Margaret Theçer – simboli i së djathtës politike

Eugjen Merlika

“Në politikë, nëse do që të thuhet diçka, kërkoja një burri, po nëse do që ajo të bëhet, kërkoja një gruaje.” M. Theçer


Më 17 prill, në kishën “Saint Paul” të Londrës, në prani të 2000 të ftuarve nga e gjithë bota, u zhvillua ceremonia përshpirtëse e përcjelljes së “Zonjës së Hekurt” Margaret Theçer, ish-kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar në vitet 1979–1990, që ndërroi jetë më 8 prill në banesën e saj në Londër, e goditur nga një iktus pas disa vjetësh gjendjeje shëndetësore jo të mirë si pasojë e një sëmundjeje të sistemit nervor. “Është me të vërtetë një ditë e trishtuar për vendin tonë. Kemi humbur një udhëheqëse të madhe, një kryeministre të madhe dhe një britanike të madhe. Besoj se do të mbetet kryetari më i madh i qeverisë që vendi ka pasur”, – kështu u shpreh kryeministri i sotëm i Mbretërisë së Bashkuar David Kameron duke i u referuar një gruaje që kishte qeverisur një vend që kishte pasur si kryetar qeverie njerëz si Gladstoni, Disraeli, Llojd Xhorxh, Uinston Çurçill, Toni Bler etj. Janë fjalë që rihapin një diskutim që ka filluar që në vitin e largët 1975, kur 49-vjeçarja Margaret Roberts Theçer u ngjit në postin e kryetares së partisë konservatore angleze. Fakti që ende sot vazhdojnë diskutimet mbi rolin e asaj gruaje në historinë e Anglisë e të botës është tregues i një personaliteti të jashtëzakonshëm në jetën politike perëndimore në një periudhë ndryshimesh epokale si ajo e viteve ’80 të shekullit të shkuar.
Kjo “revolucionare” konservatore, që në ndryshim nga të gjithë shtetarët bashkëkohës pati aftësinë t’i japë një epoke emrin e saj, kishte lindur në një familje të thjeshtë të një bakalli që tregtonte mallrat koloniale. Kishte studiuar kimi dhe në moshën 23-vjeçare iu fut jetës politike. Trashëgoi edukatën serioze të një familjeje që hyn në numrin e atyre që përbëjnë shtyllën kurrizore të një kombi e për të cilën disa vlera marrin rëndësi absolute e nuk mund të jenë subjekte relativizmi. Në moshën 33-vjeçare zgjidhet deputete në Westminster e fillon karriera e saj shtetërore në kabinetet e Macmillan-it, Alex Douglas-Houme e të Edward Heath-it, në këtë të fundit në dikasterin e arsimit. Por Megi kishte synime më të larta, jo të një karriere vetjake, por të një ndryshimi rrënjësor të filozofisë politike të vendit të saj, madje edhe të vetë atij. Në këtë synim madhor ajo ka një kurajë të rrallë që t’i bëjë vendit të saj një diagnozë shkencore e të pamëshirshme, të cilën asnjë koleg politikan nuk e kishte bërë: Anglia e kishte fituar luftën, por fitorja nuk ndryshonte shumë nga humbja. Më 1945, e varfëruar dhe e drobitur, ajo kishte pushuar së qeni një fuqi e madhe, ndaj duhej të bëhej diçka tjetër.
Kjo diçka tjetër ishte shprehje e një tjetër mendësie, e të tjera parimeve, e të tjera kritereve të përballimit të problemeve. Kjo tërësi ndryshimesh në botëkuptimin e saj, që do të bëhej me shumë mundim edhe botëkuptimi i një partie, i një vendi, i një epoke që u quajt “liberizëm” dhe vetë kjo e fundit “theçerizëm”. Për kohën ishte një ideologji revolucionare, që u fut në trupin e një partie të mësuar me një tradicionalizëm që bazohej në mirëkuptimin dhe në miratimin. “Theçerizmi ishte para së gjithash një ideologji e liberalizmit, donte të zvogëlonte rolin e shtetit në shoqëri dhe në ekonomi e të përforconte rolin e tregjeve e të individëve. Por ishte dhe ideologjia e mundësive, e vetësendërtimit, e meritokracisë”, – kështu e përcakton politologu i njohur Bill Emoth mendimin zotërues të Margaret Theçerit. Me këtë bagazh ideor ajo fitoi zgjedhjet në majin e vitit 1979, duke u ngarkuar me detyrën e kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar.
Gjeti një vend në prag të falimentimit, me plehrat që mbushnin rrugët, me korrentin të racionuar, me një papunësi të jashtëzakonshme, me një javë pune të katandisur në tri ditë. Britania dilte nga një dimër tensionesh shoqërore, me një popull të lodhur nga grevat pa kufi, nga bllokimi i shërbimeve, nga plotfuqia e Tred Unions-eve që bënin ligjin, me një sistem ndihmash shtetërore që kishin asfiksuar financat e kultivuar parazitizmin, duke zbehur vullnetin për punë të qytetarëve. Ishin të gjitha këto pasoja të qeverisjes laburiste sipas mendësisë stataliste, për të cilin individët dhe nismat e tyre duhej të njëjtësoheshin me planet e qeverisë dhe faktorin shoqëror.
Për shtetaren as pesëdhjetëvjeçare, që merrte mbi supe drejtimin e ish-perandorisë më të madhe të botës, kjo gjendje ishte e papranueshme. Nga mësimet e Shën Françeskut huazoi një koncept, të cilin e ktheu në një projekt, që bëhet lajtmotiv i punës së saj: “Aty ku është gabimi, të sillet e vërteta; ku është dyshimi, të sillet besimi, ku është dëshpërimi, të sillet shpresa. Forcat e gabimit, të dyshimit e të dëshpërimit janë kaq të fuqizuara në shoqërinë britanike, saqë thyerja e tyre nuk do të jetë e mundur pa disa masa mospajtimi.”
Zaret ishin hedhur dhe ajo në mbledhjen e parë të qeverisë bën të njohur planin e saj të ndryshimeve. Përballë kishte një përkrahës dhe 17 kundërshtarë, që “revolucionin” e saj e quanin të pasendërtueshëm, madje të dëmshëm. Vërejtjeve të tyre iu përgjigj me një frazë lapidare: “Zonja nuk kthehet mbrapsht!”
“Iluzioni i fundit se ndërhyrja e shtetit do të kishte sjellë harmoninë dhe solidaritetin shoqëror, apo në gjuhën e konservatorëve ‘një komb të bashkuar’, u shemb në një klimë të përgjithshme pakënaqësie, në të cilën të vdekurit mbeteshin pa u varrosur, të sëmurët rëndë nuk pranoheshin nga spitalet, sepse nuk i lejonin rojet e sindikatave, dhe humori shoqëror mbizotërues ishte i një zilie sherrtare e i një armiqësie pa shkak. Të shërohej sëmundja e Anglisë me socializmin ishte sikur të kërkohej të shërohej leucemia nëpërmjet shushunjave”, – shkruan ajo në librin e saj “Vitet e Dawning Street”. Me një vullnet dhe energji të pashoqe punoi për zbatimin e projektit tepër ambicioz, atë të ndryshimit të Mbretërisë së Bashkuar, në bazë të të cilit ishte parimi “të tërhiqeshin kufijtë e shtetit”, duke u mbështetur në dy shtylla kryesore të mendimit të ri: privatizimet dhe liberalizimet.
