PJESA E DHJETË GAZETARI I FJALËS SË SHKRUAR


56.
Fevziu, gazetar i dështuar i fjalës së shkruar

      Dështimi i madh i Blendi Fevziut është ai si gazetar i fjalës së shkruar. Ndonëse Blendi Fevziu ka provuar prej mbi 20 vjetësh që të bëjë gazetarin e shtypit, si kryeredaktor, redaktor, drejtor gazete, analist, ai nuk arriti kurrë që të kapërcejë rangun e gazetarit mediokër të shtypit. Askush nuk mund të sjellë një artikull të vetëm të shkruar nga Fevziu gjatë këtyre 21 vjetëve që ai shkruan në shtyp, që të ketë bërë bujë. Për të treguar dështimin e Fevziut si gazetar mund të sillen shumë shembuj, por unë kam përzgjedhur dy artikuj të tij, me të cilët ai është krenuar në kohën kur janë shkruar. Një nga këta artikuj është kundër Sali Berishës, tjetri është pro Sali Berishës. Artikullin e parë Fevziu e ka botuar në vitin 1995, në gazetën e përjavshme “Aleanca”, të Partisë “Aleanca Demokratike”, ku ishte kryeredaktor. Në 9 qershor 1995, Fevziu ka botuar në gazetën “Aleanca”artikullin me titull “Berisha, Presidenti i vetëm i Lindjes ish-komuniste që nuk ka vizituar zyrtarisht SHBA: Berisha ëndërron Uashingtonin”. Në këtë artikull Fevziu shkruan:
      Tre vjet më parë, kur Presidenti i porsazgjedhur i Shqipërisë, kaloi Atlantikun për të takuar Presidentin amerikan Xhorxh Bush, u duk se konstatimet e shtypit dhe të opozitës qenë më se të saktë. I përcaktuar si politikani i shenjuar i Departamentit të Shtetit. Berisha në vetëm dy muaj të funksionit të tij kishte evituar të gjitha protokollet diplomatike për të mbërritur tek homologu nr. 1 në botë. E organizuar nga Instituti Republikan Amerikan, vizita edhe pse jozyrtare ishte ndër më të rëndësishmet për politikën e Ballkanit. Shqipëria që nuk kishte as marrëdhënie diplomatike me SHBA-në për një periudhë gjysmëshekullore mbërrinte thuajse e para atje. Takimi i organizuar thuajse me nxitim brenda dy javësh u duk se ishte vetëm prologu. Pas kësaj mbetej prezantimi zyrtar i Presidentit shqiptar në Shtëpinë e Bardhë dhe kontaktet normale. Por vizita e qershorit 92 mbeti e vetmja.[i]
      Kuptohet se është në natyrën e shtypit opozitar që të minimizojë arritjet e pushtetit, me ç’ rast do të bëjë dhe spekulime, por mashtrimet prej sharlatani mediatik janë një gjë tjetër. Dhe Fevziu bën pikërisht një mashtrim të llojit të marrëzisë së skajshme, kur thotë se vizita e Presidentit Berisha në Washington, në 1992, nuk ishte zyrtare. Presidenti i SHBA nuk mund të priste një kryetar shteti në Zyrën Ovale, në një vizitë jozyrtare. Që vizita ka qenë zyrtare kjo rezulton edhe nga agjenda zyrtare takimeve të Presidentit Bush sr., me shtetarët e huaj, e cila është e arritshme edhe në Internet në arkivin zyrtar të Presidentit Bush sr.[ii] 
      Në 13 qershor shënohet një takim me krerët e shteteve në Konferencën për Mjedisin në Rio De Janerio. Në 15 qershor është takimi me Presidentin Berisha. Të nesërmen në 16 qershor është takimi me Presidentin e Rusisë, Yeltsin. Gazeta “New York Times”, në 16 qershor 1992, botoi një artikull prej 2781 fjalësh për takimin, me titull “Albanian leader tells Bush of his fear of Serbia”. Në fantazinë e Fevziut, Presidenti i një vendi si Shqipëria duhet të kishte bërë dy vizita brenda një kohe të shkurtër në Washington, çka nuk ndodh as me liderët e vendeve të mëdha. Fevziu, në këtë artikull ngatërron vizitat në Washington, me ato në Neë York, ku hapja e sesionit vjetor të Asamblesë së OKB ndiqet çdo vit nga shumë krerë shtetesh dhe qeverish. Kështu, Fevziu shkruan:
      Disa përpjekje rresht dështuan, më flagrantja e të cilave ajo e shtatorit 1993, kur Berisha anunçoi pjesëmarrjen në sesionin e rradhës së OKB-së dhe më pas e anulloi.[iii]
      Por, një vizitë e një kryetari shteti në New York, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nuk është baraz me një vizitë në SHBA, se në hapjen e sesionit vjetor të OKB-së, shkojnë dhe kryetarë shtetesh të vendeve të cilët nuk kanë fare marrëdhënie diplomatike me SHBA, si Irani. Kështu që, nëse Berisha do të kishte shkuar në New York në 1993, kjo nuk do të kishte qenë baras me një vizitë në SHBA. Pasiqë jep këto të dhëna të rreme, Fevziu arrin në përfundimin se:
      Më qershor 1995, Berisha është i vetmi President i Europës ish-komuniste që nuk ka vizituar zyrtarisht SHBA-në.[iv]
      Më tutje, Fevziu shkruan për Eduard Selamin, i cili atëherë posa qe shkarkuar nga posti i kryetarit të PD, dhe ishte kundërshtar publik i Berishës:
      Selami komentohet të ketë pasur një takim veçanërisht interesant me kryetarin e lobit grek në SHBA, Andreë E. Manatos. Selami dhe Manatos kanë biseduar për rreth dy orë me ndërmjetësinë e një kongresmeni të njohur amerikan dhe në përfundim të dy kanë qenë dakord për mirëkuptim. Por nga ana tjetër Selami, njeriu që ka vizituar SHBA-në shtatë herë (pjesa më e madhe e vizitave zyrtare) dhe që ka pasur kontakte nga më të rëndësishmet si në institucionet, qeverinë, ashtu edhe partitë politike amerikane, nuk pranon të tregojë se cila është pengesa e vërtetë e vizitës.[v]
      Kur njeriu kritikon në shtyp, ai tregon seriozitetin ose joseriozitetin e vet intelektual. Fevziu këtu tregohet më tepër se joserioz, tregohet absurdisht qesharak, kur krahason vizitat e një politikani si Selami në SHBA, me ato të një shtetari, si Berisha. Një politikan mund të krijojë shumë raste për të vizituar SHBA, por vizitat e një shtetari janë çështje tjetër. Në asnjë nga vizitat e tij në SHBA, Selami nuk arriti të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Është interesante se Fevziu kur flet për vizitat e Selamit në SHBA, jep të kuptohet se ato janë bërë me mbështetjen e lobby-t greko-amerikan. Derisa Berishën, Fevziu e gjykon moralisht për mënyrat që përdor për të siguruar vizitat e tij në Amerikë, Selamin nuk e gjykon moralisht që ishte vënë në shërbim të Greqisë për të siguruar qasje në zyrat e larta amerikane me anë të lobbing-ut greko-amerikan. Fevziu le të kuptohet se vizitën e Berishës në SHBA e pengon lobby greko-amerikan dhe se Selami ka mbështetjen e këtij lobby. Pra, nënkuptimi është se nëse Selami do të zëvendësonte Berishën, marrëdhëniet e PD dhe të pushtetit të saj me SHBA do të normalizoheshin. Fevziu kërkonte asgjë më pak se që marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të indeksoheshin me marrëdhëniet greko-amerikane.
      Artikulli i Fevziut në fakt shprehte alarmin e opozitës së kohës, së cilës i përkiste Fevziu, se Berisha ishte pranë një vizite të re zyrtare në SHBA, çka ndodhi tre muaj pas botimit të artikullit të Fevziut, në shtator 1995. Më pak se dy muaj pas artikullit të Fevziut, Shtëpia e Bardhë njoftoi zyrtarisht se Presidenti Clinton kishte ftuar Presidentin e Shqipërisë Berisha për një vizitë pune në SHBA, në shtator të atij viti. Kjo e dhënë gjendet dhe në Arkivin e Qendrës Presidenciale “Clinton”, që është i arritshëm edhe në Internet.[vi]Blendi Fevziu nuk mungon që të përgënjeshtrojë vetveten disa vjet më vonë kur shkruan në një analizë të botuar në revistën “Klan”, për Berishën se ai është:
      i pamundur për të vizituar zyrtarisht Uashingtonin prej më shumë se pesë vitesh.[vii]
      Kështu Fevziu pohoi se Berisha në 1995 ka bërë një vizitë zyrtare në SHBA. Fevziu e mbyll kështu artikullin e tij të vitit 1995, që kam përmendur më lart:
      Berisha, i quajtur njeriu i amerikanëve në Shqipëri nuk po udhëton ende drejt vendit të protektorëve të tij. Edhe pse kushtet dhe situata politike e kanë bërë prej kohësh të domosdoshme këtë, nga kontinenti i ri letrat s’ kanë përgjigje.[viii]
      Në të vërtetë, vetëm dy muaj më pas, Berisha do të bëhej i pari kryetar i një shteti të vogël, i cili brenda tre vjetësh vizitoi dy herë Shtëpinë e Bardhë. Një kritikë e arsyeshme dhe me bazë në realitet, do të kishte qenë se vizita zyrtare e Berishës në SHBA në 1992 nuk ia arriti që të siguronte kohëzgjatjen e madhe të klimës së mirë në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, dhe se një vizitë e re zyrtare në 1995, nuk dukej se do të ndryshonte shumë gjëra, duke konsideruar shkallën e ndërlikimit të këtyre marrëdhënieve prej vitit 1994.
      Nuk është ekzagjerim të thuash se shkrimi i mësipërm i Fevziut shpreh shqetësimin e Greqisë dhe Serbisë për rolin që mund t’ i caktonte Washingtoni Berishës në zhvillimet e reja në Ballkan. Në kohën që shkruante Fevziu, SHBA tashmë pati paralajmëruar aksione ushtarake ndaj serbëve të Bosnjë-Herzegovinës, që Serbia të pranonte të ulej në bisedime të reja, për të cilat kishte sinjale se do të mbaheshim me ndërmjetësim ekskluzivisht amerikan. Për këtë ndërhyrje të parë ushtarake amerikane në Europë që nga viti 1945, kishte shumë dilema. Si do të reagonte Serbia? A mos ndoshta Serbia do të provokonte një spastrim etnik në Kosovë për të krijuar një krizë të re, dhe për t’ ua lidhur duart amerikanëve? SHBA nuk mund të kishin sukses në ndërhyrjen ushtarake në Bosnjë-Herzegovinë, nëse nuk ekzistonte kërcënimi i një ndërhyrjeje amerikane në shkallë të gjerë kundër Serbisë. Tekefundit në Konferencën e ardhshme të Dayton, do të merrte pjesë Serbia, me anë të Millosheviç, dhe jo Republika Serbe e Bosnjë-Herzegovinës. SHBA duhet t’ i tregonin Serbisë se kishin një bazë të sigurt për ndërhyrje ushtarake, për çka Shqipëria ishte një kryeurë ideale strategjike. Prandaj, në 12 shtator 1995, pikërisht në mes të fushatës ajrore të NATO-s për bombardimin e pozicioneve të serbëve në Bosnje-Herzegovinë, për t’ i detyruar ata që të pranonin planin ndërkombëtar të paqes, që pati filluar në 30 gusht 1995, Presidenti Berisha u prit në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti Clinton. Berisha ripohoi vullnetin e plotë të Shqipërisë për të ruajtur partneritetin strategjik me SHBA, duke ripohuar dhe ofertën për akomodim të forcave ushtarake amerikane, në kuadrin e veprimeve në Bosnje-Herzegovine. Me anë të vizitës së Berishës amerikanët donin që t’ i tregonin Serbisë së cilës po i bënin presion që t’ i nënshtrohej atij që praktikisht qe një ultimatum i bashkësisë ndërkombëtare, se SHBA-të po përgatisnin bazat për ta goditur.
      Në Tiranë, Partia Socialiste në opozitë dhe aleatët e saj, ndër të cilat dhe Aleanca Demokratike e Fevziut, reaguan në mënyrë kundërshtuese, me anë të nënkryetarit Servet Pëllumbi (nr. 1 i PS në mungesë të kryetarit Nano që ishte në burg), duke e quajtur  ofertën e Berishës, si “të papërgjegjshme”.[ix] Por fushata e NATO-s në Bosnje-Herzegovinë  përfundoi dy ditë pas takimit Berisha-Clinton pasi serbët iu nënshtruan kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, gjë që çoi në Marrëveshjen e Dayton-it të nëntorit 1995.
      Nuk është koincidencë që Fevziu, në qershor 1995, ku shkroi dhe botoi këtë artikull ka qenë në Athinë, siç del edhe nga një shkrim i tij me shënime udhëtimi në Francë dhe Greqi, i botuar në librin e tij “Gjysma tjetër e botës”, ku thotë:
      U kujtova përsëri për muzikën disa muaj më vonë. Ishte qershor dhe në karriget verore të një klubi karakteristik në Athinë që prej një ore pija birrë me Arjonin, kitaristin e maturës.[x]
      Në fund të tekstit autori ka bërë shënimin se ky shkrim është bërë në tetor 1995.[xi]       Artikulli tjetër i Fevziut i përket vitit 2008, pra kohës kur Berisha tashmë ishte rikthyer në pushtet si kryeministër. Tashmë Fevziu ishte shndërruar në një berishian të skajshëm. Në shkurt 2008, Fevziu ishte në shpurën e kryeministrit Berisha, gjatë vizitës së këtij të fundit në Japoni. Artikulli i Fevziut, me titull “Tokio: 72 orë në Perandorinë e Diellit!”është arritja kuintesenciale e lakeut. Atje Fevziu nuk mungon të tregojë dhe injorancën e tij të thellë, duke filluar që nga titulli i artikullit:
      “Tokio: 72 orë në Perandorinë e Diellit!”[xii]
      Japonia nuk quhet “Perandoria e Diellit”, por “Perandoria e ngritjes së Diellit”. Fjala “Nippon”, me të cilën japonezët e quajnë vendin e tyre, do të thotë në japonisht “vendi prej kah shfaqet dielli”. Duke qenë se Japonia kishte në lindje një oqean të madh, besohej se ajo ishte toka prej ku dilte dielli. Në gjuhët europiane, fjala “Nippon” përkthehet si “Vendi i ngritjes së Diellit”. Ndoshta Fevziu e ka gjetur emrin “Perandoria e Diellit” në një film të Steven Spielberg, të vitit 1984, që ka këtë titull, dhe që flet për Japoninë në Luftën e Dytë Botërore. Duke folur për kryeministrin japonez të kohës, që priti Berishën, Fukuda, Fevziu shkruan:
      Ai është padyshim një ndër shtetarët më të rëndësishëm që ishulli njeh.[xiii]
      Çdo nxënës i mirë shkolle fillore e di se Japonia nuk është një ishull i vetëm, por një arkipelag, një grup ishujsh. Fevziu nuk e njeh gjeografinë as në shkallën e një nxënësi të mirë shkolle. Fevziu nuk ka faj, ai shkoi në Japoni me aeroplan, dhe nuk pa veçse një masë tokësore. Ç’ faj ka Fevziu që aeroplanët të cilët udhëtojnë nga Europa në Japoni nuk bëjnë një rrotullim përreth arkipelagut para se të ulen në aeroportin e Tokios, ashtu që udhëtarët e bashkë me ta Fevziun, të marrin një leksion gjeografie, duke parë nga dritarja e aeroplanit? Por si mund të shpjegohet fakti se Fevziu kishte njohuri të tjera për Japoninë:
      Kryeministri i Shqipërisë kryente vizitën e parë zyrtare në një vend, me të cilin kishim marrëdhënie diplomatike prej vitesh, por që asnjëherë nuk kishte qenë në vëmendjen tonë primare. As për faktin se në listën e donatorëve figuronte ndër më  kryesorët.[xiv]
      Fevziu, i cili nuk është në dijeni të gjeografisë elementare të Japonisë, është megjithatë në dijeni të financimeve japoneze për Shqipërinë, se në këto para Fevziu fut duart falë ndikimit që ka tek Berisha. Fevziu shkruan për monarkun japonez:
      Japonezët besojnë tek ai, siç kanë besuar prej 15 shekujsh dhe kjo është diçka e rrallë.[xv]
      Nga Fevziu që nuk njeh gjeografinë elementare të Japonisë, nuk duhet pritur që të njohë historinë dhe evolucionin e shtetarisë në Japoni. Që prej vitit 1947 japonezët nuk besojnë më tek perandori i tyre ashtu si para 15 shekujsh, se perandori deklaroi se ai nuk ishte një perëndi, çka besohej deri më atëherë, por një njeri, i cili është në pushtet me të drejtën hyjnore, si monarkët konstitucionalistë europianë. Fevziu nuk mungon t’ i bëjë Berishës lavdërime po aq absurde sa kritikat që i ka bërë në artikullin e mëparshëm të cituar më lart:
      Në fakt, cili ishte motivi që Kryeministri i vendit të dytë më të rëndësishëm të Globit, jo vetëm që kishte parashikuar një takim me Kryeministrin e Shqipërisë, por i kishte rezervuar atij dhe gjithë delegacionit një darkë? Cili ishte motive që Perandori i Japonisë, dinastisë më të vjetër dhe më të sofistikuar të botës, po priste në një takim të veçantë Kryeministrin e njërit prej vendeve më të vogla të Ballkanit dhe pa ndonjë peshë ndërkombëtare. Nuk kishte asnjë dyshim se kërkesat insistuese të gazetave dhe televizioneve për intervista dhe vëmendja e pamasë e shtypit e kishte një përgjigje: lidhej me Kosovën dhe të ardhmen e saj, një lajm botëror i mjaftueshëm për ta bërë Berishën një lloj stari të shtypit të Tokios.[xvi]
      Ndonëse në vitin 2008 patën kaluar 13 vjet nga artikulli i tij i vitit 1995, Fevziu megjithatë ende nuk e kishte kuptuar se çka ishte një vizitë zyrtare. Përderisa kryeministri Berisha ishte ftuar në Japoni, për një vizitë zyrtare, atëherë ai do të pritej sipas protokollit zyrtar për raste të tilla. Sa për ato që thotë Fevziu për pritshmëritë e japonezëve ndaj Berishës, duket absurde që japonezët të prisnin diçka të veçantë nga Berisha sa i përket Kosovës. Çka supozohet të prisnin japonezët si “lajm botëror”, nga Berisha, në shkurt 2008, dy javë para se kryeministri i Kosovës, Thaçi, të shpallte pavarësinë e Kosovës në Prishtinë? Apo që Berisha ta bënte këtë gjë në Tokio? Qartësisht, Fevziu është sharlatan si kur e kritikon Berishën, ashtu edhe kur e lavdëron atë.
