John O’Sullivan: Prapaskenat e jetës së Margaret Thatcher


Ish-këshilltari special i Thatcher flet për radio “Evropa e Lirë”


Nga Heather Maher


Gazetari britanik, John O’Sullivan, ka punuar për ish-kryeministren Maragaret Thatcher nga vitit 1986 deri më 1988 si këshilltar i saj special dhe jozyrtarisht si fjalimshkrues. Pasi Thatcher ka lënë zyrën, O’Sullivan ka qenë njëri nga dy shkrimtarët që ka punuar me të në memoaret e saj: “The Downing Street Years” më 1993 dhe “The Path to Power” më 1995.

Kryeministri britanik David Cameron i ka thënë BBC-së se Margaret Thatcher “jo vetëm që ka udhëhequr vendin tonë, por edhe e ka shpëtuar”. Si e ka shpëtuar ajo Britaninë?

Ajo ka shpëtuar Britaninë ekonomikisht. Koha kur ka marrë postin e kryeministres, ka qenë menjëherë pas “dimrit të pakënaqësisë”, më 1979. Nëse kujtoni atë kohë, ka pasur shumë greva në Britani. Të vdekurit mbeteshin të pavarrosur në Liverpool, mbeturinat mbeteshin nëpër rrugët e Londrës, veçanërisht në Leicester Square, kurse pacientë të sëmurë nga zemra ktheheshin prapa nga spitalet që gjendeshin në grevë. Këta janë tre shembuj, por në përgjithësi, shumica e njerëzve ndjenin se Britania po rrëshqiste në një kënetë të dëshpërimit dhe për ta shpërtuar atë, kërkohej një veprim i fuqishëm. Ajo ka bërë tre gjëra. Para së gjithash, ka ndryshuar ligjin në mënyrë që sindikatat tregtare të silleshin nën kontroll. Së dyti, ka vendosur detyrime të mprehta në zgjerimin monetar; ka stabilizuar monedhën dhe ka krijuar një lloj stabiliteti të nevojshëm financiar për bizneset. Dhe, së treti, ajo ka nisur një revolucion të privatizimit dhe lirisë ekonomike, i cili është imituar në mbarë botën. Kur njerëzit flasin për privatizimin, ata nganjëherë harrojnë se ka qenë zonja Thatcher në Britani ajo që i ka hapur rrugë atij. Dhe, duke bërë një gjë të tillë, ka krijuar edhe një klasë të re të aksionarëve në mesin e njerëzve që kurrë nuk kanë pasur prona të tilla. Pra, mbi të gjitha, ishte një ndryshim i shquar në shoqëri dhe ka bërë që, gjatë 10 vjetëve të saj në fuqi, Britania të bëhet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

Ajo ka qenë tejet e sigurt në veten dhe bindjet e saj. Shpesh ka thënë: “Unë nuk jam politikane e konsensusit. Jam politikane e bindjeve”. Çfarë vlerash personale kanë përçuar këto?

Ajo është rritur në Anglinë provinciale. Ka qenë vajza e një shitësi ushqimesh dhe gjithmonë ka thënë se kjo ka ndikuar në pikëpamjet e saj ekonomike. Nëse keni punuar në një dyqan ushqimesh, keni ditur se mallrat vijnë nga e gjithë bota dhe jeni bërë kureshtare të mësoni se si ndodh kjo. Ajo do të thoshte se ka qenë puna prapa banakut në dyqanin e babait të saj që i ka dhënë aluzionet e para ekonomike. Natyrisht se më vonë i ka zhvilluar teoritë e saj në një mënyrë më akademike. Së dyti, ajo ka qenë metodiste. Në rininë e saj në Angli, kjo ka qenë një formë pak më e ashpër e krishterimit, i cili theksonte veprat e mira. Ajo ka praktikuar këtë formë të krishterimit dhe ishte metodiste mjaft e fortë. Ka qenë fetare gjithë jetën dhe një nga thëniet e saj të preferuara ka qenë ajo e John Wesley-t: “Fito gjithçka që mundesh, ruaj gjithçka që mundesh, dhuro gjithçka që mundesh”. Mendoj se ka jetuar me këtë lloj urdhri të krishterë.

Ajo është admiruar nga shumë, por edhe urryer nga shumë. Ka qenë një figurë tepër e polarizuar. A keni menduar ndonjëherë se duke qenë aq e papëlqyer, madje edhe nga disa në partinë e saj, është dëmtuar?

Kishte të luftonte shumë beteja. E dinte dhe i luftonte ato. Nuk e ka shkatërruar personalitetin e saj; ka qenë e drejtë në sipërfaqe dhe shumë luftarake; ka pëlqyer debatin e mirë dhe argumentin e mirë dhe ka qenë e bindur se ka të drejtë. Dhe, ndonëse ka paguar çmimin, ai nuk ka qenë një çmim i thellë psikologjik; ka qenë më shumë një çmim i jetës së përditshme, që vërtet e ka përfaqësuar dhe ajo ishte e mirë në këtë drejtim.

Ajo ka qenë mike e mirë me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan. Njëherë e ka quajtur: “Burri i dytë më i rëndësishëm në jetën time”, pas bashkëshortit Dennis. A ju kujtohet si ka nisur miqësia?

Miqësia ka nisur më 1975, praktikisht një javë ose dy pasi është bërë udhëheqëse e partisë konservatore. Ronald Reagan ka qenë në Londër dhe ka shkuar ta vizitojë. Ka qenë e planifikuar të kalojnë gjysmë ore së bashku, por kanë kaluar një orë e gjysmë ose dy. Pra, kështu ka nisur. Por, vërtet është bërë formë e lidhjes politike më 1981, kur ka qenë nën presion të madh në vend dhe në vizitën e saj të parë në Uashington, pjesa më e madhe e stafit të Reaganit ka dashur që ai të distancohet nga ajo. Megjithatë, ai nuk e ka bërë. I ka bërë një bujë të madhe. Jo vetëm që i ka ofruar drekën shtetërore, por ka pranuar ftesën kthyese – që presidentët zakonisht nuk e bëjnë. Kjo ka qenë kundër protokollit. Ai ka vënë dorën në krahun e saj për t’i treguar se “jemi duke bërë të njëjtën gjë dhe kemi të drejtë”. Kjo, për të ka qenë fillimi i një miqësie të bukur, por edhe për Reaganin po ashtu. Ata shpesh edhe nuk janë pajtuar. Kanë ardhur edhe të mosmarrëveshje reale dhe, për aq sa ka qenë e mundur, i kanë mbajtur jashtë vështrimit publik.

Ju keni kaluar vitet e fundit duke punuar në Evropën Qendrore dhe Lindore, ku shumë njerëz, në vitet 1980, Thatcherin e kanë parë si mbështetëse të tyre për lirinë. A është kjo ende e vërtetë?

Ajo ka qenë kampione e lirive të tyre dhe shumë njerëz, me të cilët kam folur, janë të lumtur teksa pranojnë këtë fakt – faktin se ajo ka qenë dikush që u ka dhënë mbështetje të fuqishme për solidaritet. Ajo ka mbështetur disidentët kudo që është shfaqur mundësia. Ka qenë udhëzimi i saj që ministri i Jashtëm britanik – i pari që bën një gjë të tillë – të marrë aeroplanin për në Poloni dhe të vizitojë varrin e Atit Jerzy Popieluszko, i cili ka qenë martir i regjimit. Pra PO, këto gjëra kanë ndodhur. Ajo po ashtu ka qenë forca lëvizëse brena Qeverisë britanike, për kritika të forta ndaj Bashkimit Sovjetik dhe natyrisht për deklarata të fuqishme anti-komuniste.

Sondazhi, Margaret Thathcer më popullore se Winston Churhill

Margaret Thatcher, e cila vdiq të hënën në Londër, në moshën 87-vjeçare, është më popullore në Britaninë e Madhe se Winston Churchill, pas një sondazhi të realizuar nga Instituti “YouGov” për të përditshmen “The Sun” publikuar dje. “Zonja e hekurt” kryeson ndaj heroit të Luftës së Dytë Botërore, Winston Churchill me katër pikë, me respektivisht 28 dhe 24 për qind të mendimeve pro. Për britanikët, të qënit gruaja e parë kryeministre është suksesi më i madh për Margaret Thatcher, para fitores gjatë luftës së ishujve Falkland apo përballë sindikatës së minatorëve në grevë. Rreth 49 për qind e britanikëve mendojnë, megjithatë, se Thatcher ka lënë një shoqëri shumë të pabarabartë. Rreth 44 për qind e skocezëve shprehen se “Zonja e Hekurt” ka qenë një kryeministre jo e mirë. Sondazhi u realizua më 8 dhe 9 prill me 1893 britanikë.

Related Posts: