Drita Kokalari dhe Qendra shqiptare e New Yorkut



Dje u nga jeta Drita Kokalari, një veprimtare e shquar e bashkësisë shqiptare në New York. Drita është nëna e Gary Kokalarit, po ashtu i angazhuar në problemet e shqiptarëve në SHBA dhe Shqipëri.
Në shenjë respekti gazeta po boton një shkrim botuar vite më parë, rreth veprimtarisë së zonjës Kokalari.
DKokalari

Nga

Feruze Zeko



Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, bashkë me valët e reja të emigracionit shqiptar në Amerikë, ka patur një rritje të madhe të numrit të organizatave politike, sociale, fetare, kulturore dhe humanitare, të krijuara për të përmbushur kërkesat në shtim të komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe për të ndihmuar shqiptarët të mbajnë gjallë lidhjet me tokën mëmë dhe identitetin e tyre etnik.   Por ndër shoqatat shqiptare, Qendra Shqiptare e Nju Jorkut është ajo që pa shumë bujë ka shoqëruar fatin e shumë emigrantëve shqiptarë si edhe aktivitetin e organizatave të formuara prej tyre.

Qendra Shqiptare ka qenë një faktor i rëndësishëm i diasporës në Amerikë për shtatë dekada me rradhë, gjë që e bën atë një prej organizatave Shqiptaro-Amerikane më të vjetra.   Megjithatë, shumë prej anëtarëve të rinj në komunitetin Shqiptaro-Amerikan nuk dinë ende asgjë rreth këtij grupi dhe aktiviteteve të tij që kanë ndihmuar në hapjen e  rrugëve për emigrantëve shqiptarë në Nju Jork e përtej, por edhe në ndihmën dhe kontributin pa bujë për vëllezërit e motrat tanë në trojet Ballkanike gjatë kohërave të krizave.

Qendra Shqiptare i ka rrënjët në organizatën “Koshere”, parardhësja e saj, e cila u themelua në mes të viteve 1930, fillimisht prej shqiptarëve që emigruan në Amerikë nga Gjirokastra dhe fshatrat e Labërisë në fillim të shekullit të njëzetë. Të posaardhurit qenë vendosur në apartamentet shumëkatëshe të Pjesës së Ulët të Manhattan-it Lindor, e cila në atë kohë ishte zona që banohesh nga emigrantët europianë.   Shazavan Pashuni,  Shaqo Duka, Miko Kokalari,  Qemal Veisel,  Musa Hajro, Shefqet Benca, Edip Shapllo, Enver Shapllo, Bajo Sali and Hodo Hasani ishin disa prej themeluesve të Kosheres.

Siç e tregon dhe vetë fjala, “Koshere”, qëllimi i themeluesve të kësaj organizate ishte që “Kosherja” të bëhesh qendra e aktiviteteve të komunitetit Shqiptaro-Amerikan të Nju Jorkut.  Synimi i këtij grupi ishte promovimi i kulturës dhe gjuhës shqiptare, standarteve morale dhe etike shqiptare, si dhe aftësimi i fëmijëve të tyre për t’u bërë qytetarë të ndershëm edhe të mirë, por pa shkëputur lidhjet me rrënjët e tyre etnike.

Një prej projekteve më të hershme të Koshere-s ishte themelimi i një Shkolle të Gjuhës Shqipe, një nga të parat e këtij lloji në Shtetet e Bashkuara.  Muzejen Shurba u zgjodh si mësuesja e gjuhës, meqënëse ajo, përveçse kishte qenë një mësuese në Shqipëri, ishte edhe personi i arsimuar më së miri për të shërbyer si një edukatore e fëmijëve shqiptarë. Mësimet mbaheshin të shtunave, në një qendër komunitare në Pjesën e Ulët të Manhattan-it Lindor.   Fëmijët të cilët ndiqnin këto mësime më shumë se gjashtëdhjetë vjet më parë janë tashmë udhëheqësit e Qendrës Shqiptare.

Shumë prej fëmijëve të anëtarëve të Koshere-s u thirrën për të kryer shërbimin ushtarak për atdheun e tyre të ri gjatë Luftës së Dytë Botërore.  Ashtu si në të gjithë Amerikën gjatë kësaj periudhe të historisë, jeta normale u ndal disi.   Por me kthimin e fëmijëve prej luftës, familjet të cilat bënin pjesë në Koshere filluan të shumëfishohen. Gjithashtu, faktorët ekonomikë filluan t’i largojnë familjet prej Pjesës së Ulët të Manhattan-it Lindor drejt hapësirave më të mëdha të shtetit të Nju Jorkut.

Tashmë kishte një motiv akoma më të fortë për të pasur një organizatë e cila do të ndihmonte shqiptarët të ruanin lidhjet midis tyre.   Për këtë qëllim, duke ju përmbajtur misionit të organizatës së tyre mëmë -Kosheres- por edhe duke reflektuar kulturën e atdheut të tyre të ri, në 1948, anëtarët e Kosheres riemërtuan organizatën duke e inkorporuar atë me emrin Qendra Shqiptare e Nju Jorkut, qendër e cila ka qenë dhe vazhdon të jetë një pjesë tejet e rëndësishme e bërthamës së komunitetit Shqiptaro-Amerikan.   Parathënia e aktit të themelimit dhe e rregulloreve të Qendrës citon si më poshtë:
shkola shqip kjosherka
“Meqënëse atdheu ynë i adoptuar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na ka dhuruar të gjithëve lirinë që ekziston në këtë demokraci të mrekullueshme të themeluar nga njerëz që kërkuan liri në një atdhe të ri dhe strehë për njerëz nga shumë vënde të ndryshme, një grup prindërish shqiptarë të cilët dëshirojnë të ruajnë për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre një qendër nëpërmjet të cilës do të promovojnë organizimin e tyre moral dhe etik, mësimin e gjuhës së bukur shqipe dhe zakoneve dhe traditave shqiptare, – duke edukuar në këtë mënyrë të qenurit e tyre qytetarë të mirë, të ndershëm dhe të vlefshëm, -  kanë vendosur të formojnë një shoqatë me këto qëllime edukative dhe kulturore, do të njihet si Qendra Shqiptare.”

Gjëja e parë të cilën duhet të përmbushte Qendra Shqiptare ishte gjetja e një strehe tek e cila do të zhvilloheshin aktivitetet e Qendrës.   Kështu që u vendos që Qendra Shqiptare të blinte një ndërtesë, dhe për këtë qëllim, të gjitha familjet anëtare të kësaj organizate, me një entuziazëm të rrallë, kontribuan mjete monetare në fondin e krijuar për këtë qëllim.   Qendra u vendos në një ndërtesë në “East 4th Street” në Manhattan, dhe komuniteti tashmë kishte një vend ku mund të mbaheshin takimet, mund të organizoheshin  ngjarje sociale dhe mund të mësohej gjuha shqipe në shkollën që pati themeluar Kosherja.  Pas shpërnguljes prej Pjesës së Ulët të Manhattan-it Lindor të shumicës së familjeve që mbështetnin qendrën, ndërtesa u shit në vitin 1959.

Presidenti i parë i  Qendrës Shqiptare ishte Musa Hajro, një prej themeluesve të Koshere-s.  Ai u pasua nga persona të tjerë si Asim Lulo, më vonë Eqrem Ruca, Lemi Kokalari, dhe Myfit Demirali.  Të gjithë presidentët e mëparshëm kanë ndërruar jetë.  Drejtuesit e tanishëm të Qendrës Shqiptare janë Drita Kokalari -  Presidente; Meriem Sali -Zëvendës Presidente;  Tefta Demirali – Arkëtare; dhe Arta Pascullo, Sekretare.

