktuar.[xix] 
      Pra, nëse klasat drejtuese të vendit, nga biznesi, politika, administrata, magjistratura, dhe pjesa tjetër e shoqërisë jetojnë të veçuar në qytete të ndryshme, atëherë kemi të bëjmë me një shoqëri praktikisht aristokratike. Fevziu do të vazhdojë të bëjë emisionin e tij televiziv, ku do të diskutohet për problemet e vendit, nga të ftuarit e tij, por midis atij vetë dhe të ftuarve të tij, nga njëra anë, pavarësisht përkatësisë politike të tyre, dhe shoqërisë shqiptare, në anën tjetër, ka një ndarje të thellë, njëjtë sikur të dy palët t’ u përkisnin dy shteteve të ndryshme, që gjenden në dy kontinente të ndryshme. Se Fevziu dhe të ftuarit e tij do të jenë banorë të blloqeve të mbyllura rezidenciale, jashtë qytetit, të cilët do të diskutojnë për problemet e pjesës tjetër të shoqërisë, si për gjëra që ata i përjetojnë po aq sa ato gjëra që ndodhin në vendet afrikane dhe që ata i shohin në televizor. Në sajë të teknologjisë së komunikimit, Fevziu dhe të tjerët si ai që banojnë në blloqet rezidenciale të mbyllura, do të jenë më të kyçur në jetën ndërkombëtare, në kontakte me miqtë e tyre të huaj, se me jetën e shoqërisë shqiptare. Është e vërtetë, se kjo është një gjë që vërehet edhe në Perëndim, gjithëherë e më tepër, dhe Robert D. Kaplan shkruan se:
      Ekspatriatizmi rezident, ose diçka e ngjashme me të, mund të jetë feja e re shekullare e klasave të larta, e forcuar nga teknologjia e komunikacioneve.[xx]                    
      Por në Shqipëri, të rejat e Perëndimit shpesh imitohen në trajtë karikature, ashtu siç shfaqen të përthyera në prizmin e një subkulture, të përftuar nga kombinimi i traditës otomane dhe asaj staliniste. Fevziu me vanitetin e tij otoman, dhe me deformimin e personalitetit të tij, të përftuar në kohën e komunizmit, është njeriu më i përshtatshëm, për të kultivuar karikaturën e këtyre risive perëndimore. Duke nisur që nga emërtimi në anglisht, i cili gjithsesi mund të rezultojë profetik: “Rolling hills!” Si përkthehet në shqip? “Kodra rrokullisëse” apo “Kodra rrëshqitëse”? Në çdo rast bëhet fjalë për tokë që lëviz. A thua se me këtë emërtim është shenjuar destini i banorëve të kësaj lagjeje rezidenciale, të cilëve do t’ u lëvizë toka nën këmbë? Në spotin publicitar të “Rolling hills” (TEGusigalpës) thuhet se vendodhja e saj është “Tirana kilometri zero”. Bukur! Por me ndërtimin dhe funksionimin e TEGusigalpës mund thuhet se nisedhe “Tirana Viti Zero”. Se me këtë nisnjë epokë e re e kryeqytetit shqiptar, epoka e dy Tiranave të ndara nga njëra tjetra, shprehje kjo e thellimit të polarizimit shoqëror, në kryeqytet dhe më gjerë në vend. Se “TEGusigalpat” shpejt do të mbijnë edhe në qytetet e tjera kryesore të vendit. TEGusigalpa nuk është pjesë e retorikës kritike të opozitës ndaj atij që ajo e quan regjimi i Berishës. Kryetari i opozitës, Edi Rama, në librin e tij “Kurban”, e përmend veç pjesërisht atë që unë e quaj TEGucigalpa, kur flet për:
      rrethrrotullimin vulgar në të dalë drejt Elbasanit që do të lëhtësojë me paratë publike një biznes të madh pranë oborrit, duke shkatërruar vlerën e një sasie të madhe pronash të tjera që, me sa duket, s’ kanë lidhjet e nevojshme me oborrin për të marrë pjesën e tyre të diellit dhe përfituar njësoj si biznesi i lartpërmendur nga Unaza e Madhe.[xxi]      
      Por ky është vetëm një aspekt i TEGucigalpës. Aspektin tjetër, qytetin e mbyllur elitar që po lind atje, Edi Rama nuk e përmend fare. Arsyeja nuk është e vështirë të merret me mend. Edhe Edi Rama ka “TEGucigalpat” e veta. Edi Rama e qeverisi Tiranën për njëmbëdhjetë vjet, njëjtë si kryetarët e bashkisë së Tegucigalpës, dhe në mandatin e parë madje me ndihmën e dyfishtë të Fevziut, si politikan dhe si gazetar. Tash Edi Ramës nuk i vjen keq që Tirana po vazhdon të zhvillohet në kursin tegucigalpian, por i vjen keq vetëm që humbi të drejtën për ta kontrolluar ai këtë proces fitimprurës. Nga pikëpamja e TEGusigalpës, mandati i Edi Ramës si kryetar i Bashkisë së Tiranës, dhe mandati i Lulzim Bashës, nuk janë të ndarë, por janë një periudhë e vetme. Ashtu si angazhimi mediatik i Fevziut.

