Vampirë, alienë, skena të frikshme e të përgjakshme. Skenarë të tillë kanë gjithmonë e më shumë preferenca në Hollywood
Në kohën kur po xhironte “Ghosts of Mars” në vitin 2001, John Carpenter kuptoi që historia e tij e dashurisë kishte përfunduar.
“Nuk e doja më”, kujton dhjetë vjet më vonë regjisori, një nga mjeshtrit e filmave horror dhe autor i filmave kult si “Halloween” dhe “The thing”.
Carpenter nuk i referohet një prej ish-grave apo të dashurave, por kinemasë që, sipas tij, shumë shpejt u bë shumë e brishtë dhe romantike.
Atëherë, më 2001-shin një javë nga fillimi i xhirimeve Courtney Love, e menduar si protagonistja kryesore, për shkak të drogës dhe alkoolit kishte humbur nëpër rrugë, ndërsa regjisori kishte pasur probleme parash me producentët e tij.
Dhjetë vjet pas atij momenti “jo dashurie”, Carpenter u rikthye të emocionojë dhe terrorizojë fansat me “The Ward”: ku një vajzë (Amber Heard), që nuk e di pse është mbyllur në një institut mendor, vë re se brenda një kohe të shkurtër të gjithë pacientët një nga një po zhdukeshin.
“Është një horror i mënyrë së vjetër, i bazuar te personazhet dhe jo tek e keqja. Nuk ka monstra që dalin mbi të mirët. Për më tepër nuk ka shumë krim mbi origjinat e traumave të ndryshme.
Unë jam i idesë që sa më pak të dish aq më shumë një histori bëhet interesante”. Por nuk është vetëm “The Ward” në rikthimin e filmave të këtij zhanri.
Më 12 gusht 2012 në SHBA ishte radha e episodit të pestë të një tjetër klasiku horror, “Final Destination”. Edhe dy javë të tjera dhe do të jetë radha e “Non avere paura dal buio”, me skenar të Guillermo del Toro.
Filmi tregon historinë e një vajze 9-vjeçare (Bailee Madison) që përpiqet të bindë të atin dhe të dashurën e tij se në kantinën e vilës shfaqen disa krijesa të çuditshme në errësirë.
“Është një nga filmat që më ka terrorizuar më shumë kur kam qenë i vogël”, tregon ai. “Super 8” do të jetë një tjetër film plot adrenalinë i kësaj vere.
I prodhuar nga Steven Spilberg me protagonistë Kyle Chandeler dhe Elle Fannining, filmi tregon historinë e një grupi miqsh, që në Ohajo në vitin 1979 bëhen dëshmitarë të një aksidenti të rëndë hekurudhor.
Të rinjtë po xhironin pikërisht filmin “Super 8”. Por ajo që panë ishte vërtet një incident? Apo pas kësaj katastrofe ka sekrete ushtarake dhe “gjueti” ndaj alienëve?
“Edhe pse ky film është i realizuar me teknologjinë e sotme doja të ishte i ngjashëm me filmat e tjerë të viteve ‘70 apo ‘80”.
Kur një film uestern fiton një “Oskar”, analizat për rikthimin në ekran të një zhanri të tillë shtohen ndjeshëm. Kur superheronjtë zhgënjejnë dhe filmi konsiderohet si dështim, ekspertët shpjegojnë se tregu është i mbingarkuar me efekte speciale, deri kur rezultati pasardhës e përgënjeshtron këtë.
Në përgjithësi filmat horror nuk gëzojnë as respekt dhe nuk marrin as çmime, megjithatë dëshira për t’u terrorizuar nga psikopatë, vampirë, zombi, alienë, monstra dhe krijesa të ndryshme që vrasin dhe torturojnë viktimat e tyre duket se nuk njohin fund, duke i rezistuar fort evolucionit të shoqërisë, të shijes dhe modës.
“Nëse filmat horror janë një manifestim ndaj anktheve të kohëve dhe kulturave tona, nuk është për t’u habitur që prodhohen kaq shumë filma të zhanrit të tillë”, tregon Jason Zineman, autori i librit të titulluar “Shock Value”, ku flitet për shpikësit e horrorit modern hollivudian.
“Ajo që tërheq publikun është tmerri pervers për të kuptuar që ne e pëlqejmë horronin”. Një tjetër serial i famshëm vjen nga Australia me titullin “Saw”, i prodhuar dhe drejtuar nga James Wan dhe Leigh Wannell.
Pas shtatë filmash të zhanrit horror, ata vendosën që këtë vit të riktheheshin në origjinë e të xhironin “Insidious”, që kushtoi vetëm 3-4 milionë dollarë dhe montazhi u bë në garazhin e tyre. Edhe Kevin Smith është “hedhur” këmbë e kokë në zhanrin horror.
Autori i “Clerks” dhe “Dogma” në “Red State” tregon historinë e njerëzve homofobikë dhe veçanërisht të një çifti që sapo sheh homoseksualë përpiqet t’i zhdukë me çdo kusht.
Shumë aktorë të famshëm janë hedhur në këtë gjini: mes tyre Melissa Leo, fituese e “Oskarit” si aktore jo protagoniste me filmin “The Fighter”.
Pas saj edhe Paul Bettany, murgu albin në “The Da Vinci Code”, në filmin e ri “Priest” është një prift në gjurmët e vampirëve. Edhe Anthony Hopkins në filmin “The Rite” është një prift i keq.
Por nëse filmat horror nuk zhduken kurrë nga qarkullimi, madje tani po shohin një lulëzim të madh, kjo lidhet edhe me faktin që kushtojnë pak nëse Hollivudi eksporton 70 për qind të produktit të tij, frika është një emocion që nuk njeh kufij gjeografikë dhe kulturorë.





