Home »
» INTERVISTA/Rexhep Qosja: Nuk kam asgjë personale ndaj Berishës
INTERVISTA/Rexhep Qosja: Nuk kam asgjë personale ndaj Berishës
Akademiku i njohur Rexhep Qosja në një intervistë për Rudina Xhungën, në “Shqip” në Top Channel flet për politikën, letërsinë dhe gjuhën shqipe. Ai flet për politikën shqiptare, kritikat ndaj kryeministrit Berisha, besimin që ka tek opozita. Gjithashtu akademiku jep vlerësimin e tij edhe për debatin e fundit mbi gjuhën standarde.
Kënaqësi që jeni në Tiranë, pas 10 vjetësh. E thyet betimin se nuk do të vinit për sa kohë drejton Sali Berisha?
Po, e theva. Por ka një arsye pse e theva. Shpresoj se Berisha së shpejti nuk do të jetë më kryeministër i qeverisë së Shqipërisë dhe të shpresojmë se nuk do të jetë as kryetar i Partisë Demokratike, për të mirën e Shqipërisë dhe për të mirën e Partisë Demokratike.
Në fakt, do kemi kohë të flasim për politikë, por si fillim dua t’ju pyes për librin. Isha në promovimin e librit tuaj dhe ishte një sallë e mbushur plot me njerëz, gjë që e pashë edhe në Vlorë kur ju morët titullin Qytetar Nderi i Vlorës. Ju ndjeheni mirë kur kaq shumë shqiptarë të Shqipërisë ju presin, ju duartrokasin, ju duan?
Natyrisht, ndjehem shumë mirë. Kjo do të thotë se një numër shqiptarësh më duan sepse i duan veprat e mia, i lexojnë ato. Unë nuk shkruaj për të ndikuar tek njerëzit me shkrimet e mia, unë shkruaj për të thënë të vërtetën dhe të drejtën. Sigurisht kjo gjë iu pëlqen njerëzve, iu pëlqen tyreve që lexojnë dhe prandaj vijnë të dëgjojnë çfarë thonë të tjerët kur bëhet përurimi i veprave të mia dhe vijnë të më shprehin një nderim që mua më sjell gëzim të madh.
Më ngacmoi diçka në librin tuaj me titullin “Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si duhet të jenë”. Njëra prej shprehjeve që keni zgjedhur për t’i paraprirë librit është nga Alfred de Lamartin, i cili thotë: Nëse arrin që prej një kombi qytetarësh të bëjë një shoqëri të turpshme gënjeshtarësh, nëse e bën atdheun të skuqet për shkak të të këqijave zyrtare, nëse lejon që të fundosemi në tragjedi të vërteta të korrupsionit, nëse lejon që pandershmëria e pushtetit shtetëror të pikëllojë dhe poshtërojë kombin dhe pasardhësit, ky pushtet, të jeni të sigurt që do të përmbyset. Dhe, do të përmbyset jo në gjakun e vet si ai i vitit 1789, por në kurthin e vet. Dhe meqenëse keni pasur revolucionet e lirisë dhe kundër-revolucionet e famës, tani do të keni revolucionin e ndërgjegjes dhe revolucionin e përbuzjes”. Ngjan shumë franceze kjo profesor, jo shqiptare.
Një krijues i madh, që ishte njëkohësisht edhe politikan, Alfred de Lamartin, e ka njohur mirë realitetin shoqëror, politik kombëtar, kulturor francez dhe ishte shumë i revoltuar nga gjithë ato shpërfytyrime, formime, degjenerime që ndodhën në pushtetin e Francës pas revolucionit të Madh të 1789. nga ajo revoltë, nga ajo pakënaqësi, pikëllim, dëshpërim i tij, ai ka shkruar ato fjali që, po të jem i sinqertë, dhe ta themi të vërtetën, me keqardhje, i përgjigjen plotësisht një mendësie të shqiptarëve sot. Ato fjali mund të shkruhen për pushtetin shqiptar sot dhe për ato që ngjajnë në politikën shqiptare sot dhe për protagonistët e kësaj politike në Shqipëri. Ato të këqija, ato korrupsione, mashtrime, ato gënjeshtra për të cilat flet Lamartini e me të cilat protagonistët e politikës së Francës e mashtruan popullin, e gënjyen, e fyen popullin francez, e cënuan në jetën e tyre, e shpërfytyruan Francën e madhe me kulturë dhe tradita të mëdha, ato fjali mund të shqiptohen edhe këtu. Po ti lexoni shkrimet e mia, në kohë të buta apo të ashpra, janë thënë edhe këto, edhe këtu në librin tim.
Ka njerëz që ju thonë se ju jeni i Kosovës, pse duhet të flisni dhe të shpreheni kaq shumë për çfarë ndodh në Shqipëri sepse mbase ju nuk e njihni realitetin? Ç’ është Shqipëria për ju profesor?
Së pari, jo unë, por të gjithë kosovarët e kanë quajtur Shqipërinë, nëna Shqipëri. Ne jemi rritur me këtë fjalë, nëna Shqipëri dhe gjithmonë prej së keqes, prej rrezikut kemi shikuar të shpëtojmë në Shqipëri. Unë po ju them juve sonte, diçka që nuk e kam thënë ndonjëherë. E gjithë familja e të parëve të mi ka ikur në verën 1913 dhe ka gjetur shpëtimin në Shqipëri. Aty babës tim i kanë vdekur të gjithë, vetëm një xhaxha i ka mbetur gjallë. Aty i ra tifoja e morrit, kur ishin mërgimtarë dhe ishin të vendosur në Barbullush me çadra. Të gjithë u sëmurën, pjesa më e madhe kanë vdekur ndërsa babai im, një djalë i ri 22 vjeçar, shpëtoi. Pra, ata ikën dhe e gjetën shpëtimin në Shqipëri dhe të gjithë kosovarët e kanë kërkuar shpëtimin në Shqipëri. E gjithë rinia jonë që ka marrë pjesë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, kanë hyrë nëpër burgje duke shqiptuar fjalinë nëna Shqipëri. Shqiptaria ishte atdheu i tyre dhe unë në moshën 15 vjeçare kam shkuar në Prishtinë dhe aty jam rritur, shkolluar, kam kryer fakultetin, jam martuar, kam krijuar familjen time. Por unë them se vendlindjen e kam në një vend por unë jam rritur në Kosovë dhe ajo praktikisht është vendlindja ime por unë them se atdheu im njëkohësisht është Shqipëria. Unë kam atdhe Kosovën por kam atdhe edhe Shqipërinë dhe këto dy atdhe nuk i ndaj, janë një i vetëm për mua dhe prandaj kam përkushtim të njëjtë, dashuri për të dy këto atdhe dhe i shikoj dhe reagoj njësoj ndaj të këqijave që ndodhin atje dhe këtu. Mjerisht, në Shqipëri po ndodhin më shumë të këqija se në Kosovë. Sot, edhe në Kosovë kanë filluar të shtohen të këqijat, të ngjashme me këto në Shqipëri dhe disa gjëra që iu përshtaten kushteve të Kosovës, reagoj ndaj atyre dhe këtyre. Dhe do vazhdoj të reagoj me padurim derisa të ma mbajë penën kjo dorë, domethënë derisa të jem gjallë.
Po ata shqiptarë të Kosovës të cilët vijnë e votojnë në zgjedhjet tona, për Berishën kryesisht, dhe të cilët do vazhdojnë ta bëjnë edhe në zgjedhjet e tjera, po ata a kanë të njëjtin përkushtim për Shqipërinë si ju?
Po, por përkushtimi i tyre ka pasoja të padëshiruara për Shqipërinë, ka pasoja të këqija, të dëmshme. Është një përkushtim që nuk mund të quhet etnikisht i arsyetuar, as politikisht. Është përkushtim që nuk e arsyeton zhvillimi historik i Shqipërisë.
A ka diçka personale në marrëdhënien tuaj të shprehur në libra apo intervista, me Sali Berishën, profesor?
Pse të ketë diçka personale? Njeriu mund të ketë diçka personale 1 minutë, 5 minuta, gjysmë ore, 2 ditë apo tre ditë por nuk mund të ketë me vite. Unë nuk kam asgjë personale kundër Sali Berishës, nuk kam arsye të kem. As kohë nuk kam, me punët që kam, të merrem me gjëra personale kundër tij. Unë kam personale kundër regjimit të Sali Berishës dhe mendoj se ky regjim e ka dëmtuar Shqipërinë, veçanërisht me 1997, po ashtu me 1998 dhe mandej e ka dëmtuar në vazhdimësi, e ka dëmtuar në Gërdec dhe në vrasjen e katër protestuesve. I përmenda këto sepse janë rezultat i një politike të gabuar dhe dëmtuese. Këto janë krime. Populli e ka një fjali të mençur e cila thotë: Nëse shala e vret kalin, fajtor është ai që është në shalë, domethënë i zoti i kalit. Sali Berisha ishte figura kryesore e Shqipërisë kur këto gjëra ndodhën. Epo, nuk mundet të jenë fajtorë figura fare të parëndësishme e të jetë i pafajshëm ai. Epo nuk është e pranueshme që, ajo që ndodhi në Gërdec, të mbajnë përgjegjësi disa njerëz që nuk mund të konsiderohen të rëndësishëm, e të jenë të pafajshëm ata kryesorët që u morën me fatin e armëve, ato që dhanë urdhra se duhej bërë ajo punë, ato që duhej ta dinin sesi mund të zhduken armët disa kilometra larg Tiranës. Epo kjo është e papranueshme sepse në çdo vend tjetër këta njerëz do thërriteshin përpara përgjegjësisë. Nuk mundet të shpallen fajtorë ato që kanë vrarë katër protestuesit, nuk mundet. Një mendje e shëndoshë nuk e lejon këtë. Dikush i vrau këta njerëz, ne duhet ta dimë kush i vrau, si dhe pse i vrau. U vranë katër protestues, në Evropë nuk ndodh diçka e tillë. Ato futen në parlament dhe askush nuk i vret. Ne duhet ta dimë kush i vrau protestuesit dhe ata që dhanë urdhër për vrasjen e protestuesve, dhe duam të dimë ata që politikisht u pajtuan dhe kërkuan që të merren masa të këtilla ndaj protestuesve. Përgjegjësia shkon deri tek qeveria e Shqipërisë në çdo vend normal. Pas vrasjes së katër protestuesve, në Evropë, kryeministri nuk do mund të ishte aty ku është. Pas vrasjes së katër protestuesve dhe mënyrën sesi u vranë në Shqipëri, Ministri i Rendit Publik dhe Shefi i Gardës nuk do mund të ishin aty ku janë. Sikur të ndodhtë 1997 në Evropë dhe të vriteshin gjithë ato njerëz, të bëheshin gjithë ato shkatërrime, dhe ta vazhdonin të ishin deri sot në politikë, ata njerëz që ishin figurat kryesore nuk do ndodhte të ishin në politikë.
Mos duhet parë edhe ndryshe, që si ka mundësi që ky njeri që ka bërë ’97, 21 janarin dhe Gërdecin, votohet dhe kjo opozitë e cila e sulmon nuk arrin dot ta zëvendësojë në pushtet? Mund ta shohim edhe nga ana tjetër?
Ka një faktor që i thonë popull. Ka popuj që quhen politikisht të pjekur dhe popuj që duhet të presin të piqen politikisht. Ne duhet të pyesim veten sot a jemi politikisht të pjekur? Po të gjykojmë realisht, objektivisht, me gjithë keqardhjen që kërkon pranimi i të vërtetës, ne duhet të themi se pjekurinë në tërësi si popull, ne nuk e tregojmë. Po ta tregonim ne nuk do të duronim çfarë po durojmë. Më të voglën por që rëndon shumë, që është fyese dhe prish pamjen e popullit shqiptar në botë, nuk do e duronim. Atë gjuhë fyese, banale, antikulturore, shpërfytyruese, cënuese, të dinjitetit, krenarisë, traditave shqiptare, atë gramatikë të urrejtjes të gjuhës politike që gjendet në parlament, në radhë të parë, përmes gojës së kryeministrit dhe kryetares së parlamentit, atë populli nuk do e duronte. Mandej ato gënjeshtra që shqiptohen, ato gënjeshtra të papranueshme, naive mund të them, por mund të jenë edhe përfituese, me idenë se