Me rënien e rendit në Egjipt, gërmimet ilegale në kërkim të pasurive arkeologjike kanë marrë përmasa industriale dhe bashkë me to ka lulëzuar një treg i bollshëm objektesh të kontrabanduara
Revolucioni i Egjiptit sjell një epokë të artë për gjuetinë ilegale të thesareve
Aleem Maqbool
Revolucioni i Egjiptit jo vetëm që solli përmbysje politike, por edhe mundësi shumë joshëse për gërmuesit ilegalë që janë në gjueti të thesareve antike dhe floririt.
Aktualisht ka shumë fjalë mes njerëzve që jetojnë pranë Piramidave të Mëdha në Giza se që nga koha e revolucionit, vrima të mëdha janë shfaqur gjithkund në Tokë. Një vështrim me sy të lirë e tregoi menjëherë se fjalët qenë të vërteta.
Pranë një shtegu në shkretëtirë, fshehur pas një guri shtufe dhe me pamje nga piramidat, ne pamë një vrimë të hapur pastër. Ajo ishte së paku një metër e gjysmë në diametër dhe aq e thellë sa nuk patëm mundësi të shohim fundin. Duke hedhur një gur aty dhe duke pritur se kur do të dëgjohej zhurma e rënies, kuptuam se vrima ishte goxha e thellë.
Jo larg prej aty gjendej një tunel tjetër – këtë herë i hapur në mënyrë të pjerrët, aq sa ne mundëm të hynim brenda.
Ndërsa shkonim gjithnjë e më thellë, ne pamë shenjat e mjeteve të përdorura për të hapur vrimën në shkëmb para se tuneli të rrëzohej vertikalisht.
“Është e qartë që njerëzit po gërmojnë për të gjetur thesare arkeologjike”, thotë Dr. Osama al-Shimi, arkeolog në detyrë përgjegjës për këtë zonë arkeologjike. “Njerëzit ëndërrojnë se duke gërmuar do të gjejnë flori dhe do të bëhen të pasur menjëherë”, thotë ai.
Por Dr. al-Shimi thotë se është shumë e rrezikshme të gjurmosh njerëzit përgjegjës, sepse shpeshherë ata janë të armatosur.
Një panoramë hënore
Gërmimet ilegale nuk po ndodhin vetëm në Giza. Në fakt, një orë larg me makinë nga Kajro, në Dahshur – pranë vendit të së famshmes Piramida Bent e Faraonit Sneferu – disa zona ngjanin më shumë me kratere si panorama e Hënës, për shkak të numrit të madh të vrimave të hapura.
Njerëz të armatosur kanë sulmuar gjithashtu edhe magazina e muze në zonë. Nëpër shumë magazina gjenden materiale të rikuperuara nga gërmimet zyrtare të mëparshme dhe që nuk janë regjistruar ende pasi janë duke u analizuar. Për rrjedhojë, askush nuk e di se çfarë është vjedhur saktësisht gjatë sulmeve.
Kërkimi ynë mbi përmasat e problemit na dërguan në Egjiptin e Jugut. Shkuam në Luksor, dikur kryeqyteti antik i njohur me emrin Teba.
Këtu, pranë Luginës së Mbretërve dhe mes shumë tempujve të mrekullueshëm, terreni është përplot me pasuri arkeologjike. Por përgjatë dy viteve të fundit, policia është përmbytur nga numri i madh i rasteve të vjedhjeve nën hetim, ku njerëzit hapin tunele në drejtim të thesareve.
Forcat e sigurisë na treguan pamje filmike të jashtëzakonshme që ata kishin regjistruar kur zbuluan një rrjet të stërmadh tunelesh. Në Luksor, gërmimi shpesh nis brenda një oborri shtëpie pranë objekteve arkeologjike apo edhe në dyshemenë e një dhome, gjë që e bën identifikimin e tunelit një punë të vështirë.
Kent Weeks, profesor i egjiptologjisë në Universitetin Amerikan të Kajros, thotë se problemi është sot më i rëndë se kurrë.
“Gërmimi ilegal gjithmonë ka ndodhur por është rritur ndjeshëm që nga revolucioni”, thotë Hosni Hussain, kreu i policisë turistike dhe të antikiteteve në Luksor. “Ata mendojnë se nuk ka siguri”.
Por shefi i policisë nuk e konsideron problemin shumë të madh, duke hedhur poshtë mundësinë se shumë tunele ekzistojnë dhe autoritetet nuk e dinë se po gërmohen.
Ai këmbënguli gjithashtu se çdo gjë që është vjedhur deri tani është arritur të kapet. “Ne e dimë se çfarë po ndodh”, thotë Hussain. “Dhe jam i lumtur t’ju them se në fund, për shkak të punës sonë, asgjë nuk është vjedhur askund në vend”.
Bumi i tregut të zi
Për fat të keq nuk është kështu. Nuk është e vështirë që të provohet se e kundërta e pretendimit të policisë po ndodh. Gërmimet e paautorizuara dhe tregtia e artefakteve antike janë ilegale në Egjipt. Për rrjedhojë ka shumë tregtarë të tregut në zi që shesin antikuarë në Kajro.
Një koleg egjiptian shkoi të takojë një tregtar të njohur, duke thënë se po përfaqësonte një blerës britanik që ishte një ekspert i egjiptologjisë.
Tregtari u bind mjaftueshëm dhe i tregoi atij një arkë për të cilën tha se përmbante objekte më se 3 mijëvjeçare, nga Mbretëria e Mesme e Egjiptit. Shumica e objekteve qenë statuja shërbyesish në miniaturë, të cilat zakonisht gjenden nëpër varre.
Tregtari tha se për sa kohë fytyra e tij fshihej, ndërmjetësi mund të kryente filmime të antikiteteve dhe t’i merrte me vete për t’ia treguar blerësit.
Ai tha se mund të gjente një arkeolog për të verifikuar copat në një takim të më vonë dhe se çmimi i parë për të gjithë sasinë e objekteve ishte vetëm 5 mijë dollarë.
Natyrisht, grabitjet e varreve kanë qenë një fenomen i pranishëm që nga kohët e lashta, por Kent Weeks, profesor i egjiptologjisë në Universitetin Amerikan të Kajros thotë se gjatë dy viteve të fundit është parë rritje dramatike e krimeve të tilla.
“Që nga revolucioni dhe rënia e aftësisë kontrolluese nga ana e qeverisë qendrore mbi vendet arkeologjike, duket se gërmimet ilegale janë bërë një problem më i madh se kurrë më parë”, thotë ai.
Dëmtim i trashëgimisë
Profesor Weeks beson se pjesërisht, grabitjet janë si pasojë e vështirësive ekonomike. Përgjatë dekadës së fundit, egjiptianët kanë filluar të kuptojnë potencialin financiar të zbulimeve arkeologjike. Dhe që nga revolucioni, policia nuk ka qenë në gjendje të bëjë punën e saj siç duhet.
Rënia e ligjit dhe rendit është shumë e dukshme nëpër të gjithë vendin dhe forcat e sigurisë kanë humbur si respektin e popullit ashtu edhe imazhin e frikshëm që kanë pasur para ngjarjeve të pranverës së vitit 2011.
Profesori Weeks beson se në këtë situatë, dëme të rënda dhe afatgjata po bëhen ndaj trashëgimisë së Egjiptit e madje, edhe trashëgimisë botërore.
“Ndoshta mijëra objekte janë vjedhur. Ne thjesht nuk e dimë se sa”, thotë ai. Një aspekt pozitiv është se këto objekte gjithsesi do të ruhen dhe mbrohen nga hajdutët sepse nga aty fitojnë para, por edhe nga koleksionistët, të cilët paguajnë për t’i pasur këto objekte.
Por problemi në këto raste, sipas arkeologëve, është fakti që konteksti historik dhe arkeologjik i artefakteve humbet përgjithmonë si pasojë e grabitjeve, edhe pse vetë objektet mund të jenë në një vend të sigurt. Për arkeologët, konteksti i vendit ku gjendet objekti është më i rëndësishëm se sa vetë objekti.
“Nga ka ardhur objekti? Në cilin varr është gjetur? Çfarë objektesh të tjera gjendeshin aty në momentin e gjetjes? Ky është lloji i informacionit që humbiste përgjithmonë në çastin që objekti vidhet”.
Njerëzit që jetojnë pranë piramidave në Giza na thanë se tunelet e reja shfaqen pothuajse çdo javë dhe se me raste, ata kanë parë edhe kamionë të parkuar pranë hyrjeve të tuneleve në shkretëtirë.
Pavarësisht sigurive të ofruara nga autoritetet e Egjiptit se rojet e armatosura po monitorojnë vendet arkeologjike dhe garancive se gërmimet ilegale nuk po ndodhin, provat tregojnë se situata është krejtësisht e ndryshme.
Deklarata
“Që nga revolucioni dhe rënia e aftësisë kontrolluese nga qeveria qendrore mbi vendet arkeologjike, duket se gërmimet ilegale janë bërë një problem më i madh se kurrë më parë”
Kent Weeks
Profesor i egjiptologjisë
Grabitjet e varreve kanë qenë një fenomen i pranishëm që nga kohët e lashta, por Kent Weeks, profesor i egjiptologjisë në Universitetin Amerikan të Kajros, thotë se gjatë dy viteve të fundit është parë një rritje dramatike e krimeve të tilla
Gërmimet ilegale nuk po ndodhin vetëm në Giza. Në fakt, një orë larg me makinë nga Kajro, në Dahshur – pranë vendit të së famshmes Piramida Bent e Faraonit Sneferu – disa zona ngjanin më shumë me kratere si panorama e Hënës për shkak të numrit të madh të vrimave të hapura
Një koleg egjiptian shkoi të takojë një tregtar të njohur, duke thënë se po përfaqësonte një blerës britanik që ishte një ekspert i egjiptologjisë. Tregtari i ofroi shumë objekte për 5 mijë dollarë