Deri atëherë në politikën botërore termi “privatizim” ishte i panjohur, me Margaret Theçerin u bë politikë për t’u zbatuar në Britaninë e Madhe e më pas për t’u eksportuar në çdo kontinent. Gjatë viteve ’80 qeveria angleze privatizoi transportet, industrinë e çelikut, gazin, telefoninë, ujin, industrinë e naftës e dhjetëra ndërmarrje të kontrolluara nga shteti u shitën. U hap kështu epoka globale e privatizimeve, që përfshiu Indinë, Amerikën Latine, Europën Perëndimore e pas vitit 1989 edhe atë Lindore së bashku me Rusinë. Në këtë proces të madh revolucionarizimi të shtetit u zhvillua edhe ndeshja me Trade-Unions, që ishin fortesat më të fuqishme të statalizmit, një ndeshje që përfundoi me fitoren e rendit të ri, që ishte shprehje e nismës së lirë të individëve, e rentabilitetit ekonomik, e një shoqërie në të cilën shteti duhej të bënte vetëm atë që nuk ishte në gjendje ta bënte qytetari i vetëm. Në betejën e gjatë të kryeministres me sindikatat mbeti proverbiale një shprehje e saj: “Të kesh mundur nazistët për t’u mundur nga sindikatat është jo vetëm marrëzi, por diçka qesharake.” Në atë vazhdë u ndërprenë pagesat për ndërmarrjet në humbje, me falimentimin e industrisë automobilistike, që u përtëri nëpërmjet kapitaleve të huaja që hynë në Angli. Në këtë kuadër lindi dhe tregu financiar ndërkombëtar në Londër, i famshmi “City”. Liberalizimit të tij mjaft ekonomistë e shtetarë të së majtës sot i veshin përgjegjësinë e krizës ekonomike të viteve të fundit, nuk di sa mund të jetë i bazuar ky gjykim.
Një tjetër fushë e veprimit të qeverisë ishte shkurtimi i shpenzimeve të shtetit. Kështu, vetëm në administratën shtetërore nëpërmjet këtyre shifrave mund të kuptohet prirja për të pasur një shtet të lehtë e funksional. Më 1961 numri i nëpunësve ishte 640 000 (më i ulëti i pas luftës. Më 1979, pas qeverisjes së Kallaghanit kishte arritur në 732 000. Në vitin 1983 zbriti në 630 000.
Një tjetër tregues i suksesit të politikës qeveritare vërehet në numrin e orëve të grevave: 30 milionë më 1979, 2 milionë më 1986. Reformat kishin mjaft kundërshtime, por anglezët e kuptuan se ishin rruga më e mirë për të siguruar zhvillimin e vendit, prandaj i dhanë votëbesimin tri herë radhazi qeverisë “Theçer”.
Personaliteti i zonjës Theçer spikati edhe në politikën ndërkombëtare. E nderuar më shumë në SHBA e në ish-Komunuelthin britanik e më pak në Europën kontinentale, për prirjet e saj nacionaliste e qëndrimin e vendosur antikomunist e jo shumë miqësor ndaj institucioneve të Bashkimit (“Evropa është dera nga hyhet në socializëm”), kryeministrja angleze shpaloste profilin e një shtetareje për të cilën nuk reshtën kurrë vlerësimet në të gjitha nivelet, si politike, ashtu dhe mediatike. Ronald Regani e quante “burri më i mirë i Anglisë”, Henri Kisinger “një drejtuese me bindje të forta e një personalitet të jashtëzakonshëm”, Xhejms Bejkeri thoshte se “Megi ka ndryshuar rrjedhën e historisë”, ndërsa Gorbaçovi shprehet për të se “ka qenë një politikane e madhe dhe një njeri i shkëlqyer, fjala e saj kishte një peshë të madhe”. Nanci Regan, bashkëshortja e ish-presidentit të SHBA-ve, shprehet kështu për marrëdhëniet Regan-Theçer: “Politikisht ishin dy zemra binjake, të përkushtuara për lirinë e për t’i dhënë fund komunizmit.” Në lidhje me këtë vështrim të veprimtarisë politike të zonjës Theçer po sjell një bisedë të saj me ish-kryeministrin sovjetik Aleksej Kosigin në një ndalim në Moskë të aeroplanit, që e çonte në Tokio në mbledhjen