O e Gurit të Zi, o e Vardarit


Nga Kastriot Myftaraj

8/10 gusht 2010

        Çfarë mendoni ju se është njeriu i cili ka shkruar kështu për veten në një artikull në gazetë: “Autori i këtyre rreshtave ishte njeriu, i cili nxiti më shumë shkrepje aparati me hyrjen e tij në pritjen e organizuar në ambasadën e SHBA-ve, me rastin e 4 Korrikut”. (“Koha e Re”, Shkup, 6 korrik 2010)
       Është fjala për pritjen në ambasadën amerikane në Shkup, në 4 korrik të këtij viti. Lexuesi sigurisht që do të mendojë se njeriu i cili shkruan kështu, është ose politikan, ose këngëtar, ose aktor. E pra, nuk është asnjë nga këta. Ai është imami i Xhamisë së Isa Begut në Shkup, Ramadan Ramadani. Hoxha është edhe kolumnist në shtyp dhe këtë episod e përshkruan triumfalisht në një kolumne të vetën të botuar dy ditë më pas. Atje hoxha e shpjegon edhe arsyen e kësaj vëmendjeje të veçantë ndaj tij: “Kjo pasi ndodhitë në dhe rreth xhamisë, ku unë shërbej si ligjërues tani që shtat vjet, ishin shumë të freskëta në opinion”. (“Koha e Re”, Shkup, 6 korrik 2010)
        Ajo që ndodhi në dhe rreth xhamisë së hoxhës ishte se në 25 qershor 2010, nëntë ditë para se të mbahej pritja, pati një përleshje masive të besimtarëve mesveti. Të dërguarit e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, shkuan të marrin nën kontroll xhaminë, pasiqë më vendim të kryetarit të Bashkësisë Islame Sulejman Rexhepi, ishte shkarkuar imam Ramadani, i akuzuar për ushtrimin e praktikave religjioze në kundërshtim me linjën e Bashkësisë Islame. Hoxha akuzohej si ekstremist islamik dhe nën zë si wehabit. Në fakt të dy palët, si Bashkësia Islame, ashtu dhe imam Ramadani e ushtrojnë fenë islame në sens wehabit, me ezanin që thirret në arabisht nga megafonët e minareve të xhamive. Kështu që konflikti mes tyre nuk ka të bëjë me religjionin por me interesa të tjera. Të dërguarit e Bashkësisë Islame ndeshën në kundërshtimin e dhunshëm të përkrahësve të imamit të shkarkuar. Ajo çka të bën përshtypje në këtë histori është roli i ambasadës amerikane në Shkup. Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Sulejman Rexhepi, është njeriu i amerikanëve, ai ka ardhur në këtë post me mbështetjen e amerikanëve, të cilët sikur dihet janë shumë të ndjeshëm për cështjet religjioze në Ballkan, tekefundit, ashtu si dhe europianët. Sulejman Rexhepi, një njeri shumë i afërt i ambasadës amerikane në Shkup, nuk mund ta ndërmerrte këtë aventurë, që të merrte nën kontroll xhaminë e rebeluar të Isa Begut, më e madhja në Maqedoni, pa miratimin e amerikanëve.
        Por, habia është se nëntë ditë pas konfliktit në xhaminë e Isa Begut, imam Ramadani ishte i ftuar në pritjen që dha ambasada amerikane në Shkup për festën zyrtare të SHBA-ve. Kjo gjë habiti shumë njerëz në Maqedoni dhe inkurajoi mbështetësit e imam Ramadanit. Amerikanët kanë praktikën që të shpallin të ashtuquajturat lista të zeza, me personat e padëshiruar për ta, ku vazhdimisht ka pasur edhe shqiptarë të Maqedonisë, deri edhe politikanë. Pas incidentit në Xhaminë e Isa Begut, ishte pritur që imam Ramadani të ishte në listën e zezë të amerikanëve. Por ndodhi e kundërta. Nëse doni një përgjigje për këtë pyetje duhet të lexoni shkrimin tim “Lobi saudit në Washington dhe Shqipëria” ku unë tregoj për ekzistencën e një lobi shumë të fuqishëm saudit në kryeqytetin amerikan, i cili influencon politikën amerikane në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, për të mbështetur ushtrimin e ritualit wehabit nga ana e muslimanëve shqiptarë. Prej këtej qëndrimi i ambasadës amerikane në Shkup ndaj këtij incidenti mes imam Ramadanit dhe Bashkësisë Islame.
        Rezultati final i të gjithë kësaj do të jetë instalimi i një konflikti subreligjioz ndërmjet muslimanëve suni shqiptarë në Maqedoni. E gjithë kjo ka një interes të madh për perëndimorët dhe në rradhë të parë për amerikanët, të cilët janë fuqia perëndimore, e cila më së shumti është e angazhuar në botën islame. Strategjia e Perëndimit dhe posaçërisht e SHBA për të neutralizuar dhe kontrolluar botën islame është nxitja e konfliktit ndërislamik, jo veç mes shitëve dhe sunive, por edhe brenda vetë sunive. Prej këtej një nga arsyet e mbështetjes që Wehabizmi në Arabinë Saudite ka pasur dhe ka mbështetjen e SHBA. Incidenti në Xhaminë e Isa Beg është një eksperiment i kryerjes së kësaj strategjie. Natyrisht se amerikanët kanë interesa strategjike në hapësirën shqiptare në dy anët e kufirit, por nëse këto interesa nuk do të jenë kompatibël me paradigmat globale amerikane, si ajo që përmenda më lart, atëherë do të sakrifikohen pa hezitim.         
        Partitë politike shqiptare në Maqedoni u pozicionuan pas incidentit, por shumë pak e kuptuan atë. PDSH e Mehduh Thaçit, në opozitë, në një konferencë për median denoncoi mosemetimin e kronikës televizive për ngjarjen nga ana e Alsat-M, si dhe imam Ramadanin: “Në materialin filmik shihet se si hordhitë dhe bandat kriminele të Izet Mexhitit, të cilët tashmë një kohë të gjatë terrorizojnë shqiptarët e Shkupit së bashku me mbeturinën e shërbimit sekret,satrapin e shejtanin Ramadan Ramadani i veshur si hoxhë, përndryshe vëllau i Sasho Ordanovskit, sulmon xhematin në xhaminë ‘Isa Beg’ në Shkup…  Të gjith këta janë anëtarë të shoqatës për sigurim ‘Shpata’ përndryshe dora e zgjatur e krimit që reketon, dhunon e kërcenon shqiptarët dhe biznesin e tyre… Kush ia ka dhënë licencën për punë kësaj shoqate për sigurim ‘Shpata’-përndryshe organizate kriminale që reketon ,kërcënon e dhunon shqiptarët në Shkup?”.
        Kështu partia e dytë shqiptare në Maqedoni bëri të ditur se në vend ekziston, me status legal, një forcë paramilitare ëehabite, e kamufluar pas një shoqate private për siguri, çka i lejon asaj të posedojë armatim, të kryejë stërvitje të llojit ushtarako-policor dhe të mbajë një grupim legal të armatosur, të përqëndruar në Xhaminë e Isa Begut në Shkup. Merret vesh, këtë shoqatë e kanë lejuar autoritetet maqedone, duke pasur mendimin e mbrapshtë se kështu do të nxisin edhe më tej konfliktin ndërmjet shqiptarëve. Bashkësia Islame e Maqedonisë, në një komunikatë të saj u ankua se policia maqedone nuk kishte pranuar të vepronte pas denoncimit të saj për ngjarjen në xhaminë e Isa Begut. Maqedonët qartësisht mendojnë se zgjidhja më e mirë është që shqiptarët të vriten mesveti.
        Në komunikatën për media të PDSH thuhej se dhunuesit qenë njerëz të BDI, partisë shqiptare në pushtet. E gjithë ngjarja u filmua nga tv Alsat-M, por nuk u emetua për shkak të ndërhyrjes së partisë në pushtet BDI. Megjithatë video qarkulloi në youtube pasi u paraqit në një koferencë për mediat të partisë tjetër shqiptare, PDSH. Ky projektim i konfliktit religjioz në politikën shqiptare në Maqedoni është një histori më vete. Por vrulli i PDSH ra kur imam Ramadani hyri triumfalisht në ambasadën amerikane në Shkup, katër ditë pas deklaratës së PDSH.
        Gjithsesi, politikanët shqiptarë këtë herë refuzuan ta marrin rolin e yllit medial dhe ia lanë krejt skenën atij më të shkathtit, hoxhës së Xhamisë së Isa Begut. Hoxhë efendia qartësisht e shijon shumë këtë situatë të re për të. Ai ka një sens të veçantë të spektaklit. Në vitin 2009 hoxhë Ramadani ishte i ftuar në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës, në Top Channel, ku u diskutua për shqiptarët e Maqedonisë. Hoxha ekzotik ishte një ndër pesë të ftuarit së bashku me Kim Mehmetin dhe dy mësimdhënësit e Universitetit të Europës Juglindore, në Tetovë, Salajdin Salihu dhe Ymer Ismaili.
        Hoxhë Ramadani edhe këtu tregoi se e ka sensin e talk show, pasiqe emisioni filloi pikërisht me pëlqimin që ka hoxha për këngëtaren Tuna, gjë që e habiti disi drejtuesen e emisionit. Kundërshtarët e Hoxhë Ramadanit bënë një video të cilën e vendosën në youtube ku paraqitej kjo sekuencë nga emisioni si dhe disa fotografi të Tunës, ku duhet të kesh një elegancë të veçantë etike për ta quajtur veshje performancën elegante të saj në zhveshje. Por imam Ramadani nuk ka gjasa që të jetë pezmatuar nga kjo gjë. Në të vërtetë ai bën të njëjtën gjë që bënin politikanët stalinistë të Kominternit në vendet perëndimore dikur. Ata, derisa predikonin dhe ushtronin stalinizmin në partitë e veta komuniste, shtireshin sikur pëlqenin këngëtaret ekstravagante “borgjeze”, çka e bënin për të fituar popullaritet tek rinia dhe për t’ u dukur më pak të frikëshëm se sa i paraqesnin kundërshtarët e tyre. Natyrisht se, kur vinin në pushtet, ata tregonin një fytyrë tjetër, dhe “Tunat” përfundonin në kampet e punës së detyruar së bashku me adhuruesit e tyre.
        Pikërisht në 4 korrik 2010, në ditën kur imam Ramadani do të shkonte në ambasadën amerikane, si i ftuar në pritjen për festën zyrtare, gazeta ku ai është kolumnist, “Koha e Re”, botoi një lajm me titull “Triumfoi paqja në Isa beg”, i cili qartësisht ishte shkruar nga vetë imami. Në këtë lajm thuhej: “Në xhaminë “Isa Beg”, të Shkupit triumfoi paqja dhe qetësia. Mijëra besimtarë të konfesionit islam të premten e kryen ritin fetar, faljen e namazit të xhumasë pa asnjë problem. Kjo njëherësh i demantoi disa informacione se për shkak të incidentit që ndodhi të premten e kaluar nuk do të falet namazi i xhumasë në ‘Isa Beg’. Incidenti javën e kaluar ndodhi si rezultat i mosmarrëveshjeve mes përfaqësuesve të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM) dhe imamit aktual të xhamisë ‘Isa Beg’, Ramadan Ramadani, i cili të premten ua fali namazin e xhumasë besimtarëve myslimanë. ‘Jemi dëshmitarë se u kthye qetësia në shtëpinë e Zotit dhe në xhaminë më të madhe dhe në vakëfin më të madh në Maqedoni të ‘Isa Beg’-ut. Kjo nuk është luftë për ‘Isa Beg’-un e asnjë problemi për xhaminë dhe xhematin, por për kthimin e autonomisë së xhamisë dhe të çdo punonjësi fetar në Maqedoni”, deklaroi imami i xhamisë, Ramadani”.
        Titulli më i saktë do të ishte “Triumfoi dajaku në ‘Isa Beg”. Kësaj i thonë Pax Ramadanicus, paqe me dajak, dhe nëse dikush nga xhemati nuk është i bindur, një shenjë bën komandant Ramadani (apo mos është më mirë të quhet Komandant “Tuna”?) dhe djemtë e “Shpata” e shtrojnë në dajak sa “vëllau” të mos përkulet dot në sexhde deri në daljen e albumit të ri të Tunës. Hoxhë Ramadani, alias Komandant “Tuna” e ushtron ritin sipas asaj këngës së Tunës “E boj nxehtë”: “Sonte du me nejt me ty./Yeah e boj nxet/e kom let/e boj nxet, veq per mu kce./E she sa muj met lon permas,/kur une i dho ma shum gaz/lsho veten se me shum t’ pelqen/ sa herë pe e nin zonin tem”.