populli nuk kupton dhe se do besoj çfarë të themi, kjo është fyese për popullin. Një popull evropian ta gënjesh kështu me të dhëna të gënjeshtra, siç janë ato të zhvillimit të Shqipërisë, investimet në Shqipëri, të ardhurat në turizëm, shpëtimi i Shqipërisë nga kriza financiare botërore që i ka ndodhur të gjitha shteteve të tjera por vetëm Shqipërisë jo, të gjitha këto gënjeshtra nuk do i duronte populli. Kujt po ia tregon ai këto. Ne çmojmë më shumë trurin tonë, mendjen tonë. Një popull me pjekuri politike këto gjëra nuk do t’i duronte. Gënjeshtra dhe mashtrimi i popullit me të dhëna me të cilat mashtron këta njerëz, ajo është fyerje e popullit dhe te popujt me tradita kulturore, sot në Evropë dhe perëndim, konsiderohet vepër penale. Unë e dëgjova një ditë ministrin Ridvan Bode. Kanë nisur të gënjejnë edhe ministrat si kryeministri i tyre. Ai tha, investimet më të mëdha të huaja që bëhen në rajon janë investimet në Shqipëri. E tha shumë i gëzuar e serioz duke lexuar. Por kjo ishte një gënjeshtër e madhe, tepër e madhe. Unë mund ti jap katër shembuj të katër shteteve në Ballkan ku investimet e të huajve janë 5 herë, 6-7 herë më të larta se në Shqipëri sepse në radhë të parë e kanë zhvillimin më të madh, e dyta janë shtete më të mëdha, e treta kanë lidhje shumë më të madhe, e katërta e kanë gjendjen ekonomike më të zhvilluar, më të përparuar. Kë po gënjen more ministër. Do të doja ti thosha atij ministri, kush jemi ne, edhe ne dimë diçka por ti gjithsesi do të na gënjesh. E dëgjoj kryeministrin kur thotë se në sajë të modelit ekonomik që kemi shpikur ne, Shqipëria nuk ka pësuar krizë financiare si Gjermania, Franca, Anglia, Italia e shtete të tjera të Evropës. Po mirë, një mendje e shëndoshë do thoshte, krizë financiare nuk pësuan as Shqipëria, as Mali i Zi, as Maqedonia e as Kosova. Po pse nuk i kapi? Berisha thotë vetëm Shqipëria sepse ka një model ekonomik që as një ekonomist, as një nobelist i ekonomisë në botë nuk diti ta trillojë, dhe e trilloi atë model ekonomik Sali Berisha me Ridvan Boden. Askush nuk i bën pyetje vetes, si nuk kapi kriza financiare as Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën? Kjo ka ndodhur sepse nuk kanë prodhim. Çfarë të prodhojnë ata, patate, kastravecë, apo prodhime të tjera si këpucë, çorape, gjilpëra. Po kriza financiare i kapi vendet me zhvillim të lartë si Amerikën, Japoninë, Francën, Anglinë, Gjermaninë etj. po pse kjo? Sepse këto shtete prodhojnë shumë dhe gjithçka. Aftësia blerëse e shumë vendeve ka rënë dhe kështu nuk mund të shesin prodhimet e veta dhe kështu pësojnë një krizë ekonomike dhe financiare. Ai që është i zhvilluar dhe i pasur, ai edhe e pëson krizën. Ai që nuk ka gjë, nuk ka se çfarë të pësojë. Po kë po gënjen kryeministër, mendo pak. Dëgjojmë sot fraza romantike, folklorike. Iu ka kaluar koha. Dhe prapë populli hesht, i gëlltit, i pranon. Kjo është e papranueshme dhe e palejueshme. Populli shqiptar nuk duhet ta lejojë e pranojë këtë. Tradita e popullit shqiptar e bën që të mos pajtohet me të pavërtetën dhe gënjeshtrën.
Profesor, kohë të shkuara, kur ju humbët nga zgjedhje, në kohën kur Lidhja Demokratike fitoi, ndërsa pritej fitorja e UÇK-së, ju u larguat nga politika, besoj edhe i zhgënjyer. Tani, do të largoheni përsëri i zhgënjyer nga kauza juaj për të ndihmuar në pjekjen politike të shqiptarëve me qëllim që të mos iu thonë derrit dajë, të mos iu thonë po këtyre shpenzimeve të turpshme të njerëzve që i përfaqësojnë? A do të vazhdoni të flisni, të shpreheni, të ndikoni apo do të vijë momenti që do të zhgënjeheni?
T’ju them sinqerisht, i zhgënjyer, i dëshpëruara, jam mjaft, shumë, tepër. Nuk e kam menduar në këtë mënyrë as të ardhmen e Kosovës dhe as të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ëndërruar për pavarësinë e Kosovës, kemi ëndërruar për marrëdhënie të afërta, vëllazërore me Shqipërinë, të nisem nga Prishtina dhe për tre orë të jem në Tiranë nëpër një rrugë ë mrekullueshme. E kemi ëndërruar këtë. Pavarësia ishte si një dhuratë e Zotit. Por që të ndodhnin të gjitha këto, ku të dilte një klasë, një kastë, një oligarki, që kaq pamëshirshëm do e përvetësonte, do e plaçkiste pasurinë e përgjithshme, këtë nuk e kam pritur. Që ka kaq përdorime, kaq nepotizëm, kaq familjarizëm, kaq shpërdorime të papërgjegjshme, kaq shumë veprime ndëshkuese, penale, shpesh kriminale për të cilat nuk përgjigjet askush, nuk e kam pritur. Jo, nuk e kam menduar kurrë kështu. Unë nuk e kam menduar se dikush do të mund të jepte mësim në mësim, që nuk e di a është tamam i pjekur për të dhënë mësim e për të dalë përpara studentëve, në pesë universitete. Nuk e kam pritur as këtë. Nuk e kam pritur që të ndodhë që një zyrtar i lartë, të marrë rroga në pesë vende. Epo këto gjëra të dëshpërojnë shumë. Dikur, një idealist i Kosovës, i cili ka bërë shumë vite burg, i dëshpëruar në këtë mënyrë iu ka thënë disa kolegëve të vet, “a po më tregoni ku është më së largu që të shkoj atje?” Ai e ka thënë në mënyrë figurative, sepse nuk mund të jetonte aty ku nuk kishte shqiptarë, aty ku bën e vepron. Edhe unë kur dal jashtë Prishtinës, me të gjitha të këqijat që ndodhin në Shqipëri dhe Kosovë, pas 2 javësh apo tre javësh, mua më merr malli, nuk mund të duroj dot dhe dua të kthehem tek këto të këqija. Por po e pranoj se dëshpërimi im, keqardhja, pikëllimi është shumë i madh, pakënaqësia është shumë e madhe dhe shumë shpesh kam dëshirë të jetoj diku tjetër. E di që nuk mundem por e kam këtë dëshirë që më përsëritet shumë shpesh.
Vërtetë që të vjen shumë keq të flasësh kaq shumë për politikë kur me ju mund të ndash shumë e shumë të tjera. Mund të ndash shumë dashuri për gjuhën për shembull, për gjuhën shqipe. Por pyetja ime është, pasi edhe gjuha varet nga politika, çfarë po ndodh me gjuhën shqipe profesor?
Po të shohim çfarë është bërë dhe thënë për gjuhën prej vitit 1991 e këndej do shohim se disa vite, kanë kaluar duke folur fjalët më të rënda dhe cënuese, shpesh më fyese, dhe me të drejtë, për gjuhën standarde si gjuhë që e ka bërë politika, që e ka bërë Enver Hoxha, thonë. Unë kam qenë delegat i Kongresit të Drejtshkrimit në vitin 1972 dhe kam qenë njëkohësisht anëtar i Këshillit Organizues. Kemi qenë nga Kosova Idriz Ajeti dhe unë, ai si gjuhëtar i shquar ndërsa unë si drejtor i Institutit të Albanologjisë dhe i di disa gjëra që kanë ndodhur dhe janë bërë. Kështu, di që gjuhën standarde e kanë bërë gjuhëtarët shqiptarë si Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, babai i gjuhës standarde Androkli Kostallari dhe gjenerata e sotme e mesme që janë një varg emrash të njohur sot si Emil Lafe e me të tjerë, shumë të merituar për fjalorin e gjuhës shqipe dhe krijimin e gjuhës standarde shqipe. Gjuhëtarët që kanë bërë studime të historisë, të gramatikës, të fonetikës, morfologjisë së gjuhës shqipe janë gjuhëtarë që janë çmuar kudo, që janë paraqitur me shumë sukses nëpër Republikat e ish Jugosllavisë, në Greqi, Hungari, Rumani, dhe në shtetet e ndryshme të Evropës. Gjuhëtarët shqiptarë dhe historianët shqiptarë ishin gjuhëtarë dhe historinë me autoritet evropian të çmuar, kudo paraqiteshin. Këta njerëz e kanë studiuar mirë gjuhën shqipe dhe pas shumë vitesh kanë organizuar Kongresin e Drejtshkrimit dhe kanë bërë gjuhën standarde duke konsultuar njëkohësisht edhe Kosovën se në Kosovë është mbajtur më parë një Kongres, në vitin 1968 e quajtur Konsulta e Gjuhës Shqipe në të cilën gjuhëtarët e Kosovës dhe populli shqiptar i Kosovës janë deklaruar për gjuhën standarde që të aprovohet në Shqipëri. Pra, gjuha standarde është fryt i përpjekjeve të krijimit të gjuhës standarde prej rilindjes kombëtare e deri sot dhe është fryt i studimeve të gjithanshme diakronike dhe sinkronike që janë bërë në gjuhën shqipe. Gjuhën standarde shqipe nuk e ka krijuar politika, nuk e ka krijuar Enver Hoxha. Po ta kishte krijuar unë do i thosha të lumtë, ke bërë vepër madhështore, veprën më të madhe gjuhësore, kulturore, politike, kombëtare, historike në jetën e popullit shqiptar. Dhe do t’i thosha se Kongresi i Drejtshkrimit është një arritje shumë e madhe. Pas sjelljeve të këtilla shpërfillëse, fyese ndaj gjuhës standarde kanë vazhduar mandej, pas disa viteve me këtë gjuhë për të, kanë vazhduar përpjekjet për krijimin e një gjuhe standarde tjetër, madje përpjekje për ndryshime rrënjësore me këtë gjuhë standarde që do të bënin një gjuhë që dikur i thoshin “një gjuhë si rrobat” që mund ti veshë çdo njeri. Epo është pak e vështirë kjo. Pastaj përpjekjet për të krijuar një gjuhë standarde të Kosovës meqë Kosova do bëhej shtet dhe duhej të kishte gjuhën e vet standarde sepse Kosova do jetë komb i veçantë dhe do ketë gjuhën e vet të veçantë. Kemi ende disa të tillë sot që ashtu mendojnë. Këto përpjekje, bashkë me autorët e tyre, kanë parë se nuk kanë ardhmëri, janë përpjekje të dështuara. Disa prej këtyre përpjekjeve, në disa raste, kanë gëzuar frymëzime edhe prej disa vendeve të tjera por duket sikur kanë hequr dorë prej këtyre përpjekjeve dhe tani disa gjuhëtarë janë përqendruar në disa ndryshime që i quajnë të vogla që duhet të bëhen në drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe në një farë mënyre iu kanë kërcyer në shpinë. Kanë dal për shembull disa që thonë se duhet hequr e-ja me dy pika. Ne duhet ta dimë se edhe ata që kanë bërë gjuhën standarde e kanë hequr e-në pa zë prej fjalëve të gjinisë femërore në fund. Tani këta gjuhëtarë duan ta heqin e-në pa zë si për shembull fjalën “aleancë” e donin pa zë në fund dhe po ta bënim këtë i bie që të thoshim “aleanc” dhe kështu diskutohej për një varg fjalësh të tilla. Mirëpo duhet të shqiptohen. Përjashtimet që i kanë konstatuar ata që kanë bërë gjuhën standarde Androkli, Çabej, Shaban Demiraj e disa gjuhëtarë të tjerë disa duan t’i bëjnë rregulla dhe me ato rregulla realisht duan të cënojë më shumë standardin. Po u cënuan disa rregulla atëherë cënohet standardi dhe kështu i bie të mos kemi gjuhë pra, gjuhën standarde që kemi. Unë për vete jam kundër. Mendoj se cënimi i standardit është një e keqe tepër e madhe për popullin shqiptar. Nuk është thënë kot, një gjuhë, një komb, një gjuhë standarde. Po ta cënojmë këtë standard 40 vjeçar, çfarë do të ndodhë më pas? Çfarë do të ndodhë me kulturën tonë, shkencën tonë, letërsinë tonë, krijimtarinë tonë në përgjithësi, çfarë do të ndodhë me arkivat tona, dokumentacionet tona shtetërore, arsimore, policore, ushtarake, administrative, të Kuvendit, qeverisë etj. Dëmi do të ishte katastrofal. Mendoja e shëndoshë nuk e çon mendjen atje, nuk shkon atje, nuk merret me këto. Mund të bëhet aty-këtu ndonjë korrigjim por jo korrigjime që cënon gjuhën, që cënon standardin e gjuhës. Kemi shumë punë përpara për të bërë. Të arriturën e madhe të popullit shqiptar, të arriturën historike ta duam, ta mbrojmë dhe ta çmojmë. Duhet ta mbrojmë mbi të gjitha prej fjalëve të huaja që janë bërë gjithnjë e më shumë cënuese dhe fyese për gjuhën tonë. Ne kemi fjalët shqipe, ç’duan fjalët e huaja kur ne kemi tonat? Ne kemi fjalën e bukur Kuvend, shumë e bukur, mblidhen burrat dhe kuvendojnë për problemet e popullit. Ndërsa sot quhet parlament. Pastaj kemi fjalën tjetër të bukur, pleqësi, një fjalë e vjetër por shumë e bukur dhe me kuptim. Tani kanë futur edhe në Universitete e shkolla fjalën senat. Pastaj, kemi fjalën kuvend, ndërsa tani e duan konventë, kemi fjalën drejtpërdrejt tani përdorin live. Epo ç’duan këto fjalë të huaja kur ne kemi gjuhën shqipe? Fjalët shqipe tingëllojnë shumë bukur prandaj duhet ta mbrojmë atë prej fjalëve të huaja. Kjo është diçka shumë e rëndësishme. Në shtetet evropiane, për të futur një fjalë të huaj ekzistojnë ligje, duhet të merret leje prej institucioneve më të larta shtetërore. Kështu ligjesh ka Franca, Hungaria, Finlanda etj. Gjuhën duhet ta mbrojmë dhe jo të përpiqemi ta rrënojmë apo të cënojmë standardin e saj. Flitet për fjalët e gegërishtes sikur nuk janë lejuar. Kjo nuk është e vërtetë, kurrkush nuk e ka thënë se fjalët e gegërishtes nuk duhet të përdoren në gjuhën standarde. Unë kam lindur atje ku flitet gegërishtja dhe më thonë se shumë fjalë të gegërishtes i përdor në veprat e mia. Po i përdor dhe kurrkush nuk mi ka fshirë edhe pse botohen këtu në Tiranë. Asnjë lektor nuk i ka hequr. Natyrisht që nuk mund të përdoren fjalë të tilla si kokot që është gjeli pasi është sllavizëm. Ka një varg sllavizmash që nuk mund ti fusim në gjuhën standarde.
Ju ndjeheni mirë me gjuhën standarde, ju vet kur flisni profesor, apo ndjeheni ngushtë?
Jo, ndjehem mirë. Mund të bëj gabime aty këtu, më shkon gjuha tek fjala gege por ndjehem shumë mirë dhe mund të them se në dallim prej atyre që thonë se të rinjtë nuk i dinë e nuk flasin mirë, kjo nuk është e vërtetë, e flasin mirë, sidomos gjeneratat e shkolluara. Para se të na i rrënonte Serbia universitetet, e flisnin për mrekulli gjuhën. Ta dëgjosh të riun, nxënësin dhe ta dëgjosh plakun si e flet gjuhën standarde, do çuditesh, do mrekullohesh me gjuhën që flasin nxënësit dhe të rinjtë. Ndihem mirë dhe ndihem keq kur e shoh që gaboj në përdorimin e gjuhës standarde.
Kush po vë dorë tek gjuha sipas jush?
Unë po them se një numër i vogël i njerëzve të cilët kanë disa paragjykime krahinore, lokaliste të cilat nuk na duhen, janë të dëmshme dhe e dyta njerëz të cilët kanë ngarkesa politike. Pra, është faktori politik dhe lokalist që i frymëzon këto përpjekje për të prekur themelet e gjuhës standarde. Shpresoj që këto përpjekje të dështojnë. Rëndësia e gjuhës standarde është më e madhe se të gjitha përpjekjet e tjera për cënimin e saj.
Profesor, ju keni pasaportë shqiptare. Do vini të votoni më 23 qershor në Shqipëri?
Pasaportës time shqiptare i ka kaluar afati me kohë, tani nuk e kam pasur në mendje ta rinovoj por do ta bëj. Por unë kam nënshtetësinë shqiptare e cila më është dhënë në vitin 1999. Nuk kam qenë asnjëherë në votime në Shqipëri. A do të vij në këto votime të 23 qershorit? Do ta mendoj dhe do të marr një vendim.
Marrë me shkurtime nga emisioni “Shqip” nga Rudina Xhunga