Margaret Theçer - largimi i një miti dhe përjetësimi i saj në histori


Nga Redi Agolli


“Zonja e Hekurt” triumfoi në qeverisjen e Britanisë atëherë kur “Zotërinjtë prej Pambuku” dështuan. Bota Perëndimore, nga presidenti Obama tek Mbretëresha Elizabetë, në zi për humbjen e gardianes së lirisë dhe demokracisë.
 
Margaret Theçer ishte një nga personalitetet që la gjurmë të theksuara në historinë  e  shekullit të XX. Në diplomaci, ekonomi, shoqëri dhe politik, ajo do të shquhej për finesën dhe karakterin karizmatik të saj. Theçer do ta kalonte me sukses testin e një politikane të shquar. Aty ku shumë burra politikanë kanë dështuar të marrin titullin “burrë-shteti” , një grua, Margaret Theçer, shkatërroi monopolin e zotërinjve dhe tregoi se kishte të gjitha atributet që mbart termi “burrë-shteti”. Arritja e saj të parë, e cila harrohet lehtë, ishte se vajti aq larg në politikë sa u bë ministrja e parë femër e Mbretërisë së Bashkuar për të kulmuar me postin e kryeministrit.  Kur ajo hyri në “10 Downing Street”, rezidenca zyrtare e kryeministrit, Theçer kryesonte një kabineti në të cilin shumica e ministrave kishin votuar për paraardhësin e saj, Edward Heath.  Rrjedha e historisë do të ofronte  “Margaret Theçer-in” për të rrëzuar vetë parashikimin dhe pesimizmin feminist të Theçerin. Gjashtë vjet para se të bëhej kryeministre, ajo deklaroi në një intervistë televizive: "Unë nuk mendoj se do të shohë një kryeministre grua gjatë jetës sime”. Gjatë kohës së saj në krye të qeverisë britanike, ideologjia politike e Margaret Theçer mbështetej në tre parime:moral, nacionalizim dhe të drejtat e individit kundrejt atyre të shtetit. Asnjë politikan tjetër britanik gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të nuk arriti t’i vinte prapashtesën "izmi” mbiemrit të tij/saj. Margaret Theçer skaliti  "Theçerizmin". “ New York Times”, së fundi ka botuar  një studim rreth rritjes e zhvillimit të kapitalizmit, ku roli i Thatchet në avancimin e shpërndarjes së ideve të tregut të lirë me politikëbërësit e tjerë ishte thelbësor. Shpjegimi se përse kapitalizmi në tregun e lirë u bë ide zotëruese në politikëbërjen e ekonomisë gjatë dy dekadave të kaluara, na afron sërish te Margaret Theçer. Ishte ajo që i parapriu Reganit, duke u bërë liderja e parë në botën e zhvilluar që u përpoq të ndryshonte nuancën e kapitalizmit në vendin e saj. Edhe pasi erdhi në pushtet Regani, argumentojmë me siguri që Theçer pati rolin kryesor.
Gazetari ushtarak, Kapiten Yuri Gavrilov  gazetën “Red Star”, e pagëzoi me nofkën "Zonja e hekurt" , pas një fjalimi të 1976 në të cilin deklaroi se "rusët janë të vendosur për dominim botëror”. Theçer gëzonte një marrëdhënie të ngushtë pune me Presidentin e SHBA, Ronald Reagan, me të cilin ndante pikëpamje të ngjashme konservatore. Simpatia për Reganin do ta detyronte Theçer -in në vitin 2004, tashmë në një moshë të thyer, të mos dëgjonte këshillat e mjekëve për të marrë pjesë në funeralin e presidentit amerikan. “Regan ishte një president i madh, një amerikan i madh, dhe një njeri i madh. Kam humbur një mik të dashur”, u shpreh Theçer.
Zonja e Hekurt do të luante  një rol të rëndësishëm në përfundimin e Luftës së Ftohtë duke i dhënë vulën e simpatisë së saj reformatorit, Mihail Gorbaçov , pak para se të vinte në pushtet. “Më pëlqen zoti Gorbaçov. Ne mund të bëjmë punojmë së bashku", deklaroi ajo në dhjetor 1984, tre muaj para se njeriu me shenjë në kokë të bëhej lideri i Bashkimit Sovjetik.
Vajza e një shitësi ushqimesh
Margaret, e lindur në tetor të vitit 1925 në qytetin e vogël lindor të Anglisë, Grantham,  erdhi nga një background modest, duke u ndjerë krenare se ishte vajza e një shitësi ushqimesh. Ajo studioi kimi në Oksford, por do të përfshihej në politike në një moshë të re, në moshën 20-vjeçare kur mbajti fjalimin e saj të parë publik. Margaret Theçer u zgjodh kryetare e Partisë Konservatore në vitin 1975, kur kjo parti ishte ende në opozitë.
Ajo do të shkruante historinë  katër vjet më vonë, duke u bërë kryeministre gjatë fitores së konservatorëve në zgjedhjet e 1979, fitore të cilën Thaçer do ta ruante edhe në dy zgjedhjet e ardhshme. Në politikën e brendshme dhe të jashtme Margaret Theçer mbante gjithmonë një pozicion strikt dhe solid, dhe nuk ishte një politikane që ndryshonte lehtë qëndrimet e saj politike. Gjatë një konferencë të Partisë Konservatore, Theçer do të theksonte stereotipin e saj se ishte një Zonjë që i qëndronte besnike afirmimeve të saj politike. "Për ata që presin duke mbajtur frymën që unë të ndërmarrë kthesë “U”-këtë frazë kaq të preferuar nga mediet, unë kam vetëm një gjë për t’iu thënë: “Kthesën merreni vetë, (politikat) e Zonjës nuk do të ndërmarrin kthesë”, deklaroi ajo e shoqëruar me brohoritje nga anëtarët e partisë .
Konflikti me Argjentinën mbi ishujt Falkland/ Nën qeverisjen e Margaret Theçer-it, në vitin 1982, Mbretëria e Bashkuar zhvilloi një luftë të shkurtër dhe të mprehtë kundër Argjentinës  që buronte nga konflikti i sovranitetit midis dy vendeve mbi ishujt Falklands. Duke njoftuar se Britania kishte rimarrë kontrollin mbi ishullin e Xhorxhias së Jugut, Theçer, apeloi ndaj ndjenjave nacionaliste, duke këshilluar shtypit: "Vetëm gëzohuni nga ky lajm dhe përgëzojini forcat tona”. Një gazetar, duke bërtitur, i bëri një pyetje: "A do të shkojmë në luftë kundër Argjentinës, Znj. Theçer?" Ajo heshti për një çast, e dha një përgjigje me një fjalë të vetme: “Gëzohuni!”
Normalisht, si çdo konflikt lufte ekzistonin polemika, si në arenën ndërkombëtare ashtu edhe brenda në Britani.  Një nëndetëse britanike shkatërroi kryqëzorin e vetëm të Argjentinës, në një sulm ushtarak që shkaktoi 358 viktima nga radhët e marinës argjentinase. Por, pavarësisht këtyre polemikave, falë jehonës së triumfit britanik në këtë luftë, kryeministrja Margaret Theçer do të fitonte mandatin e dytë në vitin 1983. Partia Konservatore e udhëhequr nga “Zonja e Hekurt” fitoi shumicën e vendeve me 42% të votave, ndërsa laburistët dhe liberal demokratët do të merrnin përkatësisht 28% dhe 25%.
Pas largimit nga politika, Margaret Theçer mori titullin Baronësh e Kesteven ndërsa  presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush i Vjetri, në vitin 1991, e dekoroi me Medaljen e Lirisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.