Me një lëmsh në grykë po shkon dhe kjo verë - Preç Zogaj

Preç Zogaj

Me një lëmsh në grykë po shkon dhe kjo verë

Flatra pas flatrash era e Shëngjinit
gjethe me gjethe ngrihet,
valë me valë.

Ç u bënë gjithë ato diej? Kaluan, kaluan…
Çu bë gjithë ajo kredhje, ai kthim verbues
i prehjes dhe endjes në zanafillë?

Si nga një predhë a kapsulë kam dalë
gjallë dhe esëll në këto brigje.
Bota trembet të dëgjojë kumte
sa e vjetër është, sa të lashtë jemi.

Me sy nga deti një vajzë e re
shkrehet në vaj.
Kush vallë e di,
hallin e saj!

Me një lëmsh në grykë
po shkon dhe kjo verë.

Gusht 2010



Fytyra që kam pasur kur më dashuroje

Fytyra që kam pasur kur më dashuroje
pak nga pak humbi në trajta të tjera
gjithnjë e më të serta, gjithnjë e më të mjera…

Tani kam frikë
të shihem në pasqyrë.
Do të doja të isha
ai poeti,
ai i dikurshmi ,
i dridhërueshmi.
Por, por…e ndjej ndryshimin,
e ndjej lakimin e pejzave, furtunën,
e ndjej ndëshkimin.

Fytyra që kam pasur kur më dashuroje
S ka qenë imja. Një zot ma huajti,
Ai ma mori
pa ma thënë emrin.
Oh, moj e mjerë, të kam tradhtuar
duke jetuar si gjithë të tjerët
me frikë në zemër.

Fytyra që kam pasur kur me dashuroje
Pak nga pak humbi në trajta të tjera
gjithnjë me të serta, gjithnjë më të mjera.


Bie nata 

Bie nata dhe zë në çark Shqipërinë.
Frymëmarrja ime shuhet fshehurazi-
gjëmë e mbytur.

Në një cep të errët rruge
trishtimi më ka lënë të vrarë dhe po ikën
si hije bashkë me shikimin tim, medet.
Ç vrasje është kjo, trishtim
çvrasje është kjo,
Kur ndjej, dëgjoj, mendoj
më mirë se kur kisha këmbë dhe duar!

Ka rënë nata, ka zenë në çark Shqipërinë
gjuhën e saj te vjetër, të zemëruar.
Cepa palltosh, shndritje kopsash
ndjellin urrejtjen në skenën e radhës.
Një shkrepje-lbyrje vetëtime
ndriçon epopenë, mjerimin
e lugetërve të fundit.

Dhjetor 2010

Zgjim 

Zgjohem në tetë të mëngjesit dhe po qaj
në mënyrën time të vjetër, pa lot, pa zë,
me shikimin e ngulur në xhamat e akullt.

Atje kanë ardhur vizitorë natën.
Më kanë parë në gjumë dhe kanë ikur
pa zbardhur drita duke më shënuar
me shenjën e tyre.
Ku?Ku?

Nuk duhet të lëviz disa minuta.
E di prej kohësh sa më kushton kjo shaka, kjo aventurë.
Përmbytja e madhe fillon
me zgjidhjen e kobeve që u lidhen pa leje
në ekzistencën e pavarur,
kur nuk e dija, nuk më sundonte
shpresa,
kjo vegël e vjetër e shtypjes.

Nuk duhet të lëviz.
Nuk duhet të shkrehem,
gjersa të mbyllet me mua kjo humnerë.
Dita harxhohet pa lindur e gjitha.
Sështë e nevojshme të më shfaqet e plotë.
E kam lenë pa përgjigje rastin tim,
E kam lenë të ikë,
Duke pritur të rriten të vegjlit e mi,
Duke pritur të vdesin të mëdhenjtë e mi…

Jam zgjuar në tetë të mëngjesit dhe po qaj
Ndërkohë që mund të këndoja gjithashtu
Që jam këtu,
Që është e dielë,
Që skam një plan,
Që dera u mbyll prapa meje.
Kopshti i ëndrrave dhe harrimit
rrotullohet në gjysmën e errët të hemisferës,
Perde të hirta avujsh plasariten në xhama
Kanë ardhur vizitorë këtu natën
më kanë shënuar me shenjën e tyre.
Ku?Ku?

Etyd 

Nuk kam luftuar kundër kujt dhe jam i humbur.
Së shpejti do të kthehem në shpatin e vjetër
ku lexoja dikur Du Fu-në dhe Takubokun.
E di se do të jetë fundi dhe s do gjendëm
kurrë më në qytete…

18 dhjetor 2010

Vdekja e babajt 

Babaj im ishte keq, por bënte vetë sikur ishte mirë,
Nuk e di pse dhe s mund ta di më.

Sa herë kthehesha në shtëpinë e prindërve,
Sa herë i thërrisja nga oborri
në zakonin e vjetër: o, Gjon Zogaj!
Pothuajse e dija si merrte vrull për tu ngritur si gjethe
nga minderi, nga pleqëria e tij, nga vetmia.
Ishte i lodhur, shumë i lodhur, por bënte vetë
për tu dukur i lehtë.

Babaj im i brengosur, babai im i helmuar,
bënte vetë sikur ish i gëzuar,
nuk e di pse dhe smund ta di më.
Një natë vonë të muajit shkurt
kur gjumi na kish marrë të gjithëve,
Dhe heshtja kishte rënë në botë,
Pa nxjerrë zë u ngrit nga shtrati
të ndalte duart e hekurta , të padukshme
që kishin ardhur t i merrnin frymën.
(Më kishte thënë : Këtu, këtu, këtu jam i pambrojtur!)

Pa nxjerrë zë hoqi dorë,
U vesh, pa, u nis dhe iku
me këmbët e veta përgjithmonë .
10 shkurt 2011


Fle si gem dhe zgjohet si lule rinia 

Fle si gem dhe zgjohet si lule rinia,
Në mes ngushtica e verbër ku ngjyra e zezë
fsheh çfarë është tmerr apo hyjnore.

Askush nuk mund ta dëshmojë misterin
që paraprin këtë çelje.

Po nënat ngrihen jerm nga gjumi
të prekin, të shtyjnë me thika errësirën,
Kullojnë gjak nganjëherë duart e tyre
duke u mbledhur grusht përballë hijeve.

Ah, sa e vështirë
me jetue në gjithë këtë dashuri.
Nuk e ka të gjatë përgjimi i rrahjes se zemrave
Kohë të reja, të dhimbshme na presin.
Janar 2011


Gjë prej gjëje s duroj në zemër 

Hap sytë , kthej kokën anash, prapa, ngadalë.
Shoh vetëm njerëz, vetëm dritë, drurë dhe lule,
Rrugë dhe sende nderuar
me emra të përveçëm.
Flas me zërin tim,
Dëgjoj zëra tokësorësh,
Prek supe, shtrëngoj duar,
Pres e pres me fytyrë nga ura-asgjë.
Po unë kam parë Perëndeshën atje. Ajo ka qenë
çfarë nuk është më,
çfarë nuk dhëmb më,
çfarë nuk sundon më në këtë botë
larë me prarim dhe dritë.

Është vonë për tu shkrehur në lot.
për herë të dytë brenda një jete.
Nuk kthehet as Krishti, as Dashuria.
Këtë po thotë Shën Pali
në letrën sekrete për mua .


Gjë prej gjëje sduroj në zemër.
Vështrimi im tani e tutje ka shortin të mbushet
me njerëz, me dritë, me drurë, me sende-
Fare nuk dhëmbin.
Përse smë the dashuri, përse mu shfaqe
vetëm kur humbe.
Prill 2011

Mendohem… 

Mendohem, mendohem, mendohem.
Nuk pushoj kurrë së menduari
Dhe pse jam lodhur e velur
nga kjo barrë grimcash, valësh-
Më shtypin e me shtypin,
Më shtyjnë e me shtyjnë,
poshtë e më poshtë , sikur
duan të më mbyllin për fare
nën tokë, atje
ku veç unë vdes
në rrënjën time.


