75. Beu i fundit
“Beu i fundit” e quajti Eqrem bej Vlora kapitullin e fundit që ishte duke shkruar, jo të fundit që kishte ndërmend të shkruante, të kujtimeve të tij të papërfunduara, që mbyllen në vitin 1925, kur me ardhjen e Ahmet Zogut në pushtet, fuqia e bejlerëve u duk se u konsolidua. Sigurisht që në 1925, Eqrem bej Vlora nuk mendonte se ishte beu i fundit i familjes së tij. Ky ishte një përcaktim që ai e bënte për veten duke shkruar njëzet vjet pas përmbysjes shoqërore të vitit 1944. Por historia përsëritet dy herë, sic thoshte Karl Marx duke parafrazuar Hegelin, herën e parë si tragjedi dhe herën e dytë si farsë. A ndoshta si farsë tragjike, do të shtoja unë. Beu i fundit është Blendi Fevziu. Kujtimet e Eqrem bej Vlorës nisin me reflektimin e tij mbi sarajet (pallatin) ku lindi dhe u rrit në Vlorë.
Blendi Fevziu rri në verandën e madhe të apartamentit të tij, në dy katet e sipërme të një pallati të lartë në fillim të Rrugës së Elbasanit, në Tiranë dhe mediton për një ese të cilën e di se nuk do të mund ta botojë kurrë. Ai, Blendi bej Fevziu ia arriti që për vetveten të rikthente kohën që u ndal për paraardhësit e tij, kohën kur njerëzit e klasës së tij, bejlerët, qenë të fuqishëm, të pasur. Ai është tani më i madhi i bejlerëve, më i fuqishmi i klasës së tij, ai çka dikur ishte Shefqet bej Verlaci. Madje Fevziut i duket vetja se është diçka më tepër, një bashkim i fuqisë pronësorë dhe asaj intelektuale, një bashkim i Shefqet bej Vërlacit dhe Faik bej Konicës. A nuk kishte ai Blendi bej Fevziu pasurinë e Shefqet bej Vërlacit dhe famën intelektuale të Faik bej Konicës? E çfarë do të thoshte që ai Blendi bej Fevziu nuk ishte qeveritar, as ministër, as kryeministër? E përse i duhej kjo gjë atij kur kryeministrat dhe ministrat që ndërroheshin i përmbushnin kërkesat e tij, kur ai kishte interes për të bërë diçka me anë të tyre. Ai kishte përfitimet e pushtetit pa pasur pushtet të drejtpërdrejtë. A nuk është kjo mënyra më komode e ushtrimit të pushtetit?
E përse i duhet Blendi Fevziut të jetë kryeministër, kur kështu do të ketë probleme me opozitën, do të ketë konflikt me Presidentin e Republikës, do të ketë konflikte me gjykatat, Prokurorinë, SHISH, siç ka ndodhur pak a shumë me çdo kryeministër. Fevziu, për punët që ka është edhe Kryetar i Gjykatës së Lartë, edhe Prokuror i Përgjithshëm, edhe drejtor i SHISH. A nuk i fliste atij me përkëdhelje Prokurorja e Përgjithshme, gjatë intervistës që pati me të në janar? Ky është pushteti postmodern. E ç’ janë pushtetmbajtësit zyrtarë, titullarët e institucioneve, para pushtetit të tij. Nga lartësia ku qëndron ai është në gjendje t’ i shohë nga lart ndërtesat që janë seli të institucioneve dhe kjo është domethënëse. Ja ku gjenden poshtë tij, selia e Këshillit të Ministrave, selitë e ministrive, selia e Kuvendit, Gjykata e Lartë, pak më larg edhe Prokuroria e Përgjithshme. Selinë e SHISH e ka afër zyrës së tij në Tv Klan; një afërsi domethënëse kjo. Nga pozicioni ku gjendet mund të shohë nga lart edhe lagjen e dikurshme të udhëheqjes komuniste, ish-Bllokun. Nga lart është në gjendje të shohë edhe shtëpinë ku banon kryeministri Berisha, pak qindra metra larg, në vijë të drejtë, dhe kjo i jep një ndjenjë kënaqësie. Siç e do tradita, sarajet e beut janë mbi të gjitha shtëpitë e rajave. Por sarajet e vërteta të tij do të jenë atje, në TEGucigalpa.
E njëjta gjë si me pushtetin është edhe me pasurinë. Dikur, pasuria e njerëzve të klasës së tij, bejlerëve, përbëhej kryesisht nga çifligje, toka bujqësore, bagëti. Kjo pasuri krijonte jo pak shqetësime kur ishte fjala për të nxjerrë të ardhurat. Se duhej jetuar me shqetësimin nëse gruri dhe misri i mbjellë po rritej mirë, nëse do të kishte korrje të mbara, prodhim të mirë, pastaj duhej mbledhur prodhimi nga bujqërit, duhej shitur. Jo pak probleme kishin dhe bagëtitë. Qumështi, mishi, lëkurët duheshin mbledhur, përpunuar, shitur. Pastaj qenë revoltat e bujqërve, shpërdorimet e administruesve të emëruar prej beut. Blendi Fevziu ka “çifligje” më të mira, më praktike. Ai ka “çifligje” nga të cilët merr drejtpërdrejt të ardhurat, dhe që janë disa biznismenë të mëdhenj, të cilët i paguajnë Fevziut shpenzimet e mëdha që ai ka, në këmbim të mbështetjes që ai u jep kur ata kanë probleme. Rajatë janë për të shërbyer dhe paguar, mendon ai si një bej i vërtetë. Se kështu i quan me përçmim të gjithë ata biznesmenë, qeveritarë, magjistratë që i bëjnë shërbime dhe paguajnë për të. Këto janë çifligje postmoderne., të cilat i japin të ardhurat pa mbjellje e korrje, pa probleme me bujqërit.
Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka pasuri reale. Hedh sytë nga perëndimi, atje ku janë vilat e tij në bregdet, tek Mali i Robit, tek Laguna Blu në Qerret, tek Gjiri i Lalzit. Sigurisht që është edhe vila e tij në TEGucigalpa. Nga lartësia ku gjendet sheh vendet ku janë ndërtuar pallatet në trojet që ai ka uzurpuar, vendin ku po ndërtohet një qendër e madhe tregtare, tek e cila ai është bashkëpronar, në mes të Tiranës. Por gjithsesi kjo është vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së tij. Pjesën më të madhe të pasurisë e ka siguruar në bankat e huaja, për çdo të papritur. Ajo që i ndodhi klasës së tij, bejlerëve, në 1944, është një mësim i madh për të. Nuk i dihet se çfarë ndodh në këtë dreq vendi. A nuk e humbën paraardhësit e tij pasurinë sa hap e mbyll sytë dikur? Ai Blendi bej Fevziu nuk do të përsërisë gabimin e tyre. Nuk do t’ i ndodhtë atij si Eqrem bej Vlorës, i cili u detyrua që ta braktisë vendin në moshën 59 vjeç, duke humbur krejt pasurinë e tij, përveç atyre pak florinjve parave që mundi të marrë me vete kur iku duke lënë në shtëpi gruan dhe fëmijët. Nëse atij Blendi bej Fevziut do t’ i duhet të largohet nga Shqipëria përgjithmonë një ditë, atëherë këtu do t’ i mbetet pjesa më e vogël e pasurisë, ndërsa pjesën më të madhe do ta ketë për ta gëzuar jashtë vendit, atje ku do të shkojë. I duket vetja i pari i klasës së tij, asaj të bejlerëve. Më i zgjuari. Atij i shkojnë sytë tek unaza e stërgjyshit të tij, Abdyl bej Ypit, kryetarit të Lidhjes së Bejlerëve, të cilën e mban në gisht. A nuk e ka merituar ai këtë unazë? A nuk është ai, Blendi Fevziu, një aristokrat intelektual, siç i pëlqen ta quajë veten? Ai mund t’ ia thotë këtë gjë çdokujt por jo vetëvetes para pasqyrës. Befas ndjeu t’ i kalonin të ngjethura në trup. Jo prej të ftohtit. Prej një lëvizjeje të dorës mbi gurin e çmuar të unazës ishte reflektuar hëna. Ishte një hënë e plotë, që atij i shkaktonte tmerr superstioz. Në këto netë me hënë të plotë i duket sikur ndjen një zë sardonik që i thotë:
E o bej i madh, a u kënaqe duke u mburrur me origjinën tënde aristokratike? A u kënaqe duke parë hartën me pemën tënde gjenealogjike të cilën e mban në mur në studion tënde të fshehur pas një tabloje, dhe e zbulon herë pas here për ta vëzhguar? Por për atë pemën tjetër gjenealogjike nuk dëshiron të dish, edhe pse ajo gjallon në gjakun tënd. Është një pemë gjenealogjike të cilën e njoh unë, dhe po deshe mund të ta zbuloj në ndonjë natë me hënë të plotë. Është pema gjenealogjike që përfshin gjithë të çmendurit që janë në trashëgiminë tënde gjenetike dhe që kanë lindur nga martesat incestuoze. A dëshiron ta mësosh këtë pemë gjenealogjike? Sot është një natë me hënë të plotë!
Është tmerri i tij që artikulohet në këtë zë sardonik. Beu i madh nisi të ndjente të dridhura. Jo prej të ftohtit. Por sepse në errësirë atje poshtë zenë e shfaqen fantazmat. Ja ku janë të parat. Tre plaka të veshura në të zeza që ecin ngadalë. Në dorë mbajnë një letër të gjatë që zgjatet pas tyre si letra e një aparati faksi. Kjo skenë është ajo që Fevziu e shikon në një ëndërr periodike. Që në fëmijëri ka dashur ta dijë se çfarë shkruanin tre plakat në një letër, duke pëshpëritur kokë më kokë, pasiqë kishin biseduar me të. Ato nuk kujdeseshin që ta fshihnin letrën prej tij, se ishte e shkruar në turqisht. Ai e kishte kuptuar se përmbajtja e letrës kishte të bënte me vëzhgimin që i bënin atij. Ato tre plaka bartnin sekretin e tij, dhe kishin vdekur duke e marrë me vete atë sekret. Ato e dinin nëse tek ai gjallonte gjeni i çmendurisë incestuoze. Pas plakave u shfaq fantazma tjetër, një nga më torturueset, së cilës para se ta shohë Blendi Fevziu i dëgjon fjalët:
“Në jetë gjithçka të lë me përjashtim të veprës tënde! Mos beso tek askush tjetër veç saj!”
Nuk e di pse ky postulat i thjeshtë që, që mbështillte brenda tij, gjithë dhimbjen dhe vuajtjen e një njeriu, më kishte sugjestionuar aq shumë në vitet e studimeve. Nuk e dija as atëherë dhe e kam të vështirë të them edhe sot nëse sugjestioni vinte nga filozofia e mrekullueshme e kësaj fraze, apo nga sharmi që lëshonte autori i saj. Quhej Petro Marko, një burrë në moshë të thyer në atë kohë, i shënjuar prej dhjetëra vjetësh me yllin e njërit prej shkrimtarëve më të talentuar në vend e njëherazi me atë të një personazhi thuajse anekdotik. I gjatë, i pashëm, gjithnjë impulsiv dhe i vështirë, ai parakalonte çdo mbrëmje në Bulevardin qendror të Tiranës, në atë që në kohën e studimeve të mia quhej Bulevardi “Stalin”, në shoqërinë e disa prej poetëve dhe gazetarëve të njohur në vend. Ishte fillimi i vitit 1990 dhe ai sapo kishte botuar një nga romanet e tij më të mrekullueshëm, “Nata e Ustikës”... Unë vijoja të diskutoja me një nga miqtë e mi idenë e atij muaji: të shkonim për një vizitë në shtëpinë e Petro Markos. Doja ta takoja patjetër dhe idenë e takimit e bënte edhe më romantike teksti i një kartoline që Marko kishte marrë vite më parë nga Hemingueji dhe që ishte botuar ato ditë në revistën “Nëntori”. Xhevahir Spahiu kishte marrë përsipër të organizonte takimin, por ende sot nuk mund të them se pse ai nuk u bë kurrë.[i]
Epo sot duhet thënë se përse nuk u bë ky takim. Fevziut nuk i dha leje Sigurimi i Shtetit të takohej me Petro Markon. Fevziu e kishte kërkuar takimin me Petro Markon me anë të shokut të shkollës së babait, poetin Xhevahir Spahiu (këtë fakt nuk e thotë), por i duhej të merrte leje tek oficeri operativ i tij për takimin me një shkrimtar që kishte qenë në burg. Fevziu është i sinqertë kur thotë se ai nuk i di arsyet për të cilat nuk u bë takimi, ose më saktë përse ia ndaluan ta bënte këtë takim. Ato i dinin shefat e tij në Sigurimin e Shtetit. Gjithsesi, ç’ përgjigje ka Fevziu tani pas 22 vjetësh për fjalët e Petro Markos? Ç’ vepër ka krijuar ai? Çfarë mund t’ i thotë ai fantazmës shtatlartë që shquan tutje, në muzg? A mund t’ i thotë asaj se tashmë ai djaloshi njëzetenjëvjeçar i dikurshëm është bërë një njeri me vepër? Se tashmë është analist, moderator televiziv, pedagog universitar, biograf, shkrimtar, madje edhe historian (ai ka paralajmëruar se do të botojë një histori të Shqipërisë). Se është autori i nëntë librave? Kjo është vepra e tij? Dhe befas i ngjan se fantazma ia jep një të qeshure shpotitëse me zë bubullues. Kjo nuk është vepër, por surrogat eunuku intelektual. Ai nuk do që ta shohë më fantazmën bezdisëse dhe i largon sytë prej saj. Por fantazmat vijnë njëra pas tjetrës.
Ja tek është më e frikshmja prej tyre. Një mësues letërsie, i quajtur Blendi Bregasi, i cili ecën në trotuarin anës Lanës. Nën sqetull mban një tufë me fletë të shtypura. Është dorëshkrimi i një romani të tij me titull “Llava dhe hiri”. Një roman i çuditshëm. Flet se si do të kishte shkuar jeta e një djali të vogël që jetonte në një fshat të Lushnjës, në rast se në vitin 1983 nuk do të kishte bërë një pakt me diktaturën komuniste, që të mund të vinte në Tiranë. Djali do ta kishte bërë shkollën e mesme atje në fshat në Lushnjë. Pasditet dhe mbrëmjet nuk do t’ i kishte kaluar në xhiro dhe bordurat e bulevardit si një pjesë e madhe e bashkëmoshatarëve të tij në Tiranë, por duke lexuar libra. Atje do të njihte ndonjë plak të internuar nga ata që qenë shkolluar dhe kishin jetuar në Perëndim para vitit 1944, si Lazër Radi. Me atë do të bisedonte për shkrimtarët, librat. Ndoshta do t’ i fliste me vështrim ëndrrues për xhiron që bëhej në bulevardin e madh të Tiranës, dhe do ta pyeste se si qenë shëtitjet në qytetet perëndimore. Dhe plaku do t’ i fliste për esplanadat, dhe do t’ i thoshte se të shëtisje anës kanaleve të fushës atje në fshatrat e Lushnjës qe më afër realitetetit të shëtitjes që bëhej në Perëndim, në esplanadat anës lumenjve dhe në bregdet, se në xhiron që bëhej në Tiranë. Dhe më pas djali do t’ i thoshte ndonjë vajze: eja të shëtisim në esplanadën tonë.