        WOW! Allahu Akbar!
        Pasi imam Ramadani, alias Komandant “Tuna”, u ftua në ambasadën amerikane në 4 korrik të këtij viti, ai dy ditë më pas botoi në gazetën “Koha e Re” kolumnen me titull “Sandokani”, (ajo ku rrëfeu për vajtjen e tij triumfale në ambasadën amerikane), ku “Sandokan” quante kryetarin e PDSH, Menduh Thaçi, të cilin e etiketonte si pirat. Hoxhë Ramadani nuk guxoi t’ i përgjigjej publikisht Menduh Thaçit para se të shkonte në ambasadën amerikane. Pasi doli triumfalisht nga ambasada amerikane hoxha u trimerua aq sa e quajti Menduh Thaçin “Sandokan”. Menduh Thaçi sigurisht që mund të kritikohet për shumë gjëra, por në këtë rast ka diçka shumë shqetësuese.  
        Në kohën që Hoxhë Ramadani nuk merret me punët e xhamisë, dhe me Tunën, ai merret me problemet e shqiptarëve të Maqedonisë dhe krejt kombit shqiptar, në çdo rrafsh, si kolumnist në shtyp. Si i tillë hoxha është shumë aktiv. Në shkrimin e vet “Me e pas ni djal si Mema, me i hi vezirit mrena”, botuar në gazetën “Koha e Re”, në 15 korrik të këtij viti, imam Ramadani shkruan: “Në tekstin e tij të shumëpërfolur Samuel P. Huntington (v. 2008), thoshte për myslimanët se janë të bindur në superioritetin e kulturës së tyre, kurse janë të opsesuar me inferioritetin e fuqisë së tyre. Një modifikim, përkthim dhe, para së gjithash, zbutje e këtij konstatimi do të mund të vlente edhe për shqiptarët e Maqedonisë”. (“Me e pas ni djal si Mema, me i hy vezirit mrena”, 15 korrik 2010)

        Hoxhë Ramadani e ka fjalën për librin e Samuel Huntington “Përplasja e qytetërimeve”, ku sikur dihet studiuesi amerikan i shikon luftrat e së ardhmes si luftra mes qytetërimeve me bazë religjioze. Këtu të bën përshtypje fakti se imam Ramadani i përfshin shqiptarët e Maqedonisë në botën islame, edhe në sens gjeopolitik. Në këtë shkrim imam Ramadani shtjellon gjatë historinë e Memës së këngës, madje e sjell për lexuesin krejt tekstin e saj. Thelbi i këngës janë këto vargje:                                                                                                       T'ishin kane dy djem si Mema!/ paten me i hi Vezirit mbrena./ E me ja thy kalane permrena

        Kënga tregon për një ngjarje të ndodhur në kohën kur Bushatllinjtë sundonin nga Shkodra krejt Shqipërinë e Veriut, në dy anët e kufirit të sotëm shtetëror, duke përfshirë Shqipërinë e sotme, mbi Lumin Shkumbin, Kosovën e sotme dhe pjesën shqiptare të Maqedonisë. Veziri është Kara Mahmud Pasha, i quajtur “kara”, do të thotë “i zi”, “rebel”, për shkak të rebelimeve të tij të shumta ndaj sulltanit, luftoi kundër sulltanit dhe bëri aleanca me fuqitë perëndimore, çka nuk u pranua nga ekstremistët islamikë brenda pashallikut të tyre. Këta konspiruan shumë herë për ta vrarë vezirin. Ndër këta njerëz që luftuan kundër vezirit është dhe Mema i këngës. Imami kolumnist e di historinë e luftës së Memës, prandaj e pëlqen këngën dhe e ka përzgjedhur për ta vendosur në një shkrim që fillon me citimin e mësipërm nga libri i Huntington. Imam Ramadani shkruan: “Një version tjetër i këngës së cituar në titull është: T'ishin kane dy djem si Mema! paten me i hi Vezirit mrena…dhe kjo është ndoshta artikulimi më i mirë për atë se çka kërkon ky popull këtu. Para se përfundimisht të marrë rrugën e të shkojë për aty ku i ec puna; Belgjikë, Dubai, Kosovë e Shqipëri. Ose ta kaplojë ndonjë apati e përgjithshme politike. Dy nevojiten jo vetëm për faktin se sipas shpresës, e cila mban gjallë përveç njeriut edhe popujt e tërë, gjithmonë ka një Memë, por ngase këtu duhet të kesh një brenda te veziri e edhe një jashtë, si opozitë i cili funksion kryesor duhet ta ketë që kur Mema të hyjë brenda t’ia mbajë gjallë kujtimin për atë se çka është dhe çka duhet të bëjë ky Mema i këngës”.