      Fevziu e mbyll kështu shkrimin e tij për vizitën në Japoni:
      Si shtatë vjet më parë, po largohesha i bindur se udhëtimi është i gjatë dhe i lodhshëm, por po kaq i vendosur për t’ u kthyer përsëri.[xvii]
      Që atëherë kanë kaluar katër vjet dhe Fevziu nuk është ndjerë për Japoninë, ndoshta se Berisha nuk ka shkuar përsëri atje. Nëse do të shkojë përsëri, Fevziu nuk do të mungojë të shkruajë marrëzira të reja për Japoninë.
      Në vitin 2005, pak javë pas zgjedhjeve parlamentare ku fitoi PD dhe pak kohë para se të krijohej qeveria e Berishës, Blendi Fevziu u bashkua me Mero Bazen tek gazeta “Tema” e këtij të fundit. Atëherë Mero Baze ishte leitnanti kryesor mediatik i Berishës. Mero Baze, vetëm disa javë pas këtyre zgjedhjeve dhe madje para se të konstituohej qeveria “Berisha”, njoftoi se ia shiti gazetën e vet për 500 mijë euro pronarit të ndërtesës në qendër të Tiranës, në Parkun “Rinia”, ku do të vendosej kazinoja greke. Kjo në një kohë kur vetë Baze dhe PD gjatë fushatës e patën kritikuar shumë ish-kryeministrin Nano për dhënien e lejës për hapjen e kësaj kazinoje në qendër të Tiranës, duke premtuar zhvendosjen e saj jashtë qytetit. Është e qartë se pronarët e kazinosë gjetën si rrugën më të mirë për të siguruar mbështetjen e kryeministrit të ardhshëm Berisha, që të blinin Bazen. Që ky kishte qenë qëllimi i tyre, kjo u kuptua kur Baze njoftoi se ai do të vazhdonte shkruante në gazetë dhe të drejtonte politikën editoriale të gazetës. Prapaskena e kësaj afere ishte se “blerësit”, në fakt po i jepnin 500 mijë euro Bazes, duke ia lënë në dorë edhe kontrollin e gazetës, që do të vazhdonte të financohej prej tyre. Pra, përfitimi i Bazes ishte i dyfishtë.
      Pas kësaj afare Mero Baze ndërpreu luftën kundër hapjes së kazinos dhe u bë një simpatizues dhe frekuentues i saj. Në atë kohë u shpall me bujë se në gazetën “Tema” do të krijohej një bord editorialistësh të mbipaguar, i përbërë nga Mero Baze, Blendi Fevziu, Andi Bushati dhe Armand Shkullaku. Mero Baze në një editorial në gazetën e vet titull “Pse u bashkuam tek Tema”, në nëntor 2005, tentoi ta paraqiste këtë si një angazhim mediatik në kërkim të së vërtetës. Në fakt me këtë bashkim u krijua një task forcë mediatike berishiane, e cila synonte dhe që të nxirrte përfitime duke shantazhuar ministrat dhe zyrtarët e tjerë. Që blerja e gazetës qe fiktive kjo u kuptua nga fakti që pas disa muajsh Baze njoftoi se pronari i ri ia dorëzoi gazetën pa kundërshpërblim Bazes, duke vazhduar megjithatë të financonte editorialistët. Kështu, Blendi Fevziu u shit tek kazinoja greke, ndoshta për shkak të përshtypjeve që i kishte bërë Zorba. Vajtja e Fevziut tek “Tema”vinte pasiqë ai kishte nisur një aventurë mediatike, me gazetën e re “Korrieri”, të hapur në 2001, ku ai u bë drejtor. Ky qe posti i pëlqyer për Fevziun, ashtu që të merrte rrogë të madhe dhe të mos bënte punë të lodhshme, siç mund të ishte ajo e kryeredaktorit. Fevziu e dorëzoi gazetën “Korrieri” të mbytur në borxhe. Edhe aventura e Fevziut si editorialist tek “Tema” ishte një dështim i plotë. Një tjetër dështim përjetoi Fevziu edhe kur u bë drejtor i gazetës “Koha Jonë”. Paradoksi i Blendi Fevziut është se derisa ai ka botuar dy libra me transkriptet e emisioneve të tij televizive, ai nuk ka botuar asnjë libër të vetëm me artikujt e tij të botuar në gazeta, të llojit të analizave politike. Arsyeja është se Blendi Fevziu është i vetëdijshëm se ai nuk ka bërë një artikull të vetëm në gazetë, i cili të mbahet mend. Fevziu ka botuar vetëm një libër me përmbledhje artikujsh të botuar në revistën “Klan”, të cilët i ka quajtur ese.
      Në shtator 2003, sapo filloi fushata për zgjedhjet vendore të atij viti, gazeta “Korrieri” ku atëherë ishte drejtor Blendi Fevziu, botoi një intervistë të Jaho Salihit, të arrestuarit kryesor për vrasjen e Azem Hajdarit, ku ai akuzonte Sali Berishën për vrasjen. Kjo bëhej për të ndikuar në zgjedhjet. Në mars 2008, Fevziu tashmë kishte ndryshuar kamp, duke u bërë leitnant medial i Berishës, kështu që ai i shërbeu në mënyrë të njëjtë, me një intervistë nga burgu. Në 28 mars 2008, pra 13 ditë pas shpërthimit të Gërdecit, gazeta “Koha Jonë” me drejtor Blendi Fevziun intervistoi në burg  Mihal Delijorgjin, i cili ishte arrestuar i akuzuar si një nga përgjegjësit për atë që ndodhi në Gërdec në 15 mars të atij viti. Titulli i intervistës ishte “Delijorgji: Nuk e njoh Shkëlzenin”. Fjala ishte për djalin e kryeministrit Berisha. Në letër, pyetjet e intervistës i kishte bërë një gazetare, por ato në fakt i kishte shkruar Blendi Fevziu, i cili shkoi vetë në burg dhe u takua me Delijorgjin. Intervista u botua një ditë pasiqë gazeta “New York Times” botoi një artikull për ngjarjen e Gërdecit, ku akuzohej djali i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, si përgjegjës për tragjedinë. Gazeta sqaronte se:
       Në një intervistë të dhënë për gazetën “Koha Jonë”, kreu i firmës sqaron se nuk ka pasur dijeni në lidhje me trafik armësh.[xviii]
      Sipas këtyre që thuhen më lart, del se gazetarja e “Koha Jonë” ka hyrë në burg dhe i ka marrë intervistë Delijorgjit, kur kjo gjë është e kundërligjshme. Në të njëjtën ditë ishte botuar dhe një intervistë e Delijorgjit tek “Gazeta Shqiptare”, por atje thuhet se ajo i është marrë nëpërmjet avokatit të Delijorgjit. Dhe në fakt pyetjet që i bëheshin Delijorgjit tek “Gazeta Shqiptare” dhe përgjigjet e tij, duket qartë se qenë profesionale juridike, siç i bën avokati, për të ndërtuar mbrojtjen e klientit të tij. Ndërsa në rastin e “Koha Jonë” dukej qartë se ishte fjala për pyetje mediatike, madje me interes të caktuar politik, në dobi të Berishës, çka të jepte të kuptoje se ishte fjala për një intervistë të drejtpërdrejtë. Gjërat bëhen edhe më të dyshimta po të mendosh se gazeta “Koha jonë” ishte dhe është një gazetë shumë afër kryeministrit Berisha, dhe drejtori i saj Blendi Fevziu, ishte dhe është në rrethin e njerëzve më të afërt të Berishës, aq sa shkaktoi dhe xhelozinë e Mero Bazes.
      Intervista në gazetën “Koha Jonë” tregoi se Delijorgji që nga burgu e mbante peng kryeministrin Berisha, dhe se ky i fundit, për t’ i shkëputur Delijorgjit një deklaratë nga burgu se ai nuk e njihte djalin e tij (kryeministrit), Shkëlzenin, dhe se baxhanaku i tij i vrarë në Gërdec, nuk gjendej në fabrikë për llogari të kryeministrit, i vuri gjithë strukturat shtetërore janë të ngarkuara të mbikëqyrin Delijorgjin e arrestuar, nën urdhrat e Blendi Fevziut, i cili punonte për të ndërtuar alibinë e djalit të kryeministrit. Pse kryeministri Berisha, pasiqë deklaroi se ai dhe djali i tij nuk janë të përzier në aferën e pistë të Delijorgjit, vetëm një ditë pas botimit të artikullit në gazetën “New York Times”, organizoi gjithë këtë farsë të intervistës së gazetës “Koha Jonë” me Delijorgjin në burg, gjë që u bë për t’ i shkëputur Delijorgjit atë përgjigje me të cilën gazeta “Koha Jonë” e botoi intervistën: “Delijorgji: Nuk e njoh Shkëlzenin”.
      Gazetarja (Fevziu) e pyet Delijorgjin:
      A e njihni Shkëlzen Berishën?”.
      Kësaj pyetjeje Delijorgji i përgjigjet:
      Jo nuk e njoh fare si person dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me të.[xix]
      Gjithashtu, në intervistën e Delijorgjit për “Koha Jonë” ai pyetet edhe për baxhanakun e Berishës:
      Si u punësua Muhamet Hoxha në fabrikë?[xx]Kësaj pyetjeje Delijorgji i përgjigjet ashtu siç do të donte Berisha t’ i përgjigjej:
      Ma rekomanduan për ta marrë në fabrikë. Dhe i afrova një punë në magazinë. Ishte thjesht punonjës. Nuk e njihja fare. Ai bënte punën e tij.[xxi]
      Kur një i arrestuar jep intervista të tilla që nga burgu, në lidhje me djalin dhe baxhanakun e kryeministrit, atëherë me të vërtetë mund të thuhet që kryeministri po abuzon me postin e tij për të ndërtuar alibinë e tij në këtë çështje. Për këtë gjë kanë përgjegjësi dhe Drejtori i burgjeve, Ministri i Drejtësisë nga i cili varen burgjet, si dhe Prokuroria. Nga intervista kuptohej se mes kryeministrit Berisha dhe të arrestuarit Mihal Delijorgji po arrihej një marrëveshje, që në rast se Delijorgji hesht për përzierjen në këtë aferë të djalit të kryeministrit dhe të baxhanakut të tij, atëherë, kryeministri do ta ndihmonte Delijorgjin. Kjo duket edhe kur gazetarja e “Koha Jonë”, domethënë Fevziu, e pyeste Delijorgjin: 
      A keni dijeni pse demontimi do të kryhej në Gërdec?
      Kësaj pyetjeje Delijorgji i përgjigjet:
      Nuk e di fare. Kjo ka qenë një zgjedhje e ministrisë.[xxii]
    Pra, Delijorgji pranon të heshtë për djalin e kryeministrit dhe rolin e baxhanakut të tij, me kusht që një pjesë e përgjegjësisë së tij t’ i kalojë strukturave të tjera të ministrisë, duke dalë Delijorgji sikur ishte i detyruar të zbatonte vendimin e Ministrisë së Mbrojtjes. Tashmë u bë e qartë se personat e veshur me pushtet për të mbikëqyrur Mihal Delijorgjin po dirigjoheshin nga Fevziu si emisioni “Opinion”, sipas interesit të kryeministrit Berisha. Ndoshta Fevziu ka shkëmbyer me Delijorgjin edhe eksperiencën për të bërë barbekjy, se Gërdeci ishte tekefundit një barbekjy speciale. Këtë e them se në publicistikën e Fevziut gjenden edhe detaje të tilla që flasin shumë për personalitetin e tij. Kështu në një ese të shkruar në vitin 2003, Fevziu thotë:
      Një mbrëmje të freskët buzëdetit në Durrës i tunduar nga ideja për të pjekur në një barbekjy portative salçiçet e një firme tiranase të quajtur “Hako”, m’ u desh të kaloj jo pak kohë me procesin e përgatitjes së saj.[xxiii]
      Kjo skenë ka ndodhur në vilën e Fevziut tek Mali i Robit. Atje Fevziu ushtrohej në atë kohë në barbekjy. Por është e sigurt se Fevziu gënjen kur thotë se ai përdorte salçiçe të prodhimit shqiptar. Sa u përket ushqimeve që janë prodhim industrial, Fevziu, atëherë dhe sot, përdor vetëm prodhime të huaja perëndimore. Nuk e lenë miqtë si Delijorgji Fevziun që të hajë salçiçe të prodhimit shqiptar. Por Fevziu i nderon prodhimet ushqimore shqiptare në esetë që shkruan, kur merr ndonjë sponsorim në para nga kompanitë që i prodhojnë, për të botuar ndonjë libër apo  për të bërë ndonjë udhëtim jashtë vendit, si i pangopur që është. Sa për vështirësitë që ka Fevziu për barbekjynë, Delijorgji do t’ i këshillonte barutin në vend të qymyrit. 


57.
      Disa nga gabimet që tregojnë injorancë, në shkrimet e Fevziut

      Blendi Fevziu ka maninë që të tregohet si një njeri me erudicion në shkrimet e tij, posaçërisht në ato që i quan ese. Por, meqënëse nuk lexon libra, por i merr të dhënat për librat në tryeza kafenesh ose restorantesh, bën shpesh në shkrimet e tij gabime nga më të çuditshmet, duke treguar një injorancë të thellë. Fevziu e mban veten si një njeri të aftë të shkruajë për gjithçka, analiza politike, histori, ese etj. Sa më tepër zgjerohet në temat që cek ai, aq më shumë rritet rrezja e marrëzisë së tij. Shembulli më i mirë i injorancës së Fevziut është ky fragment nga një ese e tij, ku duke komentuar librin me kujtime të Eqrem bej Vlorës, Fevziu në fakt na zbulon se as që e ka lexuar librin. Ai shkruan për librin e Eqrem bej Vlorës:
      Tregon se, si gjatë një vizite në Liban, e thërrasin të takohet me Rexhep Pashë Matin, guvernator i zonës dhe një ndër njerëzit më të fuqishëm të saj. Vazhdonte të fliste me një shqipe të kulluar edhe 40 vjet pas largimit nga vendlindja, kujtonte çdo detaj të saj, por nuk mendonte kurrë se mund të ekzistonte një Shqipëri e shkëputur. I ulur në një pallat përrallor, në shoqërinë e një luani të zbutur Persie, një specie e rrallë që e trashëgonte nga koha që kishte qenë guvernator i përgjithshëm i Persisë, ai nuk mund ta mendonte kurrë se një ditë, në vendin e tij të lirë, do të duhej të drejtonte ndonjë krahinë të vogël dhe të lirë si vendlindja e tij, Burreli. Pak vjet më vonë, ky njeri i hekurt u bë ministri i Luftës i Perandorisë më të madhe të botës, në të njëjtën kohë që edhe kryeministri dhe ministri i Jashtëm qenë bashkëatdhetarë të tij. Njëri prej të cilëve, Turhan Pashë Përmeti, do të bëhej pesë vjet më vonë edhe kryeministër i Qeverisë së Durrësit. Përpara Rexhep Pashës, guvernator i Libanit kishte qenë një tjetër shqiptar, madje i fesë ortodokse, Vaso Pashë Shkodrani, autori i famshëm i vjershës “O moj Shqypni”, që kishte vdekur dhe ishte varrosur atje.[xxiv]
      Eqrem bej Vlora tregon për udhëtimin e tij për tek Rexhep Pashë Mati në kapitullin me titull “Për në Stamboll nëpër Tripoli” (pranverë 1907). Fevziu ka menduar se është fjala për qytetin Tripoli të Libanit, kur në fakt Eqrem bej Vlora e ka fjalën për qytetin Tripoli të Libisë së sotme, e cila në atë kohë qe e ndarë në dy provinca: Tripoli (Tripolitania), e cila e kishte marrë emrin nga ky qytet, dhe Cirenaika. Eqrem bej Vlora nuk e përmend Libinë, se ajo as që ekzistonte në atë kohë. Libia u krijua në 1934 kur Mussolini i bashkoi të dy provincat-koloni të Italisë, në një të vetme, me këtë emër. Rexhep Pashë Mati ishte guvernator i Tripolitanisë[xxv]. Fevziu, si një merimangë pseudointelektuale, e end pëlhurën e injorancës së vet, duke i atribuar Eqrem bej Vlorës sikur ka shkruar në kujtimet se në Liban ka qenë guvernator edhe Ismail Qemali. Por ja se ç’ thotë Eqrem bej Vlora në kujtimet e veta, duke iu referuar Rexhep Pashë Matit:
      Përpara tij (në vitin 1901) vali në Tripoli ishte caktuar Ismail Qemal bej Vlora, por, ai në vend që të vinte për të zënë postin, së pari kërkoi strehim në ambasadën angleze në Stamboll e pastaj u arratis për në Greqi me një anije franceze, sepse i kishin thënë se Sulltani po e syrgjynoste në Tripoli me qëllim që më vonë ta vriste.[xxvi] 
      Eqrem bej Vlora e ka fjalën për Tripolin që gjendet në Libinë e sotme. Pikërisht këtu u emërua vali Ismail Qemali, por nuk shkoi ta merrte postin. Ismail Qemali nuk ka qenë kurrë vali në Liban. Eqrem bej Vlora nuk thotë as gjënë tjetër që i atribuon Fevziu, se Rexhep Pashë Mati kishte qenë guvernator i përgjithshëm i Persisë, nga ku kishte marrë me vete një luan. Eqrem bej Vlora nuk mund ta thoshte këtë gjë, se Persia (Irani) nuk kishte qenë kurrë pjesë e Imperisë Otomane. Persia ishte një shtet i pavarur që bëri lufta shekullore me otomanët. Ajo që thotë Eqrem bej Vlora është:
      Rexhep Pasha më tregoi se ai ishte nga një lloj shumë i rrallë i luanëve të Persisë jugore, se ia kishin dhuruar fare të vockël kur kishte qenë komandant ushtrie në Bagdad dhe se po bëheshin gjashtë vjet që e mbante pranë.[xxvii]     
      Por Bagdadi nuk ishte, dhe nuk është as sot, në Persi (Iran), por në Irak, i cili në atë kohë qe pjesë e Imperisë Otomane. Fevziu gabon edhe kur thotë se vendlindja e Rexhep Pashë Matit ishte Burreli. Në fantazinë e Fevziut, çdo njeri që është nga Mati ka si vendlindje Burrelin! Por, Rexhep Pashë Mati ishte nga katundi Batër e Madhe i Matit. Fevziu gabon edhe kur shkruan për Rexhep Pashë Matin se:
      Pak vjet më vonë, ky njeri i hekurt u bë ministri i Luftës i Perandorisë më të madhe të botës, në të njëjtën kohë që edhe kryeministri dhe ministri i Jashtëm qenë bashkëatdhetarë të tij. Njëri prej të cilëve, Turhan Pashë Përmeti, do të bëhej pesë vjet më vonë edhe kryeministër i Qeverisë së Durrësit.[xxviii]
      Rexhep Pashë Mati nuk u bë ministër i Luftës i Imperisë Otomane pak vjet pas vizitës së Eqrem Vlorës tek ai në Tripoli, por vetëm një vit më pas, në 1908, pas ardhjes në fuqi të xhonturqve. Fevziu gabon edhe kur thotë se në kohën që Rexhep Pashë Mati u bë ministër i Luftës, gjë që ndodhi në 31 korrik 1908, kryeministri i Imperisë Otomane ishte një shqiptar. Fevziu e ka fjalën për Ferid Pashë Vlorën kur thotë se kryeministri otoman i asaj kohe ishte shqiptar, por ai gabon se Ferid Pashë Vlora dha dorëheqjen me triumfin e Revolucionit Xhonturk në korrik 1908. Fevziu gabon edhe kur thotë se Turhan Pashë Përmeti ishte ministër i Punëve të Jashtme të Imperisë Otomane në kohën që Rexhep Pashë Mati u bë ministër i Luftës. Turhan Pashë Përmeti nuk ka qenë ministër i Punëve të Jashtme i shtetit otoman as atëherë, as më parë, dhe as më vonë. Ai ka qenë vetëm Ministri i Vakufeve. Fevziu ka detyrimin të thotë se në ç’ periudhë Turhan Pasha ka qenë ministri otoman i Punëve të Jashtme. Nëse Turhan Pashë Përmeti do të ishte bërë kryeministër i Shqipërisë pesë vjet pas vitit 1908, siç thotë Fevziu, atëherë del se u bë në 1913. Por në atë kohë kryeministër i Shqipërisë ishte ende Ismail Qemali. Turhan Pashë Përmeti do të bëhej kryeministër i Shqipërisë në 1914. Një gabim kolosal bën Fevziu edhe kur thotë se shteti otoman i kohës kur Rexhep Pashë Mati u bë ministër, pra në 1908, ishte “perandoria më e madhe e botës”[xxix]. Territori i Imperisë Otomane në 1908 ishte reduktuar shumë. Ajo ishte dëbuar nga Kaukazi dhe nga pjesa më e madhe e zotërimeve europiane, nga Algjeria, Tunisia, Kuwait-i etj. Në atë kohë kishte disa imperi më të mëdha se ajo otomane, dhe këto qenë Rusia, Kina, Imperia Britanike etj. Fevziu gabon edhe kur thotë, në fragmentin e cituar në fillim të këtij kapitulli, se Pashko Vasa ishte i fesë ortodokse. Pashko Vasa, të cilin Fevziu e përmend si Vaso Pashë Shkodrani ishte i fesë katolike. Nuk besoj se mund të dalë ndokush që ta mohojë se fragmenti nga eseja e Fevziut, i cituar në nisje të këtij kapitulli është provë e pakundërshtueshme e injorancës së gjithanshme të Fevziut: historike, gjeografike etj. Në këtë rast Fevziut i përshtatet mirë thënia e shkrimtarit të tij të parapëlqyer, Graham Greene:
      Nga një ekuacion i rremë del vetëm një zinxhir gabimesh.[xxx]
      Fevziu na ka dhënë edhe çelësin për të kuptuar se si ka shkuar ai tek këto gabime. Në të njëjtin shkrim Fevziu thotë:
      Rreth një vit e gjysmë më parë, Pirro Misha, drejtor i Shtëpisë së Librit dhe Komunikimit, më tregoi se kishte zbuluar në një institut të njohur në Munih, kujtimet e Eqerem bej Vlorës. 
      Fevziu e ka botuar këtë shkrim në korrik 2002, çka na bën të kuptojmë se bisedën me Pirro Mishën e ka bërë në nisje të vitit 2001. Në vitin 2001 instituti i Pirro Mishës botoi kujtimet e Eqrem bej Vlorës, të cilat meqënëse ra fjala nuk u zbuluan, por qe Hana Këlcyra, vajza e Ali bej Këlcyrës, ajo që i bëri me dije Mishës se kujtimet qenë depozituar në një institut në Gjermani dhe e ndihmoi që të marrë një kopje. Fevziu nuk e lexoi librin e Eqrem bej Vlorës, se Fevziu nuk ka kohë për gjëra të tilla. Fevziu u mjaftua me ato që i kishte treguar Pirro Misha për librin e Eqrem bej Vlorës një vit e gjysëm më parë, dhe me këto të dhëna gatoi shkrimin në korrik 2002. Fevziu nuk mori mundimin as që ta korrigjojë shkrimin kur e botoi në një libër me përmbledhje esesh, dy vjet më pas në 2004, nga i cili po e citoj unë. Fevziu nuk ndreqi asgjë nga gabimet e tij, se kurrkush nuk ia vuri ato në dukje. Pirro Misha e di mirë se Blendi Fevziu është injorant, madje patologjik, se ka delirin e superioritetit intelektual. Prandaj Misha nuk deshi t’ ja prekë në iluzionet që ai ka për vetveten. Në 13 shkurt 2012, kur Arian Çanit i patën montuar një “gjyq” në emisionin e Fevziut “Opinion”, në Tv Klan, Ylli Rakipi, në rolin e prokurorit, të prokuruar nga Fevziu, i tha Çanit se ai duhet të lexonte edhe libra. Por Rakipi nuk mund ta mohojë se Arian Çani nuk pretendon që të shkruajë libra si Fevziu, me të cilat të përhapë injorancën e tij.
      Do të mjaftonte vetëm fragmenti i sjellë në nisje të këtij kapitulli për të treguar injorancën e thellë të Fevziut. Megjithatë, për kënaqësinë e lexuesit, po sjell dhe disa raste të tjera. Për Ferid Pashë Vlorën, i cili ka qenë kryeministër i Imperisë Otomane në fillim të shekullit XX, Fevziu shkruan:
      Po kështu kishte ndodhur në ditët e fundit të saj, kur një vezir shqiptar, Ferid Pashë Vlora, kushëri i parë i kryeministrit shqiptar, Ismail Qemalit, kishte tentuar të ruante kufijtë dhe fuqinë e Perandorisë që i ngeli në dorë. Duke u kthyer, pas rënies së saj, i trishtuar në fshatin e tij të lindjes, në Kaninë të Vlorës, ku edhe vdiq në vitet ‘20. E kam imagjinuar gjithnjë atë, njërin prej dhjetë a njëzet njerëzve më të fuqishëm të globit në fillim të viteve 1900, që shtynte pleqërinë e tij në një fshat të harruar si Kanina, i vetëm me kujtimet dhe emrin e tij të madh.[xxxi]
      Ferid Pashë Vlora, as lindi dhe as vdiq në fshatin Kaninë të Vlorës. Babai i tij, Mustafa Pashë Vlora, ishte djali një shambellani të oborrit të Sulltanit, Beqir bej Vlorës. I ati i Ferid Pashë Vlorës, Mustafa Pasha, lindi në kryeqytetin otoman Stamboll, dhe vetë mbajti poste të ndryshme, si qeveritar në Janinë, Anadoll, Kretë, Herzegovinë. Në fshatin Kaninë, vështirë se ai ka qenë ndonjëherë në jetën e vet. Ferid Vlora lindi në Janinë. Ky burrë shumë i kultivuar, me kulturë perëndimore, nuk u kthye të jetonte në fshatin Kaninë, por shkoi në Sanremo të Italisë, ku edhe vdiq, jo në vitet ’20, siç thotë Fevziu, por në 1914. Siç shihet, Fevziu ka bërë më tepër se një gabim kur flet për Ferid Pashë Vlorën. Përveç këtyre, sipas pemës gjenealogjike të familjes Vlora, që jep Eqrem bej Vlora, Ferid Pashë Vlora (Mehmed Ferid) nuk ishte kushëri i parë me Ismail qemal Vlorën, por kushëri i dytë. Mahmud bej Vlora, i ati i Ismail Qemalit, e kishte djalë xhaxhai Mustafa Pashë Vlorën, babain e Ferid Pashës.[xxxii]Në një shkrim të vetin Fevziu shkruan për Selam Musain:
      Selam Musai u bë padyshim më përfaqësuesi ndër ta. I lindur në Salari të Malësisë së Vlorës...[xxxiii]
      Fshati Salari nuk është në Vlorë, por në Tepelenë. Fevziu duhet ta dinte këtë gjë, se nga ky fshat është një politikan i njohur socialist i kohës së tranzicionit, Gramoz Ruçi. Në fantazinë e Blendi Fevziut, fshati Salari nuk mund të jetë kund tjetër përveçse në Vlorë, për arsye se Selam Musai ka marrë pjesë në Luftën e Vlorës. Fevziu më lart nuk ka bërë lapsus se ai e ka përsëritur të njëjtën gjë edhe në një rast tjetër, kur thotë për Selam Musain:
      një fshatar nga Vlora që braktisi familjen për t’ iu bashkuar luftëtarëve të lirisë dhe që mbeti përjetë mbi telat me gjemba, që qarkonin fortifikimet italiane.[xxxiv]
      Në një shkrim me titull “Ramiz Alia, instinkti i mbijetesës”, të botuar në 8 tetor 2011, me rastin e vdekjes së Ramiz Alisë, Fevziu shkruan:
      Që nga marsi 1942, kur doli ilegal si militant i Partisë Komuniste.[xxxv]
      Por Ramiz Alia shkruan në kujtimet e veta se deri në prill 1943 ai vazhdonte të ishte legal, duke qenë se ishte nxënës në Gjimnazin e Tiranës. Kuptohet se ai nuk kishte arsye që ta largonte në kohë këtë datë. Ja se si shkruan Alia:
      Dita e fundit që kemi qenë bashkë me Manushin (Manush Alimani-K.M.) është 11 prilli i vitit 1943. Në pushimin midis dy orëve të mësimit, një shok na njoftoi të dyve se Nako Spiru kërkonte të na takonte.
      -KQ i Rinisë,- tha ai,- ka vendosur që ju të dy të largoheni nga Tirana. Ti,- m’ u drejtua mua,- do të shkosh në Berat.[xxxvi]
       Fevziu, qartësisht, nuk i ka lexuar kujtimet e Ramiz Alisë. Në një shkrim me titull “Udhëtimi i panjohur i flamurit”, të botuar në gazetën “Korrieri”, Fevziu shkruan:
      Mbrëmjen e 19 nëntorit 1912 ndërsa ngjiste shkallët e anijes austriake “Baron Bruck” Ismail Qemali dhe e gjithë shpura që e shoqëronte ishin të qartë se po shkonin drejt pavarësisë së Shqipërisë. Siç ndodh shpesh në këto raste, një dëshmi e vogël e mbetur që nga ajo kohë, nuk le më shteg për interpretime. Në një intervistë që i dha gazetës më të madhe italiane të kohës, “Piccolo”, Ismail Qemali dëshmonte gjithë strategjinë e tij.[xxxvii]
      Gazeta “Il Piccolo” e Triestes së cilës Ismail Qemali ia dha këtë intervistë në 19 nëntor dhe që u botua në 20 nëntor, nuk ishte gazeta më e madhe italiane. E shumta ishte gazeta më e madhe e qytetit të Triestes, i cili në atë kohë gjendej në Austro-Hungari. Gazetat më të mëdha italiane gjendeshin në Romë, Torino, Milano. Në një shkrim me titull “Të rishkruash historinë”, Fevziu thotë duke folur për politikën shqiptare të gjysmës së parë të viteve njëzet të shekullit XX:
      Një grup deputetësh të moderuar kishin filluar të kontestonin mënyrën dhe stilin e qeverisjes të asaj partie që quhej “Krahu Kombëtar”.[xxxviii]
      Por “Krahu Kombëtar” nuk ishte parti, siç thotë Fevziu, por një organizatë sekrete, e mbiquajtur edhe Klika. “Krahu Kombëtar” nuk u paraqit kurrherë publikisht. Blendi Fevziu, ndonëse ka qenë pedagog në Departamentin e Gazetari-komunikimit në Universitetin e Tiranës, ka treguar se nuk njeh as konceptet bazike të gazetarisë. Kështu, Fevziu, në një intervistë që i dha drejtorit të Gazetës “Mapo” Henri Çili, në 7 shtator 2010, duke iu përgjigjur një pyetjeje për promovimin e politikanëve në fillim të viteve nëntëdhjetë, tha:
      Atëherë televizionet pothuajse nuk ekzistonin. Pra mënyra e lançimit publik të tyre ishte nëpërmjet shtypit të shkruar.[xxxix]
      Togfjalëshi “shtyp i shkruar” është absurd. Shtypi është gjithmonë i shkruar. Mund të thuhet “media e shkruar”, por jo “shtypi i shkruar”. Kjo nuk është lapsus se në të njëjtën intervistë Fevziu thotë:
      Unë dyshoj se ngushtimi i lirisë së shtypit vjen në radhë të parë nga shtypi i shkruar.[xl]
      Në të njëjtën intervistë, i pyetur për raportin media-politikë, Fevziu ndër të tjera përgjigjet:
      E para këtë mos ia kërkoni të gjithë mediave. Kjo nga pasioni i politikës për t’ i pozicionuar mediat.[xli]
      Në mendjen e Fevziut, fjala “media” është në numrin njëjës, dhe shumësi i saj bën “mediat”. Në të vërtetë, fjala “media” është në numrin shumës. Njëjësi i saj bën “medium”. Shumëkush mund të thotë se po e teproj duke gjetur detaje të tilla në shkrimet dhe thëniet e Fevziut, por problemi është se njerëz si Fevziu, kur gabojnë bëjnë dëm publik se i ngulisin koncepte të gabuara publikut.Kur rrëfen për udhëtimin e tij në Afrikën e Jugut, nëpërmjet Athinës, në maj 1999, për të intervistuar Leka Zogun, Fevziu shkruan:
      Në kthim, më duhej të ndaloja për një intervistë me Ministrin e Jashtëm Xhorxh Papandreu, një figurë interesante, që bëhej akoma më shumë e tillë nga sharmi i emrit të madh, i faktit që ishte djali i Andreas Papandreut, politikanit ndoshta më karizmatik të Greqisë së 20 viteve të fundit dhe nipi i Jorgo Papandreut, Kryeministrit të parë të Greqisë së pas luftës dhe më pas President i saj.[xlii]
      Jorgo Papandreu i Vjetri (1888-1968) nuk ka qenë kurrë President i Republikës në Greqi. Republika në Greqi u vendos pas vdekjes së tij, në 1973, kur monarkia u abrogua me referendum. Fevziu këtu qartësisht ngatërron Jorgos Papandreun me Jorgo Papadopoulos, kreun e puçit ushtarak të vitit 1967 në Greqi, i cili u bë President i Republikës në Greqi, në 1973. Edhe për atë që thotë se është shkrimtari i tij, i adhuruar, Graham Greene, Fevziu bën gabime qesharake. Kështu ai shkruan:
      Graham Grinin nuk e kisha takuar dot kurrë. Ai kishte vdekur në një fshat të izoluar dhe të vogël të Bretanjës në Francë në prill 1991.[xliii]
      Graham Greene në të vërtetë ka vdekur në Zvicër, në Corsier-sur-Vevey në Kantonin Vaud. Bretanja gjendet në skajin tjetër, në veriperëndim të Francës. Në një artikull të tij, të botuar në librin “Gjysma tjetër e botës”(1996), Fevziu shkruan për një udhëtim të vetin në Zvicër:
      Ishte një muzg i herët prilli në Gjenevë. Në një fushë pranë fshatit La Rippe e ndarë nga kufiri franko-zvicerian. Guri i kufirit qëndronte aty prej 200 vjetësh, ndërsa një shoqja ime rumune, Anjeza Sbaro, nuk rreshtte së luajturi me një qen, në parcelën me bar anash tij.[xliv]
      Por fshati La Rippe nuk gjendet në Gjenevë (Geneva), por në kantonin Vaud që është fqinj me kantonin e Gjenevës. Fevziu, qartësisht nuk e dinte se në cilin kanton gjendej. Ajo çka të bën përshtypje është se Fevziu e përsërit të njëjtin paragraf, pa asnjë ndreqje, edhe në botimin që i bën këtij artikulli në librin me ese të botuar në 2004.[xlv]Në një dossier me titull “Qemal Stafa vrau veten”, që mban autorësinë e Fevziut dhe është botuar në revistën “Klan”, në 17 maj 1998, thuhet ndër të tjera:
      dukej fusha nga mbërritën xhandarët dhe policët e armatosur.[xlvi]
      Por në maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, në Shqipëri nuk kishte më xhandarë dhe Xhandarmëri. Xhandarmëria pati ekzistuar para pushtimit italian. Tashmë ajo ishte zëvendësuar nga Karabinieria. Ky është një detaj që nuk mund t’ i falet një gazetari që merr përsipër të shkruajë dossierë historikë. Në artikujt dhe librat e Blendi Fevziut ka gabime të mëdha që tregojnë injorancë, një pjesë të të cilave do t’ i evidentoj edhe më tutje në këtë libër. Fjalët shumë të gjetura ironike që Faik Konica, me veprën e të cilit Fevziu ka diplomuar në 1991, shkruajti në fund të jetës së tij, në nëntor 1940, mbi ata gazetarë që paraqesin fakte të pasakta historike, kulturore etj., duket se janë thënë për Blendi Fevziun:
      Natyrisht, e para është çështja e fakteve. Ndoshta faktet e paraqitura prej meje nuk ishin “fakte”, siç i kupton ato shtypi. Siç i solli rasti, pikërisht ato ditë kur unë nisa të shkruaja deklaratën time, doli një gazetë me lajmin se “Torinoja është një bazë detare italiane”. Ditën tjetër, një gazetar i njohur që është bërë komentator radioje, e quajti imamin e Jemenit “Sulltan”. Atëherë m’ u kujtua një koleksion me kureshtje nga gazetat, që e kisha mbledhur për kënaqësinë time në çastet e ngeshme. I hodha një sy dhe lexova se “Taciti ka qenë një historian romak, i cili ka jetuar në shekullin III para Krishtit”, dhe se “Mbreti Alfonsi XIII është i fundmi i Habzburgëve” e kështu më tej. Duke shkruar këto shënime, kam dëgjuar në radio një tjetër gazetar vullnetar, që jepte lajmin se një zotëri, të cilin deri atëherë unë e kisha quajtur një anëtar të devotshëm të Kishës së Anglisë, ndonëse i përkiste “Kishës së Lartë”, ishte ndarë prej saj. E kishte fjalënse lordi Halifaks na qenka “katolik romak”. Këto copa nga gazetat janë interesante nga një drejtim, por ato janë njësoj sikur të thuash që Denveri në Kolorado është një bazë detare e Shteteve të Bashkuara, se sunduesi i Monakos është perandor, se Shekspiri ka qenë bashkëkohës i Rikard Zemërluanit, se mbreti Viktor Emanueli është i fundmi i Hohencolernëve dhe se kryepeshkopi i sotëm i Kenterbërit është kardinal i Romës. Është e qartë se një lloj gazetash ose nuk i njohin faktet edhe kur i shohin faktet, ose i japin fjalës “fakt” një kuptim të veçantë që nuk e pranojnë fjalorët.[xlvii]       
      Nëse Faik Konica do të kishte mundësi që të lexonte shkrimet dhe librat e Fevziut, ai do të mund të bënte atje një koleksion “faktesh” të gabuara, madje edhe për vetë jetëshkrimin e tij (të Konicës), siç do të tregoj në vazhdim, ku do të shqyrtoj Fevziun si historian të shtypit shqiptar. Konica me siguri do të thoshte se ato që shkruan Fevziu, dhe që i kam cituar më lart në këtë kapitull, janë njëlloj sikur të thuhet se:
      Ali Pashë Tepelena ishte gurvernator i Egjiptit dhe kishte lindur në Salari të Tepelenës, se Kara Mahmut Pashë Bushatlliu kishte qenë guvernator i Napolit, se Kostandin Kristoforidhi ishte bektashi, se Italia ishte perandoria më e madhe e botës kur pushtoi Shqipërinë në 1939, se Francesco Crispi, kryeministri arbëresh i Italisë, i cili vdiq në 1903, u kthye në Shqipëri në 1913, për të jetuar vitet e fundit të jetës së tij në Berat, se Rrapo Hekali lindi në Mashkullorë të Shkodrës (kur ky fshat është në Gjirokastër), se Qemal Stafa u vra në vitin 1941, se “Le Monde” është gazeta më e madhe në SHBA, se Grupi i Bildenbergëve  është parti politike, se Sarkozy ka qenë mbret i Francës, se Goethe vdiq në Angli, se Las Vegas gjendet në Florida, se Toka ku jetojmë quhet në numrin shumës “planetet”, se televizioni elektronik zgjeron lirinë e shprehjes.            
      Kur njeriu lexon gafat e mëdha të Fevziut, mund ta marrë mend se çfarë ka shkruar ai në temën e tij të diplomës mbi Konicën.


58.
Pseudohistoriani i shtypit shqiptar

      Blendi Fevziu e shfaq më së shumti natyrën e vet prej sharlatani pikërisht në librat që boton. Kështu ndodhi dhe me librin e tij “Histori e shtypit shqiptar”, i botuar së pari në 1996. Për shkak se Blendi Fevziu ka thënë se botimi i parë i këtij libri kishte gabime, të cilat ai i ndreqi në botimin e dytë, në 2005, unë do t’ i referohem botimit të vitit 2005. Që në hyrje të librit, Fevziu shkruan:
      Ky libër nuk është një studim i mirëfilltë pretencioz. Emri që atij do t’ i shkonte më mirë është “Guidë e shtypit shqiptar”.[xlviii]
      Kjo është sjellja klasike e sharlatanit. Përderisa Fevziu pati shkruar një guidë dhe jo një histori të shtypit shqiptar, atëherë përse ai nuk ia vuri titullin librit “guidë”, por e quajti “histori”? Kur lexuesi merr në dorë një libër që në kapak mban titullin “histori” dhe me ta hapur librin shikon se autori e njofton se ka të bëjë me një “guidë”, a nuk ka të drejtë lexuesi të mendojë se “emri që atij do t’ i shkonte më mirë” është “sharlatan”? Fevziu shkruan në libër:
      Duke menduar se gazetaria shqiptare e meritonte një libër, apo guidë të rrugës së saj prej një shekulli e gjysmë, ne shprehim bindjen dhe jemi optimistë se studime të tjera, më të thella dhe më serioze, do të punojnë këtë tokë, të mbetur fatkeqësisht djerrë prej 157 vjetësh.[xlix]
      Kjo është një mënyrë të shprehuri e çuditshme. Libri ka vetëm një emër autori, që është Blendi Fevziu. Atëherë përse ai shprehet në numrin shumës duke thënë “ne shprehim bindjen dhe jemi optimistë”?! Cilët janë këta “ne”? Aurel Plasari dhe Nasho Jorgaqi? Kjo mënyrë të shprehuri përdorej nga autorët në kohën e diktaturës komuniste, individualiteti intelektual quhej si një krim intelektual ndaj regjimit komunist. Fevziu, qartësisht nuk ishte çliruar nga stereotipet intelektuale të diktaturës komuniste as në vitin 2005! Që në hyrje të librit, Fevziu i bën me dije lexuesit edhe se:
      Klasifikimi i etapave dhe përzgjedhja e personazheve të shtypit shqiptar, biografitë e të cilëve gjenden në këtë libër, janë zgjedhje e autorit. Etapat e zhvillimit të shtypit shqiptar përputhen me ato historike, ndër të tjera edhe për faktin e thjeshtë, se koleksionet e plota të gazetave që përmenden këtu, mund të kenë vetëm një emër, histori.[l]
      Fakti është se Fevziu ka zgjedhur megjithatë klasifikimin e historiografisë komuniste për historinë e shtypit shqiptar, e cila ka qenë metodologjikisht e gabuar. Fevziu e ndan historinë e shtypit shqiptar në gjashtë etapa: 1) “1848-1912”; 2) “1912-1924”; 3) “1924-1939”; 4) “1939-1944”; 5) “1944- 1991”; 6) “1991-1996”. Ky është periodizimi materialist dialektik që bënte historiografia komuniste për shtypin shqiptar. Ky periodizim nuk i qëndronte as logjikës së thjeshtë, jo më asaj shkencore. Derisa pikënisje e periudhës së parë është një ngjarje e cila kishte ndodhur jashtë vendit, në Itali, me botimin e një gazete nga arbëreshi Jeronim De Rada, kjo periudhë përfundon me shpalljen e pavarësisë në Shqipëri në 1912. Arsyetimi se kjo është periudha e Rilindjes Kombëtare, nuk ngjan bindës, se nuk kuptohet cili është kriteri i periodizimit. Nëse do të merrej si bosht shpallja e pavarësisë në Shqipëri, atëherë ishte dashur që historia e shtypit shqiptar të ndahej në dy periudha të mëdha, ajo para vitit 1912 dhe ajo pas tij, të cilat pastaj të ndaheshin në nënperiudha. Kështu, periudha para shpalljes së pavarësisë duhej ndarë në nënperiudhën kur shtypi shqiptar botohej vetëm jashtë vendit (1848-1908) dhe në nënperiudhën kur shtypi shqiptar nisi të botohej edhe në trojet shqiptare, duke nisur që nga shpallja e Kushtetutës në Imperinë Otomane, në 1908.
      Por, në librin e Fevziut, pas periudhës së parë (1848-1912), e cila mbulon 64 vjet, vijnë tre periudha që mbulojnë së bashku vetëm gjysmën e kësaj kohe, 32 vjet;  përkatësisht 12 vjet, 15 vjet dhe 5 vjet. Historiografia komuniste e periodizonte historinë e shtypit shqiptar ideologjikisht, sipas etapave të lëvizjeve social-politike marksiste-leniniste. Kështu, sipas shkencës historike marksiste-leniniste, me krijimin e një shteti, në të ndodhnin dy lëvizje, një revolucion fshatar dhe një revolucion demokratiko-borgjez, të cilët i paraprinin revolucionit komunist. Sipas këtij periodizimi, në Shqipëri, pas periudhës së Rilindjes Kombëtare, që përfundonte me shpalljen e pavarësisë, vinte një periudhë që përfshinte vitet 1912-1924, ku sipas mitologjisë historike marksiste-leniniste, të aplikuar në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste, në vend kishte ndodhur një revolucion fshatar (rebelimi i Haxhi Qamilit) dhe një revolucion demokratiko-borgjez, çka do të thoshte se ishte përmbushur etapa e dytë e lëvizjeve shoqërore, të cilat qenë parakushti që të ndodhte revolucioni komunist. Të njëjtën gjë bën edhe Fevziu, i cili shkruan:
      Periudha më e pastabilizuar e gazetarisë shqiptare, mbetet ajo e viteve 1912-1924. Mbi të gjitha, vitet 1913-1920, janë mjaft të vështirë për t’ u interpretuar dhe për të dhënë një gjykim të saktë.[li]
      Por vitet 1912-1924, nuk mund të përfshihen në një periudhë të vetme, qoftë edhe për shkak se midis tyre është Lufta e Parë Botërore. Në vitet 1912-1924 ka dy periudha krejt të pangjashme mes tyre, çka pranohet edhe nga vetë Fevziu. Derisa periudha nga viti 1912 në 1920 është një periudhë shumë e trazuar e historisë së Shqipërisë, periudha nga viti 1920 në 1924, pavarësisht nga trazimet që pati, është shumë më e ndryshme nga periudha e parë. Më e arsyeshme do të ishte që në këtë kohë të flitej për një periudhë të Luftës së Parë Botërore, e cila për vetë specifikën e zhvillimit të ngjarjeve, në Shqipëri përfundoi në 1921, me tërheqjen e ushtrisë serbe nga territori shtetëror shqiptar. Periudha 1913-1920 ishte ajo kur shteti shqiptar qe praktikisht joekzistues. Periudha 1920-1924, ose më saktë 1920-1939, ishte  ajo kur, pavarësisht nga trazimet politike, shteti shqiptar nisi të ekzistojë në realitet përveçse në letër, dhe madje të konsolidohet. Këtë realitet e pasqyronte dhe shtypi shqiptar. Sipas kësaj, shtypi i periudhës së pavarësisë do të ndahej, varësisht periudhave historike shtetërore, të cilat do të qenë periudha nismëtare e shtetit shqiptar (1913-1914), periudha e Luftës së Parë Botërore (1914-1920) dhe periudha e konsolidimit të shtetit shqiptar (1920-1939). Pas kësaj vinte periudha e Luftës së Dytë Botërore. Fevziu, në librin e tij e kqyr si pikë kthese, për keq, në historinë e shtypit shqiptar, ardhjen e Zogut në fuqi, në dhjetor 1924:  
      Zogu hoqi dorë nga mburoja e veprimeve të tij me parime demokratike. Në emër të legjitimitetit ai dënoi pjesën më të madhe të kundërshtarëve politikë dhe syrgjynosi pjesën tjetër të tyre. Me të njëjtën ashpërsi mblodhi parlamentin dhe la të kuptohet, se pas kësaj, rezultati i zgjedhjeve do të përputhej me vullnetin e tij. Karakteristikë bazë e kësaj periudhe qe liria e kufizuar. Mund të thuhet se, më 1924, filloi censura e cila do të vinte duke u rënduar deri në fillim të vitit 1991, kur u botua “Rilindja Demokratike”, gazeta e parë e lirë pas një periudhe prej 67 vjetësh.[lii]
      Por e vërteta është se censura nuk filloi me ardhjen e Zogut në pushtet, por me ardhjen e Fan Nolit në pushtet, në qershor të atij viti. Regjimi i Fan Nolit nuk ishte asfare një regjim liberal që lejonte shtypin kritik ndaj tij. Nuk ishte as një regjim demokratik se përveçse që erdhi në pushtet me dhunë, nuk mbajti as zgjedhje të lira, siç pati premtuar paraprakisht. Jo vetëm kaq, por kreu i regjimit, Fan Noli, i lejoi vetes që të mbante një fjalim kundër demokracisë dhe liberalizmit, pikërisht në tribunën e Lidhjes së Kombeve. Regjimi i Zogut ushtronte censurën ndaj shtypit, por ajo nuk pati nisur me të, në dhjetor 1924, por me regjimin e Fan Nolit në qershor 1924. Për periudhën 1912-1924, Fevziu shkruan:
      Gazeta më e rëndësishme e kësaj kohe qe gazeta POPULLI, e botuar në Shkodër nga Sali Nivica. POPULLI filloi më 18 janar 1919 dhe vijoi 77 numra deri më janar 1920, kur Sali Nivica u vra në Shkodër. Dilte çdo të mërkurë dhe të shtunë dhe qe e garantuar nga dy emra të njohur të kohës, Maliq Bushati dhe Bedri Pojani. Botohej katër faqe shqip dhe frëngjisht ashtu si dhe POPULLI i Muço Qullit me të cilin Nivica pati bashkëpunuar më 1914. Populli u bë atë vit gazeta më e rëndësishme së bashku me KOMBIN. Përfaqësuese e organizatës politike “Krahu Kombëtar” ajo luftoi ashpër çdo përpjekje të Italisë për një protektorat të sajin mbi Shqipërinë.[liii]
      Por një gazetë, e cila doli për një vit në Shkodrën e izoluar nga pjesa tjetër e vendit, për shkak të zhvillimeve të kohës, e për këtë me përhapje të kufizuar, nuk mund të ishte gazeta më e rëndësishme e Shqipërisë, në 12 vitet pas krijimit të shtetit shqiptar. Aq më tepër që kjo ishte gazeta e një organizate sekrete politike, “Krahut Kombëtar”, për të cilën kam shkruar më lart. Në vitet 1920-24, në Shqipëri, pati gazeta më të rëndësishme se “Populli”, dhe me përhapje në të gjithë vendin. Fevziu e shkruan gabim edhe emrin e Bedri Pejanit, duke e bërë Bedri Pojani. Nëse ky mund të falet në botimin e parë si një lapsus, në botimin e dytë, për të cilin vetë autori thotë se është i ripunuar, është e pafalshme. Sipas të gjitha gjasave Blendi Fevziu mendon se ky Bedri Pojani është nga fshati Pojan i Korçës, kur në fakt është fjala për Bedri Pejanin, nga Peja e Kosovës, i cili ka qenë shumë aktiv në këtë gazetë, në atë periudhë. Fevziu shkruan për drejtuesin e gazetës “Populli”, Sali Nivica:
      Gjatë vitit 1920 POPULLI propagandoi idenë e një kongresi kombëtar, i cili të hidhte themelet e shtetit shqiptar pa ndihmën e fuqive të mëdha. Ideja e tij u realizua vetëm 10 ditë pas vrasjes së tij në Shkodër.[liv]
      Ndërtimi i shtetit shqiptar pa mbështetje nga së paku një prej fuqive të mëdha ishte një utopi vetëshkatërruese. As Kongresi i Lushnjës për të cilin flet Fevziu, nuk u bë pa mbështetjen e fuqive të mëdha, se nismëtare dhe sponsore e tij ishte Britania e Madhe. Fevziu, edhe këtu nuk devijon asnjë fije nga historiografia komuniste. Libri i Fevziut nis kështu:
      Që prej shumë vitesh është pranuar zyrtarisht fakti se organi i parë shqiptar i shtypit është një gazetë e vogël e botuar në verën e 1848 nga Jeronim de Rada, në Napoli. Gazeta e titulluar ARBËRESHI I ITALISË vijoi 27 numra deri në verën e vitit 1849.[lv]
      Me këtë, Fevziu tregon se nuk i njeh termat dhe konceptet bazike të shtypit. Fevziu e quan gazetën “Arbëreshi i Italisë” “organi i parë shqiptar i shtypit”. Por fjala “organ” përdoret kur një gazetë i përket një organizate, një partie, ose një institucioni. “Arbëreshi i Italisë” nuk ishte organ i asnjë entiteti. Fevziu, qartësisht mendon se fjala “organ” është sinonim me fjalën “gazetë”. Ky ishte një koncept i së folmes së kohës së regjimit komunist në Shqipëri. Ndonëse Fevziu thotë se historia e shtypit shqiptar nis me gazetën e De Radës, ai megjithatë thotë edhe se:
      I shënuar si një ndër qytetet më të mëdhenj të Ballkanit (ai kishte atëherë më shumë banorë se Athina, Sofja dhe Bukureshti), me një industri të përparuar, me shkolla dhe madje një universitet, Akademinë Voskopoja, ky qytet i mbetur për shumë kohë në harresë i kishte të gjitha kushtet për të realizuar botimin e organeve të shtypit.[lvi]
      Voskopoja sigurisht që i pati të gjitha mundësitë për të nxjerrë gazeta, por fakti është se kjo gjë nuk ndodhi, prandaj nuk ka kuptim që të figurojë në historinë e shtypit shqiptar. Kështu siç shkruan Fevziu duket sikur voskopojarët kanë pasur mundësi, por nuk kanë dashur të bëjnë gazeta shqip. Kur e vërteta është se autoritetet otomane nuk lejonin, jo më botimin e gazetave, por as të librave më të thjeshtë në gjuhën shqipe. Fevziu shkruan në librin e tij për pikënisjen e shtypit shqiptar:
      Pikërisht, si pasojë e nevojës për kontakte midis kolonive të ndryshme si dhe midis këtyre të atdheut, lindi në Shqipëri shtypi i shkruar dhe filloi epoka e dominimit të tij.[lvii]
      Së pari, këtu të bën përshtypje fakti se Fevziu thotë “shtypi i shkruar”. Por ky togfjalësh është nonsens se shtypi është gjithmonë i shkruar. Do të kishte kuptim që të thuhej “media e shkruar”, por jo “shtyp i shkruar”. Nga fragmenti i mësipërm kuptohet se Fevziu nuk e ka të qartë dallimin mes shtypit shqiptar që botohej jashtë Shqipërisë dhe shtypit shqiptar që botohej në Shqipëri, një dallim shumë i rëndësishëm ky. Nëse Fevziu do ta kishte të qartë këtë dallim, ai do të kushtëzonte periodizimin e tij të historisë së shtypit shqiptar. Siç kam thënë më lart, shtypi në gjuhën shqipe, brenda Shqipërisë, po të përjashtojmë disa gazeta dhe revista fetare katolike, nisi në 1908, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës në Imperinë Otomane. Duke folur për revistën “Albania” të Faik Konicës, Fevziu shkruan.