Djali nuk do të kishte arritur që të fitonte të drejtën e studimit për në Universitet fill pas përfundimit të shkollës së mesme në 1987, por do të shkonte të kryente shërbimin ushtarak. Në repartet e punës. Edhe atje në kohën e lirë do të lexonte shumë. Në bibliotekën e repartit do të merrte librin e Graham Greene “Komedianët”, që do t’ i bënte përshtypje të thellë. Personazhi kryesor i romanit, thotë në fillim të librit:
Në shumicën e jetëve ka një pikë moskthimi, që, kur të vjen, as vetë s’ e kupton.[ii]
Pasiqë të ndodhnin ndryshimet politike në Shqipëri, në vitin 1991 do të niste studimet universitare për gjuhë-letërsi shqipe. Në përfundim të shkollës do të bëhej mësues letërsie. Pastaj do të shkruante një roman ku të përshkruante se si do të kishte shkuar jeta e tij nëse në 1983 do të kishte pranuar ofertën që iu bë nga Sigurimi i Shtetit për të shkuar në Tiranë si spiun bordurash. Ai e refuzoi ofertën me arsyetimin se i dukej punë shumë e vështirë, se nuk jetonte dot larg familjes. Sigurimi i Shtetit nuk ngulmonte kur ndeshej me kundërshtim që vinte nga mosbesimi në vetvete i atij që duhej të kryente një detyrë speciale. Tekefundit kishte shumë kandidatë. Blendi Bregasi shkruan në roman se nëse do të kishte pranuar, do t’ i ishte dhënë e drejta e studimit për gjuhë-letërsi në 1987 dhe do të kishte qenë në një kurs me Ben Blushin, Andi Bejtjen, Andi Bushatin, Lorenc Vangjelin, me ata që u bë gazetarë të njohur pas vitit 1990. Ndoshta do të ishte bërë njëri nga ata. Por ndoshta nuk do të ishte bërë shkrimtar, se pothuajse asnjë prej tyre nuk u bë shkrimtar, ndonëse të gjithë ëndrronin të bëheshin të tillë. Në fakt, i vetmi prej tyre që iu rikthye seriozisht ëndrrës së vjetër shtatëmbëdhjetë vite pas diplomimit qe Ben Blushi, i cili me vullnet pothuajse mbinjerëzor ia arriti që të bëhet shkrimtar, në kohën që i qe përkushtuar karrierës si politikan. Blendi Bregasi mendon se ka bërë zgjedhjen më të mirë, atëherë në 1983, kur iu dha rasti të zgjidhte mes llavës dhe hirit. Nëse do të kishte pranuar ofertën që i bënë, ai do të kishte qenë si një vullkan që do të prodhonte vetëm hi dhe asgjë tjetër, ndonëse ky hi do të ndriçonte nga shkëndijat që do të ngriheshin bashkë me të, por që do të shuheshin aty për aty. Ai do të ishte një njeri pa vepër.
Fantazmën e këtij njeriu shikon tani Blendi Fevziu nga lartësia ku qëndron. Ai djali, i cili nuk është më djalë, por ka moshën e tij, se ai është alter ego e tij, është duke shëtitur në “esplanadën” anës Lanës. Ai nuk ka asnjë dëshirë që të shëtisë në bulevardin ku dikur bëhej xhiroja e madhe, as të qëndrojë në bordurat. Nga lartësia ku është Fevziu duken bordurat Parkut “Rinia”, ku ai rrinte dikur, bulevardi i madh ku i bashkohej xhiros së madhe, dhe si padashje sytë i shkojnë atje ku në atë kohë gjendej Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës, atje ku sot është Drejtoria e Policisë së Tiranës. Fantazma befas qëndron tek ura në hyrje të Rrugës së Elbasanit dhe ngre kokën e sheh në drejtim të Fevziut. Alter ego i tij gjendet pikërisht në vendin ku Fevziu thotë se ishte në paraditen e 9 nëntorit, kur dëgjoi zhurmën e protestës së studentëve. Alter ego nënqesh me ironi si për t’ i thënë se e dinte që kjo ishte gënjeshtër.
Ballafaqimi me alter egon po bëhej i padurueshëm. Fevziu e dinte se çfarë donte ai tjetri, prandaj u kthye dhe hyri brenda që të bënte atë që priste tjetri, me shpresën se kështu do ta hiqte qafe. Hyri në bibliotekë. Në një pritje tek Ismail Kadareja kishte dëgjuar që raftet me libra kanë një efekt qetësues ndaj njeriut që është i dashuruar me to. Dhe ai kishte një bibliotekë madhështore. Por raftet me libra, në vend që ta qetësonin, i shkaktonin një lloj nervozimi, për shkak se i kujtonin librat që do të kishte dashur t’ i lexonte, por nuk kishte gjetur kohë që ta bënte këtë gjë, për shkak të xhiros, bordurave, drekave e darkave të zgjatura në restorante me miqtë,argëtimit në pube, diskoteka etj. Nganjëherë i dukej se atij i kishte vlejtur mirëfilli vetëm një libër, atë në të cilin kishte mësuar sekretin e suksesit që herët, në fëmijëri. Ky ishte libri “Timuri dhe skuadra e tij”. Asgjë që kishte lexuar më pas nuk i kishte shërbyer aq shumë. As “Princi”i Machiavelli. Këtë gjë mund t’ ia pohonte me siguri vetvetes tashmë pas 29 vitesh që prej asaj dite të lartë qëkurse ishte rikthyer në Tiranë si djalosh 14 vjeçar, me librin e Gajdar në valixhe. Sekreti i suksesit ishte se nuk duhej të shqetësohej për skrupuj moralë, por të bënte gjithçka ishte e nevojshme për të arritur suksesin, pavarësisht se sa dëm u bënte të tjerëve me veprimet e tij. Nuk duhej të kërkonte të vërtetën, por suksesin.
Edhe në raftet luksoze të librave i bëhet se sheh fantazma në trajtë librash. Atje janë disa libra të tmerrshëm për të. Si ai libri të cilit ai nuk guxonte as t’ ia përmendte emrin në esetë e tij, ku përmendte vetëm “Komedianët” të Graham Greene. Por ishte ai libri tjetër që e trembte dhe të cilin nuk guxonte që ta prekte me dorë. Por pikërisht këtë kërkonte alter ego i tij që rrinte atje poshtë në terr, që ai të merrte në dorë atë libër dhe ta shfletonte. Ai libri tjetër qe botuar në shqip afërsit në të njëjtën kohë me “Komedianët”, në vitin 1988, dhe Fevziu student e kishte blerë dhe e kishte lexuar. Titulli i këtij romani të shkrimtarit gjerman Klaus Man ishte “Mefisto: roman i një karriere” dhe rrëfente për një aktor në Gjermani, i cili shtirej si komunist, kur komunistët qenë të fuqishëm dhe dukej se u përkiste e ardhmja në Gjermani, por kur erdhi Hitleri në pushtet, ai u bë nazist, dhe karriera e tij eci përpara, duke arritur të zinte postin shumë të lakmuar të drejtorit të Teatrit shtetëror të Berlinit. Bashkëstudentët tregojnë se Fevziu ishte magjepsur atëherë nga ky libër. Duket se e kishte magjepsur ngulmimi me të cilin personazhi kryesor punonte për të arritur ambicjen e tij, për të arritur suksesin, për t’ u bërë i famshëm. Duke përdorur për këtë qëllim komunistët dhe nazistët, njërin pas tjetrit. Ndonëse ata kujtonin se e përdornin atë, në fakt ishte ai që i përdorte ata. Roli më i rëndësishëm i tij ishte ai i Mefistofelit, me të cilin ai qe identifikuar- prej këtej dhe titull i librit: “Mefisto”. Por ky aktor mbeti në thelb vetëm një gaztor i njerëzve të pushtetshëm. Aq shumë përshtypje i kishte bërë Fevziut ky libër, saqë flet për të edhe në shkrimin për Stefan Zweig në 1989, të cilin e kam cituar më lart, ku përmendet:
autori i njohur i “Mefistos”[iii]
Fevziut i patën bërë përshtypje veçanërisht këto fjalë të librit “Mefisto”:
Kësaj i thoshin karrierë! Ëndrra e madhe ishte bërë realitet. Mjafton vetëm të ëndërrosh me forcë të madhe- mendonte Hendriku- dhe tabloja e përfytyrimit të guximshëm kthehet në realitet. Sa gjë e mrekullueshme të guxosh të ëndërrosh.[iv]
Ashtu si “Mefisto” edhe Fevziu bëri paktin me Djallin, në fillim me diktaturën komuniste dhe pastaj me gjithkënd që kishte nevojë për shërbimet e tij. Duket se në këtë libër Fevziu kishte paraparë fatin e tij, se Fevziu i sotëm është homologu i personazhit kryesor të këtij romani, të quajtur Hendrik Hëfgen. Se Fevziu sot nuk është gjë tjetër veçse drejtor i Teatrit politik të Pushtetit. Pushtetarët në të gjitha kohërat kanë qenë të apasionuar pas teatrit. Por, sot në epokën e televizionit, sa më larg njëra tjetrës të qendrojnë politika dhe e vërteta, aq më i madh është pasioni i pushtetarëve të çdo lloji për një lloj të veçantë të teatrit politik, që është një perversion i asaj që quhet talk shoë, dhe që me emisionin e Fevziut ka ekzemplarin më të përkryer. Emisioni i tij televiziv është një teatër politik, ose një perversion i teatrit, të aplikuar në talk shoë, me Fevziun si personazhin kryesor. Emri i saktë i emisionit të Fevziut do të ishte ai i një rubrike javore televizive në Shqipërinë komuniste, që ishte “Teatri në ekran”. Në rastin e emisionit të Fevziut: “Teatri politik në ekran”. Atëherë kur Fevziu nuk bën teatër të keq politik, ai bën teatër të keq intelektual. Kur e zgjeroi emisionin e tij nga një herë në javë në katër herë në javë, ai kërkoi të krijojë përshtypjen se tashmë emisioni i tij do të ishte një lloj salloni ku elita intelektuale shqiptare do të diskutonte edhe tema nga më të ndryshmet jashtë politikës, nga problematika e shoqërisë shqiptare, si dhe ngjarjet e rëndësishme botërore. Ajo që bën ai është thjesht teatër i keq. Siç mediton “Mefisto” në faqet e fundit të librit, kur gjendet i ulur si ai tani, pikërisht në studion e shtëpisë:
Ky teatër i mallkuar po më ha të gjallë, mendoi me dhembje dhe zemërim. Për hir të tij po më shkon dëm jeta.[v]
Edhe pamjen ai e ka marrë si të personazhit kryesor të romanit “Mefisto”, për të cilin autori thotë:
Drejtori ishte kokëtullë. Edhe ato pak flokë të butë si mëndafshi që i kishte lënë natyra ai i kishte rruar. Dhe i kishte dalë një kafkë fisnike, e cila nuk e turpëronte. Me vetëdije e dinjitet ai e mbante atë kokë mefistofeliane, me të cilën ishte dashuruar zoti kryeministër.[vi]
Sa më shumë e ndjen Fevziu se ajo që po bën ai është thjesht teatër i keq, aq shumë flet ai. Për Fevziun që flet e flet pafund në televizion, epigrami më i saktë do të qe thënia e e Francois de la Rochefoucauld:
Ashtu si mendjet e mëdha kanë aftësinë të thonë shumë gjëra me pak fjalë, në të kundërt, mendjet e vogla kanë dhuntinë e të folurit shumë, duke mos thënë asgjë.
Fevziu është i vetëdijshëm se ai, ndonëse ka folur dhe ka shkruar shumë, nuk ka thënë asgjë. Sa kohë mund të vazhdojë kështu? Ai është 43 vjeç dhe tashmë bën një emision televiziv prej 15 vjetësh. Bruno Vespa, të cilin ai e imiton, sot është 68 vjeç. Nëse Fevziu do të vazhdojë deri në moshën që ka sot Vespa, atëherë kjo do të thotë se do të vazhdojë të bëjë emisionin e tij televiziv edhe në vitin 2037, që do të jetë një vit jubilar për emisionin e tij televiziv, si 40 vjetori i tij. Nëse do të ndodhë kështu, kjo do të jetë simptomë e vegjetimit intelektual të shoqërisë shqiptare. Fevziu nuk shqetësohet shumë për këtë gjë, ai thjesht do të donte që me kalimin e kohës të akomodohej në një pozicion më komod në shoqëri, se rutina e përditshme e emisionit televiziv ka nisur ta mërzisë. Të gjitha gjasat janë se ai tashmë parapëlqen politikën, ku një vend si deputet, dhe eventualisht si ministër, do të ishte edhe përmbushja e asaj që vetë e ka pohuar se ka qenë ëndrra e tij e vjetër. Këtë mund ta thoshte kudo por jo këtu midis rafteve me libra. Se ëndrra e tij e vërtetë, vjetër kishte qenë të bëhej shkrimtar, të kishte një bibliotekë të tillë si ajo që ka sot. Por, qëkurse erdhi në Tiranë, me kalimin e kohës, në fillim u nda nga leximi i librave, dhe pastaj nga letërsia e shkruar. Sa e sa libra do të kishte lexuar nëse do të kishte shpenzuar më pak kohë në xhiro dhe në bordurat, e më pas në dreka e darka të zgjatura në restorante me miqtë, në argëtime vanitoze nëpër udhëtimet jashtë vendit. Ajo ishte koha në të cilën humbi mundësinë të bëhej intelektual. Ai është i vetëdijshëm për këtë gjë.