Presidentja e Qendrës, zonja Drita Kokalari është një grua me humor të gjallë, që ruan finesën e një zonje shqiptare me personalitet shumë të ngrohtë.  Megjithëse ajo u lind në Shtetet e Bashkuara, Drita e flet shqipen më bukur se sa shumica e personave  të lindur në Shqipëri. Ajo është në fakt në mes të tre gjeneratave të udhëheqësve të komunitetit Shqiptaro-Amerikan.  I ati i Dritës, Shazuvan Pashun, një shqiptar nga Nivica, ishte një prej themeluesve të Koshere-s dhe gjithashtu një antar kyç Qendrës Shqiptare dhe ish presidentet i VATRA-s.  Burri i saj, gjirokastriti Lemi Kokalari, përveç rolit të tij si President i Qendrës Shqiptare, ka patur edhe role të rëndësishme si udhëheqës i organizatave të tjera Shqiptaro – Amerikane, përfshirë këtu edhe Fondacionit Shqiptar të Ndihmës, Vatrës dhe Qendrës Islamike Shqiptare të Nju Jorkut.  Edhe i biri i  Dritës, Geri Kokalari, është një aktivist Shqiptaro – Amerikan, një nga themeluesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, Fondacionit Shqiptar të Ndihmës, Fondacionit të Trashëgimnisë Shqiptare dhe së fundi anëtar i bordit të Fondit për Ndihma të Kosovës.  Geri gjithashtu ka dalë vazhdimisht në televizionet amerikane si zëdhënës e përkrahës i çështjes shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë.
Drita-Lemi_hse
Duke cituar Drita Kokalarin, “…Qendra Shqiptare na ka ndihmuar për t’i edukuar familjet tona me frymën e qënies krenar për shqiptarinë si dhe për të rrënjosur në to traditën e vjetër shqiptare të nderit.  Tani që familjet anëtare të qendrës janë shpërngulur në shtetin e Nju Jork ose në pjesë të tjera të vendit, Qendra na ka mundësuar te vazhdojmë të ndajmë me njeri tjetrin trashgimninë shqiptare, pavarësisht se ku ndodhemi… .”

Duke synuar rrënjosjen në mendjen e të gjithë fëmijëve shqiptarë të rëndësisë së standarteve etike shqiptare, Qendra Shqiptare vuri në skenë teatrin e famshëm shqiptar “Besa.”  Shfaqja u mbajt në 30 Shtator 1950 në Palm Garden në Manhattan.  Ajo u drejtua nga Qemal Veiseli dhe të gjitha rolet u luajtën nga anëtarë të Qendrës Shqiptare.  Fjala e hyrjes e programit të kësaj ngjarjeje kulturore ishte:

“Sonte, duke vënë në skenë shfaqjen më të jashtëzakonshme të letërsisë Shqiptare ‘Besa’, Qendra Shqiptare e Nju Jorkut  ka për qëllim mbajtjen gjallë të zakoneve e traditave  Shqiptare nga ana e rinisë Shqiptaro – Amerikane… .”

Gjatë viteve 1960, Qendra Shqiptare filloi të organizonte një herë në vit pikniqe të komunitetit shqiptar të Nju Jorkut. Këto pikniqe priteshin me padurim nga anëtarët e familjeve shqiptare  dhe miqtë e tyre. Më vonë Qendra filloi të organizojë edhe udhëtime me anije dhe pushime të organizuara. Ndërsa në vitin 2004  planifikohet një udhëtim i organizuar në grup për në Shqipëri.

Prej 1950 deri në 1970, hoteli “shqiptar”  ‘Lulo’, i vendosur 120 kilometra në veri të Manhattan-it, pranë Maleve Catskill, shërbeu si një vendpushim jozyrtar për Qendrën Shqiptare.  Hoteli ishte pronë e dy anëtarëve të Qendrës Shqiptare, Asim dhe Ajet Lulo, dhe shumë prej anëtarëve të Qendrës preferonin pushimet në male për t’u larguar disi nga vera e nxehtë Nju Jorkeze dhe për të kaluar pak kohë me familjet shqiptare.  Ndërmjet aktiviteteve sportive që realizoheshin tek “Lulo’ ishin shëtitjet me varkë, noti, gjahu dhe natyrisht, të luajturit me letra.   Gjatë mbrëmjeve, shpesh dëgjoheshin zërat e burrave që këndonin tingujt magjepsës të këngëve popullore shqiptare.

Agim Karagjozi, Kryetari i tanishëm i VATRA,  i cili ka shërbyer edhe si Sekretar i Qendrës Shqiptare për një kohë të gjatë, e përshkruan Qendrën Shqiptare si “një organizatë të shkëlqyer të krijuar për të mbajtur të bashkuar brezat e rinj Shqiptaro – Amerikanë dhe që ka bërë gjëra të jashtëzakonshme për këtë komunitet.”  Ai shton se: “përgjithësisht themeluesit e organizatës ishin gjirokastritë, por pas viteve 1950, ajo u zgjerua duke përfshirë gjithnjë e më tepër shqiptarë nga krahina të tjera.”

Qendra Shqiptare ka patur një ndikim të gjerë në jetën e shqiptarëve edhe në çështje të tjera edhe më të rëndësishme se sa aktivitetet kulturore dhe sociale

Kur u hapën kufinjtë e Shqipërisë pas pesë dekadave të shtypjes komuniste gjendja e njerëzve në Shqipëri ishte tragjike. Kishte mungesa në gati çdo gjë, që nga artikujt e përdorimit të gjerë deri tek ilaçet apo pajisjet mjekësore në spitale.  Të ndërgjegjshëm për kushtet e mjera, në 1991,  një grup të rinjsh Shqiptaro-Amerikanë prej Nju Jorkut, zhvilluan bisedime me Fondacionin Shqiptar të Ndihmës  për të sjellë ndihma humanitare për popullin shqiptar. Ky fondacion, kishte mundësinë e përfitimit të ndihmave humanitare në formën e ilaçeve ose mjeteve spitalore prej kompanive amerikane dhe organizatave të tjera të humanitare; megjithatë, transportimi dhe shpërndarja e tyre  në Shqipëri duhet të mbulohej me fonde shtesë.  Qendra Shqiptare ishte e para e cila u vu në lëvizje dhe u shndërrua në burimin primar të krijimit të fondeve për Fondacionin Shqiptar të Ndihmës  i cili përfundimisht siguroi ardhjen e ndihmave me vlerë mbi 10 milion dollarë në Shqipëri.

Sipas zotit Abdullah Hoxha, i cili gjithashtu ka mbajtur postin e Presidentit të Fondacionit  Shqiptar të Ndihmës, “anëtarët e Qendrës Shqiptare mbështetën me të gjitha forcat dhe punuan shumë për të ndihmuar me çdo mënyrë.  Qendra Shqiptare siguroi paratë e nevojshme për shumicën e dërgesave në Shqipëri.  Qendra e vlerësoi këtë si një mundësi për të ndihmuar mëmëdheun e tyre tani që dyert qenë hapur.  Ata vërtet u  mrekulluam kur panë se si një brez i ri shqiptarësh, të lindur e të rritur në Amerikë, ishin aq të motivuar për të ndihmuar vendin e tyre nënë, dhe kjo i frymëzoi që të na mbështesnin edhe më shumë.”

Ishin anëtarët e Qendrës Shqiptare, Dr. Fejzi Domni dhe Lemi Kokalari ata të cilët udhëtuan bashkë me Abdullah Hoxhën për në Shqipëri, në Nëntor të vitit 1991 për të themeluar zyrën e Fondacionit Shqiptar të Ndihmës në Tiranë, zyrë e cila ka patur një rol të jashtëzakonshëm në koordinimin dhe  shpërndarjen e ndihmave në Shqipëri.  Mini Domni, Tefta Demirali, Drita Kokalari dhe Mary dhe Kasey Duka janë disa prej anëtarëve të tjerë të Qendrës Shqiptare, të cilët duke qenë anëtarë aktivë të Bordit të Drejtues dhe Bordit Këshillues  të Fondacionit Shqiptar të Ndihmës mundësuan këtë aksion.

Qendra Shqiptare ka luajtur gjithashtu një rol kritik në dërgimin e ndihmave humanitare për në Kosovë, nëpërmjet bashkëpunimit me Fondin e Ndihmave për Kosovën. Tefta Demirali, Arkëtare e Qendrës Shqiptare, ka shërbyer si anëtare e bordit drejtues të Fondit e Ndihmave për Kosovën,  për të cilin Qendra Shqiptare kontribuoi fondet e veta.   Gjithashtu në 1999, gjatë luftës në Kosovë, anëtarja e Qendrës Shqiptare, Kerry Qerim, mbesa e Qemal Veisel-it,   punoi me një kujdes të jashtëzakonshëm për ngritjen e fondeve nëpërmjet donacioneve të individëve joshqiptarë. Fonde prej më tepër se 40,000 dollarë për Fondin e Ndihmave për Kosovën u siguruan pikërisht nëpërmjet punës së Znj. Qerim.

Gjatë luftës në Kosovë, ishin anëtarët e Qendrës Shqiptare, Mary & Kasey Duka, – fëmijët e themeluesit të Koshere-s, Shazuvan Pashunit dhe Shaqo Dukës,-  ata, të cilët, për shkak të miqësisë me Presidentin e lagjes “Queens”, Claire Shulman, arritën bashkëpunimin e plotë të Kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Z.Rudi Giuliani.  Si rrjedhojë, Kryetari Giuliani me shpirtmadhësi hapi dyert e qendrave zjarrëfikësve të Qytetit të Nju Jorkut si qendra të grumbullimit të ndihmave humanitare të ofruara prej Nju Jorkezëve për refugjatët shqiptarë nga Kosova.   Zyra e Kryetarit më vonë vendosi dhe trasportimin gratis të këtyre ndihmave për në Maqedoni,  për t’u shpërndarë në kampet e refugjatëve shqiptarë të dëbuar nga Kosova.   Fondi Kosovar i Ndihmës  realizoi menaxhimin e këtij projekti nëpërmjet partneritetit me Qendrën Shqiptare.   Kontaktet e Qendrës Shqiptare gjithashtu hapën dyert që çonin tek Senatori Chuck Schumer, dhe kështu, së bashku me përfaqësues të tjerë të organizatave Shqiptaro – Amerikane, – përfshirë këtu edhe VATRA, KKSHA, LDK dhe AAËO- , u realizuan takime me Senatorin e Nju Jorkut në mënyrë që të krijohej një lobi mbështetës për ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në konfliktin e Kosovës.

Qendra Shqiptare, as nuk është një organizatë fetare dhe as nuk ka patur kurrë fanatikë të fesë ndër anëtarët e saj; megjithatë,  disa anëtarë të kësaj qendre, ndërgjegjësuan të tjerët rreth mungesës së një vendi për ushtrimin e fesë Islame për shqiptarët në qytetin e  Nju Jorkut.  Në 1960, Lemi Kokalari bashkë me Vahit Cika, një anëtar kyç i Qendrës Shqiptare si dhe një nga udhëheqësit e VATRA, – të dy anëtarë të mirënjohur dhe të respektuar të komunitetit Shqiptaro – Amerikan, -  ndihmuan në themelimin e Qendrës Islamike Shqiptare të Nju Jorkut. Në këtë mënyrë, ata ndihmuan në mbjelljen e farëzave shpirtërore në komunitetin Islamik Shqiptaro – Amerikan të Nju Jorkut.    Imam Isa Hoxha ishte i pari udhëheqës shpirtëror  i zgjedhur në Qendrën Islamike.  Imam Hoxha ndërroi jetë në 2000, por siç dihet prej të gjithëve, ai është përgjegjës për zgjerimin e aktiviteteve të kësaj organizate fetare në pjesën më të madhe të zonave metropolitane te Nju Jorkut.

Imam Vehbi Ismail, udhëheqësi fetar i Myslimanëve Shqiptarë në Amerikën e Veriut, e përshkruan Qendrën Shqiptare, si një “qendra e aktiviteteve, qendra që themeloi një nga shkollat e para të shqipes, anëtarët e të cilës ndihmuan në krijimin e një vendi ku Shqiptarët mund të falen.”

Duke reflektuar traditën shqiptare të tolerancës ndaj të gjitha feve, Qendra Shqiptare ka patur po aq besimtarë të fesë së Krishterë ndër anëtarët e saj, dhe ka mundësuar po ashtu edhe vendet e ushtrimit të fesë së Krishterë. Në shenjë mirënjohje për kontributin e madh financiar që Qendra Shqiptare ka dhënë për Kishën Ortodokse Shqiptare, Myfit Demarili, – më vonë President i Qendrës Shqiptare, në 19 Janar të vitit 1994 mori një letër nga Shkëlqesia e Tij Peshkopi Artur Liolin i Dioqezës Shqiptare Ortodokse në Boston e cila citon si vijon:

“Unë, si dikush i lindur në Nju Jork, kujtoj me krenari dhe kënaqësi ngrohtësinë dhe marrëdhëniet vëllazërore ndërmjet anëtarëve të komunitetit Shqiptar gjatë gjithë viteve dhe shpirtin e dashurisë dhe bashkëjetesës që karakterizoi edukimin tonë të përbashkët: një model i bashkëpunimit dhe respektit reciprok.   Prindërit tanë ishin motra e vëllezër, Shqiptarë mbi të gjitha, e më pas Amerikanë të ndershëm: dhe kurrë nuk e harruan këtë!

Në çdo nevojë, familiare, sociale apo shpirtërore  ata ndihmuan njëri tjetrin, shpesh dhe pa jua kërkuar ndokush ndihmën. Ky është një prej virtuteve më të çmueshme shqiptare, i cili tejkalon bindjet ose origjinën fetare dhe mbetet një ideal  i admirueshëm edhe në ditët e sotme.

Arsyeja që po e shkruaj këtë është se dhurata juaj bujare vjen në kohën e duhur, në një kohë krize për Kishën Shqiptare, të cilën vetë Noli e ndihmoi të themelohej për besimtarët Ortodoksë Shqiptarë dhe që Sami Frashëri e cilësoi aq të rëndësishme për integritetin e Shqipërisë moderne dhe të pavarur.  Le të shpresojmë, punojmë dhe lutemi që ne të bartim pjesën tonë si një vend i lirë dhe demokratik, megjithë sfidat dhe vështirësitë e shumta që përballojnë njerëzit tanë pas një nate kaq të gjatë dimri.

Kështu pra, dhurata juaj për mbështetjen e përpjekjeve të kishës sonë është posaçësisht zemërdhënëse për ne.  Unë gjithashtu  vërej me admirim shembujt e shumtë të mbështetjes që keni dhënë për projekte të lavdërueshme e me vlera të rralla, sa herë që ata kanë dalë në pah.  Ju lutem të jeni i sigurt për mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë që ne ndiejmë për anëtarët e organizatës suaj të nderuar.  Zoti ju bekoftë dhe qoftë me ju, tani e përgjithmonë!.”

Për të përqëndruar më shumë vëmendje ndaj çështjes Çame, Qendra Shqiptare siguroi fonde dhe asistoi në botimin e librit “Puna e Seminarit të Parë  Kulturor për Çamërinë,” një seminar i mbajtur nga Dr. Sami Repishti në Universitetin Fordham  në 2001.  Dr. Repishti, i cili është Presidenti i Fondit të Ndihmave për Kosovën  dhe që ka shërbyer si Kryetar i Parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan, e përshkruan Qendrën Shqiptare si “një organizatë e cila e ka bashkuar  komunitetin shqiptar dhe ishte shumë aktive në çështjen Kosovare.”

Ajo që është më e rëndësishmja për Qendrën Shqiptare është ndikimi i kësaj organizate në familjet anëtare të saj dhe realizimi i ëndrrave të themeluesve të saj.   Organizata ka theksuar dhe vazhdon të theksojë punën së vazhdueshme, standartet etike edhe arsimimin, dhe rezultatet kanë qenë të dukshme.  Shumica e  fëmijëve dhe nipërve të themeluesve të organizatës kanë kryer studimet e larta, duke ngjitur më pas shkallët e karrierës si doktorë, avokatë, mësues dhe biznesmenë të suksesshëm. Qendra Shqiptare është jashtëzakonisht krenare që më shumë se pesëdhjetë përqind e bijve të saj kanë kryer shërbime ushtarake në divizione të ndryshme të Forcave të Armatosura Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe luftrave të mëpasshme.

Sot, Qendra Shqiptare organizon takime mujore në lagjen “Queens”, Nju Jork, në restorantin “Daizies”, pronarja e të cilit është Lilly Veisel Gavin, një anëtare tjetër e Qendrës dhe e bija e Qemal Veiselit. Përveç drejtuesve të sipërpërmendur, Bordi i Drejtorëve përfshin dhe zotërinjtë Ëilliam Pashun, Andy Hasho, Sami Sali dhe Ëilson Kokalari.  Anëtarë të tjerë aktivë të organizatës janë: Zorina Guri, Mary Hassan, Peter & Liz Hasho, Frida Pashun, Grace & Rob Hart, Meqo Shtino, Sandy Zain, Angie & Memo Memisha dhe Mark Zeko.

Është me të vërtetë një pasuri e çmuar për kombin shqiptar të ketë njerëz të tillë të dedikuar siç janë anëtarët e Qendrës Shqiptare, të cilët si në të kaluarën edhe tani i kanë shërbyer komunitetit për kaq shumë dekada, pa hezituar kurrë, duke dhënë kaq shumë dhe pa kërkuar asgjë në këmbim.  Qendra Shqiptare është me të vërtetë një grup njerëzish të cilin brezat e rinj të shqiptarëve duket ta kenë si shëmbull dhe të përpiqen të ecin në gjurmët e tyre për promovimin e kulturës sonë dhe mbajtjen gjallë të shpirtit Shqiptar për gjeneratat e ardhshme.

14 Nëntor 2003