I gjendur në mes të botës arabe dhe Pakistanit e Afganistanit, Irani është një vend shia, por njëkohësisht një vend pragmatik në marrëdhëniet me organizatën terroriste suni, Al-KaedaMyra MacDonald, Reuters
Kur udhëheqësi i Al-Kaedës, Ajman Al-Zauahiri, foli në një mesazh audio për mbështetësit e vet më herët këtë muaj, ai tha fjalë të ashpra për Iranin. Fytyra e vërtetë e Iranit, tha ai, është demaskuar nga mbështetja që ka dhënë për Presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad, kundër luftëtarëve besnikë të Al-Kaedës.
Megjithatë, këto fjalë përmbajnë edhe një mesazh mbi formën e marrëdhënieve mes Teheranit dhe Al-Kaedës, ndërkohë që në të njëjtin muaj, policia e Kanadasë akuzoi “elementë të Al-Kaedës në Iran” për mbështetjen e një plani për të shkatërruar një tren pasagjerësh.
Irani me popullatën e vet shia dhe grupimi strikt suni Al-Kaeda janë armiq natyralë, të vendosur në anë të kundërt të barrikadës së ndarjes së madhe sektare të botës islamike.
Megjithatë, veteranë të shërbimeve sekrete thonë se Irani, për qëllimet e veta, në të shkuarën ka ndihmuar luftëtarët e Al-Kaedës në nevojën e tyre për kalim dhe strehë në territorin e Iranit. Është një marrëdhënie e pistë që ka qenë e luhatshme dhe disa në bashkësinë e shërbimeve sekrete thonë se është përkeqësuar gjatë viteve të fundit.
“Nuk mund ta quash as martesë për interes. Është më shumë një shoqëri për interes”, thotë Richard Barrett, ish-kreu i kundërterrorizmit në shërbimin sekret të Britanisë së Madhe MI6. Ai sot është kreu i skuadrës monitoruese të Këshillit të Sigurisë të OKB-së për kontrollin e sanksioneve në lidhje me Al-Kaedën dhe talebanët.
“Nuk është një aleancë strategjike. Prania e Al-Kaedës mund t’i leverdisë iranianëve për shkak se kjo gjë i jep mundësi t’i shohë se çfarë po bëjnë dhe i jep mekanizëm presioni në formën e njerëzve që janë pothuajse si pengjet”, shtoi ai.
“Ka pasur shumë udhëtime nga Pakistani për në Irak dhe kthim dhe nuk mund të besoj se iranianët nuk kanë informacion për këto udhëtime”, tha ai. Por ka pak gjasa që Irani të ndërmarrë rrezikun të bashkëpunojë në mënyrë aktive me Al-Kaedën kundër Amerikës së Veriut: “Nuk mendoj se iranianët (populli) do ta merrnin mirë nëse mësonin se shteti i Iranit ka komplotuar bashkë me Al-Kaedën në territorin e tyre”.
Policia e Kanadasë tha se nuk ka pasur të dhëna që të tregojnë se komploti i zbuluar është mbështetur nga shteti i Iranit. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Ramin Mehmanparast, tha se besimet e Al-Kaedës nuk janë fare në përputhje me ato të Teheranit.
Deri tani, shumë detaje të planit të sulmit mbeten të paqartë. Megjithatë, një burim nga qeveria amerikane përmendi një rrjet të ndërlidhësve të Al-Kaedës me bazë në qytetin iranian, Zahedan, pranë kufijve të Pakistanit dhe Afganistanit.
Burimi tha se ky rrjet shërbente si ndërlidhës, agjentë udhëtimi dhe ndërmjetësues financiarë për operativët e Al-Kaedës dhe celulat e tyre që veprojnë në Pakistan dhe që lëvizin nëpër zonë.
Një burim tjetër perëndimor sugjeroi se marrëdhëniet mes Iranit dhe Al-Kaedës janë përkeqësuar si pasojë e luftës civile në Siri. Teherani ka vepruar së fundmi për të ndaluar luftëtarët që duhet të kalojnë përmes territorit të vet nga zonat federale tribale të Pakistanit për në Siri, për t’u bashkuar atje me militantët që po luftojnë për rrëzimin e Asad.
“Megjithëse marrëdhënia mes Iranit dhe Al-Kaedës ka qenë gjithmonë e tensionuar, kjo është përkeqësuar pas vitit 2011 kur të dy palët u radhitën në krah të kundërt në luftën civile në Siri”, thotë Shashank Joshi, një studiues në Londër.
“Grupimi rebel më i fortë në Siri është në aleancë me Al Kaedën dhe që të dy kanë kritikuar ashpër Iranin për mbështetjen që i japin regjimit të Asad”.
Mbetet e paqartë nëse planifikimi për një sulm në Kanada ka nisur para se sa të thellohej lufta civile në Siri apo më vonë, kur marrëdhëniet mes Teheranit dhe Al-Kaedës u përkeqësuan. Policia kanadeze tha se përgatitjet për sulm duket se shkojnë prapa në kohë.
“Ka pasur një dobësim të lidhjeve”, thotë Barrett, duke argumentuar se dokumentet e kapura nga forcat amerikane gjatë aksionit për vrasjen e Osama bin Laden në Pakistan më 2011, tregonin se udhëheqësi i Al-Kaedës nuk qe në gjendje të besonte shumë tek iranianët.
“Që nga ajo kohë ne kemi Zauahirin që sulmon Iranin hapur. Pra dukshëm diçka nuk ka ecur mirë mes tyre”.
Kontrolli i Iranit, jo shumë i qartë
Nëse me të vërtetë rrjeti i Al-Kaedës ka bazë në Zahedan – i cili gjendet në rrugën kryesore në drejtim të Pakistanit dhe është kryeqytet i provincës Sistan-Balukestan – është shumë e paqartë se sa e mundur është për iranianët për ta kontrolluar këtë rrjet.
Rajoni është shtëpi e një aktiviteti miks kontrabande droge, tregtie ilegale dhe transporti armësh për kryengritësit. Refugjatët afganë kanë populluar prej kohësh lagjet e varfra në periferi të Zahedanit, megjithëse Irani, njësoj si Pakistani, herë pas here përpiqet t’i kthejë ata mbrapsht duke argumentuar se përbëjnë një rrezik për sigurinë.
Autoritetet iraniane ka ana e vet prej vitesh kanë angazhuar në një luftë me kryengritës suni përballë etnisë Balok, e cila ankohet se është e diskriminuar. Grupimi Jundollah ka marrë përgjegjësinë për shumë sulme, përfshirë një bombë që vrau 42 vetë më 2009. Nuk ka shenja se ky grup ka lidhje me Al-Kaedën, megjithëse shpesh ai ngatërrohet me një grup që ka të njëjtin emër dhe që është me bazë në Pakistan.
Në të njëjtën kohë, në anën pakistaneze të kufirit, forcat e sigurisë së Pakistanit po luftojnë një kryengritje nga grupi laik i separatistëve Balok, ndërsa militantët e lidhur me Al-Kaedën në grupimin sektar suni Lakshar-eJhabgvi kanë ndërmarrë sulme të ashpra kundër popullatës shia.
Përqasje pragmatike
Pavarësisht keqinterpretimit të zakonshëm perëndimor se Irani, si fuqia dominuese shia, është e motivuar nga religjioni, ky vend ka qenë gjithmonë shumë më tepër pragmatik në ndjekjen e interesave kombëtare, thotë analistët dhe diplomatët, gjë që ka bërë që shpesh ka mbyllur njërin sy përballë sunive të Al-Kaedës që përdorin territorin e saj.
“Arsyetimi kryesor i njerëzve është që meqë Al-Kaeda është suni dhe shumica e njerëzve në Iran janë shia, ato nuk përputhen fare. E pra, ata përputhen. Ata bëjnë çfarë dëshirojnë të bëjnë. Thjesht kthejnë kokën në anën tjetër”, thotë Nick Pratt, një kolonel amerikan në pension dhe ish-oficer i CIA-s që tashmë punon në qendrën George C. Marshall për Studime Europiane për Sigurinë.
Para pushtimit të udhëhequr nga amerikanët të Afganistanit më 2001, Irani bashkëpunoi me Indinë dhe Rusinë kundër talebanëve të mbështetur nga Pakistani, që në atë kohë kishin pushtetin në Kabul. Kur anëtarët e Al-Kaedës u larguan nga Afganistani pas rrëzimit të talebanëve, Irani i mbajti nën arrest shtëpiak në Teheran.
“Që nga 11 shtator 2001, një numër i konsiderueshëm i udhëheqësve të Al-Kaedës, përfshirë një nga djemtë e Osama bin Laden dhe komandantin e strategun e grupit Saif al Adel, shkuan në Iran”, thotë Nigel Inkster, ish-drejtor i operacioneve për MI6 të Britanisë.
“Ata u arrestuan në kushte goxha të rrepta nga autoritetet iraniane, të cilët më vonë u përpoqën t’i përdorin ato si një mall për Pazar me qeverinë e SHBA-së në mosmarrëveshjen që vijon mbi programin bërthamor të Iranit”, shton Inkster, i cili tashmë është drejtor i programit të Kërcënimeve Transnacionale dhe Rrezikut Politik tek Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
Vahid Brown, një studiues me bazë në SHBA që ka shkruar shumë mbi Al-Kaedën, thotë në një artikull në faqen e internetit Jihadica se njerëzit që u arratisën nga Irani përbënin një fraksion disident brenda Al-Kaedës, një grupim që gjatë viteve të fundit është bërë gjithnjë e më kritik ndaj bin Ladenit dhe Zauahirit.
Të ndarë nga këndvështrimi i tyre mbi faktin se sa produktive qenë sulmet e 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara, në terma të gjerë “grupimi mbështetës i 11 shtatorit, përfshirë Bin Ladenin dhe Zauahirin, u arratisën për në Pakistan ndërsa grupimi kundër përfundoi në Iran, ku u vendosën nën arrest shtëpiak nga autoritetet iraniane”, shkroi ai.
Irani pati shprehur vullnetin për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në lidhje me Afganistanin fillimisht, por marrëdhëniet u tensionuan, pasi Teherani u denoncua nga ish-presidenti George W. Bush si pjesë e “aksit të së keqes” më 2002 dhe u përkeqësuan edhe më shumë pas pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja në Iran në vitin 2003.
Më vonë, thonë analistët, Teherani lejoi anëtarët e Al-Kaedës – mes të cilëve edhe udhëheqësin e Al-Kaedës në Irak, Abu Musab al-Zarkaui – të udhëtojnë transit përmes Iranit.
Por Irani ka qenë vulnerabël përballë Al-Kaedës. Pasi një nga diplomatët e Teheranit u mor peng në Pakistan disa vite më parë, Irani lëshoi disa anëtarë të Al-Kaedës që kishte nën arrest shtëpiak në këmbim të lirisë së diplomatit, sipas disa raportimeve të medias së Pakistanit.
“Rreth 18 muaj më parë iranianët lëshuan shumicën apo ndoshta të gjithë ata që kishin nën arrest, për arsye jo tërësisht të qarta”, tha Inkster.
“Mund të ketë ndonjë prani të mbetur të Al-Kaedës në Iran, por unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm dhe të mos e prezantojmë atë si diçka shumë të strukturuar apo hierarkike”, tha ai.
“Al-Kaeda është sot shumë larg të qenët organizata që qe dikur dhe ajo që ka rëndësi sot më shumë janë marrëdhëniet mes individëve me këto mendime. Dhe kjo është ajo që jemi duke parë në rastin e Kanadasë. Duket se nuk ka prova për ndonjë përfshirje zyrtare të Iranit në komplot”.





