Pasqyra gjermane e Francës



 Nga Dominique Moisi

Aeroporti “Tegel” i Berlinit, i cili ende i mirëpret shumicën e pasagjerëve që arrijnë në kryeqytetin e ekonomisë prijëse të Evropës, është i dalë mode dhe provincial. Hapja e aeroportit “Schonefeld”, i transformuar në një çerdhe ndërkombëtare, është shtyrë për më shumë se një vit për shkaqe teknike (diçka që e sfidon reputacionin e Gjermanisë për efikasitet). Prapëseprapë, pavarësisht të ftohtit dhe zymtësisë së marsit në Evropën Qendrore, Berlini reflekton vetëbesim. Më shumë se kurrë, qyteti është shndërruar në një punishte - konfuz, jo fort i bukur dhe i stërngarkuar me histori.Berlini është një zonë ndërtimi që ia ka dalë t’i transformojë të kaluarat e saj të shumta në një energji pozitive. “Shkatërrimi i diversitetit: Berlini 1933-1938” është një temë unifikuese e serive të ekspozitave që po shënojnë tetëdhjetëvjetorin e ardhjes në pushtet te Hitlerit dhe 75-vjetorin e “Pogromnacht”. Në “Deutsches Historisches Muzeum on Unter den Linden”, klasa të tëra nxënësish dhe studentësh vërshojnë në ekspozitë për të kujtuar shkatërrimin e kryer nga një regjim kriminal, veglat e të cilit, prej megafonave e deri të uniformat dhe armët, janë ekspozuar në një mënyrë edukative. Berlinezët e rinj nuk mund ta injorojnë se prej nga vijnë. Prapëseprapë, mbase për shkak të së kaluarës që ende kumbon si një paralajmërim - dhe që ende është e dukshme në topografinë dhe arkitekturën e qytetit të sotëm - Berlini është mahnitës në thjeshtësinë e vet, modernitetin e tij rrezatues (të simbolizuar nga kupola e xhamtë e Reichstagut, një koncept i arkitektit britanik, Norman Foster), dhe, mbi të gjitha, intensiteti i tij.
Ajo energji pozitive është në kundërshtim me bukurinë e errët dekadente të Parisit, një qytet që është në shtegun e “muzeifikimit”. Afërmendsh, nëse keni luksin të jetoni aty, Parisi mbetet një vend i mrekullueshëm për të jetuar. Por Berlini është një vend më i mirë për të punuar, madje edhe nëse nuk paguheni mirë. Portieri që m’i solli valixhet në hotel ishte me origjinë tuniziane. Ai është një berlinez i lumtur dhe një gjerman i ri krenar. Dhe, madje edhe me një pagë të ulët, ai ia del të jetojë dhe të rrisë fëmijët e tij në këtë qytet. Falë kostove të moderuara të banimit, Berlini, ndryshe prej Parisit, nuk është shndërruar në një geto për të pasurit. Ndryshe prej francezëve, të cilët janë të hendikepuar shkaku i kostos së lartë të banimit, fuqia e shitblerjes së gjermanëve është më e baraspeshuar dhe më harmonike, duke krijuar më shumë konsum patundshmërish që i kontribuon rritjes ekonomike. Energjia pozitive e Gjermanisë afërmendsh se është rezultat i suksesit të përkthyer në vetëbesim, të cilën e inkarnon me fuqi dhe thjeshtësi kancelarja Angela Merkel.
Merkel, gjatë kohës së qeverisjes, ka ndryshuar me themel. Para pesë vjetësh, ajo nuk reflektonte autoritetin natyral që e gëzon tani. Sot, sikur Papa Françesku, ajo qartësisht është rehat me veten. A ka pasur ndonjë president francez që nga François Mitterrandi që përnjëmend do të ishte çifti i një kancelari gjerman? Nëse Franca e ka zëvendësuar Gjermaninë si “e sëmura e Evropës”, kjo ka ndodhur mbi të gjitha për arsye politike: vizioni, kuraja dhe fuqia në anën veriore të Rinit, dhe pavendosmëria, inercia dhe dobësia në anën jugore. Natyrisht, duke marrë parasysh pagat së tepërmi të ulëta trendët negativ demografikë, Gjermania do të vazhdojë të përballet me vështirësi. Por të vësh theksin vetëm te këto probleme, sikur bëjnë shumë francezë, është një përjashtim i mjerë. Demografia gjermane nuk mund të përshkruhet si një zgjidhje për papunësinë e rinisë franceze, edhe pse dikush mund të mbështetet në një slogan si ky: “Ata nuk kanë rini, rinia nuk ka vende pune - çfarë çifti i përsosur!” Një ndjesi e tillë e përhapur gjerësisht në mënyrë të papërgjegjshme pretendon se koha po punon në të mirë të Francës, pavarësisht nëse ajo zbaton apo jo reforma strukturore. Drejtimi i tanishëm i Francës është një burim shqetësimi i thellë në Gjermani, evolucioni i së cilës duhet të shihet në Francë si një burim frymëzimi - një model që duhet ndjekur, edhe nëse vendi nuk arrin të ketë një vetëkënaqësi të arsyeshme. Prapëseprapë, debati i tanishëm në Francë për modelin gjerman na kujton frikën e diskutimeve që pasoi mposhtjen e Francës në luftën franko-prusiane. Në qershor të vitit 1871, pak pas përfundimit të luftës, burrështetasi francez, Leon Gambetta, deklamoi: Kundërshtarët tanë kanë fituar, sepse u mbështetën në largpamësinë, disiplinën dhe shkencën e tyre”. Gjermania duket se ende mund të mbështetet në ato vlera të veta. Tani dallimi kryesor është se procesi të unifikimit evropian përjashton luftën - madje edhe luftën ekonomike - ndërmjet dy shteteve. Përkundrazi, në pasqyrën e Gjermanisë, francezët duhet t’i bëjnë vetes pyetje themelore. A i kanë bërë ata zgjidhjet e duhura në kuptimin e përzgjedhjes së liderëve dhe politikave në dekadat e fundit? Vendet e pushtetit në Francë nuk inkurajojnë modesti. Në librin e tij të fundit, “Days of Power”, ish-ministri i Agrikulturës, Bruno Le Maire, shkruan me vetëdije të plotë për ndërtesën ku banon homologu i tij danez në Kopenhagë, të cilën e krahason me një objekt të një pronari me pagë të ulët. Me kaq shumë salltanet, kaq shumë blloqe të vjetruara dhe një mungese dinamizmi, Franca sot mund dhe duhet të mësojë prej Gjermanisë.
Autori është këshilltar i lartë në IFRI (Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare). Marrë nga “Project Syndicate”

Related Posts: