Hashim Pashë Vërmica





Nga Kastriot Myftaraj

        Dikur ka qenë një traditë e pashëve osmanë që të merrnin si nickname emrin e vendit ku kishin arritur fitoren e tyre më të madhe. Kjo traditë vazhdoi deri në shekullin XX kur Presidenti i ardhshëm i Turqisë, Ismet pasha u quajt Ismet Inonu, duke marrë emrin e vendit ku arriti fitoren e tij të madhe kundër grekëve, në 1921. Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës meriton të quhet Hashim Pashë Vërmica, pas agresionit që ndodhi me deputeten e Kuvendit të Shqipërisë, Albana Vokshi në vendkalimin kufitar të Vërmicës. Për Albana Vokshin si deputete kam njëmijë kritika, por në rastin e kësaj ngjarjeje në Vërmicë, ajo është e identifikuar me dinjitetin e shtetit shqiptar. Njëlloj do të ishte sikur në vend të saj të ishin Arta Dade e PS, apo cilado deputete tjetër. Ajo që i ndodhi Albana Vokshit në Vërmicë është një skenar i mbrapshtë i llogaritur të ketë efekte të shumëfishta.
        Së pari, të bën përshtypje fakti se ngjarja ndodhi pak ditë pasi Bashkimi Europian mori vendimin historik për t’ dhënë Shqipërisë të drejtën e udhëtimit të lirë në vendet e zonës Shengen, duke filluar që nga Krishtlindjet e këtij viti. Kur fabrikohet një histori zyrtare sikur një deputete e Kuvendit të Shqipërisë sillet barbarisht në një vendkalim kufitar, atëherë kjo gjë, qartësisht është e llogaritur për të krijuar në vendet e Bashkimit Europian përshtypjen se qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të shkaktojnë probleme të mëdha gjatë lëvizjes së lirë, derisa këtë gjë e bëjnë deri edhe në vendkalimet me Kosovën. Kjo histori e fabrikuar është e llogaritur edhe për të nxitur animozitete mes shqiptarëve në dy anët e kufirit.
        Aq më tepër kur viktimë e agresionit është bërë një qytetare e Shqipërisë me origjinë nga Kosova, dhe jo sidokudo por prej një fisi historik të Kosovës. Shtetarët e sakicës, të ardhur në Prishtinë nga shpellat e Drenicës, duhet ta dinë se qytetarët e Republikës së Shqipërisë me origjinë nga Kosova kanë qenë ushqyesit kryesorë të dashurisë për Kosovën dhe shqiptarët e saj, tek shqiptarët e tjerë të Republikës së Shqipërisë. Këtë gjë e kanë bërë që prej fëmijërisë deri në pleqëri, gjeneratë pas gjenerate. Për këtë gjë jam dëshmitar vetë, se kam njohur prej tyre që në fëmijëri, madje mund të tregoj edhe histori të këtij lloji. Këtë duhet ta dijë edhe ai gazetari i gazetës “Express”, të partisë së Thaçit, i cili vendos në raportin për ngjarjen titullin tallës “Bijë Vokshi”, si paraprirje për talljet në vazhdim të shkrimit.
        Albana Vokshi i përket asaj shumice parlamentare në Tiranë e cila bëri të mundur ndërtimin e rrugës e cila e lidh Kosovën me bregdetin, duke e shndërruar Kosovën nga një landlocked country në një vend me akses të lehtë në bregdet, çka është jetike për Kosovën. Kjo ishte një arsye më tepër që policia e Kosovës dhe eprorët e saj ta evitonin këtë incident. Hashim Pashë Vërmica e di mirë, por duhet ta dijnë edhe shqiptarët e Kosovës, se në Republikën e Shqipërisë ka një balancë të brishtë mes krahut pro Kosovës dhe atij kundër Kosovës dhe krahu pro Kosovës nuk e ka pasur të lehtë të prevalojë. Vetë ato që ndodhën gjatë ndërtimit të rrugës që lidh Shqipërinë me Kosovën e tregojnë këtë gjë. Nëse autoritetet e Kosovës godasin krahun pro Kosovës në Shqipëri, kjo do të jetë vrastare për Kosovën, do të jetë sikur Kosova t’ i shtrëngojë lakun vetes.

        Policisë së Kosovës i ngelet faji në derë për atë që ka ndodhur se versioni që jep policia e Kosovës nuk është asfare bindës. Nuk duket bindëse që një deputete, e cila ka pasaportë diplomatike, të refuzojë që ta paraqesë atë, kur dihet se ky lloj dokumenti i siguron kalim me procedurë të privilegjuar. Më e besueshme duket që vetë policët në vendkalim kanë qenë të instruktuar që të shkaktojnë incident. Nëse Albana Vokshi ka refuzuar kontrollin e mëtejshëm, legjitimimin ka bërë shumë mirë, se në lojë ishte dinjiteti shtetëror i Republikës së Shqipërisë dhe policët e Vërmicës kishin detyrim që të respektonin statusin e saj. Që ajo që ndodhi ka qenë i planifikuar kuptohet nga fakti se policia e Vërmicës nuk u tërhoq nga pretendimi se pasaporta diplomatike ishte false, edhe pasi i erdhi konfirmimi nga autoritetet e Tiranës se pasaporta ishte e rregullt. Nuk është detyrë e policëve të Kosovës të gjykojnë mbi vlefshmërinë e dokumenteve zyrtare të Republikës së Shqipërisë, pasiqë autoritetet shqiptare konfirmojnë vlefshëmrinë e tyre.