Mendohem, mendohem, mendohem…
Pyetjet e fshira mbrëmjen e shkuar
ngrihen në mëngjes nga e para, të freskëta
si pulla të kuqe në lëkurë.
Më kot kam vërshuar.
Ka qenë iluzion fitorja,
E shkuara ime është një iluzion
E tashmja, e ardhmja skanë fat tjetër.

Por… mendohem, mendohem, mendohem.
Jam at, kam tre fëmijë.
Zoti mua mi la ,
mua më zgjodhi
mëkëmbësin e vet
në këtë çerdhe.
Qershor 2011



Më rrëzon Shqipëria 

Çdo mengjes
më rrëzon Shqipëria
me lajmin e keq.
Gjithçka kam
përdhe shembet
rëndë-rëndë.
Vetëm trupi mbetet në këmbë.

Sa të kem zgjim,
Sa të kem veshë,
S do kem shpëtim.
Në fund të botës vjen e më gjen,
Me siguri edhe në hënë.
Këtu, atje
një yll
është vendi im.

Shoh si dridhen, luten e qajnë në trotuare
si gonxhe drite do figurime.
Veç unë e di se janë të rrahurat
e zemrës sime.

Më tërheqin
të shkojmë larg
Në det, në zot.
Por nuk i ndjek
veçse me mall
pendim dhe lot.

Çdo mengjes
Më rrëzon Shqipëria-
Lajmi i keq.
Por ngrihem, ngrihem
sa herë bie
me ëndërrimin se një ditë
do mund të shoh
sëpaku një
nga perënditë.

Nuk kam të drejtë
të çoj dëm
ditët e shkruara
të fatit tem.
Ngrihem, ngrihem
sa herë bie
të shoh si zgjatet e si çel,
një vajzë të cilën e kam gen,
po është dhe bijë perëndije.

Dhjetor 2011


Me dashtë duke qarë 

Me dashtë duke qarë
pa lot dhe pa fjalë.
Duke bërë ik e eja në studio,
Duke parë orën e dorës kot së koti,
Duke bërë kryqin para bukës,
Duke dëgjuar zhurmën e lugëve, pjatave,
Duke mbytur një komb në grykë, duke u lëshuar
para e prapa me dorën në faqe,
Duke u përballur trimërisht, njerëzisht
me vështrimin e butë të vajzës tende-
Asgjë, asgjë, asgjë s ka ndodhur!
Katastrofa, një zgjim trëndafilash,
si vullkan po shembet nga brenda.

Me dashtë duke qarë
Pa lot e pa fjalë.

Korrik 2012



Të pabotuara

Imazh tjetër 
E pamundura lajmëron ekzistencën
me plagët që hap orë e çast nga brenda
trupit tim-
Lëkura shpërthen pulla-pulla.

Duke u parë është mbledhur toka.
Ka hyrë në shikim si coha në ujë.
Përpara njeriut do të soset.
Gusht 2009
***

Ishulli Lesbos 


“Gjëja më e bukur është ajo që dashurohet”

Safo

Zemra të padukshme rrahin në fillet e erës,
Hije zambakësh i vinë rrotull bregut,
Greqia e vjetër ka dalë në shëtitje
me shkallare, kopshte, ballkone, udhë,
fytyra, flokë, llërë, trupa të zhveshur, vështrime…
Ah, këto vajza të reja rrjedhin nga hyjneshat,
Nuk ka dyshim, nuk mund të jetë ndryshe.
Fillon të hapet si një yll historia
Por sfutet në kohë, asnjëherë, kurrë.

Duke parë vajzat,
dielli reklamon
rininë e përjetshme.
Prej gemit të vet
çel përsëri
Safo, poetesha.
Sjell përdore Helenën me gjithë të vdekurit nga pas,
ata që u vranë në Trojë dhe në Egje.
Një lajm kanë për ne këto hije, danaj:
S ka faj gruaja, dashuria ska faj.

Sa çel e mbyll sytë
hapen porta, mure
Shajnia vijon në jetën e këtejshme.
Unë e kam me të lehtë
të vë gishtin, thikën
në zemrën time .

Kurrë më sdo të kthehem në Lesbos.

Related Posts: