Gazetari britanik, Paul Fauvet, shkoi në Mozambik më 1980-n, ndërkohë që vendi po zhytej në luftë civile. Ai pa me sytë e vet të gjitha ngjarjet e rëndësishme që nga ajo kohë dhe përshkroi se si u transformua atdheu i tij i dytë nga një shtet revolucionar marksist në një ekonomi treguMozambiku
Pas pavarësisë më 1975-n, Mozambiku u bë i njohur për muralet shumëngjyrëshe dhe militanteske që dekoronin ndërtesat publike në kryeqytetin Maputo.
Punëtorët, fshatarët dhe ushtarët paraqiteshin duke marshuar me bindje drejt së ardhmes socialiste. “Jetë të gjatë marksizëm-leninizmit!” deklaronin disa slogane.
Maputo i shekullit të 21 ka gjithashtu murale. Por tashmë muret mbajnë imazhe, jo më përshëndetje me grusht dhe automatikët AK-47, por me shishe “Coca Cola”, apo fytyra buzëqeshëse që paraqesin reklamat e ndonjë kompanie celulare.
Duke krahasuar ikonografinë e mureve të Maputos sot, me atë të fundit të viteve 1970, krijohet një ide mbi distancën ideologjike që përshkroi ku vend.
“Luftë kundër borgjezisë”
Kulmi i marksizmit në Mozambik ishte në fillim të viteve 1980 nën sundimin njëpartiak të Frelimos, pasardhës i Frontit për Çlirimin e Mozambikut, grupi që fitoi pavarësinë nga Portugalia.
Kongresi IV i Frelimos më 1983-shin, bëri thirrje për “Mbrojtje të atdheut, kapërcimit të prapambetjes dhe ndërtimit të socializmit”. Himni kombëtar në atë kohë premtonte ta bënte Mozambikun “varr të kapitalizmit dhe shfrytëzimit”.
Himni i partisë Frelimo i përshkruante anëtarët e partisë si “ushtarë të popullit që marshojnë përpara në luftën kundër borgjezisë”. Por nuk ndodhi kështu.
Mozambiku u përball me një armik të fuqishëm, që ishte regjimi i aparteidit në Afrikën e Jugut, regjim që përdori një grupim të quajtur Rezistenca Kombëtare e Mozambikut (Renamo) si një ushtri surrogato për të rrëzuar shtetin e Mozambikut.
Disa mund të thonë se kur Presidenti i parë i vendit, Samora Machel, vdiq më 1986-n në një aksident ajror në Mbuzini, brenda territorit të Afrikës së Jugut, ëndrra për të ndërtuar Mozambikun socialist vdiq bashkë me të. Por historia nuk është kurrë kaq e thjeshtë.
Rrëzimi i qetë i marksizëm-leninizmit
Pasi nuk ishte në gjendje të merrte ndihma të mjaftueshme nga blloku sovjetik, Mozambiku u bashkua me Bankën Botërore dhe FMN-në më 1985-n. Donatorët e huaj, madje edhe miq nga Skandinavia, e bënë të qartë se programi me FMN-në ishte një kusht për të dhënë asistencë.
Masat e para për përmirësime strukturore, të njohura si Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, u miratua nga Parlamenti i Mozambikut në janar 1987, dhe dukshëm qenë hartuar, ndërkohë që Machel ishte ende gjallë.
Disa mund ta kenë parë një program të tillë si një diversion të përkohshëm, duke supozuar se marshimi drejt shoqërisë pa klasa do të rifillonte shpejt.
Por marrëveshja me FMN-në dhe Bankën Botërore nënkuptoi ndryshime të forta në politikën ekonomike, përfshirë zhvlerësime të vazhdueshme të monedhës, eliminimin e shumicës së kontrolleve mbi çmimet, si dhe një program në shkallë të gjerë privatizimi.
Në vitin 1989, Frelimo pa shumë zhurmë e hoqi marksizëm-leninizmin nga statuti i vet. Një vit më vonë, një kushtetutë pluraliste u miratua dhe vetë emri i vendit u ndryshua.
Ajo nuk ishte më Republika Popullore, por thjesht Republika e Mozambikut.
Investimet e huaja
Kur një marrëveshje paqeje mes qeverisë dhe Renamos i dha fund luftës civile në tetor 1992, vendi ishte i rrënuar. Renamo pati djegur shkolla dhe qendra shëndetësore nëpër të gjithë zonën rurale të vendit, rrugët qenë të pakapërcyeshme, urat dhe shtyllat e elektricitetit qenë hedhur në erë. Hekurudhat qenë sabotuar dhe ekonomia mbahej gjallë me injektim masiv ndihmash. Megjithatë pacienti mbijetoi.
Ndryshe nga mendimi i përgjithshëm në atë kohë, se partitë trashëgimtare të sundimit njëpartiak nuk mund të fitonin zgjedhje demokratike, Frelimo jo vetëm që fitoi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 1994-n, por edhe të gjitha zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara që nga ajo kohë.
Ekonomia u rrit me shpejtësi, me mesatarisht 7-8 për qind në vit. Investime të huaja në shkallë të gjerë u tërhoqën nga vendi, ku shembulli më i fortë është një projekt 2 miliardë dollarë për ndërtimin e një kompleksi për prodhimin e aluminit në afërsi të Maputos.
Muralet revolucionare të Maputos u lanë vend reklamave për marka ndërkombëtare. Në Mozambik filloi shfrytëzimi i burimeve të mëdha minerare. Fushat e qymyrit në provincën perëndimore Tete rezultuan shumë më të mëdha nga sa qenë vlerësuar në kohën e sundimit kolonial portugez, pasi nuk kishte pasur në atë kohë vëzhgime të mirëfillta gjeologjike. Pavarësisht kufizimeve logjistike në lëvizjen e qymyrit drejt një porti, ministri i Burimeve Minerare, Esperanca Bias, beson se eksportet do të fillojnë rreth vitit 2020 me 50 milionë tonë në vit.
Por edhe më mbresëlënëse janë zbulimet e gazit natyror në Rovuma, në det, pranë brigjeve veriore të vendit. Rezultati i puseve të shpuara nga kompania teksane “Anadarko” dhe ajo italiane ENI, tregon se rezervat aty janë deri në 50 trilionë metra kub.
Kjo mund ta bëjë Mozambikun një nga prodhuesit më të mëdhenj të gazit natyror të lëngëzuar. Planet janë për ndërtimin e impianteve të lëngëzimit dhe puna pritet të nisë rreth vitit 2018. Të ardhurat nga burimet natyrore do të reduktojnë varësinë e Mozambikut nga ndihmat e huaja.
Sakaq, rritja ekonomike dhe rritja e të ardhurave vendase nga taksat, ka sjellë reduktim të varësisë nga ndihmat. Shifrat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se më 2013-n, vetëm 27 për qind e shpenzimeve publike janë financuar nga ndihmat e huaja. Pak vite më parë, më shumë se gjysma e buxhetit financohej nga jashtë me grante apo kredi.
Rritja ekonomike
Por ka një kritikë në rritje, se përfitimet e rigjallërimit të ekonomisë nuk janë shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë shoqërinë dhe se reduktimi i varfërisë nuk ka ecur siç duhet.
Në dekadën pas fundit të luftës civile, përmirësime domethënëse u bënë në standardet e jetesës. Vrojtimet mbi familjet të kryera nga Instituti Kombëtar i Statistikave të Mozambikut tregojnë se numri i njerëzve në varfëri ra nga 69 për qind më 1997-n, në 54 për qind më 2003-shin. Por vrojtimi pasardhës më 2009-n, tregoi se përpjekjet e qeverisë për të reduktuar varfërinë nuk qenë të suksesshme dhe numri i të varfërve ishte rritur në 54.7 për qind.
Mesataret kombëtare fshehin shumë pabarazinë. Vrojtimi tregoi se familjet në qytete shpenzonin dy herë më shumë sesa familjet rurale dhe se familjet në kryeqytetin Maputo shpenzonin pesë herë më shumë sesa familjet në provincën më të varfër, Zambezia, në qendër të vendit.
Hendeku në rritje mes të pasurve dhe të varfërve është i dukshëm në bumin e shtëpive të luksit të ndërtuara në disa lagje të pasura të Maputos, si dhe rritja e shpejtë e pronësisë së makinave. Bllokimi i trafikut, një fenomen i padëgjuar 20 vjet më parë, tashmë është një tipar i zakonshëm në jetën e kryeqytetit.
Por shumica e mozambikasve vijojnë të jetojnë në kasolle dhe varen nga autobusët për transportin e tyre.
Ka pasur një zgjerim të shpejtë të rrjetit elektrik të Mozambikut dhe shifrat e fundit tregojnë se 36 për qind e popullatës ka elektricitet, qoftë nga rrjeti apo nga panelet diellore. Kjo është një shifër e lartë në krahasim me standardet e Afrikës Nënsahariane. Por 64 për qind e shtëpive ende nuk kanë elektricitet.
Vendi mbetet shumë i dëmtueshëm nga katastrofat natyrore.
Shirat e rrëmbyer dhe përmbytjet e rënda nga shumë lumenj të mëdhenj në janar dhe shkurt të këtij viti, shkaktuan 113 të vdekur dhe zhvendosën 140 mijë njerëz që u strehuan përkohësisht në qendra të ndërtuara nga qeveria.
Edhe në kryeqytetin Maputo, drenazhimi i keq dhe ndërtimet ilegale bëjnë që shirat të shkaktojnë rrëshqitje dheu që shkatërrojnë shtëpitë dhe bllokojnë rrugët.
Sukses elektoral
Varfëria me raste shpërthen në rrugë. Shpesh ka përplasje të egra mes popullsisë dhe policisë kundër rritjes së çmimeve, veçanërisht rritjes së çmimit të bukës. Në vitin 2010, kryeqyteti praktikisht u bllokua për dy ditë nga protestat.
Qeveria hoqi dorë nga fiksimi me çmimet e tregut dhe vendosi subvencion për çmimin e miellit për të mbajtur çmimin e bukës të ulët. Banka Botërore dhe FMN-ja nuk kundërshtuan. Ato e shikojnë Mozambikun si një histori suksesi dhe nuk kanë dëshirë që rebelimet të rrezikojnë të përmbysin arritjet.
Politika e Frelimos mund të ketë ndryshuar thellë përgjatë tri dekadave të fundit, por kapja e pushtetit nga kjo parti mbetet e fuqishme.
Presidenti Armando Guebuza, dikur një intelektual marksist dhe tashmë një figurë pranë elitës së biznesit, fitoi zgjedhjet më 2009-n me 75 për qind të votave. Ai nuk ka të drejtë të marrë një mandat të ri, por, duke parë gjendjen e dobët dhe të fragmentarizuar të opozitës, Frelimo duket se ka mundësi të zgjedhë kë të dojë për ta zëvendësuar atë dhe, sipas të gjitha gjasave, kjo parti do t’i fitojë sërish zgjedhjet më 2014-n.
Kujtimet nga e shkuara marksiste e vendit gjithsesi janë zbehur dhe madje edhe slogani historik i Frelinos, “A Luta Continua!” (“Lufta vijon!”) dëgjohet shumë rrallë sot.
Mozambiku, faktet e rëndësishme
Popullata: 23.9 milionë banorë
Kryeqyteti: Maputo
Monedha: Metikal
Pritshmëria për jetëgjatësi në lindje: 50 vjeç për meshkujt, 52 për femrat
Rritja ekonomike: 7.1 për qind më 2011
PBB për frymë: Më 1992: 280 dollarë aktualë ndërkombëtarë. Më 2012: 1200 dollarë aktualë ndërkombëtarë