Home »
» INTERVISTA/ Grillo: Italia falimenton në vjeshtë
INTERVISTA/ Grillo: Italia falimenton në vjeshtë
Përse e saboton lëvizja “5 yjet” formimin e qeverisë?
Ne nuk po sabotojmë asgjë. Partitë po sabotojnë veten. Tek ato nuk duhen varur më shpresat. Nga ato nuk vjen asgjë.
A do të dalë fitues Berlusconi nga këto ditë kaosi politik në Romë?
E keni gabim. Berlusconi është i mbaruar. Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme po falimentojnë. Në shtator/tetor shtetit do i mbarojnë paratë dhe nuk do ketë mundësi të paguajë pagat dhe pensionet.
Si do ta vlerësonit rizgjedhjen e Napolitanos si president?
Rizgjedhja e Napolitanos është një grusht shteti. Klasa politike po lufton për mbijetesë.
Pse? Humbësit e kaosit treditor janë socialdemokratët italianë: dy kandidatë të dështuar, udhëheqja e larguar.
Ne jemi dëshmitarë të një kthese historike. Partitë tradicionale janë duke u zhdukur. Është koha e lindjes së lëvizjeve si e imja, që vijnë nga poshtë.
Në programin tuaj elektoral flitet për revolucion. Nga do nisë ai?
Para së gjithash duke siguruar të ardhura themelore për të gjithë ata që nuk ia dalin dot me fuqinë e tyre. Askush nuk do lejohet të mbesë në rrugë të madhe. Më pas vijnë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme.
A do e sugjeronit një revolucion edhe në Gjermani?
Jo. Ne kopjojmë shumë nga Të Gjelbrit. Kur bëhet fjalë për politikat e energjisë dhe ambientit. Për energjinë diellore dhe evitimin e mbeturinave. Që prej 20 vitesh tek ju mund të rimbushësh detergjentët, në vend që të blesh çdo herë shishe plastike.
Kandidati për kancelar i socialdemokratëve, Peer Steinbrueck, pas suksesit të befasishëm në zgjedhje, ju ka etiketuar si kloun…
Për mua si komik nuk është fyerje. Apo nuk jam ish- komik? Ndonjëherë as vetë nuk e di se kush jam. Por nuk është koha për të qeshur. Për momentin në Itali ka shumë zemërim. Ne po e frenojmë këtë zemërim.
Në Gjermani ka një thënie popullore “ai që bërtet, nuk ka të drejtë”. Pse ulërini kaq shumë nëpër mitingje?
Duke bërtitur mund të fitosh edhe pa shumë mjete teknike dhe pa përforcues dëgjimi.
Ndonjëherë duket sikur ju spekuloni. Një 12- vjeçari i keni thënë para kamerës se ai duhet të shohë më mirë porno sesa televizionet e Berlusconi-t.
Nuk ishte këshillë, ishte një shaka. Sepse vogëlushi është shkatërruar nga Berlusconi. Edhe unë kam gjashtë fëmijë, mes tyre një djalë në moshën e tij.
Në Palermo keni deklaruar se klasa politike italiane është më e keqe se mafia…
Në parlamentin tonë ka akoma 30 deputetë, të cilët janë dënuar për krime të rënda. Unë do të doja që njerëzit e ndershëm, kompetentë dhe profesionistë të ishin në postet e duhura. Kështu do i gëzohesha një pushtimi gjerman në Itali.
A nuk është politika arti i kompromisit?
Oh, jo, nuk ka kompromis. Në Itali u bë shumë kohë që janë bërë vetëm kompromise.