55.     
Fevziu i ftuari special i Samir Manes dhe Kryeministrit Gruevski në promovimin e “Skopje City Mall”

      Në 3 tetor 2012 Blendi Fevziu ishte i ftuar special i mikut të tij, biznismenit Samir Mane, në promovimin e “Skopje City Mall”, qendrës tregtare në Shkup, për të cilën u tha se ishte më e madhja dhe më modernia në Ballkan. Kur them se Fevziu ishte i ftuari special, e vecoj nga gazetarët e tjerë nga Tirana, miq të Samir Manes, të cilët qenë ftuar, se Fevziu pati fatin që të ishte i ftuar në një drekë private të Samir Manes me Kryeministrin Gruevski. Për një gazetar si Fevziu duhet të ishte shumë intriguese miqësia e Samir Manes me Nikola Gruevskin. Samir Mane ka dhënë vetëm dy intervista të gjata televizive, të dyja në emisionin e Fevziut, në 2008 dhe 2011. Në asnjërën prej tyre Fevziu nuk e ka pyetur për miqësinë e cuditshme të Samir Manes me Nikola Gruevskin. Madje duket se falë Samir Manes tashmë edhe Fevziu është bërë miku i Gruevskit. Fevziu nuk mund të mos e ketë të qartë se cila është e vërteta e investimeve gjigande si “Skopje City Mall”.
      Kur në 3 tetor 2012 kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski dhe biznismeni nga Shqipëria, Samir Mane, u gjendën përkrah njëri tjetrit, si dy personazhet kryesore në ceremoninë e promovimit të “Skopje City Mall”, në Shkup, duke pasur Fevziun buzëqeshës diku pas shpinës së tyre, ata të dy kishin arsye për të qenë krenarë. Ky mund të quhej si kurorëzimi i një bashkëpunimi në biznis mes të dyve, që vazhdonte prej mëse 20 vitesh. Samir Mane dhe Nikola Gruevski u takuan për herë të parë në 1991, kur Samir Mane kishte vetëm fare pak kohë që ishte vendosur në Vienë, që do të bëhej vendi magjik i arritjeve të tij të veshura me mister, si biznismen. Kur Samir Mane u shfaq për herë të parë dhe të parafundit deri më sot, në një ekran televiziv, për një intervistë të gjatë, në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut, në tetor 2008, ai tregoi një përrallë për fillimin e karrierës së tij si biznismen në Vienë, me tregtinë e pajisjeve elektroshtëpiake. Në fakt, kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës, madje pjesa më e parëndësishme.
      Pikënisja e suksesit të Samir Manes ishte ndërtimi që në vitin 1991 i një skeme për të përfituar nga kursi i shkëmbimit të parave në linjën Tiranë-Vienë. Skema konsistonte në grumbullimin e shumave të mëdha të parave në Tiranë (dollarë, marka, dhrahmi, lira italiane), të cilat pastaj dërgoheshin në Vienë me korrierë të posaçëm në rrugë tokësore, nëpërmjet Maqedonisë dhe Serbisë. Nga konvertimi i parave në Vienë sigurohej një fitim i mirë. Korrierët përfitonin një shpërblim për çdo rrugë që bënin. Një nga korrierët e Samir Manes ishte Nikola Gruevski, i cili në atë kohë ishte student në Universitetin e Manastirit (Bitolës), por që studimet i kryente në Prilep, ku gjendej Fakulteti i Ekonomisë i këtij universiteti, ku Gruevski diplomoi në 1994. Tregtia e parave ishte tregtia e parë e sukseshme e Samir Manes. “A ju kujtohet se kur e bëtë milionin e parë?” e pyeti Blendi Fevziu Samir Manen në intervistën që i mori në emisionin e tij “Opinion”, në tetor 2008. Përgjigjia e Samir Manes ishte se nuk i kujtohej. Nejse, kur Blendi Fevziu të ketë rastin të intervistojë Gruevskin, le ta pyesë atë se kur e bëri milionin e parë Samir Mane, se atij duhet t’ i kujtohet.
      Një vrojtues i vëmendshëm nuk do ta kishte të vështirë që të perceptonte marrëdhëniet e dikurshme mes Kryeministrit të sotëm maqedon dhe Samir Manes. Bashkëpunëtorët e afërt të Gruevskit ndoshta duhet të jenë habitur pak, kur shikojnë se si Kryeministri maqedon zgjat duart sikur kërkon që t’ i marrë çantën nga dora Samir Manes, sa herë që takohet me të. Natyrisht se këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë instinkt prej shtetari të korruptuar. Sot punë të tilla nuk bëhen më me çanta të mbushura me para cash. Në të vërtetë, Gruevski vetëm sa shfaq instinktet e tij prej ish-korrieri të parave, detyra e të cilit ishte që t’ i kishte sytë dhe duart tek çanta e çmuar të cilën duhet ta merrte në dorëzim dhe ta dorëzonte në rregull tek pasardhësi. Ata të cilët bënin këtë punë quheshin me një fjalë të koduar: orka. Nëse Fevziu nuk i di këto gjëra, ai di aq sa për të kuptuar se fjala “orka” është një fjalë kyç në karrierën e Samir Manes, aq sa ai e përzgjodhi dhe si emrin e kompanisë së tij. Orka, e quajtur në anglisht edhe “the killer whale” (balena vrasëse) është një peshk i madh i familjes së delfinëve oqeanikë, që ka instinktet dhe sjelljen e peshkaqenit. Samir Mane u magjeps aq shumë nga orka qëkurse pa në vitet tetëdhjetë filmin horror “Orka: the killer whale” (1977), saqë edhe kompanisë së tij i vuri emrin e një lloji të orkas: The Balfin Group. Zyrtarisht, fjala “Balfin” është një akronim (shkurtim fjalësh) që do të thotë “Balkan Finance Investment Group”. Por për Samir Manen fjala do të thotë se kompania e tij është një orka në detin e financës.
      Balfin quhet në zoologjinë detare një specie hibride që lind nga kryqëzimi i një delfini me një orka. Balfini i parë ka lindur në SHBA, në Hawai, në 1985, afërsisht në kohën kur Samir Mane pa filmin “Orka”. Lindja e balfinit atëherë ishte një lajm botëror. E veçanta e balfinit ishte se ai nuk qe steril si hibridet e tjera të këtij lloji, por mund të shumohej. Tetë vite pas lindjes së balfinit, Samir Mane do ta përzgjidhte këtë emër për të quajtur kompaninë e tij: The Balfin Group. Arsyeja për të cilën Samir Mane është kaq i magjepsur nga orka dhe balfini ka të bëjë me emrin e tij. Në arabisht fjala “Samir” do të thotë “shoqërues argëtues”. A nuk është quajtur delfini një shoqërues i këndshëm i njeriut në dete? A nuk është quajtur “delfin” edhe një i ri që gëzon mbështetjen e një apo disa njerëzve të fuqishëm, në karrierën e tij? Samir Mane ishte pikërisht një njeri i tillë, një “balfin”, një “delfin” i kryqëzuar me “orka”. Në Vienë, ku Samir Mane shkoi që në fillim të vitit 1991, ai u bë “balfini” i disa peshkaqenëve të financës europiane,  cilët donin të kryenin punët e tyre në Ballkan. Orka, gjithashtu edhe balfini janë bisha deti me dukje paqësore, janë peshkaqenë të kamufluar, si të thuash. I tillë është edhe Samir Mane. Emri më i saktë i kompanisë së tij do të ishte “The Shark Group” dhe pikërisht këtë ka në mendje ai.
      Një këshillë të ngjashme u jepte në fillim të viteve nëntëdhjetë Samir Mane njerëzve të rrjetit të tij të transportit të parave cash. Ata duhet të qenë si orkat: peshkaqenë me dukje delfini. Jo më kot ai kishte zgjedhur emrin “orka” për njerëzit e tij, korrierët e parave. Nikola Gruevsi ishte një “orka” e Samir Manes. Kur Nikola Gruevski dhe Samir Mane dolën përkrah njëri-tjetrit në ceremoninë e promovimit të “Skopje City Mall”, ata në thelb nuk qenë duke bërë diçka të ndryshme nga ajo që kishin bërë së bashku në fillim të viteve nëntëdhjetë. Në thelb është një histori e ngjashme, ajo e skemave ilegale të qarkullimit të parave të pista. Çdo student ekonomie në Maqedoni dhe Shqipëri, që sot është në moshën kur Gruevski ishte një “orka” i Samir Manes, dhe që shikon në ekran Kryeministrin Gruevski në krah të Manes, me gërshërë në dorë, në “Skopje City Mall” nuk mund të mos meditonte mbi absurdin e asaj që ishte duke u paraqitur me bujë si një investim unik në Ballkan. Edhe studenti më i dobët i ekonomisë në Maqedoni dhe në Shqipëri e kupton se ka një diskrepansë astronomike mes përmasave të investimit të Samir Manes në Shkup, si dhe të investimeve të ngjashme të tij në Tiranë, nga njëra anë, dhe fuqisë blerëse të popullsisë në Maqedoni dhe Shqipëri. E thënë qartë, Shkupi dhe krejt Maqedonie nuk kanë fuqinë blerëse të nevojshme për të rezultuar rentabël një investim si “Skopje City Mall”. Ashtu siç është e sigurt që as Tirana dhe as krejt Shqipëria nuk kanë fuqinë blerëse të nevojshme për të rezultuar rentabël investimet e ngjashme të Samir Manes këtu. Fevziu nuk mund të mos e kuptojë këtë gjë, e megjithatë merr pjesë në këto spektakle ekonomike mëse të dyshimta.
      Fevziu nuk mund të mos e kuptojë se Samir Mane nuk është i interesuar që investimet e tij në Shqipëri dhe Maqedoni të jenë profitabile. A thua se Samir Mane është naiv? Ndoshta. E megjithatë një gjë është e sigurt, Samir Mane të gjitha investimet e tij gjigande i ka bërë me kredi të marra nga banka të mëdha europiane. “Skopje City Mall” është një investim prej 91 milion euro, do të thotë që Samir Mane, së bashku me partnerin e tij maqedon kanë marrë një kredi prej 91 milion euro. TEG (Tirana East Gate) në Shqipëri ishte një investim prej 48 milion euro, çka do të thotë se Samir Mane ka marrë një kredi prej 48 milion euro. TLP (Tirana Logistic Park) është një investim i Samir Manes prej 40 milion euro. Lagjia rezidenciale “Rolling Hills” pranë TEG në Tiranë, është një investim i Samir Manes prej 40 milion euro. Një pjesë e madhe e vilave të saj janë shitje fiktive, domethënë se Samir Mane ua fal zyrtarëve dhe gazetarëve të cilëve i kanë shërbyer atij. Dhe këto nuk janë veçse një pjesë e investimeve të Samir Manes. Që të besosh se këto investime do të jenë profitabile është njëjtë sikur të kërkosh orka në Saharë. Nëse Samir Mane është naiv, bankat të cilat e kanë kredituar atë për të bërë këto investime, gjigande për vendet në të cilat bëhen ato, nuk janë asfare naive. Bankat gjithsesi e kanë bërë llogarinë e tyre. Në kalkusin e bankave kredituese, investimet e Samir Manes janë një skemë e përkryer e pastrimit të parave të pista. E shpjeguar thjeshtë skema funksionon kështu: Ata që kanë porositur pastrimin e parave dhe kanë ofruar shumat e kredituara nga bankat, ndërtojnë një rrjet kompanish që kryejnë shërbime të cilat marrin porosi për të bërë punë të ndryshme gjatë kryerjes së investimeve. Këto kompani pjesërisht janë degë të kompanive të njohura globale, të cilat krijohen nga vendas, për t’ u dukur gjithçka më serioze. Kështu, klienti që ka kredituar para të pista me anë të bankës, merr para të pastra nëpërmjet kompanive të tij. Shpenzimet natyrisht që ekzagjerohen shumë. Samir Mane merr pjesën e vet. Të gjithë janë të kënaqur. Për rentabilitetin e investimit askush nuk është i interesuar. Kur ndërmarrja falimenton, çka është një gjë e pashmangshme, ndërhyn banka dhe e konfiskon atë. Kështu, banka dhe klienti i saj që pastron para sigurojnë dhe pjesën tjetër të të ardhurave dhe skema mbyllet. Fevziu nuk shqetësohet për këto, se ai ka eksperiencën me Bashkim Drizën. Fevziut i mjafton që Samir Mane sot bën sponsorin e tij për udhëtimet, veshjet, automobilat luksoze, pajisjen e banesave të tij etj. Sa për të tjerat, Fevziu nuk do që t’ ia dijë fare.
      Edhe Kryeministri Gruevski natyrisht se do të bënte kinse habitej shumë, nëse do të dëgjonte të flitej për gjëra të tilla, si skema e pastrimit të parave në trajtën e Skopje City Mall. Kur Kryeministri maqedon Gruevski preu me gërshërë shiritn në ceremoninë e promovimit të “Skopje City Mall”, kjo ishte njëjtë sikur Gruevski të kishte prerë me gërshërë diplomën e tij universitare të ekonomistit. Se Gruevski, si ekonomist që ka punuar edhe bankier, nuk mund të mos e dinte se si funksionojnë këto skema të pastrimit të parave. Nëse gjërat do të shkonin sipas fjalëve që thanë Gruevski dhe Mane në ceremoninë e promovimit të “Skopje City Mall” atëherë ishte dashur që këta të dy të fitonin Çmimin Nobel në ekonomi, si autorë të një prej shtatë mrekullive ekonomike të botës, që është një supermall fitimprurës në një treg me fuqi blerëse krejt në shpërpjestim me madhësinë e ofertës. Por Gruevski dhe Mane mund të fitojnë vetëm çmimin e një prej shtatë mrekullive ekonomike të botës kriminale, nëse do të kishte një të tillë.
      Ata që i kqyrin gjërat nga pikëpamja pragmatike, cinike, mund të thonë se tekefundit në këto që bën Samir Mane nuk ka asgjë të keqe, se edhe pjesa tjetër e botës kështu bën. Pavarësisht se sa do të zgjasë kjo historia e investimeve kinse të suksesshme të Samir Manes, mjaft që punësohen njerëz dhe ka disa përfitime, si në Shqipëri, ashtu edhe në Maqedoni. Por ja që nuk është pikërisht kështu. Samir Mane e keqpërdor shtetin për nevojat e investimeve të tij, duke siguruar privilegje të llojit të evazionit fiskal të cilat bëjnë që dëmi që ai i sjell arkës publike të jetë shumë më i madh se përfitimet. Shkurt, një peshkaqen që paraqitet si një delfin miqësor. Në fund, ata që humbin janë qytetarët, të cilëve iu tha me të madhe se do të përfitonin shumë nga këto investime, dhe ata që do të përfitojnë, përveç Samir Manes, janë njerëzit si Fevziu, ku duhen llogaritur dhe disa politikanë.  




[i] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 93
[ii] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 93
[iii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 127
[iv] po atje: f. 127
[v] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 95
[vi] “Bota Sot”, 25 korrik 2011, f. 15
[vii] Preç Zogaj: “Paradhoma e një presidenti”, Shtëpia botuese “Ora”, Tiranë 2001, f. 292
[viii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 343
[ix] po atje: f. 344
[x] Gazeta “Koha Jonë”, 16 korrik 2011, f. 7
[xi] Stefan Cvajg, “Zhozef Fushe: portreti i një njeriu politik”, Shtëpia botuese “Pasqyra”, Tiranë 1992, f. 27-28
[xii] Ben Blushi, Blendi Fevziu, “100 ushtarë”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1992, f. 127
[xiii] Revista “Klan”, 20 gusht 2000, f. 9
[xiv] Preç Zogaj, “Finalja”, Shtëpia botuese “Dita 2000”, Tiranë 2004, f. 352-353-354 
[xv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 259
[xvi] Lat.- Bretkosa, duke u fryrë pakufi, plasi.
[xvii]Robert D. Kaplan, “Anarkia që po troket: shkërmoqja e ëndrrave të pas Luftës së Ftohtë”, Botim i Institutit Shqiptar të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tiranë 2008, f. 105
[xviii]“Mbrojtja është nevoja e parë e pasurisë së madhe dhe e luksit”. (Joseph Conrad, “The secret agent”, New York 2008, Oxford University Press, p. 9)
[xix] Robert D. Kaplan, “Anarkia që po troket: shkërmoqja e ëndrrave të pas Luftës së Ftohtë”, Botim i Institutit Shqiptar të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Tiranë 2008, f. 109
[xx] po atje: f. 115
[xxi] Edi Rama, “Kurban”, Botime “Dudaj”, Tiranë 2011, f. 281