Por në këto momente shqetësimi kryesor i Fevziut nuk është karriera e tij, por si të dëbojë fantazmën e alter egos së tij. Ai e shfleton librin “Mefisto” deri në faqet e fundit ku autori rrëfen se si në kohën që “Mefisto” rri në dhomën e vet të punës, në shtëpinë e tij, një djalosh që ka hyrë nga kopshti kacavirret tek dritarja për t’ i thënë disa fjalë akuzuese “zotit drejtor”. Dhe libri mbyllet me fjalët e “Mefistos”:
-Por çfarë kërkojnë këta njerëz prej meje, xhanëm? Pse më ndjekin? Pse tregohen kaq të ashpër? Unë nuk jam veçse një aktor fare i zakonshëm.[vii]
Fevziu këto fjalë ia adresonte fantazmës që rrinte atje poshtë në terr, dhe që dyshonte se mund të kacavirrej dhe të nxirrte kokën tek parmaku i tarracës, ashtu siç bëri ai djali në dritaren e “Mefistos”. Mos po më del nga zemra dhe kjo shtëpi, mendoi Fevziu. Ai ka disa shtëpi, disa vila në Tiranë, bregdet, etj., por kjo shtëpi në fillim të Rrugës së Elbasanit, ka një domethënie, një simbolikë të veçantë për të. Ajo simbolizon arritjet e tij në jetë, në një mënyrë krejt të veçantë. Ose më saktë simbolizonte rënien dhe ngritjen e yllit të tij. Nga kjo rrugë erdhi Enver Hoxha në Tiranë në 28 nëntor 1944, e bashkë me të edhe pushteti komunist që e përmbysi klasën e Blendi Fevziut, klasën e bejlerëve, dhe në përgjithësi sistemin shoqëror të mëparshëm në Shqipëri. Fevziu nga vendi ku gjendet mund të ndjekë me sy krejt itinerarin që bëri Enver Hoxha që kur hyri në kryeqytet atë paradite të 28 nëntorit 1944. Nga lartësia ku gjendet Fevziu duket vendi ku Enver Hoxha zbriti nga “Mercedes Benz”-i grabitur për të ecur në këmbë disa qindra metra, si të donte ta bënte më të prekshme arritjen e tij. Më tutje në thellësi është Rruga e Durrësit, nga ku në ditët para ardhjes së Enver Hoxhës patën ikur ata të cilët donin t’ i shmangeshin përndjekjes nga regjimi komunist. Ndër ta qenë shumë njerëz të klasës së Fevziut, asaj të bejlerëve. Ata të cilët nuk ikën jashtë vendit, udhëtuan nëpër atë rrugë si të arrestuar dhe të internuar për të shkuar në burgje dhe në internime. Blendi Fevziu ishte një nga njerëzit që u përkiste gjeneratave të cilat lindën nga ata të deklasuar që e bënë me detyrim atë rrugë. Ai ishte ndër të paktët e klasës së tij që arriti sukses, dhe padyshim më i shquari. Pavarësisht çmimit me të cilin e kishte paguar këtë ngritje. Nga lartësia ku qëndronte në verandën e apartamentit të tij, Blendi Fevziu mund të shikonte pothuajse krejt skenën e jetës së tij, road map të karrierës së tij. Pse nuk donte ta kuptonte këtë gjë ai alter ego i tij që rrinte atje poshtë? Kjo shtëpi në hyrje të Rrugës së Elbasanit, nuk ishte thjesht shtëpi por një tempull, një nga ata tempujt astrologjikë që ndërtonin në Antikitet. Ishte tempulli i ngritjes së yllit të tij. Ai vështroi qiellin ku tashmë kishin dalë yjet. Duke parë yjet befas iu kujtua se ishte e disata ditë që kur jepej horoskopi në Tv Klan, shenja e Peshores, së cilës i përkiste kryeministri Berisha, kishte të dhëna jo aq të pëlqyeshme. Duhet të merrem vetë me këtë punë mendoi Fevziu, para se dikush t’ ia çojë fjalën Doktorit.
Fevziu pa se e kishte librin ende në duar. Edhe në e kam pëlqyer dikur këtë libër, shumë vite më parë, çfarë pastaj, tani nuk më pëlqen, mendoi Fevziu. Për një moment mendoi të zbriste poshtë dhe të shkonte e ta hidhte librin tek koshi i plehrave në skaj të urës, pak metra larg shtëpisë së tij. Ndoshta ky do të ishte ballafaqimi më i mirë me atë alter egon e tij. E shfletoi dhe njëherë librin shpejt, këtë herë nga fundi në fillim, dhe dora iu ndal tek faqja ku autori kishte vënë epigrafin e librit, një citat nga Gëte, që gjendej në fillim të librit:
Çdo cen të njeriut ia fal aktorit, asnjë cen të aktorit nuk ia fal njeriut.[viii]
Tek Fevziu, të metat dhe veset e aktorit të teatrit politik tashmë janë bërë natyra e dytë e njeriut. Ai është bërë një komedian dhe mjerimi i tij prej komediani duket edhe më shumë këtu mes rafteve intelektualisht dekorative me libra. Fevziu, duke flirtuar me pushtetin ka fituar edhe vetë qasje tek pushteti, të cilën e keqpërdor sa të mundë. Në 2012, pra 23 vjet pasiqë Fevziu botoi shkrimin e përmendur këtu për Stefan Cvajg, epigrami për të do të qenë fjalët e Stefan Cvajg në biografinë e Meri Stuart:
