DOSJA E ZEZE E DIPLOMACISE/ Skandalet më të bujshme të diplomatëve shqiptarë

Nga arrestimet për trafik droge, rrahja e Milos deri tek Egin Ceka


Historia e diplomacisë veç rasteve të suksesit ka kaluar dhe në një kalvar të gjatë me skandale dhe incidente. Rasti më i fundit është ai i para dy ditëve më parë kur Egin Ceka që punon në misionin shqiptar të OSBE—së në Vjenë pati një incident me liderin e opozitës Edi Rama. Incident që nisi nga batuta në sallë dhe që përfundoi me të shtyra dhe fyerje. Një incident që ende nuk është mjaft i qartë, pasi të dyja palët e përfshira në incident japin versionin e vet të ngjarjes. Por ky incident nuk është as i pari dhe as i fundit në diplomacinë shqiptare. Vetëm tre vite më parë një punonjës i ministrisë së Punëve të Jashtme prangoset në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë pasi rezultonte në listën e të kërkuarve të Interpolit të Uashingtonit. Almir Rrapo u arrestua gjatë kohës që po kërkonte rinovim të pasaportës amerikane. Po ashtu disa vite më parë në Itali shoferi i ambasadës sonë në Romë u arrestua pasi trafikonte lëndë narkotike. Në vitin 2005 në Greqi u arrestua shoferi i Konsullatës Shqiptare në Janinë edhe pse kishte vetëm katër muaj që kishte marrë detyrën. Këto dhe raste të tjera vijën sot në një raport special të gazetës “Tirana Observer”.


1997

Diplomat me pantallona të shkurtra

Në aeroportin e Londrës, në vitin 1997 grupi i diplomatëve shqiptarë do të binte në sy jo për nga numri i madh, por për nga veshja e tyre. Rreth 20 shqiptarë të pajisur me pasaporta diplomatike do të shëtisin në një ambiente e terminalit me pantallona të shkurtra. Veshja aspak serioze duket se nuk i bindi policët anglezë për misionin diplomatik të Shqiptarëve me gjithë pasaporta e tyre të rëndësishme. Më pas skandali rezultoi se nuk ishte vetëm në paraqitjen e tyre, por edhe në mënyrës sesi një pjesë e shqiptarëve kishin siguruar dokumentet diplomatike, duke mos qenë diplomat karriere, por emigrant të zakonshëm.
Gjermani, korrik 1997 shoferi i ambasadës trafik droge

Arrestim i një shtetasi kosovar në Gjermani për trafik droge i dërgoi agjentë e policisë gjermane në adresën e ambasadës shqiptare në Berlin. Shoferi i kësaj ambasade rezultoi i implikuar në një rrjet trafikantësh të kokainës. Policia kërkoi largimin e tij nga Gjermania dhe shpalljen person i padëshiruar. Shoferi posedonte pasaportë diplomatike dhe vendimi i policisë ju komunikua ambasadës. Por një ditë para se të mbërrinte vendimi, shoferi me mbiemër Vokshi largohet nga rezidenca shqiptare duke vjedhur dhe një makinë.
Londër, 1997 Ambasadori kërkon azil politik

Në shtator të vitit 1997 ambasadorit tonë në Angli Pavli Qesku, i mbaron mandati dhe i vjen urdhri i largimit nga detyra. Por Qesku nuk e cilëson një vendim politik dhe duke akuzuar persona të veçantë me pushtet kërkon azil politik në Angli. Sipas shkrimeve të gazetave të kohës, në 27 shtator 1997, Ambasada Shqiptare në Londër është kyçur duke mos pasur personel në të. Ndërkohë, Qesku pak vite më vonë ka sqaruar se për shkak të kërcënimeve ka kërkua azil, por nuk e ka kyçur ambasadën.
Londër, 1997, sekretari i Ambasadës kërkon azil

Nën shembullin e ambasadori edhe Sekretari i Parë i Ambasadës Shqiptare në Londër, Rudolf Marku, ka kërkuar azil politik. Pas komunikimit të largimit nga ish-ministri i jashtëm në shtator të 1997-s, Paskal Milo, Marku nuk pranon kthimin e tij në Shqipëri, por bën kërkesë për azil në shtetin ku shërbente. Argumentet e Markut ishin se në Shqipëri jeta e tij ishte e kërcënuar dhe nuk mund të kthehej në Tiranë. Me sekretarin Marku për të njëjta arsye kërko azil dhe shoferi i Ambasadës. Kërkesa e tyre e vuri në pozitë të vështirë shtetin shqiptarë përball palës angleze.
Janinë, dhjetor 1997, shoferi i ambasadës trafik droge