      Po t’ i hedhësh një vështrim letërkëmbimit të konsullit austriak në Shkodër, Ippeni me Ministrinë e Jashtme, e kupton se problemet që i hapi Konica politikës austriake në Shqipëri janë shumë më të mëdha se mëkati që ai bëri duke pranuar financimin e tyre.[lviii]
      Fevziu e quan mëkat që Faik Konica merrte financime nga Austro-Hungaria. Por përse duhet të ishte gabim kjo gjë, kur Austro-Hungaria ishte e vetmja fuqi e madhe që përpiqej aktivisht për krijimin e shtetit shqiptar, dhe madje Shqipërinë e sotme e kemi si pasojë e këtyre përpjekjeve austro-hungareze, por dhe italiane. Nëse nuk do të kishin qenë përpjekjet e Austro-Hungarisë dhe të Italisë, Serbia dhe Greqia do t’ i kishin ndarë trojet shqiptare, ndoshta në Shkumbin apo në Seman, por në çdo rast, nuk do të ekzistonte një shtet shqiptar. Ideja e Fevziut se Konica bëri gabim që mori financime austro-hungareze, vjen drejtpërdrejt nga tekstet e historiografisë komuniste. Por Fevziu është përzgjedhës. Në rastin e Shahin Ypit (Kolonja), i cili ishte kushëriri i stërgjyshit të tij, Abdyl Ypit, Fevziu nuk e thotë se financohej nga Austro-Hungaria për të botuar gazetën e tij “Drita” në Sofje të Bullgarisë. Një tjetër gabim që Fevziu i njeh Konicës është ky:
      Faik Konica përdori që në fillim alfabetin e shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës. Ai nuk njohu alfabetin e Stambollit dhe as e praktikoi atë. Ky ndoshta përbën dhe një nga gabimet e tij të mëdha.[lix]
      Alfabeti shqip i Stambollit, për të cilin kam folur më lart, ishte një miksturë karakteresh latine, greke dhe sllave, të cilin koha e tregoi të ishte i papërdorshëm. Ishte një meritë e madhe e Konicës që e kuptoi saora këtë gjë, dhe e kritikoi rreptë këtë alfabet, duke qenë për alfabetin thjesht latin. Në një nënkapitull me titull “Alfabeti i gjuhës shqipe”, Fevziu shkruan për Kongresin e Manastirit:
      Pas një jave diskutimesh, mbrëmjen e 22 nëntorit, komisioni publikoi vendimin e tij. Ai krijoi një alfabet të ri, i cili ruante në vijat kryesore ato të alfabetit të Stambollit, por e modifikonte atë. Sipas alfabetit të dalë nga Kongresi i Manastirit, shqipja do të shkruhej me gërma latine. Alfabeti latin do të plotësohej me 9 diagrame (DH; GJ; LL; NJ; RR;SH;TH;XH;ZH) dhe dy diakritike (ç dhe ë). Alfabeti i Kongresit të Manastirit u bë i detyrueshëm për të gjithë shqiptarët.[lx]
      Në të vërtetë në Kongresin e Manastirit nuk u arrit që të vendosej për një alfabet unik latin, për shkak të ngulmimit të mbështetësve të alfabetit mikst të Stambollit. Prandaj u bë kompromisi që të përdoreshin opsionalisht të dy alfabetet. Fevziu nuk mund të citojë një dokument që të vërtetojë se në Kongresin e Manastirit u vendos përdorimi i detyrueshëm i alfabetit latin. Kjo do të kishte qenë shumë e dëshiruar, por nuk ndodhi për shkak edhe të paraardhësve të Fevziut, me të cilët ai mburret se kanë marrë pjesë në Kongresin e Manastirit, por të cilët qenë kundër alfabetit latin. Kur shkruan për Shahin Ypin (Kolonja), Fevziu thotë:
      I lindur në Starje të Kolonjës, një vend në kufi me Greqinë, që kishte vuajtur nga bandat plaçkitëse të kësaj të fundit, Shahini qe i pari që dënoi rëndë të gjitha përpjekjet e tyre për rivendikime territoriale në kurriz të Shqipërisë.[lxi]
      Por në kohën që lindi Shahin Ypi, në vitin 1865, Starja dhe vetë Kolonja nuk qenë në kufi me Greqinë, për shkak se deri në vitin 1912, kur Shahin Ypi ishte 47 vjet, kufiri shtetëror dhe etnik i Greqisë qe larg Kolonjës. Nga ato që shkruan më lart, Fevziu tregon se nuk e ka të qartë as kuptimin e fjalës “rivendikim”. Greqia nisi të ketë rivendikime territoriale ndaj Shqipërisë pas krijimit të shtetit shqiptar dhe përcaktimit në vija të përgjithshme të kufijve të Shqipërisë, me Traktatin e Londrës në 1913. Tashmë Shahin Ypi pati hequr dorë nga gazetaria dhe dergjej i sëmurë për shkak të alkoolizimit, që do ta çonte në vdekjen e parakohshme në 1919. Këtë fakt të papëlqyer jam i detyruar ta them për shkak se Fevziu ndjek një standard të dyfishtë në librin e tij. Kështu, për Namik Delvinën shkruan se:
      U dha pas alkoolit dhe vdiq në Tiranë, më 1933.[lxii]
      Për Shahin Ypin (Kolonja) nuk e thotë këtë gjë. Duke shkruar për ata që drejtuan shtetin shqiptar pas shpalljes së pavarësisë, Fevziu thotë: 
      Edhe pse në krye të strukturave shtetërore u zgjodhën disa herë njerëz me një stazh politik perandorak dhe me emër në politikën e jashtme (si p.sh., Ismail Qemali, ish-deputet i parlamentit osman dhe diplomat, Rexhep Pashë Mati, ish-shef i shtatmadhorisë së ushtrisë perandorake dhe disa herë ministër Lufte, apo Turhan Pashë Përmeti ish-ambasador i Perandorisë për 16 vjet në Rusi dhe më pas ministër i Jashtëm), fuqinë reale e patën sundimtarët vendas.[lxiii]
      Në këtë paragraf, Fevziu bën disa gabime që tregojnë mosnjohjen e historisë prej tij. Ismail Qemali, ose më saktë Ismail Vlora, se “Qemal” ishte vetëm emri i tij i dytë, nuk ka qenë diplomat. Në këtë libër, Fevziu vazhdon të shtojë gabimet e tij për Rexhep Pashë Matin, të cilat i kam përmendur më lart. Rexhep Pashë Mati vdiq katër vjet para krijimit të shtetit shqiptar, në 1908, kështu që nuk mbajti asnjë post në shtetin e ri. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Rexhep pashë Mati nuk ka qenë disa herë ministër i Luftës i Imperisë Otomane, por u emërua vetëm një herë i tillë në 1908, në kohën kur ishte guvernator i Libisë. Ai vdiq tre ditë pas emërimit. Turhan Pashë Përmeti, ndryshe nga ç’ thotë Fevziu nuk pati qenë ndonjëherë ministër i Punëve të Jashtme i Imperisë Otomane. Kur shkruan për revistën “Hylli i Dritës”, Fevziu thotë:     
      HYLLI i DRITËS rinisi botimin në Shqipëri, por revista e vitit 1991 qe shumë larg nivelit, famës dhe ideve të Gjergj Fishtës.[lxiv]
      Në të vërtetë, “Hylli i Dritës” rinisi të botohet në 1993[lxv]. Për këtë gjë Fevziu mund të pyesë Aurel Plasarin, i cili ka qenë kryeredaktori i parë  “Hyllit të Dritës”, ndonëse nuk e shënonte emrin. Ky numër hapet me shkrimin “Lindi dhe nji herë ‘Hylli i Dritës”[lxvi]
      Duke kqyrur gazetarinë shqiptare pas pushtimit të vendit nga Italia, në 1939, Fevziu shkruan:
      Gazetarët e njohur u ndanë në dy kampe. Ata më të rinjtë e kundërshtuan pushtimin dhe me këtë provokuan mbi vete të gjithë reperkursionet e autoriteteve italiane; ndërsa disa të tjerë, emra mjaft të njohur dhe me famë të viteve ’20-’30 pranuan si të mirëqenë praninë italiane dhe u bashkuan me korin propagandistik që krijuan këta. Gazetaria shqiptare mori kështu një të çarë të thellë, e cila u provokua edhe nga ky pozicionim fatal. Emra si Nebil Çika, Vangjel Koça, Rexhep Mitrovica, etj., të cilët u vunë në krah të fotos së Musolinit në shtypin fashist shkatërruan të gjithë imazhin që shtypi në vend pati krijuar me vështirësi në vitet 1912-1939.[lxvii]
      Por kjo ndarje për të cilën flet Fevziu, nuk ekzistonte në realitetin e Shqipërisë së viteve 1913-43. Në të vërtetë, krejt gazetarët sadopak të njohur që gjendeshin në vend, si të vjetër, ashtu dhe të rinj, u pajtuan me regjimin fashist. Arsyeja ishte e thjeshtë. Të gjithë ata, me mprehtësinë e gazetarit të talentuar, e kuptuan se vendi kërcënohej nga diktatura komuniste. Të tjerët u pajtuan me regjimin fashist për përfitime. Edhe njerëz që më pas u bënë liderë të lëvizjes antifashiste komuniste, dhe pena të shquara të regjimit komunist, si Omer Nishani, Qemal Stafa, Shefqet Musaraj, Sterjo Spasse etj., u pajtuan me regjimin fashist dhe i shërbyen atij. Fevziu, në librin e tij bën gabime të çuditshme historike, si ky rast:
      BASHKIMI I KOMBIT, qe një gazetë e përditshme, juridikisht e pavarur por pro pushtuesve italianë e më pas gjermanë. Filloi të botohet pas mbylljes së TOMORRIT, më 28 nëntor 1943, dhe vijoi deri më 1944.[lxviii]
      Por “Bashkimi i Kombit” nuk mund të ishte pro pushtuesve italian, për shkak se në 28  nëntor 1943 Itali kishte kapitulluar tashmë prej rreth tre muajsh. Fevziu shkruan më tutje në librin e tij:
      BASHKIMI qe zyrtarisht organ i Frontit Demokratik, por faktikisht ai përkrahu pa rezerva lëvizjen komuniste. U botua për herë të parë në Durrës më 25 mars 1943.[lxix]
      Gazeta “Bashkimi”, kur u krijua qe zyrtarisht organ i Frontit Nacional-çlirimtar. Organ i Frontit Demokratik u bë kur Fronti Nacional-çlirimtar ndryshoi emrin në vitin 1945. Këto janë detaje që kanë rëndësi në një libër që pretendon të jetë së paku një guidë e shtypit. Duke folur për periudhën pas ardhjes së regjimit komunist në fuqi, Fevziu shkruan:
      Për herë të parë në historinë e shtypit shqiptar u mbyllën të gjitha gazetat private dhe ato të pavarura.[lxx]
      Jo për herë të parë, por për herë të katërt. Për herë të parë kjo gjë pati ndodhur në 1909, kur xhonturqit mbyllën përkohësisht klubet dhe gazetat shqiptare. Për herë të dytë pati ndodhur kur Serbia dhe Greqia pushtuan trojet shqiptare, në 1912-1913. Për herë të tretë pati ndodhur kur në fuqi ishte regjimi islamik në 1914-15. Më tutje, Fevziu bën në librin e tij një gabim të çuditshëm për një histori të shtypit, kur shkruan:
      Dalja në mëngjesin e 5 dhjetorit 1991 e gazetës RILINDJA DEMOKRATIKE, përcaktoi jo vetëm në shtyp, por në të gjithë jetën shqiptare një epokë të re.[lxxi]
      Gazeta “Rilindja Demokratike” ka dalë në 5 janar 1991 dhe jo në 5 dhjetor të atij viti. Është për t’ u habitur që Fevziu e bën këtë gabim edhe në ribotimin e librit, 9 vite pas botimit të parë. Tekefundit, një nga arsyet e ribotimit të një libri është ndreqja e gabimeve të tij. Në librin e Fevziut të bën përshtypje se ai në ndonjë rast mohon karrierën e tij si gazetar. Kështu, ai shkruan:
      ALEANCA, e cila filloi të botohet në mars 1993, fillimisht dy herë në javë, më pas tri herë në javë dhe në fund një herë në javë. Për një kohë të gjatë ajo ruajti tirazhet kryesore në vend, por nuk arriti ta përballojë konkurencën ekonomike. Në vitin 1996 u shkri së bashku me gazetën ALTERNATIVA SD në një gazetë të përbashkët të titulluar POLI I QENDRËS. POLI I QENDRËS nuk pati jetë më të gjatë se disa mujore.[lxxii]
      Fevziu, i cili e përmend emrin e vet në libër, kur është fjala për gazetat pjesë e stafit të të cilave ka qenë, nuk thotë se ka qenë ai kryeredaktori i gazetës “Poli i Qendrës”. Arsyet për të cilat Fevziu e mohon pjesëmarrjen e vet në këtë gazetë, i kam shpjeguar më lart në këtë libër. Në vazhdim të librit, Fevziu vazhdon të përdorë gabim fjalën “organ”:
      Që nga ajo kohë organet e pavarura mbetën ato më të rëndësishmet në vend.[lxxiii]
      Definitivisht, Fevziu nuk arrin të kuptojë se një gazetë e pavarur nuk mund të quhet “organ”! Për gazetën “Albania” të mikut të tij të argëtimeve, Ylli Rakipi, Fevziu shkruan:
      Gazeta ALBANIA. Filloi botimin në shtator 1995 si një e përditshme. Botohet nga fondacioni “Faik Konica” dhe drejtohet nga Ylli Rakipi. Botohet në shqip dhe një faqe në anglisht. Është gazetë e orientimit të djathtë dhe ka mbështetur fillimisht Partinë Demokratike dhe qeverinë e saj. Që nga viti 1999 mori një orientim të pavarur politik. Vijon të botohet si e përditshme.[lxxiv]
      Kështu, Fevziu e quan të pavarur gazetën “Albania” kur ajo u orientua majtas kah qeveria e PS në pushtet, në 1999. Për gazetën “Koha Jonë” Fevziu shkruan:
      Një rol krejt të veçantë ka pasur ajo edhe në zhvillimin e koncepteve gazetareske në vend. Ajo qe gazeta e parë e strukturuar në mënyrë bashkëkohore dhe e para që bëri një revolucion në drejtimin e shtypit në sundimin e informacionit.[lxxv]
      Nëse ishte kështu, atëherë ishte dashur që në librin e Fevziut të kishte një kapitull më vete për gazetën “Koha Jonë”, ku të tregohej se si ajo e kishte bërë një gjë të tillë. Në të vërtetë, gazeta “Koha Jonë”, për periudhën në të cilën flet Fevziu, në vitet 1992-1997, nuk ishte gjë tjetër veçse një gazetë e llojit agjitativ, sipas modelit të shtypit leninist, ku shtypi në vend të informacionit dhe analizës ofronte slogane dhe tekste dhe tekste të llogaritura për të agjituar, acaruar, nxitur zemërimin e masave të gjera popullore kundër pushtetit. Një studim i kësaj gazete në këtë periudhë, që do të përfshinte titujt dhe një antologji të shkrimeve të saj, do të vërtetonte këtë që po them. Më tutje, Fevziu shkruan për këtë gazetë:
      KOHA JONË sundoi tregun e shtypit shqiptar në mënyrë të padiskutueshme deri në mesin e vitit 1998.[lxxvi]
      Por Fevziu gjithashtu shkruan se këtë pozitë në treg ajo e arriti me mbështetjen e forcave të huaja:
      Në verën e vitit 1996 ajo pati një kolaps financiar nga i cili e shpëtoi një financim i Fondacionit “Soros”.[lxxvii]
      Kjo ishte vetëm hera e parë kur financimi i huaj i gazetës u bë publik. Se kjo gazetë kishte pasur financim të huaj që në fillimet e shndërrimit të saj nga një gazetë vendore në një gazetë qendrore, në 1992. Për rolin politik të kësaj gazete, Fevziu shkruan:
      Por KOHA JONË ka qenë shumë më tepër sesa një realitet mediatik. Ajo u shndërrua në një lloj strehe, e pse jo edhe drejtuese të lidershipit opozitar në vend në pesë vitet e drejtimit të Presidentit Berisha. Si e tillë, ajo pati një rol shumë më të madh sesa një e përditshme e zakonshme.[lxxviii]
      Ky është miti që ka dashur të krijojë pronari në letër i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi. Por kjo nuk mund të ketë qenë e vërtetë, se gazeta “Koha Jonë” nuk mund të ishte gjë tjetër veçse një zëdhënëse e pjesës pro kryetarit Fatos Nano të lidershipit të PS. Në periudhën 1992-97, “Koha Jonë” ishte organ i Partisë Socialiste më tepër se sa “Zëri i Popullit” që ishte organ zyrtar i saj. Në vazhdim të dithirambit të vet, Fevziu shkruan për gazetën “Koha Jonë”:
      Po ashtu ajo ishte e pozicionuar hapur në favor të opozitës së majtë në vend dhe kjo bëri që të luajë një rol vendimtar në ngjarjet e vitit 1997. Për këtë arsye, me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në 2 mars 1997, selia e saj në rrugën “Qemal Stafa” u bastis natën nga forca të policisë sekrete, u dogj dhe dy gazetarë që u gjendën atje u keqtrajtuan dhe më pas u dërguan në një rajon policie. Djegia e gazetës KOHA JONË ka qenë padyshim kulmi i dhunimit të shtypit të lirë nga pushteti politik si dhe kulmi i një beteje thuajse titanike për lirinë dhe pavarësinë e shtypit.[lxxix]
      Nuk duhet e besueshme që gazeta “Koha Jonë” të jetë djegur nga SHIK në mars 1997. Këtë e them, jo se dua të mbroj SHIK-un e asaj kohe, por se drejtuesit e gazetës “Koha Jonë” do të përfitonin shuma të mëdha financiare prej donatorëve ndërkombëtarë, të llojit të Soros, nga djegia e zyrave të gazetës. Ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, djegia e zyrave të gazetës “Koha Jonë” ishte kulmi i manipulimit me lirinë e fjalës, ishte një perversion i realitetit. Ndoshta paragrafi më i sinqertë dhe më domethënës i librit të Fevziut është ky:
      Një avantazh i madh i periudhës u bë fabrikimi i gazetarëve të rinj. Duke pasur parasysh se shumica e gazetarëve të vjetër, kishin një emër të kompromentuar, të trashëguar nga shtypi komunist; si dhe duke parë ndryshimet konceptuale të shtypit në këto vite nga ai i mëparshëm, vitet 1991-1996 fabrikuan një grupim të ri gazetarësh. Rreth 90% e gazetarëve të organeve më në zë të shtypit nuk e kalonin në fund të viteve ’90 moshën 30 vjeç. Po në këtë kontekst, në verën e vitit 1995, pothuajse të gjithë kryeredaktorët e gazetave qendrore ishin në një moshë nën 27 vjeç.[lxxx]
      Përzgjedhja e termave është domethënëse. Fevziu flet për fabrikim të gazetarëve të rinj, në periudhën 1991-96. Me këtë, Fevziu pohon se ai dhe të tjerët si ai qenë thjesht gazetarë të fabrikuar nga një fabrikë djallëzore, e cila fabrikonte gazetarë, gazeta, lajme, komente, analiza, dhe që vazhdon ende ta bëjë këtë gjë. Me kalimin e kohës, Fevziu bëri karrierë, dhe nga gazetar i fabrikuar u bë drejtor i fabrikës së ideve të Berishës- kryeministër. Në fund të librit të Fevziut, ka disa jetëshkrime gazetarësh të shquar të periudhave të ndryshme, dhe në këto jetëshkrime ka gabime nga më të habitshmet. Duke folur për periudhën e jetës së Jeronim De Radës nga viti 1848 në 1861 thotë:
      Mundet që është marrë me poezi, pasi më 1936 pati botuar “Këngët e Milosaos”.[lxxxi]
      Në 1906 De Rada tashmë pati vdekur prej mbi tre dekadash. Për Faik Konicën, Fevziu shkruan:
      Lindi në Konicë të Kolonjës në një familje bejlerësh më 1876. Fshati i lindjes zuri pak vend në jetën e tij. Ai do të kujtohej për të më vonë, në vitet e fundit, kur rrugët dhe shtëpitë e Konicës u bënë molla e sherrit midis Shqipërisë dhe Greqisë, për të mbetur përfundimisht andej.[lxxxii]
      Vendlindja e Faikut, Konica, nuk ishte fshat, por qytet, sipas standardit të kohës. Në vitet e fundit të jetës së Faikut (ai vdiq në 1942), ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, nuk u vu në diskutim që qyteti i Konicës t’ i bashkohej territorit shtetëror të Shqipërisë. Më tutje, Fevziu shkruan për Faik Konicën:
      Që nga momenti i kalimit në kontinentin tjetër, jeta e Faik bej Konicës është një aventurë e pafund. Ndoshta edhe ai vetë i ka kërkuar aventurat, këto mrekullime që i jepnin kuptim asaj jete të çuditshme.[lxxxiii]
      Qëkurse Faik Konica shkoi në SHBA (për herë të parë në 1909), jeta e tij nuk pati ndonjë moment aventuroz, e aq më pak të ishte një zinxhir i pandërprerë aventurash. Nëse Fevziu është në dijeni të tyre, atëherë ka detyrimin t’ i rrëfejë këto aventura. Fevziu që pretendon se di aventurat e fshehta të jetës së Konicës, në fakt nuk di as datat më të rëndësishme të karrierës së tij diplomatike. Kështu Fevziu shkruan për Konicën:
      Detyrën e ministrit e la më 7 prill 1939 dhe vdiq pak vjet më vonë, natën e 14 dhjetorit 1942, në Uashington.[lxxxiv]
      Fevziu, i cili pretendon se ka diplomuar me një temë mbi Faik Konicën supozohej që ta kishte lexuar prozën e Konicës “Lamtumira e Shqipërisë së Zogut”, ku ai përshkruan gjerësisht përfundimin e misionit të tij diplomatic në SHBA, çka iu njoftuar nga vetë Sekretari i Departamentit të Shtetit të SHBA, Cordell Hull, në 24 korrik 1939. SHBA e ndërprenë veprimtarinë e Legatës së Shqipërisë në Washington, për shkak se në qershor të atij viti përfaqësitë diplomatike të huaja në Tiranë, ndër to dhe ajo amerikane qenë urdhëruar të largoheshin nga territori i Mbretërisë së Shqipërisë. Për Fan Nolin, Fevziu shkruan:
      Më 1908 u shungëllua prift[lxxxv]
      Fan Noli u shugurua prift, jo u shngëllua- një fjalë e çuditshme të cilën nuk dihet se nga e ka gjetur Fevziu. Më tutje, Fevziu shkruan për Fan Nolin:
      Punoi këtu deri më 1920 kur federata “Vatra” e dërgoi së bashku me dy të tjerë të kandidonte për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, si përfaqësues i VATRËS në takimet dypalëshe për tërheqjen e trupave italiane nga Shqipëria që do të zhvilloheshin në Romë. Bisedimet qenë fatmirësisht të suksesshme dhe Noli që shkëlqeu u kthye në Shqipëri me karta të reja.[lxxxvi]
      Por “Vatra” ishte vetëm një OJQ shqiptare në Amerikë dhe nuk merrte pjesë në bisedimet zyrtare shqiptaro-italiane, të cilat zhvilloheshin nga përfaqësuesit e të dy qeverive. Fevziu shkruan gabimisht për Fan Nolin:
      Noli hodhi poshtë disa oferta për ministër. Ai rezistoi deri më 1924, kur, falë një revolucioni të filluar kundër Zogut, pranoi të kandidonte për kryeministër.[lxxxvii]
      Noli në të vërtetë u bë ministër i Punëve të Jashtme në qeverinë e kryesuar nga Xhaferr Ypi, në dhjetor 1921 dhe e mbajti këtë post deri në shtator 1922. Sa për ngjarjet e vitit 1924, ndryshe nga ç’ thotë Fevziu, Zogu nuk kishte asnjë post në kohën që filloi i ashtuquajturi revolucion. Që prej shkurtit 1924, Zogu nuk mbante asnjë post në qeveri. Por me antizogizmin u kamuflua një revolucion i llojit sovjetik. Fevziu shkruan për Branko Merxhanin:
      Për Branko Merxhanin dihen edhe më pak gjëra. Lindi në Gjirokastër, por u diplomua në Robert Kolezhin e Stambollit e më pas në Fakultetin e Filozofisë dhe të Shkencave Politiko-Historike.[lxxxviii]
      Branko Merxhani nuk e ka kryer Kolegjin Robert të Stambollit. Ky kolegj amerikan i Stambollit, që më pas u zgjerua në universitet, ka botuar një libër me të gjithë studentët e tij dhe atje nuk figuron emri i Branko Merxhanit. Mbi bazën e këtyre librave, një studiues shqiptar ka botuar një libër me emrat dhe jetëshkrimet e studentëve shqiptarë të këtij kolegji.[lxxxix] As në këtë libër nuk është emri i Branko Merxhanit. Një nga gabimet më të çuditshme të librit të Fevziut është se në kapitullin e parë, titulli i nënkapitullit të pesëmbëdhjetë, që tregon një periudhë të shtypit shqiptar, ka mbetur i pandryshuar edhe në botimin e vitit 2005: “1991-1996”.[xc] Kjo, ndonëse faqet 102-105 përshkruajnë shtypin në vitet 1997-2005, dhe kur titulli i librit është përditësuar.
      Ndonëse në fillim të librit të Fevziut të krijohet përshtypja se është fjala për një histori të shtypit shqiptar, pavarësisht kufijve gjeografikë- Fevziu llogarit si gazetë të parë shqiptarë atë të botuar në Itali në 1848- megjithatë Fevziu ndjek modelin e historiografisë komuniste shqiptare, e cila pas vitit 1912 i përjashtonte nga Historia e Shqipërisë shqiptarët e trojeve të mbetura jashtë kufijve në 1912. Asgjë nuk ka në librin e Fevziut për shtypin e shqiptarëve të Kosovës, jo vetëm para vitit 1990, por madje edhe pas tij. Në librin e Fevziut nuk ka asgjë për shtypin e shqiptarëve të Kosovës pas çlirimit të Kosovës në 1999. Gjithashtu, në librin e Fevziut, nuk ka asgjë për shtypin e shqiptarëve të Maqedonisë, as para vitit 1991 kur ajo ishte pjesë e Jugosllavisë, dhe as pas këtij viti kur u bë një shtet i pavarur. Në librin e Fevziut nuk ka asgjë për shtypin e shqiptarëve të Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës. Libri i Fevziut nuk është një histori, madje as një guidë e shtypit shqiptar, por vetëm një guidë e shtypit të Shqipërisë shtetërore, madje edhe si e tillë është e mangët.
      Fevziu e bëri këtë libër se kishte ambicje për të dhënë mësim në departamentin e gazetarisë dhe komunikimit të Universitetit publik të Tiranës. Fevziu ia arriti që ta bënte këtë pas ardhjes së PS në pushtet, me ç’ rast ky libër u fut në listën e literaturës që iu sugjerohej studentëve. Por aventura e Fevziut si mësimdhënës universitar nuk vazhdoi gjatë, se gafat e tij qenë aq të mëdha, saqë nisën të kuptohen nga studentët, të cilët krijuan shumë anekdota për këtë “profesor” sharlatan. Gjithsesi, Mark Marku, pedagog i lëndës së Historisë së Shtypit Shqiptar, në departamentin e gazetarisë dhe komunikimit të Universitetit Publik të Tiranës, vazhdon prej vitesh të jetë i ftuar i shpeshtë i emisionit televiziv të Fevziut, si opinionist për tema nga më të larmishmet, vetëm se vazhdon t’ ua sugjerojë studentëve të tij librin e mësipërm të Fevziut. Sharlatanët e fushave të ndryshme tërheqin njëri-tjetrin si polet manjetike të kundërta. Pasiqë bëri në mënyrë sharlatanore Historinë e Shtypit Shqiptar, Fevziu ka paralajmëruar se po shkruan edhe një histori të Shqipërisë, që nga kohët e lashta dhe deri në vitin 2012. Mund të merret me mend se çfarë do të shkruajë Fevziu në këtë libër. Ndonëse është e sigurt se libri i tij do të promovohet me pompë të madhe, për shkak të makinerisë publicitare të përbindhme që kontrollon Fevziu.


59.      
Fevziu në librin “Kurban” të Edi Ramës

      Libri “Kurban”i Edi Ramës, në një aspekt ngjan me librat me kujtime të Enver Hoxhës, në sensin që Edi Rama, ashtu si Enver Hoxha në kujtimet ka përmendur shumë njerëz me të cilët ka pasur të bëjë si politikan, shqiptarë dhe të huaj, duke dhënë përcaktimet e tij për ta. Blendi Fevziu është gazetari të cilit i përmendet më shumë emri në librin “Kurban” të Edi Ramës, gjithësej pesë herë. Edi Rama ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me Fevziun në kohën që Edi Rama u kthye në Shqipëri, në 1998, për të nisur karrierën e tij politike. Edi Rama e ka pritur keq afrimin e Fevziut me Sali Berishën, pas ardhjes së këtij të fundit në pushtet, në 2005, dhe në libër e quan Fevziun si krijues të kultit të Berishës. Rama shkruan për Berishën në libër:
      Ndërsa një tjetër xhelozi i është bërë sot sirenë që e përthërret nga brenda vetes, xhelozia për vetë Enverin, për mënyrën se si do t’ i bëjë llogaritë me të pas vdekjes, distancën që do të lerë historia mes të dyve në gjërat që thanë e në ato që bënë, dhe duke e ditur se broçkullat i merr përgjithësisht era, gjë që shpjegon edhe pse thotë kaq shumë broçkulla në ditë çdo ditë, ai e di se në kullesën e historisë nuk do të kalojnë shumë nga dokrrat “historike” mbi figurën e tij që sot gjejnë vend në studion e Fevziut apo librat shkollorë që miraton Ministria e Arsimit. Prandaj ia ka ndezur kokë zjarrmia e veprave të mëdha publike.[xci]
      E thënë ndryshe, Edi Rama e akuzon Fevziun se është bërë “Kristaq Rama” televiziv i Berishës, domethënë ashtu siç Kristaq Rama, ndërtonte monumentet e Enver Hoxhës, Fevziu ndërton “monumentin” medial të Berishës. Por Edi Rama, djallëzisht, kërkon t’ i krijojë Berishës dyshime për Fevziun, sikur Fevziu spiunon tek Edi Rama sekretet e Berishës. Kështu, Edi Rama, në librin “Kurban” shkruan për projektin e parë për ndërtimin e sallës së Kuvendit në oborrin e ndërtesës së selisë së Kuvendit (ish-selia e Komitetit Qendror të PPSH):
      Nuk e kam marrë dot vesh asnjëherë pse u la në të vërtetë ai projekt, Fevziu më tha s’ kemi lekë për ta ndërtuar, por projekti i ri, ky i halucunacionit enverist të Saliut aty ku sot është piramida, kushton shumëfish më tepër nëse vërtet do të ndërtohet.[xcii]
      Këtu Fevziu flet si pjesë e qeverisë. Edi Rama me këtë, qartësisht, kërkon të nxitë një grindje mes Berishës dhe Fevziut. Edi Rama, në librin e tij endet gjithandej, por nuk harron të rikthehet tek Fevziu:
      Ky është edhe Saliu, që në vitin 2005, u rikthye në krye të Shqipërisë, siç thotë Fevziu me mend të tjera nga ato që kishte, por në fakt vetëm me një gjë të re ndërmend, atë të nuses në mundësinë e nusërimit të dytë, mosbesim të plotë tek shqiptarët, që e çuan një herë në esfelt dhe vendosmëri të plotë për t’ ua punuar qindin këtë herë, duke parë vetëm punët e veta, teksa bën sikur i djeg shpirti vetëm për punët e tyre dhe duke e kthyer qeverisjen e vendit tonë në procesin më imoral që Shqipëria ka jetuar ndonjëherë për shkak të ndonjë qeverie të saj.[xciii]
      Merret vesh, në mendjen e Edi Ramës fjala “Saliu” bën asosacion me fjalën “Fevziu”! Por, duke ndjekur dinamikën e mendimit të Edi Ramës vërehet se ai shfaq në libër një dilemë, ndoshta jo krejt të vetëdijshme se çka duhet ta shpallë Fevziun, njeriun e Berishës, apo njeri që e tradhton Berishën. Derisa në paragrafin para këtij të fundit, e quan njeri që tradhton Berishën, tek ky paragrafi i fundit e quan njeri të Berishës, lake medial të tij. Më tutje në libër, Edi Rama, na e paraqet Fevziun përsëri si një njeri që e tradhton Berishën. Kur flet në libër për problemet që pati me qeverinë e Berishës, me rastin e modaliteteve për marrjen e një granti financiar nga Kuwait-i, Rama shkruan:
      Por, megjithëse fondi ishte grant, pra dhuratë pa kushte e miqve të çmuar kuvajtianë, dhe megjithëse ata e siguruan në mënyrë të përsëritur qeverinë tonë se ato para nuk do të preknin asnjë qindarkë fondin e akorduar në ndihmë të qeverisë për projektet e saj, Ridvan Bodja nuk pranoi kurrë të lëshonte një firmë mbi një letër ku mjaftonte, të shkruhej, për shkak të kritereve të bashkëpunimit bilateral, që Qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron këtë projekt si të rëndësishëm. Pse? Unë s’ marr dot me mend asnjë arsye tjetër përveç të njëjtave arsye të mosarsyes që kanë bllokuar, penguar, minuar, shumëprojekte të Bashkisë së Tiranës, po edhe Fevziu tha: “S’ e bëjnë ata, Ramë, se thonë fiton shumë pikë ti pastaj”.[xciv]
      Këtu, Edi Rama kërkon t’ i thotë Berishës: Fevziu është njeriu im, por momentalisht, sa kohë je në pushtet, shtiret si yti. Por, më tutje, në libër Edi Rama na rrëfen një Fevzi tjetër, lakeun e Berishës. Kur Edi Rama flet për retorikën e ashpër të Berishës, ai thotë në libër:
      Pika e zezë ishte dhe është se shumëkujt kjo i duket normale, e shajnë nga shtëpia, i shan nga shtëpia, s’ ka faj i shkreti, ia nxinë jetën, më tha Fevziu një ditë, ndërkohë që e vërteta është se asnjëherë unë e, me ndonjë përjashtim në momente vlimi të lartë të kazanit të parlamentit, askush ndër ne, opozita e sotme që prej opozitës së tij është pështyrë me vite në mënyrën më rrugaçërore, nuk është marrë me familjen e tij, me ç’ bën në jetën e me jetën e vet gruaja, vajza a djali i tij apo ai vetë, por vetëm me shprehjet e dokumentuara të konfliktit të interesit bërtitës që tregon se si jo opozita, po Saliu e lidh tryezën e qeverisë me barkun e shtëpisë.[xcv]
      Këtu, Edi Rama replikon me Fevziun, për Berishën. Gjithashtu, Edi Rama, në librin e vet, e përmend Fevziun edhe tërthorazi, por në mënyrë të pagabueshme, siç është ky rast, kur flet për:
      Kërdinë antiopozitare dhe proqeveritare që bën përditë një kor i madh rrakafolësish e shkarrashkruesish nën ritmin ushtarak të Aleksandër Frangajt, ku mundohen me të gjitha mënyrat ekran më ekran e gazetë më gazetë të mbajnë tempin e muzikës qeveritare të tërë me radhë, fanfarë që nginjet pronash, tenderash, licencash, emërtesash për vëllezër, kunata e kushërinj gjysëmanalfabetë në punëra shteti me lekë e me letra me vlerë, nga fanfarinjtë më të vlerësuar te ciliminjtë më të paguar me lekët e popullit, a të shpërblyer me pasuritë e tij prej oborrit të regjimit në fuqi.[xcvi]   
      Fevziut këtu i takon të jetë një nga “fanfarinjtë më të vlerësuar”, në bandën e drejtuar nga Aleksandër Frangaj. Edi Rama këtu është si ai komandanti që ankohet se në mes të betejës, “fanfarinjtë” e bandës së regjimentit të tij tradhtuan dhe kaluan tek kundërshtari, pikërisht pasiqë ai u shtroi një drekë të mirë. Nëse Fevziu vetë do të kishte shprehur mendimin e tij mbi ato që thotë Edi Rama në libër për të, ai, me siguri që për qëndrimin e dyfishtë që i atribuon Rama, do të kishte thënë se ky i fundit ka të drejtë në të dy rastet. Një provë për këtë është edhe libri “Enver Hoxha” i Fevziut ku nuk përmendet asnjëherë babai i Edi Ramës, Kristaq Rama, skulptori që ka ndërtuar më shumë shtatore të Enver Hoxhës. Kuptohet se kjo nuk është një harresë e Fevziut. Ky i fundit mendon për të ardhmen kur e sheh Edi Ramën kryeministër, me ç’ rast kërkon të ketë me të ato marrëdhënie që ka sot me kryeministrin Berisha. Prandaj Fevziu nuk iu përgjigj librit të Edi Ramës, ndonëse përmendet atje pesë herë, më shumë se çdo gazetar tjetër, dhe në çdo rast për keq.
      Por Fevziu e ka kuptuar saktë kumtin e Ramës, me pesë përmendjet që i bën në librin “Kurban”. Edi Rama i ka dërguar me këtë Fevziut një sinjal të qartë se ai është në listë për t’ u bërë “kurban”kur Edi Rama të bëhet kryeministër. Dhe Fevziu e di mirë se sa mënyra ka Edi Rama për ta bërë “kurban”. Fevziu nuk është më thjesht gazetar, ai tashmë është një biznismen, një pronar i madh tokash, një njeri që ka futur duart në shumë afera të pista. Sinjalet kërcënuese të Edi Ramës mund të arrijnë dhe efektin e kundërt, duke e bërë Fevziun që të lidhet më fort me Berishën, dhe të kërkojë mbrojtje politike të plotë, duke u bërë deputet i PD, në zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta si një përgjigje e tërthortë e Fevziut për Edi Ramën është ajo që tha në intervistën që Fevziu i dha Ilva Tare, për emisionin “Tonight” të saj, në 20 dhjetor 2011, në RTV Ora News, ku u pyet nga intervistuesja për pritjen që dha Fevziu me rastin e promovimit të librit të tij:
      Pse nuk erdhi zoti Rama?
      Përgjigjia e Fevziut ishte kërshërore, ashtu që ajo ishte psikoanalitike:
      Kam përshtypjen që zoti Rama e ka pak të vështirë përballjen me njerëz që e kontestojnë. Bile një njeriu i tij i afërt po më thoshte një ditë që Rama ka një problem, ka shumë frikë ose siklet kur Berisha i del përballë i shoqëruar nga shumë njerëz. Kjo është një çështje e tij, unë nuk mund të bëj analizën psikologjike të zotit Rama.
      Ndonëse Fevziu thotë se ai nuk ka ndërmend të bëjë një psikoanalizë të Edi Ramës, ai bën pikërisht këtë gjë, një analizë të personalitetit të Edi Ramës. E tepërt të thuhet, këtë Fevziu e bën për t’ i pëlqyer Berishës. Fevziu do të bënte mirë të kërkonte një shpjegim psikoanalitik për përmendjet e shumta të emrit të tij në librin e Edi Ramës me titullin e frikshëm “Kurban”. Se duket që kjo ka të bëjë dhe me një ngjarje tjetër që rezultoi vendimtare në jetën dhe karrierën e Edi Ramës. Edi Rama, në rrethe të ngushta e ka akuzuar Fevziun se shkaktoi vdekjen e babait të tij, Kristaq Ramës. Blendi Fevziu në fillim të vitit 1998 bëri një porosi me pagesë tek Kristaq Rama për një shtatore prej mermeri të gjyshes së tij, e cila jetonte në SHBA. Kjo është gjyshja e cila i kishte dërguar Blendit veshje dhe dollarë në kohën e komunizmit. Kristaq Rama punonte privatisht si skulptor. Sipas Edi Ramës, Blendi Fevziu e nguti Kristaq Ramën që ta përfundonte shtatoren në mes të prillit, se Fevizut do ta niste në SHBA. Kristaq Rama, i cili vuante nga zemra, u mbilodh nga kjo punë dhe vdiq në 11 prill 1998, pikërisht në ditën kur kishte vdekur edhe Enver Hoxha, të cilit Kristaq Rama i kishte bërë shumë shtatore. Kështu që Blendi Fevziu supozohet se u bë shkak për vdekjen e babait të Edi Ramës. Pra, paradoksi tragjikomik në librin e Edi Ramës “Kurban”, sa i përket Blendi Fevziut, është se, nëse Edi Rama do të duhej të ankohej për diçka ndaj Fevziut kjo është vdekja e babait të tij, Kristaq Ramës. Kjo ngjarje, më tepër sesa inicoi spiralen e karrierës politike të Edi Ramës, u bë shkak që të fillojë ajo. Në të vërtetë, Edi Rama, me këtë lloj akuze anekdotike për Fevziun, kërkon të shpëtojë nga akuza që bie mbi të për koincidencën e cuditshme, të fillimit të karrierës së tij politike me rastin e vdekjes së të atit, çka mund të kuptohet edhe si e kundërta. Ndonëse Edi Rama nuk e përmend në libër këtë kurban të parë, megjithatë ndjehet shqetësimi i tij për të sqaruar këtë histori “kurbani”, që ka të bëjë me hyrjen e tij në politikë, në prill 1998.
      Të gjitha të dhënat tregojnë se Edi Rama i ardhur në politikë në politikë, ishte një investim i madh i qendrave të rëndësishme ndërkombëtare. Projekti politik “Edi Rama” nuk u përpunua spontanisht, pas ardhjes së tij në Shqipëri, në prill 1998, por ishte përpunuar qartësisht gjatë shumë muajve para ardhjes së tij në Shqipëri. Ky projekt nuk vu në lëvizje nga një ngjarje rastësore, që ishte vdekja e të atit të Edi Ramës. Kështu si flet Edi Rama, do të thotë se ai nuk do të ishte në politikë sot, nëse Kristaq Rama do të ishte ende gjallë, dhe ky i fundit fare mirë mund të ishte gjallë ende, se ai ishte i datëlindjes 1932, dhe sot do të ishte 80 vjeç. Logjika të çon tek ideja se babai duhet të vdiste atëherë kur i biri do të hynte në politikë. Se përse duhej që Kristaq Rama të largohej nga jeta në kohën që i biri do të hynte në politikë, këtë gjë e kam shpjeguar më gjerësisht në një rast tjetër.
      Rikthimi i vazhdueshëm i Edi Ramës tek Fevziu është diçka e motivuar jo vetëm nga animoziteti prej qëndrimi politik të Fevziut pro Berishës. Edi Rama, i cili si artist ka supersticione, e ndjen në mënyrë, sa të vetëdijshme aq edhe të pavetëdijshme, se ka një lidhje okulte mes karrierës së tij politike dhe Fevziut, prandaj i rikthehet vazhdimisht atij. Gjithsesi, nëse Edi Rama do të bënte epigramin e Fevziut, në stilin e tij të pëlqyer, ky ndoshta do të ishte:
      Zhigolo i përjetshëm i Zonjës Qeveri, pavarësisht se cili është burri i ligjshëm i saj.
      Blendi Fevziu ka shpenzuar me Edi Ramën më tepër kohë se me Sali Berishën dhe me Fatos Nanon të marrë së bashku. Kjo ka ndodhur nga viti 1992 në 2005. Edi Raman ë fillim iu bashkua Partisë Aleanca Demokratike, ku Fevziu qe zëdhënës dhe kryeredaktor i gazetës së partisë. Fevziu dhe Rama takoheshin shpesh edhe tek Bar “West”, i njohur dhe si “Fideli”, ku mblidheshin gazetarët dhe politikanët e opozitës së majtë. Kur Edi Rama u kthye në Shqipëri dhe u bë ministër, në prill 1998, Fevziu qe një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të tij, dhe i tillë qe edhe kur Edi Rama u bë kryetar bashkie në vitin 2000. Një lloj distancimi i Fevziut nga Rama ndodhi në vitin 2003, kur Edi Rama e sfidoi kryeministrin Nano, duke kërkuar t’ i merrte postin e kryetarit të PS, në vend që ta mbështeste kundër rivalëve të bashkuar Ilir Meta dhe Rexhep Meidani, siç priste Nano. Fevziu, në raportin e tij me Edi Ramën, është ndjerë edhe më dyshues se në raportin e tij me Nanon. Fevziu ishte i vetëdijshëm se Edi Rama i përcmonte njerëzit si ai, arrivistët e ardhur në Tiranë nga fshatrat e provincës. Fevziu nuk mund të mos e ketë lexuar përshkrimin ironik që Edi Rama i ka bërë mjedisit lushnjar ku lindi dhe u formësua Fevziu. Kështu që Fevziut nuk mund të mos i krijohet përshtypja se ironizimi ndonjëherë deri në sarkazmë që Edi Rama i bën atij në librin “Kurban”nuk ka të bëjë vetëm me pozicionin politik të Fevziut në kohën që Edi Rama botoi librin, por shpreh mendimin që Edi Rama ka pasur gjithmonë për Fevziun.


60.
Reportazhi i Fevziut: Si triumfoi Berisha ndaj vullkanit Eyjafjallajokull në prill 2010

      Shpërthimi i vullkanit Eyjafjallajokull në Islandë në 14 prill 2010, që bëri të përphapet një re hiri vullkanik nëpër Europë, dhe që solli si pasojë ndërprerjen e fluturimeve ajrore gjithandej Europës, i dha mundësi Fevziut që të shkruante një ndër reportazh që meriton të hyjë në një antologji ndërkombëtare të shkrimeve prej gazetari lake të pushtetarit. Situata e krijuar e gjeti Fevziun në Bruksel ku shoqëronte kryeministrin Berisha në një vizitë atje. Fevziu mbajti një ditar të hollësishëm gjatë tri ditëve, nga 15-17 prill, i cili tre ditë pas kthimit u botua në gazetën “Panorama”. Ditën e martë, në 20 prill 2010 faqja e parë e gazetës “Panorama” hapej me titullin “Fevziu: Udhëtimi me Berishën nga Brukseli në Tiranë, 72 orë me makinë nëpër Evropë”. Gazeta sqaronte se bëhej fjalë për një reportazh ku “Drejtuesi i emisionit ‘Opinion’ rrëfen detajet e rrugëtimit nëpër shtatë shtete”. Reportazhi i Fevziut zinte pothuajse krejt faqet 2 dhe 3 të gazetës. Fevziu kishte shkuar në Bruksel për të ndjekur vizitën e kryeministrit Berisha atje dhe për të bërë një emision në Bruksel me Berishën si të ftuar të vetëm. Reportazhi i Fevziut nis duke na thënë se Berisha nuk u alarmua dhe e shpërfilli rrezikun. Fevziu na thotë që në fillim të reportazhit se Berisha as që i kushtoi vëmendje lajmit se përhapja në qiejtë e Europës të hirit të vullkanit që kishte shpërthyer ato ditë në Europë përbënte kërcënim për funksionimin e linjave ajrore. Fevziu shkruan se qenë në hotel kur morën lajmin:
     Reja raportohej se lëvizte me një shpejtësi prej 40 km në orë drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. Kryeministri shqiptar, që zbriti pak minuta më vonë në holl nuk i kushtoi shumë rëndësi kësaj. I rrethuar nga stafi, përfaqësues të Ambasadës dhe gazetarë, ai dukej më i fokusuar tek takimi me Presidentin Rompoi sesa te problemi i kthimit në Tiranë. Një kthim, i fiksuar për të nesërmen, në 07:10 të mëngjesit  në linjën Bruksel-Vienë-Tiranë”.[xcvii]
      Berisha erdhi në dijeni për problemin nga Fevziu. Ky shkruan:
      Pesë orë më vonë, ndërsa isha ulur në studion e improvizuar të emisionit, në një studio televizive belge pranë Komisionit Evropian, mora konfirmimin e parë: Fluturimi Bruksel-Vienë qe anuluar. Aeroporti i Brukselit qe mbyllur për një periudhë të panjohur dhe reja vullkanike po udhëtonte drejt Evropës Qëndrore.[xcviii]
      Fevziu përpiqet të shndërrojë në dramë atë që nuk është gjë tjetër veçse një peripeci e rëndomtë. Fevziu shkruan:
      Ndërsa hynte në emisionin “Opinion”, Berisha i dha porosi stafit të tij dhe Ambasadores të kontrollonin çdo mundësi për të personalisht, në mënyrë që të sigurohej kthimi. Çdo rrugë, përfshi nga Këlni, Dyseldorfi, Frankfurti apo Mynihu.[xcix]
      Fevziu nuk e shpjegon se përse, duke qenë se Berisha udhëzoi që të përdorej çdo rrugë për t’ u kthyer, të specifikohej se përfshiheshin edhe Këlni, Dyseldorfi, Frankfurti dhe Mynihu, të cilët gjenden në Gjermani! A thua se më parë këto qenë përjashtuar për ndonjë shkak? Nuk e besoj, më tepër është mënyra sesi shkruan Fevzoja ajo që sjell turbullim në thëniet e Berishës. Gjithsesi, ajo që kërkon të na thotë Fevziu është se Berisha nuk donte që të rrinte në Bruksel qoftë edhe një ditë më tepër se sa e kishte parashikuar në agjendën e vizitës së tij. Merret vesh, Fevziu kërkon të na thotë se Berisha ishte shumë i shqetësuar për punët që kishte lënë përgjysëm në Shqipëri. Por të gjitha aeroportet përreth raportohen të mbyllura njëri pas tjetrit. Berisha mund të kishte zgjedhur që të rrinte edhe disa ditë në Bruksel, qoftë edhe një javë. Në atë kohë në Shqipëri, ose edhe përreth saj, nuk kishte ndonjë situatë të veçantë që të kërkonte medoemos që Kryeministri t’ i hynte kësaj aventure për t’ u kthyer ngutshëm në Shqipëri. Berisha vendosi që ta shndërronte këtë situatë në të cilën u ndodh, në episod të ri të eposit shqiptar, ku ai si kreshnik i ri kryente një bëmë legjendare. Një situatë ideale kjo për Fevziun që të bënte lakeun medial të Berishës. Fevziu, i cili mbante shënim, si “Mevla Çelebiu” i kryeministrit Berisha, e rrëfen kështu vazhdimin e kësaj historie:
      Në orën 01: 00, stafi njoftoi Berishën dhe ai dha porosi që të niseshin ndërkohë drejt Vienës me makinë.
      -Në çdo aeroport që gjejmë rrugës dhe që është i hapur, marrim avionin për Vienë apo diku tjetër, iu tha shoqëruesve të tij.[c]
      Në këtë pikë dramatike, Fevziu vendosi që të dezertojë nga Berisha. Fevziu shkruan:
      Unë iu drejtova konsierzhit dhe i kërkova të më prenotonte një biletë treni për në Paris. Mendova që në vend të rrugës me makinë për në Evropë të udhëtoja drejt Parisit dhe të prisja atje hapjen e linjës, Paris-Romë-Tiranë ose Paris-Vienë. Atë moment as që e çoja nëpër mend që bllokimi mund të zgjaste më shumë se sa disa orë dhe mendoja se meqënëse e kisha humbur avionin e parë për në Shqipëri, mund të vijoja më pas me atë të mbrëmjes nga Parisi.[ci]
      Fevziu mendoi se Berishës mund t’ i ndodhte ndonjë gjë në udhëtimin e gjatë automobilistik nga Brukseli në Vienë, ndoshta ky rast mund të përdorej edhe për t’ i bërë ndonjë atentat të kamufluar si aksident automobilistik, që do të shpjegohej si i ardhur për shkak të resë së hirit vullkanik. Kështu që për Fevziu do të ishte më mirë që të mos e shoqëronte Berishën në këtë udhëtim. Aq më tepër që Berisha mund të kishte dëshirë ta ftonte në makinën e tij në këtë udhëtim të gjatë, për ta shtyrë kohën me biseda. Që Fevziu e kishte këtë dyshim, kjo kuptohet dhe nga fakti se ai nuk ia bëri me dije Berishës idenë e tij brilante për të udhëtuar nëpërmjet Parisit, i cili është shumë më afër Brukselit se Viena. Fevziu, qartësisht kishte frikë se mos Berisha donte të bënte të njëjtën gjë. Mund të imagjinohet lehtë se si do të shkruante Fevziu pas kthimit në Shqipëri, nëse Berisha do të kishte vdekur në një aksident automobilistik në këtë rrugëtim të gjatë:
     Vendimi fatal i Berishës. Refuzoi idenë time që të udhëtonim nëpërmjet Parisit.
      Por Fevziut nuk i funksionoi ideja për të dezertuar nga Berisha në itinerarin Bruksel-Paris:
      30 minuta më vonë konsierzhi më vështroi me shumë trishtim:
      Nuk ka asnjë biletë treni për në Paris deri më datën 19 prill, nuk mund të gjendet asnjë e vetme; nuk ka asnjë makinë me qira në gjithë zyrat e Brukselit dhe asnjë vend në autobusët që shkojnë drejt Francës, qoftë edhe me ndalesa.
      E vështrova me habi.[cii]
      Tashmë Fevziut nuk i mbetej gjë tjetër veçse të ndante fatin e tij me atë të Berishës. Fevziu e pohon vetë këtë duke thënë:
      Iu nënshtrova fatit, duke menduar se në të gjithë rastet, më mirë sesa të endesha nëpër rrugët e Brukselit, në pritje të një vendimi që askush s’ dinte të thoshte se kur do të vinte, ishte t’ i bashkohesha karvanit të Kryeministrit. Një karvani mik, që po tentonte të kthehej në Shqipëri, nëpër një rrugë prej afro 3000 km.[ciii]
      Pikërisht kësaj situate kishte dashur që t’ i shmangej Fevziu. Në ato 3000 km mund të ndodhte gjithçka. Që Berisha kishte tejdramatizuar në mënyrë të panevojshme një situatë krize natyrore, kjo kuptohet nga reagimi i autoriteteve belge dhe gjermane, për të cilin Fevziu shkruan:
      U bëra gati të ngjitesha në dhomë për të bërë gati plaçkat, kur mësova lajmet e fundit. Protokolli belg nuk lejonte që Kryeministri të nisej natën ndërsa ai gjerman nuk kishte kohë të merrte masat e sigurisë. Ambasadat gjermane në Berlin dhe Vienë qëndronin në gatishmëri por ishte thuajse e pamundur të gjeje një rrugë kthimi. Lajmet qenë edhe më të frikshme. Rrugët e Evropës qenë tejet të rënduara nga trafiku, ndërkohë që në trena nuk gjendej asnjë vend.[civ]
      Kryeministri Berisha u kishte krijuar një problem shtesë autoriteteve belge dhe gjermane të cilat kishin shumë probleme në ato momente. Gjermanët, të cilët si gjithëherë vepronin me plan, nuk kishte planizuar asgjë për një vizitë të kryeministrit shqiptar, se në rrethana normale ai thjesht që do të kishte kaluar mbi qiellin e tyre. Autoritetet belge nuk donin që të merrnin përgjegjësinë e ndonjë incidenti që mund t’ i ndodhte kryeministrit të një vendi tjetër, gjatë një udhëtimi emergjent nokturn në rrugë me trafik tejet të rënduar. Por Berisha interesohej më tepër për të bërë eposin e vet. Me vështirësi të madhe ai pranoi që ta shtynte udhëtimin për në mëngjes. Kronikani i tij, Fevziu, shkruan:
      Në orën 02:00 të mëngjesit u vendos që grupi të nisej të nesërmen dhe deri atëherë të pritej për ndonjë njoftim nga aeroportet.[cv]         
      Në fakt, ishte Berisha ai që vendosi, siç kuptohet qartë nga konteksti i rrëfimit të Fevziut. Fevziu nuk kishte çfarë të bënte dhe u detyrua që ta ndiqte Berishën në këtë udhëtim të gjatë automobilistik përmes Europës. Fevziu e përshkruan kështu atë që ndodhi të nesërmen, në 16 prill:
      E premtja në mëngjes qe e mbushur me lajme konfuze. Pyeta sërish për Parisin dhe më thanë se tashmë bileta e vetme që mund të prenotohej i takonte datës 22 prill. Poshtë, shtabi i emergjencës i Kryeministrit, me Ambasadoren, shoqëruesin e tij dhe protokollin e sigurinë belge, qenë në pritje të një njoftimi të fundit. Në orën 10: 00 aeroporti do të jepte një konferencë shtypi, në të cilën do të njoftonte nëse lejohej fluturimi apo jo. Në orën 10: 05 lajmi qe dëshpërues. Aeroporti do të qëndronte i mbyllur deri në datën 17 ora 18:00, por edhe ky nuk është njoftim përfundimtar. Rojet belge njoftuan që eskorta do të nisej dhe morën përsipër që në autokolonë të hynte edhe një mikrobuz me gazetarë, kameramanë dhe persona të tjera që kishin shoqëruar vizitën.
      Nisemi, tha Berisha dhe zbriti në holl 5 minuta më vonë. Makina Audi A8 e blinduar e Kryeministrit, makina e sigurisë dhe makinat e policisë bashkë me makinat e Ambasadës u nisën drejt Gjermanisë. Itinerari i ndryshueshëm në çdo rast ishte përcaktuar në përgjithësi: Bruksel-Aachen-Këln-Frankfurt-Nurenberg-Linz-Vienë. Një udhëtim që sipas klikimit që kisha bërë në google, ishte plot 1108 km dhe zgjaste 11 orë e 50 minuta. Pa llogaritur qëndrimet e vogla, ndryshimet e eskortave nga një land në tjetrin dhe gjithë vonesat që shkakton zakonisht një udhëtim i tillë.[cvi]
      Pra Berishës i duhej që të priste deri të nesërmen pasdite për të parë nëse aeroporti i Brukselit do të hapej apo jo. Nëse jo, Berisha mund të nisej të pasnesërmen. E vetmja gjë që do të humbte ai në këtë rast ishte drama që kishte sajuar në rrethanat e krijuara. Dhe Berisha nuk donte që ta humbte për asgjë në botë këtë dramë, aq më tepër që kishte dhe Fevziun si kronikan. Fevzoja, si kronikan i zellshëm, bëri gjithçka për të treguar çdo aspekt të situatës dramatike në të cilën u gjend së bashku me Berishën, duke bërë dhe kërkime në Google. Aventura e Berishës, e sajuar nga vetë ky i fundit, erdhi duke u bërë më dramatike për shkak të rrethanave që sa vinte dhe ndërlikoheshin. Fevziu shkruan:
      U nisëm. Në Nurenberg na priste përfaqësia e Ambasadës shqiptare në Berlin dhe në kufirin gjermano-austriak, ajo e Ambasadës në Vienë. Rrugët e Evropës qenë të ngarkuara dhe kalimi mes për mes Gjermanisë, pa asnjë ndalesë, po ashtu i lodhshëm. Eskorta dhe Benzi i blinduar që gjermanët nxorrën në kufi çanin me sirena në një trafik të rënduar dyfish nga qiejt e mbyllur të Evropës.
      Kur mbërritëm në Nurenberg morën lajmin tjetër: Aeroporti i Vienës po mbyllej atë moment dhe bashkë me të edhe ai i Budapestit. Mbetej Maribori i Sllovenisë, i cili siç na u tha 30 minuta më vonë, po ashtu qe mbyllur. E vetmja që operonte ishte Alitalia nga Roma, sepse aeroportet e Milanos, Venecias dhe Triestes qenë mbyllur. Na njoftuan se reja vullkanike po zbriste drejt Tiranës, por se për momentin aeroporti qe ende i hapur. 30 minuta më vonë na njoftuan se Aeroporti i Vienës qe mbyllur vetëm sot dhe se të nesërmen në mëngjes do të hapej sërish.
      Rreth orës 02:00 të mëngjesit hymë në Vienë… Kishim udhëtuar 15 orë përmes Evropës dhe askush nuk mund të thoshte nëse do të niseshim dot të nesërmen. Autokolona qe shpërndarë dhe mendova se vuajtja e izolimi do të merrnin fund së paku të nesërmen.[cvii]
      Ndonëse Fevziu përpiqet shumë që ta paraqesë këtë ndodhi si një dramë, ajo në fakt është thjesht një komedi, ashtu siç ndodh gjithëherë kur një njeri vanitoz kërkon të sajojë një dramë, siç bëri Berisha në këtë rast. Fevziu nuk mungon që të futë në këtë reportazh edhe momente dramatike të komunikimit të tij me Berishën, siç bën në këtë rast:
      Mbasdite u ktheva nga shëtitja në qytet dhe Kryeministri ishte në holl, i shoqëruar nga disa funksionarë të Ambasadës.
      Nuk fluturojmë dot as sot, më tha, por po shohim nesër në mëngjes!
      Vetëm me makinë mos ikim, i thashë duke qeshur.
      Nëse duhet po, më tha.
      Atëherë duhet të vij edhe unë me ju, i thashë.[cviii]
      A thua nuk e kuptonte Fevziu se kjo që po luanin ata të dy nuk ishte një dramë por një komedi? Të nesërmen në mëngjes nuk ishte e mundur të udhëtohej me aeroplan, kështu që Berisha vazhdoi udhëtimin automobilistik. Fevziu shkruan:
      Ne po nisemi me makinë, më tha Berisha pak më vonë kur zbrita në holl. Po flas sot me Ambasadën. Nëse vjen me ne duhet të jesh gati. Nisemi ose sot, në 11 të natës me makinë dhe ndalojmë në Split, ose nesër në 5 të mëngjesit dhe vijojmë deri në Tiranë.
      Të gjithë ata që qenë rrotull sugjeruan që zgjidhja më e mirë ishte ndalimi në Dubrovnik për një natë dhe vijimi për në Tiranë të nesërmen. Ideja për ta arritur Tiranën brenda ditës në 1300 km jo autostradë dukej e pamundur.[cix]
      Nuk mund të mos pyesësh përse gjithë ky ngut i madh i Berishës? Arsyeja e vetme ishte drama që kishte sajuar ai për eposin personal. Berisha hoqi dorë nga ideja për të udhëtuar natën pandërprerje nga Viena në Tiranë, për shkak se në Vienë do të takonte… Fatos Nanon, ish-armikun e tij të hershëm politik, për të darkuar me të. Fevziu nuk mund të mungonte në këtë takim:
      Pak më vonë, kur hyra në restorantin ‘Le Ciel’ një restorant francez në katin e fundit të hotelit, i pashë në tavolinën e parë afër derës. I përshëndeta me shaka dhe u ula pak më larg. Vura re se Berisha po e informonte për vizitën në Bruksel dhe takimet që kish pasur atje.
      Qëndruan bashkë më shumë se 3 orë, dhe 20 minutat e fundit, bashkë me një koleg iu bashkuam për një kafe.[cx]
      Fevziu vazhdon me kronikën e tij mbi këtë aventurë të Berishës:
      Në orën 5 të mëngjesit autokolona ishte gati përpara Hotel Grand. Një autokolonë që siç e kisha parë në Google, duhej të përshkruante plot 1000 km deri në Dubrovnik, në rrugën drejt Shqipërisë.[cxi]
      Berisha kishte vendosur që ta çonte marrëzinë e tij deri në fund. Epigrami i saj mund të jenë fare mirë fjalët e Fevziut:
      Një udhëtim që po vijonte prej 72 orësh, në mungesë të dy fluturimeve prej 3 orësh gjithsej. Udhëtimi qe i gjatë dhe i lodhshëm. Një udhëtim gjatë gjithë Ballkanit, nëpër Austri, Slloveni, Kroaci, i shoqëruar nga eskorta policie, makinat e ambasadave dhe shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, që kishin dalë të takonin Kryeministrin e Shqipërisë.[cxii]
      Më saktë do të ishte të thuhej, jo një udhëtim që vazhdonte prej 72 orësh, por një marrëzi që po vazhdonte që prej 72 orësh, dhe që mund të ishte shmangur nëse Kryeministri do të kishte pritur edhe 72 orë të tjera veç atyre që udhëtoi, për të ardhur nga Brukseli në Tiranë për 3 orë. Gjithsesi nuk mund të mohohet se në këtë vanitet të Berishës kishte dhe një llogari makiavelike prej politikani. Berisha 66 vjeçar, deshi ta përdorte këtë situatë për t’ i treguar botës se ai ishte i aftë fizikisht që të përballonte sfida të tilla, pra se gëzonte shëndet shumë të mirë. Fevziu ishte në dijeni për këtë ide të Berishës, prandaj kujdeset të na thotë se:
      Berisha e kalonte kohën në makinë, duke lexuar lajme dhe komentet në internet, në Black Berry-n e tij dhe duke folur në telefon.[cxiii]
      Nënkuptimi i Fevziut është se Berisha nuk flinte gjatë udhëtimit të gjatë, por vazhdonte të punonte. Vetëm me atë se Berisha, në kalkulusin e vet ishte duke e përdorur këtë situatë për të demonstruar fuqitë e tij fizike, mund të shpjegohet vendimi i Berishës për të mos ndaluar në Dubrovnik, siç ishte plani fillestar. Fevziu shkruan:
      Në orën 16:00 autokolona ndaloi për drekë në afërsi të Dubrovnikut.
      Jemi afër i thashë Ambasadorit, përse ndaluan?
      Nuk do të qëndrojmë në Dubrovnik, tha, Kryeministri ka vendosur të vijojë më tej.
      Kalkulova edhe 5 orë e gjysmë udhëtimi më shumë, që të gjitha bashkë e çonin udhëtimin në 1300 km dhe me gjithë ndalesat në afro 17 orë e gjysmë.[cxiv]
      Fevziu e ka fjalën këtu vetëm për etapën e dytë të udhëtimit, që nga Viena deri në kufirin malazezo-shqiptar. Fevziu nuk mungon që ta pasurojë rrëfimin e tij dhe me detaje të tilla që i japin Berishës një hije napoleoniane, si ky në kufirin kroato-malazez:
      Kryeministri qëndroi t’ u japë dorën shoqëruesve kroatë, siç kish bërë gjatë gjithë udhëtimit me eskortat ndërsa mbi 10 roje e rrethuan menjëherë.[cxv]
      Policët belgë, gjermanë, austriakë, sllovenë, kroatë, malazezë e shikonin këtë burrë që afrohej për t’ i përshëndetur dhe nuk e kuptonin se përse rendte ditë e natë nga njëri skaj i Europës në tjetrin, në shi e mjegull, si demon. Fevziu e përshkruan kështu përfundimin e kësaj aventure:
      Mali i Zi ishte i gjithi nën shi, por eskortimi dhe nxitimi i eskortës, arriti të na nxjerrë në orën 22: 30 në Murriqan. Dhejtëra kamera kishin ndriçuar me blitzet e tyre pikën e përbashkët kufitare. Berisha zbriti për t’ ju dhënë një deklaratë të shkurtër dhe pak minuta më pas vijuam.[cxvi]
      Është domethënëse që Berisha kishte urdhëruar që mbyllja spektakolare e aventurës dramatike të tij të mos organizohej me arritjen e tij në Tiranë, por me arritjen në kufirin shqiptar, ku Kryeministri do të vihej përballë me kamerat televizive dhe fotoaparatet e gazetarëve që shkrepnin. Berisha nuk mund të kalonte pa bujë nga kufiri në Tiranë. Drama kishte përfunduar në kufi. Për vazhdimin e udhëtimit, Fevziu thotë thjesht:
      Afër mesnatës hymë në Tiranë.[cxvii]
Ishte 18 prill. E shumta 48 orë më pas, Berisha mund të kishte udhëtuar me aeroplan nga Brukseli në Tiranë. Por Berisha nuk duket të jetë penguar për atë që bëri. Në fantazinë e tij, ai triumfoi ndaj Vullkanit Eyjafjallajokull si një kreshnik i vërtetë, një kreshnik me fat që pati pranë dhe një rapsod të aftë si Fevziun. Gjatë këtij udhëtimi Fevziut i kishte lindur edhe ideja e romanit “Hiri i Vullkanit” të cilin do ta botonte në fund të atij viti dhe ku nuk do të mungonte të përmendej edhe Kryeministri Berisha.


[i] Gazeta “Aleanca”, 9 qershor 1995, f. 2
[ii]http://bushlibrary.tamu.edu/research/pdfs/Press--Meetings%20with%20Foreigners%201992.pdf
[iii] Gazeta “Aleanca”, 9 qershor 1995, f. 2
[iv] po atje: f. 2
[v] po atje: f. 2
[vi]http://archives.clintonpresidentialcenter.org/?u=080395-statement-on-president-meeting-with-albanian-president.htm
[vii] Revista “Klan”, 20 gusht 2000, f. 6
[viii] Gazeta “Aleanca”, 9 qershor 1995, f. 2
[ix] “Zëri i Popullit”, 15 shtator 1995, f. 1
[x] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botimi i Grupimit Brezi 22, Tiranë 1996, f. 32
[xi] po atje: f. 32
[xii] Gazeta “Koha Jonë”, 10 shkurt 2008, f. 5
[xiii] po atje: f. 5
[xiv] po atje: f. 5
[xv] po atje: f. 5       
[xvi] po atje: f. 5
[xvii] po atje: f. 5
[xviii] Gazeta “Koha Jonë”, 28 mars 2008, f. 9
[xix] po atje: f. 9
[xx] po atje: f. 9
[xxi] po atje: f. 9
[xxii] po atje: f. 9
[xxiii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 51
[xxiv] po atje: f. 81
[xxv]Të dhënat biografike për Rexhep Pashë Matin mund t’ i gjeni edhe në: “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2008, vëllimi 2, f. 1655
[xxvi] Eqrem bej Vlora, “Kujtime”, Shtëpia botuese e Librit dhe Komunikimit, vëllimi 1, Tiranë 2001, f. 215
[xxvii] po atje: f. 214
[xxviii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 81
[xxix] po atje: f. 80
[xxx] Graham Greene, “Konsulli i nderit”, Shtëpia botuese ADA, Tiranë 2007, f. 242
[xxxi] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 78-79
[xxxii] Eqrem bej Vlora, “Kujtime”, Shtëpia e Librit & Komunikimit, Tiranë 2001, Vëllimi I, f. 322, 323, 324, 325
[xxxiii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 271
[xxxiv] po atje: f. 268
[xxxv] Gazeta “Panorama”, 8 tetor 2011, f. 19
[xxxvi] Ramiz Alia, “Jeta ime”, Botime “Toena”, Tiranë 2010, f. 38
[xxxvii] Gazeta “Korrieri”, 12 shkurt 2004, f. 8
[xxxviii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 221
[xxxix] Gazeta “Mapo”, 7 shtator 2010
[xl] po atje
[xli] po atje
[xlii] Blendi Fevziu, “Para dhe pas kamerave”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 1999, f. 73
[xliii] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 37
[xliv] Blendi Fevziu, “Gjysma tjetër e botës”, Botim i Brezit 22, Tiranë 1996, f. 6
[xlv] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 127
[xlvi]Revista “Klan”, 17 maj 1998, f. 34
[xlvii]Faik Konica, “Sfondi historik i konfliktit shqiptaro-grek”, Vepra, vëllimi 3, Botimet “Dudaj”, Tiranë 2001, f. 439
[xlviii] Blendi Fevziu, “Histori e shtypit shqiptar: 1848: 2005”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2005, f. 5
[xlix] po atje: f. 5
[l] po atje: f. 5
[li] po atje: f. 43
[lii] po atje: f. 58
[liii] po atje: f. 50- 51
[liv] po atje: f. 51
[lv] po atje: f. 7
[lvi] po atje: f. 8
[lvii] po atje: f. 9
[lviii] po atje: f. 26
[lix] po atje: f. 29
[lx] po atje: f. 41-42
[lxi] po atje: f. 32
[lxii] po atje: f. 120
[lxiii] po atje: f. 44
[lxiv] po atje: f. 46
[lxv] Shih: “Hylli i Dritës”, nr. 1(220), Tiranë 1993
[lxvi] po atje: f. 1-3
[lxvii] Blendi Fevziu, “Histori e shtypit shqiptar: 1848: 2005”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2005, f. 74
[lxviii] po atje: f. 76-77
[lxix] po atje: f. 78
[lxx] po atje: f. 79
[lxxi] po atje: f. 93
[lxxii] po atje: f. 97
[lxxiii] po atje: f. 97
[lxxiv] po atje: f. 97
[lxxv] po atje: f. 99
[lxxvi] po atje: f. 98
[lxxvii] po atje: f. 100
[lxxviii] po atje: f. 100
[lxxix] po atje: f. 100
[lxxx] po atje: f. 101
[lxxxi] po atje: f. 107
[lxxxii] po atje: f. 111
[lxxxiii] po atje: f. 113
[lxxxiv] po atje: f. 115
[lxxxv] po atje: f. 126
[lxxxvi] po atje: f. 127
[lxxxvii] po atje: f. 127
[lxxxviii] po atje: f. 133
[lxxxix]Prof. dr. Uran Asllani, “Studentët shqiptarë të Robert Kolegjit Amerikan të Stambollit dhe veprimtaria e tyre”, “Ilar”, Tiranë 2005
[xc] Blendi Fevziu, “Histori e shtypit shqiptar: 1848: 2005”, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2005, f. 93-105
[xci] Edi Rama, “Kurban”, Botime “Dudaj”, Tiranë 2011, f. 166
[xcii] po atje: 170
[xciii] po atje: f. 243-244
[xciv] po atje: f. 280-281
[xcv] po atje: f. 338- 339
[xcvi] po atje: f. 246
[xcvii]Gazeta “Panorama”, 20 prill 2010, f. 2
[xcviii] po atje: f. 2
[xcix] po atje: f. 2
[c] po atje: f. 2
[ci] po atje: f. 2
[cii] po atje: f. 2
[ciii] po atje: f. 2
[civ] po atje: f. 2
[cv] po atje: f. 2
[cvi] po atje: f. 2
[cvii] po atje: f. 2
[cviii] po atje: f. 2
[cix] po atje: f. 3
[cx] po atje: f. 3
[cxi] po atje: f. 3
[cxii] po atje: f. 3
[cxiii] po atje: f. 3
[cxiv] po atje: f. 3
[cxv] po atje: f. 3
[cxvi] po atje: f. 3
[cxvii] po atje: f. 3