Fati që u buzëqesh të dobëtëve nuk u lind modestinë dhe përkushtimin ndaj asaj që u dhurohet, por u lind fodullëkun dhe përçmimin e të tjerëve. Në çdo dhuratë që u bie në kokë nga qielli këta shohin me naivitet fëmijëror meritë vetjake, ndaj fryhen dhe bëhen të padurueshëm për të tjerët.[ix]
Sot, 21 vite pasiqë Fevziu i hyri sfidës së Brezit 22, me manifestin për kërkimin e së vërtetës, ai mund të mburret me gjithçka, me përjashtim të fitores në këtë sfidë. Por a e kishte pasur seriozisht ai këtë sfidë? Apo manifesti kishte qenë një lloj palimpsesti, ku mes rreshtave qe shkruar dicka tjetër. Kjo ishte e vërteta. Fevziu 22 vjeçar dhe miqtë e tij të Brezit 22, nëse do të kishin qenë të sinqertë, do të thoshin atëherë atë që miku i Fevziut, Veton Surroi e tha në një moment sinqeriteti të ardhur nga dëshpërimi, pasiqë u ndje i tradhtuar nga sponsorët e tij ndërkombëtarë, të cilët iu duk se e patën nxjerrë nga loja e politikës. Në një libër të botuar në 2005, Surroi thotë, duke dialoguar me një ndërkombëtar, mbi veprimtarinë politike në Kosovën e pasluftës:
Ne po luftojmë për 30-40 vjetët e ardhshëm të jetës sonë, Aarto. Jo historisë, por mënyrës sesi do të hamë në shtëpi, çfarë rrobash do të kemi, si do të na shikojnë gratë, sa do të respektohen fëmijët tanë.[x]
E thënë ndryshe, kjo është lufta për TEGucigalpën. Çfarë mund thuhet për Fevziun intelektual? Një shaka sovjetike e kohës së komunizmit thoshte duke parafrazuar me ironi vargjet e poemës së famshme të Mayakovsky:
Kur ne themi Lenini, ne kuptojmë Partia. Kur ne themi Partia ne kuptojmë Lenini. Dhe kjo është mënyra se si ne trajtojmë gjithçka. Ne themi një gjë dhe kuptojmë një gjë tjetër.[xi]
Tragjikomedia intelektuale e Blendi Fevziut është se ai nuk bëri kështu vetëm në kohën e diktaturës komuniste, por edhe pas rënies së saj, dhe deri më sot. Fevziu mund të thotë e të shkruajë fjalë pa fund në emisionin e tij televiziv, në librat e tij, në artikujt e tij në gazetë, por fakti është se ai nuk thotë dhe shkruan atë që mendon, dhe nuk mendon atë që thotë dhe shkruan. Madje Fevziu as që dëshiron të mendojë thellë për çështjet me të cilat merret si analist. Tekefundit ç’ vlerë do të ketë kjo në “tregun e medias”, siç e quan ai dhe të tjerët si ai? Kush paguan për këto mendime? Fevziu i largoi sytë nga raftet me libra dhe i çoi tek ekrani i kompjuterit. Duhet të shtoj disa fotografi të reja në llogarinë time në facebook mendoi. Ky është pasioni i tij. Albumet e fotografive të tij në facebook janë ilustrim i vërtetë i vanitetit të tij. Fevziut i pëlqen gjithëherë e më tepër të flasë me fotografi. Tekefundit, ç’ i ka mbetur për të thënë me fjalë:
Plaudite, cives, plaudite, amici, finite est comedia.[xii]
Gjithsesi, Fevziu, me ato që ka bërë, do ta quante veten me fat nëse historia e tij do të përfundonte si komedi. Në rastin më të keq, historia e tij mund të përfundojë si tragjikomedi, ashtu si ajo e gjyshit të tij, Neki bej Starovës. Me këtë ankth jeton tashmë Fevziu. Gjithsesi, unë guxoj të bëj një parashikim, duke thënë se studiuesit e së ardhmes, nëse do të duan të bëjnë epigramin e Blendi Fevziut, duke konsideruar edhe jetën e e Fevziut pas vitit 2012, do t’ i gjejnë shumë të përshtatshm fjalët që thotë Joseph Conrad në përfundim të librit të tij, “The secret agent”:
An impenetrable mystery seems destined to hang for ever ever over this act of madness or despair.[xiii]
[i] Blendi Fevziu, “50 + 1”, ese, Shtëpia botuese “Onufri”, Tiranë 2004, f. 310-311
[ii] Graham Grin, “Komedianët”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1987, f. 22
[iii] Gazeta “Studenti”, 23 shkurt 1989, f. 7
[iv] Klaus Man, “Mefisto: roman i një karriere”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1988, f. 197
[v] po atje: f. 358
[vi] po atje: f. 311
[vii] po atje: f. 366
[viii] po atje: f. 9
[ix] Stefan Cvajg, “Maria Stjuart”, Shtëpia botuese “Uegen”, Tiranë 2002, f. 115
[x]Veton Surroi, “Fluturimi i vetëm i Azem Berishës për në kështjellë”, Shtëpia botuese “Koha”, Prishtinë 2005, f. 134
[xi] Ben Lewis, “Hammer & Tickle: A history of communism told through communist jokes”, Weidenfeld & Nicolson, London 2008, p. 208
[xii] Lat.- Duartrokisni qytetarë, duartrokisni miq, komedia mbaroi.
Kështu thuhej në teatër, në Romën e Vjetër, kur përfundonte shfaqja.
[xiii]“Një mister i padepërtueshëm duket i destinuar të qëndrojë gjithmonë i varur mbi këtë akt marrëzie ose dëshpërimi”. (Joseph Conrad, “The secret agent”, New York 2008, Oxford University Press, p. 224)