        Policia e Vërmicës ishte instruktuar që ta shkallëzonte incidentin dhe ta bënte atë skandal publik, derisa e rrëmbeu deputeten me skuadër policie dhe e dërgoi para gjykatës si kriminele. Është e qartë se as policia e Vërmicës dhe as shefat e saj në Prizren dhe Prishtinë nuk do të guxonin që ta bënin këtë gjë pa një urdhër nga lart, do të thotë pa urdhër nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Në çfarëdolloj mënyre që të jetë sjellë Albana Vokshi me policët, ky trajtim i saj është krejt i pajustifikueshëm. Tekefundit Albana Vokshi kishte gjithë të drejtën që të reagonte me indinjim, se nuk po respektohej statusi i saj. Nëse Albana Vokshi e ka quajtur “kafshë” njërin nga policët, pasi ata janë sjellë kështu me të, ajo ka bërë një gabim të madh, se duke mos përcaktuar llojin e kafshës, ka fyer pa të drejtë pjesën më të madhe të kafshëve, emri i të cilave nuk përdoret në raste të tilla. Zonja Vokshi duhet të kishte specifikuar llojin e kafshës, ta quante derr Shumadije, ose çakall. Zonja Vokshi ka bërë gabim që nuk ka përdorur të njëjtën gjuhë edhe me atë gjykatësin-horr të Prizrenit, i cili bëri dhe pjesën e tij në implementimin e skenarit kundër saj. Se nuk mund të jetë gjykatës ai që dënon me gjobë në moment një person me status diplomatic, mbi dëshminë e disa policëve, të cilët janë sjellë në mënyrë tejet të dyshimtë. Nëse ky zotëri do të ishte vërtet jurist e gjykatës do të lironte Albana Vokshin dhe do të shtynte shqyrtimin e çështjes për më vonë.
        Qeveria e Shqipërisë bëri gabim të madh që u tregua shumë e përmbajtur pas këtij incidenti. Kjo edhe për faktin se ata që e inskenuan atë, kanë me sa duket një agjendë, dhe do të inkurajohen që të ndërmarrin edhe veprime të tjera të ngjashme. Është nonsens ajo që tha kryeministri Berisha se Hashim Thaçi i ka telefonuar pas incidentit dhe i ka kërkuar ndjesë. Së pari nuk është me vend fjala “incident” se ngjarja nuk u mbyll në vendkalimin kufitar, por Albana Vokshi u çua si e arrestuar nga policia në Gjykatën e Prizrenit dhe gjykata dha një vendim kundër saj, mbi bazën e thënieve të policëve-banditë të Vërmicës. Kjo tregon se bëhet fjalë për agresion të planifikuar, me një skenar të detajuar dhe ata që e ideuan e përdorën dhe gjykatën për t’ u fshehur pas një vendimi gjyqësor.
        Shqipëria nuk mund të durojë të fyhet deri edhe nga një shtet fiktiv si Kosova, e cila është kapur peng dhe po përdhunohet nga dy banditë si Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi. Pas ngjarjes ishte dashur që Prishtinës zyrtare t’ i jepej 24 orë afat për të kërkuar falje publikisht dhe për të ndëshkuar përgjegjësit për agresionin. Në rast të kundërt, të shpallte qeveria shqiptare, se qytetarët e Kosovës që kalojnë në rrugën e re, do të ngarkohen me një taksë të llogaritur për të nxjerrë shpenzimet e rrugës. Natyrisht se edhe qeveria e Kosovës mund të bëjë të njëjtën gjë për qytetarët e Shqipërisë që kalojnë në Kosovë, por dëmi do të ishte shumë më i madh për Kosovën, dhe qeveria e Kosovës do të tërhiqej e para. Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë duhej të udhëzohej që të dilte në konferencë për median dhe pastaj të largohej demonstrativisht për në Tiranë. Personeli diplomatik i Kosovës në Tiranë duhej të nxirrej në Morinë me automjete policie dhe atje të dëbohej me një shkelm prapanicës. Tekefundit, disa njerëz në Prishtinë duhet të mësojnë si të sillen. Atë drejtorin e Policisë së Kosovës i cili pati kurajë të vinte në Kukës pas incidentit duhej ta kishin arrestuar dhe ta çonin në qeli për shkelje të procedurave të kalimit të kufirit, e ta lironin vetëm pasi të paguante një gjobë. Për ç’ polici të Kosovës bëhet fjalë, policia e Kosovës u vetëkompromentua si asnjë polici tjetër në botë qëkurse mori pjesë zyrtarisht, në nivelet më të larta, në varrimin e një pjestari të saj, i cili u vra pasiqë keqpërdori uniformën dhe statusin e vet për të rrahur ish-të dashurin e së dashurës së vet.