Shoferi i Konsullatës Shqiptare në Janinë akuzohet nga policia greke për trafik droge. Sipas policisë greke shtetasi shqiptar shfrytëzonte makinën e selisë diplomatike për të transportuar dërgesat e dogës në zona të ndryshme të Greqisë. Por emigranti shqiptar ka qenë me fat pasi nuk u arrestua. Ai u shpall person i padëshirueshëm për palën greke dhe ju kërkua ambasadës shqiptare ta shkarkonte nga detyra e tij. Lajmi nuk u bë publik asnjëherë në media, por një skandal i tillë u komentua jo pak në ministrinë e Jashtme Shqiptare.
Janinë, korrik 2005 shoferi i ambasadës trafik vizash

Shoferi i Konsullatës Shqiptare në Janinë kishte vetëm katër muaj që kishte marrë detyrën. Por gjatë 120 ditëve në skedat e policisë helene ishte klasifikuar si një trafikant vizash. Në këmbim të një shumë të caktuar eurosh, shoferi nxirret viza greke për shqiptarët, por edhe viza kanadeze. Policia greke njoftoi konsullatën dhe ministrinë e jashtme në Tiranë për veprimtarinë e personelit të ambasadës. Ministria e jashtme e cilësoi si një raste të veçantë, për më tepër që shoferi nuk gëzonte imunitet diplomatik, por ishte thjesht një punëtor i ambasadës. Në dhjetor të vitit 2005 ai u shkarkua nga detyra dhe u kthye në Shqipëri.
23 janar 2002, rrihet Paskal Milo

Ministri shqiptar për Integrimin Evropian, Paskal Milo, dhe anëtarë të lartë të delegacionit të tij, u rrahën nga një grup njerëzish në hotelin e tyre në Bruksel, natën e së mërkurës (23 janar). Zyrtarët thonë se 20 sulmues, të udhëhequr nga militantë të Partisë Demokratike, kishin filluar grindjen në hotel. Zyra e Havier Solanës e dënoi sulmin dhe kështu bëri edhe Berisha dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste në pushtet në Shqipëri.
5 dhjetor 2003, Konsulli i Romës, trafik droge dhe armësh

Një diplomat shqiptar në Itali është përfshirë në trafikun e drogës dhe armëve. Konsulli Drini Bello u akuzua nga shteti italian, se kish shndërruar ambasadën shqiptare në Itali, në një bazë të strehimit të drogës dhe armëve, që më pas trafikoheshin në vendin fqinj. Sipas prokurorisë italiane ambasada nisur nga roli që ka luajtur Drini Bello është shndërruar në një bazë për të fshehur drogën dhe armët ashtu si është zbuluar nga telefonatat e përgjuara. Banda sipas hetuesve italianë, ka lidhje me organizatën mafioze “Sacra Corona Unita”, dhe merrej me trafikun e klandestinëve dhe të lëndëve narkotike.
Dhjetor 2007, Ambasadori në Uashington dështon në prezantimin e vendit

Këtë “skandali” s’ka të bëjë me korrupsion dhe me trafiqe por me imazhin e diplomatëve tanë jashtë vendit. Ambasadori ynë në SHBA, Aleksandër Sallabanda në një prezantim që duhet të bënte për Shqipërinë në Universitetin “Brigham Young University, Provo, Juta”, duket se ka bërë më të keqen e mundshme. Në vidion që qarkullon në internet ambasadori ynë shpjegon me një anglishte shumë larg perfektes dhe me pasaktësia historike mbi vendin e tij, duket se jep imazhin më të keq të vendit. Gafat e ambasadori në shtetin më të rëndësishëm janë bërë shpesh objekt i debateve në parlament mbi nivelin e diplomatëve tanë.
1 korrik 2007, Ambasadori dhe Konsulli sherr me grushte në ambasadë

Është një nga skandalet më të rënda të diplomatëve tanë. Në 1 korrik të vitit të kaluar ish-konsulli Faik Dishnica dhe Ambasadori Minarolli janë konfrontuar fizikisht në ambientet e ambasadës Shqiptare në Athinë. Minarolli kohë më parë kish kërkuar largimi e konsullit Dëshnica për abuzime. Por gjatë debati në ambasadë, Minarolli pretendoi se ish qëlluar nga konsulli me grusht. Për këtë çështje ministri i Jashtëm i kohës pezulloi konsullin dhe u hap një proces penal. Megjithatë dëshmitë e zyrtarëve të përfshirë në incident ishin kontradiktore.
Gusht 2008, Shoferi i Ambasadës në Itali kapet me drogë

Është ndër ngjarjet më të rënda. Shoferi i ambasadës shqiptare në Itali, Arsen Selmanllari u arrestua nga policia italiane me një kilogram kokainë. Makina që përdorte Semanllari ishte me targa diplomatike dhe kjo gjë bëri që të pala italiane të kërkonte sqarime dhe nga ambasada jonë. Pas njoftimit ministria e Jashtme urdhëroi shkarkimin nga detyra të shoferit dhe lejimin e policisë italiane për kontrollin e makinës ku u gjet droga. Selmanllari kish dy vite që punonte në ambasadë. Ambasadori ynë në Itali Llesh Kola, komentoi për mediat se aktivitetit i shoferit nuk kishe të bënte me ambasadën, aq më tepër që nuk bëhet fjalë për personel diplomatik.
4 korrik 2010, arrestohet punonjësi i MPJ-së në Ambasadën Amerikane

Rasti më i fundit i skandalit të diplomacisë shqiptare ishte ai që ndodhi tre vite më parë në ambientet e Ambasadës Amerikane në Tiranë. Gjatë kohës kur shkon për të kryer një procedurë me dokumente një punonjës i ministrisë së Punëve të Jashtme u arrestua pasi rezultonte i kërkuar nga drejtësia amerikane. Almir Rrapo, është vënë në pranga nga policia e Tiranës, në momentin kur ishte duke aplikuar për vizë turistike në ambasadën amerikane. 27-vjeçari, i dyshuar për trafik droge, kërkohej nga zyra e Interpolit në Uashington. I dyshuari kishte jetuar për një kohë të gjatë në Amerikë, ku dhe ka kryer studimet dhe në momentin kur ka aplikuar për vizë, është prezantuar si punonjës i Ministrisë së Jashtme. Menjëherë, pas aplikimit, punonjësit e ambasadës kanë lajmëruar policinë shqiptare, e cila ka arrestuar 27-vjeçarin Rrapo.
Mars 2013, ambasada shqiptare në SHBA nuk ka para

Një skandal që bëri bujë të madhe ishte edhe ai që ndodhi në ambasadën shqiptare në SHBA, ku u zbuluar se ambasada ishte praktikisht e falimentuar dhe në pamundësi të siguronte as jetesën e përditshme të diplomatëve e jo më funksionet diplomatike. Skandali u bë publik nga vetë ambasadori Gilbert Galanxhi, i cili në një letër dërguar autoriteteve të Tiranës shkruante se ambasada kishte mbet pa lekë, sa nuk paguante dot asgjë. Kreu i misionit diplomatik në Uashington e denoncoi me tone të forta situatën, gati të turpshme të ambasadës shqiptare në shtetin më të fuqishëm të botës.  Në letër ambasadori zbulonte se i mbeteshin vetëm 12 dollarë, me të cilat duhej të mbulonte lëvizjet në SHBA për 9 muajt e mbetur të vitit, të ndiqte aktivitetet vjetore të Protokollit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë, për shoqërimin e presidentit apo kryeministrit në Nju Jork, si dhe për vizitat dypalëshe reciproke të mundshme, etj. Situata dramatike financiare e kishte detyruar ambasadën të mos kryejë as kontrollin e detyrueshëm vjetor për tre makinat e saj. Në fund ambasadori Galanxhi, me tone ironike, i drejtohet sekretarit të përgjigjëm Turdiu me një kërkesë dëshpëruese: “Ju lutem më autorizoni me shkrim, z. Sekretar i Përgjithshëm, që të mos dal nga zyra, ose më saktë, të mos dal nga rezidenca, pasi në jetën reale, me minus një mijë dollarë, nuk mund të bëhet asgjë”.
24 prill 2013, Edi Rama me djalin e Neritan Cekës

Rasti më i fundit është ai i para dy ditëve më parë kur Egin Ceka që punon në misionin shqiptar të OSBE—së në Vjenë pati një incident me liderin e opozitës Edi Rama. Incident që nisi batuta në sallë dhe që përfundoi me të shtyra dhe fyerje. Një incident që ende nuk është mjaft i qartë, pasi të dyja palët e përfshira në incident japin versionin e vet të ngjarjes.