e G-7-s në vitin 1982. Kosigini, që ishte në një mbledhje me kryeministrat e vendeve socialiste, ndërpreu takimin dhe shkoi në aeroportin “Vnukovo” për të pritur kolegen angleze. Gjatë bisedimit ndërmjet argumenteve “Zonja e Hekurt” ngriti problemin e qindra mijë vietnamezëve të Jugut. që largoheshin me varka për të arritur në brigjet e vendeve të tjera aziatike jokomuniste. Shumë prej tyre vdisnin në det dhe Anglia kishte mobilizuar flotën për të shpëtuar mjaft prej tyre e për t’i zbarkuar në Singapor apo Hong-Kong. Ja si e përcjell bisedën vetë ish-kryeministrja e Britanisë së madhe: “I vura në dukje Kosiginit se Vietnami ishte një vend komunist dhe një aleat besnik i BS-së dhe që ai vetë kishte një ndikim të madh mbi qeverinë vietnameze. Kjo që po ndodhte ishte një katastrofë e një çnderim jo vetëm për regjimin vietnamez, por për gjithë komunizmin. Ai s’mund të bënte asgjë për të ndaluar dukurinë. Fjalët e tij m’u përkthyen: “Mirë, janë të gjithë të droguar ose kriminelë”. Nuk shkoi më tutje. ‘Çfarë?’ – pyeta. – ‘Një milion njerëz? Komunizmi është një e keqe e tillë në të cilën një milion njerëz duhet të drogohen apo të vjedhin për të jetuar?’ Nuk arrita të ndaloja lumin e mërgimtarëve të përndjekur, por munda të kundërshtoja, siç do të bëja gjithmonë, gënjeshtrat me të cilat komunistët justifikonin përndjekjen e tyre….”
Ishte një nga përballjet e Margaret Theçerit me krerët e komunizmit në një mënyrë të guximshme e jo hipokrite e ky qëndrim nuk ishte ai i të gjithë drejtuesve të demokracive perëndimore, që shpesh mbyllnin një sy, siç bëjnë edhe sot me Kinën para shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut në ato vende. Shqiptarët i mbajnë mend mirë ende tufat me lule të ndonjërit prej përfaqësuesve të demokracive perëndimore mbi varrin e Enver Hoxhës.
Këtyre vlerësimeve dua t’u shtoj edhe atë të një kundërshtari të vendosur të zonjës Theçer – Ken Livingston, kryetar i bashkisë së Londrës, që ajo e quante “një tiran komunist”: “E admiroj dhe e respektoj për pasionin e bindjeve të saj”, duke shtuar më poshtë: “Tragjedia për këtë vend ishte se gjithçka në të cilën besonte ishte e gabuar.
Koha vërtetoi se idetë dhe besimi i ish-kryeministres angleze ishin të drejta dhe e kryen funksionin e tyre. Një tjetër koleg i saj i së majtës, Toni Bler, e quante veten bir të saj sa u përket koncepteve të qeverisjes e të ekonomisë, ndërsa kujtimin e saj e nderojnë sot edhe personalitetet më të mëdha të së majtës perëndimore, si Barak Obama apo François Holande.
Ne shqiptarët nuk kemi pasur asnjë lidhje me këtë zonjë të madhe. Duke vlerësuar e nderuar figurën në filozofinë njerëzore e shtetdrejtuese të saj mund të gjejmë pika takimi, edhe pse në gjitha kujtimet e saj nuk haset asnjëherë emri i vendit tonë. Nacionalizmi, antikomunizmi e liberalizmi janë koncepte e vlera në të cilat një pjesë e mirë e shqiptarëve mund të gjejnë veten e përbëjnë një pasuri të vlefshme për të gatuar fizionominë e një të djathte të vërtetë, për të cilën ka nevojë shoqëria shqiptare.
Një mësim të vlefshëm mund të nxjerrim edhe nga përfundimi i historianit, diplomatit e politologut italian Serxhio Romano në lidhje me karrierën dhe përfundimin e Margaret Theçerit: “Na mëson se demokracitë e mira dinë t’u japin hapësirë reformatorëve të mëdhenj dhe dinë t’i çojnë në shtëpi kur bëhen më pak të dobishëm për vendin.
Më duket se është një mësim që duhet të marrë një vlerë pothuaj ungjillore për jetën tonë politike e aktorët e saj.