        Tashmë, të gjitha gjasat tregojnë se ata që inskenuan agresionin në Prishtinë duan edhe të tallen, kinse janë duke hetuar ngjarjen, por qartësisht kanë synimin që ta bëjnë të harrohet me kalimin e kohës. Kjo gjë nuk duhet lejuar të ndodhë. Qeveria shqiptare duhet ta drejtojë gishtin tek kryeministri Thaçi dhe mbajtësi përkohësisht i detyrës së presidentit, Jakup Krasniqi, si përgjegjës për ndëshkimin e fajtorëve. Ngjarja e Vërmicës me Albana Vokshin është beteja më e lavdishme e Komandant “Gjarprit”, Hashim Thaçit. E gjithë ngjarja tradhton instinktin e gjarprit, të bishës së fshehur që jep kafshimin helmues. Komandant “Gjarpri”, njeriu që nuk mori pjesë në asnjë betejë të vërtetë gjatë luftës çlirimtare të Kosovës, por, në kohën kur nuk rrinte në Hotel “Rogner” në Tiranë, mori pjesë vetëm në betejat për vrasjen e shqiptarëve të cilët i shihte si pengesë për pushtetin e tij pas luftës, si betejën më të madhe ka atë në Vërmicë me një femër shqiptare nga fisi Vokshi. Ironikisht, por nga një pikëpamje tjetër, titulli i raportit të gazetës “Express”, “Bijë Vokshi” është me vend, se lavdia e betejës me një bijë Vokshi mjafton për gjarprin e Burojës.
        Me incidentin e inskenuar ndaj Albana Vokshit, në prag të zgjedhjeve në Kosovë, Hashim Pashë Vërmica kërkon të tregojë në opinionin se ai është sundimtar i fuqishëm, i cili bën të fortin edhe ndaj Shqipërisë. Tekefundit ndaj kujt mund të bëjë të fortin Hashimi përveçse ndaj Shqipërisë, ashtu si ai djali i keq i cili rreh vëllain e madh, i bindur se ai do ta tolerojë. Që Hashim Pasha i Vërmicës zgjodhi një femër si viktimë në këtë skenar të mbrapshtë, kjo është simptomë e degradimit moral të tij dhe të rrethit të tij të “heronjve”, të cilët po kanë beteja të lavdishme me studenteshat e mjera të Prishtinës, të cilat i joshin në atë lagjen e re që kanë ngritur me vila luksoze, që në themel kanë gjakun e dëshmorëve të UÇK.
        Hashim Pashë Vërmica nuk shkon dot të tregojë trimëri në Mitrovicë me serbët, dhe shkon e tregon trimëri në Vërmicë me femrat shqiptare. Për Hashim Pashë Vërmicën, Kosova, ashtu e ndarë dhe e coptuar edhe mjedis saj, është principata e tij personale, ku sundon ai dhe të cilën do ta trashëgojë Endrit Pasha. Hashim Pashë Vërmicës nuk i duhet as Mitrovica, as territoret e tjera praktikisht të humbura në brendësi të Kosovës. Atij i mjafton një pashallëk i vogël personal, ku të bëjnë tendera e të gjejnë frajerica ai dhe rrethi i tij. Hashim Pasha i Vërmicës është bërë si Abdullah Pashë Dreni ndaj të cilit luftoi Sylë Vokshi, stërgjyshi i Albana Vokshit. Hashim Pasha meriton dhe një këngë për betejën e tij në Vërmicë, të llojit:
Hashim Pasha në Vërmicë,
Ban durim o Mitrovicë,
Se kam një luftë me luftue
Që kurrë Kosova s’ e ka ndëgjue.
Boll u këndue Baci prej Prekazi,
Tash ka me u këndu sikur namazi
Se si Hashim Pasha me policinë,
Në Vërmicë luftoi me graninë,
Luftoi me grani të Shqipnis,
si ma i keqi shkije i Serbis,
Me një bijë Vokshi nanë me fëmi.
Kësaj i thonë burrni e trimni,
Me e pasë zili trimat e Drenicës,
Këtë që bani politikani i sakicës,
E ka zili Kamer Loshi e Azem Bejta,
Ksi trimi-drague me fleta.
E ka atdheun në banka të Zvicrës,
E ka Kosovën loçkën e frajericës.
Historia ka me iu ba llogaritar,
Se kur i priu grupit “çlirimtar”,
kanë vra ma pak serbë se shqiptarë.
Asht intelektual me diplomë historiani,
Marrë në bodrum të mixhës, ditë Bajrami.
Në politikë s’ po dihet kush e qiti,
Veç partinë e trashëgon Endriti.
Ju o reperë, rapsodë e rrokerë,
Tek Fatmir Limaj shkoni në terr,
Me i marrë paret e qeveris,
me i ba Hashimit kangët e trimnis.
Veç një ngushëllim me pasë Albana,
Ma zi e ka Lumnija me ksi gjana.
Ah bre Bac nuk u kry,
Me Hashimin veç u ndy.
kastriotmyftaraj@sot.com.al

.