        Por sipas imamit, konteksti në të cilin shqiptarët e Maqedonisë duhet ta bëjnë këtë politikë, është ai religjioz islamik, të cilin ai e jep në paragrafin e cituar nga Huntington, në fillim të shkrimit. Kështu del se “Mema” do të jetë një lloj Haxhi Qamili, dhe njeriu më i përshtatshëm për të bërë këtë lloj “Meme” është vetë Ramdan Ramadani, me djemtë e tij të “Shpatës”. Imam Ramadani shkruan:  “Pra, Mema dhe tjerët që kërkon populli, nuk është ndonjë shpëtimtar prej qielli, por është një udhëheqje politike e procesit të kësaj bote, që do t’i tregonte çdo kryeministri që vjen në krye të këtij vendi, ndërkombëtarëve dhe të gjithëve se ky vend o do të bëhet Evropë o do të bëhet shtet tamam”. (“Me e pas ni djal si Mema, me i hy vezirit mrena”, 15 korrik 2010)
        Që Maqedonia nuk do të bëhet Europë, sa u përket shqiptarëve, me atë çka thotë hoxha në fillim të shkrimit, kjo duket e sigurt. Se ashtu nuk ka se si të jetë Europë. Madje maqedonasit këtë duan, që shqiptarët e Maqedonisë të paraqiten si pion i gjeopolitikës islame, ashtu që maqedonët të kenë mundësi që të apologjizojnë para Perëndimit për trajtimin që u bëjnë atyre dhe për spastrimin etnik që eventualisht do t’ ua bëjnë nesër. Imam Ramadani supozohet që t’ i kuptojë këto, derisa ka lexuar edhe Huntingtonin që është një zëdhënës i establishmentit strategjik amerikan dhe perëndimor në përgjithësi. E megjithatë imam Ramadani shkruan sikur këndon Tuna në atë këngën “Asgjë në këtë botë”: “Nuk jam helmuese as vdekjeprurëse/as negative, radioaktive/nuk mund ta kontrolloj nje gje me shfrenon/ritmi me ben te luaj edhe te fluturoj/une do vazhdoj njësoj wouwou/nese dhe kjo pengon mua s’ me intereson”.
        Imam Ramadanit nuk i intereson fati i shqiptarëve të Maqedonisë se ai mendon se nëse ata e pësojnë megjithatë Allahu do t’ i çojë gjërat në vend dhe të mirët prej tyre do të shkojnë në Xhehnet. Kryevepra e hoxhë Ramadanit është shkrimi i tij “O e imja, o e Vardarit”, i botuar në 29 qershor 2010, katër ditë pas rrahjes në xhaminë e Isa Begut. Në këtë shkrim, autori, u sugjeron shqiptarëve të Maqedonisë kështu: “Për të sqaruar edhe titullin e edhe hapin e propozuar politik na duhet ta tregojmë anekdotën prej ku vjen klithma: O e imja, o e Vardarit! Sipas anekdotës; një shqiptar nga Pollogu i ndikuar nga arabeskat turke kishte përkthyer një këngë nga ndonjë Tatlises; ku këndohet diçka si; O je e imja, o je e dheut! Dhe diku në ndonjë urë, përmbi ndonjë lumë, prej larg i bërtet të dashurës së tij, e cila nuk e ka njohur as atë e as që ka ditë dashurinë e te për të: O e imja, o e Vardarit! Thonë se kjo ka ndodhur në urën në Tetovë përmbi lumin Pena (Artat). Dhe përveç se thënësit i ka shkuar huq përkthimi me Vardarin ai edhe nuk e ka ditur se kjo klithmë që në turqisht është romantikë e hallakatur në dëshpërim në shqip i bie kërcënim i njëmendtë. Thënia në shqip është: O e imja o e askujt! Dhe është thënie verdikt, të cilën më pas duhet ta kuvendojnë burrat. Nuk di se si ka përfunduar ky episod romantik nga anekdota, por ndiej se puna e emrit nuk ka të sosur pa klithur diçka të ngjashme ne shqiptarët. Punët e mëdha nuk rregullohen pa të zotin e shtëpisë. Ashtu ne do të duhet të shkelim dhe sqarojmë se ose do bëhet e Vardarit, ose e jona. Mund të jetë romantike, mund edhe të dalë si kërcënim, por efekti është tejet pozitiv. Prej inatit tonë vetvetiu do të bëhet Vardar”. (“O e imja, o e Vardarit”, 29 qershor 2010)
        Pra, hoxha u sugjeron shqiptarëve të Maqedonisë që ata të dalin me një qëndrim të prerë politik se, ose Maqedonia do të bëhet realisht edhe shteti i tyre, ose ata do ta shkatërrojnë atë, duke e bërë të mbytet në Lumin Vardar. Por, derisa hoxhë Ramadani më lart, i ka quajtur shqiptarët e Maqedonisë si të Gurit të Zi të Mekës, kur ka interpretuar thënien e Huntington, atëherë ajo çka thotë ai, më saktë do të shprehej kështu: “O e Gurit të Zi të Mekës, o e Vardarit”. Pra, Maqedonia duhet të ishte edhe e Gurit të Zi të Mekës, sa u përket shqiptarëve, ose do të përfundonte në Vardar! Me ato që ka thënë imami më lart, kur ka interpretuar për shqiptarët thënien e Huntington, mund të merret me mend se çka do të thotë në shkrimin “Shqipëria si opsion”, ku shkruan:
        “Ajo që propozoj unë është që të dilet dhe publikisht të premtohet se pas disa viteve do bëhet Shqipëri. Dhe aq. Pa kurrfarë shtjellimi. Besoni që ne do besojmë dhe të durueshëm siç jemi do presim atë ditë ose vit i cili do na caktohet si afat. Mundësisht para vitit 2014, pasi nuk duam të lodhemi duke hequr shëmtueshmërinë që na u është bërë qyteteve tona të bukura. Kjo është deviza politike kryesore e cila do duhej të i thuhej popullatës shqiptare tani dhe këtu. Dhe, të jetë parulla dhe shpjegimi bosht për çdo lëvizje politike. Ashtu për shembull në pyetjen se nëse ka ose jo divergjenca brenda partisë të shpjegohet se krejt ne punojmë për të njëjtën Shqipëri, por kemi mendime të ndryshme rreth disa afateve. Në pyetjen se pse na duhet integrimi në NATO dhe BE, të thuhet se kjo bëhet sebep asaj Shqipërie. Po ashtu edhe në pyetjen se çka do ndodhë nëse kjo puna e emrit zgjat dhe ky shtet mbetet ende pa emër dhe si i tillë nuk mund të integrohet në BE, të thuhet se ne do angazhohemi për një Shqipëri e cila do ketë marrëdhënie të mira me shtetet fqinje dhe para së gjithash me Bullgarinë”. (“Koha e Re”, 1 qershor 2010)
        Pra, imam Ramadani propozon që shqiptarët e Maqedonisë të dalin me politikën e përbashkët të bashkimit të trojeve të tyre me shtetin shqiptar. Shumë mirë, por si do të bëhet kjo kur hoxhë Ramadani e kërkon Shqipërinë e bashkuar, Albarabia dhe i përfshin shqiptarët e Maqedonisë dhe krejt shqiptarët muslimanë në gjeopolitikën islamike? NATO dhe BE, të cilat përmend imami këtu, janë instrumente të atij establishmenti strategjik perëndimor, i cili pati si zëdhënës më të shquar Huntington-in dhe që është i shqetësuar nga perspektiva e aleancës mes Kinës dhe botës islame, një aleancë me kahje antiperëndimore kjo. Atëherë çfarë vendi do të ketë Shqipëria e bashkuar në NATO dhe BE, kur imami e sheh atë të kyçur në gjeopolitikën islamike? Në të njëjtin shkrim, imami më tutje shkruan: “E nëse atëherë dikush pyet se nëse shkohet diku dhe ku, atëherë me gojë plot do mund të thuhej, nuk shkoj kund, vazhdoj të rri këtu në qytetin, vendin tim, i cili për shqiptarët është Shqipëri”. (“Koha e Re”, 1 qershor 2010)
        Me ezanin që thirret me megafonë në arabisht nga minaret e xhamive, nuk ka nevojë me i pyetë kush shqiptarët e Maqedonisë se ku po shkojnë se duket që po shkojnë tek Guri i Zi i Mekës. Si në atë këngën e Tunës “Te ikim së bashku”, ku thuhet: “Sonte mua eja me merr/larg te gjithve t'ikim per çdoher/s'e kam dert nese dikush na ndjek/ikim rrugve ku askush nuk na gjen”.
        Derisa hoxhë Ramadani, pasi elaboron edhe kyçjen e shqiptarëve të Maqedonisë, dhe krejt shqiptarëve, në gjeopolitikën islamike, flet edhe për integrimin në NATO dhe Bashkimin Europian, atëherë, duke qenë se atij i pëlqen të përdorë këngë popullore në kolumnet e veta, i duhet sjellë ajo kënga “O ku po më shkon o Rrushja e Lalës”. Se imam Ramadani i bën shqiptarët e Maqedonisë dhe krejt shqiptarët si ajo Rrushja e këngës që thotë: “O ku po m’ shkon oj rrushja lales me dimit e bardha/
Hej aman aman sonte jam te daja/ Hej syn oj zii lum baca per ty/ Me sy e vetulla ishalla vjen apet./ O ku pom shkon oj rrushja lales me dimit e verdha/Hej aman aman sonte jam te tezja/Hej syn oj zii lum baca per ty/Me sy e vetulla ishalla vjen apet./ O ku pom shkon oj rrushja lales me dimi lahuri/Hej aman aman aman sonte jam te burri/Hej syn oj zii lum baca per ty/Me sy e vetulla ishalla vjen apet”.
        Kështu Shqipëria e bashkuar shkon një natë tek teze Europa, një natë tek dajë NATO, por definitivisht shkon tek burri në Mekë. Kjo puna e hoxhës që shkruan kolumne është si ajo kënga tjetër e Rrushes: “Na u çu rrushja me sabah e/rroki siten me bismilah e/bsimilahi mori site e/me dure te bardha haj haj ta kam ngjite e/me dure te bardha o ta kam ngjite e/plot hall halle e bylyzyke/plot hall halle e bylyzyke”.
        Edhe hoxhë Ramadani çohet në sabah, bën bismilah e fillon e shkruan kolumne absurde. Por do të ishte gjysma e së keqes sikur punët e tij të qenë të tilla, për t’ u marrë me humor. Ai është një piroman reliogjioz dhe politik, një zjarrëvënës maniak, e ndoshta një arsye pse i pëlqen Tuna është kënga e saj “Piroman”: “ouuuoouuououuuuu uuuu ouuu ouu uouuouoououo/Un nuk dehem por un zgjohem/Dehur ne ket room with a view/Nuk ka ngohje por un zgjohem/Ndezur nga nje piroman like you!/o si parfumi i ri i bossit/Mir te rri e te paska hije,/Por je mesuar ti te shkretosh/Sa her ne sy qe te me shikosh!/Ndize piroman/Ndezi pyjet e pashkeluar,/ndize, ndize piroman/S' do te mbetem e perhitura”.
        Aspekti më interesant i kolumneve të hoxhë Ramadanit, alias Komandant “Tunës” është se sipas të dhënave që jepen në faqen on-line të gazetës “Koha e Re” ku shkruan ai, ratingu i tij (nga numri i lexuesve) është më i lartë se i të gjithë intelektualëve shqiptarë në Maqedoni, me profil publik, që shkruajnë atje, të marrë së bashku. Rating-u i hoxhës kolumnist është më i lartë se i Adelina Markut, Ermira Mehmetit, Salajdin Salihut, Ardian Ramadanit, të marrë së bashku. Kjo është e vërteta e trishtuar e shqiptarëve të Maqedonisë.